*Përsëri ndryshime në stafin e presidentit, largohet shefi i Komunikimit/
*Presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në “Twitter” këmbënguli se, Shtëpia e Bardhë nuk ishte përfshirë nga kaosi/
Anthony Scaramucci, drejtori i ri i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë shkarkohet nga detyra vetëm 10 ditë pasi mori emërimin.Ky është rasti i fundit mes largimeve të bujshme që kanë trazuar Uashingtonin këto ditë. Shefi i stafit, Rains Pribas u largua javën e shkuar, duke u zëvendësuar me John Kellyn, dita e parë në detyrë e të cilit ishte të hënën.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i cituar nga CNN tha se, ishgjenerali Kelly, i kishte kërkuar Presidentit Trump shkarkimin e Scaramuccit nga posti i drejtorit të Komunikimit, pasi atij i mungonte disiplina e duhur dhe se e kishte djegur kredibilitetin.Sccaramuci, një personazh kompleks e kontrovers, u bë shkak për polemika, menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, pasi u përfshi në një grindje me ish-shefin e kabinetit Pribas, të cilin ai e sulmoi ashpër duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.
Dorëheqja e shefit te kabinetit dhe zëdhënësit Sean Spicer, erdhi pikërisht pas emërimit të financierit Njujorkez që me pamjen e deklaratën e tij ndezi imagjinatën hollivudiane.Shtëpia e Bardhë e njoftoi me një deklaratë të shkurtër largimin e Scaramuccit.“Anthony Scaramucci do të braktisë rolin e tij si drejtor i komunikimit. Ai mendon se është më mirë t’i japë mundësinë Shefit të ri të stafit John Kelly për të krijuar ekipin e tij. I urojmë gjithë të mirat”, thuhej në deklaratë.
Më herët, gjatë ditës, Presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në “Twitter” këmbënguli se, Shtëpia e Bardhë nuk ishte përfshirë nga kaosi.