• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENIGMAT SHEKULLORE

February 9, 2014 by dgreca

Nga Ilia S. KARANXHA*/Firenze/

Vepra më e njohur dhe më e nderuar në gjithë botën shqiptare mbetet edhe sot e kësaj dite  pas gati pesë shekujsh një rebus enigmash të ndërthurura  me art nga autori i saj Marin Beçikemi. Kur doli për herë të parë vepra e tij nuk dihej kur e kush e botoi? Cili ishte autori dhe ku ndodhej ky autor?  Ku dhe kur vdiq ky autor? Kush ishte portreti i tij?  Pse  vepra  u botua në Romë dhe jo në Venedik? Kush ishin prezantuesit e saj  Petro Regulus Vicentini dhe Domenic Alzanjano Padovani? Përse  u maskua kjo vepër ? … Për të zgjidhur disa nga këto  pyetje  u deshën shekuj  e shekuj dhe akoma  shumë prej tyre kanë mbetur pezull në shkencën albanollogjike./

  ENIGMAT SHEKULLORE NË “HISORIA E SKËNDERBEUT” E MARIN BEÇIKEMIT (BARLETI)/

 Elementi  i parë që  bie në sy  në vepra  Historia de Vita et gestis Scanderbegi.dhe e bën atë  një publikim jo normal ka të bëjë me aspektet  tipografike e ikonografike të lidhura me ambientin venecian (Essling: “les bois et les initiales dont il est orné étant de facture toute vénitienne..)kur  ndërkohë  na është paraqitur si  një produkt  roman. Në mbyllje të veprës(colophon)  editori shënon vetëm gërmat fillestare të emrit të tij dhe shmanget  përcaktimi i datës së botimit (Impressum Rome per B.V.), haresa të cilat nuk duhen konsideruar kurrësesi të paqëllimshme. Bile edhe letrën e Marko Marulit që e botoi në të njëjtën kohë po në Romë  ai e paraqatet gati në të njëjtën mënyre Impressa Romae per B.V., vetëm se në këtu shton edhe datën e botimit: Anno .D(omini) M.D.XXII. pridie kalendas maii feliciter explicit.((Në)Vitin e  Zotit 1522 përfunduar me sukses  ditën e parë të muajit maj.)

   Një paraqitje të tillë nuk e gjejmë p. sh., më 1507 dhe më 1508 kur De Vitali boti dhe riboti veprën e Ptolomeut në Romë. Në të dyja këto raste në colophon gjemë: Romae : nouiter impressum per Bernardinum  Venetum  de Vitalibus, expensis Euangelista Tosino Brixiano bibliopola, die VIII Septembris M.D.VII(Romë. Shtypur rishtmas prej Bernardino Venecianit të Vitalve,  me shpenzimet e Evangjelista Tosino-s librar më 7  shtator 1507). Pra dy vizita nga Bernardino de Vitali në Romë dhe dy mënyra  të ndryshme paraqitje të veprave.  Me gjithë këtë  edhe në mënyrë instiktive nga intelektualë të shquar venecianë Historia e Skëndërbeut  nuk është vlerësuar si një vepër që i përket ambientit  roman por atij venecian. Më 1847 E.A. Cicogna në veprën e tij bibliografike mbi editorinë veneciane fut   mes tyre si  një përjashtim edhe veprën e Skënderbeut  me komentin e veçantë se: Jeta e veprat e Skëndërbeut janë të lidhura me mjra fije me  venecianët.

Përsa i përket editorit sot  ngjan një fakt i thjeshtë dhe i ditur prej të gjithëve se B.V. do të thotë Bernardino De Vitali.  Mirëpo për të aritur në këtë pikë u deshën të kalonin gati dy shekuj e gjysëm nga botimi i veprës  që studiuesi arbëresh Pietro Pompilio Rodotà (1707-1770)  të vendoste  një paralele mes editorit   të Rrethimit të Shkodrës  në Venedik  dhe B.V.–së  të  Historisë të Skënderbeut në Romë.

    Maskimi i kësaj veprës duket tek  tendenca  për të paraqitur  atë si një vepër të kompletuar me portretin e autorit në faqen e parë ku është dedikimi i veprës. Kjo formë paraqitje krijonte  për  lexuesin e thjeshtë   por edhe tek ndonjë ndonjë studiues përshtypjen se ka përpara imazhin e vërtëtë të një autori  që duhej të ndodhej diku në Romë si famulltar. Me vdekjen e Marin Beçikemit(1468-1526) autorit të vërtetë të veprës Historia de Vita et gestis Scanderbegi..   editori i saj Bernardino de Vitali që e dinte më së miri se ai portret nuk kishte pasur  të bënte fare me  imazhin e ndonjë personi  por ishte   thjesht   një ksilografi simbolike e kalon atë më  30 shtator 1526 edhe në veprën e Aloyse Cynthio degli Fabritii   mbi proverbat popullore. E pra edhe në këtë rast Bernardino de Vitali deshte  t’i bënë një farë maskimi autorit  mirëpo Alvise Cincio  ishte një person i njohur publikisht dhe u bë objekt ndjekjesh nga ana e klerit. Ishte  pikërish kjo vepër që  shtyvi Signorinë të vendosë  më 29 janar 1527 censurën mbi edirotinë në Venedik si mbi librat e shtypuara aty si mbi ato të importuara. Ky vendim prekte edhe veprën tonë që po qarkullonte aty si një vepër importi.

Çështja tjetër akoma  më enigmatike ka të bëjë me dy autorët që  na prezantojnë veprën e Historisë të Skënderbeut të paraqitur  në ballinën e  saj me nga një vjershë të shkurtër. Është fjala për Petro  Regulus Viçentino dhe Domenik  Alcinjano Padovani-n.  Në këtë rast është normale të bëhet pyetja: Kush janë këta persona? Sa të njohur kanë qënë ata  kur u botua vepra dhe sa mundësi kishte dikush që nëpërmjet tyre të arinte tek autori i vërtetë i saj ?

Dh. Shuteriqi i ndodhur para  faktit mbi pamundësinë e mbledhjes të të dhënave biografike për Barletin nëpërmjet veprave të tij, mbasi ato paraqiteshin  hermetike  në këtë drejtim,  sugjeronte që të ndiqeshin  jetët e këtyre dy personave  për të cilët  mendonte se duhet ta njihnin Barletin. Po aty tërheq vëmëndjen  se ata  ishin injoruar gati krejt nga historiografia shqiptare(Shuteriqi-1979).

Të njëjtat probleme i parashtruma edhe në vepra Barleti apo Beçikemi?.., dhe tashmë duket  se në këtë drejtim kanë filluar  kërkimet e para  të cilat nuk duket se e kanë qetësuar  këtë çështje.  Ata vazhdojnë të parqesin akoma vështirësi identifikimi apo njohje të veprimtarisë së tyre në mënyrë  të tillë që të mund të gjejmë kontaktet me autorin e veprës sonë.

Mbiemri Alzignano (Alcinjano)i përdorur në shekullin e XV duket se ka filluar të lihet pasdore dhe ai evulon në fund të këtij shekulli dhe në fillim të shekullit të XVI në formën  Olzigniano(Olcinjano). Kështu një student në Padova  në aktet kuries e gjejmë: d.(om)  mag.(ister) Iacobi Alzignani Patavii art. doct.(Divers. 44. f. 109) po të njëjtin person  më 1488  fillojmë ta takojmë në aktet e këtij universiteti  me emrin  mag. Jacobi f.(ilius)  ser Gasparis de Olzignano civis Pad.(ova)  por edhe në formën:  Iacobus de Olzignano de Padova f(ilius) ser Gasparis (Baldasris) doct., art. (doctoris in artibus)

    Ndërsa një tjetër Iacob me mbiemrin Arzignano (Arzignana)  do ta takojmë më 4 shkurt 1474 në variantin Iacopi de Supatis Jordanis de Arzignano f.(ilius) ser Nascimbeni doct. i. civ.  por edhe  në variantin d. Jordani de Arzignano Vicentini.

Për periudhën 1500-1550 nuk gjejmë në Universitetin e Padovës asnjë studentë me mbiemrin Arzignano apo Alzignano por ndërkohë kemi dy studentë  që venë mbas emrit të tyre  de Olzignano (nga Olcinjano) dhe  që të dy janë nga Padova. Kështu kemi Heironimus de Olzignano de Padova  e po kështu edhe  Doymus (Doimus) de Olzignano (Olzignanus) de Patavius q.(unadam) Antoni

Ja pra është me se e qartë që mbiemrat  Alzignano (= Olzignano) dhe Arzignano nuk mud të shkrihen tek njëri tjetri mbasi janë dy lokalitet te ndryshme larg nga njëra tjetra. Njëra është në afërsi të Padovës mos lagje e saj (kemi edhe Palazzo Olzignani ndërtuar qysh më 1466 nga Pietro Lombardo)  dhe tjetra në Vincenza.

Kështu  Dominicus de  Alzegnano  Patavius  i Historisë të Skënderbeut nuk mund të jetë  i njëjtë me mjekun  Domenico Massari( Dominici Vincentini Arcignanei) aktiv në shek. XV-XVI  lindur në Arzignano provinca e Viçencës.

Mbi jetën e këtij humanisti  dihet shumë pak.  Emri i tij del si autor në dy  vepra. Në të parën ai është kujdestar i veprës  të Aristotelit: Problemet(1505) e cila edhe pse konsiderohet një vepër e dyshimtë e Aristotelit  pati një  popullaritet  në gjithë Evropën. Ajo është e ndërtuar nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve të 900 çështjeve (problemeve) të ndryshme.

Libri i  dytë i Domenico Massari-t ka të bëjë me peshat dhe mastat mjekësore i cili u botua fillimisht më 1511 dhe më pas pati edhe dy ribotime të tjera në Itali  një në Pavia(1516) e një në Bologna(1516).  Në këto vepra  ai prezantohet me emrin: Dominici Vicentini  Arcignanei  por edhe më  thjesht:  Dominici Arcignanei. Dy botimet  e fundit janë të bashkuara  me vepra të  autorëve të tjerë.

Në këtë pikë duket më interesant të gjyrmohet  Doymus (Doimus) de Olzignano (Olzignanus) de Patavius  i të ndjerit Antonio për të cilin folëm më lart. Ky e nis karierën e tij univesitare disa muaj pas vdekjes të Marin Beçikemit dhe është pranuar në universitetin e Padovës  mbasi ka dhënë prova për aftësitë e tij. Nuk është çudi që në mënyrë private ai të ketë pasur si profesor Beçikemin. Pas disa vjetësh  të një kariere të shkëlqyer universitare Doimus që duhet të jetë Domenik ka aritur të bëhet primar i Kolegjit të Shënjtë të Juristëve në Padova.

Çështja duket sikur është zgjidhur me Petrus Regulus Vicentinus me që emri i një Petro Regola del së  fundi në aktet arkivale të kuries së Padovës dhe ngjan që të ketë qënë sekretar qysh në kohën e peshkopit  Jacopo Zeno(1460-1481)  mirëpo nuk duket të ketë mbajtur të njëtin ofiq  gjatë peshkopatës të  Pietro Barozzi-t (1487-1507) dhe riaktivizohet me ardhjen e peshkopit të ri Pietro Dandolo(1507-1509). Në këtë periudhë ai duhet të ketë qënë  mbi 60 vjet

Duke ndjekur gjithmonë studentët që kanë studjuar  në Padova takojmë disa prej tyre që mbajnë mbiemrin Regulus apo Regulinus me prejardhje  udineze, veneciane apo toskane. Pra mbiemri nuk ka qënë dhe aq i rallë siç menduam kur botuam veprën Barleti apo Beçikemi?…

Sidoqoftë në lidhje  me Petron që del në dokumentat e kuries të Padovës  del pyetja a ishte gjallë ai  kur u botua Historia e Skëndërbeut më 1522?  Pastaj  sa  i gatshëm ishte ai të na informonte për këtë Marin Barleti  që në duket si një person nga  Roma e që në realitet  ishte Marin Beçikemi nga Padova?

Me gjithëatë ka rëndësi fakti se diçka ka filluar të lëvizë edhe në shkencën shqiptare  për të gjetur të vërtetën. Fillimisht u provua  për ruajtjen e anakronizmave. Emri i Barletit e vepra e tij  bënin  pjesë në ADN-ne e kombit e të shkencës  albanollogjike.  Ndryshimet e tyre  prishnin shumë ekulibra e rëzonin shumë mite. Jo më kot në shtypin e kohës u përdorën fjalët:   rikthim tek Barleti, rishikim, rivlerësim i figurës të  Barleti apo rigjetja e Shqipërisë të humbur. Të gjitha kishinn qëllim të theshin  të ruajmë me çdo kusht Barletin.  Shpresojmë e urojmë  të bëhen tentativa të tjera. Hulumtime apo diskutime  e pse jo edhe konfernca mjaft që të mos anullohen pasi janë deklaruar. Të  gjitha këto do të kenë  edhe anën  pozitive mbasi sa më shumë variante të  hamendësohen për ekzistëncën historike të  Barletit  aq më shumë do të bindemi se prapa këtij emri  qëndron  profesori dhe oratori zyrtar i Rpublikës të Venedikut  Marin Beçikemi. Njeriu që njihte nga afër dhe larg segretet, skenat dhe prapaskenat që luheshin në pallatet e dozhëve.

*(Ne Foto:Stema e familjes Beçikemi.)

Firenze 31.I.2014

Filed Under: Featured Tagged With: ENIGMAT SHEKULLORE, Ilia S Karanxha, NË “HISORIA E SKËNDERBEUT

ALBANOLLOGJIA NË BIBLIOTEKAT E FIRENCES

January 11, 2014 by dgreca

SHKRUAN: Ilia S. KARANXHA/ Firenze/

Se çfarë përfaqëson Firencia për kulturën dhe artin italian në veçanti dhe  atë evropian në përgjithësi  është  sot një fakt i mirënjohur në mbarë botën e civilizuar. Provë e gjallë në këtë drejtim  nuk janë vetëm bibliotekat e panumurta të ngritura e të mirëmbajtura prej shekjush nga vetë  fiorentinit,  por edhe ngritja dhe funksionimi krahas tyre të një sërë bibliotekash e institucionesh kërkimore shkencore të huaja me karakter umanistik nga shtete apo universitete që mbahen sot ndër më të zhvilluarat në botë. Si të thuash në djepin e kulturës evropiane këto shtete apo institucione ballafaqojnë dhe zhvillojnë kulturrën e tyre shkencore umanistike.

Mes këtyre institucioneve e bibliotekave jo-fiorentine mund  të  kujtojmë këtu  Institutin  Universitar Evropian  të ngritur qysh nga viti  1976;  Instititutin gjerman mbi historinë e artit (Kunsthistorisches Institut)  të themeluar  më 1897;  bibliotekën  Berenson në Villa Tati-Firence të  bashkuar  qysh më  1961 si  pjesë e  Universitetit të  Harvardit(ShBA); bibliotekën Bill Kent pranë  Monash University Prato Centre që ruan një fond të pasur librash mbi historinë e artit që vijnë nga  Warburg Institute i Londrës;   British Institute i Firences i  themeluar  më 1917 nga një grup studiuesish që jep  një kontribut të shquar në promovimin e kulturës angleze për italianët dhe asaj italiane për anglezët;  bibliotekën e  Instituti Universitar Ollandez mbi kulturën e artin e Vëndeve të Ulta; shoqatat Itali-Rusi e Itali-Hungari me bibliotekat e tyre përkatëse e kështu me radhë edhe shumë  bibliotka të tjera të huja më të vogla.

Ja pra në këtë arqipelag të panumurt  bibliotekash fiorentine e jo-fiorentine  Shqipëria, shqiptarët apo gjuha shqipe a  kanë  ndonjë vend në atdheun e Dantes, Petrarkës, Bokaçios apo Koluçio Salutatit?

Në një vizitë turistike që bëra  shumë vite më parë në shtëpinë muze të Dantes gjeta  të ekspozuar  në vitrinat e tij edhe variantin shqip të “Komedisë hyjnore” të  shqipëruar nga Pashko Gjeçi. Ajo ishte vendosur aty mes përkthimeve më të mira që i ishin  bërë në harkun e shumë shekujve kësaj vepre me famë botërore.  Ky fakt do të më sillte  ndërmënd  portretet më të hershëm të Pirros së Epirit, Mikele Tarkanjotës apo Skëndebeut që ruheshin prej shekujsh  në Uffizi për të cilat jemi mësuar t’i konsiderojmë si  origjinale.  Do më bënte të kujtoja simfoninë  “Skënderbeu” të  Vivaldit(1678-1741 që u lojt në pranverën e vitit 1718  me  një sukses aq të madh, me rastin e  inagurimin të  teatrit në rrugën Pergola të Firence, sa vuri në zili edhe sienezët që të organizonin edha ata çfaqen e kësaj sinfonie  me qëllim që të mos ndjeheshin më poshtë se fiorentinët.  Do më kujtonte afreskon e madhe të Bernardo  Poccetit(1548-1612) në Salla Bona -Palazzo Pitti ku pasqyrohet pushtimi i Prevezës në Shqipëri nga fiorentinët  më 3 maj 1605. Do më kujtonte skluptorin e shquar fiorentin Romano Romanelli(1882-1968) jo vetëm për monumentin e tij të bukur të Skënderbeut të ngritur në Romë me gjykimin e miratimin e njëzëshëm të intelektualve  të shquar fiorentinë por edhe për të gjitha monedhat  shqiptare me një cilësi të lartë që ai derdhi  gjatë periudhës së  Zogut. Do të më kujtonte vitet shumë intensive që rilindësja  jonë më e shquar Dora D’Istria kaloi këtu në Firence deri në momentet e fundit të jetës së saj.  Do më kujtonte arqitektin e shquar po ashtu  fiorentin Gherardo Bosio (1903-1941) prej të cilit trashëgojmë edhe sot e kësaj dite planimetrinë e të gjitha godinave të ngritura në qëndrën e Tiranës nga ministritë deri tek univesiteti. Apo krijimin e të parës hartë me kufijtë politikë të Shqipësisë në Institutin Gjeografik Ushtarak të Firences fill mbas konferencës së Londrës(1913). Pa folur këtu për arkivin e këtij institucioni që ruan me mijara harta topografike, rilevime gjeodezike apo foto aerostatike të kryera mbi teritorin Shqiptar apo atë ballkanik të cilat vazhdojnë të ruajnë një rëndësi të veçantë për Shqipërinë.

Nuk do të ishte pa interes të kujtonim po  këtu se si fiorentinët,  për të  nderuar e përjetësuar në një fiksion kinematografik politikanin, shkrimtarn, mecenatin e umanistin më të famshëm të rilindjs italiane e fiorentine Lorenzo de  Medici(1449-1492) të ashtuqojturin  “il Magnifico”,  zgjodhën aty nga vitet 1930 më të madhin e shqiptarve aktorin me famë botërore  Aleksandër Moisiun.

Ja pra mjaft  pikënisje ugurmirë krenarie. Thjesht  një arsye më shumë  që të nxit  për të gjyrmuar se çfarë lidhje të tjera  mund të ketë pasur mes Shqipërisë dhe Firences? Çfarë pasurish albanollogjike fshihen në biblotekat e muzeumet e  këtij qyteti ?  Dy pyetje që integrohen tek njëra tjetra ndërthuren me njëra tjetrën e kompletojnë njra tjetrën tek shikojmë të projektohet  qysh nga kohët më të lashta  të etruskëve e deri në ditët tona një histori fiornetine e Shqipërisë e paralel me të një pasuri e pamasë albanollogjike e shpërndarë dhe ruajtuar me kujdes në qindra biblioteka e muzeume të Firences që prej shekujsh nderojnë këtë qytet në të gjithë botën.

Kështu edhe pse Shqipëria  në kryeqëndrën  e Toskanës (“e toskëve” do të bërtiste  dikush i dalldisur pas trasformimeve etimollogjike) nuk ka një institut apo bibliotekë albanollogjike që në portën e saj të mbante një pllakatë me një  mbishkrim të tillë, aq të dëshëruar  për të gjithë shqiptarët, ajo prapë se prapë ekziston. Eksizton në përmasa e temtika të  larmishme të tilla sa që mund të ballafaqohet denjësisht me institucionet e bibliotekat albanollogjike  më të mira të Shqipërisë  e të botës  në pikpamje numerike e cilësore  të fondit librar e arkivistik.

Një histori fiorentine të Shqipërisë mund ta nisim  me antikitein. Me debatin se kush janë etruskët dhe gjuha etruske. Pra dikush pretendon se e ka zgjidhur misterin etrusk, dikush deshifron gjuhën etruske dhe e quan atë një gjuhë të gjallë (lingua viva) duke gjetur paralelizma me gjuhën moderne shqipe e të tjerët  që i mohojnë këto cfilitje.

Por këtë  histori  fiorentine  të shqiptarve e  Shqipërisë mund ta shikojmë edhe kur Petrarka në vitet 1341-1343 përfundonte variantin e parë të veprës së tij mbi Burrat e Shquar (De viris illustribus) ku mes të tjerve do trajtoheshin edhe Pirroia i Epirit dhe Aleksandri i Maqedonisë.  Dy kode dorëshkrim që ruhen sot në Bib. Laurenziana të Firences përmbledhin këtë vepër të Petrarkës e cila do t’i shërbente pak më vonë edhe  princit Francesco nga Carrara (?-1388) të bënte zbuklurimin e pallatit të tij në Padova pikërisht me këta burra të shquar.   Në vazhdën e Petrarkës dot të shkonte edhe autori i  famshëm i  Decamoroni-t  fiorentini  Giovanni Boccaccio kur shkrojti veprën tjetër të tij  Fataliteti i burrave të shquar (De casibus virorum illustrium-1356-1360). Këtu zunë vënd mes të tjerve  Alessandri I, (Mollosi) Mberti i Epirit,  Olimbia dhe Pirroia i Epirtit vepër e cila pati një përhapje të gjërë në Evropë dhe shumë kode dorëshkrim  të saj u zbukuruan me miniatura nga më të bukurat të  kësaj gjinie.

Me Pirron dhe Aleksandrin e Madh  do të merej edhe  umanisti fiorentin Lino Coluccio Salutati (1331-1406)  i cili në veprën e vet  De origine civitatis Florentiae et eiusdem famosis civibus (Mbi  origjinën e qytetit të Firences e qytetarët e saj të famshëm) do t’i shikonte ata si strategë të mëdhenj që u mundën apo që u tejkaluan nga fuqia e Romës. Në Firence, njëlloj si në Padova,  një sallë (Aula Minore) në Palazzo Vecchio,  qysh në atë kohë pallati  komunal i Firences,  do të zbukurohej me figurat e këtyre personave të shquar.

Në fillim të shekullit që sapo kaluam studiuesi me origjinë rumune Nicola Jorga lexovi në bibliotekën Medicea-Laurnziana  në një kod  dorëshkrim të kopjuar nga Ëngjëllorët e Drishtit një shprehje në gjuhën shqipe që sipas të gjitha ngjasave duhej t’i takonte kohës të Skënderbeut dhe për më saktë vitit 1462. Publikimi i kësaj gjetje më 1915  u cilësua prej të gjithëve me rëndësi të veçantë linguistike e historike. Fakti  ngjalli një euforizëm të jashtëzakonshëm jo vetëm mes atdhetarve shqiptarë por në mbarë botën akademike bile për shumë vite me radhë.  Një bibliografi e pamasë u prodhua rreth  asaj që duhej të shënonte pikënisjen e gjuhës shqipe e që shumë shpejt hyri të bënte pjesë në të gjitha tekstet shkollore me emëtimin “formula e pagëzimit.” (Shih: I. Karanxha: Barleti apo Beçikemi? Një pështjllin në shkencën shqiptare.  Tiranë 2010, ff. 236.241 )Shumë linguistë të shquar u ngatëruan për shkakun e vetëm se ajo u trajtua në mënyrë të veçantë,  e shkëpur nga konteksti ku kishte zënë vend dhe pa  asnjë vlerësimin kritik të dokumetave të ndryshme që ishin kopjuar aty. Nga ana tjetër në atë kohë  nuk njihej sa duhej as veprimtaria falsifikuese e familjes  Ëngjëlli që cfilitej  të nxirte  në pah para shqiptarve një lavdi të paqënë. Sidoqoftë sot entusiazmi mbi këtë tekst shqip,  që i përket  në realitet mezit të shekullit XVI,  duket se është shteruar dhe fakti që kodi Ashb1167 i Laurencianës nuk u bashkua me veprën e Buzukt me rasrin e 100-vjtorit të pavarsisë në Bibliotkën Kombëtare të Tiranës  tregon se studiuesit e sotëm shqiptarë janë më të kujdesshëm.  Megjithëtë ka rëndësi të kujtojmë këtu se debati për primatin në kulturën shqiptare, edhe pse në një formë jo shumë ortodokse, kishte filluar qysh në hapet e para të saj në fillim të shek.XVI

Kështu paralel me zanafillat e një historie fiorentine të Shqipërisë e shqiptarve zhvillohet edhe ajo bibliografike që siç e pohuam më sipër ka përmasa të jashtëzakonëshme e të krahasueshme me një Institut albanollogjik.

Për të hedhur  sa më shumë dritë mbi këtë  pasuri  albanollogjike  fiorentine të çmuar  për gati 8 vjet me rradhë  gjyrmuam  të gjitha bibliotekat e Firences e  rezulatat e kësaj pune  nismëtare  kanë zënë vend në një vepër me karakter bibliografik dhe biografik  nën titullin  “Albanollogjia në bibliotekat e Firences” e cila  përmbledh më shumë se 20.000 referenca bibliografike. Në një farë mënyre edhe një lloj biblioteke  virtuale e shkencës albanollogjike në qytetin e Firences.

Firenze  19.VIII.2013

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albanologjia, e Firences, Ilia S Karanxha, ne Bibliotekat

VËLLEZËRIT TIPOGRAFË DE VITALI DHE PORTRETI NË VEPRAT E TYRE

September 19, 2013 by dgreca

Shkruan: Ilia S. KARANXHA/  

Veprimtari editoriale dhe tipografike e vëllezërve  de Vitali në kontekstin e zanafillave të  editorisë veneciane nuk është më një argumet i pa njohur për publikun shqiptar edhe pse shkencës  albanollogjike  vazhdon t’i mungojë  akoma një studim monografik serioz mbi këtë argumet. Një informacion të  menjëhershëm, kuptohet jo të  plotë, e gjejmë në rrjetin social që përfshin regjistrimet e gjithë veprave italiane të botuara gjatë  shekullit të XVI të realizuara nga Instituti Qëndror për Katalogun Unik (EDIT 16 ICCU) në harkun e shumë viteve. Megjithëatë  mbeten jashtë  këtij katalogu incunabolat (botimet e shk.XV),  një sërë botimesh të tjera të cilat shpesh edhe si ksombla të vetme kanë përfunduar në biblioteka të ndryshme jashtë Italisë  apo vepra të cilat edhe pse nuk kanë të shënuar në kolofon (të dhënat përmbyllse të një vepre) emrin e editorit janë konsideruar nga biblioteka apo studiues seriozë si vepra të Bernardino de Vitalit.

Sidoqoftë duke ju referuar informacionit që trasmeton katalogu i mësipër gjejmë 196 vepra të cilat shënojnë  si editor vetëm emrin e Bernardino de Vitalit, 9 vepra  që  përmbajnë emrat e të dy vëllezërve pra Bernardino e Matteo de Vitali; një vepër të cilën Bernardino de Vitali e ka botuar në shoqëri me një Francesco Consorti  nga Lucca  kanonik  në katedralen e Shën Markut, ndërsa dy vepra  kanë dalë vetëm me emrin e  vëllajt të tij Matteo de Vitalit. Po në këtë katalog mund të shikojmë  në një seksion të veçantë  disa nga markat  tipografike që ka përdorur De Vitali. Nga çfletimi i librave të ndryshme kmi konstatura se ata fillimisht kanë dashur të përdorin si simbol shqiponjën duke bërë edhe stilizime të ndryshme dhe njëri prej këtyre varianteve ka dalë  në disa botime si marka zyrtre e  tyre.

Në lidhje me botimet e vëllezërve De Vitali në enciklopedia Trecani  na  është dhënë një shifër  e përafërt që i vlerëson ato në  rreth 150 vepra; katalogu i mësipërm (EDIT 16 ICCU) ka mundur të regjistrojë në total 208 vepra,  të njëjtën  shifër (209) na ka dhënë edhe studiusia L. Nadin. Në një shkrim që kemi botuar më 2011 kemi referuar se vëllezërit De Vitali për periudhën  prej 1493 deri më 1539 kishin botuar  e ribotuar  265 vepra të ndryshme. Tani këtë shifër në bazë të studimeve më të thella  mund  ta korigjojmë  në favor të këtyre editoreve me origjinë shqiptare  duke regjistruar për ta mbi  300 botime dhe njëkohësisht duke përcaktuar si viti të fillimit të veprimtarisë së tyre muajt e parë të  vitit  1491 kur botojnë veprën  e Nicolaus de Boffeleo : “Indulgentia” (një libër mbi çfajësimet nga mëkatet për lebrozët e spitalit të Shën Lazarit në Jeruzalem)  dhe  jo më  vitin 1494 siç referohet në  katalogun e mësipërm dhe në mënyrë hipotetike edhe nga ndonjë studiues. Sidoqoftë   krijimi i një repertori sa më të plotë të veprave të botuar nga vëllezërit De Vitali krijon mundësinë për studime  me vlerë për shkencën albanollogjike.

Për vëllezërit De Vitali kemi bërë edhe disa  publikime të tjera ku veç jetës dhe vprimtarisë së tyre editoriale- tipografike i kemi dhënë përparësi  edhe aspekteve ikonografike në botimet e tyre. Në këtë kontekst  krahas ballinave dekorative një  vend të rëndësishëm në botimet e tyre  fillon të zerë edhe portreti i gdhëndur në dru (ksilografia)  apo në bakër i cili ndryshe nga kopertina është gjithmonë një pjesë organike dhe e pandarë e veprës.

Veç portretit të Skënderbeut(1405-1468) të mirënjohur  prej të gjithëve gjejmë gjithashtu në veprat e botuara nga Vitali edhe portretet e Ludovigo Ariosto-s(1474-1533), të Virgjilit (Vergilius Maro, Publius 70-19 para K), dy portrete të muzikantit fiorentin Pietro Aron(rreth 1480- 1545), të shënjtorit Marko(dikush e cilëson Shën Luka) në aktin e shkrimit të ungjillit  por edhe disa të tjera  në përmasa të zvogëluara  e të futura brenda gërmash të ksilografuara.  Me përjashtim të veprës së Barletit, për të cilën siç  dihet është pa datën e botimit, të gjitha portretet e mëdha  dokumentohen pas viteve 20 të shek XVI. I vetmi portret,  mes këtyre që përmëndëm,   që riqarkullohet nga publikime të editorve të tjerë është ai i Ludovigo Ariosto-s ndërsa të tjerët  u publikuan  për  herë të parë  nga  Bernardino de Vitali.

Portreti i Skënderbeut, që bën përshtypje edhe për madhësinë e tij(256x173mm), jo vetëm mes veprave të Vitalit por në gjithë botimet e kohës, duke thyer skajet e brëndëshme të kornizës së

sipërme, veçohet gjithashtu për forcën e madhështinë e imazhit që trasmetohet nga një profil disi i ngurosur. Ky është portreti i parë që ka publikuar De Vitali  për të cilin në studime të tjera kemi përcaktuar datën 1522 dhe si një vepër arti ai  ka zënë vend në një sërë botimesh që trajtojnë grafikën në fillim të shek XVI.

Më 1523 Bernardino dë  Vitali  boton veprën  “Toscanello in musica…” ku gjejmë  të skalitur në ballinë  portretin e muzikantit fiorentin  Pietro Aron  që ishte njëkohësisht edhe  autori i librit i cili më 1516 kishte  çelur në Romë një shkollë kantoje dhe në Imola ishte maestro i korit. Ky autor portretizohet në figurë të plotë i ulur në katedër.  Krahun e djathtë e mbështet mbi mbajtësen e poltronës ndërsa në dorën e majtë mban një libër. Nxënsit janë vendosur rreth tij në të dy anët. Përpara kemi një tavolinë me instrumenta muzikore e dy libra. Korniza që përmbledh këtë skenë të një ore mësimi në muzikë me ornamentet e elementët e saj kthehet pjesë e pandarë e ngjarjes. Kjo grafikë  në bazë të monogrameve që ndodhen në pjesën e fundit majtas L.A. i është atribuar gdhëndësit fiorentin  Lukantonio degli Uberti(Lucantonio degli Uberti aktiv në vitet 1503-1557) dhe e gjejmë të ribotohet  nga  de Vitali edhe dy herë të tjera më 1525 (“Trattato della natura…”) e më 1529.

Nuk është për të përjashtuar mundësia që Lucantonio degli Uberti të ketë kontribuar  edhe në zbukurimin e   veprës  “Historia de Vita et gestis Scanderbegi…”  kur ndërkohë jemi më të sigurtë që blloku i sipëm dhe i poshtëm i  katërkëndëshit në ballinën e  kësaj vepre janë realizuar  për herë të parë nga Zuan Andrea qysh më 1520.

Editorë të tjerë Melkior Sessa e Domeniko Nikolini duke ribotuar veprën  “Toscanello in musica…” (1539,1562) ribotojnë gjithashtu të njëjtën ksilografi me portretin e Pietro Aron që kishte botuar De Vitali. Mund të përmëndim  këtu që vlerat e kësaj vepre nuk kanë humbur akoma. Kështu Shtëpia botuese ’Forni’ – Bolonja  riboton së fundi të njëjtën vepër  “Toscanello in musica…’(1969)  së bashku me portretin e ksilografuar  të muzikantit fiorentin  që përmëndëm më sipër.

Është e rëndësishme të theksojmë këtu  se raportet e bashkëpunimit mes Bernardino de Vitalit   e familjes Sessa  duhet të kenë nisur qysh para vitit 1500. Më  16 maj 1498 ne i gjejmë  të botojnë së bashku veprën  e poetit  Palladius, Domicus Soranus: Epigrammata libellus… (Palldi,  Domeniko (ndryshe Domeniko Farina): Librin e mbishkrimeve) vepër e cila në fillim e në fund përmban dy marka  tipografike të ndryshme. Në krye atë  të Sessës me macen që mban në gojë miun e rrethe rrotull gërmat IBS(Johannes Baptista Sessa) e në fund  të librit atë  që do të bëhej marka e  De Vitalit, kuadratin me kryq e me rreth  e  me gërmat e  para të dy editorve. Nga lart poshtë  dallojmë I.S (Iohannes Sessa)dhe anash B.A. (Bernardino Albanesem). Është i njëjti vit kur De Vitali përdor për herë të dytë  mbiemrin “Albanese”. Atribuimi i kësaj vepre de Vitalit  bëhet nga British Library  – e Londrës (Incunabula Short Title Catalogue) duke marë shkas kuptohet nga  vepra e Sabellikos (Sabellico, Marco Antonio Coccio (1436-1506))  “Enneades…”   ku në  kolofon të librit na bëhet e ditur  se vepra u  shtyp  nga Barnardino e Matteo de Vitali  që “populli aty i quan shqiptarët” (qui vulgo dicuntur li Albanesoti).  Sidoqoftë më 1522 kur u botua vepra .. de Vita et gestis Scanderbegi bashkëpunimi nuk ishte vetëm mes Luka Ulqinakut  e Marin Beçikemit  për shkëmbimin e ksilografive të ballinës por edhe mes Bernardino  de Vitalit edhe Melchior Sessa-s të birit të Iohanni-t. Për këtë argument  kemi folur gjetkë.

Më 1527 në veprën e Amonio Alesandrinos : ’Quatuor Evangeliorum…’ (Katër ungjijtë ) në fletën e  8-të gjejmë portretin e shkrimtarit evangjelist Shën Matheo (apo Shën Markut) në tavolinën e tij të punës, një  grafikë me nivel të lartë artistik,  e cila nga ndonjë studiues është konsideruar e stilit ticianesk bile shkohet edhe më tej duke e konsideruar vepër nga vetë dora e artistit të madh.  Në këtë pikë mund të hipotizojmë edhe një kontakt të drejtpërdrejtë bashkëpunimi mes Tiziano Vecellio (1480-1576) edhe de Vitalit me që Shën Markoia në këtë variant është publikuar për herë të parë prej tij e nuk duken ribotime të portretit në edicione të mëvonshme. Por nga kritika e artit e sudimet mbi grafikën e  Tiziano-s kjo vepër duket akoma nuk ka gjetur miratimin e studiuesve prandaj mbetet të klasifikohet në stilin ticianesk e realizuar nga pasuesit e shumtë që ndoqën gjurmët e Ticianos.  Megjithëkëtë mbetet një fakt i pakundërshtueshëm i një periudhe lulëzimi ekonomik për vëllezërit De Vitali që mund t’i lejonin vehtes të angazhonin për botimet e tyre  artistë   të shquar të kohës.

Një paralelizëm mes grafikave  të Tiziano-s e portretit të publikuar nga  de Vitali mund ta gjejmë në një nga figurat tek blloku i parë që paraqet ciklin e “Triumfit të J. Krishtit” ose “Triumfi i Besimit” të realizuar mga Tiziano qysh më 1516.  Për Essling(1910) e Sander(1950)  portreti i publikuar nga Vitali paraqet Shën Lukën por kjo nuk ndryshon thelbin e  çështjes.  Ndryshe qëndron puna me portretin e poetit Ludovigo Ariosto(1474-1533) e cila tashmë me unanimitet pranohet si një vepër e Ticianos dhe shfaqet për herë të parë më 1532 në Ferrara në veprën ’Orlando Furioso’ me editor Francesco Rossi. Portreti për bukurinë e forcën e madhe shprehëse të poetit të shquar u pëlqye me njëherë nga shumë edtitorë të cilët e vendosën si ballinë në veprat e tyre. Shëmbëlltyra mbetet e njejtë por dallohen 4 variante ksilografike të poetit të madh. Vitali ishte një ndër të parët që riboton  këtë portret më 1535 në dy komeditë e Ariostos  “La Lena” e “Il Negromante”. Për këtë rast pa pretenduar ndonjë përgjithësim  mund të themi se janë të spikatura  preferncat e menjëhershme të Vitalit për portretin autentik. Me publikacionet e shumta që pati ky portreti  i Ariostos gjatë shekullit të XVI  edhe nga  shumë editorë të tjerë  e  bënë atë  mjaft popullor.

Portreti i Virgjilit u botua nga B. de Vitali më 1532 në vepra  “La Eneide…” dhe paraqet  disa karakteristika që e afrojnë me portretin e Skënderbeut tek  e shikojmë të  futur brenda një kornize dyshe  e  të zbukuruar me gjethe rrushi. Si konkluzion në lidhje me gjithë portretet e mëdha të botuara  nga  de Vitali  mund të themi se karakterizohen nga një nivel i lartë artistik, janë publikuar mbas viteve 20 të shek. XVI   dhe se kanë qënë  gjithmon objekt vlerësimesh pozitive nga kritika e artit.

Përsa i përket portreteve në dimesione te vogla ato paraqiten  gjithmonë brënda gërmash ksilografike dhe shërbejnë si pikënisje për fillimin e një vepre  apo të ndonjë kapitulli por nuk mund të themi se ato përfaqësojnë imazhin e vërtetë të autorit.  Rasti më lëndues  në Shqipëri është ai i të   ashtuqojturit  “porteti  autentik i Marin Barletit” (K. Biçoku: “Portreti i Marin Barletit…” shih: St.His. 1999/2 ) të cilin e gjejmë të publikuar  po nga Bernardino de Vitali edhe më 1927 në veprën e Alvise Cinzios degli Fabrizi  mbi “Proverbat vulgare”  (I.Karanxha: Barleti apo Beçikemi?…” 2010, f. 174) pra një klishe që paraqet si M. Barletin po ashtu edhe Alvise Cinzo degli Fabrizi. Dy autorë jo shumë të dëshëruruar në Venedik. Bile vepra e Alvise Cinzio-s pati  shumë kundërshtime e dabete  të bujshme dhe u bë shkak për vendosjen e censurës në Venedik. Me të njëjtat përmasa  të vogla  të futura brenda një gërme të ksilografuar është edhe një portret që e gjejmë në veprën e Pietro Aron mirëpo nuk ka asnjë  ngjasim me portetin e ballinës që folëm më lart.

Jo vetëm portretet  por edhe ksilografitë e tjera të përdoruara nga  De Vitali në veprat e tij përbëjnë një instrument të rëndësishëm studimi  mbi artin. Ato  jo vetëm na ndihmojmë të ndjekim  bashkëpunimin e  lidhjet e tij me editorët e tjerë venecianë por edhe për të gjyrmuar  e gjykuar raporetet e tij  me botën e artit në ato raste kur ai është origjinal pra  kur  është i pari që publikon njërën apo tjetrën grafikë. Përsa i përket raporteve me humanizmin e kohës,  autorët  apo tematikat e veprave që ai publikoi mbetet një problem i hapur hulumtimesh  të mirëfillta shkencore të cilat duhet të shmangin mbi këtë argument dilentatizmat apo konjuktura artificile mardhëniesh që  herë me qëllim për autolëvdata  e herë paqëllim  dëmtojnë ecjen përpara të shkencës albanollogjike.

Firenze 20. IX.2013.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: De Vitali, Ilia S Karanxha, Vellezerit tipografe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT