• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ILJAZ VRIONI, BURRE SHTETI ME SHPIRT FISNIK

July 22, 2013 by dgreca

Foto e Rrallë më 1920 nga e majta;Xhafer Ypi,Tef Curani,Iljaz Vrioni,Selaudin Shkoza, Kristo Floqi/

 Shkruan:Eugen SHEHU/

Shtigjet e historisë së një kombi janë kurdoherë paralele të hequra nga e shkuara drejt ardhmërisë. Anipse të duket sikur nëpër këto shtigje kthehesh prapa në kohë,në të vërtetë je duke ecur nëpër kumbime që zgjojnë dritë.Gjurmët e gjeneratave që shkuan mbeten kurdohere të afërta dhe të shkëlqyera sepse ato gjurmë çanë nëpër mote të vështira.Në mënyrë të veçantë,hapat e burrave që bënë dikur Shqipërinë,do të ruhen të gjalla në kujtesën e kombit tonë.Koha ka gdhendur në kujtesën  e vet,ashtu si për dhjetra burra shteti të shquar edhe figurën e Iljaz Vrionit.Duke risjellë këtë figurë në fletët e sodit,unë mendoj të sjellë disa prej ngjarjeve kulmore të lëvizjes sonë kombëtare në fillim të shekullit të njëzet,me të cilat është lidhur fort emri i atdhetarit Iljaz Vrioni.

Lindi në vitin 1882 në familjen e madhe të vrionasve,të parët e së cilës kishin bërë emër deri në hierarkinë më të lartë të Stambollit.Mësimet e para do t’i merrte në qytetin e lindjes në gjuhën turqisht dhe do të binte në sy për etjen e madhe ndaj librave.Në familjen e Iljazit egzistonte një mjedis me tradita të vyera dhe pamvarsisht kulturës osmane të marrë në shkolla,të parët e tij,kujdeseshin që çdo fëmijë të dinte jo vetëm të fliste gjuhën shqipe por edhe ta mësonte atë për të shkruar e lexuar,pa lënë mënjanë historinë shumshekullore të Beratit dhe mbarë Shqipërisë. Kur ishte 15 vjeç, Iljaz Vrioni merre rrugën për në Stamboll,aty ku studiuan në vite me radhë, pinjollët e familjeve të mëdha shqiptare.Aty,në shoqërinë e kushëririt të tij më të madh,Sami Vrionit,do të mbaronte mësimet e mesme dhe më tej do të përfundonte me nota të shkëlqyera studimet e larta për jurispondencë.Nga ana e Samiut,do të njihej në Stamboll me shumë prej atdhetarëve shqiptarë që jetonin aty.Por në mënyrë të veçantë,ai do të frymëzohej prej veprës së vllezërve Frashëri,motrave Qiriazi si dhe takimeve me Mehmet Ali Delvinën dhe Shahin Kolonjën.Mbrëmjet e gjata të kaluara midis këtyre patriotëve do të nxisnin tek studenti i shkëlqyer i Stambollit simpatinë për idetë dhe vetë lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.Kanë qenë këto arsyet që menjëherë pas kthimit nga Stambollit,Iljaz Vrioni vendos lidhje të fshehta me kolonitë shqiptare në Egjypt dhe Janinë,duke dashur të ndezë aty flakën e shqiptarizmës.Nëpërmjet Gjergj Qiriazit dhe Shahin Kolonjës,ai do të njihet në vitet 1907-1908 me veprimtarinë e klubit të fshehtë të Manastirit,duke ndërmarrë më pas nismën për të çelur në Berat një klub të tillë.Falë pasurive që gëzonte familja,ai mundi të blente nga Bukureshti e Sofja,abetaret e para të gjuhës shqipe,duke ua shpërndarë ato në mënyrë të fshehtë bashkëqytetarëve të vet,madje duke paguar edhe mësues për ta përcjellë mësimin e shqipes.Tashmë emri i Iljazit do të shkëndijoj respekt në masën e beratesve.Shtypi shqiptar i kohës do të shkruante ; “Muarmë një letër nga korespondenti ynë në Berat,ku na thotë se të enjten,më katër të këtij muaji,klubi i Beratit qenka çelur zyrtarisht.Zotërinjtë Sulo Resuli dhe Iljaz Vrioni paskan folur fjalën shqip me shum zjarr”.( Gazeta “Liria” Selanik,nr.20, datë 13 nëndor 1908 ).

Falë reputacionit që Vrionasit gëzonin në Stamboll në vitet 1909-1911,Iljaz Vrioni drejton administratën turke të qytetit,në funksionin e Kryekadiut.Fjalëpak dhe gojëmbël ai do të ndërtonte marrëdhënie të mira me vartësit dhe në mënyrë të veçantë me ata shqiptarë.Ai do t’a zbraste administratën e qytetit nga nënpunësit turq,duke mos i flakur ata në rrugë por shpesh duke i paguar nga xhepi i vet,apo duke u interesuar për punësimin e tyre në vilajete të tjerë.Si bir i qytetit të Beratit ai do të dëgjonte kurdoherë fjalët e pleqve dhe do të punonte natë ditë për rregullimin e urave,xhamive,kishave deri edhe të ujësjellësve,aq të domosdoshëm për banorët.Natyrisht detyrat administrative nuk do ta pengonin Iljaz Vrionin të ishte në krye të lëvizjes autonomiste të qytetit të vet.I bindur se vetëm një rezistencë e organizuar dhe drejtuar nga shqiptarët do t’i sillte pavarsinë vendit,në vitet 1911-1912,ai bashkëpunon me Ismail Qemalin,Ferid Vokopolën,Sami Vrionin, Bab Dud Karbunarën dhe të tjerë atdhetarë.Është lehtësisht e kuptueshme që ngjarjet e rëndësishme në jetën e Iljaz Vrionit do të mbetet pa dyshim,pjesmarrja e tij në Kuvendin historik të Vlorës,në cilësinë e delegatit të popullit të Beratit.Ai aspironte realizimin sa më parë të platformës autonomiste shqiptare,për të kaluar më pas me vullnetin e lirë të popullit drejt lirisë së ëndëruar në shekuj.Dihet tanimë se Qeveria e Përkohshme e Vlorës, zgjodhi qeverinë e parë shqiptare si edhe Senatin,i cili në çdo moment do të shërbente për të ndihmuar në mbarvajtjen e të parit shtet shqiptar.Në një prej dokumentave të atyre ditëve është shkruar tekstualisht ;”Përpara se të fillonte votimi për të zgjedhur këshillonjësit,z.Dhimitër Berati i lutet Kuvendit që të mbarohej kjo zgjidhje me një votim,domethënë të quhen të zgjedhur ata që do të kenë vota më shumë.Propozimi i zotërisë së tij pranohet dhe sakaq nis votimi.Zërat u ndanë në këtë mënyrë ,Iljaz Bej Vrioni pati 55 zëra,Sami Bej Vrioni 54,Dud Karbunara 48,Mustafa Asim Kruja 42, Murat Bej Toptani 42, Eqrem bej Vlora 40,Myfid Vehbi Efendi dhe K.Meksi nga 39,D.Zografi dhe Bedri Bej Ipeku nga 35,Sali Gjuka 35,Veli Bej Klisura dhe Hajredin Bej Cakrani nga 32,Xhela Bej Skrapari 30 “.( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi “Qeveria e Përkohshme” viti 1912, dosja 6, fletët 58-59 ).

Krijimi i shtetit të parë shqiptar me të gjitha strukturat e saj,ishte një barë e rëndë për krejt ata burra që ngritën flamurin kuqezi në Vlorë.Ishte esencial në ato momente,veprimi energjik për ta shndërruar atë akt patriotik në lëvizje politike dhe diplomatike,që të njihej sa më parë prej fuqive evropiane.Po aq i rëndësishëm ishte edhe organizimi i ushtrisë kombëtare shqiptare,e cila duhej të përballej me një varg okupimesh të ushtrive serbe,malazeze apo greke,të cilat në zbatim të politikave shovene të vendeve që përfaqsonin,kërkonin coptimin e krejt trojeve shqiptare.Iljaz Vrioni së bashku me Shefqet Shkupin,(shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kombëtare) që në ditët e para të janarit 1913,bashkërendojnë detyrat me vullnetarë beratas, etj,për të organizuar një mësymje të fuqishme ndaj forcave greke.Në mënyrë të veçantë,këta zhvillojnë disa luftime të fuqishme në trevat e Përmetit,Starovës,Korçës dhe Kolonjës,ku me ndihmën edhe të dhjetra atdhetarëve të tjerë mundën të largojnë forcat greke disa dhjetra kilometra larg vijës Korçë-Kolonjë-Gjirokastër.Edhe në vitet që rodhën më pas,ndonëse nuk do të ishte në qendër të ngjarjeve të mëdha,Iljaz Vrioni do të jepte ndihmesën e vet të paçmuar në çështjen shqiptare si brenda edhe jashtë vendit.Duke ndjekur me një qetësi të madhe rrjedhën e ngjarjeve politike në vend dhe duke paraparë synimet aneksioniste të fqinjëve tanë ballkanik,Iljaz Vrioni,në vjeshtën e vitit 1919,rënditet në vargun e burrave që duan t’i dalin zot fateve të kombit.Tallazet në të cilat e pati futur Shqipërinë,qeveria e Durrësit po e shpejtonin katastrofën kombëtare ndaj atdhetarët e asaj kohe shpejtuan në Kuvendin e Lushnjës,me një tjetër vizion për ardhmërinë e kombit të tyre.Së bashku me Hoxhë Kadrinë,Hafuz Ali Korçën,Ramiz Dibrën etj,Iljaz Vrioni përgaditi disa nga projekt-vendimet që u diskutuan më pas në Lushnjë dhe që kishin për qëllimn t’i tregonin Konferencës së Paqes që do të mbahej në Paris,se Shqipëria kishte zot,se ajo nuk mund të trajtohej si plaçkë tregu për të kënqur orekset e fqinjëve të shqiptarëve.Si delegat të Beratit në Kuvendin e Lushnjës,fjala e Iljaz Vrionit u përcuall me ovacione të veçanta.Trazirat e brendshme gjatë vitit 1919,detyruan kryeministrin shqiptar Sulejman Delvina të jepte dorheqjen në nëndorin e po atij viti.

Këshilli i Regjencës duke çmuar pjekurinë,atdhetarinë dhe urtësinë e Iljaz Vrionit,ia ngarkoi këtij barën e kryeministrit dhe më 19 nëndor 1919,burri i Beratit u betua përpara këtij Këshilli.Më pas me anë të një qarkorje të shpërndarë në tërë Shqipërinë,kryministri i sapozgjedhur njoftonte kombin e vet ; “Sot formova kabinetin nën kryesinë time,me ndihmën e Perëndisë e tue u mbështetun në vullnetin e popullit shqiptar po filloj në detyrë.Pikë së pari,qeveria e re do të përpiqet sa të mundi që makina guvernative të punojë me nder me rregull dhe drejtësinë e mundun.Këtë barrë kaq të randë për me u kujdesue pikëve të poshtëshënueme e duke bamë me shpejtësi një rregullore për zgjedhjen kombëtare të re… kështu duke hapur mbledhje kombëtare,ta lemë qeverinë në duart e atyre që do të fitojnë besimin e përfaqsimeve në popull… “( Gazeta “Koha” –Korçë, më 20 nëndor 1920 ).

Në kabinetin e sapozgjedhur,Iljaz Vrioni bashkëpunoi me burra të tillë si Fuad Dibra,Selaudin Bej Prizreni,Ahmet Zogu,Xhafer Ypi, etj,duke mundur të vendosë një qetësi të brendshme dhe duke ndjekur me kujdes,çdo zhvillim jashtë trojeve shqiptare që lidhej drejtpërsëdrejti me fatet e kombit tonë.Në sajë të unitetit të treguar në radhët e atdhetarëve shqiptarë,të stabilitetit të arritur dhe veprimit energjik të diplomacisë,një muaj më pas,në fundhjetorin e vitit 1920,Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të barbarta në Lidhjen e Kombeve.Kjo padyshim ishte një fitore e shkëlqyer,pasi i siguronte shtetit shqiptar autoritetin  e munguar dhe për më tej i largonte në mënyrë të dukshme fqinjët sllavo-gerk prej synimeve aneksioniste.Grupimet politike shqiptare brenda vendit,sidoqoftë nuk e ndërprenë luftën klanore.Kokëfortësia e tyre në arritjen e qëllimit,jo rallë shkoi deri aty sa qeveritë të binin si gjethet  e vjeshtës dhe kjo shkaktonte trishtim tek atdhetarët e vërtetë,pasi çdo situatë intepretohej prej fqinjëve tanë me slloganin që “shqiptarët nuk janë të aftë të vetqeverisen”.

Kështu,pas ndërimit të tre qeverive më 11 korrik 1921,Iljaz Vrioni zgjidhet me shumicë votash përsëri kryeministër i Shqipërisë.Me pjekurinë që e karakterizonte,ai frymëzonte dhe bashkëpuntorët e tij,që t’i shërbenin me ndershmëri e shqiptarizëm popullit të tyre.Pamvarsisht se çfarë mund të sillnin rrethanat dhe faktorët e jashtëm,në çdo veprim dhe ide të tij,gjente vend fryma e mirëkuptimit midis shqiptarëve,si faktorë parësor në mbrothësinë e atdheut.Me të drejtë politikani dhe diplomati i shquar Eqrem Vlora,për këto situata ka vërejtur se ; “Në Tiranë zotëron një kaos i vërtetë.Në vallen e të ashtuquajturve “kombinacione parlamentare”,në një kohë të shkurtër,midis 19 nëndorit 1920 dhe 24 dhjetorit 1921,ishin ndruar gjashtë qeveri.Ato ishin formuar dhe rrëzuar jo vetëm i përgjigjeshin apo nuk i përgjigjeshin urdhërit të popullit apo përfaqsuesve të tij,por sepse u përgjigjeshin interesave të klikave të ndryshme.Megjithatë dy nga këto qeveri nën kryesinë e Iljaz Vrionit kishin punuar mirë” (E.Vlora “Kujtime” – Tiranë 2001,vëll i dytë,faqe 180-181 ).

Edhe në ngjarjet e trishtuara të vitit 1924,roli atdhetar i Iljaz Vrionit do të ishte tejet i pranishëm.Siç dihet në 23 shkurtin  e vitit 1924 krahu kinse “demokrat-revulucionar” me anë të një shqiptari të verbër Beqir Valteri,i bëri atentat kryeministrit Zog.Me të dëgjuar të shtënat e armëve shumë nga parlamentarët u strukën në kariget e tyre,duke menduar për fillimin e ndonjë gjakderdhjeje të përgaditur.Ndërkaq,kur Ahmet Zogu i plagosur po kërkonte ndihmën mjeksore,ka qënë burri i urtë Iljaz Vrioni,i cili është ngëritur në foltoren e kuvendit duke qetësuar menjëherë situatën.Mbas kësaj fjale si edhe daljes në parlament të Ahmet Zogut,.i cili me gjakftohtësinë dhe trimërinë që e karakterizonte tha se këto nuk ishin ngjarje të pazakonshme,kundërshtarët e burrit të Matit duket se i humbën shpresat për rrëzimin e pushtetit.Edhe mbas dorheqjes së Ahmet Zogut,ata vazhduan luftën politike për të arritur në revulucionin e tipit bolshevik,ashtu sikundër e parashihnin.” Si këpurdha të helmuara në një moçal,shpërthenin intrigat e grupeve dhe të partive; dora “e kuqe” dhe “e zezë”,organizata “Bashkimi” dhe shoqatat të tjera revulucionare,anarkike e më të shumtën e rasteve qesharake,që mbillnin vetëm kaos.Këshilli i regjencës dhe shumica e Asamblesë gjatë një periudhe qetësie relative u përpoqën të kalojnë kandidaturën e Iljaz Vrionit për kryeministër.Por dora “ e zezë” ( intelektualë të dështuar,nënpunës dhe oficer të politizuar) e kërcënonin me vdekje kandidatin,në rast se ai merrte në kabinetin  etij Ahmet Zogun.rruga ishte bërë kështu gjykatëse për fatet e vendit”.( E.Vlora “Kujtime” vëllimi i dytë – Tiranë 2001 , faqe 219 ).

Sidoqoftë duke njohur tiparin paqtues të Iljaz Vrionit,shumica e deputetëve e këshillojnë të drejtoj ai shtetin dhe në pranverën e vitit 1924,zgjidhet sërish kryeministër.Por rrjedhat e politikës shqiptare janë tejet të turbullta.Revullucionarët e tipit leninist,pasi përkëdhelin ëndrën e disa ushtarakëve për shkallë të lartë kariere,përgadisin puçin e shtetit,i cili do të kishte si prelud vrasjen e Avni Rustemit në Tiranë.Në mënyrë të veçantë gjendja po bëhej dramatike në ditët e para të qershorit të këtij vitit.Ndërsa mbi 1200 trupa antiqeveritare po i afroheshin Tiranës për të rëzuar qeverinë,kryeministrin shqiptar,Iljaz Vrionin, e lajmërojnë se forcat qevritare kishin rrethuar në Adrenicë të Lushnjës rreth 200 ushtarë shqiptarë të komanduar prej Taip Shkodrës që donin edhe këta të rrëzonin qeverinë.Mjaftonte një urdhër i Vrionit dhe gjaku i shqiptarëve do të derdhej pa pushuar në Adrenicë.Por kryeministri shqiptar njofton xhandarmërinë e Lushnjës;”Asnjë konfrontim me forcat kundra qeverisë.Ruani gjakftohtësinë dhe hapeni rrethimin”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi MPB, dok,dt. 28 maj 1924 ).(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: burre shteti, Eugen Shehu, Iliaz vrioni

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT