• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diktatura nuk është çështje uni Rikard

June 2, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Një populli të thjeshtë, a një magazinjeri ndërmarje, një kapteri ushtrie etj…,besa i shkon për shtat të thotë, unë për vete në kohën e Enverit kam qënë shumë mirë. Madje e dëgjojmë këtë shprehje prej kohësh. Gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë e kemi dëgjuar me shumicë. Unë për vete kështu. E, unë për vete ashtu. Gjynah të qahem. Më vret Zoti etj. Dhe kjo është e pranueshme sepse shumica është gjithmonë popull, turmë, urra. Po kur vjen puna tek intelektualët, ata janë me pakicë. Thërrime të inteligjencës…, ndaj edhe konsiderohen si promotorët e epokave, modeli për pasardhësit etj. Kur vjen rendi i tyre, të shpifet tek i dëgjon të japin kësi përgjigje turme. Unë për vete nuk kam se çfarë të them, kam jetuar si veshka në mes të dhjamit. Diktatura nuk është çështje Uni Rikard. Ndryshe si mund ta dallojmë egjrën nga gruri. Në botë sot i shohim sy plotë se si artistët refuzojnë deri potencialet presidenciale. E bëri pak kohë më parë një nga ikonat e Hollywood-it Meryl Streep karshi politikave të Donald Trump. Në fund të fundit, aspak një diktator apo diktaturë. Por artisti nga natyra është rrebel dhe opozitar kurdoherë. Këtu është fjala për një idivid, një legjislaturë. Pa viktima nga lufta pa kompromis e klasave. Atëherë si bëhet në rastin tonë, në një diktaturë gati gjysëm shekullore me një numër të hatashëm viktimash, aq sa fare mirë mund të ngresh një qytet, qytetin e të persekutuarve?! Si tu themi brezave, që, Enveri ka vrarë po unë për vete kam qënë mirë. A duket kjo e vlertë nga goja e një artisti? A duket kjo e moralshme nga mendja e një intelektuali? Apo është vazhdimësi e asaj logjike të ftohtë prokurorësh të kohës që edhe sot thonë me qetësi, ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet etj. Unë nuk kam asnjë pendesë, nuk ma ndjen të them realitetin se për vete kam jetuar si desha, kam shqyer ekranin për natë dhe kjo nuk është pak. Zoti i madh, ky është pedagogu shqiptar, intelektuali apo artisti i merituar a i popullit. ? Kjo është kasta që e kanë lënë fillikat Robert Ndrenikën në shfarosjen e asaj pak kulture? Kjo duhet të jetë se ndryshe nuk si shpjegohet koha që po jetojmë, anarshi, tranyicion…,rrjedhë me artistë që nxjerrin përmbi veten, mjaft tu paguhen a rimbursohen ilaçet. Mëkatet dhe krimet e një diktature nuk janë Uni. E sidomos kur vjen nga ato vise ku kleri u persekutua në atë farë feje sa shqiptarët kur donin ta denigronin tjetrin me shpirt e quanin jezit, jezil, jazëk, jezuitë…

Këto teka mund t’i falen rrevulocianëreve, si rasti i fundit me Maradonën, që shkon e shpalos flamurin kombëtar në Venezuelën e mbytur nga lufta civile dhe barbaritë e Madurros. Një ish shofer autobuzësh dhe roje e Hugo Çavesit. Por arritjet e tua nuk më duken punë rrevolucionarësh. Çfarë të them. Më duket e trishtueshme kjo histori shqiptarësh me unë për vete. Dhe gjasat janë të tilla që ne gjithçka do dënojmë, veç krimet e komuzimit jo. Madje do i mbulojmë, do lëmë mënjanë sepse për vete kemi qënë në rregull. Nuk na është vrarë, përndjekur, burgosur, persekutuar vetja, por populli. Populli i marrë hua, i gjithkujt, veç jo i joni. Jo ai të cilit i përkasim.

Filed Under: Analiza Tagged With: çështje uni Rikard, Diktatura nuk është, Ilir Levonja

Europianët shohin hijen e Erdoganit tek ne

May 30, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Që opinioni europian nuk e ka me qejf lidhjen e Edi Ramës me Erdoganin, kjo u vërtetua edhe nga intervista e tij më e fundit për televizionin Francë 24. Dhe gjykojeni vet që gjithë këto ditë, Franca, është përfshirë nga një indinjatë publike për shkak të influencës që Erdogani kërkon të imponojë kudo në Europë, përmes komuniteteve turke edhe në lidhje me shtypin e lirë. Kjo për faktin se një revistë franceze e cilësoi si diktator, madje duke publikuar në faqen e parë, një foto të tij. Dhe siç e ka zakon Erdogani, i drejtoi gishtin qortues edhe Francës. Por përgjigja i erdhi e menjëherëshme nga vet Emanuel Macron-i, presidenti në detyrë, i cili midis të tjerave i tha se në Francë fjala e lirë nuk përligjet me asnjë lloj çmimi. E bëri këtë vitin e kaluar me Gjermaninë kur u përpoq të bënte fushatë elektorale në zgjedhjet e vjetshme në Turqi. E bëri me Hollandën pak muaj më parë, në shkurt të këtij viti, vetëm pse kjo njohu gjenocidin turk të prillit 1915, karshi popullit armen. Pa lënë mënjanë të ashtuqujtuarin sipas tij grusht shteti atë vitit 2016 nga gylenistët apo lëvizja Hizmet. Megjithëse sipas shtypit në botë, qysh pas ngjarjeve të këtij të ashtuqujtuari grusht shteti, arrestimeve të shumta, pa bërë përjashtim edhe gazetarët…, apo arsimtarët si rasti i Kosovës kur nga Ankaraja erdhi posaçërisht vetëm për gjashtë mësues, një çarter special…, shifra e nivelit të inflacionit në Turqi është dyfishur. Erdogani po përpiqet t’i heqi së fundi edhe pavarësinë bankës kombëtare. Ose më saktë të luaj blofet edhe në ekonomi, siç edhe po bën me thirrjet drejtuar turqëve që çdo cent euroje a dollari ta kthejnë në lira turke, edhe pse monedha vendase ka rënë në pikjatë.

Në fakt të gjitha këto janë blofet politike të Erdoganit, që kudo mund të ngjizin. Sidomos në botën rurale lindore një shumicë dërrmuese me ithtarë fanatikë të islamizmit. Gjë që u faktua edhe me zgjedhjet e vjetshme atje, ku qendrat urbane ato të mëdhatë nuk e votuan. Kurse ruralet po, me shumicë dërrmuese. Dhe kjo është e vërteta e fitoreve të tia, ruralizmi dhe fanatikët e fesë. Mirëpo Shqipërisë i ka rënë për pjesë, nga ky dishepulli ynë. I cili edhe pse e njeh Francën për shkak të bonusve që i dha familja dhe soji i nomeklaturës nga ai rrjedh, i përdridhet pyetjeve dhe përgjigjet thatë. Ne e mirëpresim çdo investim. Që në mendësinë perëndimore ka kuptimin që, qofshin këta investitorë kushdo, madje edhe nga bota e drogës apo e krimit. Shqipërisë nuk ka çfarë i duhet burimi, por paratë e tyre. Një diletantizëm politik që na nxjerr gjithmonë me gisht në gojë. Dhe na deshi Zoti, që mllefit të shefit të qeverisë së shqiptarëve, dhëmbët ia mbajtën që nuk e quajti gazetaren kazan dhe të ngrihej e të ikte, ashtu siç bëri me atë çupën nga Tepelena. Nga ana tjetër i shkon kaq për shtat politikës së Taulant Ballës dhe Erisa Spiropalit, kur thonë se, sikur në qershor negociatat me Europën të mos çelen, fajin e ka opozita që proteston. Jo qeveria, e cila bashkë me Shqipërinë, ka ndërmend t’i ofrojë Europës tërthorazi edhe Erdoganin. Eshtë kumti më i mbrapshtë, por që dëshmoi qartë se sa e mirëimformuar është bota perëndimore karshi nesh. Dhe a do t’i kapërdijë dot blofet tona propogandistike si lirimet nga salla e gjyqit me ceremoni eskortash policore të shtetarëve të akuzuar për lidhjet me botën e krimit dhe të drogës?! A do t’i kapërdijë dot firmat publike, për asgjësimin e parave offshore, pronave të pajustifikuara etj…, të ujqërve që ruajnë kopenë?! A do ta bëj këtë sakrificë të jashtëzakonshme për ne? Ku ta dish? Kjo mbetet për t’u parë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Erdogani, Europianet, Ilir Levonja, shqiperia

Babalja dhe babalistët e lumtur

May 29, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka një lajm sot, që, duket si i bujshëm…, policia e Kosovës ka arrestuar këtë Babalen për llogari të krimeve të rënda në Shqipëri. Bravo policisë së Kosovës, gjithmonë e ndjeshme. Kësaj tonës këtej  në rastin e Sajmir Tahirit përshembull, iu desh gjashtë muaj e ca t’i siguronte një ngujim të këndshëm ish shefit. Iu  desh dy minuta t’i hapte rrugën përshembull vëllait të ministrit aktual që ”lufton” krimin dhe grupet kriminale, madje me ceremoni. E ta akomodonte diku në Itali, edhe pse është ai shkaku i gjithë kësaj zallamahie shqiptare. Një mish me plot hori sociale, ca mbi dështimin e protestës, ku dallon pjesa më e madhe e shoqërisë sonë. E cila i gëzohet arritjeve nën Edi Ramën. Pse jo?! Hapje e gjerë e frontit të punës. Kudo ka punë, punë plot. Aq sa njerëzia ia bëri në kokë Llotarisë Amerike, madje janë amerikanët ata që po aplikojnë për të ardhur në Shqipëri. Dhe në zonat rurale, sidomos nga lumi i Vlorës, u kthye rishtas qetësia e punës, jemi në kohë vjelje, për kanabisin dhe të tjera droga që të bëjnë të pasur për një ditë. Pa diskutim që ka edhe ngritje rroge…., punë plot. Të na rrojë sa malet Edi Rama. Përse pra duhet të protestojmë? Por jemi tek Babalja…, një nga ata shqiptarë që janë me pikatore në Shqipërinë tonë. Një denoncues, që shtypit rozë të qeverisë, inatçorëve të Berishës, atyre që kanë harruar edhe kutitë bosh të hapeve të skaduara të tensionit, mjaft që Berisha me Lulin të mos kthehet, u duket një zhelan i pabesueshëm. Janë gati ta shqyejnë, mjaft që të mos kthehen pëdëistët. Ndofta forca më liberale dhe më sociale se çdo parti e majtë e kohërave të pas luftës në Shqipëri. Eshtë karakteristikë e jona që një denoncues ne ta përçmojmë. Një karakteristikë ”patriotësh” që tashmë është kalçifikuar deri në kockë të çdo qytetari. Të cilëve edhe pse po u shëmbet çatia mbi kokë. Kurrë nuk kanë për të besuar. Do nxjerrin kokën midis tjegullave, e, ashtu me shtëpinë e shembur rreth, si fund putanash, do bërtasin poshtë Berisha. Babalja është i gjithi një top për të kënaqur epshet e gojës. Një duf që të bën ta kthesh birrën me fund, e të fshish buzët me kënaqësi me të praptën e dorës. Kësisoj si ta linte menjanë policia e vëllezërve tanë në Kosovë? Nuk ndryshon shumë nga kjo e jona. Dha një shembull të përkryer me gylenistët. Po ju prek qimja e mjekrës këtij erdohanit tonë, nuk të falin. Sidomos me shef Batonin që në vend ta pyeste, i kërkonte llogari një tjetër denononcuesi të papunë, me meritat e ish prokurorit të Enver Hoxhës. Duhet ta dinë mirë shqiptarët se, rraca e shtypistave është po aq pa fytyrtë sa shefat e tyre të dhunshëm. Megjithatë krejt njerëzish dua t’u kujtoj se të arrestosh një Babale, që nuk i beson më askujt, qoftë dhe opozitës. Sepse e di mirë se kundër kujt ka dalë. E paranjeh atë botë valixhesh kartëmonedhash e qeskash me miell të bardhë…, a pistoleta. E di se çfarë të bëjnë në dhomat e paraburgimit a në ato gjoja apartamente me mbikqyrje etj., ka të drejtë të iki, të marri malet,  për mijëra arsye. Ne, shoqëria e grupeve dhe e tritolit, i dimë mirë, i njohim. Sidomos kur me vete ke edhe djalin… Pra të arrestosh një Babale, nuk është sukses, por regres. Ndaj lumturohuni me betejat boshe, me mullinjtë e erës, me përparimin tuaj anti opozitar.

Filed Under: Politike Tagged With: Babalja, dhe babalistët e lumtur, Ilir Levonja

Spaçi ose pengu i pa zbardhur

May 22, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nga një podium i vogël, brenda ambjenteve të burgut të Spaçit, ambasadorja e Europës u tha shqiptarëve se ka një plan projekt financimi nga komuniteti për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të burgosurve të regjimit të kaluar. Kjo përkonte me 45 vjetorin e të ashtuquajturës revolta e disidencës, e ndodhur në kampin e riedukimit a burgun famëkeq në Spaç të Mirditës, pikërisht midis datave 21 e 23 maj 1973. Eshtë një nga ato institucione ku tregohet fytyra e vërtetë a brutaliteti i luftës së klasave, faqja e zezë e së shkuarës sonë jo të largët, në ato vitet e ndërtimit të socializmit. Institucioni që u krijua nga ata që ndjenjave perverse u veshën parullat në emër të popullit, për popullin, t’ia lërojmë nënën popullit. Ky ishte soji më i pa arsimuar, soji i gjirizeve, shkurt rënia jonë kombëtare, soji klasor pasojat e të cilit po i vuajmë edhe sot. Megjithatë është tmerrësisht e trishtueshme që, edhe pas kaq vitesh demokraci, akoma ka të pushkatur që nuk u janë gjendur dhe identifikuar eshtrat.

Dhe kjo ka arsyet e veta.

E para ne nuk e njohim faljen si institucion. Nuk bëm kurrë një pajtim kombëtar. Dhe shpesh e më shpesh suportojmë me pushtet ata që na kënaqin nepset tona.

E dyta nuk u ndamë nga komunizmi as me distancim moral dhe as me ligj. Sajuam ca platforma të zbehta ligjore mbi pastrimin e figurës, dosjet, ca platforma gjoja dëmshpërblimesh, etj…, por që gjithsesi nuk kishin asgjë të përbashkët me thelbin, ndarjen a distancimin nga e shkuara e turpshme.

E treta…, komunistëve u dhamë pushtet, i bëm lidera. I kemi akoma aty. Kurse bijtë i nderojmë e i votojmë. Madje edhe platformën e fjalës së lirë, duke dëgjuar devizën disa vjeçare se vrasjet, persekutimet etj…, i bënë në emër të ligjit. Jo diktaturës. Kjo është dhe fyerja më e madhe, karshi së sotshmes, dhimokracisë sonë. Dhe plotësisht e shpjegueshme kur në të njëjtën kohë që përkujtohej kjo revoltë në ato ambjente mjerane, kryeministri i vendit grindej me një minoritar nga Dropulli në emër të fushatës së llogaridhënies. Një bajatizëm i radhës i bijve ,etërit e të të cilëve e quanin gju më gju me popullin. Askush tjetër nuk kishte arsye më të qartë se qeveriu dhe qeveria ta linin vetëm atë tubim, ku të rrahurat me shufra hekuri, shfarosja dhe shpërbërja ishin mjete normale të komunikimit. Ndërkohë edhe një mesazh i qartë e që na i jep pa gajle, neve, verbanëve me sy të bukur. Por ne jemi verbanë, verbanë dhe të shurdhët.

Ka edhe dhjetra arsye antinjerëzore, të tjera. Ndaj në ato ambjente britmash të fikura, karshi fjalimeve sa për të larë gojën, rëndon akoma një fakt. Të pushkatuarit e humbur. Pengu i pa zbardhur që na mban akoma pezull mbi një luftë të ashpër klanesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, pengu i pa zbardhur, Spaçi ose

Dava’ jevgjiti”…

May 19, 2018 by dgreca

Dava’ jevgjiti”…../

*…Po ta donte Evropen vendi im do ta kishte zbythur menjëherë ministrin e brendshëm, jo për implikimin e vëllait në aferat dhe trafikun e drogës, por thjesht për këtë ngjarjen e Korçës, ku humbi jetën në qelitë e para burgimit një i ri njëzetëeshtatëvjeçar./

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

1) Nëse vendi im do kishte ndjeshmërinë e duhur, për të qënë pjesë e Europës… do ta kishte zbythur menjëherë ministrin e brendshëm, jo për implikimin e vëllait në aferat dhe trafikun e drogës, por thjesht për këtë ngjarjen e Korçës, ku humbi jetën në qelitë e para burgimit një i ri njëzetëeshtatëvjeçar. Po vendi im, vendi ynë, ne…, nuk e duam Europën. Nuk duam as veten. Nuk dimë se çfarë duam. Ndaj statistikat kanë të drejtë të parashikojnë se në dhjetëvjeçarët e ardhshëm do të jemi më pak se një milion banorë. Ku sigurisht më të suksesshimit, me pjellorët etj, do jenë baronët e studiove televizive, me kulturën dhe fjalorin e tyre të çmuar të gjirizeve të derrave etj.

2) Duhet të ketë qënë pranvera e vitit 2014 kur një i ri shqiptar humb jetën në një nga burgjet e Greqisë. Për shkak të torturave nga gardianët. E më pas ndodhi dhe skandali që trupi i tij, i njohur me emrin Ilia Kareli erdhi në Shqipëri, por i mungonte zemra. Ne u indinjuam të gjithë. Pati një reagim total aq sa me të vërtetë zelli i shqiptarit kish një nerv europiani të kulluar. Pati një reagim të fortë edhe nga shoqëria civile greke, shtypi etj. Aq sa ngjarja e shëmtuar solli edhe një varg shkarkimesh nga administrata deri në ndjekje penale. Pra, në Greqi vepruan ose lëvizën vendit vet grekërit për shqiptarët. Kurse në Shqipëri, nuk ndodh asgjë, asgjë…, pasi studiot, përgjegjësia civile, dikasteret, qeveriu të tërë, notojnë në vulgaritetin e tyre, një paradigmë sociale, e lagu apo nuk e lagu. Në fund të fundit, një jevgjit vdiq. Na shkon për sojin racist që kemi. Dhe kaq. Shëndeti i Edi Ramës.

3) Shoqëria jonë në kohën e diktaturës ishte tmerrësisht e ndjeshme. Të çonte e të internonte me çfarë kishe e ku i kishe. Mjaft që çuni i xhajës të kish shprehur simpati ta zëmë për Italinë. Mjaft që kushëriri i katërmbëdhjetë të kish tentuar të kalonte kufirin. Se ne ta lëronim nënën me prag shtëpie. Pastaj të sillnim llanxhat tek porta dhe të degdisnim në Gjazë dhe Bedat pa pyetur shumë e pa verifikuar asgjë. Sikur gjithë jetën tënde të kishe qënë i zemëruar me çunin e xhajës, faji ishte pse e kishe gjak dhe pikë. Sot km i vendit i thotë një gazetareje që pyet pronarin për vëllain e tij. I thotë shoqërisë, që, nuk japim më ushqim për ujqit e çakenjtë. Pagova diku dhe më thanë që është manipulim. Nuk e di se si mund të presësh reforma nga nje shtetar, i cili bën drejtësi me porosi dhe është vet ai i pari, që vret me duart e tia institucionet, ato të cilat kanë humbur përfundimisht besimin shqiptarët. Po kjo është Shqipëria jonë, vendi i paradoksit dhe memories që ndizet e fiket me një gotë uji.

4) Qershori është muaji ku shqiptarët presin lajmin e madh, hapjen e negociatave. Të jeni të bindur katëricëpirisht, se po u dha kjo mundësi, nuk është arritje qeveritare. Por ajo që bota po plotëson vendimemarrjen e saj në lidhje me Shqipërinë dhe rajonin. Po të ishin reformat, vetingu, etj. Shumë shpejt Shqipëria do rezultojë, a rezultonte, një vend jo vetëm pa drejtësi, siç është rasti me gjykatën kushtetuese që nuk ka tagrin e vendimmarrjes, për mungesë numrash, nga vetingu, por edhe pa qeveri, pa opozitë, pa elementin e studiove. Dhe ky do të ishte një nga pastrimet më të mëdha, pasi shumë syresh janë një kontigjen i tërë i informalitetit, megjithatë kanë vila, makina të shtrenjta, që sigurisht paga dhe honorarët e studiove nuk do u dilnin as për një apartament një dhomë e guzhinë. Dhe ajo më regresivja, të drejtën morale për të kanalizuar gjithçka vitale në jetën e një shoqërie. Të lumtur që darkë më darkë po shkatërrojnë me qejf e me dëshirë.

5) Me kushtet që ndodhet vendi…, opozita sot ka arritur në një përfundim. Daljen në rrugë për largimin nga detyra të ministrit të brendshëm. Në fakt duhej të ndodhte nga përgjegjësia civile e individit, siç ndodh rëndom në një vend perëndimor. Nuk ndodh asesi në Shqipërinë tonë. Në këto vite opozitarizmi janë një sërë emrash dhe aktivitetesh të paligjshme…, që për shkak të denoncimit opozitar rezultuan të vërteta. Si rasti i ish ministrit Beqja, deputetit Kokëdhima, bashkiakut të Kavajës, deputetit të Lezhës dhe Pukës. Ndaj është e pa pranueshme për opozitën. Apo për një opozitë të vërtetë, vetëm kjo kërkesë. Sidomos pas humbjes së jetës në qelitë e para burgimit të një të riu, baba i tre fëmijëve. Një opozitë e vërtetë, nuk mjaftohet me kaq, por me rrëzimin e qeverisë. Kjo mund të ndodhi…, mjafton që ato mandate të zhubravitura e të përfoluara aq e aq shumë, t’i vërvisni masivisht dhe kaq. Dhe duhet ta bëni një orë e më parë nëse vërtetë e doni vendin tuaj. Kush opozitar mban akoma mandatin, nuk është i tillë, por pjesë e lojës së qeverisë.

6) M’u dhimbs e gjitha, theqafja jonë, suksesi drejt rrënimit…, pamja e atij funerali protestë nga Korça. Krejt i braktisur, aq më tepër kur studiot në masivitet i japin një vëmendje të tepruar partnerëve të luftës për pushtet. Por është pikërisht ky, treguesi i theqafjes së shoqërisë sime. Nga ana tjetër një rracizëm që akoma nuk është terur ndër ne. Dhe që e luftojmë me tërbim tek të tjerët. Kurrsesi tek vetja. Një funeral që kalonte syve të kafeneve, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Në fakt ai që përcillej ishte njeriu, me të gjitha gjëmat e tia. Kurse sehirxhinjtë, jevgjitët e vertetë të shoqërisë. Ose ata vet që e përdorin këtë poronom për të shtrydhur deri epshin e fundit. Regresi jonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dava' jevgjiti"..., Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT