• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aleksis

December 30, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/

Fati e ka sjellur ta kem vartësen time. Duke qënë se ishte me vonesë, në të e sipër, nxitimthi, i kërkova të bënte këte e atë, një listë që e shihte vetëm mendja ime, pra e parapërgatitur. Vajza dukej e lodhur për më tepër që i përket atij soji njeriu i cili pi vetëm ujë, ha sallaturina kryesisht jeshile dhe të tjera asortimente të thata dhe pa kripë. Plot nëntëmbëdhjetë vjeçe, larguar nga shtëpia për të ndjekur fatin e saj. Ai lloj brezi që nuk e do fare përkrahjen e prindërve, që mezi pret të ndeshet me të papriturat e jetës. ”Do i bëj më tha, veç me një kusht, kërkesave të tua shtoi edhe fjalën të lutem”. Mbeta gafil. megjithatë me atë vështirësinë normale për të kërkuar ndjesë, bëra një buzagaz të sforcuar, një ngërdheshje më shumë se sa qeshje. Dhe nxitova duke i kthyer kurrizin. Kohë të rrëmbyera për shkak të festave. Mirëpo aty kuptova një here e mire se unë akoma nuk isha ndarë me të shkuarën time. Një qënie relike, produkt demode, i vitrinave të socializmit. Më mire të më vrasin se të kërkoj falje. Megjithatë gjeta një mënyre dhe dola sepse kisha nevojë për pak ajër. Përjashta qe një ditë me diell të plot, ku çdo gjethe e gjelbër fal tyre kthente cdo sumbull vese në një brilant koralesh duke njelmëzuar korin e zogjve aq me shumicë në tropikun tone.

Qe ndofta leksioni i pare që mora për atë ditë. Dhe nganjëherë i rrëmbyer jap ato përgjigje vulgare me ohu, bëj punën tani. Gjithmonë pyes veten përse e kam kaq të vështirë të kërkoj ndjesë? Përse jam armatosur deri në dhembë me mendimin se jam në këto pozita vetëm për të urdhëruar? Vetëm për të drejtuar me gisht, bëj këtë dhe si them unë? Sepse vetëm unë jam i pagabueshëm, i plotfuqishëm mbi të drejtën legjitime të një eprori perfekt? Dhe se toni i zërit duhet me domosdo të shoqërohet me një nerv vetullash? Unë vet u rrita deri këtu ndryshe. Mbaj mend se kur kalova pragun e kësaj ngrehine, një meso grua më priti krahë hapur. Më përqafoi. Pa u sikletosur nga djersët e mia. Kisha ecur më këmbë për këtë vend pune. Një emigrant i lodhur me të birin motak prej dore. Ajo grua nuk i hiqet sysh memories sime. Iu përgjigj plot buzëqeshje anglishtes së lodhur që unë posedoja, asaj lloji me nuanca tingujsh të lindjes, me standartitetin e metodave të kurseve të natës. Kurrë nuk më tha bëj këtë, duke më treguar me gisht objektin. Por gjithmonë, të lutem a mundesh ta bësh këtë për mua. Kurse unë sot e kam tmerrësisht të vështirë. Edhe pse nuk më kushton asgjë. Asgjë, veç faktit që kush dreqin e di, nofullat e mia më lehtë e kanë të shtrëngohen nervash se sa të hapen qeshjesh. Sa e kollajtë do të ishte sikur gjithçka të pastrohej me metodën e heqjes së pluhurave. Një dush të mire përsipër dhe aq. Po rrija e bëja dush një ditë të tërë. Por jo?! Pluhurat janë përbrenda. Vrapojnë me gjakun! E nxisin atë. Më keq si virozat e sëmundjeve nën vena. Përse-të me shumicë. Justifikimet në majë të gjuhës. Barriera sa një mal për të pranuar gabimin. Ja kaq, unë njeriu i rritur në socializëm. Nga ana tjetër Aleksi, që vjen e punon nga 8, 9, e ka raste edhe dhjetë orë. Lë punën këtu, i hipën makinës dhe shkon bashkë me librat tek një klient i saj privat ku kujdeset për fëmijët. Jeton në një apartament që e ndan me disa shoqe të sajat. Unë në kohën e saj u ankohesha prindërve. U kërkoja llogari, u thosha përse më pollët kur nuk më dilni zot? Kurse ajo, nuk kërkon asgjë prej tyre. Llogari jo e jo. Edhe pse ata janë dhjetë here më gjëndje se çishin  të mite në atë kohë. Po pse them unë, kur akoma  shikon të rinj se si presin nga prindërit. Kur shikon sherret televizive për një mur oborri. Kur diskutojnë ndarjet me hilera të një apartamenti një dhomë e kuzhinë. E quajnë pronë. Pronë është vetëm jeta, vetëm liria jote, ajri jot.  Romulit dhe Remit nuk i ka mbetur asgjë. Po ashtu dhe Romës së tyre, veç emrit. Kur u ktheva brenda, Aleksi po bënte punën ashtu  si din ajo, një flutur e bukur përmbi lulet e oborrit. Por prapë hezitoj  t’i afrohem e t’i kërkoj ndjesë. Ndërkohë i thashë vetes, mos harro ta bësh herën tjetër. Mos harro ta falenderosh kur ta mbarojë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleksis, Ilir Levonja

Shqiptari më i ri Janullatos, Vendim i drejtë i Presidentit

December 25, 2017 by dgreca

1 Janullatos 1

Nga Ilir Levonja/

1) Shqiptarët dhe grekët kanë në mes tyre një luftë nervash që shpesh ka konkluduar me ngjarje të dhunshme. Mos të shkojmë më larg se lufta e dytë botërore, kur luftës së tyre për të mos u pushtuar nga Italia, iu përgjigjën me monedhën e pushtuesit, fqinjit të tyre verior, ose shqiptarëve. Të gjitha konfliktet filluan nga aty deri sa prevaluan në genocide e zbrazje krahinash. Një strategji ushtarake e zgjedhur po prej fqinjësh, kësaj here osmallinjëve, shto edhe faktin e mërive dhe pabesive midis tyre që nga historia e bizantit. Edhe pse në këtë hori kohërash kur kishin një të përbashkët me shqiptarët, lirinë karshi Turqisë perandorake…, zgjodhën dhunën e pushtuesve. Nga ana tjetër shqiptarët (kur them grekët apo shqiptarët kam parasysh qarqet që na kanë dominuar si popuj) i janë përgjigjur me një mëri gati vulgare politike deri në karshillëqe infantile me Turqinë a Italinë shto edhe besimin fetar. Kur fare mire mund të përzgjidheshin plot mënyra a plot forma të tjera. Dhe në kësi raste, diplomacia më e mire është ajo me mos solidarizimin e të të kënaqurit, kur njëri fqinj ia punon tjetrit dhe anasjelltas. Megjithatë në këtë kalvar urrejtje e përbuzje popujt mes tyre kanë plot të përbashkëta. Madje ato janë si malet… Aq sa në një mëngjes të kthjellët kushdo ka pak kohë e të kuptojë se si ai ajër mesdhetar bëhet pis nga nervat e nxehta.

2) Sapo shkruan diçka karshi kësaj vlertie popujsh, ne shqiptarët i kujtojmë njëri-tjetrit, andartët, kishën me helmimet, çështjen çame dhe plot të tjera. Biles nxjerrim arshivat deri nga Vatikani a Stambolli për të mbrojtur le të themi kishën a çështjen çame. Megjithëse kishës vet ia kemi bërë në kokë prej kohësh. Kurse çështjen çame e shkëmbëjmë me një marrëveshje politike që na jep kolltukun e bashkisë së Rrogozhinës. E thënë më thjesht, që, kur një mision shoqate, grupimi krahinor për shkak të vuajtjeve a reprezaljeve e kthejmë në parti politike, patriotizmi është një grafomani. Kështu edhe me kishat e besimin që për inat të grekut, serbit e përfitimit, iu qepëm ofertave të Turqisë aq sa sot qarqet mendje nxehta na identifikojnë plotësisht me orientin. Të paktën ne shqiptarët kurrë nuk e kuptuam se patriotizmi më i vlertë është të duam dhe të ndreqim vetveten për së pari, të rregullojmë jetën brenda vetes, brenda nesh, të ndërtojmë një shoqëri duke u lodhur me hallet tona dhe jo ato të botës. Sepse ishin pikërisht hallet tona ato që, që nga 1990-ta e këtej na çuan dhe vazhdojnë të çojnë drejt Greqisë. Ju e dini se ato male, ato rrëpira janë plot ngjarje e histori sakrificash. Po ashtu edhe rrugët e metropolove të vendit helen, por këto asesi nuk duhen të identifikohen në raportin midis të mires me të këqijat. Ne le të mjaftohemi me faktin e mire. Le të tregojmë sepse jemi të tille, sepse jemi të zotët dhe se çfarë është mirënjohja për strehën që na dhanë.

3) Aktualisht në Shqipëri po diskutohen kjo dhënia e nënshtetësisë shqiptare, Janullatosit. Plot njëzetë e pesë vite më pas. Ka pasur midis përplasje historianësh, rrymash dhe kore me tradhti. Një kalvar politik me monedhën e njëfarësojtë që edhe politika greke ka aplikuar karshi shqiptarëve që kërkojnë me të drejtë shtetësinë aty. Kanë vite përpjekje mes plot peripecish dhe për më tepër një lloj racizmi shtetëror i përftuar nga fakti që thamë më sipër. Se, si ne, si grekët jemi sunduar nga mëndjet e nxehta. Jo nga gjërat e vlerta, nga të përbashkëtat tona etj. I kemi lënë vlerat jetime dhe gojën plot benzinë. Eshtë alergjike për shqiptarët ngritja e një flamuri grek në një çati shtëpie minoritarësh, ashtu sikur gjëmë ngritja e një flamuri shqiptar në një shtëpi emigrantësh atje në Greqi. Janë detaje bajate. Sidomos për kohën. Frikë absurde që nuk e meritojmë ta posedojmë.

Megjithatë në këto diskordancat shtetërore të shtetit tonë, në raport me Greqinë dhe më tutje, ishte një vendim i drejtë. Dhe më vjen mire. Mes nesh, në politkën tone ka shumë abuzime sa është e vështirë të pranosh si tillë, si veprim të duhur të një politikani. Siç është edhe në rastin në fjalë presidenti ynë, apo lideri në prapavijë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Kur thashë diskordancat, kam parasysh faktin se si një kryeministër nuk shkon në Greqi prej vitesh. Po kontradikton përmes fejbukut me fraza perandorësh edhe pse ka një ekonomi butaforike aty, dhe, me rrënjët në krahët e emigrantëve. Një fakt që vertetohet sot me kërkesat për politika afruese të këtij krahu. I cili normalisht, pas kaq vitesh ka ngritur jetën aty ku jeton. Nje poltikë duale që tjetër thotë dhe tjetër kërkon. Vendet e rajonit janë shumë të ndjeshëm karshi emigrantëve të tyre. Dhe sigurisht ndjekin politika afruese me vendet ku jetojnë ata. Dhe mire bëjnë.

Nuk dua të zgjatem më tutje, por e di që ka plot nga ata që do thonë, po, pse Anastasi lutjet i thotë në greqisht, kur salla është me shqiptarë? Unë fare thjesht, mund tu përgjigjem me konstatimin e Fan Nolit, ai le t’i thotë si dojë. Edhe ju i thoni si të doni, si tua ndjejë, se, atje sipër i rregullon Zoti vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Presidentit, Ilir Levonja, Shqiptari më i ri Janullatos, Vendim i drejtë

Ngërçi kombëtar aktual

December 13, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Para pak ditësh, tre qeveritarë të lartë nga vendet e rajonit, ai i Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, dolën publikisht në mbështetje të Serbisë për përshpejtimin e proçedurave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Dhe ta mendosh që Serbia sapo ka dalë nga luftrat etnike, pasojat e shpërbërjes së Jugosllavisë nga 1990-ta e deri në 2006-ën, kur Mali i Zi përmes një referendumi popullor, vulosi përfundimisht shpërbërjen e federatës sllave. Dhe deri diku është akoma në konflikt të hapur me vetë Europën për shkak të mos njohjes së shtetit më të ri të shqiptarëve, atij të Kosovës. Por edhe për shkak se i plaset në derë Kremlit sa here që ka nevojë për të treguar superioritet. Një Serbi që në një farë mënyre imponohet me ekonominë stabël, shtetshmërinë, rrotacionin e butë politik e, plot të tjera.

Një vend a një shtet (megjithëse nuk identifikohet vendi dhe shteti) që ka aplikuar reprezaljet dhe genocidin, dasimet etnike, brenda një dhjetëvjeçari arrin deri këtu sa i kërkon karrike ku të ulet Europës. Dhe gjasat duken që do e marri shumë shpejt. Ia kërkon edhe me performance rajonale, shtetarësh. Kurse ne akoma në ato gërrvërret perverse të 5 burrave që nuk dine asgjë tjetër të bëjnë veç hiqe dhe futja njëri-tjetrit. Pas drejtimit të radhës që merr Bullgaria, vendet e rajonit si Greqia, Rumania dhe Serbia, thithin fonde marramendëse me projektet dhe politikat e tyre. Mjaft të kujtojmë atë që kryeministri bullgar Borisov e përmblodhi në një frazë tepër domethënëse, tashmë autostradat midis Sofjes, Bukureshtit, Selanikut e Beogradit janë tepër të ngushta. Kudo e dine, kudo e kanë moto se vendi fiton çdo të drejtë pasi kap parametrat optimal të një ekonomie bashkohore tregu. Rjedhat e rrugëve të forta, kamionët në dogana, trenat, anijet e të tjera janë oksigjen. Dhe kanë të drejtë të imponohen, madje ta marrin prej dore edhe Serbinë.
Por nuk e bëjnë me ne. Në fund të fundit më mire nga shqiptarët e kanë kuptuar ata, faktin që për ne oksigjeni i vërtetë është ai që frymon nga ideollogjia jo ekonomia e tregut dhe demokracia. Vrima e zezë e universit nuk është honeve të galaktikës, por në hollet e institucioneve të shtetit të shqiptarëve.
Vendet e rajonit mund ta bënin këtë edhe me ne. Por nuk e bëjnë. Veç ndonjë deklarate pro, asgjë tjetër. Madje sikur shpejtojnë të fusin Serbinë përpara nesh. Dhe pa diskutim që kjo ka një logjikë strategjike. Veto, vota etj. Megjithatë në raport me Serbinë, nga 90-ta e këtej, Shqipëria duhet të ishte anëtarësuar 10 here më shpejt. Por kjo nuk ndodh. Dhe deri sa nuk e bejnë ata, ajo që të habit është fakti se si nuk e bëjmë ne për veten tone. Ose si nuk e kuptojmë se kështu me gërrvërret nuk kemi asgjë në torbë?! Dhe shpjegimet janë dy, a) vendi është i futur në një ngërç për shkak se aktorët kryesorë i druhen pasojave. Dhe tjetra 2) ajo që fatet e shqiptarëve po kërkon t’i marrë në dorë Europa dhe Amerika. Kësisoj sot qytetarët shqiptarë janë thjesht sehirxhinj. I gjithë konflikti është mes ambasadës së Komunitetit Europian dhe Amerikës. Janë sehirxhinj për shkak të një pafuqishmërie pasi e kanë të pamundur të vënë në veprim votën. Vota e tyre është e vdekur. Askush të mos mendoj se sot është në koflikt të hapur vetëm opozita e sotshme me ambasadat. Dhe se, qeveria ka të drejtë. Jo, jo aspak. Do ishin në të njëjtat llogore edhe nëse kjo qeveri do të ishte opozitë. Tek ne si qeveria dhe opozita janë në konflikt të hapur me ambasadat, E veçanërisht me atë amerikane. Se kançelarite e europës jo të gjitha na kanë me sy të mire. Kështu që ne jemi futur në një ngërç kombëtar për shkak të klasës politike. E cila përmes një pjesë të saj fajëson pjesën tjetër. Por në një shoqëri fajtorësh askush nuk është pa faj. Eshtë një kohë e tillë, sidomos këto vite kur të gjitha idealet (me që jemi dhe në dhjetorin e transformimeve sociale tek ne) janë njëjtëzuar në emra të përveçëm. Dhe kjo na dallon shumë në raport me vendet e rajonit. Në këto 27 vite demokraci, duke filluar nga Kroacia, Rumania, Serbia, Bullgaria etj., plot qeveritar, apo Ish të tillë, me një fjalë politikanë kanë përfunduar në burg. Kurse tek ne, ata kthehen në shenjtorë. Tek ne në burg përfundojnë hallexhinjtë që ”vjedhin” drita. Jo baballarët e korrupsionit..
Kësisoj mos u çudisni kur ndonjë mëngjes, fare afër, Serbia të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin e Europian. Dhe ne vazhdimisht aplikues për çeljen e negociatave…

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Ngërçi kombëtar aktual

Majë çative keni për të mbetur

December 3, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Kemi një shtet 105 vjeçar. Edhe pse pretendojmë që jemi kombi më i vjetër në Ballkan. Po në këto 105 vite, vetëm në diktaturë kanë funksionuar si duhet emergjencat civile dhe
shtratifikimi i lumenjëve. E para me të drejtën legjitime pasi shteti mbahej me punë
vullnetare. E dyta shtratifikimi dhe urtësimi i lumenjëve, përpos propogandës, i shërbente
bujqësisë. Dhe tek ne kjo e fundit, pra bujqësia ishte çështje e gjithë popullit. Megjithatë
përmbytjet dhe katastrofat natyrore nuk ekzistonin kështu stinore. Ndofta sepse natyrës
nuk i jepej mundësia të eglendisej me ne. Kurse me ardhjen e demokracisë, përmbytjet dhe
të tjera katastrofa natyrore janë bërë të stinës. Dhe çfarë është më tragjikja, një mendësi e
fort civile që gjithçka, nga qytetari më i thjesht, deri tek biznesi a biznesmeni, e duan nga
shteti. Madje po lexoja diku, një statut se e kemi të sanksionuar në kushtetë që shteti të
dëmshpërblej deri më një, çdo dëm, çdo qytetar etj. Të mos fërkojnë duart komunistët. Po
kështu edhe socialistët a rilindasit me Edi Ramën në krye. Janë aty filmimet se si fliste Edi
Rama në opozitë dhe si si flet sot si qeveri. Po kështu edhe berishistët, a Berisha vet me
rubrikën dixhitale…, i cili në fund të fundit nuk është asgjë tjetër, një saurrel relike nga
mjetet e rënda të ndërtimit të socializmit. Ajo çfarë dua të them është se nuk i kërkohet
shtetit llogari. Nuk i kërkohet shtetit gjithçka. Ndryshe kjo ka domëthënien që kemi
mbetur akoma tek ura, në atë shtetin vullnetar të socializmit, por që sot ekziston ndryshe,
me ca shtabe emergjencash plot me shushunja që nuk lanë kokërr orizi pa vjedhur. Sikur
ky shtet të kishte gojë do të na linte ne pa gojë. Aq shumë ja kemi tharë gjakun sa sot nuk
është asgjë tjetër veç një kavie e gjakpirasve. Në këto tre dekada demokraci a kapitalizëm
nuk u pa një projekt, nuk u fol një herë të vetme për shtratifikimi e lumenjëve. Eshtë bërë
Osumi, përshembull, përpara Beratit, fushë futbolli me zaje të bardhë. Apo nuk kishte
krijuar dhe një ishull shkurresh sa, kur bisedoja vjet me një qytetar beratas, rreth këtij
fenomenit të mbirjes së ishujve, çfarë bëhej me atë zallishte hektarësh etj., më tha të mos
mërzitesha se i ka dalë pronari me kohë si ishullit ashtu dhe zallishtes. Nuk kanë ku të
rrjedhin lumenjtë e shkretë. E kuptoni? Duan udhë. Ne në kaq e aq vite dëmdemokraci ua
kemi prerë. Kaq … Duan udhë ata. Se kështu është kur lyen fasada pallatesh qeveria.
Pallatet t’i lyejnë ata që banojnë, jo qeveria. Kur rimodelon çdo katër vite sheshet publike.
Apo sheshin e legenave që ne i themi sheshi i Skënderbeut. Kapitalizmi është llogari, nuk
është punë vullnetare a prerje shiritash. Por ne ngulu e shkulu me të njëjtit qypa. Nuk
ndërtojmë sistemin, por glorifikojmë njerëzit. Dhe tu rrojnë. Ju vetë përmbytuni kurse ata
janë si kokrra e mollës, pa ujë tek dera. Ju pa energji, kurse ata plot…, në vilat e tyre të
çajnë dritat e pemëve të krishtlindjes a vitit të ri. Ju me çizme të shqyera nga e
përditshmja, kurse ata i kanë fringo, i veshin për mode e vinë tek ju duke u treguar me
gisht shtetit. Jo shtetarin, kostomunin e të cilit mbajnë veshur, Bota sot ndërton shtetin
kurse ne shtetarët.
Kësisoj kërkojini llogari shtetarëve, jo shtetit. Nuk dua të them se nuk jam me ju. Unë jam
popull si ju. Jam këmbë e kokë me ju. Por kjo dreq edukate që shteti të më paguaj dëmet

po e mban atë vend peng të bolshevizmës dhe mbetjeve të diktaturës së proletariatit. Shteti
sigurisht që kontribuon. Unë jetoj në një vend ku katastrofat natyrore janë dhuratë e Zotit.
Janë gjymtyrë e jetës. Sidomos kur vjen muaji gusht. Aq sa i nxehti. Avujt që thithin
rrezet, krijon deri zbatica oqeani. E zbyth tutje oqeanin e për pasojë krijon ciklone reshjesh
që ta shkulin me qejf shtëpinë. Sapo e kaluam një të tillë me emrin Irma. Akoma Porto
Riko, pak kilometra larg nesh vuan edhe sot pasojat, nuk ka energji, nuk funksionojnë si
duhet spitalet dhe të tjera institucione. Bizneset nuk funksionojnë plotësisht dhe në bazë të
ligjeve paguajnë punëtorët. Kurse aty dëgjova një biznesmen që i kërkon llogari shtetit për
dëmet. Dhe me siguri që ky nuk paguan asgjë, asnjë taksë, jo më punëtorët.
Shteti suporton, duke hequr pemët e shqyera nga rruga, pastruar kanalet, mund të të japi
edhe ndonjë çadër ushtrie nëse mbetesh pa çati. Po shteti nuk të jep para, nuk të
dëmshpërblen pronën etj. Ato janë llogari e jotja dhe siguracioneve që ti bën. Kaq…
Eshtë fatkeqësi të gënjehesh nga këto fushata emergjente mbas pilafit. Nga këta
çizmarakër që tjetër thonë e tjëtër bëjnë.
A doni dëmshpërblim, hiqini qafe. Mos i duartrokisni kur vine e presin shirita sheshesh. Të
ndërtosh një rrugë është detyrim ligjor, tjeshtë detyrë. Jo arritje elektorale. Jeta nuk është
ajo xhiro që bëni në mbrëmje tek sheshi. Përkundrazi, është rënia juaj. Pra sa kohë t’i
kërkoni sisë shtetit, dhe jo llogari shtetarëve, majë çative keni për të mbetur.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, keni për të mbetur, Majë çative

Për grate që shisnin gjak dhe turpin e kohës

November 23, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1 Ilir Levonja

 Hyejda El Sajed, një vajzë shqiptare me gjak sudanez, balerinë, piktore, etj., person publik, tha në një studio televizioni se dikur nëna e saj jepte gjak për tu ushqyer. Midis të tjerave ajo tregoi për varfërinë tone, se si një mësuese i ofroi bukën e saj etj. Them varfërinë tone, pasi Hyejda nuk ishte e vetmja. Varfëria ishte gjymtyrë e jona, ajër i së përditshmes. Mirëpo kjo gjë normale kishte mbi kokë një mendje që ngulte këmbë për ta mbuluar atë, për tu dukur se kishim, e kjo ishte anormale. Kjo ishte halli i vërtetë, halli psiqik i joni. Nuk dua të them se më bëri përshtypje. Një edukate e mbrapshtë që bëjmë mire ta hedhim tutje. Megjithatë Hyejda më futi në atë botë ku ka plot të vërteta të tjera të pa thëna. Të paktën mbi konceptin e një veprimi qytetar, turpit, apo hallit. Më kujtoi ca gjeste të kohës që shumë gra, shumë nëna i bënin…, ca punë me të vërtetë fisnike, por që për kohën, çuditërisht quheshin turp. Ose nuk e di për çfarë dreqin ndjesie vrastare, tonën, brenda nesh, duhej të quheshin të tilla. Kishte plot gra që jepnin gjak. Dhe ta dine shqiptarët, gra. Gratë dominonin në dhënien e gjakut. Burrat numëroheshin me gisht. Këtë ma ka verifikuar një mjek kohë më vonë, një përfaqësues i Bankës së gjakut, duke më thënë se për burrat ishte tabu. Shitja e gjakut në kohë ishte një punë e fshehtë. Të paktën për mentalitetin tone. Edhe pse ekzistonin Institucionet. Një turp edhe pse në fakt është puna më fisnike. Atëhere bëhej nga halli. Dhe në mëndjen tone, halli ishte turp. Kësisoj futej në atë kategorinë shët, mos trego, mos fol. Plot kemi. Në kategorinë e turpit, a prostitucionit. Kjo mendësi ndihet edhe sot në raport me halle të tjera, deri tek shëndetsoret. Mos rrëfimi, mos shkuarja tek doktori etj. Po, jepej gjak me lek. Nga halli jepej. Nga varfëria.

Plot jepnin, e askush nuk tregonte. Jepnin edhe për halle që tanimë na duken fare banale, thjesht dikush, miku, a shoku, a fqinja, martonte djalin a vajzës. Dhe duhej patjetër t’i shkonte e ta doroviste në tabaka.

Sot botës, dhënia e gjakut quhet dhurim. Dhe shpesh të ofrohen për mirësi dy bileta kinemaje. Sepse në konceptin bashkëkohor, dhurimi gjakut është shpëtimi i një jete. Atëhere shpërblimet me lek ishin mbyllja e llogarive të një ekonomie të dështuar, të një shteti megafon. Dhe midis hallexhinjlve kishte dhe nga ato e ata që ia kishin kuptuar zgjebosjen sistemit dhe rronin duke dhënë gjak. Jashtë realitetit. Puna është se, po sot… a vazhdojmë me këtë mentalitet shët, karshi dështimeve sociale? Pa as më të voglin disktuim që po. Jo të gjitha arritjet duhet medoemos t’i atribuohen apo të priten prej politikës, por edhe nga përgjegjësia civile. Se duke i thënë si merita dështimet e së kaluarës, vazhdojmë të njëjtin avaz. Avazin e shët-it. Se sa e rëndësishme është të japësh gjak, e dine ata njerëz që kanë talaseminë pjesë të familjes. Ata njerëz që vetëm kur u bie halli në kokë, mbajnë sytë tek bankat e gjakut.

Gjithësesi jashtë këtyre hamendësimeve sociale, janë dhe mbeten të arta ato nëna që jepnin gjakun e trupit. Po, po, të arta.

Filed Under: Analiza Tagged With: grate qe shisnin gjak, Ilir Levonja, turpi i Kohes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT