• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atdheu është një plasje shpirti

August 5, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/5-Ilir-levonja-2-288x300-1Bjerini, lërojani nënën Agimit! /

Nuk ka asnjë diskutim që mendimi ndryshe, është një herezi në Shqipëri. Dhe mjerë ai që e thotë se nuk mbetet bir nënë pa u çuar, e pa ia lëruar nënën ku e ka. Mjerë ai që e shpreh se, nuk mbetet këmbë anonimi, a këmbë shushunje, a rutinxhinjësh të stanjacionit kombëtar, pa ia djegur e përvëluar me lecka, orendi e deri kulm çatie atij që e thotë hapur zhgënjimin. A plasjen e shpirtit. Por ore po, atdheu është një plasje shpirti. Dhe nuk ka dallim, a dasim sa kohë që dallaverexhinjtë e kanë marrë peng. E pengmarrës je edhe ti që irritohesh, harbohesh, masturbohesh, dhjerohesh, pse dikush thotë të vërtetën. Turp është! Turp e faqja e zezë. Nga ta kapësh atdheun? Kush ma thotë? Se i di edhe unë përmendësh ca vargje, poetësh. Po poetët atdheu i linçon, i masakron, i përbuz. Gëzon që ata nuk nderohem me tituj. Gëzon përmes ca masturbimeve kolektive masash. Nuk shikoni, nuk dëgjoni, jeni gati të ekzaltuar nga kënaqësia kur një qoftexhi administrate merret me letra dosjesh. Për një grusht parash.

Një qoftexhi atdheu.

I di edhe unë ca vargje poetësh, si thotë ai, Fatosi. Fatos Arapi. Një bukuri shpirti, shqiptari.

”Atdheu në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli , i vogli

ai hyjnori i pavdekshmi si loti..”

Po, e thotë. Po kujt ia thotë. Për kë atdhe e ka fjalën. Atë realin apo atë të munguarin? Pyesni veten e gjejeni. Se atdheu që keni nuk ka asgjë të përbashkët me këtë.

Do gjeni atdheun e kujt? Atë që të linçon pse shprehesh ndryshe. Që marrin zjarr nga e vërteta e hidhur. Që dine veç një përfundim. U bë ky… kushedi çfarë i duket vetja.

Atdheun e një profesori që të shikon nga duart. Dhe nuk e ka problem ta firmosi librezën. Asfare nuk e ka. Nuk e ka problem të të firmosi titullin. Mjafton t’i japësh një dorë parash dhe aq.

Atdheun e një zyre, ku të gjithë të shohin nga duart. Të shesin çartifikata. Vertetime. Të shesin vula. Të shesin vendime komisjonesh fallco. Dhe ti mund të marrësh pa gajle një kuotë mujore si i pastrehë. Por edhe rrogë mujore duke u shkruar diku.

Atdheun e doktorave që të vizitojnë në dhomat e spitaleve civile. Me sirtarë hapur…, pastaj të kërkojnë tu vesh në shtëpi. Për një vizitë më të specializuar. Doktorave që të tregojnë me gisht farmacinë se ku duhet të shkosh të blesh ilaçet.

Atdheun e juristave 6 mujor. Që të nxjerrin nga burgu pasi ke vrarë, ke hedhur në erë, ke shitur drogë, ke korruptuar, ke përdhunuar…, për ca milionë lekë.

Atdheun e kujt?

Të shkollës së traditës që e bastarduan vet nxënësit e saj duke hapur ca magazina private, në shkolla të tyre të liçensuara.

Atdheun e besimit. Që varrosi misonarët e vet, shqiptarët, si katolikët e myslimanët. Dhe u dha prioritet atyre që nuk kanë asgjë të përbashkët me dhimbjen shpirtërore të shqiptarëve.

Veç presin e përcjellin politikanë në festat e besimit. Dhe hanë syfyre në sheshe publike. Dhimbja është në rrugë vëlla. Dhimbja nuk është mes rrasash e vitrinash. Dhimbja është me koshat plot mbeturina. Plot skamje, e plot përgjumje. Plot budallepsje. Dhimbja është nënshtrim. E si rrjedhojë atdheu ka vdekur. Atdheu nuk ekziston.

Por ekzistojnë njerëz që revoltohen, irritohen, të shajnë me prag shtëpie. Ku? Në atdheun e ferexheve. Atdheun e rrasave. Atdheun që ka njëzetë e shtatë vjet në demokraci dhe akoma flet Berisha.

Atdheun e dinastisë Meta.

Atdheun e basketbollistit nga nomeklatura që ka hallin si e si të kthejë hollet e europës, në pasarela mode. Se të fuse Shqipërinë në Europë.

Atdheun e legenave që ngrijnë e shkrijnë. Që protestojnë me tallava. Me çadra beduinësh. Që qahen si kurvat për vjedhje. Dhe si kurvat rrinë e hanë lëmosha brenda qeverisë.

Kë atdhe?

Atdheun e shtetarëve që paralajmërojnë kartelet, shiko nga java tjetër ne do bëjmë ca aksione. Prandaj ndërroni vendondodhje. Ikni nga vendi ku pimë kafe mbremë.

Për cilin atdhe u djeg kaq shumë?!

Atdheun që vari artin në litar. Që shkordhi akademitë.

Që shiti minierat. Që vjedh fondet e rrugëve.

Atdheun e çmendurisë së pronave.

Atdheun që djeg plehra si në kohën Anadollit.

Cili është ky atdhe që ju irriton dhe ju agravon humorin? Përse një këngëtar, një tenor i botës thotë të vërtetën.

Çfarë nuk i dhatë Belushit. Çfarë nuk i dhatë asaj çupës, Dushkut, pse bëri një shqiponjë me tatuazh në sup. E çfarë nuk po i jepni deklaratave të ca emrave nga europa pse tregojnë rrënjët. E do t’ia falnit çdo mëkat mbi atdheun. Po kurrë shqiptarëve të gjallë që nuk janë as gjysëm shqiptarë, as me prejardhje shqiptare. Po me plot gojën shqiptarë, e të suksesshëm. Këtyre nuk ua falni. Nuk ua falni pse u thonë që atdheu është vatër e plehrave dhe e legenave. U jepni me bujari një vrasje kolektive. Kënaquni,sa të doni, por atdheu është një zhgënjim.

Vendi i dembelëve dhe atyre që hanë fara luledielli.

I horrave dhe i atyre që e duan shqiptarin veç në luftë e me shqiptarin. Ndaj, bjeri këtij Hushit. Bjerini, kënaquni…

Filed Under: Politike Tagged With: Bjerini, Ilir Levonja, lërojani nënën Agimit!

Midis Irene Papasi-it dhe Kadaresë

August 4, 2017 by dgreca

1Papas

Nga Ilir LEVONJA/ Ne Foto: Iren Papas me aktrorin Bekim Fehmiu ne filmin”ODISSEA”/
1) Ka kohë që në internet, sidomos në webet shqiptare, qarkullon një nga intervistat e aktores së njohur greke Irene Papas apo Irena Lejlekut. Ku midis të tjerave ajo ka deklaruar se është shqiptare. Vajza e një burri shqiptar dhe e një nëne epirote. Dhe ku sipas aktores, ndofta një ndjesi fiksimi normal për një të moshuar gati sa një shekull, nuk ka dëshirë që të mbyll sytë pa e pohuar këtë me gojën e saj. Dhe herë më herë kjo intervistë, shfaqet, përhapet e komentohet me kaq ekzaltim sikur të kemi zbuluar ndonjë kontinent tjetër. Ndodh kështu edhe me një intervistë të ish ministrit të jashtëm Pangalos, ku edhe ai deklaron se është arvanitas. Dhe ne se ç’na kap një qejf kolektiv aq sa besojmë si fëmija se me siguri pas Papasit apo Pangallosit do dali edhe ndonjë shqiptar tjetër në vendet e botës. Mundësisht ndonjë nga ata që janë të mëdhenj për njerëzimin. Nuk reshtim s’u mburruri që ky është shqiptar. Siç e kemi bërë dhe e bëjmë edhe me Ataturkun, reformatorin e Turqisë. Apo me plot emra të tjerë nga rajoni. Për ne kaq ka rëndësi. Se si e thotë, për çfarë e thotë iksi apo ypsiloni. Ne nuk na duhet fare. As që na intereson konteksti. Përshembull, Papas mund ta ketë thënë me mendjen që t’i shërbejë sado pak afrimit mes vendeve a popujve. Kurse ne shqiptarët themi që jo, e bën që t’ia dhjesi grekëve. Një lloj inati paranojik… që nuk ka mendje ta shpjegoj. Ndofta nga kjo paranoje duket sikur nuk durojmë dot kur dikush del e thotë se nëna e Skënderbeut është me prejardhje sllave. Madje nisim një rrëmujë, të cilën e quajmë debat. Kur në të vërtete është një spot publicitar i llojit shqiptar. Ku marrin pjesë të gjithë. Dhe askush nuk ia gjen fillin lëmshit të radhës.

2) Megjithatë midis të thënës së Irene Papasit, Pangallosit, a ndonjë tjetri. Dhe horisë shqiptare në përgjithësi…, ta dini nuk ka asgjë të përbashkët. Dhe prisheni këtë vetmbushje qejfi, këtë ngasje kolektive pse dikush thotë se ka prejardhje shqiptare. Bëni zgjedhjen e duhur. Mburrjen e duhur.

E thonë se janë të lire ta thonë. Kaq. Një njeri që lind diku, që rritet e formohet aty. I përket asaj kulture dhe admirimit të atij populli që e çoi aty ku është. Të tjerat janë pjesë e shout të jetës së një njeriu të famshëm që i bën sfidë çdo sistemi. Kështu edhe me Irenën, një këngëtare dhe aktore, një vajzë Helene nga Korinthi, me bindje komuniste. Ashtu si e shumta e brezit të saj, në ato kohë. nuk e ka për gjë të kujtojë prejardhjen e babait. Por kjo nuk ka përse na bëj kaq shumë krenar. Në fund të fundit, ajo që është, Penelopa… a, gruaja tipike greke. E bëri Greqia, nuk e bëri Shqipëria. Dhe Zoti e paska dashur që e lindi dhe e rriti aty. Se po të kishte qëlluar të lindte në Shqipëri. Me siguri do kishte pasur fatin e të rinjëve komunist si Petro Marko, Qemal Stafa a Liri Belishova. Ose ndonjë aktore e dorës së dytë për shkak të biografisë së keqe. E thonë në emër të dashurisë që njeriu ta dojë njeriun, jo ta sundojë. Jo për superioritet rracash.

Por në emër të dashurisë.

Ndërkaq është kaq paradoksale pasi nga ana tjetër shqyhemi të denigrojmë figurat tona. Edhe ato të gjalla, me përmasa miti, aq sa çdo vend do i kishte për nder për arritjet e tyre.

Figurat tona, që i bëri Shqipëria jonë. Po e theksoj Shqipëria, jo regjimet apo sistemet. Ashtu si Greqia Irene Lejlekun. Por ne jemi të verbër në këtë drejtim. Ndërkohë që bota mburret që jetojnë në shekullin e tyre. E bën me Gabriel Garsia Markezin. E bën me Ismail Kadarenë.

3) Në vjeshtën e vitit 2016, kuvendi i Shqipërisë miratoi përfundimisht të ashtuqujturin Autoriteti i Hapjeve të Dosjeve. Apo siç na pëlqen ne ta thërrasim rëndom si, Komisjoni i dosjeve të Sigurimit.të Shtetit. Kjo u bë fakt pas një pune prej disa vitesh. Dhe si të thuash u vulos me emërimin në krye të një zonje të re. Në grupin e punës u tha se po futeshin figura me integritet të pa cënuar. Si nga të përndjekurit, partitë politike dhe qeveria. Por pa opozitën. Opozita bojkotoi me preteksin e sojit që i duhet të kundërshtoj. Pasi çdo ligj, çdo nismë, çdo reformë është e mirë vetëm kur bëhet nga unë. Një kulturë tashmë bajate tek ne. Kjo është një nga kokëfortësitë klasike opozitare ndaj të gjitha reformat e deritanishme në vendin tone, janë gjysmake. Plot erëra koridoresh ku mundësia e abuzimit është sa dita. Shto pastaj edhe atë pa personalitetin e ligjzbatuesit shqiptar, që shitet për një dopio e dy qofte. Dhe si rrjedhoj me efekte shtrëmbane duke zgjatur përjetësisht tranzicionin. Megjithëse plot tetë vite në pushtet, PD-ja nuk iu qas fare një reforme të tillë. Edhe pse mbante brenda vetes një masë të madhe nga shtresat e përndjekura.

Shumë nga shqiptarët besuan se më në fund ligji do dominonte tek ne. Por nuk po ndodh. Madje po bëhet tejet i përdorshëm. Sa nuk është fare e lehtë të kuptohet, se këta anëtarë duhet t’i kenë gati kuotat për letra, dokumente, a të tjera gjëra të kësaj natyre. Thjesht për zhurmë dhe shantazhe a bërje pis të ndonjë figure. Siç po ndodh në rastin konkret me letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës në lidhje me të motrën.

4) Unë nuk kam për qëllim t’i dal në mbrojtje Kadaresë. Nuk ka nevojë asfare ai për një të tillë. Biles të gjithë ne shqiptarët bëjmë mire të heqim dorë nga këmbëngulja bajate se kush ka të drejtë. Nga solidarizimi në masë me zhurma të tilla si a ka qënë apo jo pederast Enveri? Çfarë ndodhi me jugosllavët. Çfarë me komunistët dhe çfarë me ballistët. Pasi po harrojmë enkas të tashmen. Demokracinë dhe funksionin e saj social.

Merremi me të shkuarën me një inat shtazarak aq sa nuk ngopemi ta shohim njëri-tjetrin përtokë. Duam diçka më shumë. Një kënaqësi ekstazë krejt kafshërore.

Bëjmë mire të heqim dorë dhe nga ajo tjetra, të më shkoj e imja. Të bëhet si them unë. Vetëm shqiptarët gëzojnë kur nuk merr Kadare Nobelin. Dhe kjo është (më vjen keq ta them)…, kënaqësi kafshërore.

Eshtë krenaria jonë. Prej vendit tonë.

Si zog i rrugëve të botës që jam. E gjej kudo ku shkoj.

Dhe në një kantier pa fund, siç edhe janë këto libraritë e njerëzimit, të gjesh një shqiptar të madh nuk ka asnjë diskutim që është krenari. Po këtë zor se e kuptojnë mëndje që shohin vetëm Opinionin dhe dëgjojnë dënglat e Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës. Zor se e kuptojnë ata që nuk shohin më tutje se hunda e tyre. Dhe janë robër të një kohe të marrë peng. Robër të një lloj mendësie që Irene Papasi ua dhjeu grekëve, tha që është shqiptare.

Robër të intrigave nga dosjet e një sistemi që dje i ndau e i futi në një luftë klasash, kurse sot po i sundon me të kaluarën.

Nuk ka asgjë më fërgëlluese se sa kur shikon në një metro, një vajzë të re a një mesoburr që lexon Prillin e thyer.

Të flasin me superlative. Atë e ka shkruar një gjeni

nga gjaku ynë. Nga vendi ynë. Nga ai vend i vuajtur prej mendjesh të nxehta. Që rrinë e rrinë merren me heronjtë sikur t’i kenë marrë prej dore. Nga njëra anë e shajnë Enverin, nga ana tjetër shqyhen të të shqyejnë me metodat e tij.

Boll u mburrët me Irenën. Mburruni siç u ka hije me shqiptarin e vërtetë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe Kadaresë, Ilir Levonja, Midis Irene Papasi-it

Pushim nga puna apo pushkatim publik ?!

August 2, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/1) Nuk e di nëse ka apo jo këshilltarë Edi Rama, pasi shtypin nuk e lexon. Edhe pse e quan Kazan. Po me garanci absolute u referohet titujve. Ose emrave, atyre me të cilët ka qoka moshe. A kohësh. Nëse ka, duhet të dali dikush e t’i kujtoj se koha e fushatës ka mbaruar. Nuk ka më fushatë. Dhe se realiteti qeverisës, vota për drejtuar është e mjaftueshme për ‘të. Dhe qeverisja nuk bëhet kështu. Mblidhuni filan vend. Dhe ti (njëri apo dyri) ke punuar mire do rrish. Kurse ju të tjerët, gati 95% e një administrate vendi, ikni. Dështuam për fajin tuaj. Dështuam them unë, se Ei Rama thotë dështuat.

Pra, ua vë gishtin atyre përballë. Duke mos përfshirë aspak vetveten. Pra dështuan ata që drejtonin. Jo, ai apo ata shefa të emëruar prej tij. Ata të cilët i zgjodhën këta. Se u bë edhe pak lëmsh logjika. Por në Shqipërinë tonë të gjithë e dine. Që drejtorët, emërohen nga një lloj akordi midis partive në rrethe, dikasterit përkatës etj. Partia është zyra e kuadrit. Kështu ka qënë me të gjithë. Si me PS-në me PD-në e LSI-në. Dhe të tjerë pjesëtare të koalicioneve qeverisëse. Kështu që, i bie që, dështimi i drejtorëve të radhës, në qeverisjen e Edi Ramës, nuk është dështim vetëm i tyre. Por i gjithë asaj karabinaje që drejtohet nga Edi Rama. Dhe fillon që nga marrëveshja midis PS-së dhe LSI-së në Shkodrën e demokratëve. Dhe që u vertetua me ndarjen. Dhe akuzat e ndërsjella. Me shoun që dhanë strategët, si kreministri ashtu edhe presidenti në fushatën e fundit. Eshtë njësoj si të përgatisësh një armatë, të shkosh në luftë. Dhe pasi t’i vrasësh, nga që aq ishin aftësitë e tua, boll keq i pate përgatitur. Tani u thua, ju dështuat, fajin e keni ju. Prandaj ikni o të vrarë. Eshtë absurdideti i rdhës që i shkon kaq shumë për shtat një kanakari si Edi Rama.

2) Unë e kam të lehtë t’u them, o njerëz, o socialistë administratash, mire ua bën. Por nuk e them kurrë. As nuk e çoj nëpër mend. Unë e njoh atë botë shqiptare. Kur post fushata është një pështirosje e ekzistencës së njëriut karshi njeriut. Aq sa edhe miku ideal, i idealeve për ty, kthehet në një mister për shkak të marrëveshjeve me kulisa mes shefave, bordeve të fushatës, bordeve të shushunjave që e kanë mendjen tek tenderat, bordeve të të fortëve që e kanë mendjen tek zonat e influences në qeverisje. Dhe ata që rrinë rreth shefit me mendjen e qartë që, sa janë aty, ato katër a pesë vite, t’ia rrjepin edhe pikën e fundit fondit të shërbimeve. Atyre shërbimeve seksere për përqindjet, ku nis edhe lufta fisnore, futja në gjak, apo vetmia shekullore me funde të amëshura në ca apartemente larg nga provinca. Larg nga kryeqyteti… aq sa sot ka plot shefa nga administratat shqiptare, që sot jetojnë deri në Amerikë, me përqindjet e pisllëqeve publike në Shqipëri. Ka me shumicë. Qeverisën, ropën, ikën. Madje me nder. Me dekorata presidenciale. Janë dekoruar pse kanë vjedhur. Janë burra të lartë. I keni me shumicë. Madje të shesin mend duke t’u treguar si të aftë edhe në botën e kapitalit. Ku për dukje bëjnë sikur punojnë. Dhe jetojnë në shtëpi të mëdha. Edhe pse me të ardhurat që marrin nuk mbulojnë dot as taksën e mirëmbajtjes, jo më kredinë bankare për tarifën mujore të shtëpisë. Por janë ato, pelivanllëqet nga koha në administratë. El doradoja e intelektualit shqiptar.

Eshtë e dhimshme vëllezër të pushuar me pushkatim. I tillë është sistemi që kemi ndërtuar. E tillë është demokracia jonë. Në demokracinë e botës pushohet me pushkatim eprori. Në Shqipërinë tone ndodh e kundërta.

3) Nuk e di se çfarë justifikimi mund t’u japin shefat, forumet e partive, këtyre të pushkaturve. Ndofta janë ditët më të bezdisura,më acaruese për ta. Pasi janë zënë gafil, nga këto metoda erdoganiste të reformatorit revolucionar, shefit të tyre. Ditë me dyer që hapen e përplasen, tesera që u hidhen surratit. Ndonjë shqyerje këmishe. Kërcënime me marrje peng fëmijën. Vajzën. Apo nxjerrjen e ndonjë horrlliku. Apo edhe tjetrin me shkuarjen nga Berisha. A LSI-ja… edhe pse kanë ideale. Madje ua kujtojnë idealet si diploma meritash dhe profesioni. Kohë mishmash. Kohë absurde…

E kam shkruar edhe vite më pare. Kur se si një mësues e nxorrën në pension para kohe, pasi nuk u duhej më. Me merita e nxorrën, me dekorata. I dhanë në një tufë me trëndafila. Kishte veshur një kostum gabi, një kollare gabi, një këmishë gabi, një pale këpucë gabi. Rrinte më këmbë, i kostumuar e hekurosur i tëri. Një triumfator që kishte mundur Berishën. Por që aleanca e re, fitorja e tij, i duhej ta pensiononte para kohe. Atë vend, vendin e drejtorit që ia kishte lejuar qeverisja e mëparshme, për ironi ajo e Berishës, ia kërkoi si sacrifice aleance e re. LSI-ja …, një nuse e re, krejt fringo në arsim. Madje sapo e kishte filluar. Dhe në provime nuk shkonte vet, por here burri, here vjerra, here vjerri. Ajo ishte fitorja, koalicioni. E ardhmja e vendit me plot padrejtësi të nëpunësit të administratës civile shqiptare.

Aq sa kur i thashë, miku im, urime për meritat, dekoratat e demokracisë. Ma ktheu, nuk është demokraci, por shkërdhatokraci e sojit shqiptar.

Në fund të fundit, kjo është përfundja e votës me shumicë, një përftim sa triumf aq dhe absurd. Shkurt t’ja fusësh vetes.

Ndaj e kam thënë dhe e përsëris se, demokracia me statndarte perëndimore. Tek ne do zëri fill, kur opozitari i pare si për socialistin a demokratin në qeverisje…, të jetë socialisti për socialistin dhe demokrati për demokratin. Ndryshe seanca me këto pushime pushkatime nuk do mbarojnë kurrë.

Filed Under: Opinion Tagged With: apo pushkatim publik ?!, Ilir Levonja, Pushim nga puna

Mish për top

July 30, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1Nga Ilir Levonja/Nga dje dhe sot shqiptarët janë përfshirë në një masë proteste karshi një vendimi gjykate në Kroaci. Kjo në lidhje me ekstradimin e ballist Morinës, ai që në tetor të vitit 2014 u njoh si autori i lëshimit të një droni, që çoi në ndërprejren e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë. Luheshin eleminatoret e europianit në Francë. Një veprim që për disa, madje dhe burra shteti, ishte një heroizëm. Për shumë të tjerë një akt që nuk duhej të ndodhte. Ashtu sikur edhe për plot analistë oportun, një veprim i papjekur. Madje i ideuar nga vet serbët.

Sipas tyre kalvarit të raportit midis serbëve dhe shqiptarëve, sidomos pas bërjes së Kosovës shtet, nuk u duhej edhe një ngjarje e tillë.
Por të mos harrojmë, se, deri orët e para të ditës së nesërme, asaj mbrëmje akuzohej edhe vëllai i kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Tashmë mbrapshtia e bëri të vetën. Pamjet e televizioneve të botës ishin ato që njihen, ca sportista që mbronin kokat nga karrikat që u thyheshin supeve. Dhe nuk e di se çfarë vlere patriotike do të kishte ai dron sikur, larg qoftë të kishte humbur jetën ndonjë ata djem në fushë. Apo nga ata shqiptarë në shkallët e stadiumit që kishin shkuar të shikonin futboll. Aq më tepër kur ca oshëtima tifozerie, me, vritini shqiptarët trondisnin platformën. Dhe ca të tjera të dorës së dytë, të yshtura nga bota e patriotizmit të palëve pështynin mbi gjithçka. Shkurt, Shqipëria dhe Serbia ishin tmerri në sytë e botës. Se si do të vente ajo ndeshje, sikur të mos kishte ndodhur kjo, askush nuk të thotë gjë, Shqipëria po lunate mjaft mire. Mund të humbte, mund të fitonte. Dhe ndofta betejave tashmë shekullore për të drejtat e mohuara midis shqiptarëve dhe serbëve, apo faktit se kujt i ha hakun kandari, do i mungonte kjjo, dosja e këtij ballistit. Megjithatë revanshit të një fitoreje në tavolinë, skudra serbe iu përgjigj me qetësi. Kur ca muaj më vonë do na ftohte nervat duke fituar pastër në Elbasan. Megjithëse shkuam ne në europian. Dhe ndofta për herë të parë fati po i sillte hiletë, apo strategjitë e kancelarive të mbrapshta nga koha, në favor të shqiptarëve. Por ndofta nuk ishte as kjo.
Megjithatë si ngjarje…, nxjerr në pah paradoksin e sojit tone.
Nuk u bëmë kështu kur humbëm Gërvallët, Hotin, Aganin, e sa të tjerë. Më fort solidarizohemi me topin, se sa me gjakun e humbur. Pra mish për top e gjak për asgjë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Mish për top

Me 4 euro turizëm, mos ta dëgjoj kush?!

July 29, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

 1) Ka disa ditë që plot webe, japin një reportazh të një tv-je franceze, për turizmin shqiptar. Se si mund të kalosh javën me 500 euro. Dhe të hash me 4 a 5 euro vaktin etj. Shto pastaj ato pamjet filmike me muzikë. Dhe ndjenjat e fryra tonat se, jemi perla e ballkanit dhe e botës. Një bregdet i mahnitshëm, plazhe me pyje, a parqe…, laguna, derdhje lumenjsh, pyje buzë detit etj. Po nuk jemi! Ua them me siguri. Por si gjithmonë na pëlqen të mburremi. Na pëlqen të mos jemi vetvetja. Por ajo, dukja.

Ndjenjat tona të fryra se, gjoja, ushqimet janë bio. Kuzhina jonë etj. Dhe se shërbimi nga më të mirët, aq sa të huajt mbeten pa mend.

E gjeni edhe në faqen e kryeminstrit, i cili beson se, që pas ardhjes së tij në pushtet, turizmi shqiptar ka ndërruar faqe. Dhe është sot një ndër konkurentët me turizmin në botë.

Pra për bukuritë dhe çmimet e lira.

Një pështirosje ja, kjo jemi. E kësisoj nuk krahasohemi fare me botën. As mos ta çojmë nëpër mend. Dhe kjo për fajin e atyre fisnikëve që e duan punën. Që duan të jenë si bota.

Por për dështimet klasike të shtetit me shtetarët e saj.

2) Para së gjithash duhet të them se reportazhe të tilla, janë të porositura. Madje me pjesë teksti e pamje të serviruara. Mjafton që një socialist të fluturoj mbi atdhe. Dhe ato pamje filmike, të retushuara a tonuara, janë gati për tv-ën franceze. Paratë përsipër dhe u kry kjo punë. Do ishte ndryshe nëse një television do vinte aty për llogari të vet. Por jo vetëm për turizmin. Për gjithka tjetër. Shqipëria jonë ngel në klasë.

Dhe ta dini, është ndryshe reklamimi. Nuk ka vend në botë që nuk reklamon turizmin. Jo vetëm në sezone, por gjatë gjithë vitit. Pasi turizëm nuk bëhet vetëm kur lahesh. Po në çdo stinë, Turizmi është një kompleks veprimtarish. Madje teksa shkruaj këto radhë, CNN po jep një sekondazh pamjesh nga deti i vdekur, me ftesën për të vizituar Izraelin. Pra reklamimi është praktikë normale në ekonominë e tregut. Mirëpo kur u përpoqja të futesha në faqen e kryeministrit të Izraelit, nuk gjeta ndonjë link nga CNN-i, ku ai tu thoshte qytetarëve ja si bota e vlerësojnë vendin e tyre. Kurse kryeministri shqiptar, paguan për tu shitur mend qytetarëve. Eshtë një lloj reklamimi bajat shqiptar. Një dukje për të hedhur hi syve. Pasi realiteti është krejt ndryshe.

3) Unë do t’ia falja çdo perversitet, jo vetëm këtij, por kujtdo shtetari. Mjaft të shikoja grimcat nga një turizëm bashkëkohor me atë të botës. Por nuk i kemi. Sot ne jemi afro 40% e shqiptarëve që jetojmë jashtë vendit. Kemi sy e bëjmë krahasime. Sidomos kur vijmë aty. Nuk ua shpjegoj dot se sa e mallët është ardhja. Se sa horizont i pamat’ është dashuria për vendin tënd, për njeriun tënd. Edhe pse ai është i mbytur rrudhash a hallesh. Eshtë një provë që nuk ka përpjekje ta qarkoj me fjalë. Prapë është përmbi, diçka ta lë një peng tek gjoksi. Një peshë që të shtyp. Dhe duhet të jesh emigrant ta provosh këtë. Megjithatë një squllje të mbyt menjëherë, qoftë nga komunikimi, shërbimi, çmimet, papastërtia. Dhe ajo rrëmuja me zhurmat apo shërret në grup për parkime a gërvishtje mjeti. Deri tani është një shanc qiellor që nuk po plas ndonjë epidemi. Pasi jemi një kazan plehrash.

Isha vjet, pashë Divjakën…, mu dhimbs si dreqi. Ajo nuk ishte më Divjaka e gëlqeres së Enver Hoxhës. Por e plehrave me shumicë të demokracisë sonë demode. Mora malet e Korçës.

4) Nuk e di se si ndihen shqiptarët dhe se si duan ta besojnë një lloj ballafaqimi me realitetin përmes fakteve të tilla. Si kalohet me 4 a 5 euro? Mos ta dëgjoj kush se pastaj do të pyesin…, po shkon për tu ushqyer, apo për turizëm? Pra me 4 apo 5 euro mund të ushqehesh, por jo të bësh turizëm.

Turizmi ka kursimet e veta në formë tjetër.

Në bonuset që merr. Në ofertat.

Nuk e di se si ndihen kur paralel me pamjet, e vërteta është një informalitet brutal. Pasi të shërbejnë kamarier që nuk paguhen, nuk kanë siguracione. Shkurt njerëz të pa lumtur. Të serviren ambjente pa asnjë garanci jete. Dhe një shtet që nuk përballon as nxjerrjen e një adn-je, për shkak se ka vetëm një aparaturë së cilës i është djegur llampa. Siç është rasti me vajzën ruse, një kob i turpshëm. Kjo ndodh në Shqipëri, në shtetin e Edi Ramës. Ka një makineri sherbimi jashtë kushteve teknike, siç ishte rasti i djeshëm në Velipojë. Ku askush nuk ka përgjegjësi. Askush nuk njihet. Montohen pajisjet me i thuaj një çikë atij, të vi këtej sonte, etj.

Jepen liçenca shërbimi me gjobë përsipër. Dhe shërbimet u paguahen sekserëve. Jo institucioneve, përshembull uji, ujrat, pastrimi. Apo dritat.

Ndoshta kanali televiziv francez i referohet resoteve ku kalon pushimet Edi Rama, Iliri, apo vilave të kunatit të Berishës në gjirin e Lalzit. Se sa për mëndjet e këtyre që vine nga bota, ua themi ne… vine për të shuar kuriozitetin. Ose për hatrin tonë. Dhe ata që njoh unë, e që kanë qënë me mua deri në skaj, në jug, çmimet i kanë quajtur të kripura. Kushtet beterr, Madje dikujt nuk ia shpjegoja dot togfjalshin, të shesësh pordhë. Kur ca çuna varavingeshin me motora uji, shfrynin stërkala shkume me shumicë, mes kokave të njerëzve. Sikur të kishin kapur qiellin. Si t’ja shpjegoja që të më zbrazej pesha. Habinë atij tjetrit nga bota, kur thoshte se, si, i lejojnë këta. Mund të vrasin njerëz. Megjithatë për mirësjellje të thonë good, good.

Good e mos u pafshim më.

5) Paralelisht me videon e ERT-ës, (ediramatelvizion) jepen dhe ca shifra pagash nga Instituti i Statistikave në vend. (INSTAT) Kryesisht për vitin që shkoi. Një pakicë fare e vogël, afërmendsh, ata që punojnë me agjensitë e huaja, apo shoqatat, marrin një pagë, pak të krahasueshme me qytetarin perëndimor. Pjesa dërrmuese varion tek njëqindmijë e ca lekshi. Me një llogari të thjesht i bie që pushimet janë një privilegj social. Kësisoj që, një vend që nuk i ofron mundësi relaksimi qytetarit të vet, nuk ka se si t’ia ofrojë atij nga bota.

Pasi turizmi nuk është industri e hallit, që bëhet me hallexhinj, por industri e finesës, klasit, traditës. Një lloj llumturie që ta ofron i lumturi. Jo i lodhuri rrugëve të botës. Asesi. Jo ai soj lloj shtet që u bllokon rrugëve bashkëkombasve. Atyre që në emër të atdheut vine e derdhin edhe ato pak kursime dimri.

Shkëlqesi pa shkëlqim, vëre vëth në vesh. Turizmi nuk është lirësia, por standarti. Dhe, ti, për standarte je vëllai i Zeros.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ilir Levonja, Me 4 euro turizëm, mos ta dëgjoj kush?!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT