• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ilir floriri u bë president

July 24, 2017 by dgreca

1 PRESIDENTI-1

Nga Ilir Levonja/Florida/

Sot Ilir Meta mori presidencën e Shqipërisë, kjo pas asaj darkës, pak muaj më parë, në pazarin e Tiranës, me shefin dhe aleatin e atëhershëm, Edi Ramën. Një dhuratë simbolike dhe të parakohëshme, por që do t’i japi kuptim 50 vjetorit të djalit nga Skrapari. 45-sën e bëri në Durrës me çadër beduinësh dhe me një qerasje prej 13 mijë lekësh për person. Por nejse. Kësisoj ai bëhet sot zyrtarisht presidenti i VII-të, në këtë viranen demokraci shqiptare. Jo se Shqipëria nuk ka pasur më parë presidentë. Po t’i referohesh kohërave, rolin e presidentit e kryente kryetari i shtetit. Kështu që, i bie që me të mirat dhe të metat e kohës dhe figurave, president ka qënë edhe Ismail Qemali, ai hollandezi që solli bota, Vilhelm Vid-i, këshilli i regjencës i dalë nga Kongresi i Lushnjes, 1920, Ahmet Zogu, Omer Nishani apo Haxhi Lleshi me byronë e Enverit e të Ramiz Alisë.

Por siç na pëlqen ne, që t’i fillojmë nga zeroja, kështu edhe me demokracinë. i bie që Iliri të jetë presidenti i VII-të.

Posti onorifik por pa asnjë ekskluzivitet ekzekutiv, veç atij të dhënies me shumicë të titujve dhe dekoratave.

Dekretimet e ligjeve janë një formalitet. Aq sa çdo kryeministër ka të drejtë të tallet sa i do dhe si i do qejfi, me, atë që, e vulos (dekreton) apo nuk e vulos presidenti. Kryeministri do vazhdoj punën. Ligji, do apo nuk do presidenti, vlen.

Dhe kjo lloj marrëdhënie institucionale, për mendësinë e demokracisë sonë, shtetarëve. Edhe për t’i thënë botës hashiqare, konsiderohet ndarje dhe balancim pushteti.

Në rrjete të ndryshme, a në webe, ka plas humori me foto të montuara ose fotomontazh siç i thonë, ku Ilir Meta ose presidenti ynë i radhës, shfaqet here si një sheik buçko, herë një femër e shëndosh, herë maj gomarit me xhingla kallashi etj. Dhe hëre nën sharmin e batutave në lidhje me floririn. I mbush qejfet njerëzore me lot sysh. Dhe orët e jetës sonë me të qeshura sa të dhëmbin brinjët. Duke mbuluar kështu, për së pari nga vet ne, zullumet e politikanëve tanë. Madje është krijuar bindja se, njerëzit mezi presin ndonjë skandal tjetër, ndonjë bum vjedhje a grabitje, ku frymëtorët e montazheve t’ia nisin punës. Në mënyrë të atillë, që, të masturbohemi kolektivisht me bëmat e tyre. Të kënaqemi masivisht me qejfin që po na rjepin përditë e me shumicë.

Kjo është edhe përgjegjësia jonë qytetare.

Këtu dallojmë nga të tjerët.

Ky është reagimi ynë sublim. Qytetaria jonë pro perëndimore…

Megjithatë, kjo hokori, kjo sarkazëm, kjo ironi sociale, është edhe një tregues i qartë i hendekut midis presidentit që zgjedhin dy koka. Dhe presidentit të dale nga vota e popullit. Aq më tepër kur aty vinë politikanë nga një karrierë si kryetarë partish. Apo nga tavolinat e dominove.

Po le të kthehemi tek dita. Tek pritshmëria. Me që shoh edhe një lloj kërshërie, aq sa duket që, në një kohë të afërt, ndërrimi i postit presidencal do kryhet me ceremoni të tipit tradicional. Ashtu siç bëjnë përshembull në Amerikë. Kjo nuk është e pamundur. Aq më tepër për ne, që, shquhemi për pak dukje. Nuk ka rëndësi se kush e zgjedh dhe si e zgjedh presidentin tek ne. Dhe si e zgjedh Amerika. Mjafton që e bëm. Madje u themi amerikanë se, ja, si po e bëjmë.

Po një sugjerim protokollit të shtetit i duhet bërë: Një ekran ku veç pritjes tek dera, betimit, ballos me maska të hapura. Jepni dhe protestat popullore. Të shkakut, të shkaktarëve. Jepni spektaklet mbi tavolina, kollonën zanore të fushatave. Kur shajnë, kërcënojnë, bëjnë thirrje për mobilizim për në luftë, me qëllim ruajtjen e votes me çdo çmim. Shtojini dhe faktin si dosje të pa zgjidhura asnjëherë. Si çështje të arshivuara.

Jepni edhe kurrikulat e planeve se si dalin nga pallatete me orë pune të ndërrmarrjeve të kohës. Deri tek bizneset, objektet e lëshuara me qera, vilat në gjirin e lalzit. Nganjëherë pamjet flasim më shumë se puna e pa bitisur, vjeçare e institucioneve të drejtësisë partiake. Pamjet flasin më shumë se çdo vendim gjykate. Jepini me një citim të tillë, ku ishin dhe ku janë dhe po ne, ku jemi?

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir floriri, Ilir Levonja, u bë president

Fitorja 90 % e Bashës si votimet e kohës së sazeve

July 23, 2017 by dgreca

….Nuk kisha shpresë se do fitonte Selami. Asesi. ….Vetëm bojkoti nuk duhej të kishte ndodhur në këto zgjedhje. Bojkoti duhet të vdesi një here e mire si praktikë aty. Pasi bojkoti është kanceri i demokracisë. …/

Nga Ilir Levonja/

1) Duhet të ketë qënë viti 2011 kur në atë kalvarin e zgjedhjeve shqiptare, dalja e rezultatit i ngjan një lindje të vështirë (megjithëse mbrëmë me këtë 90%-in tënd qe një lindje vajore) kur atëhere, duke ecur më këmbë i lutesha Zotit për fitoren tënde. Garoje kundër Ramës. Llojit mastiç pas karrikes së qeveriut. E unë jam totalisht kundër këtij soji. Pasi jam për ujin që rrjedh. Dhe e kam bindje se plot burra më të mire se ty dhe Edi Rama, janë aty o mallra magazinash, o pjesë e këtyre farsave zgjedhore që po kalon Shqipëria jonë.

Vendi i marrë peng nga 5 a 6 emra. Një demokraci e shkërdhyer militantësh që si e si të mbysin njëri-tjetrin, veç këta emra të mos preken.

Ti atëhere fitove me 10 a 11 vota. Një fitore e ngushtë, e dyshuar, e përfolur. Por që zbythi nga karrika mastiçin. Një fitore që më ngrohu dhe më bëri të besoj se më në fund tek ne do fillonte demokracia. Gjuha statuore dhe vullneti i fort i tërhqjes si motori i demokracisë bashkëkohore.

Por nuk ndodhi. Madje si karshillëk të dyshimeve opozitare për ato 10 a 11 vota, Sali Berisha emëroi kryetarin e komisionit zgjedhor të atyre zgjedhjeve, si nënkryetar partie. E emëroi…

E mjera shpresë e imja u bë qull dhe me keqardhje pohova se pengmarrësit vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e kanë hallin. Për gjithçka mund ta kenë, por vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët jo. Kjo u vertetua shpejt me aleancat jo të natyrshme që PD bëri me LSI, apo grupin e Zemunit, me marifetet për zgjedhjen e presidentit, duke shitur karrike kuvendi në listat zgjedhore. Duke bërë aleanca me djemtë e nomeklaturës në shit-blerjen e armatimeve stok të diktaturës. U bëm gaz i botës me vrasjet në Gërdec. Nga aleancat mallinje, ndërsa demokratët magazinoheshin dhe bënin sehir duke ngrënë fara luledielli. Bënin mbrojtësin e zjarrtë të zullumeve të LSI-së. U vu re me skandalet e para 21 janarit se si u bëm mburojë e vjedhjes. Me 21 janarin vrasjet e radhës. Deri sa përfunduam në një opozitarizëm dhëndurrësh e çunash nga resortet e karaibeve. Me nuset top modele. Apo me kunetërit dhe të tjerë nga soji i grave. Ndërsa shqiptarët akoma diskutojnë ujin dhe dritat. Akoma diskutojnë lëmoshat sociale. Akoma vdesin të ikin nga vendi.

2) Sot PD eshte, sa e marrë peng aq dhe ndarë plotësisht. Dhe këtë e verteton 90%-i i fitores tënde. Më kujtoi ato votimet e kohës. Me saze, me pjesmarrje 100% dhe rezultat 100%. Sa edhe të mundurit, të përmbysurit ishin të lumtur që ishin përmbysur, të lumtur që ishin degdisur e internuar. Të rrojë sa malet Enveri, legeni. E vertetoi tallja me kandaditain konkurues. Mungesa e debatit. Mbytja e ndonjë proteste. Megjithëse në mendësinë botërore, sidomos këtë amerikane, të protestosh është patriotizëm. Jo rrugaçari. E vërtetoi, përgjegjësia pa përgjegjësi. Kjo formula manovër me ngriva-shkriva që e kishim mangut ne demokratët. Përjashta luftojnë ish zyrtarët milionerë. Brenda, grupi rreth teje dhe grupi që bëri aleancë me Zemunin etj. Këta më kryemilionera. Por nuk kishin faj… asokohe, vendit i duhej një klasë investitorësh, kështu edhe partisë me intelektualë të kulturës marksiste, i duhej klasa e të pasurve, borgjezia gjoja e djathtë. Sa ironi jete, sa ironi demokracie alla shqiptare. Se asaj që përmbysëm, që e ropëm, që e shkërdhyem më 1945-ën, një mut i dhamë. E kemi futur në analet e letrave dhe gjyqeve. Kurse vet u ngritëm fitimtarë mbi botën e vjetër të gërmadhave. Ngadhënjyem. Një borgjezi e djathtë me neomarksista kundër marksiszmit. Ndaj jo rastësisht kemi sot plot kaptera të regjimit, plot shefa byrosh, plot supaxhinj, milionerë që i ka zili edhe perëndimi. Klasa e re, borgjezia, e djathta jonë. Kjo shpurë pengmarrësish që veç demagogji bëjnë. Sa majtas sa djathtas. Demagogji dhe lojra fjalësh. Ca imitues të përkryer të njëri-tjetrit. Aq sa edhe pas plot 27 vitesh demokraci, shqiptarët hapin gojën si ata zogjtë e deti në vape për pikën e ujit. Një klasë politikanësh që e vetmja gjë që kanë përvetësuar përsosmërisht, është vjedhja e votes në bazë të ligjit. Dhe pikërisht për këtë u ankohen militantëve, fisnikëve që u shkëlqen syri nga shpresa. Fisnikëve që naiviteti i ka bërë tu dukeni shenjtorë, aq sa edhe fëmijëve u veshin bluza blu, rozë a lejla, por edhe të kuqe. Një lloj masturbimi kolektiv një për të gjithë dhe të gjithë për një.

Po shumë shpejt do hani kokat edhe ju aty brenda. Se për opozitë ha ha. Nuk ia kemi ngenë tani. Të paktën shqiptarët shpresojnë dhe ngushëllohen në opozitarizmin e zonjës së parë. Demokratët opozitarë ca do vine tek selia me shpresën se kur të vine në pushtet do i japin shefat ndonjë vend. Ca po bëjnë valixhet. Nuk kanë faj, e ka zënë kuçedra ujin. PD-ja ka jo punët e tyre, por hallet e veta. Do shahet e shqyhet. Do pështyjnë njëri-tjetrin sepse tek ne inati është statuti më i fort, është kanun, kuran, bibël.

3) Nuk kisha shpresë se do fitonte Selami. Asesi. Nuk e çoja nëpër mend. Nga ana tjetër lojrat të tilla si, ai po kandidon sa për tu dukur etj. Kundërshtitë e çuditshme të grupit Patozi, thirrja për bojkot, ose ajo që i donin gjërat në distance dhe me propogandë etj. Me sillnin neveri. Vetëm bojkoti nuk duhej të kishte ndodhur në këto zgjedhje. Bojkoti duhet të vdesi një here e mire si praktikë aty. Pasi bojkoti është kanceri i demokracisë.

Eshtë punë e pa bërë por e paguar dyfish.

Nëse kanë memorie shqiptarët, duhet të kujtojnë se pikërisht për shkak të politikave të bojkotit. I kanë dhënë vendit dy qeverisje të dështuara. Ajo e Sali Berishës 2005, 2009. Dhe Edi Ramën më 2013, 2017. Këtu qëndron, apo gjen përgjigje pyetja e juaj se, pse, edhe sot akoma diskutohet uji, energjia, informaliteti në biznese ku gjithkush vret e pret e askush nuk mban përgjegjësi. Eshtë kjo arsyeja që akoma pagat janë informale dhe të pamjaftueshme për kushtet më minimale të jetesës.

Pra bojkoti dhe politikat e distancimit nga marshimi i uzurpatorve dhe klaneve të zemunit.

Madje unë besoja sinqerisht tek futja e tij në garë. E njoh mire natyrën e njeriut pas një përvoje emigrimi. Jam edhe vet emigrant. E aq më tepër të një emigranti amerikan. Kjo u vertetua me fushatën e tij. Me qetësinë dhe argumentat, që neve absurdisht nuk na duhen. Ne jemi të betuar drejt vetvrasjes. Dhe nuk na duhet e verteta. Nuk na duhet rruga e duhur. Jemi bijë të urra-së kolektive.

Frikë nga argumentat kanë njëshat. Ndaj çfarë nuk bëjnë. Ose janë bërë mjeshtra tashmë. Mjeshtra të manipulimit.

Dhe të korrat, i kanë të mbara 90 kuintal grurë për hektar.

……

Filed Under: Politike Tagged With: Fitorja e Bashes, Ilir Levonja

Të zakonshmet avaze prej Shqipërie

July 20, 2017 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Florida/

Tha Mustafai (një gazetar me emër turk) që Vojsava eshtë me prejardhje sllave. Ia priti Spartaku (një avokat me emër spartan, vendi i Helenës së Trojës, emër grek), tha për Mustafain, injoranti që e paguajnë qarqet greke dhe sllave. Me që jemi tek toponimia, prejardhja e emrave…, se kjo është çështja. Kjo dhe…, pse e tha. Nuk duhet ta thotë?
Ja priti dhe Shabani, po me emër turk. Edhe Murati me emër otoman. Edhe Çeliku me emër sovjet, revolucionarësh. Një bashkësi me atdhe çështjen. E solli anash edhe Vullneti po me emër sovjetësh. Bërtiti Demiri me emër kazakësh. Llambro me emër grek.
Asnjë me emër shqiptar?!
Po kjo është Shqipëria jonë more djema.
Kjo.
Eshtë një kulturë që nuk u shpik sot, po që mot.
Ndaj jemi një kopshtari e begatë emrash, kulturash, mendësish e traditash; perandorish, shtetesh, shërbimesh, qarqesh, vasalësh.
Ndaj nuk kemi edhe hu ku të mbahemi.
Na mungon vetvetja.
Aq sa sot, për inat të Turqisë, Bashkimit Sovjetik, Kinës, Greqisë, Serbisë, (është një epokë emrash që variojnë në bazë të lidhjeve shqiptare ndër vitet e kaluara, me vendet dhe epokat e marrëdhënieve me ta) i jemi kthyer emrave perëndimorë me shumicë. Emrave të sojit të filmave amerikanë përshembull. Sa Tomsona kemi sot në Shqipëri.
Sot emri universal tek ne është në mode.
Ndaj globalizmi më së pari ka për të prekur Shqipërinë. Më pas vendet e tjera.
Italia apo Greqia përshembull do të jenë të fundit. Do t’u duhet vota jonë për t’u futur në Unioin Global. Pa lënë mënjanë emrat nga fusha e futbollit. Mjaft me qënë pak tifoz brazilian se plot me Rivelinjo u mbushën lagjet. E merrni me mend çfarë do ndodhi në vitin 2417, në Shqipërinë tonë. Sikur ndonjë nga këta Rivelinjot të bëhet i famshëm. Apo shenjtor si nënë Tereza. Sa sherre publike do ketë. Lum kush të rrojë e të kujtoj se nga qejfet e kripura të shqiptarëve. Nga unët e birrave dhe të basteve për ndeshje kampionatesh. U japin fëmijëve emra sportistësh. Nga personazhet e telenovelave u japin emra vajzave. Edhe pse përshembull, hiqen myslimanë të thekur. U vendosin emra katolikë. E kam trajtuar një radhazi këtë çështje, kur një ”mysliman” shqiptar i vuri emër çifut fëmijës. Këtej llapte pas Erdoganit në mbrojtje të gjoja vëllezërve myslimanë palestinez. As e kishte idenë e historisë së gadishullit palestinez, kofliktin e vjetër sa rraca njerëzore mes popujve aty. As e kishte idenë që gjyshi i tij shqiptar u kishte dhënë bukë këtyre çifutëve. Po u kujtua që ishte mysliman. U kujtua të mbroj erdoganizmin. Një ironi shqiptare.
Jemi bërë për ibret të Zotit, thoshte një plakë e vjetër.
Dhe kjo puna e këtij debati.
Dhe ta dini se, kësisoj sherresh ndodhin në vende ku kultura e komunikimit gjakftohtë, kultura e njohjes është zero. Për shkak se individët quajnë institucion individët dhe jo Institucionet kombëtare. Kjo është paradoksale, si gjithë jeta jonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: avaze prej Shqipërie, Ilir Levonja, Të zakonshmet

Shoferi i autobuzit që u bë president

July 18, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Dielli/

1) Nga vendet e Amerikës Latine, venezuelianët, kilianët, argjentinasit. Deri diku edhe uruguajanët. Seç kanë një sharm europian. Gjë që nuk e shikon tek të tjerët si ekuadorianët, kolumbianët, meksikanët, hondurasit, panamezët e me radhë. Brazilianët janë dy ekstreme. Aq sa vajza të bukura kanë, një lloj tipizimi i epshit amazonas me ritmin e sambas. Aq edhe vajza apo djem të lodhur që i ngjasojnë robëve të minierave të karbonit. Venezuelianët dallojnë. Jo rastësisht ishin ata të parët që u shpallën të pavarur nga Spanja më 1811-ën. Ndaj gjithmonë kam bërë habi se si është e mundur që një vend si ai, me sharm europiani, me pasuri nëntokësore si ari apo nafta, vendi me rezervat më të larta të hidrokarbureve, të vuaj nga politika të çmendura shtetarësh. Si politika e kopoerativave të Hugo Çavezit. Apo koha shortage, ose mungesa e madhe e gjërave të së përditshmes. Deri tek letra higjenike. Tregjet socialiste ishin, bosh. Sa Maduros iu desh të urdhëronte tregtarët private, pasi në Venezuelë operon edhe tregu privat, një lloj ekonomie kineze, të mbushnin marketet e punëtorëve. Dhe kjo jo më larg se dy vjet më pare.

2) Një kolegia ime, të shtunën mbrëma, më kërkoi me shumë mirësjellje që të lutesha për vendin e saj. Si katolik të thekur që janë, ata e besojnë zotin e tyre, si njeriu i kthjellët dashurinë. Të dielën e kaluar më 16 korrik vendi i saj mbante një referendum popullor. Arsyeja, presidenti kërkon të ndryshojë kushtetutën e vendit. Me qëllim që të ndërrmarri disa reforma. Por që në fakt nuk janë të tilla. Pavarsisht se zgjidhet nga populli, presidenti nuk ka pushtet absolut. Eshtë edhe asambleja kushtuese si një lloj balance. Kësisoj Nikolas Maduros, presidentit me profesion shofer autobuzi, që të vrasi e presi sipas qejfit i duhet pushtet. I duhet të mos ndaj pushtet. Apo t’i marri dorën asamblesë kushtetuese.

Vet ajo do shkonte në një fushatë sensibilizimi pro Jo-së. Pasi në rrethinat e Miamit jeton një komunitet i madh venezuelianësh. Afro 100 mijë votues në shtetin e Floridës. Do ndihmojmë atdheun në rrugën e demokracisë. Kanalet lokale, mediat, webe, blogje, shfaqnin pamje venezuelianësh me ngjyrat e flamurit, dekoruar me kapele e bojra fytyre që shkonin drejt jo-së gjithë hare. Nga Venezuela vinin lajme me shumicë, stacionet televizeve më në zë trasmetonin njerëz nga rrugët e Karakasit. Opozita bënte thirrje për jo, e quante një marrëzi jo referendum kushtetues. Në fund rezultati erdhi. Jo-ja fitoi. Rreth 7.2 million votues i thane jo ndryshimeve kushtetuese. Kjo do të thellojë krizën politike në vend, e për rrjedhoj ekzistencën e sojit të presidentëve të tillë. Ca diktatorë që kalojnë pushtetin nga vetja, tek besnikët e tyre. me vjedhje votash dhe manipulime popullore, duke përdorur shtresat e varfëra.

3) Ndofta dikujt i duket për të qeshur, por me të vërtetë Nikola Maduro ka qenë shofer autobuzi. Ka bërë vetëm një vit shkollë partie, në Kubën e Fidel Kastros. Eshtë rreth 56 vjeç. Në vitin 2006 Hugo Çavez e bëri minister të jashtëm. Do mbahet mend se deri atë botë, ishte i pari minister i jashtëm i Venezuelës që nuk fliste asnjë gjuhë të huaj. Por fliste gjuhën e partisë, dhe besnikërisë së lakejve karshi diktatorit. Unë e shpesh e kam theksuar se, diktaturat nuk bëhen vetëm. Madje lakejtë janë më të rrezikshëm se shefat e tyre. Kjo vlen edhe për diktaturën tone. Ai u përzgjodh nga Hugo Çaves për të vazhduar revolucionin idiot, të ashtuqujtur bolivarian, që veç emrit nuk asgjë të përbashkët me heroin latino-amerikan, Simon Bolivar.

Eshtë një revulocion fallco, gjoja me politika sociale të mahnitshme, si banesat shtetërore, shëndetësia falas. Apo kooperativat e klasës punëtore. Një lloj ekonomie e dështuar që thith nga fitimet e eksportit të naftës, aluminit dhe metaleve të tjera. Ose zhvat tregtarët e mëdhenj dhe mbush mapot e punëtorëve. Qysh nga viti 2013 që ai ka ardhur në pushtet, pas një fitoreje të disktutuar. Të ngushtë… nga ruralistët. Një lloj si ndodhi pak muaj më pare me diktatorin e Turqisë Erdogan. I cili u refuzuan nga metropolet dhe fitoi me votën e rretheve. Pra që nga ardhja e tij në pushtet, e shoferit të autobuzit, në Venezuelë nuk kanë pushuar një ditë revoltat. Kjo ka domethënien se vendi ndodhet në një lloj lufte nervash. Që një fije peri e ndan nga lufta civile. Ndaj kolegia ime më kërkoi të lutesha për vendin e saj. Dhe sot kur e takova gëzonte si fëmijë për fitoren e jo-së.

4) Çfarë lidhje kanë të gjitha këto me Shqipërinë.

E para ne vimë nga një kohë diktatoriale të katastrofës së ekonomisë së përbashkët. Të zhvatjes së pronave private. Të shtetëzimit të tyre. Dhe luftës pa kompromis të mendimit ndryshe. Kjo për shkak të etjes për pushtet të njëshave. Për pushtet të pakufizuar. I cili tek ne qëndron tek ekzekutivi dhe dështimi i tij me luftën karshi informalitetit. Edhe ne jemi një vend i pasur në burime natyrore, por nga më të varfrit në raport me rajonin. Për shkak të paaftësisë për shfrytëzimin e tyre. Politikës së dështuar. Kemi përvojën e kuadrove me kurse partie, që i bëm deri ministra. Me kurse 6 mujore drejtësie etj. Por asesi se kemi vënë mend…

E dyta, po shohim me sytë tanë, përditë se si deformohet demokracia. Me vote. Me mënyrat më të pista. Të njëshave që kanë për model Fidel Kastron e Bosforit. Rexhep Taip Erdoganin. Aq sa pa frikë mund të themi se jemi vendi i absurdit njerëzor. Kur shqiptarët festojnë të ashtuqujturin grusht të shtetit të vitit të kaluar në Turqi. Një sajesë e revolucionit të Hugo Çavez-it, Kastros, Maduros, Kim Yongut… Dhe aq më absurde në Kosovë. Të festosh a celebrosh ergonazmin aty, në Kosovë, është dyfish absurditet. Figurat më të rëndësishme të shqiptarëve në luftën për shkëputjen nga Turqia, ia ka dhënë Kosova. Si Sulejman Vokshi, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën etj. Megjithatë në Kosovë dalin e festojnë për Turqinë. Eshtë pjesë e mendësisë së diktatorit me lakejtë. Edhe Enver Hoxha modelet andej i kishte. Nga Beogradi, Moska, Pekini, Laosi…., kështu edhe bijtë.

Dhe e treta një e përbashkët e kundërt, një peng emigranti, fakti që emigrantët venezuelas votojnë. Kudo që janë…., ashtu si shumë kombësi të tjera, kurse ata shqiptarë, jo. As që e çon kush në mëndje.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, që u bë president, Shoferi i autobuzit

Lista e zezë dhe rubrika, qytetari dixhital denoncon!

July 15, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Për herë të parë denoncimin si akt qytetar, e ndesha këtu ku jetoj sot. Në Amerikë. Një mëngjesi herët. Nxitoja për në punë…, fqinja ime si zakonisht në atë orë nxjerr shëtitje qenin. Ajo është në pension, por punon me kohë të pjesshme, ose privatisht, kryesisht mbrëmjeve. Si fizoterapiste që është, ruan akoma një numër klientësh të kufizuar dhe u bën masazh. Përpara se t’i përgjigjej mirëmëngjesit tim, më kërkoi llogari duke më kujtuar me pyetje se, unë me patjetër që kisha gjetur një njëri që të kujdesej për tim bir. Nuk e lija vetëm në shtëpi? Po ta lija, veproja kundër ligjit. Dhe ajo, jo që nuk përtoi të ma kujtonte, por shtoi se do të merrte në telefon, pasi rreth e qark nesh ka edhe një liqen. Dhe nuk ia mbante zemra të dëgjonte ndonjë gjëm mbytje.

Mbeta si i shushatur. Pasi e kisha ndihmuar disa here. I nxirrja koshat e plehrave. I kisha pastruar makinën. Rregulluar ndonjë bravë dere. Im bir e donte gjithashtu. Lozovitej me qenin e saj. Rrokulliseshin barit. Ndërkohë që ne bisedonim. Ime shoqe e respektonte gjithashtu. Flisnin. U kujtova se një here i kisha folur për koston e lartë të çerdheve a kopshteve. Ajo më ishte përgjigjur se, kjo është Amerika. Nëse nuk të mjafton një punë, bën dy a tri. Ndërsa unë prisja pak mëshirë. Nuk e di pse e dëshiroja një lloj qaravitje timen. Dhe një mëshirë prej tjetrit. Punë mentaliteti, a punë kurbetlliu. Akoma nuk i kam dhënë përgjigje.? Por mbeta si i pa gojë. Dhe nxitova. Im bir flinte. Ashtu e lija gjithmonë. Fjetur. Ose ashtu e linim. Megjithëse kishte pasur raste që edhe ai të ishte pjesë e turneve tona. E shkëmbenim diku në rrugë. Ia dorëzonim shoqi-shoqit. Nga ana tjetër mora time shoqe në telefon. Ajo kthehej nga turni i natës. Ishte duke ardhur. Pra nuk qe hera e pare që vepronim kështu. Ajo vinte e unë ikja. Takimi bëhej në telefon. Kurse djalin e linim në gjumë. Kujdeseshim me turne. Jetonim me turne. Punonim me turne.

2) Mirëpo fqinja, fqinjët, si qytetarë në vendin e tyre, atë punë kishin. Një e më dy telefonin. Qoftë edhe për një ngritje zëri të televizorit. A një grindje familjare. Mbaj mend që erdhi policia vringthi kur ca shtëpi më poshtë një nënë i grishej së bijës. Vendi ra qetësi. Edhe mua më erdhën vringthi pse po tentoja të mbidhja ca lule tek porta. Më kujtuan kontratën, rregullin, nuk mund të bëja asgjë më shume se çfarë ishte aty në bazë të projektuesve. Ndaj dhe paguaja kuotën mujore për çfarë kisha përreth. Po ku dija unë nga këto… shikoja qiellin dhe thosha nga e morën vesh këta.?! Përqark qe zbrazëtirë dhe këmbë njeriu se çapitej. Unë vija nga ajo botë, kur dikush në oborrin e tij bën çfarë i do kokrra e qejfit. Dhe aq i plas për fqinjin. Madje si e si ta shtrydhi tjetrin nervash. Si ta bëj që ta vdesi nga marazi. Vija nga ajo botë ku fqinji ta zbras kamionin e zhavorit tek dera e shtëpisë. Dhe nëse i thua gjë, të tregon çiften me dy gryka. Nga ajo botë, ku gjithçka hidhej në rrugë, në daç ato të bahçes, në daç plehrat e brendshme, ujrat e lavamanit, të halesë etj. Gjithçka i ha rruga. Rruga shtrydhet, shtypet, ngjeshet, dredhohet, kthesohet, kurbëzohet, bllokohet. Rruga e shkretë, edhe pse e gjora ajo… atje në krye, ka një tabelë me emrin e një të shquari. Rruga i ha të gjitha. Kurse ti mender mutin t’i hash atij tjetrit. Fol po ta mbajti. Pra për kësisoj problemesh, se për të tjerat. Se me kë e lë ti fëmijën, ligjin. Probleme sociale që ia shpall koha njeriut të saj… as që duan t’ia dine. Ose po denoncove. Të quajnë spiun.

3) Aktualisht kjo po ndodh në Shqipëri. Aq sa sot një shoqëri e tërë është brenda një kolapsi social dhe e ka të vështirë të bëj dallimin midis aktit qytetar dhe spiunllëkut. Ose e ka pasur prej kohësh të vështirë. Për rrjedhoj shqiptarët presin gjithçka nga shteti. Ndërkohë që shtetarët luftojnë ashpër njëri-tjetrin. Me të njëjtat mjete, me të njëjtat strategji. Gjithçka duhet ta bëj shteti. Kjo është mendësia jonë. Madje jemi gati ta mallkojmë vetveten. Se pse ky shtet nuk na jep dhuntinë që të reagojmë si qytetarë. Ashtu siç bën bota. Të denoncojmë. Por në vend të këtij akti qytetar, mallkojmë vetveten. Sa të pafat që jemi?! Na u ngjit kjo sëmundja e spiunit dhe s’ka karantinë trajtimi ta mposhti. Nuk ndodh kështu në Gjermani përshembull. Në Zvicër. Në Francë…., se në Amerikë jo.

4) Unë nuk e di se sa seriozisht e ka Rama me këtë rubrikën e qytetarit që denoncon. Dhe që i fton të qeverisin kështu. Dhe këtë mund të na i provojnë vet shqiptarët në një të afërme, javësh, a muajsh. Por kaq gjë ua them me bindje se, të denoncosh, është akt qytetar, jo spiunllëk. Unë nuk e di pra se sa seriozisht e ka Rama. Me listat. Këtë që shumë kanë filluar ta quajnë si listë e zezë. Dhe që dikush tjetër e krahason me listat e Shindlerit. Janë shembuj të pa krahasueshëm. Pasi listat e Shindlerit, i përkasin sakrifices, sublimes, shpëtimit të jetëve nga një njeri. Kundrejt pambarimsisë së listave të shfarosjes së hebrejve në Poloninë e viteve të Hitlerit. Kohë lufte. Luftë midis shteteve. Dhe është tjetër lufta brenda gjakut. Dhe nuk e kuptoj përse shumë nga ata që gjejnë emrat aty ndihen të fyer. Flasin për persekucion publik. Luftë breznish, shkollash etj. Dy janë shkollat në Shqipëri… komunizmi revolucionar. Dhe e patriotizmi me metodat komuniste. Dhe një është mendësia administrative tek ne. Gjej një vend pune për të rjepur të tjerët. Jo për të shërbyer. Dhe po një është mendësia intelektuale. Nxë, a studio, a mëso…, për t’u mburrur, për t’u dukur, për të sunduar. Dhe jo për t’i sherbyer popullit tend. E tërë jeta jonë është lufta e klasave që shqiptarët nuk duan të përfundoj asnjëherë.

Unë nuk e di pra, se, sa seriozisht e ka, por di që Rama tallej me denoncimet, përshembull të shqiptarëve. Të cilët nga halli që nuk ua shikon, nuk ua beson kush statutet në fb. I dërgojnë ato tek rubrika qytetari dixhital denoncon, e Sali Berishës. Por di të them se, si Rama, si Sali Berisha…, janë dy ideatorët e denoncimit dixhital. Dhe gjykoj se nuk e kanë për të mirën e shqiptarëve. Dy burra shteti që ecin në gjurmët e njëri-tjetrit, nuk ka si mendojnë për qytetarët. Njëri e quan shantazh, njëri spiunllëk. Të dy të njëjtin avaz. Me të njëjtën strategji. Deri sot shqiptarët njohin vetëm një arritje, nga kjo. Nxjerrjen e syve njëri-tjetrit. Pasi askush nuk është dënuar nga denoncimet e njëshave. Veçse kanë plotësuar para kohe planet, a normën e organeve të akuzës. Me dosje, me letra, që pluhur janë bërë. Askush. Veç votave sa në një krah në tjetrin, sa për Berishën, sa për Ramën. Dhe jo për veten tuaj.

Eshtë koha të denonconi nga muret tuaj, jo nga fb i Ramës a Berishës. Pasi vendi vërtet ka nevojë për qytetarë.

Filed Under: Analiza Tagged With: dixhital denoncon!, Ilir Levonja, Lista e zezë dhe rubrika, qytetari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT