• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Big Brother Edi Rama dhe Lulzim Basha

July 15, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Ka pak orë që përmes ambasadorit të saj Amerika u foli shqiptarëve. Po e theksoj, shqiptarëve. Një pjesë e vendosmërisë së saj vijon si më poshtë: ”Eshtë koha t’i dilni zot vendit shqiptarë. E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme. Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi. Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë”…

Mirë do bëjnë të mbyllen, në fund të fundit Big Brother program vazhdon. Le t’i shikojmë se si nënqeshin. Si kërruajnë hundët etj,
Apo kushdreqin e di se deri ku do u shkojnë nepset.
Megjithatë dikush më pyet se përse ambasadori u drejtohet shqiptarëve?
Përse shqiptarëve?
Sepse është ajo që ne aq për zor e kemi ta pranojmë, qofshim të majtë apo të djathtë, se, liderët aktualë kanë kohë që po dështojnë.
Kjo për të vetmen arsye, ata janë një brez plot mëkatarësh dhe kërkund se e gjen një shenjtor.
Aleanca që kërkon ambasadori Lu me shqiptarët, me qytetarët, nuk është e rastit. Nuk është thirrje në ajër. Por e gjetur përmes ndishmërisë midis njerëzve nga e përditshmja dhe klasës në pushtet. E vërteta është se një indinjatë e madhe popullore fle gjithandej. E kapur rob nga përfundimi se kujt t’ia jap votën. Si ky, si ai, njësoj janë. Kjo është e gjitha.
1) E kisha ndjerë prej kohësh se në vendin tim ka një faktor antiamerikan. Një shpurë njerëzish që kanë çimentuar pushtetin. Ata në korridore ministrish, gjykatash, ambasadash, zyra shtypi dhe shoqatash që vdesin për të marrë fonde nga të mundin.
Edhe prej Amerikës vetë. Sidomos me këto programet e reformave apo zgjedhjeve. Webet shqiptare i trumbetojnë me të madhe si fonde për zhvillim, prej Amerikës apo DASH-it siç edhe ua ka ënda ta thonë shpesh.
Sot u vertetua plotësisht. Një tërësi emrash nga këto reparte të shtetit ushtarak shqiptar, theksojnë se pse duhet t’i bindemi Amerikës. Pse nuk i kthejmë reston siç edhe ia bëm më 2013 me armët kimike etj.
E para, Amerika nuk ka vendosur. Nuk ka thënë do ta bëni kështu apo ashtu. Ka sugjeruar…, kjo në kuadër të mestarit. Të atij që e kemi të pamundur të bëjmë ne shqiptarët. Gjithmonë na duhet një i tretë. Qoftë ky, irlandez, gjerman, apo hollandez etj.
E dyta, situata me armët kimike nuk është afërmendsh e krahasueshme me situatën aktuale. Nuk mund t’i themi politikës thuaj jo, si me armët. Pasi atëhere, jo, tha populli. Të ishte për politikën ato garrupe të paketuara mbetjesh kimike, do ishin groposur me kohë midis Skraparit, Gramshit apo Oparit. Madje honorari i përftuar do i shërbente faqezinjëve shqiptarë si argument për zhvillimin ekonomik të vendit.
Këtu ai që duhet dhe po i thotë popullit të thojë jo, është ambasadori. Dhe jo për karshillëk, por ato argumente që vet ai i përmend në fjalët e pakmëparshme drejtuar qytetarëve…, kur shprehet kështu: ”Disa muaj më parë kam pyetur se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë? Krerët e krimit të organizuar? Gjyqtarët e korruptuar? Apo politikanët kriminelë? Sot, përgjigja është e qartë. Të gjithë ata kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë.”
Pra jo Edi Ramës, por shqiptarëve u takon e drejta të thonë jo. Jo më me Edi Ramën, Ilir Metën, Lulzim Bashën e me radhë.
Pasi u ka u humbur e drejta të vendosin për ardhmërinë e shqiptarëve.
2) E gjitha i ngjan tashmë një kazani që vlon.
Madje koha dëshmoi se Shqipëria ka nevojë për ndryshime të forta deri në Kushtetutën e vendit. Rendi parësor duhet të fillojë me pozitat, pozicion apo rëndësinë që ka presidenti. Nëse duam të kemi një të tillë. Privilegji i liderëve politikë në zgjedhjen e personit që në në librin thelmetar të shtetit, e konsiderojmë si unifikues të shqiptarëve. Ka rezultuar deri sot, si objekti i humorit të estradave
në kohën kur ndërtonim socializmin. Madje ka sjellur ngërçe dhe shpenzime energjish të kota, duke u dhënë shqiptarëve asnjëherë atë që meritojnë. Atë që duhet ta zgjidhnin vetë, por një rastësor dominosh nga lulishtet e rjepura, siç ishte rasti i Aleksandër Moisiut.
Ose ose, militantë partish sa majtas djathtas, që të gjitha i kanë arritur, vetëm respektin e presidentit asesi.
Ja përse sot ka konflikte garipash midis ministrash dhe presidentësh. Deklarata palësh për të drejta demode.
Të gjitha mund të ekzistojnë. Të gjithë këta mund të kenë të drejtë.
Veçse shqiptarët nuk kanë presidentin e duhur.
Apo institucionin themeltar për të cilin paguajnë me gjakun e tyre,
flluskën prej sapuni të unitetit kushtetues.
3) Kush, atëhere, e ka të drejtën të negociojë? Të zgjedhi dhe të vendosë për ardhmërinë e vet. Ndërkohë që dy, tre apo katër njerëz. Ca me atlete, ca me pak bark apo qafa të rrudhura nga dhjami. Ca me tre celularë, me dieta, rroga të majme…, me shtëpi me shumicë. Me thinja dështimesh por të mbarështruara nga ekzistenca treçerekshekullore e venduesit. Të atij që kurrë nuk bie nga kali deri sa ta tërheqin zvarrë. Kujt pra i bie për pjesë të negociojë. Padyshim qytetarit. Ndaj dhe Amerika me atë po komunikon. Dëgjojeni dhe i dilni zot fatit tuaj…, ose bëhuni spektatorë të përjetshëm të djemve në dhomat e Big Brother Albania.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Lulzim Basha, Edi Rama, Ilir Levonja, Në Big Brother

Paralele kuvendesh midis Anglisë dhe Shqipërisë

July 14, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

Disa orë më parë, David Cameron lëshoi postin Kryeministrit në Britaninë e Madhe. Ai erdhi në pushtet si lideri i konservatorëve pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2010. Atë kohë zëvendosi Gordon Brown e Tony Blair-it ose liderin e laburistëve anglezë.

Midis të tjerash ai i tha kuvendarve se ndihej i lumtur që iu dha mundësia t’i shërbejë për pak kohë së ardhmes së vendit të tij.
Pra nga nga muaji maj i 2010-ës deri më sot, 14 korrik 2016, bëhen plot 6 vjetë. Dhe mos u çudisni që në një të ardhme aty tek dera, emri i tij të jetë vetëm një indeks në faqet e historisë së shtetit anglez. Ashtu siç edhe janë sot emra të tillë si Margaret Thatcher, Tony Blair e Gordon Brown etj. Megjithëse akoma ka një vrull të ashpër, sidomos prej lobit që kërkoi daljen nga komuniteti europian, karshi reformave në arsim dhe shëndetësi. Të cilat ai nisi me masa shtrënguese, për shkak të krizës ekonomike, të ashtuquajtur tashmë si kriza e viteve 2000. Qytetarët britanikë nuk ia mohojnë meritat për një shmangie nga depresioni financiar etj.
David Cameron dha dorëheqjen një muaj më parë për shkak se i hapi rrugën një referendumi, mbi qëndrimin apo jo të Anglisë në BE.
Fitoi jo-ja, kur ai vetë këmbëngulte në atë që Anglia duhej të ishte pjesë e fateve të komunitetit të saj. Për këtë arsye dha edhe dorëheqjen si kryeministër. E për rrjedhojë, në bazë të statutit të partisë, edhe si lider i konservatorëve. Kësisoj edhe emri i pasuesit, po në bazë të statutit, duhet të fitojë më parë se postin e kreut të shtetit, atë të partisë. Kështu edhe Tereza May, iu nështrua zgjedhjeve dhe konkurencës.
E solla këtë shembull jo për faktin e koiçedencave shqiptare me atë të botës. Në një parlament të dorës së parë, ka debat dhe duartrokitje. Kurse në një të tillë të dorës së fundit, ka pështyma dhe krekosje boshe..
Megjithatë në këtë rrotacion pushteti, ne shqiptarëve na del për detyrë që të vendosim syrin tek vrima e çelsit në Kuvendin tonë.
Duhet ta bëjmë edhe pse aty ka plot kokëtula që të zënë pamjen.
Ka plot kollarexhinjë e kollarexhesha që i marrin njëri-tjetrit veç më të këqijat. Ka që nuk janë në pushtet nga 6 apo 7 vjetë. Por që nga dita kur marshuam rrugëve të vendit me thirrjet që e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Dhe bëhen kështu më shumë se njëzetë e gjashtë vjetë. Këta nuk kanë se çfarë të japin më. Ndaj nuk është rastësore që reformat tek ne bëhen me tendencë të mbrojtjes së vetvetes. David Cameron në fjalën e largimit tha, që jam i lumtur që i shërbeva të ardhmes së vendit tim. Aty tek ne, deri sa nuk arrijnë të bashkëpunojnë, deri sa nuk arrijnë marrëveshje të përbashkëta. Ka domethënien që i shërbejnë së shkuarës, jo së ardhmes. Dhe e shkuara tek ne janë po ata. Pra i shërbejnë vetvetes.
Të vendosim syrin tek vrima e çelsit në dyert e partive politike.
Edhe pse aty ka plot nevrastenikë që të ulërasin si tradhtarë. Janë militantë që nuk i shërbejnë fateve të vendit. Por fateve personale.
Dhe që shpesh të thumbojnë me Y të madhe. Janë militantë, jo intelektualë që duan të shpalosin talentin, aftësinë, gjeninë etj.
Dhe ky është një regres i madh social. Një depresion më i keq se ai i krizave financiare.
Të vendosim syrin tek vrima e çelsit në derën e memories së demokracisë tonë. Për të kuptuar një herë e mirë se sa i domosdoshëm është rrotacioni etj. Se sa qafëtrashë, e bejtexhinj me makina luksoze paguajmë me djersën tonë. Ndërkohë që vet jemi bërë krijesa që në masë linçojmë edukatore kopshtesh, mësues që rrahin, e drogmenë që shkelin robtë në mes të rrugës. Duke anashkaluar shkaktarët realë. Madje duke ua mbrojtur avenirin me fanatizëm. Edhe pse këto krijesa janë produkte të paaftësisë së qafëtrashëve.
Sot një deputet i Kuvendit i tha kolegëve se jemi bërë të neveritshëm për njerëzit. Po na përçmojnë etj. Kjo nuk është e gjitha. Madje nuk është asgjë, veçse një oratori e cila pa veprimin mbetet një vdekje e ëmbël. Ajo që po e merr me vete përditë Shqipërinë. Sepse i mungojnë prurjet si kjo e David Cameron-it.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Shqipërisë, Ilir Levonja, kuvendesh midis Anglisë, paralele

Sot ti socialist

July 12, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

Sot partia socialiste feston 25-vjetorin e krijimit. Duhej ta kish bërë këtë një muaj më parë. Por nuk e bëri! Kjo për ato arsye që në konteksin shqiptar janë uzurpimi i karrikes prej individit. Paçka se lart e poshtë shiten si çështje teknike në lidhje me vizitat e punës, brenda dhe jashtë vendit etj. Në përgjithësi, uzurpatorët shqiptarë janë më të papunët. Ata më shumë shpërdorojnë kohë duke plotësuar tekat e grupeve të interesit, se sa hallet e një e vendi. Këtë përshembull e konstaton letra e hapur e deputetit Vladimir Kosta, i qarkut të Gjirokastrës. Ajo letër, është këto orë jetë, ndofta gajasja më e madhe, mllefi më i madh i sojit të këtyre burrave uzurpues. Në të njëjtën kohë edhe fatkeqësia që ne e mbulojmë me humor, me mbajtje anësh, pa e kuptuar asnjëherë se sa shpesh e më shpesh e ridënojmë veten. Në fakt spektri ynë politik është i mbushur me kësisoj shembujsh. Ndarja e fondeve kthehet në një luftë të ashpër, nga e cila vetëm uzurpatorët nuk humbasin. Ata që humbasim jemi ne. Madje edhe të drejtën për të jetuar. Uzurpatorët veçse na hedhin karafila për sipër. Të tjerat i mbajnë për vete. Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist, mësuam të urrejmë. Mësuam të ndahemi, t’i hamë kokën njëri-tjetrit me lista dhe kundër lista fushatash. Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist dimë vetëm të bërtasim. Të pështyjmë njëri-tjetrin. Deri të ta vrasim njëri-tjetrin në emër të shefave. Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat të shajë nga nëna ty si socialist. Dhe po të njëjtën gjë bën ti me mua. Aq sa edhe fëmijët tanë dinë vetëm një gjë të thonë…, y ai demokrati, y ai socialisti. Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist, kemi përzënë dhe po përzëmë rregullisht shqiptarët prej vendit të tyre. Duke kthyer në të vobektë, pa nerv, njerëz të kuq ose blu… në komunistë e demokratë, ata që kanë mbetur aty. Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat komunist dhe ti si socialist komunist. E kemi mbushur vendin me ferexhe arabie, me mjekra dhe bankete syfyresh. E kemi mbushur me kisha dhe teqe, aq sa industria më e madhe janë kurbanët, pelegrinazhet fetare. Sa sot vendi ynë të ngjan herë si Afganistani, herë si mali i shenjtë i Atosit. Apo dhe si një kasapanë e bagëtive të imta, keca, delesh etj. Eshtë një histori njëzetë e pesë vjeçare, nga e cila unë si demokrat dhe ti si socialist. Kemi zbuluar, demaskuar, treguar me gisht veç armiq të klasës. Megjithëse në trekëndsha, në sheshe publike kemi varur veç njëri-tjetrin. Jo uzurpatorët. Eshtë një histori ku sot përshembull Sali Berisha na thotë ne demokratëve se, Nano dhe klani i Zemunit janë reformatorët e vërtetë të partisë komuniste. Dhe se ky neobllokmeni i ri, Rama dhe klika e tij, e uzurpuan PS-ën. Kur në fakt ne u vramë në 98-ën, ti socialist dhe unë si demokrat. Për zgjedhjet dhe politikat e Nanos dhe klanit të Zemunit. Pikërisht pasi Nano na e solli si peshqesh nga gjirizet e Parisit, këtë rilindasin ”perëndimor” me video taksitë e pashait nga Stambolli. Eshtë një histori, ku e drejta e përcaktimit të së bardhës që është e bardhë. Dhe e zeza e zezë. Eshtë privilegj i uzurpatorit, jo i imi, i yti. Ne vetëm vazhdojmë të dëgjojmë të njëjtën muzikë. Unë demokrat i ndyrë. Ti socialist i poshtër. Kur akoma kërkojmë eshtra. Dhe akoma i reklamojmë me spotet uzurpatorësh se si tmerret e Enverit janë përkthyer dhe gjënden në anglisht, librarive të botës. Kur akoma ngelëm viktima dhe kasnecë të teserës. Të mëndjes më mirë një mik se sa një çiflig. Kur akoma shihemi në gjyqe, mbyllemi në shtëpi, marrim arratinë për shkak të hasmit. Akoma jemi turmë e shfrenuar. Akoma vdesim për të parë shoqi-shoqin duke vdekur. Dhe akoma nuk e dimë se cilët jemi? Sot ti socialist u bëre njëzetë e pesë vjeç. Të uroj të lash xhamat. Të hedhësh ujë me shumicë. Të pastrosh llumin, zhulin. Skorjet e jetës tonë. Ato që unë, vazhdojë t’i harrojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Sot ti socialist

Letra e ambasadorit dhe keqardhja e Majkos

July 8, 2016 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja/ Florida/

Pandeli Majko, një nga ish kryeminstrat e Shqipërisë dhe deputet aktual i Kuvendit, u kujton sot shqiptarëve rrezikun e përfshirjes së Shqipërisë në një spirale anti perëndimore. Kjo e gjitha qëndron në dështimin e përditshëm midis pozitës dhe opozitës për reformën në drejtësi. E gjitha kjo për shkak se vendin e udhëheqin njerëz pa kohë. Me një fjalë që nuk janë të përgjegjshëm për rëndësinë e reformave etj. Çfarë të thuash. Jeta jonë politike shtetare është e gjitha një mëndje më vete. Pasi gjithmonë etiketohet ai, tjetri. Dhe jo raporti dual pozitë opozitë. Pra Ne-ja që është edhe thelbi i demokracisë. Shkurt unë do e besoja Majkon me shpirt të pastër sikur të thoshte Ne, njerëzit pa kohë, e kemi çuar vendin në një spirale anti perëndimore. Pasi gjatë këtyre njëzetë e pesë vite demokraci, si student dhjetorist, si anëtar i lartë i një force politike, si qeveritar i parë etj., ka hisen e tij. Pasi në një etape sociale, në një stad zhvillimi, dështimi nuk është produkt i një pale, por i së tërës. Po kujt t’ia thuash? Këtij politikani që e vë re antiamerikanizmin apo antiperëndimin…, tani. Dhe jo në kohën e darkave te Krokodili në prillin e vitit 2010. Të bojkotit me mburrje. Apo edhe çadrave beduine në një nga bulevardet e stafetave dhe pankartave, brohoritjeve etj. Por edhe makinave të ujit, shkopinjëve të gomës, plumbave dhe vrasjeve për shkak të dështimit politik.

Shqipëria Pandi, ka kohë që gjëndet në një spirale anti perëndimore?! Dhe fajtori nuk është vetëm një njeri, por të gjithë ne. Kjo është e dukshme, edhe në gjërat e jetës, larg politikës. Por që e ka origjinën aty.Qoftë edhe kur ka pamje faljesh masive. Apo bankete syfyresh në sheshe publike. Shqipëria sot është atdheu, ndofta i vetëm, i cili ka më shumë shqiptarë jashtë territorit, se brenda tij. Për rrjedhojë ata që janë aty janë kthyer në militantë xhihadistë aq sa vetëm tek ne demokracia është tërësisht një luftë e shenjtë fetare. Dhe ti padiskutim që ke pjesën tënde. Vetëm nga një fakt i thjesht. Ngritjen e dorës pro kultit të individit, varrosjen e rregullave të shenjta të qarkullimit të vlerave. Ke pjesën tënde në mashtrimin e madh shoqëror për sistemin e pavlerë të aleancave qeverisëse.
I gjithë ai vend është i marrë peng nga hirearkia.
Aletatët tuaj apo ”miqtë” tuaj siç edhe i cëlësoni ju shpesh, ata nga bota. Janë sot pensionistë politikë të nderuar. Kurse ju akoma në poste drejtuese. Akoma protagonistë bisedimesh për reforma. Nuk po bëni gjë tjetër, veçse po i tregoni njerëzimit se Shqipëria është vend i nënave shterpë. Mjafton të kujtojmë pritjet e përcjelljet e tua në mars-prillin e 1999-ës, luftën e Kosovës. Atë që ti shpesh të pëlqen ta përmendësh. Toni Bler, Klinton, Prodi. Apo edhe ai austriaku që i tha perëndimit se nuk e bënte dot dallimin midis djallit dhe ëngjullit tek politikani shqiptar…, Vranicky i bisedimeve të vështira shqiptare. Të gjithë janë në pension politik. Kurse tek ne pensionimi është tabu e justifikuar me postulatin, më do populli.
Dhe me që i referohesh letrës së ambasadorit, në ‘të ka dhe një paragraf me përmbajtje të tillë.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kundërshtuar vëndet e rezervuara sepse kjo formulë do t’i etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqesor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vëndeve të rezervuara do ta minonte këtë besim”.
Thelbi i këtij teksti nuk bën fajtor vetëm njërën palë. Por të dyja. Pavarsisht se për momentin, ju keni marrë stafetën e rilindasit duke demonstruar me gisht fajtorin, penguesin e reformave etj.
Nuk e kishit këtë mendim kur ishit opozitar.
Ndofta mendësia e shtetarit shqiptar se pushteti është i pafund. Dhe shteti im, shtetarët e mi e kanë kohën e mjaftueshme të mbulojnë e të zhdukin provat etj. Ose të bindur vërtetë se jeni kristal, kujtoni se do i shpëtoni Vetingut. Por e ke gabim. Sepse nëse një ditë Shqipëria do ketë vërtetë realitetin e drejtësisë perëndimore, përqindja e mëkatarëve do jetë në kufijtë e shifrave të hatashme.
Kjo e gjitha për shkak të asaj hirearkie aktuale, që ditës bëjnë opozitë të ashpër në Kuvend. Kurse darkave janë fqinjë vilash në gjirin e ngjalave. Dhe ti thua Shqipëria mund të përfshihet në një spirale anti perëndim. Sinqerisht më vjen keq, pasi Shqipëria është aty prej kohësh.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe keqardhja, e Majkos, Ilir Levonja, Letra e ambasadorit

Jemi popull administratë, jo popull që të rrëzojmë

July 3, 2016 by dgreca

Nga lir Levonja/

Po shoh në shtyp një lloj aludimi për rrëzimin e Ramës, për shkak të atyre milionave që u vodhën në aeroportin e Rinasit. Mirëpo nga ana tjetër është një rrebesh i tërë që vlon duke na kujtuar se sa serb është Sali Berisha. Madje ka nga ata shkrues që akoma vazhdojnë e i bien Berishës, duke e konsideruar veten, edhe pse kanë tre vjet në pushtet, si opozitarë të përjetshëm. Drejtimi i tyre është Berisha. Jo euro të vidhen, jo edukatore të rrahin kalamaj, jo rryshfete, jo papunësi të ketë etj…, drejtimi i tyre është Berisha. Për ta rëndësi ka që mposhtën Lazaratin. Po, nuk ia paska vluar brinjtë vendit me kanabis Kurveleshi e me radhë. Rëndësi ka të mos u prishen pritshmëritë në lidhje me ndonjë tender, a të tjera përfitime.

Kjo nga fakti i të aderuarit në rrëzimin e Berishës, jo qeverisjen e vendit.
Madje, madje nuk i hap dot webet tona se vetëm Ngjela, kampioni i dështimit, nuk di asgjë tjetër veç Berisha, Berisha, Berisha. Aq sa nganjëherë më dhimbset pasi më kujton punën e manjakut karshi një ylli kinemaje.
Kaq seks i çmendur i duket Berisha të ziut?
A njeh kush ndonjë nga ato plakat që fryjnë, se, kushedi e kanë ngrën sysh të gjorin?
Këto kohët e fundit i është bërë aleate edhe një çupë nga Shkodra. Një që humbi në zgjedhjet e fundit. Rri e përditë dhe Berisha. Kështu e ashtu. I duket kështu, e i duket ashtu.
Priteni kur ta shihni shumë shpejt, në ndonjë dikaster a ambasadë.
Para ca kohëve një e tillë me syze, doli papritur aq sa i habiti socialistët e ndershëm. Vinte nga Franca dhe na premtoi se do bënte edhe Shqipërinë ashtu. Tani ka zënë një post ministri dhe bën manovra si të shkatërrojë statutin e nënpunësit civil.
Kështu lindin kuadrot tek ne, ata që drejtojnë dikasteret, shtetarët tanë. Po, po kështu bëhesh edhe president.
Pra njerëzit, e kanë mendjen të rrëzojnë Berishën. Asesi Ramën.
Dhe rrëzimi tjetër përmes dorëheqjes është mallkim për ne.
Por kjo është kultura jonë demokratike.
Një lloj salloni me aromë uthulle të prishur.
Ndaj kur aludohet për dorëheqje të vjen për të qeshur.
Stacionet valore shqiptare nuk pushojnë së treguari me qejf se si e kanë ndërtuar skemën e grabitjes. Si nëpër fillma. Plot 3 minuta. Dhe tani nga pas kanë zënë me deklarata e kundër deklarata, jo porta të takonte ty. Kurse gardhi mua. Jo e ka fajin ky, jo e ka ai. Jo kishim armë. Jo nuk kishim.
Vetëm në Shqipëri kujdestarët e parave janë rastësisht të paarmatosur?!
Nuk ka asnjë diskutim se me atë lloj hedhje e pritje topash, me kompani fantazmë, edhe punëtori më naiv do bëhej hajdut. Të rrosh mes parave duhet të kesh nerva të forta.
Ndaj gjithçka ndodhi për 3 minuta.
Mirëpo gjetkë është tema jonë, tek rrëzimi. Ose dorëheqja. Dhe faktorët e domosdoshëm që duhen për të funksionuar demokracia.
Po të shohësh statutet e Kryeministrit, i përkasin triumfit mbi Bosfor.
Dhe vdekjes se Michel Rocard-it, majtistit francez. Dhe siç e kemi ne që vdesim për tu mburrur me emrin e tjetrit. Edhe ky i yni këtë po bën. Edhe pse Rocardi është një histori politike nga Miterani e deri tek aleanca me Sarkozin…, një histori shuplakë për pashallëkun e Edi Ramës. Për faktin e konkurencës, politikave vërtet socialiste si paga minimale. Gjë që rilindasi ynë as që kuptohet se çfarë është? Socialist majtist? Socilist djathtist? Apo asgjë.? Mjaft që është aty.
Këtij rilindasi oriental që i mburret popullit të vet, krejt të sharguar me ca video me makinë të blinduar me pashain Erdogan.
Dhe që nga ana tjetër, për një apo dy arsye, mbeti duke i bërë karshillëk butaforik Greqisë. Aq sa në një mbledhje partie minoritarësh i bën opozitë, opozitës.
Dhe nuk ka faj, ka gjetur. Deri sa opozita reale mbeti duke bërë vetëm denoncime. Një lloj plagjiature e shpifur që demokracia e kohës e ka braktisur prej kohësh.
Vetë shkëlqesia e tij as që është kthyer nga vjedhja e Rinasit. Dhe e meriton të rrëzohet. Por nga kush?
Ato para që ka, i ka të siguruara. Për vete është në rregull. I mjafton ajo administratë qaramanësh që e shikojnë si perëndi. Dhe me gjysmë zemre që të mos u bërtasi e shajë nga mamaja. Kaq…, të tjerat janë një luftë e ashpër me Berishën. Një lloj frymëzimi kaq impresionues, sa jo njëzetë e pesë vite të kalojnë, por edhe një shekull. Sa të jetë urrejtja për Berishën ai do mbretërojë. Sepse e di fare mirë, që ai po drejton një popull administratë. Jo një popull
që të kërkon llogari për thërrimet e bukës.
Paratë e Rinasit i përkasin haraçit që paguan një popull i papunë.
Por në të njëjtën kohë, edhe një popull administratë.
Janë taksat e atij trualli që në raport me aeroportet e tjera ka çmimet më të kripura. Kjo për shkak të kontratave absurde të shushunjave nga administratat e pashallarëve.
Çudia tre ditë do zgjasi.
Tani për tani le të kënaqemi me atë makinën e kuqe, që futet për qejf, ngarkohet për qejf, ikën për qejf. Madje digjet për qejf.
O njerëz, rrëzohuni vetë, dorëhiquni vetë se Ramën ta gëzoni dhe ca legjilsatura të tjera.
Pra kush do ta rrëzojë Ramën?
Tashmë e kam bindje, se, pa një nerv të fortë social, vetëm pashallarë do kemi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Jemi popull administratë, jo popull, që të rrëzojmë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT