• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokratë, i hapni rrugën vetvetes!

April 26, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Xheni na je bërë si Iliri i Enverit. Nuk mund të them si Shitja i Qazimit. Pasi Reshitit të shkretë ia ngjeshëm ne. Na duhej një tabelë qitje. Dhe e gjetëm. Ai ishte Shiti. E mban mend? Sigurisht që jo. Ti ishe një çun Tirane që luaje në pallatet e reja të planeve pesëvjeçare. Kurse Reshiti baltrave të Myzeqesë. Edhe unë i vogël isha. Në ato aksionet e misrit e njoha. Më saktë ma treguan. O tate du 5 franga. Kështu i thoshin. Pika neve, pasi një Reshit tjetër. Ose dhjetra të tjerë po ngjiznim atje në bllokun e syshqipeve të partisë. Ndërkohë bënim gjumë të thellë me bukën e përsheshur në çajin e malit.

Nuk do isha ulur t’i shkruaja këto radhë. Nëse ti vazhdon atë luftën deklaratave nga hollet e resorceve në Perëndim. Me sojin dhe sorollopin e politikës. Që në atë vend është kthyer në një makth social. Kjo për shkak, pikërisht të sojit tënd. Që keni marrë peng fatet e një vendi të tërë. Po kur u kundërvihesh artistëve, intelektualëve që nuk kanë asgjë veç nga një dhomë e guzhinë, që i budallepsët, i shpërndatë, i bëtë leva fushatash, dhe korifej të teserave me intrigat dhe strategjitë politike. Që i përdorët si vitrina se fjalën nuk ia dëgjuat asnjëherë. Nuk mu ndejt… dhe do t’i them dy fjalë. Me një mendësi të vetme. Idealet e nëntëdhjetës. Demokracia nuk është pronë e çunave të qeveritarëve. Madje ato e bëjnë pis atë. Mjaft t’i vësh pak gishtin kokës. Të shikosh mbrapa. Demokracia është pronë e një populli që ka aspirata dhe që u jep mundësi disa burrave të quhen liderë. Tjetër gjë, se këta liderët duan t’ia kalojnë rekordit të Enverit në politikë. Luftën e klasave, luftën e pengamarrësve, shtimin e radhëve me ushtarë të verbër se sa qytetarë. Demokracia nuk është pronë e jotja, por e jona. Demokracia nuk është lufta e qelbësirave dhe kriminelëve parlamentarë. Por xhentëlmellku i vlerave dhe i hapjes së krahut.
Ka me mijra demokratë që e dinë këtë. Por heshtin. Me mijra vlera që mund ta bëjnë vërtetë demokraci atë vend. Dhe jo principatë të sojit tënd, Gregut e Metës me kompani. Ka plotë avokatër, inxhinjera, arkitektë, oficerë, mësues, doktorë që akoma rrinë në dhomë e kuzhinë dhe me çati teserën. Pasi resorcet i gëzon ti. Është e dhimshme kur ti replikon nga Perëndimi i Amerikës. Për ca rreze të parakohëshme. Kur poston foto me shumicë lëkure prej melase. Edhe unë jetoj në tropik. Por nuk ekspozoj foto me shumicë pasi më vjen turp. Miq e të afërm të mi jetojnë pa asnjë të ardhur. I ka zënë shëndeti i matufepsjes, janë dorëzuar. Nuk e dinë se çfarë është jeta. Njoh me dhjetra të rinj që nuk kanë asnjë prespektivë. I vetmi front i ”begatë” është të qënit në listën e kamarierve për dasmën e radhës. Ashtu sikur njoh të tjerë që pa gajle më thonë se, e shënova emrin këtu, tek kjo partia e Ramës se, shkurt, nuk i dilet vëlla. Dua dhe unë një rrogë vëlla. Ta dish, ky është shteti i skllavërimit të njeriut. Jo i demokracive perëndimore.
Vetëm tek ne njeriu i ngjan mallit të gjës’ së gjallë…, e blen për pesë lekë, e shet për pesë lekë. Pa asnjë lloj firme, vule etj. Thejsht gjë e gjallë.
Nuk e di se kujt i drejtohem. Ndofta Zotit…, se ti je në rregull vet. Pasi shoh me mijra demokratë, të cilët edhe pse kanë vlera morale e intelektuale, profesionale po e po…, më tepër se ti dhe soji pengmarrës. Janë kthyer sot në tifozë të tu. Kjo është pengmarrje. Demokratët e thjesht mbajnë teserat, kurse ti shijon resorcet e Kalifornisë.
Por ndofta po u drejtohem demokratëve të heshtur.
I hapni rrugë vetvetes djem dhe vajza. I hapni rrugë demokracisë së vërtetë.
Demokrat do të thotë të revoltohesh për çdo padrejtësi.
Demokrat do të thotë të mos heshtësh.
Demokrat do të thotë popull, shesh, jo radhë tek dera apo poshtë ballkonit të selisë së Partisë.
Demokrat do të thotë tu japësh shqiptarëve shtet. Jo pushime resorce vetvetes.
Jo privilegje çunave të bllokmenëve të vjetër e të rinj.
Demokratë, i hapni rrugë vetvetes…, ndryshe mbetët në përjetësisht në resht.
Kjo vlen për të gjithë të rinjtë.

Filed Under: Opinion Tagged With: demokrate, i hapni rrugën vetvetes!, Ilir Levonja

Lodrat prej vërteti

April 22, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

Lërini armët…, ka lodra më të bukura se ato. Këtyre lodrave prej vërteti u ka ikur koha. Ka komunikim. Kush nuk e bën dot është i paaftë. Kush nuk e përdor dot, nuk e vë në punë. I mungon aftësia bazë, ajo e njeriut me njeriun. Besimi me ndjesi njeriu. Dhe i është rritur nepsi i kafshës me kafshën.

Shteti funksionon me ligje. Armët e një shteti janë ligjet. Jo më bëj këtë favor se ta zbraza. Ta mbusha barkun me plumba.
Lërini armët se ata poshtë i marrin kaq seriozisht sa rrezik janë armatosur tashmë. Dhe nën petkun e qelbësirës, komunistit, hakmarrjes, gjakut, favorit të munguar. Heqjes apo vënies në punë. Shitjes së vajzës, nuses. Apo kësaj e asaj historie vrasjeje. Po planifikojnë. Po bëjnë planet.
Ndërsa eremitëve iu duket se pranvera po shkëlqen në varrezë.
1)Që jemi popull pa memorie, kjo është lehtësisht e vërtetueshme.
Që shitemi për armë, kjo është lehtësisht e verifikueshme. Që na pëlqejnë lodrat e kalibrave me silenciator, shutgunn, 12.7…, kallashin e kemi perëndi tani. Që na pëlqen c4-tra, telekomanda etj., nuk asnjë diskutim. Që shitëm armë, që ndamë armë, që morëm armët në 1997-të kjo bërtet. Këtë e dimë mirë të gjithë. Ndaj nxitojmë t’ia hedhim fajin njëri-tjetrit. Por e vërteta është sa një mal. Dhe faji i përbashkët. Dhe, si ai që bërtet … dhe si ai që akuzon sot, janë njësoj.
Po, ne i morëm armët.
Megjithatë gjykuam se vitet dymijë do ishin një epokë e re. Në heshtje një ndjenjë faji e pranuar. Një afrim me botën perëndimore. E cila rrokapjekjet, shëmbjet, ngritjet, luftën civile e kishte provuar përpara nesh. Dhe më hidhur se ne. Por me sa duket. Kjo nuk është udha e vënies mënd. E përsosjes së vetvetes. Ne duhet domosdoshmërisht të kalojmë nëpër këtë kalvar.
2)1997 kalvari shqiptar. Që sot interpretohet e stërinterpretohet me mendësi palësh. Jo me faktin real. A shkoni në varreza njerëz.
Ose kur të shkoni, mos shkoni vetëm për njerëzit tuaj. Hidhini një sy asaj shoqërie që i mungon mbrëmjeve, kafeneve apo birrarive tuaja. Hidhini një sy asaj shoqërie trotuaresh, teatrosh apo zyrave të pushtetit. Të atij pushteti të vogël, lokal. Se nga pushteti i madh nuk do shikoni gjësendi aty.
Unë rrjedh nga një vend, trualli i të cilit u bë shesh plumbash e gjaku. Më 97 më la edhe im atë. E përcollëm në krah. Dhe gjysmë fshehurazi. Fshehurazi më solli dhe një mik ca kafe. Gjëndje e jashtëzakonshme. Ku edhe qytetari më thjesht i bënte policit rreshtore. I bënte çfarë të donte. Mbrëmjet mbylleshin në mesditë. Në kryqëzime përmbyseshin mjete, shpoheshin gjokse. Varreza mbushej me lapidare mermeri. Me kangjella të përsosura.
Aq sa një garë e marrë na kishte bindur për një dashuri ekstazë nda vdekjes.
3)Në gjithë këtë humbje, veç protoganistët zjejnë akoma. Duke filluar nga Berisha vet. Deri tek ish Berishët. Ata që sot janë opozitarët më të mëdhenj të Berishës. Dhe kjo është paradoksija më madhe e Shqipërisë. Dhe kjo është verbëria e saj. Që i jep pushtet njërit apo tjetrit me devizën e plakur të atij vendi otoman. Se për inat të sime vjerre, po shkoj me mulllixhinë.
Sot gjithë rrjetet gëlojnë. Gëlojnë prej ishBerishëve. Unë po marr vetëm një rast. Ai që i thonë avokat Ngjela. Në 97-tën ishte me Berishën. Shumë i ashpër, shumë pro forcës, shumë pro grushtit shtypës etj. Këtë e bëri edhe me 21 janar të 2011. Kësaj radhe me Ramën.
Kemi pasur njëri-tjetrin afër. E kam parë të hypte në makina të fortish etj. Megjithatë të fortët janë në varrezë, kurse pushtetarët akoma bërtasin.
E mora Ngjelën si shembull se, ta dini…., keni me dhjetra, me qidra që po bërtasin. Me qindra bafshkëfajtorë. Që sot janë opozitarë pushtetarë. Po i gërmushen Berishës. Dhe ne të lumtur që po qeverisim. Për inat të sime vjerre.
4)Eshtë koha e një politike të re. Dhe po çirremi duke e thënë. Një sërë e tërë. Pasi shohim se sa natyrshëm dhe sa pa tifozllëk ndodhin transformimet në një shoqëri të madhe. Në një demokraci të konsoliduar për shkak të rotacionit, mungesës së protoganizmit, tifozllëkut partiak. Të Njëshit absurd. Se sa natyrshëm i jepet mundësia gjithsecilit të tregojë një planprojekt zhvillimi shoqëror. Se sa natyrshëm largohet, hap krahun. Dhe se…, se sa fije të brishta bari janë përballë ligjit dhe shtetit.
Eshtë koha për lodrat e jetës, jo të vdekjes.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja, Lodrat prej vërteti

Hendeku që zgjatet

April 20, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/Qeveritarët shqiptarë hodhën ca firma mbi tubat fringo të TAP-it. Dërgesa e parë e gjermanëve. Një qeveri del në port të presi ca tuba. Një delegacion tubash. Madje me stilolapsa gati për tu dhënë ca autografe qyngjave të çelikut. Megjithatë në faqet e shtypit fotot janë si lajm i dytë. Jo parësor si sheshet e qyteteve. Historia e re mbi traditën e mbytur. Një lloj revolucioni i gjenerimit bosh të vendit. Dhe përfitimet e tenderave përmes klasës së arkitekturës postmoderne nga vende të ndryshme. Duke vdekur para syve tanë atë pak traditë shqiptare të përfituar nga otomanizmi dhe shekulli i ri revolucionit. Pasi ne nuk e njohim përsosjen. O e nisim nga hiçi, ose nuk bëhet fare. Megjithëse poshtë truallit kalbet i amortizuar totalisht rrjeti urban i botës së nëndheshme. Prapë ne ecim përpara. Mjafton pak të kuq buzësh. Pak pudër. Një skufje prej leshrash fallco.

Gazësjellsi TAP?. Qeveritarët firmosën. Dhe sipas tyre është një fazë e re. Një ulje në bisedime pasi Greqia ka përfituar më shumë se Shqipëria. Se çfarë lidhje ka Shqipëria me kontratën që bënTAP-i me Greqinë. Këtë e dinë marifetçinjtë shqiptarë.
Mua më kujton ato dy gjoja shoqet që punonin në të njëjtën brigadë. Po kur merrnin rrogat ziheshin pasi qëllonte që njëra mund të kishte marrë një lek më shumë se tjetra.
Ndërkohë kur akoma ka volum zërash mbi dëmshpërblimin. Apo shpronësimet etj. Por mënyra se si interpretohen…, të shpie në atë mendësinë shqiptare. Që çke ti, ne ata do rjepim. Janë ca strategji tashmë se gjoja u dhimbset populli. Dhe jo, se nuk po i bëjnë këto tratativa. Po i bëjnë, por për xhepat e tyre.
Nga ana tjetër, gazësjellësi TAP është treguesi më i mirë i ndarjes sonë. Treguesi se sa i madh është hendeku mes shqiptarëve. Pikërisht për shkak të temperaturës së nxehtë. Prej ideollogjive. Fushatave me gjak kanabisi, korrupsioni, bandash krimi, dhe bandash administrative midis qeverive. Që koha po tregon se janë pikërisht ato. Shkaku i një gjëndje buzë humnere i vendit apo dheut të shqiptarëve.
Gatësjellsi i TAP-it është një marrëveshje e madhe, nga qeveria e mëparshme. Më shkoqur një arritje e Shqipërisë me frontin e aneksimit. Të shtrirjes së linjës përmes territorit shqiptar. Ku dihet se çdo vend përfiton një shumë parash. Nuk është fjala vetëm për sistemimin e një numri njerëzish me punësim të përkohësh. Por tek e ardhmja. Eshtë si të thuash dhënia me qera e një objekti. Nga ku ti si vend përfiton një kuotë…, që për xhepat e telendisur të shqiptarëve sigurisht që është e konsiderushme.
Kjo ishte një arritje e qeverisë së kaluar. Por që qeverisë aktuale nuk ia nxë goja. Nuk ia ka shpirti me qejf ta pohojë. Në një vend normal, me demokraci bashkëkohore. Marrëveshjet e mëdha celebrohen bashkë. Kjo nuk ndodhi korrikun e kaluar, kohë kur filluan punimet. Po ndodh tani, por krejt e vetmuar dhe me tentativën për përvetësimin e meritës. Dhe kanë të drejtë pasi opozita aty është e zënë me krimin. Nga ana tjetër pret të mbushen vitet e normalitetit politik shqiptar, siranë për të ardhur në pushtet. Duhet të mërziten mirë shqiptarët me Ramën që të vi në pushtet Basha. Basha dhe Meta sigurisht…
Por unë dua të ndalem vetëm tek hendeku. Tek lumturia e pritjes së tubave. Tek autografet dhe ”suksesi” i radhës.
Tek hendeku që vetëm zgjatet dhe zgjerohet.
Ta gëzojmë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Hendeku që zgjatet, Ilir Levonja

Fenomeni Blushi

April 17, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Ben Blushi nisi një tur që mund ta quajmë si përpjekja e intelektualit për të shkundur të drobiturit. Këta janë një mori e tërë. Por lakuriq nga koka për faktin e kohës së mbrapshtë që është privilegj dhe pronë e grupimeve. Gjeneralët i kanë hedhur shashkat. Dhe batalionet kanë nisur betejat. Temat janël feja dhe arsimi. Bandat e Shullazëve. Ndërsa midis…., një fitore e madhe. Kujtimet me Obamën në zyrën Ovale. I madhi na rrëfeu gjithë qetësi dhe plot këshilla gruaje, kujtimet e Denverit. Dhe se si Obama u kujtua dhe e përqafoi. Pikë e zezë, humori, qeshja, buzëqeshja. Apo bërja e gjithçkaje kaq me argëtim. Eshtë antipasta numër një e amerikanëve. Ta servirin me bollëk. Po kujt t’ia thuash. Atij gazetari që lumturohej duke tundër këmbën mbi këmbë. Haberxhiu i madh ja kishte bërë bam në Washington. (Dikur i kishim me Stalinin.) Dhe shqiptarët janë katërcipërisht të bindur se krushqit shqiptarë në shtëpinë e bardhë, i sollën vendit një ngritje ekonomike të mënjehërshme.
Ndaj përpjekja Blushit duhet izoluar.
Edhe pse ka të vërteta të mëdha, që nuk i përkasin vetëm socialistëve, përshembull dukurinë e Hasanizimit. Tregtinë e deputetëve, krimin e veshur me mandat, borxhin e madh, papunësinë etj. Megallomaninë butaforike të sukseseve imagjinare. ”Personalitete” politike të tipit kone, nga ato të voglat që vetëm i mbajnë sytë poshtë nëpër këmbët e karrikeve.
Prapë ai duhet izoluar.
Këtë e bëjnë me qejf edhe mga krahu tjetër. Dhe a e dini përse… se, Hasanizim ka me shumicë edhe në PD. Plot djem bllokmenësh që shajnë si të tillë këta që qeverisin. Dhe në darkë takohen tek vila 30. Kurse në rrethinat e një province si Devolli përshembull, nuk e kanë për gjë të vriten në emër të tyre.
Por jemi tek Blushi…
Shumë nga ne gjithmonë ngatërrojmë ekzistencën tonë si demokrat a socialist me Njëshin. Çështjen e të qënit demokrat apo socialist me dhunën qoftë verbale, qoftë me strategji apo teknikë bodiguardësh prej Njëshit. Shumë nga ne ngatërrojmë ekzistencën dhe personalitetin tonë, me produktet e veprimtarisë së Njëshit. Madje me kollajllëk e themi se politika është kurvë. Dhe në të njëjtën kohë kurvërojmë me qejfin më të madh po për qejf të Njëshit. Harrojmë edhe gjakun. Megjithëse pirdhemi duke u mburrur botës se të hamë kokën për çështje gjaku. Vetëm gjakun nuk ta falim. Dhe po kaq kollajllisht, po kaq kurvërisht me Njëshat dalim në bulevard dhe hedhim karafila në tokë. Shfaqemi të pikëlluar. Shumë nga ne ngatërrojmë çështjen e madhe që kemi, qofshim demokratë apo socialistë… mirëqënien dhe ndreqjen e jetës sonë. Jo të Njëshave… e kësisosj, ja përse akoma ka marrje peng, ka hasmëri, ka tritol, ka gjakmarrje, ka oportunizëm intelektual e akademik. Ka dyzim, frustrim dhe nervozizëm.
Ndofta në këtë rrokapjerdhje shqiptarësh që akoma mbajnë sytë nga Stambolli. Se çfarë shkruan një ish bodigard. Se si ndan të mirat hirearkike një showgirl. Se si shëndoshet dita ditës Kryeministri me sukseset e Shtëpisë së Bardhë etj. Tek qokat e njëri apo tjetrit. Ndofta në këtë rrokapjerdhje, rruge që atyre u duket demokraci…, shqiptarëve u duket vërtet se kanë kapur Amerikën. Por ta dini, keni kapur anën më mizerje të saj… , liria nuk është kështu, as ligji, as demokracia.
Ndofta fenomeni Blushi është një vetmitar. Por të paktën përpara historisë jo, Madje do vi koha kur Shqipëria të skuqet. Aty e ka antikoformizmin dhe antiNjëshizmin.
Mirëpo dje, e djembrëma, përpjekja e një intelektuali ironizohej me buçko ministra. Karshi karafilave dhe gurëve të bulevardit.
Në fakt Blushi duhet përgëzuar.
Rrallë tek ne kanë dalur burra që të bëjnë përpjekjen për çështjen brenda Partisë. Ai po e bën. Shumica e kundërshtarëve politik pranë Njëshave, kanë krijuar parti me shumicë. Dhe kjo ka domethënien se ata nuk janë çështja e popullit, por e çështja e vetes.
Nuk e di, ndofta nesër a pasnesër mund të ndodhi. Mund të rikemi një LSI të dytë. Por nuk më duket. Kohën për të kafshuar, Blushi e kishte të artë me Lëvizja për Menimin Ndryshe. Atëhere kur Edi Rama ndërtonte çadra beduinësh në bulevardin e Tiranës.
Gjithsesi janë gjëra tashmë që përmblidhen në dukurinë Hasanizëm. Kjo falë lojrave dhe mjeshtrisë së Njëshave.
Shumë webe sot postojnë ca foto me pak pjesmarrje. Madje disa prej tyre me kapele të lodhura. Me salla pa dritën e luksit të teatrove a pallateve të sportit të Njëshave.
Ta dini e vërteta juaj nuk është kjo, luksi, shëndritja e Njëshave të mëdhenj. Në salla të praruara pankartash, urrash etj. Por ajo sallave të vogla ku po flet Blushi. E vërteta dhe çështja e përbashkët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fenomeni Blushi, Ilir Levonja

Thinjat e Obamës dhe ato të Edi Ramës

April 15, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Për Edi Ramën një foto me Barack Obamën është ajo e ditës. Nga ana tjetër disa deklarata në lidhje me Trump, Basha dhe ai. Nuk janë asgjë më shumë veçse praktika absurde e sojit Rama. Se për çfarë u duhet shqiptarëve nga toka e lirisë, trekëndëshi Rama – Basha – Trump?! Këtë e di vetëm mister absurdi … Kryeministri ynë. Ndërkohë gjithë simpatizantët e tij vlojnë si një sukses të jashtëzakonshëm, pritjen në zyrën ovale. Madje e cilësojnë si thyerje protokolli. Megjithëse është lehtë e verifikueshme, në programin ditor atë on-line të Shtëpisë së Bardhë. Po, po sot gjithçka është e verifkueshme. Aq më tepër me protokollin. Të cilin zakonisht amerikanët. Punojnë nga gjashtë muaj deri në 1 vit më përpara. Klikoni këtë link www.whitehouse.gov/live…. dhe do të gjeni programin ditor.

Çfarë është parësore për t’u theksuar! Për Shqipërinë sigurisht është një arritje pritja e dhe ulja në bisedime midis shtetarëve tanë. Kjo duhet të shërbejë për përsosjen e kulturës politike tek ne. Jo për t’i dhënë vetes një suport elektoral. Suksesi imagjinar edhe pse fytyra e Obamës dhe Xho Bajdenit janë miqësore në foto dhe teksa shtrëngojnë duart me ne. Raportet dhe dosjet janë të sistemuara prej kohësh. Dhe më vrastarja mendësi e administratës amerikane, është deviza se po nuk luajte vet, me këmbë e me duar. Thjesht do mbetesh një aradhë dosjesh. Dhe do vazhdosh të blesh me para e manovrime ndërfutjen në axhenda presidentësh apo të Shtëpisë së Bardhë. Këtë ata e dinë shumë mirë. Megjithëse kësaj radhe, është gjaku i atyre djemve që suportuan Amerikën në fitoret dhe dështimet e saja. Këtyre viteve të pluralizmit politik në Shqipërinë e stërshtrydhur reformash të dështuara. Barak Obama jo më shumë se njëzetë e katër orë më parë pranoi dështimin amerikan në botën arabe.

Jo rastësisht vizitës së Edi Ramës i parapriu ajo e liderit të opozitës muajin mars 2016.

Amerikanët janë mirë imformuar në gjithçka. Le të mos hyjmë zgjedhjeve që janë një gangrenë kaq e shpifur. Në mjeshtri manipulimesh, mbushje e degdisje kutish. Ku një ishkryeministër e quan fare normale marrjen e një personi nga rruga dhe të votoj si e kur të dojë për ty. Ose edhe për mua… Mjafton të përmendim edhe reformën në drejtësi që ka ngelur një këllirë e nerur në bregdetin shqiptar. Megjithatë, me burra kaq reformatorë siç e quan veten një shtetar i dështuar shqiptar, Barak Obama nuk e ka problem të qeshi. Madje argëtohet me strategjinë e reformatorëve shqiptarë që krruhen me Trumpin si e si të jenë larg vëmëndjes nga pashallëku i tyre. Obamës departamenti i taksave ia çukit kokën çdo vit. Kurse në Shqipëri shtetari ynë mbush dyshekun dhe fle mbi euro, lekë, franga, stërlina etj. Kurse poshtë, ata që quhen popull kanë filluar t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit me zyrën ovale. Me takimin Rama Obama. Me syzat e Gregorit dhe gratë e Shkelzenit. Megjithatë, askush nuk bën një dallim esencial. Se Obamës që njohu dështimet dhe arritjet. E duarktroikiti edhe Kongresi. E quajnë President. I ngrihen në këmbë të majtë e të djathtë. I nderohen ligjit dhe vendit. Iu desh katër a pesë vite që të zbardhej nga thinjat. Kurse Edi Rama edhe pse ka në pushtet nga 1998-ta. Sa mezi i plasën thinjat. Dhe ato nga Ben Blushi dhe jo hallet e juaja.

Filed Under: Komente Tagged With: dhe ato të Edi Ramës, Ilir Levonja, Thinjat e Obamës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT