• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një Pulari me vezë aty përballë Kuvendit

February 26, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Në fakt duhet një Pulari aty, përballë Kuvendit. Një Pulari plot me transportierë vezësh. Eshtë shanci më i madh për shqiptarët. Kjo kohë e dyzuar e politikës, karshi dhunës ndaj njëri-tjetrit. Kjo politikë e dështuar. E mosbashkëpunimit, por e lojës së demaskimit treçerekshekullor. Lojë gjoja në emër të dhimbshurisë së madhe për popullin. E ulërimave të antinjerëzve me titujt më të lartë nga hirarkia akademike e një vendi. E britmave prej egërsirash të antiintelektualëve të asaj shoqërie të shtrydhur nervash. E të drejtës butaforike duke injoruar, përdoruar, masakruar, tallur, shurrosur, groposur, menderosur … sipas oreksit të gruas, djalit, vëllait, gocës , kunatit, kunatës, nipit e mbesës etj…, ligjet apo Kushtetunën e një populli. Kjo politikë prej dimrash të përjetshëm, që ka lënë përjetësisht në baltë, në përmbytje, në krim, në hasmëri, në papunësi, në ikje…, një vend të tërë. Kjo politikë e moratoriumeve…, që për treçerekshekulli e zhveshi. Nuk la mal, kodër, bregore, luginë lumi…, pa rjepur, pa prerë, pa zhveshur e zhvatur. Pa ia zbathur krejt me të pasme e të përparme. Pa ia hequr brekët faunës dhe florës etj. Dhe nga ana tjetër i lavdërohen popullit me prangat e moratoriumeve. Eshtë shanci i madh për shqiptarët. Ndaj dilni… Kjo politikë e moratoriumeve nuk la det zbuluar, ashtu qesim për tu mbytur, zhdukur, degdisur, tregtuar njeriun nga njeriu. Nuk la gomone pa futur, ashtu qesim dhe me shumicë. Nuk la kufijë pa shqyer, rrëzuar e rrënuar. Nuk la ditë pa u thënë shqiptarëve mbathjani. Nga ana tjetër i krenohet popullit për moratoriumet e jetës në det dhe asaj alpine nëpër male. Kjo politikë nuk la minierë pa e shitur shtatëqind herë. I ktheu në arena të vdekjes së gjallë. Të vrasjeve horror. Nuk la laguna pa shitur nga shtatëqind e kusur herë. I ktheu në prona herë të një socialisti të fortë, herë të një demokrati të tillë. Nuk la soje e varietete drogash pa futur. Nuk la soj e sorollop teknologjie kultivimi, përpunimi, paketimi, transportimi. Pa investim e sponsorizim deri duke hapur vende pune me paga marramendëse për ekspertë nga pyjet tropikale të Kolumbisë së ashpër. Aq sa e ktheu me mburrje popullin e vet nga kultivues të grurit, misrit, egjrës…, mallit, që e mban vitale jetën. Në mallin që e çmend, shkallon, çnderon e shthurë atë. Nga ana tjetër i krenohet popullit që e vrau. Se po lutfton ashpër mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike. Një politikë që e ka kthyer vendin një Afganistan, Irak, Siri etj… Nga ana tjetër dergon ushtarë në këto vende me paratë e aleatëve. Një politikë që i tha predikuesve radikalë ejani e frymëzoni, shkolloni, ndërtoni kulturën fetare. Nga na tjetër mburret me bashkëjetësen e të parëve të saj. Kur bulevardet i ka mbushur me çallma dhe mjekrra. Me soje që vetëm në bashkëjetesë nuk janë. Me sekte që gjithçka mund t’i konsiderosh. Por vetëm jo shqiptarë. Dërgon ushtarë dhe i mburret popullit që po mbron demokracinë në botë. Dërgon misionarë, u jep fronin misionarëve, duke i lënë varrosur përjetësisht të vetët. Edhe pse mburret me ta. Dhe rasti më ulëritës është Noli. Një politikë që sapo vjen në pushtet…, zhbën në zero gjithçka nga paraardhësi. Dhe në krye të disa muajve rehabiliton, shpik, riprodhon pikërisht ato akte, ligje, moratoriume të zeruara me zell fushatash, fyerje, shpifje, akuza nga më monostruozet ndaj njëri-tjetrit. Rasti më i shkëlqyer…, ligji i plehrave. Jo më larg se dy ditë ministri i jo Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, pohoi përpara një paneli diskutuesish, përpara një populli se do si qeveri, do rishikonin listën e plehrave. Por tashmë ai nuk do quhet ligji i plehrave, por ligji i mbeturinave. Do ta rishikojnë pasi ky biznes nuk mund të funizohet dot me lëndë të parë vetëm nga degradimet brenda vendit. Nëse keni memorie, akti i parë i qeverisë Rama në prag vjeshtën e vitit 2013-të, qe pikërisht zhvlerësimi i ligjit të ricklimeve. Madje e bëri me pompozitetin e një milion votave.

Duhet pra një Pulari me vezë, pasi kjo politikë e dyzuar, e leshrangjyer. E çirrmave për armiq e tradhtarë. Për kriminelë, xhelatë, bashkëpunëtorë të sigurimit, e demaskimit të pseudonimeve. Bash aty në Kuvendin e një populli, përpara popullit me votën e tij…, bash me kriminelët, me bashkëpunëtorët e sigurimit, me pseudonimxhinjtë trokasin gotat e shampanjës në darkë. Karshi një rrezatimi dritash, batutash, ofiqesh dhe orgjish. Ndërkohë që populli ha darkën me shumicë hormonesh dhe konserva të skaduara nga imformaliteti doganor i dorovitjes…, nën dritën e qirinjëve me mbetje toksike nga Kina e largët. Duhet një Pulari edhe për demagogjinë e përjetshme ndaj diskriminimit, burgosjeve, vrasjeve, torturave, denigrimit nga lufta e klasave. Për faktin e thjesht se martirët e vërtetë vetëm sa janë shembuj ilustrues, në hollet e deklarateve për shtyp. Kur nga ana tjetër investohet në emër të martirizimit pikërisht për xhelatët dhe jo viktimat. Dhe demagogjia më e madhe është pahapja akoma e dosjeve të krimit dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Ka kaluar treçerekshekulli dhe turp e faqja zezë për një vend në zemër të Europës.

Duhet pra një Pulari me vezë edhe për ata intelektualë që janë radhitur në parti. Dhe flasin me mburrje… Për të dhjerat e shefit, për dështimet e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, nje pulari me veze

Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk!

February 22, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk! Kështu është…

Kujt t’ia dedikojmë këtë gjysmanllëk? Shoqërisë civile dje? Apo opozitës sot? Kujt?

Gjysmanllëk, sherr, estradë…

Tek ne çdo gjë kthehet në sherr gjysmak. Sherr gjelash dhe klithmash. Aq sa asnjëherë, asgjë nuk merret seriozisht. E për rrjedhojë, është krijuar një gjëndje e atillë, një soj jete, ku nuk ka mbetur më, këmbë burri apo robi që t’i peshojë fjala. Të gjithë vetëm se shajnë dhe bërtasin. Të gjithë duket sikur përdorim njëri-tjetrin. Ndaj dhe pamja është e atij trenit me vagonat e ndryshkur. Një soj butaku që zvarritet gjerdhishtave të avllive nëpër lagjet katrahurë në Shqipëri.

1) Shoqërisë civile … (dje) Ne na pëlqen të krahasohemi. Sheshi Taksim në Stamboll. Protestat e 2013-ës. Parku nga kodrat e liqenit. Duhet apo nuk duhen aty, një kënd lojrash për fëmijët? Indinjata ndaj atij që i besuat me 1 milion vota etj.

Në fakt e mira e do që, sikur edhe njëqind veta të kundërshtojnë…, të përfshihet në biseda shoqëria civile. Të përfshihen edhe institucionet e memories së trashëgimisë kulturore. Për të biseduar. Për të vendosur me votë të përbashkët po apo jo. Dhe kaq. Nuk ka përse gjithçka të kthehet në sherr gjelash. Apo parodi estrade me tipit të dinim djalë për së mbari.

Janë një milion vota që ju i dhatë. Një milion. Por puna është se, këto vota ju i jepni me inatin e postulatit shqiptar. Që, për inat të sime vjerre, po shkoj të fle me mullixhiun. Sa vjet në pushtet e mbajtët shoqërinë Rama dhe Veliaj. E pra …, sot nuk keni përse habiteni. Nuk keni përse kërkoni edhe ndjesë publike. Pasi kjo puna e të kërkuarit ndjesës, tek ne përkthehet edhe një dekadë më shumë pushtet.

Sheshi Taksim është një histori e madhe. Për shkak të trashëgimisë kulturore që nga otomanizmi. Mirëpo arsyeja më e parë e kundërshtisë civile turke, ishte fakti i një rezultati të hidhur nga eksperienca Erdogan. Ky ka të bëjë me prerjen e pemëve. Ai njihet tashmë si ish kryeministri shfarosës i pemëve shekullore në ndërtime rrugësh, aeroportesh apo dhe tregje tregtare të tipit Moll. Që ndryshe përkthet pazar madern si ay që ne i themi Tegu. Në këtë drejtim keni pikëpjekje. Megjithëse jo vazhdimësi. Ne Turqinë e marrim gjithmonë si referencë. Kur duam të tregojmë diçka që i ka ikur koha. Por fakti është ndryshe. Turqia dhe koha ka fluturuar vet. Kurse ne akoma.

Sado e vogël qoftë historia e pyllit, parkut në kodrat e liqenit. Eshtë mirë të ruhet siç njihet. Si pylli i lirizmit dhe i shfrenimit të dashurisë. Por me sa di unë, ajo qetësi ka mbaruar me kohë. Qysh sa tek nisi rrugën e përvujtuar e ashtuqujtura demokracia jonë. Kënde lodrash duhet të ndërtohen pranë banesave. Sot praktika aktuale përfshin kënde lojrash, kudo, më së pari në ndërtimet e reja. Por nuk përjashtohet edhe parqet e mëdha, ato të argëtimit dhe pikniqeve etj. Dhe këtu nuk asgjë të keqe.

Ndaj nga do që të kthehesh, ka vetëm një zgjidhje…, bisedim dhe vendimarrje pa sherr.

2) Opozitarizmit … PD-ës, duhet popull për protestë jo dhëndurrë. Jo statute fb. Jo djem nomeklature që akoma flasin për luftë klasash. Ata që e shpikën luftën e klasave. Duhet popull. Duhet revansh. Duhet frymë. Duhet energji. Dhe këto vinë nga gjindja. Gjindja që ka vraga, vrrata, lot. Gjindja e lodhur nga tranzicioni i përjetshëm. Nga pronësimet e shpronësimet. Nga gjindja e papunë. Nga gjindja që ecën më këmbë. Jo gjindja me Volsvagen Tuareg. Ajo që ka shtëpi këtu, shtëpi atje. Duhet gjindja që kollitet herët në mëngjes. Ajo që vuan nga mos kultura e të ushqyerit. Duhet popull… Jo kontesha plot pudër, të provuara e stërprovuara. Gra që flasin me mendësi prej burri patriarkal. Duhen nëna që japin gjak për të rritur fëmijët. Nëna që janë kthyer obeze nga papunësia në shtëpi. Nëna me halle njerëzore. Jo me halle librezash dhe sallone mode. Duhet popull. Fytyra të reja. Jo xhekata të kthyera. Duhen njerëz që dinë të qajnë. Jo domate me hormone.

Duhet gjindje nga ata që përmbytjet e vitpasvitshme, i nxorrën ugareve të Zejmenit, Çermës. Ugareve të Gjanicës dhe Vjosës.

Duhet gjindje nga ajo që ndahen dita ditës në lëndinën e lotëve shqiptare.

Duhet mërmërimë tërmeti që kërkëllon bulevardet.

Opozitarzmi kështu? Me dhëndurrë, etj. Duket si një strategji për të mbajtur në pushtet pikërisht këtë që po shajmë, pështyjmë, përdhosim njëzet e katër orë. Papushim, me prag shtëpie.

Edhe një herë…., opozitarizmi është populizëm.

Kjo qeverisje do kishte rënë me kohë nëse opozita do bëhej me popull. Por me sa duket që pikërisht këtë nuk do opozita jonë.

Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk!, Ilir Levonja

Deputetja me “bombë” dhe poetja me shpirt

February 20, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Duke u sjellur në ngjarjet e Kosovës. Ashtu vëzhgues. Ashtu përciptas…, pasi më tërhoqi vëmëndjen që një grua deputete kishte kyçur shtegun magjik me një bombë gazi lotësjellës. Bash aty në Kuvendin e burrave, jo burrave, të Kosovës. Ndërsa një tjetër, një grua idealiste… shkonte deri në Kavajën e blertë. Nga një pranverë e parakohëshme. Një poete me emrin Flora Brovina.Thjesht për instiktin e idealit të saj. Thjesht të nderojë një komandant që ra në luftën e Kosovës. Komandant Carën ose Komandant Kavaja…
Ashtu e vetme, pasi shqiptarët qeveritarë janë shumë të zënë në zgjedhje partie. Në të njëjtën kohë, dëshmorët i nderojnë me grusht, jo me lule. Pastaj sikur nuk ia vlen, që një i vetëm, nga Kavaja. Shkon e lë Londrën për tu vrarë në Kosovë.
Në kokë vlon një pyetje e ashpër.
Çfarë i ofron Shqipëria mëmë, pjesës së epërme të saj, Kosovës. Këtyre ditëve plot dhunë, plot gaz lotësjellës.?
Dhe rezultatet ishin… (Edhe pse në webet e Kosovës) brohoritjet e 750 studentëve që përmbysën diktaturën komuniste. Debatet e ndërsjella se çfarë ishte greva. Çfarë solli? Ku ndodhet sot në të vërtetë Shqipëria etj. Fryma e interpretimit është po njësoj, e kohës kur ishin 250 petrita. Çfarë tjetër? Se si një topseksi a show girl, një amerikane me origjinë armene, flet shqip. Dhe se si një shqiptar kënaqet duke i thënë marshallah.
Çfarë tjetër? Analistët e Shqipërisë mëmë që, dominojnë editorialet me luftën e ashpër të Blushit me klanin Rama në Ps. Bashkim Finon që tund një postulat ideollogjik, Blushi bën luftën e armikut.
Çfarë tjetër…, i ofronte Shqipëria mëmë Kosovës, pjesës së saj të epërme? Grishjen e lodhur të kryeopozitarit që i kujtonte qeveriut se do ta tërhiqnin atë zvarrë. Njësoj si sot e njëzetë e pesë vite më parë, diktatorin Enver Hoxha. Ndërkohë që ka në kabinetin e tij disa djem nga soji i nomeklaturës. Dhe çuditërisht ata e shajnë më shumë bllokun. Atë e shpikën luftën e shenjtë me bijtë bllokmenë.
E bën me zë të ngjirur. Madje i kujton prejardhjen, si bir i bllokut.
Në fakt çfarë tjetër mund të ofrojë Shqipëria, për Kosovën?
Ndofta i duhet sërish një gjëndje e amullt në pjesën e epërme të saj. Për ndonjë përfitim nga fushatat e shpërnguljeve masive.
Ka gjithmonë miell. Sidomos kur e ofron bota.
Ndofta politikën paqtuese të atdheut mëmë, po e kryn më së miri Komuniteti Europian. Se Shqipëria e ka punën e saj, rreh gjoksin dhe vetëm përkujton data me lëvdata dhe brohori.
Çfarë t’i afrojë Shqipëria, Kosovës?.
Ajo vjen nga një e kaluar e tillë. Aleancash me mikun e armikut. Nga një radhitje kampesh për të bërë botën socialiste. Nga lufta e klasave.
Ndërkohë sot është e gjitha një rrëfenjë. Një përmbledhje e së shkuarës së saj. Se si qyteteve provinciale, dikur …, mbrëmjeve baballarët shkëmbeheshin në bulevard duke nderuar me grusht. Sot bijtë janë shpërndarë. Ose kanë shëmbur diktaturën, ka rrëzuar Enverin, madje vazhdojnë të pushtetojnë duke sharë, vrarë e tërhequr zvarrë Enverin. Duke ndërtuar minidiktaturat e tyre. Duke shpërndarë dekorata. Ata që sot hiqen si armiq të përbetuar të diktaturës.
Çfarë i ofron Shqipëria Kosovos verdhë e blu…, kurrgjë. Ose ca kontrabandë bombash gazi lotësjellës. Ca shtresa njerëzish që nderojnë vetëm me grusht.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: deputetja dhe poetja, Ilir Levonja

Je dembel vëlla, je dembel …

February 18, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

Një nga ato tre pyetjet e mbrëmshme, ato tek Opinioni…, ku midis kësaj e asaj. Ka apo nuk punë etj. Janë apo nuk janë shqiptarët kështu e ashtu. Ishte edhe kjo e dembelizmit. A janë apo nuk janë shqiptarët dembela?

Pasi dëgjova e dëgjova, në fund po ta them me keqardhje. Je dembel vëlla, je dembel i madh. A e di përse? Sepse nuk mëson zanat. Nuk shkon në shkollën e duhur. Por o në Universit, o jashtë shtetit. Dhe ato punë që i bën andej, andej nga ja mbath, nuk i bën aty. Do një shembull. Atje në Korçë, ka marre biri i botës nja tre meleon euro nga qeveria. Na ka hapur një ndërrmarrje të madhe mishi. Një fabrikë moderne siç u pëlqen të thonë shefat. Aq moderne sa as kasapë nuk gjënden në kasabanë e Korçës. Ku nuk kërkuan. Nga Vithkuqi deri në Devoll. Më tutje akoma, nga Erseka deri në Leskovik. Të gjithë inxhinjera. Të gjithë doktora. Nuk e ulin kokën e të rjepin viça. Jo, as mos e ço nëpër mend.
Dhe është për të bërë kryq se ka rënë murtaja pikërisht aty, në vendin e zanatellinjëve dhe zaireve.
Unë e di që ti do më thuash, ore çka të bëj dembelizmi im me kasapllëkun e Korçës. Po je dembel o vëlla, nuk e kupton. Je dembel. Nuk nuhat dhe me shpejtësinë e dritës të bëhesh kasap.
Se kështu i do drutë qeveria. Për hidraulikë, mekanikë, bojaxhinj. Megjithëse edhe një fabrikë tjetër gurësh, kishte nevojë për inxhinjerë etj. Prioritet kanë pincat, çelsat, krikot etj.
Nga ana tjetër je dembel edhe për faktin se nuk pranon të punosh tek fasonët. Ata ore që qepin këpucë, bluxhinse e më the e të thashë. Që paguajnë sa të duash, 100 mijë lekë në muaj. Aq sa i shet një palë këpucë në perëndimin e përtejmë. Tjetër gjë që ty nuk të pëlqen. Por punë ka…., pastaj me atë 100 mijë lekshen që herë ta jep ai boti dhe herë nuk jep, copa u bëfsh. Punë e jote, por mos thuaj që punë nuk ka. Ka sa të duash, por ti je dembel. E ke mëndjen të ikësh.
Në fakt është një histori e vjetër e atij që si i thonë një fjalë, ka tangarllëk më shumë se punë. E këtij qeveriu që ka ngritur fabrika moderne mishi. Por që nuk gjen kasapë të therin.
E para, një fabrikë kaq moderne nuk e di se për çfarë i duhen kasapët. Kur proçeset janë të mekanizuara. E dyta një investim meleonash, ka brenda vetes edhe një farë planifikimi mbi burimet e krahut e punës. Sikur një përqindje me pesë zero përpara, nga ky fond meleonash. Të shkonte për një trajnim, apo kulifikim disa javësh, të fuqisë punëtore. Nuk do t’i shkundte fijen e pluhurit fabrikës. As që do ndihesh fare. Kjo është një platformë që e aplikon sot kudo, biznesi nëpër botë.
E dyta…, përmes këtij aplikimi sot ata një milion e ca shqiptarë, që kanë emigruar. Po përmes këtij aplikimi janë sot të sukseshëm po aq sa vendet me ekonomi dhe zhvillim solid. Janë të denjë dhe të respektuar aq sa drejtojnë gjithfarësoj racash, profesionesh e më the të thashë. Nuk kanë bërë univeristete, por kurse kualifikimi. Dhe sigurisht nuk janë dhe nuk paguhen me 100 mijë lekë. Dhe gjithçka për ta është thënë, gjithçka thuhet…, veç dembelë nuk e kam dëgjuar kurrë, një herë të vetme, të thonë që ju shqiptarët jeni dembela.
E treta, njeriu që ikën, nuk është tjetër histori. Që nuk i përket dembelizmit shqiptar. Dembelët kanë mbetur, kurse punëtorët kanë ikur. Dhe këta dembelë e kanë bërë me dhimbje koke qeverinë. Ka gjithmonë një ekuivok të madh në konceptin e studiove për emigrantët. Kjo ndodh për shkak se përpara se t’i marrim modelin botës. Ne e kemi mendjen se si dhe sa do vjedhim nga një investim. Se si t’ja hedhim atij që kemi përballë. Në fakt është e thjeshtë, ai që ikën…, gjen një punë, punon, paguhet. Paguhet normal, jo mirë. Jo ekselent, pasi me paranë asnjëherë njeriu nuk kënaqet. Por do thosha paguhet mjaftueshëm. Aq sa për tu ushqyer normal, të mos ketë frikë të shkojë tek doktori, të ketë një shtëpi, një mjet etj…, dhe të gëzojë fëmijën e tij. Dhe ky nuk është privilegj. Nuk është rast i ofruar për të quajtur dembel qytetarin tënd. Ky është rast për të larë gojën.
Megjithatë përpara se të qortosh qytetarin tënd për dembelizëm. Jepi mundësinë. Jepi pajimet. Një komb si i yni, ka dhënë shembuj edhe me kazma. Por kur një qeveri që nuk starton me sistem të qartë motivimi, ajo ka dështuar. Kjo është e gjitha. Ndaj i quan dembela djemtë, vajzat, gratë, burrat…, popullin e vet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, je dembel ..., Je dembel vëlla

Muxhahedinë dhe akullore

February 17, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Termometrin shqiptar e ka ngritur lart një shprehje entuziaste e ish Kryeministrit Majko, nga Parisi i 2014. Unë jam muxhahedin…! I qoftë rruga e ndërgjegjësimit, e butë. Sepse në të vërtetë, referuar sojit që i përket Majko. Shqiptarët politikanë janë muxhahedinë të gjithë. Dhe me siguri një ditë do të kërkojnë strehim diku. Ndofta edhe nga kjo pandehmë, nga kjo paranojë, ata janë entuziastë në vjeshtat e botës. Dhe muxhahedinë në dimrin e tyre. Madje të përjetshëm. Kanë qënë, janë…, dhe fatkeqësisht duket se do të mbeten të tillë. Dhe memoria aty është. Pavarsisht se muxhahedinët…, deri më sot duket sikur kërkojnë ndryshimin.

Nuk ka të bëj aspak me faktin humanitar të strehimit. Një popull bën mirë që hap derën njëriut që degdiset. Njeriut që përndiqet. E bëri bota me ne gjatë kohërave. Dhe po e bën akoma. Edhe pse tek-tuk, diku andej, shpërndarë, ne jemi për pritësit, muxhahedinë. Ashtu sikur për të tjerë njerëz punëtorë e të ndershëm.

Dhe nuk po u futemi shpjegimeve, mbi prejardhjen, historinë e tyre në Iranin e Jetollah Komeinëve, pasi origjinën e ardhjes në pushtet të gjithë e kanë pikërisht nga të ashtuqujturat luftra të shenjta. Të nisura nga ekzilet, nga debimet, apo dhe përndjekja e shoqi-shoqit. Po në fund të fundit kështu ka ekzistuar pushteti. Këtë e tregojnë dramat nga antikiteti e deri në ditët moderne.

Veçse entuzizami i akulloreve të muxhahedinëve shqiptarë në Paris, është një rit banal i hipokrizisë së radhës. Ata që rrinin në këmbë dhe duartrokisnin ish kryeministrin tonë, mbase kanë kujtuar se Shqipëria i ka hedhur tutje përgjithmonë, kulturën e juntave politike apo fetare. Ato të impulsuara nga platformat e grupeve me bazë gjoja luftën e shenjtë. Që në botën perëndimore shqiptare, përkthehet lufta për demokratizimin e vendit. Hapjen e tij me botën, aleat besnik i vendeve të mëdha etj. Rritja e mirëqënies dhe nxjerrja në pah e vlerave të kombit shqiptar.

Mirëpo kanë pas koke një mori zullumesh. Madje aq sa të qeshur, aq edhe vrastarë. Aq edhe kalorës të xhihadit politik.

Që t’ja themi shkoqur njëri-tjetrit. Shqip…, muxhahedinët janë opozitarë të regjimit. Persia e madhe nuk ka gjetur kurrë paqe veçse përmes diktaturave. Kjo për rrjedhojë logjike të kulturës politike. E cila i ngjan formës së qeverisjes patriarkale. Por me metoda grupi. Aty nga Parisi e filluan ngritjen edhe ata që qeverisin sot Iranin e madh, pra shpura e Ajatollah Komenit, pra klasa komeniane. Ndofta aty shpresojnë ta fillojnë edhe muxhahedinët e radhës, opozitarët e radhës për demokratizimin e vendit e tyre. Këta që i përkrah të cilëve u identifikua Majko. Me fjalët e Kenedit, me zërin doktor Luter Kingut.

Në fakt është ironi e fatit njerëzor identifikimi shqiptar me përndjekjen. Kjo përndjekje ka rezultate të hatashme në copëtimin e Shqipërisë. Edhe pse sot e kësaj dite, gjerorja e edukimit, e arsimimit, e historisë etj…, ia mvesh me shpatë koke armikut të huaj. Edhe pse fabulën e Skënderbeut, atë të tufës së thuprave, e kemi si temë të parë në gjoja unitetin shqiptar. Ne kemi qënë dhe jemi muxhahedinë.

Me aq entuziazëm sa i folëm iranianëve opozitarë, nga vjeshta e Parisit 2014, i bie që në Shqipëri sot. Të ishin hapur dosjet e krimeve, të përndjekjeve, persekutimeve, shfarosjes etj. Të ishte kërkuar një ndjesë publike të paktën po e përmbledhim me një emër opozitarizmin si ekzistencë përmes Musine Kokalarit. T’i ishte kërkuar ndjesë, besimit në Zot, etërve françeskanë. E sa e sa të tjerë…?

Në Amerikë ka një shprehje Pandi. Me që fole si Kenedi. Drejto i frymëzuar nga shembulli. Dhe unë të kuptojë se duke i munguar referenca politikës shqiptare, përdorim emrat nga bota e madhe. Dhe kjo është e trishtueshme, shembulli i munguar në politikën tënde.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Muxhahedinë dhe akullore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT