Nga Ilir Levonja/
Ilir Meta karakterizohet si një politikan i qetë. Madje nga goja e tij kanë dalë edhe fjalët, me qetësi e maturi. Megjithatë kohët e fundit e ka humbur këtë cilësi? Ndihet i sikletosur, nevrik dhe cinik.
Jam duke ndjekur intervistën e tij tek VOA, seksioni shqip. Dhe po shoh se edhe webe të shumta në Shqipëri po e publikojnë.
Ka shumë shmangie nga pyetjet që të bëjnë të vësh duart në kokë. Ka shumë arrogancë. Ka shumë mëndjemadhësi shqiptare. Duket sikur është gati t’i gërmushet gazetares. Përse?
Ndërsa ka gjithë mëngjesin që publikon foto me Nensi Peloshin, lideren në ikje të demokratëve.
Ajo sot, rreth orës 11 të paradites I dorëzoi detyrën republikanit Paul Ryan. Shtrënguan duart.Gjë që kurrë nuk e bëri Meta dhe klasa politike në Shqipëri, përgjatë ndërrimit të pushteteve.
A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë pyetjeve në lidhje me çështje kaq të ndjeshme, si prona, të ardhurat, përfoljen për afera korruptive? Për luksin e tyre karshi një populli të varfër? A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë pyetjes për ikjen alarmante të qytetarëve shqiptarë? Ndërsa ai pretendon qeverisje dhe koalicion të sukseshëm? A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, pyetjes se përse ka kaq shumë korrupsion në administratën shqiptare?
Dhe a duhet të përgjigjet kështu: Nuk jam këtu për të folur për gjëra personale. Mos e ulni gazetarinë në këtë nivel. Unë kam vetëm makinën e shtetit. Nuk jam mësues të vë nota. Shqiptarët ikin pasi edhe në vendet e BE ka lëvizje populiste etj. Asesi që jo.
Por kjo ndodh. Ndodh ditën me diell. Një politikan apo lider shqiptar nuk e ka për gjë t’i mësojë gazetarinë edhe VOAs. Ai gjykon se ky intsitucion prestigjoz i fjalës së lire, është prone e ndonjë ndërtuesi shqiptar. Nuk e ka për gjë të quaj çështje personale, pronën apo edhe jetën private. Kur dihet botërisht se në demokracitë perëndimore, ligjvënësi nuk ka një të tillë. Deri sa votohet, është i detyruar të japi shpjegime.
Përse e bën këtë karshillëk, ky pasha modern pikërisht në vendin e demokracisë.? Ku pushteti është plotësisht i votuesve?
E thjesht…, ka humbur qetësinë.
Por keqardhja më e madhe në Shqipëri është se, edhe opozita, ka humbur qetësinë dhe qartësinë. Merret me riciklimin e humbësve. Mbrohet me ta, bën aleanca të heshtura. Me siguri për të mbuluar gjynahet e njëritjetrit.
Për dreq edhe populli e ka humbur udhën.
Pensioni i parakohshëm
Ilir Levonja-Florida-USA/
Ne ishim të gjithë arsmitarë. Shkonim bashkë dhe ktheheshim po bashkë. Të gjithë arsmitarë për së pari. Por edhe të ndarë në grupe, për shkak të politikës. Megjithatë tek-tuk ruanim në dukje kolegërinë. Ndërsa përbrenda provonim një lloj dëshire që mezi prisnim çastin të hiqnin njërin apo tjetrin. Kësaj dëshire të heshtur, të mbrapsht, me biseda plot thumba. I shtoheshin edhe dozat e pëshpëritjeve për lartësinë e kualifikimit. Jo ky po e mbaron kështu. Kjo tjetra nuk njeh as kudrinorët. Ajo se ka haberin e vektorit. Ky të planit, etj. Në fakt botën e pëshpëritjeve e prinin të vjetrit. Ndofta edhe për atë se pëshpërimat nuk ishin pa baza. Kualifikimi i tyre karshi të rinjve ishte vërtet mbresëlënës. Sidomos nga ana metodologjike që është dhe baza e mësimdhënies. Të rinjtë kishin në majë të gjuhës justifikimin postulat të atyre viteve. Nuk na duan komunistët. Dhe disa prej të vjetërve kishin qënë vërtet me partinë. Dhe për ironi, atë pranverë viti shkollor, bëhej fushatë. Të vjetrit dominiheshin me prirje socialiste. Kurse të rinjtë, demokratë. Midis të vjetërve dallonte një shakaxhi flokëthinjur. Mësues i shkëlqyer, por socialist fanatik. I thekur. Nga ata që kualifikimin superior e përdorin si mburojë për manovra politike. Duke e ndjerë se era po frynte majtas, fliste hapur, shfaqej socialist i zjarrtë, reformator etj. Se do ndreqte zyrën arsimore sapo të fitonin zgjedhjet. Gjeja e pa rë që do bënte, do hiqte të gjithë ata nuk njihnin kudrinorin apo ndajfoljen.
Në vjeshtë tetorin e bukur, socialistët erdhën në pushtet. Autobuzi vlonte nga humori. Po ndaheshin postet. Pritje dhe ankth. Nga të dya palët. Ata që do prisnin koka, qeshinin. Ata që do u pritej koka, heshtnin. Mësuesi shakaxhi, nuk e mori postin e drejtorit. Ia dhanë dikujt tjetër, ku sipas tij edhe ky, ishte gjysmë i kualifikuar. Shkurt si demoktratët që ai përgojonte.
Të ishte me kaq, gjysmë e së keqes. Por të nesërmen mësuesin shakaxhi, socialistin e thekur, e nxorrën në pension të parakohshëm. Vendi i tij, u duhej socialistëve për dikë tjetër. Se çfarë kualifikimi kishte, të blerë apo të pa blerë. Nga Shkodra, Elbasani apo Gjirokastra. Nuk kishte më asnjë rëndësi. Ai fliste me vete, përmende Beratin. Pedagogjinë e vërtet sipas atij. Ra në mendime. Dhe mua edhe sot e kësaj dite nuk më hiqet nga mendja, ai mësues, ai burr i thinjur, ai kuadër i zhgënjyer, ai militant i devotshëm. Zhgënjimi dhe dëshpërimi njerëzor, përballë manovrave të politikës.
Aryeja që e solla këtë një ngjarje, është një…, reforma. Po vështroja faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Ku u mëshohet me forcë testimeve apo kualifikimeve të mësuesve. Kurrikulave dhe trajnimit global etj. Kjo në raport me Perëndimin. Mirëpo ndërsa në Perëndim, kualifikimet apo testimet bëhen me kompjuterin dhe nën vëzhgimin e kamerave. Biles edhe nga shtëpia. Në Shqipëri me letra, me grup testuesish me miq, provime të natyrës së kohës. Dhe rastësisht fiton ai që sugjeron partia në pushtet. Mirëpo ndërsa në Perëndim, drejtori i shkollës është punë dhënës. Post që e ka fituar përmes një kualifikimi të meritueshëm, me liçensime nga komisione shtetërore. Në Shqipëri punëdhënës është drejtoria arsimore e drejtuar nga partia në pushtet.
Çfarë të shtojmë tjetër? Ah, po dukshmërinë shqiptare, bëje sa për t’u dukur. Si në Perëndim se rezultatet i dimë që tani. Kë do vëm aty, apo atje.
Kështu gjatë këtyre viteve demokraci. Në çdo qeveri të re, flitet për reformë. Flitet për pastrimin e arsimit, për tekstet, kushtet. Ndërkohë nën emrin e saj. Ndodhin reforma të tjera. Ajo e tenderimeve, e shitblerjeve. Ose të tilla si ai i rastit të mësipërm. Ku as demokrati nuk e ka vendin e sigurt kur fiton partia e tij. Por as socialisti kur fiton socialistja.
Kjo është dukshëm lufta e njëriut me njëriun. Dhe arsimtarët janë të përfshirë aty?
ALIDA
Nga Ilir Levonja/
Intervista e Alida Hiskut është sot më e debatuara. Dhe njerëzit çuditërisht kanë zënë të grinden mes tyre. Disa i besojnë dhe u duken çnjerëzore, puna e torturave, përdhunimi me thes në kokë,gjilpërat etj. Madje shkojnë deri aty sa e quajnë të marrë, të shkalluar. Madje, madje harrojnë Alidën dhe shahen mbarë e mire me njëritjetrin. Sërish për hir të radhitjes, të atij rreshtimi shekujsh, unë me këtë dhe ti me atë. Por asnjëherë me vetveten, prezencën e qytetarit bashkëhor.
1)Pyetja më naïve është se përse, Alida Hisku i thotë këto tani? Ndërkohë kur këngëtarja pohon se libri i saj ”Marioneta të politikës së diktaturës së Enver Hoxhës”, ka disa vite që është botuar në Gjermani. Dhe në gjuhën gjermane. Punë e saj si autore përse vendosi ta shkruaj gjermanisht, apo edhe ta botojë gjermanisht.
Ashtu sikur është edhe puna e shtypit që I bie rruga nga Gjermania dhe takon Alidën. Ashtu sikur është dhe puna jonë të shqyhemi, për ditë, pa e kuptuar asnjëherë se sa tifozë të çmendurisë jemi.
Ose të shfrenisë. ”Jena t’shfrenuem, s’jena t’lirë”, kumtonte vite më pare një poete shqiptare me emrin Ledia Dushi.
2)Intervista e Alida Hiskut nuk është tronditëse për një fakt që ia pohon vetë këngëtarja, gazetares. Kur i thotë se përse e tmerrshme, sa vite ke gazetare, nuk i ke dëgjuar ti këto?!
E vërteta është absurd tek ne. Sidomos kur flitet për të shkuarën jo të largët. Ose trajtohet me një delikatesë mosdije. Prej qelqi. Vërtet të kenë ndodhur këto në Shqipëri? Vërtetë t’i kenë bërë njerëzit tanë këto? Ngjajnë si në botën kineze. Ngjajnë si në botën e sovjetëve?! Ngjajnë si në botën e Kamboxhias së Pol Potës etj.
Të Koresë së Veriut, Vietnamit etj.Por ne pjesë e tyre kemi qënë. E kampit, e kampeve që marshonin me plane solidariteti dy, tre,pesë vjeçarë. Jo vetëm për të shqyer malet, nëntokën. Por edhe veteveten, njëritjetrin pra.
Që pak a shumë po e bëjmë edhe tani. Por jo përmes kampeve apo gulagëve. Por në mënyrë moderne…, duke u verbuar pas liderëve. Në luftën e tyre plot shkëlqim kollaresh, faqesh edhe pse të parruara. Përballë atyre tonave, të vrara nga lodhja e nervave, të deformuar nga rakia, të bjerrur prej mungesës së ujit dhe të dritave. Apo mosushqimit të duhur etj. Duke e pranuar publikisht, që ata të flasin veten për veten, për njëri tjetrin, në emrin tone. Dhe jo për hallet tona. Për hallet e tyre. Që janë apo nuk janë të vërteta kurvëritë e tyre me thes në kokë.
3)Çuditërisht shqiptarët grinden se, vërtetë i përdhunonin femrat duke i vendosur thesin në kokë…? Dhe harrojnë se burrat shqiptarë mburren duke përgojuar fytyrën e një gruaje. Me fjalët e kafshës që, mbuloji kokën me jastëk dhe shfryu. Këtë ma kanë thënë edhe ballkanas të tjerë. E kemi si shprehje lapidare. Por edhe ballkanasit pjesë e kampeve kanë qënë,
Kemi shumë ”padituri” ndaj veprimeve që i bëjmë me ndërgjegje. Me devotshmëri. Edhe pse e dime fare mire që po bëjmë krim. Dhe po ashtu nuk e kemi për gjë të vritemi në emër të krimit.
Sepse vrasjet nuk ndodhin vetëm me plumba, por edhe me këto shqyerjet, habitjet, mos pranimin, mos pendesën etj.
4)Kurse Alidës dua t’i kushtoj pak radhë për zemrën e madhe.
Në botën tonë ka pak si ty…, që konsiderojnë si çmim të madh zemrën e popullit. Jo numrin e medaljeve të komisioneve dhe jurive. Dhe ti ke të drejtë mjeshtre. Je zemra e njerëzve, zëri i tyre.
Pak nga ata që dinë të falin. Që kërkojnë t’u tregojnë njerëzve se pendesa është hapja e shpirtit.Liria e tij. Dhe ikja një here e përgjithmonë nga burgu i vetvetes. Ka pak artistë apo intelektualë,krijesa apo gjallesa plot bukuri. Që afrojnë dlirësinë shpirtërore, si e si njerëzit të afrohen. Të mos e shqyejnë më njëritjetrin. Por ne kështu jemi. Engjujt i nëmin, i akuzojmë. Aty gjithçka është çorbëzuar. Dhe kjo na i mbush sytë me keqardhje.
Kurajo e jote duket shfaqje e huaj. Sepse ka me qindra të përdhunuara që jetojnë me turpin. Që heshtën, heshtin akoma. Që jetojnë duke e mbuluar dhunën, si macja pëgërjen e saj me hi. Ose nga ata që, përdhunimin e kanë kthyer medalje. Dhe përmes ideatorëve të dhunimit, kërkojnë shpërblim. Nga takati i këputur i popullit fytyrë rreshkur. Kjo është arsyeja e tranzicionit të përjetshëm shqiptar. Ne nuk u ndamë nga e kaluara, ndaj sot jemi në depresion. Pasi ideatorët vetëm se ndërruan kostumet, dietat. Kurse ne jemi akoma muhaxhirë.
Dhe kjo mungesa e përgjegjësisë qytetare, për të harruar, mbuluar, shqyer njëritjetrin. Do na lëri edhe ca dekada muhaxhirë.
Njerëz me thasë në kokë duke na palluar kafshërisht.
Tym Kosove
*Eshtë fakt që ideatorët e gazit lotësjellës janë dy ish luftëtarë. I pari protestuesi i përjetshëm Albin Kurti. Dhe i dyti, i ashtuquajturi Ramboja shqiptar Rramush Haradinaj. Akoma kujtojnë se janë në front./
*…Në liri, një shtetar i tillë është armiku i vendit të tij./
Nga Ilir Levonja/
E kam theksuar disa herë, ne shqiptarët kemi probleme me lirinë. Liria na verbon. Eshtë një soj ekstaze që na deh. Na marrëzon. Na bën të dhjesim mbi gjithë mburrjet shekullore. Mbi gjithë krenarinë zhurmë madhe. Mbi vetveten, të bindur. Madje mbi vetveten më shumë se mbi armikun.Ndaj armiku më i egër i shqiptarëve është po shqiptari.
1) Ndërsa ish kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj ndukte mikrofonin. Një goxha bjonde,mashkull femër, ndukte nga poshtë. Poshtë banakut. Një mister galerish minierash. Errësirën e dhunës. I ndizte fitilin një bombe gazi lotësjellës. Një gjysmë bjonde tjetër, gjuante me sende,fasadën. Apo panelin e burrave kuvendarë. Në fakt duhet thënë, panelin e burrave katundarë. Por më vjen turp nga vetja. Më vjen keq që, nën emrin apo përcaktorin katundar, rrimë akoma në province. Në atë province të cilën mbetën duke e shtrydhur. E rishtrydhur katundarët me kollare.
Që varin mureve të shtëpisë dhe fb, foto me flamurin e Sklëndërbeut. Por pa harruar edhe Kuranin.Me zallin fanatik të Lindjes së Mesme. Me sh esnafllëkun e diktatorit të Koresë së Veriut.Përdorimi i femrave shik. Kamikazeve me kostume një ngjyrësh. Bjonde ose brune.
2)Për çfarë na duhen grate në Kuvend? Një pyetje që të lodh. Por të mbush dhe me humor. Ka përgjigje dhe batuta. Na duhen për të ndukur nga poshtë. Për shukur, shkundur, e shkulur flokësh,xhaketash. Për akte kamikazësh. T’u mësojnë fëmijëve se si hidhet një bombë gazi lotësjellës. Bash mu aty, në Kuvendin e burrave të parë. Në Kuvendin e kohës së elektronit. Mund të marrin tema dhe ide. Mund të zhvillojnë subjekte në këtë të tashme, kohën e tyre moderne. Të cilën ne au kujtojmë me krahasim. Me tonën, atë të zbatharakëve. Dhe tani u themi atyre se janë me fat. Pasi kanë plot lodra. Punon Japonia dhe Kina për ta. Ne vetëm dimë të rrihemi. Ndaj gratë e Kuvendit u japin tema dhe ide me veprimet e tyre prej sharlamentare. Mund të ndërtojnë video me luftra gazi lotësjellësh. Mund t’i hedhin këto video në youtube. Mbase marrin klikime. Fitojmë ndonjë lekë.
Kushedi, u jepet dhe shanci. Të ikin…, kësaj Kosove apo Shqipërie në tërësi. Sepse, vatani u mjafton vetëm për në korniza muresh. Për t’u ngjyrosur. Vatani është në letër.
3)Në tërësi politika shqiptare. Ajo e fasadave …, ajo që i jep mend edhe suksesit europian apo botëror. Raporton kancelarive të Europës. Sidomos fushatave për përfshirje më të lartë të grave në politikë dhe vendimarrje. E bën këtë kur Europa apo e bota nuk e ka si kusht. Por thjesht këshillon.
Dhe përdor terma korrekt, si përshembull përfshirje më të gjërë të grave etj. Por ne trumbetojmë si fushatistë të përjetshëm. Me entuziazëm, po.
Dhe zgjedhim. Zgjedhim gra të forta. Gra me muskuj. Kamikaze. Që heqin bokshet, që kanë harruar turnet, që vendosin pudër me shumicë si e si të vrasim në mënyrë spektakolare. Pasi na është rrënjosur që nga koha e ”largët”, kur përmbysnim diktaturën në atdheun amë. Dhe atë serbe në pjesën e epërme, Kosovë. Që sot i themi Kosovo me dashuri profetike. Se në politikë duhen të qënie të forta. Në politikë, forca bën udhë. Jo logjika. Dhe rezultati. Një luftë e pashtershme, mes ishëve dhe pushtetit. Mes pushtetit pasardhës dhe atyre që bëhen isha. Dhe krah tyre gra kamikaze.
Kështu në Shqipëri. Kështu në pjesën e epërme të saj, në Kosovë.
4)Pse nuk mësohemi me lirinë? Pse kemi probleme me lirinë. E para është e thjeshtë. Urrejmë njëritjetrin. E dyta është fakti real që ideatorët e gazit lotësjellës janë dy ish luftëtarë. I pari protestuesi i përjetshëm Albin Kurti. Dhe i dyti, i ashtuquajturi Ramboja shqiptar Rramush Haradinaj. Akoma kujtojnë se janë në front. Akoma nuk po kuptojnë se edhe në front vjen një çast kur i thua vetes mjaft. Sidomos komandantët. Dhe se të rrëzosh një qeveri me metodat e frontit,nuk i shërben as popullit e as vendit.
Por ripushtimit. Dhe në liri, një shtetar i tillë është armiku i vendit të tij.
Komunistë bashkohuni dhe fitoni
….Sepse duke trumbetuar Enverin,duket se po luftoni për ‘të dhe jo për vendin.Se mëkat t’u përfaqësojnë topmodelet. Xibraka dhe laboratorët e drogës./
….Thojani popullit, çfarë vratë, çfarë ndërtuat dhe çfarë mund të bëni. Fitoni…, dhe të jeni të bindur që edhe Musine Kokalari do ua fali planet vjetore. Të vuajtjes dhe të vdekjes së saj në Burrel. Pasi vendi është mbi idealet personale. Mbi liderët. Pra bashkohuni dilni dhe fitoni./
nga Ilir Levonja/
Komunistët shqiptarë nuk janë socialistë. Por shfaqen të tillë. Mbase edhe ndihen pjesërisht. Ose ndihen më pranë socialistëve për shkak se një pjesë e mirë e viktimave të tyre. Robërit e luftës së klasave, janë atashuar në krahun e djathtë? Por edhe kjo nuk qëndron më. Ose nuk ka qëndruar prej kohësh. Në radhët e demokratëve ka plot ish komunistë. Duke filluar nga ish lideri. Në radhët e socialistëve ka me shumicë të persekutuar. Deri në liderë forcash. Ashtu sikur edhe në radhët e partive të tjera ka të ndërthur…, komunistë, të persekutuar, socialistë dhe antifetarë të shuguruar në besnikë të Sigurimit të Shtetit. Pra përse shfaqen socialistë, me socialistët.?Përse nuk shfaqe komunistë, si pretendojnë se janë.? Ata që janë? Apo thjesht, ndihen aty për shkak të emrit.?! Nga që duke folur për popullin përjetësisht, në emër të popullit. Duke menduar se socialistët, nga kuptimin i të qënit social, u duket se janë më pranë popullit etj. Ndihen kështu, socialistë. Edhe pse socialistë nuk janë! Janë dhe flasin si komunistë.
Dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Sepse dihet shprehja e bërë masë, e masave në tërësi…, ku ka popull ka edhe komunizëm.
Kjo u pa këto ditë kur mes tyre dhe socialistëve pati shkëndija të acarta. Pati romuze. Pati ngrefosje. Pati karshillëk me foto të Enverit. Me vjersha. Me topmodele. Me krahasime. Dhe nostalgji sigurisht.
Megjithatë ata votojnë socialistët. Dhe u duket për momentin se kanë pushtet. Ose u duket kështu. Dhe heraherës zgjohen, duke treguar foto nga Enver Hoxha. Duke pirë pak raki me Nexhmijen e lodhur. Që çuditërisht e krahason veten me Terezën e Kalkutës. Dhe jo me Gonxhen që ajo e përndoqi. E krahason me lumturinë e një krijese nëntëdhjetëvjeçare. Edhe pse e dënoi përjetësisht.
E mbajti në kafaz deri në morte shtëpie. Duke i privuar atë që edhe koha para saj, e cilësuar po prej saj…, si koha e mënxyrave, e shtypjes, mesjetare, kanunore, fetare, zakonore etj…, si një opium obskurantizmi për popullin shqiptar. Megjithatë ajo sot e ka për krenari të mburret me lavdinë e viktimës së saj. E ka për kënaqësi të tregojë një kafaz, ku poshtë në platformë, e shtrirë pushon një kanarinë. Prehet e privuar, qoftë edhe për pak dhe’, një dorë…, si riti shqiptar, mbi trupin e nënës së saj. Një kanarinë që i uli vrullin parrullave me emrin e burrit të saj. Nga portet, aeroportet, uzinat, hidorecentralet, komb e kombinate. Jo me forcën e nomeklaturës. Por thjesht me etjen njerëzore të një populli për çfarë është më e mira e ekzistencës së tij. Dhe Nexhmija nxitoi të përfshihej aty, duke harruar këtë zëvendësim, zhvendosje kanarine. Të cilën ajo e vdiq për t’u dashuruar dhe krahasuar pas saj.
Por le t’i kthehemi çështjes më të parë? Përse komunistët veprojnë nën socialistët? Përse e kanë kthyer Enverin në çështje. Përse aludojnë me propogandë.? Duke krahasuar kohën e tij, Enverin vet, me liderët aktual të politikës? Përse i thonë popullit, shoqërisë, përmes topomodelesh, artistësh etj.? Se cili ishte ai burrë.? Dhe cilët janë këta të korroptuarit e sotshëm etj. Përse kanë, apo le të themi keni frikë të jeni komunistë? Përse keni frikë të votoni veten tuaj.? Partinë tuaj? Nëse jeni në një Parti: Apo në disa të tilla? Përse nuk kujtoni edhe Hysni Milloshin.? Petro Markon e të tjerë ërshembull që i dërguat në çështjen e internacionales?
Por mos të hym në emra konkret. Pasi me të mirat dhe të këqijat janë historia e juaj. Dhe pa diskutim, edhe e jona. Ashtu si historia e socialistëve dhe e demokratëve. Ia thoni popullit, ashtu si edhe suksesin. Dhe fitoni zgjedhjet. Dhe përse nuk merrni të drejtoni fatet e vendit.? Kur e ndjeni se ky i fundit, po shkon drejt greminës me klasën aktuale politike. Përse nuk konkuroni të vetëm?
E bëri Ciprasi në Greqi. Apo edhe parti të tjera në Europë. Përshembull, shtatë vjet ka që u formua partia e Vuçiçit në Serbi. E festoi mbrëmë këtë përvjetor. Kurse ju keni histori…, ajo që është. Por është e madhe ama. Të paktën sipas jush. Eshtë e lavdishme, po sipas jush. Pa drogën e Edi Ramës. Pa shëndetësinë e korruptuar të Beqajt. Pa ’97tën dhe Gërdecin e Berishës. Pa 21 Janarin e Ilir
Metës kur ishte demokrat. Pa korrupsionin e rrugës së Kombit të Lulëzim Bashës. Pa lehjet e
Erionit. Pa Kosovën shtet. Por që sot është. Pa shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, por që sot janë. Madje më shumë se sot proletarët e të të gjithë shqiptarizmës duhet të bashkohen.
Pra shkurt, dilni hapur dhe fitoni. Ose edhe përmes celulalve. Tani mundësitë janë më të mëdha.Informalizmi, lagjet periferike nga jugu në veri etj. Janë me shumicë. Madje kemi edhe internet.
Nuk ka as nevojë të priten telat. As të ndërpritet energjia. E kam fjalën për aksione ilegalësh. Të gjithë jemi të tillë, ilegalë sapo vjen mbrëmja. Shkojmë në shtëpi për t’u errësuar, jo drituar.
Zgjedhjet janë aty. Edhe pse jo 99.99% pjesëmarrje. Prapë zgjedhje janë. I fitoni dhe qeverisni. Se kështu po ia nxirrni Enverin Saliut, Edit, Ilirit dhe jo shoqërisë, popullit që ju e keni aq për zemër ta pësërisni. Kumbon bukur në fakt. Kumbon dhe oshëtinë. Shkurt dhe saktë: Eshtë koha të kuptoni se komunizmi mund të ndërtohet edhe pa luftë klasash, edhe pa të persektuar, por edhe me ata. Pasi përzier jemi të gjithë. Eshtë koha të bashkpunojmë me viktimat, pasi viktima jemi të gjithë. Eshtë koha e mendjes së hapur dhe e mejdanit dhe e votës. Sepse duke trumbetuar Enverin,duket se po luftoni për ‘të dhe jo për vendin.Se mëkat t’u përfaqësojnë topmodelet. Xibraka dhe laboratorët e drogës.
Thojani popullit, çfarë vratë, çfarë ndërtuat dhe çfarë mund të bëni. Fitoni…, dhe të jeni të bindur që edhe Musine Kokalari do ua fali planet vjetore. Të vuajtjes dhe të vdekjes së saj në Burrel. Pasi vendi është mbi idealet personale. Mbi liderët. Pra bashkohuni dilni dhe fitoni.
- « Previous Page
- 1
- …
- 79
- 80
- 81
- 82
- 83
- …
- 102
- Next Page »