Nga Ilir Levonja/
Diku presin të kapin trenin. Diku ecin në grup. Diku shfaqen duke ngjitur një shteg pylli. Diku duke u rrahur. Diku duke protestuar. Diku djem të tërë të parruar, të lodhur dhe që të shikojnë me përçmim. Dhe diku të ulur në shesh. Ku, një punonjës shteti a një polic. I shenjenon dhe kërkon qetësi. Ata janë përzierje e tërë. Moshash, familjesh, vetmitarë. Janë përzierje edhe gjuhësh,kulturash apo zakonesh. I quajnë refugjatë. Prurje që pavarsisht këtyre peripecive kthehen një
kapital i çmuar për ekonomitë e vendeve të tyre. Megjithatë, sot për sot ata i thërrasin refugjatë.
Fotoja e një stacioni treni në Maqedoni është nga më të klikuarat në internet. Pamjet e një familjeje ku i pari babai, ngarkuar me çantë shpine dhe dy torba duarsh. Ku e shoqja tërheq të voglin…, të gjithë të trembur, vrapojnë të kapin trenin e lodhur që ikën drejt një rajoni me emrin perëndim.
Duket sikur venitjes së stacionëve apo trenave në ballkan, koha e refugjatëve po u jep frymëmarrjen e mungur. Megjithatë, përballë kurajos së këtyre njerëzve ngrihen kërcënueshëm jo vetëm pasiguria ndaj jetës që i pret. Por edhe fytyra më brutale e rrathëve me tela me gjëmba.
Duket gjithashtu sikur një makineri, një pjellë metalike me rrota. Që ecën e blinduar nga uniformat. Ngulë papushim skara hekuri. Ngre rrethorë gjëmbash me spirale si të krimbave kur zvarriten. I ngre kudo. Madje dhe i shtrëngon, ose i ngushton kur ndonjë fëmijë si harabel, u ikën fësht midis shufrave. Apo midis rrathëve. Dhe kur babai, apo nëna mbesin nga ana tjetër. Këto uniforma. Kjo makineri as që rreket. Nuk ka se si. Eshtë prej metali. Ndaj sot bota është e mbushur me njerëz refugjatë dhe uniforma antinjerëzore.
Shoh se edhe Shqipëria po merr masa parandalimi për emigrantët që vinë nga lindja e mesme.
Lërini. Lërini sirianët, të kalojnë. Lërini edhe kurdët. Lërini edhe libanezët. Yzbegasit, turkmenët,pakistanasit apo afganët. Eshtë lufta më e turpshme në lidhje me të drejtat e njeriut. Dhe kjo me preteksin e ruajtjes apo kontrollit të situatës në vendet kufitare me lindjen. E filloi Hungaria, pastaj Serbia, tani së fundi dhe Maqedonia. Nuk mund të mbrohet dështimi shekullor i politikave luftënxitëse, shtrënguese, apo diktaturave me gardhet prej telash me gjëmba. Çfarë ndodh tani, çfarë shikoni përmes televizionit. Njerëz që ecin më këmbë. Familje të tëra etj. Mosha të ndryshme. Janë produktet e ideollogjisë së shekullit të kaluar. Nëse nuk mundemi t’ua rregullojmë të ardhmen menjëherë. Të paktën t’u japim njerzillëk.
Ato ikje apo ardhje ashtu, të kujtojnë shqiptarët…., pas viteve nëntëdhjetë. Sepse para atyre viteve, vërtet është mallkur e kënduar deri me folklor kurbeti. Por askush nuk iku maleve. Askush nuk iku brenda bagazheve të autobusëve të policisë greke. Astonomisë së famshme. Që natës mblidhte refugjatë nëpër Greqi, i zbraste në mëngjes në Kakavijë. Dhe në kthim, merrte me para po klandestinë shqiptarë, përmes sekserëve që kishin.
Ikjet tona. Rrugët nëpër Gramozin e Ersekës gjënden kollaj fare. Janë akoma të shkelura. Po edhe nga tri urat e Përmetit, nga gryka e Vjosës. Pastaj nga ana e Sheperit, Zagoria. Nga Vrina e deri në Konispol. Sa shqiptarë janë gjymtuar. Sa kanë mbetur maleve. Sa janë rrahur. Sa janë çmendur nga torturat dhe përbuzjet. Edhe ata i quajtën refugjatë. Njerëz që mbartnin malarjen. Le t’i kthehemi detit. Arratisjet me kamardare. Ikjet e korrikut…, thyerjet e ambasadave. Prapë tek deti. Rrëmbimi i anijeve të mallrave, gomonet etj. Mbytja e gomoneve, e anijeve. Sa shpirtra kanë humbur. Dhe sa prej nesh akoma ikim.
Diçka e përciptë. Ikjet janë shkak i dështimit të shtetarëve. Kur ka luftë civile. Këtë po e kalon sot Siria. Kur ka luftra radikale midis fanatizmit, bindjes dhe dhunës. Këtë po e provojnë sot vendet e post pranverës arabe. Irak, Libi, Afganistan etj…, me ISIS, shtetin radikalëve islamikë. Kur ka privim të të drejtave kombëtare, për shkak të ndarjeve të territoreve etj. Këtë po e provojnë sot kurdët. Kur ka korrupsion shushunjash dhe përpjekje të perëndimorëve për të instaluar demokracinë. Këtë po e provojnë sot afganët dhe irakenët, libanezët etj.
Midis atyre që vrasin, vjedhin, mashtrojnë. Dhe nuk janë të aftë të mbajnë paqen në këmbë. Të mbajnë apo të bëjnë një shtet. Janë dhe ata që ikin. Thjesht për të mos u bërë palë e luftës së egër të njëriut me njëriun.
Në 2013 një nga futbollistët e Barcelonës, me emrin Andre Injesta. Pyetjes së gazetarit të El Pais…,mbi atë rutinën e titullit hero. Se ti je heroi, se ti kështu. Dhe se si ti ndihesh etj. Ai u përgjigj thjesht dhe i menduar. ”Unë luaj futboll për tu argëtuar. Dhe njerëzit më duan kudo që shkoj. Hero është njeriu që lufton kundër sëmundjes. Një njeri që emigron për të ushqyer fëmijët” Shqiptarë,
mos u rrethoni me tela me gjëmba. Lëri ata bijë nënash të shtegtojnë.
Sherrnajë tradhtarësh
Nga Ilir Levonja/
1)Kur shikonim ”sakrificat”. Luftën legjendare. Subjektin e armës me gjalm, torbën me bukë, ku kishte një copë misërnike, pak djath dhe një kokë të madhe qepe. Po qepë të thatë. Kur shikonim ”tradhtarët” që na ”sabotonin”. Ashtu si terroistët sot. Ashtu si ”urithët” apo zagarët e natës. Apo buqet në kohën e ndërzimit. Pra qentë, që sot i quajmë delikatesa e divanit. Kur shikonim vetmohimin në emër të partisë. Me sado varfëri, e mizerje. Me sa do sakrificë prej njerëzish lëkurërreshkur. Pëtballë ”tradhëtarëve” me syza të rrumbullakta. Faqe të pastër. Ca prej tyre rrasëzinj. Ose tyrbe të bardhë etj. Kur shikonim një grusht vigan krahas një karabine. Një sy të rreptë vëzhgues. Kur ndjenim se si e kuqja i përkiste vetëm qafës. Se si dashuritë vetëm sojit. Klasave. Dhe jo zemrave. Normale që do ishim më shumë se normalja të karikuar. Madje të rreptë edhe të vendosur. Për të ”demaskuar” shokun. Në emër të ”frymëzimit” qoftë edhe për një shaka bajate. Normale që do ta vrisnim atë. Në emër të idealit. Kështu dy të rinj, njomzakë. Shokë të mi. Atëhere. Kur loja jonë më e preferuar ishte loja me luftë. Partizanë dhe tradhtarë. Jo fashistë, jo nazistë. Jo anglezë, jo amerikanë. Por shqiptarë. Ne shokët…., vinim lojës edhe kriterin e varjes në litra. Kështu njëri nga ne, ”i bindur” që fitoi luftën. Bëri gati rripin e pantallonave të babait. E lidhi tek teli i dritës së prodhuar në Vlorë. I bëri lakun. Dhe ”i munduri”, u ngjit në karrike. Futi lakun në qafë. Të vdiste i lumtur, pasi u mund dhe u shpall ”tradhtar” i popullit të tij. Fatmirësisht, cilësisë së dobët të punës vullnetare. Që teli i llampës të shkulej vendit. Dhe i munduri nuk vdiq dot. Sot shokët jetojnë. Janë baballarë. Dhe ndoshta me siguri qeshin kur të lexojnë këto radhë.
Kjo ndodhte kur baballarët e tyre punonin nga ora 6 e mëngjesit deri në katër pasdite. Dhe sigurisht ishin të ”prapambetur”. Ishin të ”pazotë”. Ishin ”humbamenë”.
2)Sot në gjithë Shqipërinë ka një zjarr debati për çështjen e atyre dy vajzave që kanë ikur nga shtëpia. Që akuzojnë prindërit. Ata që botën fëmijëve ua tregojnë përmes televizorëve të blerë me para Greqie, Italie etj. Ose me praktikat tona të faljes, të këstit. Përmes kabllorëve televizivë. Përmes telenovelave. Përmes sherrnajës politikës dhe bigbrother-it. Përmes tradhtarëve të kombit. Përmes forcës së partisë dhe fushatave me zjarr. Ka një zjarr debatesh dhe më entuziastja anë e tyre. Eshtë kur ”intelektualë” që nuk janë prindër. Akuzojnë këta prindër ”humbamenë”. Kur ata që janë striktë në planifikimet familjare akuzojnë për pjellshmmëri të pa planifukurit e këtyre programeve. Këta ”injorantë” provincash që pjellin me shumicë. Edhe pse i ka mbytur skamja, tradita e sëmurë e provincialit. Apo mëndje e mbetur mbrapa.
Ka një zjarr debatesh për fëmijët e lajthitur. Që u është bërë mendja ujë. Që mësojnë të drejtat e tyre së prapthi. Përmes televizorit, internetit. Apo telfonëve celurarë të markave më të fundit. Që përdorin me shumicë pudrat, kremrat, bojrat. Apo piskatoret. Tatuazhet në vendet delikate. Që grisin pantallonat. Që i quajnë prindërit injorantë. Humbamenë. Që nuk dinë ta fitojnë lekun. Që i shtyjnë. Që i akuzojnë publikisht. Dhe kërkojnë garanci nga televizorët. Përmes audiencës. Që njerëzit të preken nga këta prindër ”kafshë”. Sidomos kur e thonë psikologët jo prindër. Psikologët me anëtarësi njëzetëepesëvjeçare blu, vishnje, mavi, apo të kuqe.
Ka një zjarr debatesh studiosh për atë fatkeqsi gjenetike. Që kam unë të drejtë apo ke ti? Pak rëndësi ka problemi. Dhe që nuk ka asnjë grimë shprese që po e zvogëlojmë. Përkundrazi. Po e betonojmë. Prindër ”hajvanë”. Fëmijë që duan dru. Druri ka dalë nga xheneti. Prindër komunistë. Fëmijë liberalë. Fëmijë partish. Fëmijë ekstravagandë.
3)Me që e nisëm me një varje në litar. Varje shokësh të bindur në luftën e tyre me armë nofullash nga kockat e qenve. Me karroca kushinetash. Me llastiqe. Me shallin e kuq të supermenit etj. Jemi pikërisht tek vetmohimi. Vetdenigrimi, shkatërrimi. Si e si në të drejtën e triumfatorit absolutë. Dhe tradhtarit gjithmonë prezent në jetën tonë.
Nga ana tjetër, shqiptarët nuk duan të kuptojnë asnjëherë se, pa përjashtim ne jemi të gjithë nga pak tradhtarë. Tradhtarë ndaj vendit, shoqërisë apo prespektivës kombëtare.
Një politikan shqiptar sapo vjen në pushtet. Qoftë ky kryeministër, kryetar bashkie…, kryetar lagjeje. Një drejtues administrate, institucioni…, rajoni etj. Gjeja e parë, vendimarrja e parë. Eshte shpallja tradhtarë e paraardhësit. Rrënimi me ditë të tëra skutave shkresore dhe demaskimi bosh. Duke tundur letra popullit entuziast. Për shpërdorues, tradhtarë, ordinerë etj. Dhe të kënaqur, pasi e dinë edhe vet që gjithçka është demagogji. Korrupsioni nuk bëhet me letra por me gojë. (E kemi stërthënë). Duke kryer publikisht tradhtinë e parë. Dhe ne duke e pranuar po publikisht tradhtinë e dytë, tonën.
Dhe duke gjuajtur rrugicave, hyrjeve të pallateve, apo tokave arë, gardhet, akoma më shumë tradhtarë. Jemi përjetësisht një makinë sherri.
Kështu që nuk kemi përse habitemi, kur gjejmë fëmijë depresivë. Të varur në litar. Fëmijë që na i prostituojnë. Fëmijë që na akuzojnë. Për humbamenë, për të pa aftë. Si prindër injorantë. Kështu që nuk kemi pse habitemi që, ata që nuk janë prindër na akuzojnë si prindër budallenj. Na nxjerrin në dukje pa aftësinë tuaj, timen, tonën për të çuar fëmijët me pushime. Në Vlorë a gjetkë. Kështu që nuk kemi përse të habitemi që shohim prindër që flasin për fëmijë shejtanër. Që duan dru, që duan zhdëpur. Që duan mbyllur brenda etj.
4)Përse është sherrnajë? Në njëzet e pesë vite demokraci, shqiptarët vetëm kanë akuzuar njëri-tjetrin. Krim ekonomik, krim shtetëror, krim kombëtar, krim njerëzor…, si pjesëmarrje në banda të armatosura. Kanë demaskuar njëri-tjetrin. Për përdorues droge, narkotizëm profesionist, për marrëveshje të paligjshme, për afera korruptive, për blerje dhe shitje vote, për shkelje flagrante të ligjit etj. Kanë fëlliqur njëri-tjetrin deri me libër shtëpie, për imoral, marrëdhënie brenda sojit, për nepotizëm, për sekserë kurvash, deri robtë e gjakut. Kanë masturbuar masat për shkatërrim të mjedisit, për dëme ekologjike, arkitektonike, kulturore, të traditës. Pa kamera, me kamera të fshehta. Kanë rrëzuar qeveritë. Kanë djegur veten. Janë vrarë. Janë në hasmëri me njëri-tjetrin. Pse ti je demokrat dhe ti socialist etj. Megjithatë, askush, asnjëherë nuk pa një të dënuar para ligjit. Të gjithë sherrxhinj, të gjithë tradhtarë.
Lëri të shajnë Arben
Nga Ilir Levonja/
1)Lëri të shajnë Arben. Lëri të akuzojnë. Mos u mbro me deklarata heronjsh, të tilla si, ”shlyva dënimin për fajin e tjetrit”. Ne nuk kemi nevojë për heronj. Se po të kishim, nuk do ankoheshim akoma për mungesën e ujit. Pastaj ajo që është më e rendësishmja, është taktikë e gabuar për tu bërë sërish deputet.
2)Shtypi shqiptar e bëri punën e vet, dje! E përhapi me vrull një letër shpjeguese, apo ndjesuese të deputetit të Lezhës. Edhe pse ambasada e Amerikës nuk dha emër konkret. Por e përgjithësoi. Ashtu mjergull, tha që në parlamentin tuaj është një deputet me kësisoj problemesh. Trafik qëniesh njerëzore, etj. Mirëpo si gjithmonë tek ne, për së pari ndjehen viktima të akuzuarit. Qofshin këta edhe të supozuar. Hoven vet. Sikur edhe rastësore të kenë qënë vërtetë këto, çështje. Këta hoven.
3)Pak melankoli dhe letra jote do ishte më e bukur. Më e bukur artiskisht, jo s’e nuk funksionoi. Megjithatë kot shqetësohesh. Sinqerisht kot. Ti je prapë deputet i Lezhës. Ti je prapë deputet i saj i ardhshëm. Lëri të thonë çfarë të duan. Lëri të shfryhen. Të kënaqen. Mundësisht edhe më zi se kaq. Që ta kesh edhe më të çimentuar, më solide rrugën dhe deputetllëkun. Lëri dhe ata të LSI ta shesin sa më shumë vidon e koridorit të Kuvendit. Atë ku ty i futesh paq me grushta kokës, atij kaçurrelsit të Shijakut. Bën efekt të kundërt në Shqipëri. As mos u druaj për këtë. Ne Shqiptarët e kemi memorien manovër të çastit. Jo kohë të refleksionit. Me një fjalë, të qetësohemi e të gjykojmë se përse ndodhi kështu apo ashtu. Dhe ta bëjmë ndryshe. Nuk e them dot togun e fjalëve, ta bëjmë më mirë. Nuk është në oreksin tonë, kështu. Ndaj them lëri. Ose u thuaj të vazhdojnë të flasin edhe ca ditë. Biles edhe ambasadës së Amerikës. Lëri. Sa më shumë të të shajnë, sa më shumë të të thonë për ty, sa më shumë të çirremi, sa më shumë të të akuzojmë, sa më shumë të shqyhemi, je i fituar. Edhe ti, sa më shumë të demaskosh pijanecët, sa më shumë të krahasohesh me liderin e opozitës, sa më shumë të shfrysh për Shqupin, sa më shumë të flasësh për ata që ranë nga kali si Sali Berisha dhe familja e tij, sa më shumë të rrëfesh që të janë lutur nga PD, që të kanë mbrojtur dhe mbuluar akuzat që të bënin këta me të cilët ti sot je…, i bën ata të fituar në sojin e tyre. Tek ne kështu është shkruar.
4)Pak histori rrevoltash, letrash apo indinjatash të tilla ka në mëndjen tonë. Sa të duash. Dhe më mirë nga ne e kanë kuptuar liderët tanë. Që domethënë shaje tjetrin sa më shumë, demaskoje, sa më shumë, me televizorë, kamera të fshehta, ambasada…, për t’ia garantuar rrugën e lavdishme të deputetit. Tek programi për administrim është i zvetënuar në programin e sharjeve. Qëllimi është kush shanë, kush akuzon, kush mbretëron kësisoj.
Kjo është një temë magjike që mua më pëlqen ta çek hera-herës. Efektin e kundërt.
Ndaj paragrafin e mësipërm e bëra me frazë kilometrike, sa më shumë të të shajnë, sa më shumë zi, vrer, e çfarë të them unë. Të thonë kundër teje. Ke gjasa të bëhesh edhe lider. Kryeministër. Ky është një investim. Ke gjasa që nesër të gdhihesh numri dy i PS. Ashtu si Arbeni i PD. Ai që ti e quan pijanec. Se ç’është e vërteta. Vetëm në Shqipëri ndodh që një kryetar Komisioni Zgjedhor. I afruar nga shoqëria civile. Gdhihet nënkryetar i një force të madhe politike. Kështu, mos u habit që edhe kjo që është sot aty. Të gdhihet në zgjedhjet e ardhshme nënkryetare e dubluar e PS. Pra deri tani je në rregull. Dhe ne socialistët e mirë, edhe ti. Ne që çfarë nuk thamë për Lefterinë. Do ta mbrojmë deri në pikën e fundit të gjakut. Do zbulojmë vetëm aftësitë e magjishme të saja. Ashtu sikur e bëm edhe me ty. Sikur e bëri dhe PD-ja dje me ty. Kështu dhe nuk e luan topi. Ndaj lëri të thonë sa më shumë. Për ty, karrierën tënde. Për bizneset e të tjera. PD-ës nuk i duhet borxhi, kujtesa këshillë e FMN-ës në lidhje me ekonominë e bjerrur të vendit. I duhet ekzistenca jote me probleme me drejtësinë italiane. Fakti që sot këto dite të nxehta, diskutohet uji i pijshëm. Në një vend buzë ujit. Ta dish është investim për ty, jo për vëndin. Kështu që je në rregull.
5)Me që ra fjala tek bizneset e tua. Tek postet e nderuara që ke drejtuar në kohën e PD. Prapë për të mirën tënde është. Merr rastin e minsitrit aktual të shëndetësisë, zotit Beqja. Iu hoq mandati për konflikt interesi, që do të thotë shkelje e ligjit. Që do të thotë njësoj krim. Ndëshkim etj. Shikoje e ke ministër sot. Dhe një nga më babaxhanët. Të gjithë biznesmenët e ”suksesshëm” kanë poste drejtuese qeveritare. E gjitha është sakrificë. Ndaj edhe njerëzit ua dinë për nder. U japin votën. Pasi suksesi në biznes, mbajtja me bukë e disa familjeve, edhe pse pa asnjë të drejtë civile të punëtorit apo nënpunësit bashkëkohor, prapë konsiderohet nder i madh nga ana juaj. Ndaj ata u vlerësojnë, u japin votën. U jepni edhe ca lekë partive dhe normalisht, që partitë duhet t’ua shpërblejnë. Tenderin e radhës. Ka konflikt interesi? Këputi një të ndarë me gruan, kaloja të gjitha asaj. Biles është rast i mirë t’i japësh edhe pak post drejtues. Dhe gjithçka në rregull. Por nëse partia nuk të jep tendera, prapë punë e madhe. E ke të garantuar vendin tek partia tjetër. Lëri le ta bëjnë sa më të zezë, punën tënde. Ndaj sinqerisht po e përsëris, mos u justifiko me deklarata lakonike, që unë e ”shlyva” dënimin për fajin që ka bërë ai tjetri. Se dolëm jashtë modës. Nuk i duhen Shqipërisë heronjë të tillë.
TURP
Shkruan:Ilir Levonja-Florida/
Ne nuk e njohim turpin ambasador. Pse flet kot më kot. Çfarë është turpi? E kemi humorin e qejfit shqiptar. Le të flasim një çikë me tone të larta. Nuk e di? Ta them unë. Tek ne nuk njihet turpi. Pasi zgjat fare pak. Tri ditë. Turpin e hamë me bukë ne. I këpusim edhe një gotë verë. Për qejf.
Po deshe inat, po. Atë e njohim. E kemi me shumicë aq sa na nevrikosen edhe vetullat. Sytë na flakërojnë. Nuk e kemi për gjë të vrasim vëllain. Qoftë edhe për një gjerdhishte. A e di se çfarë është gjerdhishtja. Një lloj muri më i fortë se muri kinez. Bëhet me kallama luledielli të tharë. Me thupra. Ose rakita. Ose kallama gardhi i themi ne. I kemi edhe ato me shumicë. I hoven rrugëve nëpër lagje. Jo baçeve. Rrugëve ore rrugëve. Rrugës ku kalojmë. Ato dhe ferrat. Dhe garrupet e zhavoreve. Gurëve.
Se nga ana e brendshme, ua presim këmbët. Nuk kanë se si të vinë nga baçja. Vetëm nga rruga. Mundësisht t’ia marrin shpirtin asaj, rrugës ku kalon vëllai apo fqinji.
Dhe e di, kur shkon në rrethinë, tek ndonjë mik a ndonjë shokë. Nga ata që banojnë në periferi. Kur kanë hovur kallamat qiellit. Kallamat dhe ferrat. Sidomos në pranverë. Të duket sikur po u futesh pyjeve me fidanë kaçubash të reja. Gjarpërojnë për qejfin e më të fortit. Jo të ligjit. Si ato në pyjet tropikale. Plot djersë e gjinkalla të bëjnë.
Ja më këto bëhen gjerdhishtet. Më kësi lloj kallamash. Me kësi lloj rakitash. Kanë në mes edhe nga një hu. Na duhet kur na nxehet gjaku. E shkulim fët e fët dhe varda, vëllait. Por tani ç’është e drejta i ka ikur koha. E kam fjalën për hurin. E kemi zevëndësuar me kallashnikovin e socialrevizionistëve. Nuk e di këtë? Reforma e madhe agraro-bujare e zotit shqiptar, ajo e vitit 1997. Na ra për rrisk. Shkurt nga dhjetë të tillë për frymë.
Lëre më pastaj edhe tritolin. Atë e kemi si llokumet. Ta qerasim me qejf. Sidomos kur je veti i shtatë në makinë. Qoftë me nënën, me gruan, kalamajt. Nuk duam t’ia dimë. Kemi gjak ne. Jo për gjë.
Por le t’i lëmë gjerdhishtet. Se ato janë pjesë e njerëzimit të madh. Popullit. Turmës. Le të flasim pak mes nesh. Mes veti. Ne shtresat e larta. Balli i këtij vendi. Balli i kuq, i gjelbër. Gjaku blu. Baballarët i kemi me nga një dhomë e kuzhinë. Nuk e di?. I ndërtuam me orë punë. Në bazë ndërrmarrjesh. Boll e kanë. Ata për vete janë të kënaqur. Ne bijtë e tyre kemi nga tri a katër vila. I bëm me të ardhura rrufe. Me zgjuarsi. Me zotësi. Sepse ne, nuk jemi si prindërit tanë. Ata e zjejnë kafen në bombla gazi Elka. Nga ato të Zamira Kitës. Mirë tu bëhet se nuk ditën për veten e tyre. Ngelën duke u ankuar për pensionet e ulta. U vret gojën buka. E kanë gojën akoma me amalgan. Dhe tela protezash. Ne flasim e qeshim me porcelan. Kafen e pimë me ttatuazhe qumështi. Vdesim për shqiponjën.
Ne jo vetëm që kemi kapur bollëkun. Modernitetin. Por edhe tangallëkun. Ne kemi edhe qenusha. Të japim leksione. Të tregojnë se sa e rëndësishme është jeta kur shëtit një qen. Kurse prindërit tanë i mbanin përjashta. Herë të lidhur e herë të zgjidhur. Nuk ditën. Injorantët. Kafsha është shpirti i butë. ne tani, ndaj ulemi studiove ndryshe, shpinë drejt, këmbë mbi këmbë. Dhe kur jemi me minifund, rrimë pak menjëanë. Me qenushin. Të veshur me Armani. Ne, fëmijët e parafabrikateve.
Turp. Po çfarë turpi. Po ec aty se tri ditë zgjat. Ndaje shtatë herë një qytet. Jepu kush të jep një dorë para. Jepi çfarë të dojë. Do tokë? Jepi. Do shtëpinë e atij tjetrit? Jepja? Punë e madhe se kush jeton aty. Do tender? Jepi. Do të dalë nga burgu? Nxirre. Mjaft që të marrësh një dorë leku. Çfarë do fol? Do televizion? Do gazetë? Do çmime? Do të bëhesh vip? Të rregullosh jetën? Kollaj. Bëhu LSI-ist. Gdhihesh doktor, profesor, inxhinjer…., madje edhe amerikan. Madje edhe personel i Ambasadës tënde ambasador. Çfarë të keqe ka. Nuk di anglisht? Kollaj. Të japim brenda orës edhe gjuhën angleze. Çfarë do vetëm fol. Krimin më monstruoz të kesh bërë, lirohesh për i çikë. Si djal i mirë lagjeje. Çfarë do. Do të bëhesh familje dëshmori. Pa problem fare. Gjej një kushuri të shtatëmbëdhjetë. Mjafton të jetë vrarë në kohën e luftës. Le të ketë qënë në banjo. Të bëjmë dëshmor. Do të bëhesh kulak? Pa problem. Gjej një nga kushurinjtë që ka thënë, nuk bëjnë specat e fushës. Në kohën e Enverit. Dhe kaq. Nuk ka gajle sepse ti je zëmëruar me atë, kushuririn. Ku di gjë ai. Ai le të hajë trahana. Çfarë do tjetër?
Turp?! Po çfarë turpi. Ec mos e vrit mendjen. Le të jesh betuar shtaqind herë si demokrat. Gdhihesh që nesër socialist. Po qe se ke dhe ca lekë nga trotuaret e Italisë së natës. Apo nga dritat e kuqe të Hollandës. Aq më mirë. Jepu gjysmat fshatit. Se ia marrim prapë me një tender sa për shtatë rrugë. Që do u bëjmë budallenjëve kur të vi fushata tjetër. Aq duan ata. Sa t’u lyesh buzën përsipër. Lekët futi në xhep ti. Janë të tuat. Ta dimë ne. A, kemi burrni për këtë. Dhe po u ndave nga ne sivjet. Nuk ka gjë, se do e sjelli puna që të bashkohemi prapë. Ja kështu. Dhe gdhihesh deputet. Çfarë? Do të shajnë gazetarët? U japim nga një çmim? Pikërisht pse të kanë sharë. U japim dhe ca fonde për ndonjë a dy vjetë. Dhe aq. Ja turp është ky? Eshtë zotësi. Se kot nuk themi ne, bëj mirë sa ke në dorë. Lëre çfarë flasin për ligj shqiptarët. Ligji i tyre, është ky çfarë thashë. Bëj mirë sa ke në dorë. Kaq. Unë ty e ti mua etj.
Turp? Jo, inat. Me inat po. Ndaj mbaje mend mirë, mister ambasador. Turpi është pjesë e një faqe njerëzore. Ku e drejta është universale. Po aty nuk ekziston një e tillë. Aty është e universalizuar në emra konkret. Dhe kjo traditë, vjen nga një traditë e vjetër pagane e jona, mbi perënditë. Pavarsisht se sot jemi më myslimanë apo më katolikë se popujt nga kanë ardhur këto besime. Dhe pavarsisht se ata pionerë të besimeve në Shqipëri, ata nuslimanë të mirë, apo katolikë të mirë, apo ortodoksë të mirë…, që i kujtojmë sa për tu mburrur. I kemi varrosur me kohë. Po të na japi Kina lekë, ne bëhemi edhe si të dojë ajo, budistë apo kinezë komunistë. Kështu që ato të lutura në sheshe, apo qirinjtë e mesnatës janë pjesë e shout të sojit shqiptar. Me baballarë tmerrësisht të varfër dhe djem tmerrësisht të pasur.
Pastaj, duket sikur e ke me shaka. Kur thua…, kur deklaroni që ka (një) deputet të inkriminuar. Me sa duket nuk e di (dini) historinë tonë. Atë që është i yni, është me ne. Ja kështu. Ashtu si puna e çmimit me gazetarin. Të quajmë kriminel kur nuk je me ne. Po, po pasi bëhesh me ne, je i kulluar. Je kristal, qelibar. Dhe ne të tjerët, ne meleonat…, turma kujton se nuk e besojmë që kështu është? Njëqind përqind. Dorën në zjarr e fusim, deri në rrëzë të sqetullës. Për atë qelbësirën vritemi e bëhemi copa. Pra nëse gazetarit i japim çmimin. Qelbësirës i japim lavdinë. Ndaj shkoqur…, me gjithë mend qënka vetëm një aty brenda? Sikur nuk vete. Kaq. Dhe nuk është aspak turp.
Për kë po vriten shqiptarët e Maqedonisë
Nga Ilir Levonja/
Sa herë që afrohen fushatat zgjedhore në partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, marrim njoftime grindjesh, sherresh e vrasjesh.
1)Më 9 maj të 2015 Kumanova u gdhi nën të shtëna dhe shkëmbime zjarri. Televizionet jepnin një mot gjysëm të grinjtë. Por me helikopterë të policisë që patrullonin. Asfalti i rrugëve me gëzhoja fishekësh. Rrugët me mjete të blindura. Madje që evakuonin edhe civilë. Nga ana tjetër vinin të paqarta lajmet e viktimave. Se çfarë ishin ata qytetarë, shqiptarë të Shqipërisë. Shqiptarë të Kosovës. Shkurt shqiptarë nën emrin e një tjetër UÇK-je. Vinin aludime për trazira të porositura nga Serbia deri dhe Rusia. Ndërkohë luhej edhe me Shqipërinë etnike. Shqipërinë e madhe. Shqipërinë e munguar të shqiptarëve. Atë që është pengu dhe frymëzimi. Ndaj pati edhe vërshime dialogësh, shkëmbime me inat dhe sharje mes njëri-tjetrit. Mes shqiptarëve. Palë që brohorisnin bijë liridashës. Dhe palë që u dukej një aventurë. Palë që ishin një me pushtetin. Dhe palë që i quanin tradhëtarë, të shitur etj. Shkurt një zallamahi.
Megjithatë, në protetstat e opozitës. Protestave të Zaevit. Pas ngjarjeve të Kumanovës. Shqiptarët marshuan si kurrë më parë. Përkrah maqedonësave opozitare. Madje lidhën dhe flamujt e kombësive. Duke dëshmuar në fund të fundit qënësinë në një shtet multietnik, por shtet i tyre.
Megjithatë prapë të vrarët, apo ish ushtarët e UÇK-ës. Nën sfondin e një Kumanove gri, çative të shqyera, erës së blozës, fishekëve të zbrazur, mureve të rrëzuar… grindjeve dhe deklaratave të liderëve me shkëlqim stemash partie… shtypistave, ashtu dhe kështu. Pra të vrarët, varrosen me nderime shembullore.
2) Në kushtet e sotshme që janë shqiptarët e Maqedonisë, shto edhe ato që ne dimë nga memoria, pyetjes mbi viktimat i është përgjigjur një gojë plot mllef. Shkjau. Qoftë ky serb, maqedon, malazes. Dhe njerëzit gjithmonë ishin të dijshëm. Të kujt janë këto viktima? Të shkjaut. Të maqedonit. Të serbit. Kaq. Dhe ne që ishim mësuar t’ia ngjeshim shkjaut.
Dhe për dreq, përsosmërisht, ndër breza, është mbrujtur një farë urrejtje sa ia kalon një kohe reale, njerëzore. Një urrejtje prej çeliku dhe betoni. Urrejtja ndaj shkjaut.
Urrejtja ndaj diskriminimit. Urrejte ndaj besimit. I quajmë serbë shqiptarët ortodoksë. I quajmë malazesë, grek, maqedonë. Dhe me një dashuri çmenduri për radikalizmin islam. Aq sa dhe synetllikun e shpallin me fushata suksesi. I quajnë arritje kërkesën e plotësuar ndaj Turqisë për të sjellë ca kirurgë që të bëjmë synet djemtë. Të gjitha për inat të shkjaut. Madje nën këtë inat mund të vritemi edhe me njëri-tjetrin. Të vrasim fiqinjin, vëllain. Ta quajmë tradhtarë, spiunë. Shkurt shkja. Shkurt zallamahi. Potere, për turkoshqiptarët e rinj. Dhe zhurmë për shqiptarët e vjetër e të rinj.
3)Kështu edhe në muajin maj. Një armatë shqiptarësh u ndesh me policinë dhe aty u vranë disa syresh. U tha nga policia maqedone, megjithëse aty në polici ka, kishte edhe shqiptarë. U tha ish ushtarët e UÇK-ës nga Kosova. Dhe rezulton që pjesa më e madhe janë e datlindjeve nga 71, 85, 91. Zoti të na mëshirojë që po i kujtojmë kështu. Por UÇK-ja vet u kurorëzua në Lap, në mars të motit 1991. Dhe e mbaroi misionin me çlirimin e Kosovës 1999. Dhe sot quhet Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. I bie të ndodhi përsëri, që për inat të shkjaut, të vënë në punë propogandën kundër vetes. Kundër njëri-tjetrit. Sa akoma shqiptarët e Kosovës grinden se kush është në fakt UÇK-ja. Ajo e ekzilit apo jo e Lapit. Kështu edhe në Maqedoni. Kështu edhe në Shqipëri. ndaj rezulton se përdorimi i UÇK-ës, në Maqedoni, në Kumanovë, është pjesë e kësaj zallamahie shqiptare.
Dhe ne me atë trumbetimin tonë prej flluskash patriotizmi prodhojmë dëshmorë.
4) Mirëpo nëse të ndjerët e kësaj natyre na i justifikon policia e shkjaut, mund edhe t’i quajmë dëshmorë. Edhe pse termi rrjedh nga një kohë tjetër. Uzurpimesh, pushtimet. Pra të natyrës pushtues, vatan. Por kur ka një qeveri, kur ka një bashkëqeverisje… dhe ne jemi pjesëmarrës në ‘të. Maqedonasve u lind e drejta t’i quajnë grupe terroriste etj.
Sidoqoftë, e çfarëdoqoftë, prapë me ndjesë për jetët e humbura. Le t’i justifikojmë kështu. Por si t’ia bëjmë këtyre vrasjeve tona? Dëshmorë të kujt do ta quajmë komandant Shqiponjën, Kumanovë? I vrarë dy ditë më pare nga shqiptarët. Dëshmorë të kujt do ta quajmë Artan Musliun, Strugë? I vrarë sot nga shqiptarët. Të kujt janë këta dëshmorë, shqiptarë të Maqedonisë? Po këta të vrarë mes shqiptarëve, përpara syve të shkjaut, si do i quajmë. Çfarë emri do uu vëmë?
Sillem e them, mirë me maqedonin, për shkak edhe të asaj urrejtje prej çeliku e betoni… që palësh ua kemi ngjizur edhe fëmijëve. Dhe ata më keq nga ne, me fëmijët e tyre. Nuk e kuptojë, përse po vriten tani me njëri-tjetrin? Mos kanë ngatërruar shkjaun? Pra na jepni një përgjgije. Dëshmorë të kujt do i quajmë.
Do i shpallim heronjë. Por të kujt?
5)Me që e nisëm me Kumanovën dhe për dëshmorët e saj. Duhet të ketë qënë data 26 maj. Kur ceremonisë së varrimit të heronjëve, iu kundërvu një analist i njohur me emrin Enver Robelli. Ai kumton me një titull të ashpër. ”Një vend që kriminelët i nderon si heronj, ardhmërinë e ka të errët” Më tutje ai vazhdon po me mllef. ”Në Kumanovë këta çlirimtarë të vetshpallur lanë pa shtëpi qindra banorë. Vendimin se me çfarë mjetesh duhet të luftojnë për të drejtat e tyre, e marrin shqiptarët e Maqedonisë, jo haraçmbledhësit e Kosovës”. Mirëpo shqiptarët kudo që janë, se shqiptarë janë, zakonisht më shumë dëgjojnë analistët brenda partive. Dhe lufta në emrin e shkjaut, të lirisë dhe Shqipërisë së madhe, bëhet pikërisht nga haraçmbledhësit e shumtë në Ballkan.
Ndofta edhe nga një fakt kokëfortë që hera herës del në në analet e memories sonë. Që ne e kemi të pamundur ta gjejmë me njëri-tjetrin. Sidomos në liri.
- « Previous Page
- 1
- …
- 83
- 84
- 85
- 86
- 87
- …
- 102
- Next Page »