Nga Ilir LEVONJA/
Në memorien e besimtarëve, Iftari i përket bamirësisë, ku i kamuri ndihmon të varfrin. Pra është një lloj vakti buke për të ngopur të pa ngopurit. Njerëzit në vështirësi ekonomike. Dhe këtë e bëjnë kryesisht ata që kanë më shumë. Ata që u ka ecur. Ose janë më të zotët në jetën e përditshme. Indicje që afrojnë edhe njeriun me njeriun. Madje Iftari i hapur bëhet edhe për udhëtarin. Atë udhëtar që e zë rruga jashtë. Vëllai mysliman i thotë bujrum.
Ka aq forcë si rit, brenda zemrës së njeriut besimtar. Sa kthehet në normë të padiskutueshme edhe midis armiqëve. Mjafton t’i hidhni një sy faljes së vakteve të Haxhi Muratit, në veprën me të njëjtin titull të Leon Tolstoit.
Në të njëjtën kohë besimtari i mirë e trajton si vaktin e së përditshmes në shtëpinë e tij. Si Iftarin ashtu dhe Syfyrin. Rite këto që dinë më mirë ata që agjerojnë. Por që gjithsesi referuar edhe librave të shenjtë, është gjest bamirësie. Ndaj hapen mensa publike. Ndaj ofrohet ushqim falas. I forti ndihmon të dobtin. Në fund të fundit janë njerëz. Uria tek njëri dhe pastëria tek tjetri duhen ndërthurur. Kësaj radhe në emër të shpirtit. Në emër të Allahut.
Mirëpo vitet e fundit është kthyer në një show mediatik. Publik dhe garash tavolinash. Që, në tryezat e bamirësisë sheh kostume dopiopetë, të nginjurish. Faqekuqe, me rremba. Sheh sy të dhjamosur që i falen jo varfërisë, por entuziazmit. Sheh? Çfarë sheh? Deri sqimatarët burrat e shqetit.
I dashur President, Kryeministër, kryetarë partish, biznesmenë të fuqishëm… shqiptarë besimtarë. Kjo ngrënia në publik është bërë një show vitet e fundit. Show i Iftarit. Ju ka hipur marria e qejfit se kush mund ta tregojë më bukur se ju, se si shtrohet ajo tavolinë.
Sidomos kur e shtrojnë në mes të shesheve. Biles vura re diku, në një qytet, grupi i tavolinës hanin, ndërsa gjindja ecte anash dhe shikonte. Shikoni ata që hanin. Nën çadra hijesh prej plazhi a kashtore kënetash. Hanin plot shkëlqim. Plot reflekse kostumesh e kollaresh. Pasi nuk dua të përmend edhe veshjet e klerikëve. Në mos i shikonin nga uria. I shikon nga habia. Ose nga e pa zakonshmja.
I dashur President, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit, kryetarë partish, biznesmenë të fuqishëm shqitarë, njerëz që shtroni iftar.
Bëni mirë ta kuptoni drejt dhe ta shërbeni drejt iftarin. Nëse është darkë në emrin tuaj, tëndin… qëndroni në krye të tavolinës. Mbushjuni pjatat njerëzve. Shtrëngoni një dorë të rreshkur, dorë të urituri, dorë udhëtari, dorë të varfri, dorë besimtari. Ofroni Allahun, Zotin e vërtetë, Atë të cilit përjetësisht i falet njeriu.
Të dashur klerikë, besimtarë të mirë, mos e largoni Zotin nga njeriu.
Më mirë tu rrefehem
Nga Ilir Levonja-Miami-Florida/
Rrëfimi i mëposhtëm vjen si shërbesë me përpjekjen e mirë për t’i dhënë përgjigje disa dhjetra pyetjeve. Disa dhjetra kërkesave të sinqerta në lidhje me artin poetik. Disa zërave që kanë nisur rrugën e meditimit. Duke menduar se fjala e një paraardhësi është suporti i duhur për t’i mbajtur në shina. Duke ëndërruar me të drejtë, një vëmendje që shpesh i bën të ndihen të vetmuar. Dhe me që jemi tek vetmia. Po e themi për së pari…, krijuesi është qënia më vetmitare në ekzistencën e tij. Jo për një, por për dhjetra e dhjetra arsye. Ndaj është krijues.
Miq të mirë, të reja apo të rinj që sapo keni nisur udhëtimin. Që me dashamirësi më pyesni se çfarë mendoj, çfarë duhet të them unë për krijimtarinë tuaj? Këto e-maile unë i ruaj. U gëzohem. Dhe dua t’u gëzojë edhe ju.
Unë do të përpiqem të bëj një listë me mendësinë time. Duke thënë atë që ndodh brenda meje. Duke thënë atë që është dhe jo atë që duhet. Pra më mirë tu rrëfehem.
1) Por besomëni, më i pa afti për të thënë fjalën që ju kërkoni, jam pikërisht unë. Ose më shkoqur, mos u merrni fare me krijuesit e gjallë. Vlerësuesi që u duhet është lexuesi. Rrëmbeni zemrat e tyre që të ndjeni fuqinë magjike të fjalës tuaj. Po e përmend këtë pasi shoh që disa vuajnë nga puna e çmimeve që jepen, ndahen, apo shiten. Janë të gjitha të mundshme. Por është më e bukur të shkruash për lexuesin se sa për çmimet. Edhe çmimi më madhor një ditë kthehet në fakt historik, por asesi në memorien e një populli apo lexuesi të tërë. Unë sot përshembull nuk e mbaj mend De Radën për çmimet, por për një varg të tillë që s’lodhem së përmenduri…, ”Bie, por s’dua të fle”.
2)Hiqni dorë nga dhurimi i librave. Sado shenjtëri ka një dhuratë, tek libri duhet të mbani dorën. Pjesa dërrmuese e krijuesve botojnë me paratë e xhepit të tyre ose të ndonjë sponsori dashamirë. Por edhe para të marra borxh. Ose ose me paratë e fëmijëve në kurbet…, edhe me forma të tjera suporti nga miqësitë në shtetin tonë të bjerrur. Ka miq që u afrohen e u zemërohen për një kopje. Ndërkohë miqtë duhet të jenë të parët tek banaku. Madje duhet të jenë promotorët tuaj. Nga ana tjetër kujtohuni se, Miku i shkrimtarit ndodhet në bibliotekë. Kështu më mirë çojuani bibliotekave të vendit. Sot janë rrugët e hapura. Le tu gëzohet një lexues, qoftë edhe (1). Në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Prizëren, Shkodër etj…, se sa ata me të cilët ndani birrat apo kafetë përditë. Hiqni dorë nga këto qoka dite, pasi libri i falur nuk lexohet. Kësisoj as mos iu zemëroni kur nuk u falin libra. Biles jetoni sa më pak më këtë situatë.
3)Tani tek poezia. Mos pyesni asnjëherë të tjerët nëse u pëlqeu apo jo poezia që shkruat. Por as mos i injoroni kur u thonë diçka. Shkruani për veten tuaj së pari. Po u pëlqeu ajo që keni thënë. Keni bërë diçka. Oreksi dhe shijet e të tjerëve janë të pafundmve. Poezia është një gjëndje tekanjoze që ka oreksin e saj dhe jo të atij që e lexon. I cili, apo e cila mund të jetë në një gjëndje ndryshe shpirtërore. Ndaj qëllon që vargjet që sot nuk na duken kushedi, na lënë mbresa në një ditë tjetër. Në poetikën tonë, kemi rastin e Lasgush Poradecit. Na dukej i vjetëruar në fillimet e letërsisë sonë të realizmit. Tani vdesim e kemi në majë të gjuhës.
4)Çdo gjë e shkruar, përmes kësaj ndjesie merr vlerë kohore. Që domethënë mund të mos gëzoni asnjë, askënd, askund… Dhe prapë të keni vlera. Dhe që mund t’u shijojnë atëhere kur ju nuk do të jeni. Siç ndodh sot me rastin Mitrush Kuteli. Por dhe prapë mund të harroheni bodrumeve për shkak të ndonjë revolucioni shoqëror. Të dënoheni. Të vareni në mes të sheshit. Siç ndodhi me Havzi Nelën në Kukës. Ose të dëboheni nga vendi juaj. Eshtë rasti i fenomenit Borhes në Argjentinë. Nerudës në Kili. Ricosit në Greqi. Danucios në Itali. Hikmetit në Turqi.
Pra shikojeni veten si krijues deri aty kur kënaqni instiktin tuaj. Pra veten për së pari pastaj të tjerët.
5)Pyetjes se kë të lexojmë? Dua t’i përgjigjem po prapë duke ndjekur shijen tuaj. Nëse keni qejf letërsi që u argëton. Lexoni atë lloj krijimtarie. Nëse keni qejf letërsi që ju zymtëson, lexoni atë. E rëndësishme është të mos e bëni për modë, por të udhëhequr nga shija juaj. Megjithatë më e rendësishmja është të lexoni sa më shumë sa jeni të rinj. E shumta deri tek të tridhjetat. Më pas nuk lexohet. Ose lexohet shumë pak. Dhe ka një shpjegim, o bëhesh krijues o mbetesh lexues.
6)Sot ka liri të plotë krijuese, por liria është edhe rreziku më i madh i krijuesit.
Mendon se mund të bëhesh i famshëm. Mendon se mund të bëhesh i pasur. Mendon se je qëndra e vëmendjes. Mendon se je vetmitar. Mendon se je disfatist. Mendon se të kanë ngrënë hakun. Pushteti nuk po bën për ty, shteti nuk po të jep, vendi të ka harruar etj. Mendon se ta kanë me hile, se të kanë dëbuar, se të kanë sëmurur etj. Siç e shikojmë liria për së pari është e kërcënuar prej teje. Pra armiku mund të jesh edhe ti, për ty. Jo vendi, jo toka. Në këtë këndvështrim mbaj fytyrën e krijonjësit me pak mëshirë Zoti. Të krijonjësit. Atij që u përket të gjithëve por që nuk ka asgjë të përbashkët me çfarë përmendëm mësipër.
7)Sot ankohen për kritikë dhe ka një kritikë letrare shoqërore, mes të njohurish etj. Mos e kërkoni asnjëherë suksesin kësisoj. Do jeni të robëruar, të ndrydhur dhe do u tretet dashuria. Kësisoj do i filloni projektet me inat, kur duhet t’i filloni normalisht dhe me dashuri që i ngjan dashurisë së parë fare në jetën tuaj.
Megjithatë kritiku më i mirë je ti. Thuaja vetes çdo ditë. Se, jo në çdo të tillë njerëzore do bësh gjëra të bukura. Pra, jo gjithçka që shkruan është domodoshmërisht e pëlqyeshme. Duhet të pëlqehet.
Megjithatë një poezi e dobët sot, por jo vetëm ajo, të sjell më fuqishëm të nesërmen. Dhe ti duhet të dallosh kufirin midis tyre për tu përsosur.
8)Përfshihuni në jetën e përditshme. Mos kini frikë nga pjesëmarrja. Nga bindjet e ndryshme politike. Përfshirja e çdo qytetari në jetën e një vendi, është më e dobishme se mospërfshirja. Se sa ata zërat indeferentë që tundin në ajër diplomat, kualifikimet etj. Intelektual nuk të bën tagri, por përfshirja. Por si kudo ekzistenca juaj është ta bëj më të bukur dhe më të komunikueshme jetën e vendit.
Mos bëni kompromise pasi do vrisni misionarin brenda jush.
9) Mësoni sa më shumë gjuhë të huaja. Lëvizni .. Mësojini për të komunikuar dhe lexuar, jo për t’ju mburrur njeri-tjetrit. Bota po shkon drejt globalizmit, megjithatë përvoja me gjuhët është një bukuri pranverore sidomos për të kuptuar përfundimisht se, vokacioni është pararendës i çdo disipline gjuhësore. Ta dini përmes poezisë mësohet me argëtim.
Do zbuloni se sa e bukur është letërsia e krahasuar. Se shumë të përbashkëta kemi.
Do kuptoni se ajo që na ka bërë të huaj ka qënë liria e munguar. Dhe se liria është mirëfilli poezia që ndodh brenda jush. Vështrimet, duart, ngjyrat, traditat janë metaforat që i duhen gjuhës suaj.
10)Me që jemi tek gjuha, shkruani dhe krijoni ashtu si ua udhëzon gjuha brenda gjoksit. Me dashuri dhe kujdes, pa u përfshirë në debatet shterpe të gjuhës së njësuar. Gjuha e artit nuk është ajo e shtetit, por e kombit. Aty ka tinguj të paparë, fjalë të pa dëgjuara. E që ju mund të sillni tinguj të tjerë, fjalë të reja. Eshtë një begati ngjyrash vetëm se duan dashuri, jo kritere.
Ka kapërcylle tingujsh që janë mjalt në një dialekt. Ashtu sikur ka edhe të tjerë në dialektin tjetër. Jetoi dhe përjetoi. Dhe na i sill edhe neve ashtu si i pa e i dëgjoi qënia jote. Jo se si e duan akademikët. E para ka lindur fjala, bëlbëzimi, mbasandaj disiplina.
Krijuesi është misionar i bëlbëzimit në ripërtëritjen e së përditshmes.
11)Shkruani dhe krijoni në gjuhën që ndiheni mirë. Por mos urreni as ata bashkëkombas që shkruajnë edhe në gjuhën e huaj. Janë pjesë e jetës dhe e përvojave personale. Ka krijues që sa më shumë u largohen vendit të tyre, aq më shumë e duan atë. Dhe gjithçka të tijën. Ashtu sikur ka edhe të tillë që nuk mendojnë si ty. Dhe ne, për asnjë arsye nuk mund të themi se ata nuk duan vendin e origjinës. Aq më tepër që e dimë botën e tjetrit përmes asaj brenda tonës. Prapë ekzistenca është përvojë personale. Dhe ne prandaj jemi krijonjës. Përmes ekzistencave tona. Sepse kështu, duke gjykuar, duke treguar me gisht, ne pa dashje bëhemi ndëshkonjës. Dhe harrojmë që jemi krijonjës.
12)Vlerësoni kohën. Tani u duket sikur e keni me shumicë. Do vi shumë shpejt dita që do u duket e kundërta. Që do urreni veten se sa bjerrakohës keni qënë. Se sa pak ka njeriu nëpër duar prej pamatësisë së saj.
13)Sigurisht çfarë unë thashë nuk është absolute, por i thashë për faktin e besimit tuaj. Ju më dhatë mundësinë të flasë për këto gjëra ndaj dhe ju falenderojë. Dhe ju urojë suksesin.
Dum karamele tate, dum çokollata!
Nga Ilir Levonja/
Përballë entuziazmit të shqiptarëve, Anxhela Markel ka diçka për të thënë. Qetë dhe me sqimë, ashtu si një gjermane, deklaron. ”Eshtë Komisioni Evropian ai që vendos nëse Shqipëria i ka përmbushur kriteret, dhe jo unë.” Mirëpo tironsve, u duket sikur në vend të saj është Valbona Mema, ndaj edhe këndojnë. Dum karamele tate, dum çokollata. E bëjnë në kor. Dum karamele tate, dum çokollata. Pse jo? Bjonde Valbona Mema. Bjonde po me leshë të verdha do thoshte Jovan Bregu, edhe Merkeli. Të dyja pra bjonde. Dhe kori i qeveritarëve tanë tironsa që duartrokisnin, buzëqeshnin… Dhe këndojnë gjithë qejf, dum karamele tate, dum çokollata.
Merkeli thotë kriteret, kriteret, kriteret. Ne avazin, dum karamele tate, dum çokollata.
Çuditërisht Kryeministri nuk e ngriti zërit t’i thoshte, zonjë o na bëni europianë ose u bëmë islamistë radikalë. Ashtu sikur i foli Europës disa ditë më parë. Nuk e di pse s’e bëri pasi dhe atmosfera qe diell. Ngjyra të gjalla. Kori në bulevard po ashtu, entuziast. Dum karamele tate, dum çokollata. Por thonë që me Merkelin e ka mirë, shkëmbejnë dhe batuta. Dhe neve kjo na bën të lumtur. E kemi Kryeminstrin gaztorin e koktejleve. Kështu që i bie të këndojmë. Të gjithë, dum karamele tate, dum çokollata.
1) Tiranë 8 korrik 2015. Në hyrjen kryesore të Kryeministrisë, për nder të çiftit Rama Merkel shfaqet një ballkon modern. Plot drita. Me ca krahë të zgjatur që e mbajnë. Fort. Po fort ama. Prurja e re të zotit të shtëpisë. Si shenjë proteste në ndërhyrjen me dhunë në ndërgjegjen historike të arkitekturës perandorake, në godinën qeveritare. Dolën në protestë disa nga heronjtë e mbrojtjes së monumenteve të kulturës për Shqipërinë. Shkreli, Tare dhe Lamja i Aluizmit. Tekstualisht ata thanë, ”është një krim që i bën ky burr shteti identitetit të saj perandorak. Ne e kundërshtuam edhe në komisionin shtetëror për mbrojtjen e monumenteve me vlera kulturore. Nuk na dëgjoi kush, por ne e bëm tonën. Besoj të na dëgjojnë edhe ata këshilltarët, të na dëgjojë edhe populli. Projekti fillestar i tre projektuesve italianë nga viti 1939 nuk ka ballkon”. E bën si burrat. Kështu e kanë bërë gjithmonë. Më kujtohet edhe për hekurat e Presidencës. Ato që preu Nishani në shkurtin e 2014. E bën edhe sot më 8 korrik 2015. Përpara çiftit Rama Merkel, por ata nuk i dëgjuan. Populli, bulevardi, tironsit këndonin. Dum karamele tate, duam çokollata.
2)Tiranë 8 korrik 2015. (si) Tha ministri Tahiri. Duhet marrë shembull nga ajo, bjondja. Respektoi qarkullimin. Rendin. I bëri përshtypje. Edhe mua më bëri përshtypje. Ndjeva keqardhje për veten. Merkeli ka rregullore qarkullimi kurse ministri im nuk ka. Po tjetër? Përfytyrova asetin politik gjerman Merkel. Çfarë të thuash. I ka hipur policëve në kokë në opozitë. Ndaj rri veshur me pantallona. U ka vënë zjarrin makinave. Eshtë organizatore e shkëlqyer e militantëve me altoporlant. Bredh në tarracën e qeverisë së saj me radio marrëse në gojë kur opozita proteston. Në këtë kontekst kemi të drejtë të krenohemi. Ngjakemi. Qënkemi për reforma. Dhe për merita të tilla. Si reformatorë, na takon të futemi në kryqëzim edhe kur është ndezur e kuqja. Mund të parkojmë në trotuar, mund t’ia grisim gjobën policit në surrat. Merkeli le të mbajë rregulloren. Neve meritat. E pse duhet marrë shembull nga ajo aliene. Nga ajo jashtokësore. Nga ajo bjonde që shikon e dëgjon gjakftohtë ritin tonë prej tironci. Ahengun e njerëzve të lumtur. Këngën, dum karamele tate, dum çokollata.
3) Tiranë 8 korrik. Shtatori është gjithmonë muaji i bereqetit. Në shtator do i bëjmë dhe ne të gjitha. A ka në drejtësinë shqiptare sot, korrupsion? Ç’është ajo fjalë. Korrupsioni fillon në shtator? Atëhere do fillojmë edhe ne reformat.
Mu kujtua vite më parë. Vjeshtë e 99-ës. Kur një ministër i brendshëm, bëri ca deklarata të forta. U tha shqiptarëve, shumë shpejt dhe nuk do përmenden më të fortët apo bandat e tyre nëpër qytete. Dhe kur nisi fushata pas 1 jave. Në bazat e përfolura u gjetën vetëm gjynahqarët, ushtarët. Kapot kishin fluturuar.
Mu kujtua ajo shprehja franceze. Nëse thua nesër, nuk ke për ta bërë asnjëherë. O bëje sot, o nuk e bën kurrë.
Në bulevard po këndon një bjonde, dum karamele tate, dum çokollata.
Mos thuaj i vranë. Thuaj i vramë!
Nga Ilir Levonja-Florida/
Sikur kaq solidararitet të kemi në të përditshmen tonë. Ne Do ia kalonim edhe Francës. Edhe një demokracie të konsoliduar të një vendi si Amerika. Ne do të ishim modeli i qytetarit të një shoqërie të lirë. Sepse ne jemi vital. Dhe priremi nga zemra.
1) A e dini pse ndiheni të indinjuar? Sepse u përdhos toka juaj. Kjo ka domethënien e madhe të ekzistencës së një populli. Që në fakt bukurinë e vendit të tij e ka ezauruar me folklor të tepruar duke harruar që po e jeton atë. Po kështu edhe bukurinë shpirtërore e përjeton vetëm me ndjesitë e mira. Duke harruar se jeta e njeriut ka edhe poshtërsi. Ose pabesi, e ligësi. Madje në më të shumtën e kohës ne shpenzojmë postulate frazash. Duke u mahnitur frazash jo duke i përjetuar. Duke i treguar, për sportivitet, për dituri. Eshtë kjo arsyeja madhore që ne e kemi të vështirë të kërkojmë ndjesë. Jemi të shkëputur nga realiteti. Jetojmë mendërisht. Jo njëherësh, tokë, trup e shpirt.
Kjo ka sjellur edhe vegjetimin sistemesh, qeverish, qeveritarësh. Madje dhe luftra klasore mes njëri-tjetrit. Po sot nuk është koha e politikës. Eshtë e indinjatës shpirtërore. E turpit që ndjejmë. Që është ndryshe nga ai i të ashtuquajturit qeverisës. I yni është turp njerëzor. Ndaj ka një vërshim kudo shqiptar për atë çfarë ndodhi mbrëmë në darkë në Shqipërinë tone.
2)Ne sot u njohëm me turpin. Ndaj na duket sikur bashkë me Majkëllin dhe Anën. Jemi vrarë edhe ne. Një dy apo tre të kërkuar nuk janë shpirti i malësorit shqiptar. Përpjekja e tyre fisnike për të ndrequr atë jetë që është sa krenaria e një e populli. Aq edhe turpi I qeverive. Andej akoma mungojnë kushtet më minimale të jetës bashkëhore. Por asesi përpjekja për të mbijetuar me turizmin. Duke i mëshuar jetës bio. Dhe ia kanë arritur. Deri sa kanë vizitorë. Kanë turistë. Por një, dy apo tre të kërkuar, janë edhe keqja. Për të cilën duhet hera-herës të ulemi e të flasim.
Nga ana tjetër janë atë që prej të cilëve, banorëve aty u kanoset përpjekja me poshtërsi të tilla. Të një dy apo tre personave që për pesë kacidhe. Qofshin prej floriri. Qofshin diamante…, kujtojnë se mund të kapin parajsën. Dhe se ia hodhën jetës.
Çfarë është një vrasës? Janë përpjekur me qindra. Madje e kemi pjesë të emocioneve artistike. Për shkak edhe të marketingut me temë pasionet e çmendura. Apo të sëmura. Sidomos kur vret nga pas. Nga afër.
Nuk e di se si në atë vend të halleve të mëdha. Të lindin të tillë pasionantë. Duke I kujtuar njerëzit e thjeshtë, si poseduesit apo zotëruesit e mirëqënies së tyre. Por ja që qënka fakt. Dhe u bënë vite tashmë. Që pikërisht nga toka jonë të dëgjojmë për vrasje dhe grabitje të gjakftohta. Pra se çfarë është një vrasës. Nuk ka më asnjë rëndësi të rrekemi ta gjejmë. Përmes filozofive, emrave dhe të tjera. Ne e dimë tani që, qënka edhe shqiptar. Ndaj u bëm me turp.
3)Në botën virtuale shqiptare po shoh një reagim. Dhe më vjen mire. Po shoh që Shkodra do mblidhet sot në darkë dhe Tirana nesër. Po shoh edhe thirrje të një pasnjëshme. Edhe në Kosovë etj. Shoh njerëz që në statutet e tyre në fb kanë vendosur flamurin e Çekisë. Emrat Majkëll dhe Ana. Kudo ka indinjatë.
Bëjmë mire të mblidhen në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Bëjmë mire që të lutemi shpirtërisht, jo për show. Eshtë Turp i tokës.
Kështu do lehtësojmë shpirtrat tanë edhe nga turpe të tjera. Brenda vetes. Brenda nesh. Tek vrasjet tona.
Pranvera e shqiptare e vitit ’90-të
Nga Ilir Levonja/
Në pranverën vitit 1990 një gazetar italian, i hollë, me flokë të rënë, me mustaqe të zeza…, shëtiste në Shqipëri. Ai do fluturonte nëpër viset tona. Do futej nëpër zonat e larta. Në zonat e ulta. Në oborret e njerëzve. Do u bënte pyetje shqiptarëve. Të cilët disa me mburrje e disa me ironi. Do jepnin ato përgjigjet tona standarte. Që mirë jemi, mirë. Plot kemi. Poshtë armiqtë. Të rrojë partia. Do i mëshonte me kamera parrullave. Ashtu me sportivitet dhe do na fliste për herë të parë. Në atë mënyrë rrëfimi që nuk ishin mësuar shqiptarët. Epoka televizive e jona qe e dominuar vetëm nga suksesi dhe arritjet e mëdha. Madje do i tregonte botës mbarë për mekanizimin dhe agregatet tona bujqësore, deri tek qerret. Dhe mjetet e tjera me të cilat ne ndërtonim socializmin. Ky ishte Federico Fazzuoli i emisionit Linea Verde të RaiUnos. Ne ishim të gjithë të shoguar për shkak të atyre emocioneve që provon kur shikon veten tënde me sytë e një të huaji. Që deri atë diell jete. Ishin në kokat tona si qënie që na donin vetëm të keqen. Që ku të gjenin rastin dhe të na gllabëronin.
Dhe jo më larg se nga këto emocione ndodhi edhe 2 korriku. Një lloj marazi që shpërtheu dhe bëri të papërfillshëm një regjim gjysmë shekullor. E gjitha kjo, ka hyrë në analet e kohës sonë si eksodi i 2 korrikut 1990. Ose ngjarjet e amabsadave. Edhe pse ishte pikënisja. Fryma, ajo u ezaurua nga zhvillimet e tjera. Sidomos ato politike që erdhën më pas. Dhe që konkluduan me lëvizjen e dhjetorit, pluralizmin etj.
Këtë e tregoi më së miri edhe ky njëzet e pesë vjetor. Që nuk u përkujtua shtetërisht, por vetëm me deklarata spontane që prapë u pleksën me zhvillimet e ditës në polikën shqiptare. Nga ana tjetër plot webe, kanale televizive, reportazhe, e kaluan si një ngjarje me atmosferë. Pra me rëndësi të madhe për zhvillimet e më pastajme të demokracisë në Shqipëri. Por siç e thashë, për asnjë çast zyrtarisht.
Në fakt është një ngjarje që i përket popullit. Që i përket masës në përgjithësi. Pasi është nisja drejt Perëndimit. Këtu nuk mund të përjashtojmë as familjet në favor të regjimit. Për më të thjeshtën arsye se ata sot janë pjesëmarrës dhe bashkëqytetar në botën perëndimore. Në mos drejt për së drejti, janë përmes fëmijëve të tyre. Që kanë emigruar dhe po jetojnë aty. E që në një farë mënyre o një tjetër, janë ata që bëjnë dallimin midis sistemeve. Të atij që ndrtuan dhe atij që iu kundërvunë.
Zakonisht historia i mban në sqetull ngjarjet e mëdha. Mirëpo me 2 korrikun nuk ndodh kështu. Edhe pse e tillë që shënon hapjen e një fondi ekonomiko-politik, prapë nuk mund të klasifikohet si e rrangut shtetëror. Edhe pse nisja e transformimeve demokratike. Nuk mund të klasifikohet si datë që duhet të përkujtohet shtetërisht. Eshtë ndoshta një nga ngjarjet që do mbetet ngjarje për aq kohë sa mos të kemi një histori tonën. Ndofta edhe për faktin e thjesht. Që nuk prodhoi një lider politik. Edhe prodhoi qytetarë perëndimorë. Që nuk mori asnjëherë suport politik. Megjithëse ishte një shpërthim masash. Pra një ngjarje kapërcyell në fatet e popullit tonë.
Pse nuk është festë e shtetërore? Ose të përkujtohet shtetërisht dhe solemnisht 2 korriku i vitit 1990? Aq më tepër që po shoh sot edhe nëpër webe, se edhe në Kosovë kjo datë përkoka me lëvizjet e para për pavarsimin e Kosovës. Për afrimin e vendit po me Perëndimin? Arsyet janë të shumta. Por ndër më të rëndësishmet mund të përmëndim politizimin më shumë se sa duhet, me ndarje kahesh, të vet popullit. Pjesa dërrmuese e qytetarëve e shikon prespektivën në dy rrugë, pjesëmarrjes në parti. Ose ikja jashtë shtetit.
Në të njëjtën kohë duke qënë një ngjarje dhe jo lëvizje, protagonistët e saj janë në Perëndim. Shumë prej tyre japin intervista dhe shpjegojnë në një apo tjetër mënyrë, atë ftohjen e emigrantit me vendin amë. Ose vështrimin me një koncept të ri të politkëbërjes. Për rrjedhojë edhe kur afrohen ata stonojnë, karshi tropikut politik shqiptar. Ku të dya gjysmat janë vetëm për njërin. Dhe njëri, vetëm për vetem. Kësisoj edhe e vërteta e faktorëve të ndryshimeve në një vënd nuk ka si të jetë reale. Por arsyeja më e fortë, më reale. Dhe dominantja është ajo që tha me pak dhe shumë fjalë një përfaqësues i lartë politik i vendit, sot në Kuvend. ”Gjatë këtyre viteve janë shitur dhe blerë deputetë, gjykatës, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, prokurorë e nënpunës etj”. Por edhe ky tepër vonë. Kur nuk e ka pushtetin. Kjo, dhe thjesht, sepse bindjet politike janë më forta se ato qytetaret.
- « Previous Page
- 1
- …
- 85
- 86
- 87
- 88
- 89
- …
- 102
- Next Page »