Shkruajnë nga VLORA: Albert R. HABAZAJ & Jorgo V. TALO/
Fjala e Lamtumirës. Miq e dashamirës të artit dhe të familjes! Sot kemi ardhur që t’i japim lamtumirën e fundit piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani. Hutim, trishtim, tronditje, shokim na shkaktoi kjo ikje e papritur dhe e padrejtë. Lajmi i hidhur për vdekjen e hershme pikëlloi pa masë piktorët, shkrimtarët, mësuesit, pegagogët, nxënësit, studentët, miqtë e shokët, të gjithë qytetarët që e njihnin, apo që i kishin dëgjuar emrin nga veprat e tij të mira, të bukura dhe të dobishme. Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Vlorës, të Universitetit “Ismail Qemali”, të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri”, Vlorë, si dhe me dëshirën e familjes për të shprehur fjalën e lamtumirës, dua t’i them Ilmiut, se vërtet ike, por do të jetojë dhe do të na frymëzojë vepra jote artistike, pikturore e kërkimore – shkencore me karakter të thellë humanitar. Pikëllim i madh, dhembje e thellë shpirtërore, humbje e madhe për artin, arsimin dhe kulturën në qytetin e Vlorës e më gjerë, deri në rang kombëtar, sepse kontributi i tij ka qenë i dukshëm dhe i spikatur. Me pikëllim të thellë po ndahemi nga Ilmi BANI, njëri prej emrave emblematikë të pikturës Vlonjate, figurë e dalluar e pikturës shqiptare dhe e kritikës së artit. Një shpirt i etur për qytetari e për dituri dhe i gatshëm kurdoherë atë qytetari e dije ta transmentonte me zotësi te njerëzit e botës shqiptare dhe më gjerë. Njeri i pasionuar, korrekt si ai, me predispozitë e me kërshëri të admirueshme për kërkime e studime didaktike e shkencore në fushën e shkencave humanitare, në lëmin e artit dhe sidomos të pikturës e të kritikës së artit. I paharruar miku im i shtrenjtë, Ilmi Rexhep Bani! S’kam fuqi të të shpreh dhembjen që më shkaktoi ikja jote si meteor i shndritshëm i artistit qytetar dhe të kulturuar. Mundohem ta mbaj veten, të ngrihem mbi të, se të nderoj shumë. Ashtu sikurse i paharruari Vasil Talo, mësuesi yt dhe i gjithë piktorëve me emër të Vlorës, edhe ti ike shumë shpejt nga një aksident fatal, jo për faj tënd… Koicidencë?! Një odise e tërë të ndodhi, por e pamerituar një fije floku. Ti ishe njeri me kulturë, me zemër të madhe e bujare, balancë ekuilibri, simboli ynë i mirësisë, etaloni i korrektesës. Ti ishe një njeri që qëndroje stoikisht dhe nuk ligështoheshe. Ti punoje vazhdimisht me të gjitha forcat. Luftoje për jetë, për jetë të ndershme, qytetare dhe të lumtur. Pakkush sa ti inkurajonte dhe përkrahte talentet e reja. Do të kalojnë vitet dhe ti, i paharruar Ilmi do të jesh më pranë nesh, ashtu si të kujtojmë të gjithë, të dashur, me buzëqeshjen e jetës, që nuk të ndahej kurrë nga fytyra jote fisnike. O Ilmi, më prishe punë me ikjen tënde, sepse do të më mungojë miku i vërtetë, këshilltari i duhur, modeli i këkuesit ndaj punës studimore, mjeshtri i shkrimeve lakonike, redaktori i rreptë dhe i drejtë te Zoti, busulla e përparimit të punëve të mira të letërsisë dhe artit.Ti, si intelektual i formuar, ishe orë e çast i përkushtuar për mirëvajtjen e punës arsimore, shkencore dhe artistike në Vlorë, i përzemërt dhe i devotshëm në realizimin e projekteve të Pemës së gjelbër dhe të shëndoshë të krijimit në qytet. Dashamirësia jote, ndjenja e sakrificës, solidarësia dhe besnikëria, ishin virtyte morale tuajat, si njeri modest dhe i dashur. Puna këmbëngulëse në procesin kompleks të studimit, përgjegjësia intelektuale, guximi dhe talenti krijues, si dhe objektiviteti shkencor të shquajnë, miku ynë, në kuadër të brezit të krijuesve dhe studiuesve që kanë merita për zhvillimin dhe pasurimin e kritikës së artit, didaktikës dhe pikturës në veçanti, patjetër dhe shkencës bashkëkohore në përgjithësi. Ilmi Bani – Është lindur më 1942 [15. 09. 1942] në Vlorë, nga nënë Sania, bijë nga Kafaraj, matanë Vjosës, e cila rrojti rreth 70 vjeçe, duke i rritur dy jetimët Ilmiun, dritën e syrit dhe Buqen, vajzën e vetme, me sakrifica e me nder, me punë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme në Ndërmarrjen Ushqimore të Vlorës, ku la një emër të respektuar. Babai i Ilmiut, Rexhep Bani atë pranverë të ’44 – ës “këndonte duke rënkuar për lirinë/ dhe kur në ferr të Mathauzenit e flakën, se shumë nuk u kthyen tok me të. Ata që u kthyen qenë me kokrra…e kujtimi i Babait, dëshmor Lirie mbeti për Ilmiun tonë Përshpirtje për Ëndrrën. Ilmiu u martua me Viton nga Tragjasi me origjinë, mësuese, njërën nga të bijat e Kamber Xhulevit, emër i njohur i arsimit të Vlorë, i cili është i biri i Patriotit Xhafer Xhulevi, sekretari besnik i Ismail Qemalit. Ilmiu me Viton lindën dy fëmijë: një djalë, Blendin, arkitekt, i cili është martuar me Almën, inxhiniere nga fisi Thomai, i nderuar në Elbasan, si dhe një vajzë, Bojkenën, arkitekte, e fejuar me ing. Elton Lala, në Sarandë. Blendi dhe Alma kanë dy fëmijë, Entonin dhe Irsën. Irsës së vogël do t’i mungojë gjyshi më i mirë në botë! Familjarisht Ilmiu jetoi e punoi në Vlorë. E aksidentuan tragjikisht më 13 gusht 2014, rreth orës 20. 30’ – 21.00 në Skelë, Vlorë , gjatë ditëve të ekspozitës “Vlora në Telajo”, me 500 piktura nga 60 artistë të peizazhit, mbylli sytë më 23 shtator, ora 10.00 në spitalin “Vitto Pazzi” në Lecce, Itali dhe sot, këtë të enjte të datës 2 tetor kur merr dhè, dhe ky dhè i qoftë i ëmbël, se për ëmbëlsi e mirësi të jetës jetoi e krijoi…U diplomua në Insitutin e Lartë të Arteve, më 1967. Më vitin 1974 kryen kursin mbas universitar për teori dhe kritik arti. Ka punuar mësues i lëndëve: Vizatim, Pikturë dhe Teori Arti në Shkollën e Mesme Artistike “Naim Frashëri”, në disa shkolla tetëvjeçare dhe në Fakultetin e Edukimit të Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Mbahet mend si një nga themeluesit e LSHA të Vlorës dhe për një kohë të gjatë, deri sa mbylli sytë, kryetar i LSHA, Vlorë. Para viteve ’90 të shekullit të kaluar ka botuar në organet e shtypit letraro – artistik dhe politik të kohës në fushën e arteve figuartive. Ka fituar dy çmime kombëtare (të I dhe të II) në konkurset kombëtare të kritikës dhe një çmim vjetor (të I) të revistës “Nëntori”. Më vitin 2007 botoi librin monografik “Përtej mjegullës”, biografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos, që është vlerësuar si një libër i vyer për pionierin e Shkollës së Pikturës vlonjate. Mbas këtij botimi përgatiti librin “Didaktika e Edukimit Figurativ” tekst mësimor për shkollat e mesme, 2010, si dhe librin studimor “Lira udhëheq popullin dhe Delakrua [Delacroix, Eugène], 2012, për të cilin punoi nga viti 2009 – 2012, dhe përsëri iu kthye për përpunim sa më mirë shkencor. Tabloja “Lira udhëheq popullin” – më thoshte shpesh profesor Bani – e bëri romantikun KAMPION TË ARTIT TË RI”. Përgatiti dhe punim serioz tepër të guximshëm dhe interesant për artin e Da vinçit “Buzëqeshja e Monalizës dhe sfumatura Leonariane”. Të gjitha këto punime të vlerta janë në komjuterin tim. Ilmi, për gati 10 vjet ishim dhe punuam bashkë në LSHA, Vlorë për zbukurimin e jetës letraro- artistike në qytet, me ty, si Kryetar të Lidhjes. Ti u ndave përgjithmonë prej nesh duke na lënë veprën tënde të bukur, të mençur e fisnike dhe kujtime të paharruara. Do të jesh midis nesh dhe do të komunikosh me bashkëkohësit e brezat që do të vijnë. Jeta dhe vepra jote kanë sfiduar vdekjen. Kujtimi për njeriun e dashur dhe artistin e dalluar do të mbetet gjithmonë i paharruar . të jetë i paharruar kujtimi yt, miku im, siç ka qenë e nderuar vepra dhe emri yt. Miku im i vërtetë, qofsh i paharruar e dritë të bëftë emri! Të qoftë i lehtë dheu! Në kujtim të emrit të Ilmi Banit, ju ftoj të mbajmë 1’ heshtje nderimi.
P.s. Fjala e mbajtur me rastin e varrimit të piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani, e enjte, më 2 tetor 2014,ora 14, në banesën e fundit, Babicë, Vlorë, nga Albert Habazaj, Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, Vlorë.
Situata pikturore. Punë intensive, telajo të shumta peizazhesh, larmi situatash koloristike, penel herë i shkathët, herë herë i qetë, konstruktiv, dritë e bollshme, etyde edhe në tepër variacione të ndryshme të ditës, agim, mesditë, perëndim, muzg etj. Kjo është prurja gjatë 2- 3 muajve të fundit nga organizimet e grupuara të piktorëve në Vlorë dhe shumë vende të tjera përreth, si Himarë, Kuç etj. Një studio e mbushur plot dhe papritmas gjithshka ndërpritet nga një lajm i zi: Ilmi Bani aksidentalisht largohet nga kjo jetë!
Jeta. I lindur në Vlorë më 15. 09. 1942 nga prindër të varfër, në moshën 1 vjeçare mbetet jetim. Këtu fillon stërmundimi i nënës Sanie për të rritur dy fëmijët…Në vitet e para të shkollës lind dhe dëshira për të vizatuar…Më pas ndjek kursin e pikturës, si shumë djem të talentuar me piktorin e palodhur, plot dëshirë e passion, themeluesin e pikturës në Vlorë, Vasil Talo. Nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, student në Institutin e Lartë të Arteve dhe më vitin 1967 diplomohet. Ilmi Bani i përket brezit të piktorëve të fundit të viteve ’60, një grupi piktorësh në Vlorë, të cilët bënë emër me krijimet e tyre në Shqipëri. Mësuesi. Shtator 1967, Ilmiu fillon punës si mësues vizatimi për 2 dekada në disa shkolla të qytetit. Punon disa vjet në krye të Seksionit të Kulturës. Kryen një kurs pasuniversitar për kritik arti. Në vitin 1983 emërohet arsimtar në Shkollën Artistike “Naim Frashëri”. Modest, komunikues, i çiltër, plot humor, i apasionuar në punë, liberal në koncepte – ky ishte Ilmiu në marrëdhënie me kolegët. Në vitin 1998 emërohet drejtor i shkollës, shpaloset përpara nesh, kolegëve artisti vizionar, organizator me mendim të qartë perspektiv, këmbëngulës me kulturë dhe edukatë, cilësi këto që i manifestoi kudo ku drejtoi. Krijuesi artist. Në thesarin e pikturës vlonjate, Ilmi Bani ka vendin e tij të veçantë dhe shumë të merituar. Punëtor e i palodhur krijimet e tij janë të ekspozuara në Galerinë Kombëtare, në Galerinë dhe Muzeun Historik, Vlorë, në Gjirokastër etj. Krijimtaria e tij prek të gjitha zhanret, por i parapëlqyer mbetet kompozimi, biles në këto vite të vështira për piktorët, ku shumë ju përshtatën edhe tregut, Ilmiu nuk e la mënjanë kompozimin. Këmbëngulës në kërkimin e gjetjes artistike, konsekuent i idesë së tij, ai nuk heziton që mbasi e ka mbaruar tablonë ta fshijë dhe ta rinisë edhe një herë, por këtë radhë me më shumë dinamikë, përmirëson elementët artistikë, kolorin, shpërndrjen grafike etj., siç ndodhi me tablonë e titulluar “28 Nëntori”, por edhe herë të tjera. Në vendin tonë, deri në vitet ’70, nuk ishte praktikuar puna në grup në piktura; e kundërta ndodhte në skulpturë, me grupin Paskali, Mano, Paço, por vazhdonte edhe me grupin tjetër të suksesshëm Dhrami, Rama dhe Hadëri. Tentativa e parë në pikturë ndodhi në Vlorë. Shtypi i kohës, kritika e vlerësoi tablonë kompozicionale me dimensione të mëdha të paraqitur me rastin e Ekspozitës së 30 vjetorit të Çlirimit, të grupit të piktorëve Ilmi Bani, Skënder Milori dhe Nestor Jonuzi. Lirizmi, delikatesa, koloriti plot dritë, dashuria për jetën karakterizon tablonë e kompozuar vertikalisht “Nëna e ve”. Ilmi Bani është fitues edhe i çmimeve kombëtare në pikturë gjatë konkurseve të ndryshme. Ide filozofike trajton në kompozime me dimensione të vogla por të fuqishme në përgjithësimin e temës, gjetjes kompozicionale e përgjithësimin artistik të idesë; kemi parasysh titujt si “Mbijetesa”, “Zanafilla e jetës”. “Vjeshta”, ekspozuar në Berat, në Galerinë “E. Lear” ishte një kompozim i vogël me një femër, ekzekutuar me lirshmëri, bukur dhe shumë i freskët. Në këto vite të trazuara dhe të hallakatura, të bie në sy se Bani mbeti besnik i formimit dhe i individualitetit të tij artistik, duke mos bërë plagjiatura. Brenda studios ka piktura për popullin, por ka edhe “Krijime artistike kontemporane”, si u thoshte ai punimeve bashkëkohore. Portreti një zhanër që piktori nuk e la pa e prekur, e ndër vite realizoi shumë, të njerëzve të dashur, të personaliteteve të letrave, të patriotëve etj. “Fishta” është një nga këto, portret shumë i bukur me një dritë të brendshme vezulluese. Në disa kompozime për I. Qemalin, Plaku i Vlorës, herë i ulur, herë në këmbë, në situate të ndryshme koloristike dhe grafike paraqitet me një kolorit dhe plastikë të ngrohtë, natyrshëm, i qetë dhe shumë fisnik. Por, padyshim, portreti i kompozuar “Nëna” është një nga veprat më të bukura të realizuara, ku përveç kompozimit impozant të figurës, qëndrimit artistik, organizimit grafik, drita përqëndrohet vetëm te portreti. Përmes ekzekutimit të lirshëm të një plastike shumë të ndjerë, një koloriti të kursyer, kompozimi mbyllet tek dy duart e kryqëzuara në hije, një individualizim i përkryer, që sugjeron gjithë dashurinë dhe respektin e piktorit për nënën e tij. Janë të panumërta peizazhet, natyrat e qeta të realizuara e natyrisht në këtë shkrim homazh nuk mund të përmenden të gjitha. Mjeshtëria e këtij piktori modest por të fuqishëm duket edhe në një teknikë tjetër të artit figurative, në akuarel. Në studio ka shumë akuarele të realizuara ndër vite, të paekspozuara: portrete, peizazhe, natyra të qeta, teknikisht të përkryera. Ilmi Bani shpalosi vetvetiu dimensionin e tij human, intelektual, erudicionin, shpirtin e tij artistik edhe një një fushë tjetër, atë të mendimit estetik të kritikës artistike me shumë artikuj për ekspozita kolektive dhe personale për kolegë, studime të ndryshme për probleme të artit, tablo kompozicionale etj. Kohë më parë, piktori na njohu me një studim akoma në proces për tablonë “Liria në barrikadë” të Delakruasë, për tendencën artistike, filozofinë e kohës, por mbi të gjitha, për afeksionin e tij personal për artin Grek, që lidhet me figurën symbol në qendër të kësaj kryevepre të pikturës botërore. Vlen të veçojmë studimin e tij: “Kërkime për kolorin, linjën, karakterin dhe detajet” për ekspozitën e piktorit Skënder Milori, një punim i plotë, i thellë, me kompetencë profesionale. Si asnjë piktor vlonjat i brezit të tij, Ilmi Bani tregoi një cilësi tjetër të karakterit: Mirënjohjen. Mirënjohës për punën e palodhur të mësuesit të tij, por edhe për vlerën si piktor, ai realizoi monografinë e letrarizuar “Përtej Mjegullës”, kushtuar Vasil Talos. Ky libër me nivel të lartë artistik, është shkruar me dashuri dhe vërtetësi, me ndershmëri profesionale dhe, ndërkohë, është i vetmi libër deri më sot në Shqipëri, ku një piktor shkruan për mësuesin e tij të artit të ngjyrave.