Nga Dalip GRECA/
Ilo OXA, piktori shqiptar, që erdhi nga Italia, në SHBA, është një artist që sfidon me penel mjeshtëror. Ai erdhi këtu me synimin për ta çuar përpara mjeshtërinë e pikturimit. Oxa vjen në SHBA me një përvojë të pasur, vjen me ekspozita të suksesshme të hapura në Shqipëri, Greqi dhe Itali. Po ashtu ai kishte dhe shkollën e pikturës në Bolzano. Edhe pse ka pak kohë në SHBA, e prezantoi vetën në një ekspozitë, që u prit mjaft mirë në Aleksandria. Oxa ndjehet krenar që studio në shkollën tradicionale shqiptare, ku studimi i klasikëve të piktures, i mësuan se përtej mjeshtërisë akademike, artisti duhet të gjejë dritën e kohës së vet. Dhe shumë shpejt piktura e tij u njësua me dritën. Të konstrukosh në dritë është një moment lumturie,-thotë për Diellin Ilo OXA. Piktura e Oksës i ka të gjitha elementet fondamentalë të pikturës hiperrealiste. Konstruktimi në dritë dhe pikturimi i ajrit pa prezencën narrative të figurës njerëzore janë karakteristikë e pikturës së tij. Kritikët Suzana Varvarica nga Shqipëria, Severino Perelda dhe Arnold Tribus nga Italia, në shkrimet e tyre dedikuar pikturës së tij kanë provuar se mjeshtëria e pikturës së Oksës është pa dyshim e një niveli shumë të lartë. Por ai kërkon përsosje mjeshtërore, prandaj ka menduar të vendoset në New York, ku takimi me mjeshtrat e hiperrealizmit këtu, piktura e tij synon që të hyjë në një fazë të re. Për t’u njohur më me detaje me rrugëtimin artistik të piktorit, në mjediset e redaksisë, zhvilluam bisedën e mëposhtme:
-Prej sa kohësh ndodheni në Nju Jork?
Ilo OXA– Kjo është pyetja më e lumtur që do të ëndërronte t’i përgjigjej një ditë çdo artist që jeton në Europë. Ndoshta nga emocionet e ditëve për realizimin e pikturave të para, takimet dhe njohja me atashe të artit e kulturës shqiptare dhe asaj amerikane si dhe mundësia për të parë dhe studjuar në origjinal pikturat e mjeshtrave të hiperrealizmit.Por kur mendoj se kanë kaluar vetëm katër muaj më duket e pa besueshme.
– Kjo është e para herë që vizitoni Amerikën?
Ilo OXA– Edhe pse ka kaluar plot një vit, 31 Janari i vitit të shkuar do të mbetet një nga ditët më të bukura të jetës sime. Edhe në ato dy javë New York-u ishte i mbuluar me dëborë dhe bënte shumë ftohtë, ja si tani, shkurt 2014.Munda të shikoja shumë galeri arti dhe realizova me qindra foto me rrugët e mbushura me kujtime.
I keni vizituar galeritë e Nju Jork-ut? Nëse do të bënit ndonjë krahasim me ato të Italisë, Evropës, ku është ndryshimi?
Ilo OXA– Kujtoj: New York 1 Shkurt 2013. Vizita ime e parë në një galeri arti këtu, do të regjistrohej në kujtesën time si një mrekulli. Frank Bernarducci,drejtori i galerisë më të madhe të hiperreaizmit në botë, më ftoi me kënaqësi në një takim pune për t’i treguar pikturat e mia. Kjo nuk ndodh në Itali dhe në Europë. Këtu galeristë dhe artistë janë bashkëpunëtorë në krijimin e historisë së re të artit. Në ditët në vazhdim kam parë dhe marrë pjesë në inagurime ekspozitash shumë të rëndësishme ku kam konstatuar një entuziazëm,që në Europë tashmë nuk ekziston.
Ju keni jetuar në Itali duke bërë jetën e një artisti emigrant. E patët të vështirë që të gjenit veten si artist?
Ilo OXA– Italia si vendi i Rilindjes Europjane ishte një ënderr që flinte te unë që kur isha në vitin e parë në lice. Studimi i mjeshtrave të Rilindjes Italiane si dhe njohja më vonë me hiperrealistin Luciano Ventrone më krijuan mundësinë që piktura ime të pëlqehej nga koleksionistët italianë. Sigurisht që vështirësitë krijuan te unë një sistem pune më të organizuar dhe orët e shumta në studio dhanë rezultatet e veta.
Çfarë do të veçonit nga jeta artistike e përvojës 22 vjeçare në Itali?
Ilo OXA– Kudo që të jem, s’do ta harroj kurrë zërin e ngrohtë të një zonje që sa herë që e takoja më thoshte: Ilo, piktura jote është e admiruar prej të gjithëve. Ishte një prej koleksionisteve të mi, që kur vinin në ekspozita nuk pyesnin për çmimin, por me shumë respekt më thonin që kjo pikturë është e imja. Sikur të gjitha pikturat e mia të kenë një fat të atillë, unë do të jem shumë i lumtur.
Ndërkohë ishit dhe piktor- pedagog, çfarë do të veçonit nga ajo përvojë?
Ilo OXA– Mos prisni që artdashësit dhe koleksionistët të konsiderojnë krijimet tuaja më seriozisht se vet serioziteti juaj. Ky ishte urimi im për nxënësit e mi. Harmonia e plotë e mendimit me punën shumë shpejt instaluan mes nesh një klimë bashkëbisedimi . Realizimi dinjitoz i punëve të studentëve krijoji atmosferën e një eventi të mirëpritur të çdo fundviti. Natyrisht, punët dhe kërkesa në rritje e cilësisë krijuese e nxënësve krijuan te unë kënaqësi dhe një kujtim të pa harrueshëm.
Keni pas mundësi t’i ekspozoni pikturat tuaja këtu, e kam fjalën në SHBA?
Ilo OXA- Po. Ekspozita ime e parë në Alexandria ishte një sukses i vërtetë. Të ftuarit e shumtë komentuan me entuziazëm nivelin e lartë të shtatë pikturave të ekspozuara në Mount Vernon-Lee Chamber of Commerce . Shumë prej të ftuarve shkruajtën edhe letra mbështetëse për qëndrimin tim këtu në USA si e vetmja mundësi për të perfeksionuar dhe çuar përpara pikturën e bukur të hiperrealizmit. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për jetën time.Të ftuarit e shumtë si dhe prania e familjes Angjeli krijuan atë energji aq të bukur që e bëri atë mbrëmje të pa harruar. Përshtypjet dhe bisedat me ta më krjuan besimin se piktura ime shpejt do të jetë pjesë e jetës së tyre. Alexandria është një qytet shumë i bukur dhe mikëpritës. Ishin ditë shumë intensive . Vizitova disa galeri por ajo që vlen për tu përmendur është Princiole Galeri, ku në dhjetor në ekspozitën e dimrit, do të ekspozoj edhe unë!
– Si shkoi Ilo Oxa tek peneli. E kujtoni”krijesën” e parë tuajën? Po ekspozitën e parë?
Ilo OXA– Ekspozita ime e parë është një nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Isha vetëm katërmbëdhjet vjeç dhe për sa mund të kujtoj ishin vetëm dhjetë vizatime të ekspozuara në hollin e shkollës. Aty më propozuan që të konkuroja në liceun artistik. Pas pushimeve verore përgjigjia e fitores së konkursit për vazhdimin e studimeve ishte më shumë se një mrekulli.
Cili është rrugëtimi juaj artistik? Formimi?
Ilo OXA– Kujtoj realizimin e një perëndimi në kodrat e Tiranës. Ishte një akuarel shumë i bukur që u pëlqye shumë. Ishte një nga buzëmbrëmjet e shtatorit të parë në Liceun Artistik Jordan Misja që paralajmëroi fatin se e gjithë jeta ime do të ishte një udhëtim në kërkim të bukurisë.Pas mbarimit me sukses të Liceut fillovastudimet në Akademinë e Arteve. Katër vite të një pune intensive krijuan te unë mundësinë për të lexuar, kuptuar dhe vënien në jetë të eksperiencës më të mirë të pikturës botërore.Studimi i mjeshtrave si Vermer, Claudio Bravo dhe tani i Bertand Meinel kanë qenë për pikturën time një mrekulli.
– Ç’vënd zë tradita në pikturën tuaj?
Ilo OXA- E quaj veten me shumë fat që studjova tetë vite në Tiranë dhe nga ajo kohë jeta ime do të ishte një udhëtim në kërkim të bukurisë dhe mjeshtërisë artistike.Studimi i klasikëve të pikturës më mësuan se përtej mjeshtërisë akademike artisti duhet të gjejë dritën e kohës së vet. Shumë shpejt piktura ime u njësua me dritën. Të konstrukosh në dritë është një moment lumturie.
Ju kanë epitetuar si “një ndër piktorët më në zë të”Realizmit të Ri”. Si ndjeheni nën këtë përcaktim?
Ilo OXA- Piktura realiste, historikisht është vetë piktura. Artistët më të mirë të çdo shekulli kanë krijuar një traktat bukurie. Në kohën tonë piktura e realizmit të ri apo e quajtur ndryshe si hiperrealiste është vetëm një hap përpara e asaj që kam mësuar në vitet e shkollës. Ndjehem i lumtur të kem gjetur kohën time.
– A mund ta informoni lexuesin për vlerësimin e kritikës në Shqipëri apo dhe në Itali për pikturat tuaja?
Ilo OXA– Mendoj se piktura ime ka te gjitha elementet fondamentale të pikturës hiperrealiste. Konstruktimi në dritë dhe pikturimi i ajrit pa prezencën narrative të figurës njerëzore janë karakteristikë e pikturës sime. Kritikët Suzana Varvarica për Shqipërinë, Severino Perelda dhe Arnold Tribus për Italinë në shkrimet e tyre dedikuar pikturës sime provojnë se mjeshtëria e pikturës sime është pa dyshim e një niveli shumë të lartë. Aktualisht në sajë të konfrontit direkt me mjeshtrat e hiperrealizmit këtu në New York piktura ime ka hyrë në një moment akoma më të bukur.
Në cilat galeri keni ekspozuar?
Ilo OXA- Pas eksperiencës se ekspozitave në Shqipëri deri në vitet nëntëdhjetë ekspozita ime e parë jashtë ka qenë ajo e vitit 1992 në Athinë ku shkruajtën edhe gazetat Greke. Po atë vit kam ekspozuar në Jezi të Italisë, në galerinë “AREARTE” Senigalia dhe më vonë në prestigjozen ” L’Incontro ” Ancona dhe një vit më vonë në Arte Fiera Ancona në një kolektive. Pas 2010 me rritjen e nivelit tim artistik kam hapë ekspozita personale në Bolzano. Në tetor 2011 e para ekspozitë personale në Tiranë me titull ” Oltre la vita non sa aspettare ” që ishte një tjetër sukses.