Në Shtetet e Bashkuara ndodhej për vizitë Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkvi katolik i Kosovës, i cili ka ardhur për një fushatë grumbullimi fondesh për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. Për këtë katedrale komuniteti shqiptaro-amerikan deri tani ka dhuruar më shumë se 1,5 milion dollarë.
Ai foli për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me pozitën e katolikëve në Kosovë, si dhe përpjekjet e qeverisë për njohje diplomatike nga Vatikani
“Përpiqemi të kryejmë detyrat ndaj vendit dhe ndaj besimtarëve. Përpiqemi të ndërtojmë bashkërisht të ardhmen”, tha ai.
I pyetur pse Vatikani nuk e njeh Kosovën, Imzot Gjergji tha: “Vatikani ka treguar dashuri për popullin shqiptar. E njëjta vlen edhe për luftën e fundin në Kosovë. Vendimet rreth njohjes janë marrëdhënie mes shteteve e jo kompetencë e imja. Relacionet mes Kosovës dhe Vatikanit janë nivel të mirë komunikimi. Dhe, njohja do të vijë”.
I pyetur rreth marrëdhënieve mes bashkësive fetare në Kosovë, ai thotë se “te ne ekziston dashuria ndër-vëllazërore mes shqiptarëve, pa marrë parasysh rajonin dhe fenë… Ne merremi me të mirën e të bukurën, në dashurinë që shqiptarët kanë ndër vete. Ndihemi keq për disa që janë jashtë traditës dhe kulturës pozitive shqiptare”.
Ipeshkëvi ishte më 14 qershor në darkën që Vatra shtroi për delegatët e Kuvendit të saj që kishin ardhë nga shtete të tjera në Nju jork. Imzot Gjergji u prit me duartrokitje tek përgëzoi Vatrën për misionin e saj historike dhe kërkoi prej vatranëve të jenë më të pranishëm në trojet amtare, ku esktremistët po luftojnë që të prishin bashkjetesën fetare.
Po ashtu, gjatë vizitës së Tij në Michigan, Ipeshkëvi Gjergji zhvilloi një takim miqësor me degën e Vatrës atje.