Të Hënën në mesditë, me 20 Shkurt 2017, Imzot Rrok Gjonlleshaj, Kryeipeshkvi i Tivarit, vizitoi Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Ai shoqërohej nga Pater Pashko Gojcaj, famullitar në Kishën e Shën Ndout në Tuz, nga Fran Cotaj, Anton Raja, Gjeto Dushaj,dhe Isa Brijaj. Mysafirët u pritën nga zv/Kryetari i Vatrës z. Asllan Bushati dhe anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balaj, e editori Dalip Greca.
Zv/Kryetari Asllan Bushati u uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe i prezantoi me veprimtaritë dhe jetëgjatësinë 105 vjecare të Vatrës.Ai u ndal në bashkëpunimin për më shumë se një shekull të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra me bashkësitë fetare në SHBA. Vatra e ka të shenjtë harmoninë fetare, që vjen që nga bashkëpunimi i Imzot Nolit me dom Zef Oroshin, Imam Vehbi Ismailin e Baba Rexhepin. Për më më shumë se 100 vite Vatra ne festimet e saj ka të pranishëm udhëheqësit fetarë. Bushati i prezantoi mysafirët edhe me qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në trojet Kombëtare dhe kërkoi që të luftohet për qëndrushmëri për mosasimilim në trojet e rrezikuara nga ky fenomen.
Imzot Rrok Gjonlleshaj falenderoi për mikpritjen dhe vlerësoi veprimtarinë shekullore të Vatrës. Ai vecoi kontributin e shqiptarëve të Amerikës dhe Vatrës në drejtim të Kosovës dhe trojeve të tjera kombëtare. Shqiptarët e Amerikës tha Imzot Rrok Gjonlleshaj, Kryeipeshkëv i Tivarit, e kanë treguar veten për kontributin e madh që kanë dhënë për fe’ dhe Atdhe. Kontributi i tyre për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është i jashtzakonshëm. Po ashtu ai vlerësoi dhe mbështetjen që po japin në këto momente shqiptarët e Amerikës edhe për Katedralen e Tivarit.
Editori i Diellit përshkroi shkurtazi rrugëtimin e Vatrës dhe kontributin e saj për cështjen Kombëtare. Ai u ndal në katër momente historike të veprimtarisë së Vatrës: 1- Fushata e madhe “Të shpëtojmë Shqipërinë” e 3 Qershorit 1917, ku Vatra mblodhi 150 mijë dollarë për të shpëtuar Pavarësinë e Shqipërisë(Më shumë se 2 milionë dollarë me kursin e sotëm) 2- Aksioni për Huanë Kombëtare të Vatrës për shtetin shqiptar më 1921,ku u grumbulluan 198 mijë dollarë(Me kursin e sotëm rreth 3,5 milionë dollarë) 3- Stërvitja dhe dërgimi i Trupave vullnetare në Shqipëri më 1920 për të mbrojtë kufijtë jugorë të Shqipërisë, si dhe i Bandës Muzikore”Vatra”-pjesmarrëse në Luftën e Vlorës( e cila kreu rolin e Bandës së Shtetit Shqiptar) 4-Manifetsimi i madh me 20-30 Nëntor 1969,me ratsin e 60 vjetorin e Gazetës”Dielli”, manifetsim që nisi me 20 Nëntor në Boston dhe përfundoi me 30 nëntor në Nju Jork, ku Vatra bashkoi shqiptarët e Italisë, arbëreshët me ata të Amerikës.