• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ING. GËGË SOKOLIN, KURRË NUK E MBULON “PLUHURI” I HARRESËS!…

September 1, 2013 by dgreca

Fatosi i shkencave mjedisore shqiptare”, e vlerëson atë kolegu i tij, Illo Foto/

Nga: Prof. Murat Gecaj/

1.

Si tani, më kujtohet ajo ditë e paharruar e fillimit të shtatorit, në vitin 1991. Një lajm shumë i dhimbshëm e tronditës erdhi në  familjen e kolegut dhe mikut shumë të dashur Gegë Sokoli, në kryeqytet. Me bashkëkrahinasin, prof. Kolë Tahiri, shpejtuam për në shtëpinë e tij. Aty gjetëm në pikëllim të thellë bashkëshorten, Marijen dhe katër djemtë e tij të vegjël. Sigurisht, nuk kishte fjalë ngushëlluese për ta, pasi ishte ndarë përgjithnjë nga jeta, në mënyrë tragjike, kryefamiljari i tyre. Para se të shkonte në vendlindjen e tij, për ta festuar  natën e shenjtë të festës së Zojës të Mërturit, kishim bërë vizita të ndërsjellta familjare, në shtëpitë tona, të lagjes nr.4 të Tiranës. Me një parandjenjë të keqe, e këshilluam atë miqësisht që të mos e bënte atë udhëtim. Por ai nuk u bind, se donte të takonte njeriun më të dashur të tij, Nënën, e cila përmblidhte për të, të gjitha kujtimet e fëmijërisë dhe të jetës plot brenga e vështirësi. Por nuk e besonte kurrë, se kështu po shkonte drejt fundit të jetës së tij, ende të re!?…

Ajo natë, pas atij lajmi të kobshëm, kaloi për të gjithë me dhimbje të patreguar e lotë të nxehtë. Ndërsa të nesërmen në mëngjes e sollën trupin e pajetë të tij, një grup malësorësh nga krahina e tij. Isha i pranishëm, kur ia hoqëm rrobat e gjakosura dhe i pamë shumë plagë të hapura në trupin e Gegës së pafajshëm, me thika të mprehta.  Ndoshta, ishte viktima e parë e kanunit të vjetër, në agun e Demokracisë në Shqipëri. Atij iu bënë nderimet, që meritonte dhe e dërguam të prehej përjetësisht në banesën e tij të fundit. Por nuk u mbulua me dhe kujtimi  I jetës dhe veprimtarisë së tij, atdhetare e profesionale, me gjurmë të pashlyera  te familjarët, kolegët e miqtë, studentët e gjithë të njohurit e  panumërt, të cilët e deshën dhe e respektuan aq shumë.

2.

Jo rastësisht ose jo sa për “formalitet”, ia vura titullin këtij shkrimi, se ing.Gegë Sokolin nuk e mbulon kurrë “pluhuri” i harresës. Po vërtet, është kështu, pasi ai la gjurmë të pashlyera, me punën dhe jetën e tij të shkurtër, jo vetëm te familjarët, por dhe te kolëgë e miq të shumtë, te bashkëkrahinasit e vet dhe më gjerë.

Para një viti, m’u dha rasti ta sillnim përsëri në kujtesë Gegën, bashkë me kolegun publicist e shkrimtar, Fiqiri Shahinllari, nga Floqi i Korçës dhe tani me banim familjarisht në Virxhinia të SHBA-ve. Ai më këshilloi të kërkoja ndonjë të dhënë për bashkëkrahinasin tim, nga specialisti i njohur I bujqësisë, Illo Fotos, i cili tani jeton në qytetin Boston. Ja, një pjesë nga mesazhi im:

“I nderuar z. Illo Foto, përshëndetje nga Tirana! Sot, në festën e 1 majit 2012, sapo hapa kompjuterin, gjeta një shënim tuajin, i cili më empocionoi e më përmalloi. Ai fliste për mikun tim shumë të dashur, por dhe të familjes sonë, Gegë Sokolin. Nuk po zgjatem këtu, por kur ai u shkëput nga jeta tragjikisht, pra në atë kohë, jam marrë unë, me ndonjë koleg, me ceremoninë e përcjelljes, pasi kishte vetëm gruan dhe katër fëmijë të vegjël. Më kanë thënë se tani ata jetojnë në Nju Jork dhe nuk kam arritur t’ua gjej e-mailin, por as adresën e tyre!…Prandaj, nëqoftëse është e mundur, kam dëshirë të më dërgoni ndonjë shënim ose kujtim tuajin për të”.

Me dashamirësi dhe respekt  të veçantë për Gegën, ndër të tjera, ai m’u përgjigj me këto radhë, për të cilat edhe tani e falënderoj nga zemra:

“I nderuar Zotëri Murat! Quhem Illo Foto, specalist bujqësie, tani pensionist dhe mik i Fiqri Shahinllarit.Unë shkruaj libra bujqësore dhe Fiqo ka hartuar për to një studim vlerësus , prej 26 faqesh….Para pak ditësh, Fiqo , duke rilexuar librin tim, “Fshatarësia e tradhëtuar ” , i kishte tërhequr vëmendjen portreti i ing.Gegë Sokolit, për të cilin flitet në faqen 140, të librit në fjalë. Ai me tregoi, se i ndjeri  ishte miku juaj familjar dhe më porositi t’ua  bëja një përkujtimore , për të ndjerin dhe të paharruarin , ing.Gegë Sokoli .

Atë  e kam takuar për çështje pune dhe më tërhoqi vëmëndjen, se kisha të bëja me një specalist elitar dhe njeri me zemër të madhe . Këto ndjesi  i hodha në libër, pas 25 vjetësh, kur shkrova librin tim. Aty, mbasi përshkuaj disa dukuri të pylltarisë moderne të kohës , shprehem tekstualisht :

Është koha të pershkruaj një fatos të plejadës  së inxhinjerëve pyjorë, specialistin e telantuar dhe të përkushtuar, tropojanin  Gegë Sokoli. Ishte model i modestisë dhe i viryteve njerëzore. Por ai u bë pre e egërsisë kanunore të gjakmarrjes , kur ishte në kulmin e energjive shkencore dhe  profesionale . Gjakmarrja ia ndërpreu jetën fizike, por veprimtaria e tij është e materializuar në krejt natyrën shqiptare . 

 Mandej, vijoja të shkruaja, se  si e takova ing.Gegën, problemin që diskutuam bashkë dhe  që i dha zgjidhje të menjëhershme. Fryt i këtij bisedimi, ishte ngritja e një ndermarrjeje për rritjen e dhive, e cila e kishte qendrën në Vaqarr të Tiranës dhe ishte shumë rentabile. Flas, për konceptet praktike ekonomike -shkencore , që shprehte ky shqiptar i ditur . Po aty, unë vijoja:

Për të arritur në këtë përfundim logjik , njeriut i duhet një jetë e tërë, me kërkime, eksperimentime, humultime. Por jo Gegës, sepse ai ishte i pasionuar  pas natyres. Ishte brumi i saj. Pra, për të tilla figura, kanuni duhej të bënte përjashtim. Se, kur vret shkencëtarin, hyn në gjak me Kombin” .

Këto radhë  i kam shkruar në vitin 1998 dhe më vonë për Gegën nuk kam shkruar më…Por nuk e kam  quajtur të mbyllur përshkrimin e veprimtarisë  së këtij fatosi të shkencave mjedisore  shqiptare”. 

Për të paharruarin ing. Gegë Sokoli është shkruar edhe më pare, në shtyp e në Internet. Për të kanë shprehur mendime dhe ndjenja të bukura mjaft njerëz. Në një libër ka shkruar edhe ing.Sami Leka, me titullin: “Nuk vritej Gega, veç forca e zakonit kanunor”. Ndër të tjera, plot domethënie, ai shprehet kështu:

“Kudo, me profesionalizëm dhe vizion tekniko-shkencor. Nuk e pranuan menjëherë idenë e tij, se shkaku i dështimeve të pyllëzimeve në zonën e Ragamit ishte  prania e kripërave magneziale. Por, kur Instituti i Studimit të Tokave mundësoi analizën e tyre, pohimi i këtij inxhinieri mbeti i pakontestueshëm”.

Ndërsa po riprodhojmë edhe fjalët e njerit prej bashkëkrahinasve të Gegës, pra të Nikë Kolëpreçajt. Ai kujton:

“Gegë Sokolin e kam njohur në shkollën e mesme, në Shkodër, ku ishim nxënës që të dy, ai në gjimnaz dhe unë në pedagogjike. Qe i shkëlqyeshëm në mësime, në shoqëri dhe më vonë po i tillë në punë. Ai rreshtohet në vargun e krenarisë së Nikaj-Mërturit, si person i talentuar. Respektet për  figurën e tij do t’i ruajmë përgjithmonë”.

 

3.

Gega lindi në fshatin Brisë, rrëzë Alpeve të Shqipërisë, në vitin 1939, në një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare. Fati i tij i keq ishte, se mbeti jetim pa baba, pasi atë e vranë në periudhën e pushtimit fashist, kur donte të largohej nga burgu i Shkodrës. Në këto kushte, në vitin 1947, Gega e vazhdoi jetën në shtëpinë e fëmijës, në Xhan e në Theth të Dukagjinit të Shkodrës. Më tej, shkollimin e vijoi në këtë qytet, ku përfundoi shkollën e mesme, me nota shumë të mira. Pasioni i parë i tij ishte shahu, gjë që e bëri të njohur dhe prandaj luajti në kampionatin e kategorisë së parë. Në vitin 1960, e dërguan për studime të larta në Rumani, ku vazhdoi për inxhinier pyjesh. Por, me ndërprejen e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve tona, i vijoi dhe i përfundoi studimet, në vitin 1965, në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës (sot Universiteti Bujqësor).

Më tej, me pasion dhe përkushtim, Gegë Sokoli e filloi detyrën e tij në Fushë-Arrëz të Pukës dhe më pas ishte  kryeinxhinier në  Shëmri të Kukësit. Ndërsa në vitin 1970 e emëruan drejtor të Ndërmarrjes Pyjore të Tropojës. Tashmë, me një përvojë të gjatë pune dhe aftësi të larta profesionale, e caktuan pedagog në Fakultetin e Pyjeve të ILB të Tiranës. Fjala e tij në auditor ishte me peshë të veçantë për studentët e tij, sepse u sillte atyre praktikën e gjallë të jetës, të cilën e kishte marrë në vitet e mëparshme.

Sidomos, gjatë kohës së punës së tij në rrethet e Veriut të Shqipërisë, ra në sy zelli e përkushtimi i tij për njohjen, rritjen dhe ruajtjen e drurëve pyjorë, duke i shtuar kështu mjaft hapësirat e gjelbërta. Kolegët e tij të punës, si dhe të gjithë specialistët e pyjeve, por dhe njerëz të tjerë, që e njohën nga afër, e mbajnë mend atë intelektual të ditur e të urtë, dashamirës me të gjithë dhe që  i peshonin kudo rëndë, fjala e mendimi i shprehur.

Janë këto cilësi e të tjera, të cilat i përmendëm shkurt më lart, që emri i dashur i këtij biri të Nikaj-Mërturit dhe gjithë Malësisë së Gjakovës (Tropojë) të mbetet përherë i paharruar dhe të kujtohet me respekt të merituar, nga të gjithë punonjësit e sektorit të pyjeve, nga studentët e kësaj dege me rëndësi për ekonominë tonë kombëtare dhe tërë ata, që e kanë njohur. Prandaj, përmbledhurazi themi, se ka qenë plotësisht i drejtë vendimi, me të cilin ing. Gegë Sokoli është shpallur “Nderi i Shoqatës Nikaj-Mërtur”. Por emri i tij ka mbetur i skalitur edhe në çifteli, vegël karakteristike e vendlindjes së tij, me fjalët e zemrës së dy këngëve, të hartuara nga rapsodë të njohur popullorë.(Ne Foto: Ing.Gegë Sokoli (1939-1991)

Tiranë, 1 shtator 2013

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ing. Geg Sokoli, Murat Gecaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT