Nga B.Jashari/.- Eurodeputetja Tanja Fajon, sot në Prishtinë, theksoi se së bashku me kolegët e saj nga Parlamenti Evropian do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë një takimi me ministren kosovare të Integrimit Evropian,Vlora Çitaku, Fajon theksoi rëndësinë që fokusi i angazhimit të institucioneve të vendit të jetë në implementimin e standardeve të caktuara për këtë proces.
Eurodeputetja Tanja Fajon dhe ministrja Çitaku diskutuan për progresin në Kosovë, liberalizimin e vizave dhe për avancimin e proceseve integruese evropiane.
Ministria e Integrimit bën të ditur se Çitaku dhe Fajon kanë biseduar më në detaje për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, në mënyrë që ky kapitull të përfundojë sa më parë dhe të fillojë realizimi i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. Po ashtu, u diskutua për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por edhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke marrë për bazë qasjen proaktive dhe kontributin e Kosovës në raport me përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe progresin rajonal.
Duke vlerësuar lart kontributin dhe përcaktimin e Fajon për avancimin e Kosovës në raport me integrimin evropian, ministrja Çitaku tha se “institucionet e Republikës së Kosovës janë duke bërë maksimumin për t’i përmbushur rekomandimet dhe obligimet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
Ministrja Çitaku shprehu vullnetin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të bashkëpunimit bilateral me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me Parlamentin Evropian.