• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARTI KERKON ANGAZHIM SHPIRTEROR, JO KOMPROMIS

July 24, 2013 by dgreca

Intervistë ekskluzive e Nue Oroshit me Gjelosh Gjokën, mjeshtrin e madh të  Artit Shqiptar, me rastin e 80 vjetorit të lindjes/

Me 24 dhe 25 janar 2013 ia  bëmë një vizite  mjeshtrit  të Artit Shqiptar Gjelosh Gjokaj në Augsburg. Baca Gjelosh na priti me një bujari e mikpritje që është tipike e Malsorit. Edhe pse në prag të 80 vjetorit ai asnjëher nuk i ndahet punës, përkundër faktit që atelia e tij ishte duke u renovuar ai nuk e ndalte asnjëhere punën. Gjatë kësaji vizite  në kujtese më mbeten, shume gjera të reja rreth jetës dhe veprës së tij. Por dy gjëra mu nguliten në koke. Ekspozitën e par në Rome ne vitin 1971 që ia kishte organizuar, dhe hapur i madhi profesor Ernest Koliqi, ndërsa të dyten me 1983 në Munih të Gjermanise, hapur nga  poeti dhe shkrimtari i madh Martin Camaj. Me të dy baca Gjelosh kishte pasur miqësi të madhe. Kjo esht një pun e mire dhe e mbarë, kur gjeneratat e artistëve, krijuseve e shkrimtareve e përcjellin njëri tjetrin, për t’u lën brezave testament vazhdimin e punes krijuese në shume lëmi të jetes artistike. Qëllimi ynë ishte i dyanshëm. Që ta bëjme një portret të Gjelosh Gjokës, në kuadër të filmit dokumentar në gjuhën gjermane, për intelektualët e shquar shqiptarë në Gjermani, dhe bërjen e një interviste eksluzive në gjuhën shqipe, që po e botojm me rastin e 80 vjetorit të lindjes të mjeshtrit të madh të pikturës e grafikës Gjelosh Gjokaj. Në këtë intervistë baca Gjelosh na foli për rrugën e gjatë krijuese, e cila fillon dhe merr rrugë  në Malsinë e Ded Gjon Lulit e Mehmet Shpendit, për themelimin e Akademisë së Arteve në Prishtinë, për punen 15 vjecare ne Romë, dhe fillimin e ri dhe të sukses’shëm në Augsburg të Gjermanisë. Pa harruar edhe miqtë e tij që e kishin përkrahur, në periudha të ndryshme kohore. Ai flet sidomos, edhe për një piktor tjetër shqiptar, shumë të talentuar, Nevzat Belegu apo Karmon Fan Ferri, i cili kishte atelien e vet në Munih, të Gjermanis por që kishte qenë jetshkurtë dhe ka vdekur në moshën 45 vjecare nga leukemija. Baca Gjelosh me të drejt ban edhe vërejtje, sepse deri më tani asnjë intelektualë shqiptarë, nuk shkroi për Karmon Fan Ferrin apo Nevzat Belegun. Ai nukë le pa i përmendur edhe frymzimet, e para nga bukuritë e malsisë, nga sofra bujare shqiptare, e deri tek xhubletat, që ishin punë dore e nënave dhe grave shqiptare nëpër shekuji.

Zoti Gjokaji, fillimisht na tregoni diqka rreth fëmijeris tuaji, dhe hapave të parë në botën e artit?

Gjelosh  Gjokaj: Asht interesant se fillimi i inspirimit në art është gjithmonë interesant, se njeriu lidhet me emocionet feminore, deri në emocionet me të ngritura, e deri te studimi i artit në shkolla të mesme në studime dhe në specializime. Ato jan fillimi, i artit figurativ pastaji nëper kohra të ndryshme fillon,  me u zhvillua origjinaliteti. Dikush e ka ma të madhë origjinalitetin e dikush ma të vogël. Unë duket se kam mbërrit me inspirime të folklorit dhe ambienteve  shqiptare ne Mal te Zi dhe Kosovë,ta bëji një art origjinal. Ky art i imi ka depërtuar, në te gjitha trojet Etnike Shqiptare, por edhe në Evrop në Itali, Gjermani, Holand e në shum vende tjera . Sidomos grafika ime ka pasur një rrugë shum serioze nëper ambientet e artit botëror.

Jeni themelues i shkollës së Artit në Kosov, a mund të na thuani diqka rreth vështirsive dhe sukseseve të kësaji Akademije të Artit?

Gjelosh Gjokaj-Asht një gja interesante. Fillimi i par i artit serioz  në Kosov ka filluar me Muslim Mulliqin, me mua, me Tahir Emren dhe Rexhep Ferrin. Na kemi qen promotorët, e Akademis së Artit. Ka qen shkolla e mesme a artit  në Peji, edhe aty  ësht krijue një ambient për tu përgaditur, pjesërisht kuadrot ku më von kan studiuar,   në akademin e arteve. Sod në Kosov ësht një plejad e artistave të rinjë në Akademin e Arteve të Kosovës që meritojn me qen nëpër galerit Evropiane, dhe nëpër muzeume të Evropës.

Mbas Kosovës ju kaluat në Itali a mundeni të na thuani për punën tuaji disavjeqare aty, si je prit dhe si keni filluar depërtimin në Artin Evropian?

Gjelosh Gjokaj- Un preji Kosove kam shkuar në Rom, edhe kam menduar me vazhduar me shkue në Amerik. Por në Rom kam pas një fat të madhë se  më kanë pranuar në punë,  ku kam krijuar një puntori të grafikës. Ajo puntori,ka funksionuar 10 vite shum bukur dhe ka qen e njohur. Pastaji përball grafikës kam depërtuar, me piktur dhe kam pasë ekspozita nëpër qytete të Italis mjaft  me rëndesi, 15 vite të qëndrimit në Itali jan një rreth që ësht mbyllur dhe nukë harrohet kurr. Ne Itali arti imë ësht formuar totalisht.

Keni një rrug interesante tuajen ku jeni njohur me dy shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar Martin Camajn dhe Ernest Koliqin. A mund të na thoni diqka rreth këtyre kontakteve me këta dy shkrimtar?

Gjelosh Gjokaj:-Me Martin Camajn dhe me Ernest Koliqin jam njoftuar në Romë. Në atë kohë Martin Camaj, ka botuarë libratë në Romë, dhe qefi i ti ka qen me ja ilustruar librat. Pes gjasht libra ja kam ilustruar, aq bukur që ka qen shum i knaqur,edhe profesor  Ernest Koliqit ja kam punuar kopertinen e Shejzave  disa numra, dhe kanë qen të kënaqur, keshtuqë edhe Ernest Koliqi edhe Martin Camaj kanë pasur besim në mua, më kanë ndimuar që të rritem sa më shumë në botën e artit. Si shembull ekspozitën e parë që e kam pas në Rom,e ka hap Ernest Koliqi. Ne vitin 1971. Aty ka qen edhe Martin Camaji dhe ka promovuar edhe libra. Dhe sod në shtëpin e zojës se ti ne Gjermani, janë me shum se  25 punime. Qe i ka te ekspozume.  Deri sa ka vdekur Martin Camaj kemi qenë në kontakt shum të ngusht her vinte aji e her shkosha unë, kemi pasur një miqsi shum shum të thell.

A mund të na jepni një kujtim prej punës që keni bërë me Martin Camajn, ai në botën e letrave, e ju ne botën piktures  e artit.

Gjelosh Gjokaj-Ai gjithmon më thoshte se ne  në inspirime kemi dishka të përbashkët. Unë jam inspiruar në librin e ti të par,”Një fyell ndër Male”.  Ka qen i lidhun me folklorë me ambienet tona. Edhe un më herët jam inspirue me sagj, me pogaq,me cep uji, me sofer, dhe Martini  gjithmon thoshte se na kemi dishka të përbashkët.

Mbas Italis 15 vjet që ke qëndruar aty. Ne Gjermani keni ardhur me ndërmjetsimin e Martin Camajt.

Gjelosh Gjokaj-Kemi dasht me u vendos  në Munih por u vendosëm në  Augsburg. Munihu asnjëher nuk më ka harruar un tri her kam pasur ekspozita, në Munih në Haus der Kunst. dhe tri her më kanë ble punime.  Aty ësht ekspozita më e madhe në Gjermani.

Pas vendosjes në Augsburg menjëher keni filluar punën, na thuani diqka për kontaktet me piktoret tjerë  dhe botën e artit në  përgjithësi.

Gjelosh Gjokaj-Këtu menjëher e kam takuar një shqiptar piktor shum të mir Karmon Fan Ferri. I cili ka punuar dhe jetuar në Munih. Mua më vjen shum keq që Karmon Fan Ferri vdiq i ri. Piktor i mir. Me vjen shum keq që Karmon  Fan Ferrit nuk ja lavë  kërkush borgjin preji shqiptarëve, esht mkat se ka qen shum i talentuar,  i cili ka kryer studimet e artit në Vjen tek një piktor shum i mir dhe me pas këtu në Gjermani, në Munih ka pas Atelien e vet, dhe ka punuar me piktur dhe grafik. Në Peji e ka pas emrin Nevzat Belegu. Ndërsa më pasë e ka ndërruar emrin dhe ësht quajtur  Karmon Fan Ferri. Aji ka vdek në moshen 45 vjeqare. Ka rreth disa  vite që ka vdek. Me vjen shum keq qe nuk ka shkruar kërkush për Karmon Fan Ferrin.

Si ju shikojn intelektualët  Gjerman  kur një shqiptar shquhet dhe  ban emër ne Artë?

Gjelosh Gjokaj- Gjermanet e kanë nje kultur të cilët nuk e shofin se preji nga vjen por se qfar kualiteti ke. Të njëjtën kultur e kanë edhe Italianët. Mua më kan pranuar si kualitet.

Me cilët piktor  Gjerman ke kontakte?

Gjelosh  Gjokaj – Në  Augsburg kam kontakte me Gjeorgj Bernard dhe shum të tjer. Gjermanet kanë shum piktor të mëdhenj që e kanë një za botëror, siqë ësht:Lüperz, Immendorf, Kiffer,Baslicin etj..

 

Keni pikturuar disa atdhetar shqiptar në portrete. Si e ndienin veten kur e pikturonit Ded Gjon Lulin, Kapidan Dr Mark Gjon Markun etj?

Gjelosh Gjokaj- Un kamë pas gjithmon qef me personalitete që kanë lanë histori me i pikturuar. Dhe vërtet e ndieja vetën krenar dhe të lumtur kur pikturoja figura kombëtare siq ësht Ded Gjon Luli, Kapidan dr. Mark Gjon Marku dhe shum të tjerë. Kohëve të fundit ësht bër një Muze për Ded Gjon Lulin, ku javë kam dhururar edhe nje piktur, ku ësht ndertuar një pllak në bronz, në Malsi. Ndërsa në Akademin e parë që ësht mbajtur në Hamburg, për ndriqimin e Historis Shqiptare,  përveq disa pikturave tjera kam prezentuarë, edhe pikturat e heronjëve Ded Gjon Luli, Kapidan Dr Mark Gjon Marku, Kapidan Gjon Marka Gjoni e shumë të tjerë.

Këtu po shihet në Atelien tuaji  një portret i juaji i pikturuar nga një piktor Gjerman?

Gjelosh Gjokaj-Aji ka qen arkitekt dhe ka piktururar bukur dhe ka pas qef me më pikturuar. Dhe kët piktur e ruaji që 15 vite.

Si po ja delni me kohën pasiq po e bani jetën në mes të Augsburgut-Tiranes, Prishtinës dhe Malësis, konkretisht vendlindjes suaji Mileshit.

Gjelosh Gjokaj-A di si asht puna. Ose duhet me u marr profesionalisht me piktur ose me lan, duhet me u angazhuar niqind përqind.

Përvec folklorit shqiptarë që ka lën gjurm në punën tuaji, a kan lan gjurmë edhe punimet e nënave dhe motrave tona shqiptare siqë jan qëndisjet, punët e vekit, dhe pun të tjera në kët lëmi?

Gjelosh Gjokaji– Asht interesant se nëna ime ka qen një zojë multi talente dhe i ka ba gjubletat aqë bukur saqë tan grat e Malsis, kanë ardh më u inspirue dhe mu mësue preji saji për punimin e gjubletave. Ajo e ka pas një dell shum të talentuem, dhe më duket se inspirimi ka ardhur nga nëna.

A keni ndonjë porosi për artistët e rinj?

Gjelosh  Gjokaj– Shum her kam than se porosit jan nganjëher edhe bosh. Porosia ime ësht që nëse angazhohesh në art duhet mu angazhue shpirtnisht, dhe 100 % në shërbim të artit,e jo me kerkue kompromis,  e jo pjesrishtë.  Se apo e shes, apo nuk po e shes një piktur. E dyta gja apo  e treta gja  ësht komercializmi.

Pas një rugëtimi të gjat me mbi shtat dekada ku punuat dhe u shkolluat  jashtë vendlindjes u kthyetë sërish në vendlindje, për ta vazhduar punën .

Gjelosh Gjokaj-Tash un do të vazhdoji këtu në Gjermani  dhe në Mal te Zi dhe aty në shtepin time në Milesh, i kam dy djelm që po i përgadis. Pas nje rrugëtimi shum të gjat Itali, Gjermani  po kthehem sërish në Milesh. Malsorët më duan dhe më kanë pritur mir. Un kam dal 10 vjeq nga Mileshi. Jeta fëmijerore ka qen e bukur. Ata te shkretit prindërit tanë  ku  kanë qen internatet dhe shkollat gratis na kanë derguar atje. Kemi qen 7 vllazen dhe nje motër. Kater vllazën  kanë vdek. Zefi ka qen talent. Aji ka ardh preji Shkodrës  i talentuem i cili ka mësuar në Shkoder tek profesoret Italian aji ka vdek, edhe Dushi, Gjetoja dhe Gjergji kanë vdek. Kemi mbet tre unë,  si dhe Marku e Toma të cilët jetojn në New York.Un jam kthyer mos me harrue vendlindjen. Malësin tonë të bukur dhe të dashtun.

Intervistoi: Nue Oroshi

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Gjelosh Gjoka, Interviste, me Nue Oroshin, me rastin e 80 vjetorit

VIKTOR MARTINI – PUSHTETARË TË DJESHËM E TË SOTËM, MOS LUENI ME PLAGËT TONA

July 18, 2013 by dgreca

…. SE EDHE HIJET E VORREVE TONA KANË PËR T’JU NDJEKUN E KURRË NUK DO T’IU LÂJMË TË QETË/
PYETJE:  Duke qenë se jemi edhe miq në Facebook, e di se momentalisht jeni në Shkodër, keni ardhur në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, e çfarë ndodhi me Shkodër locen që nuk votoi për PD ?
VIKTOR MARTINI: Zonja Elida. Ju falënderoj per mundesinë qe me jepni per vazhdimësi te kontributit tim ne sherbim te demokracisë e cila mungon ende ne truallin Shqiptar. Po, ndodhem ne mesin e Shkoder loces. Ndoqa me qetësinë ma te madhe votimet e 23 qershorit, bile nepermjet intervistave ne TV hodha mendimet e mia se si duhet te jete vota. Historia 23 vjeçare duhet te shikohet me synin e kritikave, sepse kjo histori nuk solli ate çka pritshin demokratet e vertetë.
Ah Shkoder locja! Gjithmonë ne kete qytet ndodhin gjana interesante e te bukura, keta qytetarë duhen shikuar me kujdes, ky popull i ketij qyteti qe provoi ditet ma te zeza te diktatures ishte i etur per liri e demokraci e ne keto rrethana e mbeshteti PDnë verbërisht pa shikuar se ne krye te saj po udhehiqte nje ish komunist. Por kur ketij populli nuk i jep ate çka i ishte premtuar, ai te zbret nga shpina e te hedh per toke. Kjo ndodhi ne zgjedhjet e 23 Qershorit.

PD NË KRYE TË SAJ I INSTALOI KOMUNISTËT – I ELEMINOI TË PERSEKUTUARIT

PYETJE: I nderuari Z.Viktor pse humbi PD?
VIKTOR MARTINI: PD humbi per shume arsye. Partia Demokratike qe ne krijimin e saj, ne frontin kryesor i instaloi te gjithë ata qe kishin nje prejardhje komuniste, vendosi dhe disa te persekutuar qe me kalimin e kohes i eleminoi, si Tomorr Dostin e ma vonë ne 2005 dhe Pjeter Arbrorin.
Une kam asistuar ne Shkoder ne tri dekadat e fundit ne zgjedhje. Ne 2005 Malësia e Madhe i prishi marrëdhaniet me Berishen, sepse Berisha hoqi nga lista per kanditaturë Gjovalin Bzheten. Mbas nje debati te ashper me nje komision te Malësisë ne zyren e Berishes, Berisha i acaruem iu tha malësorëve te Malsisë: Shkoni, se une e bëj demokraci edhe pa ju. Po ne kete vend te acaruar, dergoi Arbnorin per te kandiduar, ku humbja dihej se ishte e sigurt. Kjo krijoi pakënaqësi në Popullin Shkodran. I premtoi ta dergonte Ambasador ne Vatikan, por as kete nuk ia dha, PD nuk bëri reformat ne kthimin e pronave, nuk mbajti premtimet ne shperblimin e te persekutuarve te vendosura qe ne vitin 1991 ne parlamentin socialist…
Pushtetet 22 vjeçare zbatuan me dhelperinë më te madhe KATOVICËN qe tashti dihet edhe nga femijët. Aleancat e pamoralshme me politikanet e degraduar moralisht qenë të pranueshme ne PD per hir të karrikave. Kjo hoqi besimin ne njerëzit e ndershem se kemi te bëjmë me nje sistem moral ku s’ka per qëllim interesa ne sherbim te Popullit Shqiptar.

Gjuha e ashper e shume banale qe perdorej ne parlament acaroi çdo njeri te ndershem, sepse kjo gjuhe nuk është gjuha e Shqiptarit te vertetë.
Me nje fjale, zhgenjimi është faktor kryesor. Pushtetarët harruan se konceptet nuk jane nje vide e salduar qe nuk levizin, por nuk bën keshtu, ato duhet te levizin ne kohen e duhur me pjekuri per dobinë e Kombit Shqiptar. Them te kombit, sepse kombi perbëhet nga te gjtha partitë, te mire a po te keqij jemi vëllezer nga nana Shqiperi. Per mire apo per keq, kete do e shikojmë më vonë, populli zgjodhi RROTACIONIN. Dhe u tregoi me vote te gjitha partive: kujdes me popullin, se nuke luhet më me rrena nepërmjet premtimeve boshe. Shkoder loces i dhimbti shpirti, por demokracia e vertetë ka marrë rrugën e vet dhe uroj që të mos ndalet më kurrë. Këto ishin arsyet shkurtimisht.

SHKODRA ËSHTË DJEPI I ARTË I DEMOKRACISË DHE I KULTURËS

PYETJE: Z.Viktor, Shkodër locja është djepi i demokracisë dhe kulturës dhe prej këtij qyteti në Parlamentin e Shqipërisë gjatë këtij tranzicioni kemi patur Pjetër Arbnorin dhe Jozefina Topallin. Çfarë do të thoshit për Mandelën shqiptar dhe për zonjën Topalli ?
VIKTOR MARTINI:
Po Shkodra është djepi bile meriton te quhet djepi i artë. Pjeter Arbnori është nje bashkevujtes me dinjitet ku u perpoq me kontribue me devocion per demokracinë e per shtresat e te persekutuarve, por, mjerisht, e them me keqardhje se nuk pati rezultat, sepse ai nuk mujti me realizu ate çfarë kishte deshirë se mbi kry kishte pak a shumë diktatorin Berishian.

JOZEFINA DO TA NJOHË TË VËRTETËN – KUR VET KROKODRILAT E BERISHËS KANË PËR TA HJEDHUN MËNJANË SI TË PAVLEFSHME

Jozefina: Edhe kjo rrjedh nga shtresat tona. Me axhat e saj kam kalue disa dite te mjerimit ne burgun e Burreli, te cilet edhe mbas kaq vitesh i kujtoj me respekte. Por ajo nuk u diftue e pjekun si ata. Jozefina e te gjithë ministrat e Berishes ndihmuan ne krijimin e kultit te individit Stalinian: e quajten Berishen lider historik, e krahasuen me Skenderbeun e quajten kolosi i kombit Shqiptar. E kjo shkaktoi alergji tek njerëzit e arsyshem.

Populli Shqiptar ishte i velun me lajkat e diktatures, Partia e Enverit legjendar e tjera e tjera. Mos ta prejashtojmë se edhe kjo asht nje arsye qe PD humbi. Une ende besoj se Zonja Jozefina nje dite do ta njofi te verteten plotesisht. Por kjo ka me ndodhë kur vet krokodrilat e Berishes kanë per ta hjedhun menjanë si te pavlefshme. Por une do ta due gjithsesi perseri, sepse eshte nje pjesë qe nuk mund ta shkepus nga karvani i vujtejeve tona ashtu si dhe te tjeret.

DALJA E PJETËR ARBNORIT NGA PARLAMENTI ISHTE SKEMA E BERISHËS

PYETJE: Në zgjedhjet e 2005, Zoti Pjetër Arbnori doli jashtë parlamentit të Shqipërisë, si e komentoni këtë fakt ?
VIKTOR MARTINI:
Dalja e Pjeter Arbnorit nga parlamenti ishte skema e Berishes, sikur e thashë më sipër.

JAM PËR LUSTRACIONIN, NUK JAM PËR T’IA HAPË DOSJET POPULLIT

PYETJE: I nderuari Z.Viktor, Avokati i Popullit Igli Totozani ka dalë me iniciativën për hapjen e dosjeve dhe për votimin në Parlament të Ligjit të Lustracionit, ju çfarë mendoni.
VIKTOR MARTINI:
Avokati i Popullit del me iniciativen per hapjen e dosjeve. Per kete une kam rezervat e mia. Hapja e dosjeve ashte si thika me dy teha. Hapja e dosjeve asht kusht i domosdoshem per te gjithë ata qe jane ne politiken Shqiptare dhe per te gjithë ata qe merren me predikime morale deri tek une. Kurrsesi nuk jam i mendimit t’i hapen dosjet popullit te thjeshtë, sepse ashte punue shumë me e transformue moralin e kombit Shqiptar nepermjet imponimit diktatorial. HAVELI ka thanë: “Çdo gja ua fali diktatorëve, por jo kurrë prishjen e ndergjegjes se njeriut.’ Gjermania e provoi t’i hapte dosjet e Gjermanis Lindore, por e ndaloi menjeherë, sepse gjeti shemtimin moral. Lustracioni është i pranueshëm.

Sa per trajtimin e hapjes se dosjeve tek shtresat tona, mos te preokupohet kerkush.Ne nje interviste moderatori me pyeti: Çfarë asht mesazhi i juej per bashkëvujtesit tuej? Mesazhi im ishte ky: Ju uroj bashkevuejtesve te mi, me te cilet kaluem se bashku vuejtjet, ku ndame kafshaten e bukes e cigaren pergjysem, jete te lumtun ku do qe ndodhen me familjet e tyre.
Por shtova nje urim qe mbase dikuj mund t’i duket e çuditshme: Iu urova e po iu uroj jete te lumtun te gjith atyre qe rreshqiten nen presionin e diktatures jete te lumtun edhe atyne e familjeve te tyre, sepse ata janë me te persekutuem se ne. Ne, se ne na moren rininë, dikuj jeten e pasurinë. Atyre ua moren dinjitetin me dhune. A mund te quej kurve nje grua a po vajze te ndershme qe del ne ruge e dhunohet prej maskarejve. Keshtu ndodhi dhe me keta njerëz. Te bajmë nje anmisti morale per keta fatkeqij dhe t’ua lamë kete turp furrtarëve qe pregatiten kete buke kaq te zezë, Enverit, Mehmetit me karvanin e kuq.

PA PJESËMARRJEN E SHTRESËS SË TË PËRNDJEKURVE NË PUSHTET, NUK KA DEMOKRACI

PYETJE: Të flasim pak për fatin e të përndjekurve, që mendoj se të përndjekurit vazhduan të mbeten me këtë status edhe gjatë tranzicionit, si mendoni ju Z.Viktor? Në një intervistë tek Zëri i Amerikës me rastin e grevës së urisë ju Z.Viktor keni thënë se më 1991 i thatë Ramiz Alisë t’i vejë gishtin kresë . Me rastin e grevës të urisë më 2012, ju i përsëritët zotit Berisha i të njëjtën gjë « që t’i vinte gishtin kresë ».
VIKTOR MARTINI:
Per kete duhet folun shume e jo pak. Isha nje nga organizatore e greves se urisë qe u ba ne shkalle kombtare ne vitin1991 ne palestren 17 Nandori te basketbollit. Ne kete greve kerkonim me te madhe 5 kerkesat tona e ndër te tjera pafajësinë, shperblimin material e tjera.Kjo zgjati 11 dite. Ne nje nder keto dite zoti Berisha u ul ne batanien time dhe lexoi se çfarë do kerkonte ne mbeshtetjen tonë si opozitë e asaj kohe. Lexoi aq shume dhe, ne perfundim, ai tha: A keni per te shtue gja z.Martini.Jo i thashë, keni shkru ma shum se ne kerkojmë, me shkrue asht e kollajt, me realizue asht e zorshme. Ju premtoj, tha ai, ne nderin tim e te PD se do ju japim ma shumë se kerkoni. Ishalla, shtova une me dyshim. Ajo qe dihet tashti ma asht se ato premtime edhe sot kanë mbetun te zvarrituna ne menyren ma te turpshme. Por fajin e kemi ne, qe u perqendruem ne keto shperblime, qe e shendrruen kete shoqat ne shoqat makaronash dhe i lejueme te dy partitë te lozin me fatin tonë. Duhej kerkue me te madhe edhe sot, prezenca e kesaj shtrese ne pushtet. Pa pjesëmarrjen e kesaj shtrese ne pushtet s’ka drejtesi e as demokraci. Une ju them te djeshemve dhe te sotshmeve: kujdes mos lueni me plaget tona se dhe hijet e vorreve tona kanë per t’ju ndjekun hap pas hapi e kurrë nuk do ju lajmë te qetë. Kete mesazh ia pata dergue edhe dhelpres Ramiz Alia.

PYETJE: I nderuari Z.Viktor, para tri ditësh gazetari Mustafa Nano kishte ftuar Z.Niko Kirka, i dënuar politik gjatë diktaturës, i biri Kristo Kirkës, vdekur në burgun e Burrelit, i cili denoncoi disa emra tashmë të njohur si bashkëpunëtorë të sigurimit, si Preç Zogaj dhe Artan Hoxha, emra që i kemi natë e ditë në televizionet e Shqipërisë, si mendoni ju njerëzit me Dosje gjatë sistemit komunist, që kanë qënë të përkëdhelurit e regjimit, a duhet të vazhdojnë t’i japin mend opinionit publik edhe 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës? Z.Kirka përmendi edhe emrin e Amik Kasoruhos, si spiun të nderuar me dekoratën “nderi i Kombit” nga presidenti Bujar Nishani.
VIKTOR MARTINI:
Çdo njeri asht i lirë te japin mendimin e tij ne çdo intervistë. Çdo njeri e njef keqbërësin e vet. Çdo njeri duhet te jetë i sigurt dhe i pergjegjeshem per çfarë flet ne drejtimin moral te tjetrit. Persa i perket dekorimit te personave te padenje: nuk ashte hera e pare qe Nishani dekoron njerëz te padenjë, por jo pa propozimin e qeverise. Kjo ndodhi me me presidentin Topi, por ama PD e vuni ne funksione te larta si gjykates. Ky njeri ishte ai prokurori qe denoi me vdekje Xhelal Koprencen. Por ama Topi doli e i kerkoi te falun opinionit Shqiptar duke shfuqizuar dekoraten.

ATA U FLIJUAN EDHE PËR NE, EDHE PËR TË DREJTAT TONA

PYETJE: Le të flasim pak për të përndjekurit, drama e të cilëve doli edhe një herë në pah gjatë grevës së urisë, e cila pati edhe viktima, sot Lirak Bejko nuk jeton më. Po ashtu edhe Shpëtim Karamuço, i cili nuk e la grevën, paçka se ishte në kushte të rënda shëndetësore, ju si një njeri që e keni provuar vuajtjen deri në asht nga diktatura, çfarë mendimi keni ?
VIKTOR MARTINI:
Po une i mbeshteta keta njerëz qe po flijonin jeten per te drejtat e tyne e, besa, dhe per te drejtat tona, sepse e quajta detyrim moral dhe jam i bindur se kam kryer nje detyrë humane. Bile kam shprehë rrevolten time për mosmbeshtetjen e atyne qe nuk i mbeshteten. Kete mbeshtetje e kemi ba para Organizates se Kombeve te Bashkueme. Jam befasue nga kleri katolik e mysliman, sepse vetflijimi denohet moralisht me fe. Perse nuk e shtrinen doren per ta ndalue kete mekat. Apo siç thonte i madhi Meshkalla: Detyra e shejtë ndaj Perëndisë nuk u len kohe me keqyrun plaget e njerëzis.I falnderoj grevistet te cilet me vlerësuen me nje flet falënderimit per mbeshtetjen morale qe ju bame.

RAMA TË  MOS I PËRSËRISË GABIMET E PARAARDHËSVE, SEPSE NDËSHKIMI NDAJ TIJ DO TË JETË FATAL

PYETJE: Tani në shtator do të ketë rotacion. Çfarë do t’i thoni Edi Ramës ?
VIKTOR MARTINI:
Persa i perket mesazhit tim per Z Rama asht ky. Duke kenun se ne pushtet vjen si kryeminister per herë te parë, e porosis qe te ketë kujdes e mos te perserisin gabimet e paraardheseve te tij 68 vjeçare, sepse ndeshkimi ka per te kenun fatal per te gjithe ata qe kanë deshirë te qendrojnë ne llogoret e vjetra.

Per popullin e shumëvuejtun Shqiptar, pa perjashtim, kam nje urim qe me del nga loçka e zemres. Pafshi dite te bukura jashtë politikes qe kerkon te na perçajë, gjeni vetveten atje ku te keni besim se e drejta qendron..Respekte per ju, o njerëz te ndershem, ku do qe ndodheni.

Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, me Viktor Martini

Reeker: Shqipëria të mbajë zgjedhje të rregullta

June 22, 2013 by dgreca

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se të gjitha palët duhet të respektojnë rezultatin/

 Nga Isak Ramadani/

 Duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, tha se u takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Ai tha se ka rëndësi të madhe që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke mbajtur zgjedhje të rregullta. Roti Reeker i bëri komentet gjatë një vizite në Shkup, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

VOA: Zoti Reeker në fillim të muajit maj, gjatë një dëshmie para Komisionit Amerikan të Helsinikit ju theksuat se “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se që zgjedhjet të jenë në përputhje me standartet ndërkombëtare duhet të respektohet pavarësia e institucioneve; debati politik duhet të jetë konstruktiv dhe i civilizuar; dhe populli shqiptar duhet të ketë besim si në procesin zgjedhor, edhe në rezultatin e zgjedhjeve”. A mendoni se sot, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet, Shqipëria ka shans që këtë herë t’i përmbushë standartet ndërkombëtare?
Philip Reeker: Dua të theksoj se Uashingtoni dhe Brukseli, miq të Shqipërisë, po i ndjekim me shumë vëmendje zgjedhjet, procesin deri në ditën e votimeve, mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe reagimin për rezultatin e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme për popullin e Shqipërisë që këto zgjedhje të kryhen në një formë të tillë që është e përshtatshme për një vend anëtar të NATO-s. Ne jemi krenarë që Shqipërinë e kemi partnere në NATO. Ata duhet të marrin masa që populli shqiptar t’i besojë procesit elektoral dhe që zgjedhjet të plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane. Kjo do të krijonte bazën për fazën e ardhshme të integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik.

VOA: Duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i administrojë zgjedhjet me 4 anëtarë. Si do të ndikojë kjo për zhvillimin e zgjedhjeve? A mendoni se zgjedhjet do të rrezikohen?

Philip Reeker: Një nga gjërat për të cilat kam folur dhe jam shprehur qartazi më parë përpara Kongresit, është se për të plotësuar standartet ndërkombëtare, institucionet duhet të shihen si të pavarura dhe plotësisht funksionuese. Moskonstituimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket certifikimit të zgjedhjeve dhe trajtimit të apelimeve. Ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kemi theksuar se kjo është një çështje e rëndësishme të cilës i duhet kushtuar vëmendje. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se populli shqiptar, shtetasit me të drejtë vote, kanë më pak besim tek procesi, si rezultat i vazhdimit të vështirësive me statusin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por megjithëse KQZ-ja nuk është e plotë, partitë politike, kandidatët, si qeveria edhe opozita, kanë vendosur t’i zhvillojnë zgjedhjet, dhe ato kanë përgjegjësinë t’i zhvillojnë këto zgjedhje në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s, në mënyrë që gjithë populli shqiptar të ndihet krenar për to.

VOA: A ekziston shqetësim në Uashington se rezultati i zgjedhjeve nuk do të pranohet nga ndonjëra prej palëve?

Philip Reeker: Le të kujtojmë se në Shqipëri ka mjete ligjore për të apeluar rezultatin e zgjedhjeve përmes sistemit të gjykatave. Si e zhvillojnë fushatën partitë politike, si i zhvillon zgjedhjet Komisionmi Qendror i Zgjedhjeve, si numërohen votat, si zgjidhen mospajtimet, si reagon publiku dhe partitë politike ndaj rezultatit të zgjedhjeve, të gjitha këto do të dërgojnë një mesazh shumë të qartë rreth të ardhmes së Shqipërisë. Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se të gjitha këto aspekte do të kenë rol shumë të madh në përcaktimin e ritmeve dhe hapave të ardhshëm të statusit të Shqipërisë si vend kandidat, dhe do të ishte me pasoja reale nëse do të kishte mosmarrëveshje të gjata dhe të papajtueshme rreth rezultatit. Do të kishte një ndikim për shembull, në vlerësimin që vendet e tjera do t’i bëjnë Shqipërisë përsa u përket kërkesave për viza, do të kishte ndikim se si investitorët e huaj do ta shikojnë Shqipërinë, do të ngrihen pikëpyetje për stabilitetin, për pavarësinë dhe për forcën e institucioneve demokratike. Pra të gjitha këto do të kenë ndikim të madh për të ardhmen e Shqipërisë, për të cilën të gjithë votuesit në Shqipëri janë të interesuar. Ne presim udhëheqje, kandidatë dhe institucione të përgjegjshme që këto zgjedhje t’i zhvillojnë në mënyrë të rregullt dhe më pas, pasi votimi të mbarojë, t’i zhvillojnë fazat e tjera po me rregullsi.

U takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Është sinjal i rëndësishëm që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke zhvilluar zgjedhje të rregullta, që të njihen si të tilla. Në rajon kemi parë zgjedhje të zhvilluara mirë, si në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi, që kanë plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira e të drejta sipas përcaktimit të OSBE/ODIHR-it. Unë kam besim se edhe në Shqipëri kjo mund të ndodhë, por ajo kërkon përpjekje serioze nga të gjitha palët, nga qeveria, opozita, të gjithë kandidatët, institucionet dhe të gjithë banorët, për të kërkuar që këto zgjedhje të jenë të mira për Shqipërinë dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

VOA: Meqë KQZ-ja nuk do të jetë në gjendje ta certifikojë rezultatin e zgjedhjeve, a është e pranueshme që rezultati të certifikohet nga Kolegji Zgjedhor?

Philip Reeker: Ligjet e Shqipërisë, kushtetuta e Shqipërisë, parashikojnë procedura ligjore për këto raste. Siç e theksuam, duke mos e plotësuar KQZ-në, do të ketë vështirësi për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Këtë e kemi theksuar shpesh herë. Por megjithë managësitë e KQZ-së, si qeveria edhe opozita kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje. Mendoj se numërimi i votave do të jetë një element kritik, një pjesë e rëndësishme e procesit, është një nga elementët që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e manipulimeve elektorale në të kaluarën, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesit e tyre në aparatin lokal elektoral dhe në grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në gërmë dhe në frymë, ligjet. Duke ndjekur ligjet, duke respektuar institucionet dhe pavarësinë e tyre, atëhere edhe elektorati, popullsia, banorët do të kenë besim tek procesi. Përpjekjet për të vonuar ose manipuluar procesin do ta gërryenin më tej besimin e publikut tek zgjedhjet në Shqipëri dhe tek partitë si përfaqësuese të ligjshme të interesave të qytetarëve. Qytetarët e Shqipërisë dhe unë kam folur me shumë prej tyre, presin që zgjedhjet të shënojnë përparim, ata duan të jenë krenarë nga zgjedhjet, të jenë krenarë nga ato që kanë arritur, të thellojnë më tej integrimin euro-atlantik, të tërheqin më shumë investime të huaja dhe të kenë atë qëndrueshmëri dhe begati që meritojnë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Isak Ramadani, per zgjedhjet shqiptare, Reeker

ELIOT ENGEL: Marrëveshja është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur!

May 3, 2013 by dgreca

Engel :” Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Ulja e serbëve për të negociuar me Kosovën, është njohje de fakto e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar. Engel ka shtuar se në të ardhmen e afërt, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të shtojë njohjet për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
NEW YORK : Në një intervistë për gazetën kombëtare Bota Sot, Kongresmeni Eliot Engel, flet për pritshmëritë e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, sjelljen e opozitës lidhur me KQZ-në, por edhe për marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit, lidhjet e forta dhe shumë të mira mes Shqipërisë, Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ligjvënësi amerikan demokrat Eliot Engel në këtë intervistë, i tha gazetarit tonë në SHBA, Beqir SINA, se reputacioni i Shqipërisë do të varet nga organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike të 23 qershorit.
Engel, demokrati më i lartë në Komisionin e Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
theksonë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të punojë që zgjedhjet të arrijnë standardet ndërkombëtare dhe demokratike. ”Nuk më intereson shumë se kush është në Komisionin, por se komisioni është duke bërë punën në pajtim me ligjet në fuqi që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike”, deklaroi ligjvënësi amerikan.
Miku i dëshmuar i shqiptarëve në Kongres zoti Eliot Engel, ka komentuar gjithashtu edhe marrëveshje e fundit për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbinë. duke thënë “Unë mendoj se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Ulja e serbëve për të negociuar me Kosovën, është njohje de fakto e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar. Engel ka shtuar se në të ardhmen e afërt, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, do të shtojë njohjet për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Pyetje: Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur ndryshe si Komisioni amerikan i Helsinkit, ka për të zhvilluar një Seancë të hënën e ardhshme për zgjedhjet në Shqiperi, si i komentoni ju zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri?
Engel : Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira, dhe, shumë e rëndësishëme, dhe mendojë se është mirë që të mos ketë ndonjë mashtrim dhe që zgjedhjet të jenë të pastëra. Unë kam qenë në Shqipëri, edhe herë të tjera, kur atje ka pasur zgjedhje dhe unë kam qenë shumë i kënaqur me zgjedhjet që janë mbajtur, mabsi kam parë shumë njerëz që kan dëshirë të marrin pjesë në demokraci. Javën e ardhshme në Kongres do të ketë një seancë për Zgjedhjet në Shqipëri, në të cilën unë do të marr pjesë duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit . Mendojë, se gjithkush, është i interesuar duke monitoruar me shumë kujdes nga afër zgjedhjet, që do të mbahen muajin tjetër në Shqipëri. Mbasi ajo që dihet, është se Shqipëria tani është anëtare e NATO-s, dhe unë mendoj se këto zgjedhje do të krijonin përsëri një arsye për Shqipërinë për anëtarësim e saj në BE, në qoftë se nuk ka për të pasur parregullsi në zgjedhje. Kështu që unë mendoj se është shumë e rëndësishme, dhe po e përsërisë që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe të pastëra, pasi e gjithë bota është me të vërtetë duke vështruar nga këto zgjedhje.
Pyetje : Si e dini edhe ju zgjedhjet në Shqipëri filluan me një ngjarje të “pazakontë” , opozita i tërhoqi anëtarët e saj nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve, duke kryer një veprim politik, për mendimin tim , në një kohë që Komisioni i Zgjedhjeve duhet të jetë apolitk. Si e shihni ju këtë veprim të opozitës në Shqipëri ?

Engel : Ajo që më intereson mua nuk është aq shumë se kush është në Komision Zgjedhor, apo kush nuk është!?, por se Komisioni Zgjedhor, është duke bërë punën e saj – të mirë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Ajo që është me të vërtetë shumë e rëndësishme, është ajo që pritet tani nga Shqipëria, sepse Shqipëria, tani nuk është më një vend i rangut të tretë botërore, ajo është një anëtare e NATO-s, dhe kështu që ne duam të sigurohemi se nuk mund të ketë asnjë lloj mosmarrëveshje, kushdo që fiton zgjedhjet atje. Zgjedhjet duhet bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria, ka përpara reputacionin e tërë e Shqipërisë, për të treguar se është me të vërtetë në linjë, duke u përpjekur për të siguruar se këto zgjedhje do të jenë nga më të mirat.

Pyetje: Si një mik i madh i Shqiptarëve si i shihni ju marrdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, vështruar në kuadrin e zhvillimeve të ndryshme politike në Shqipëri. A kan ndikuar këto në këto marrdhënie zhvillimet e ndryshme atje ?

Engel : Dua të përsërisë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë të forta dhe të shumë të mira! Unë si mik luftojë çdo ditë për t’i mbajtur këto lidhje të mira dhe të forta, por edhe shqiptarët duhet të bëjnë pjesën e tyre. Nëse ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, në Shqipëri, ajo forcon rolin e shqiptarëve dhe e bën Shqipërinë një kandidat të fortë për BE-në, dhe i kontribon këtyre marrëdhënieve të mira. Unë kam qenë dhe jam për Shqipërinë në BE, dhe kam qenë që Shqipëria, të ishte pjesë e NATO-s, dhe unë jam gjithmonë në kërkim për shqiptarët të kenë një mirëqenie të mirë dhe unë vazhdojë të kontribojë që të ketë lidhje të forta të rriten midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë,e shqiptarëve kudo që janë.

Pyetje: Meqënse jemi tek lidhjet e tua me Shqiptarët – ju lutem a mundet të më jepni një koment mbi marrëveshejen e Prishtinës dhe Beogradit ?

Engel : “Unë mendoj se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Ulja e serbëve për të negociuar me Kosovën, është njohje de fakto e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar. BE u tha serbëve se në qoftë se ata duan të bëhen pjesë e BE-së, ata duhet ti normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. Marrëveshja, thotë se qeveria është Prishtina, është qeveri e krejt Kosovës, jo e disa pjesëve të saj dhe ajo refuzon çdo lloj ndarje të Kosovës. Unë mendojë se në çdo marrëveshje asnjëra palë nuk e merr 100 për qindëshin të asaj që synon. Por kur unë e shoh dhe e analizoj këtë marrëveshje, mendoj se Kosova ka bërë shumë mirë që e ka pranuar dhe firmosur. Unë mendoj se kjo marrëveshje do të kontribuoj për stabilitetin e Ballkanit dhe stabilitetin e së ardhmes së shqiptarëve në Ballkan. Unë mendojë se në të ardhmen e afërt, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të shtojë njohjet për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Pyetje : Zoti Engel ashtu si gjithnjë të drejtohem si një mik i madh i shqiptarëve që asnjëherë nuk i je ndarë shqiptarëve, të paktën dy dekadat e fundit, a mund t’ju drejtoheni me një mesazh shqiptarëve nëpërmjet gazetës Pyetje ?

Engel : Sigurisht! Mesazhi im është se Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë dhe Kosovën. Shtetet e Bashkuara e kuptojnë mirë se miqtë më të mirë për amerikanët që kanë kudo në botë, janë shqiptarët. Kur ne shkojmë në Kosovë e Shqipëri, ne jemi pritur shumë mirë, dhe në Kosovë ne jemi përshëndetur sikur të ishim shokë, vëllezër dhe motra, dhe kjo është shumë, shumë e rëndësishme, për ne amerikanët. Lidhja midis kombit Shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara, gjithmonë do të jetë i fortë si në mes të Kosovës e Shqipërisë, dhe gjithë shqiptarëve. Për sa kohë që unë jam në Kongres unë jam duke punuar çdo ditë, për të siguruar që këto obligacione të jenë të përforcuara dhe unë e disa kolegët e mi në Kongres, po punojmë çdo ditë për të siguruar vendet e tjera të njohin pavarësinë e Kosovës. Tani Kosova ka 98 vende që e kanë njohur atë, por ne me të drejtë duam që ajo të ketë mbi 100 e ca njohje që një ditë Kosova të marrë atë vendin që i takon në Kombet e Bashkuara.

Shume të faleminderit !

Intervistoi Beqir SINA – New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Eliot Engel, Interviste, marreveshja

VISAR ZHITI: E DJATHTA, E LEHTËSUAR NGA LARGIMI I LSI PREJ ALEANCËS ME PD

April 9, 2013 by dgreca

Shkrimtari: Si më propozoi Berisha për ministër./

Një shkrimtar në postin e ministrit, çfarë i jep letërsia politikës./

  • “Prioritetet e mia, nga Burgu i Spaçit te libri”
  • “Qeveritë e majta kanë qenë indiferente me të përndjekurit, për të mos thënë prapësuese”/

Për poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti, tashmë ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk ka shumë rëndësi se sa do ta mbajë atë post.  “Mjafton edhe një ditë”, thotë ai. Pas tërheqjes së LSI-së nga koalicioni qeveritar, lindi nevoja për zëvendësimin e vendeve të mbetura bosh nga ministrat “aleatë” në Këshillin e Ministrave. Me zhvendosjen e ish-ministrit Aldo Bumçi drejt portofolit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, posti i ministrit të TKRS-së iu ofrua shkrimtarit Visar Zhiti. Në një intervistë për “Panoramën”, ministri Zhiti sqaron që nga momenti i propozimit, tek pranimi i ftesës, largimi i LSI-së, besimi tek e djathta dhe gjithçka që ai do të donte të bënte në kulturë, me gjithë kohën e paktë.

Për kuriozitetin e të gjithëve, si ju erdhi propozimi për t’u bërë ministër i MTKRS-së dhe pse e pranua atë? Patët hezitime?

Vërtet ka kuriozitet për këtë? Ndodhi natyrshëm, megjithëse do të thosha se të papriturat dhe befasitë e bëjnë jo vetëm punën, por edhe jetën më tërheqëse, më interesante. Sipas rregullit propozimi erdhi nga Kryeministria për këtë detyrë të lartë, pikërisht nga Drejtuesi. Nuk e prisja dhe mëdyshja, që kujtoni ju, ishte si shkak se mua menjëherë më vetëtiu në mëndje përgjegjësia e madhe e përzierë me mirënjohjen time për besimin që po më jepej.

E kam parim që nuk duhet të tërhiqesh, po të përballesh me ato që të sjell realiteti, sidoqofshin. Kur janë për mirë, duhet të mendohesh më  mirë. Në nderim të saj, kisha nevojë të bisedoja me veten time të dytë. Mos do të duhej të pyesja dhe bashkëvuajtës, ata do të donin të kishin një përfaqësues në qeverisje? Do të ishte një apel për të qenë dhe zëdhënës i tyre. Nuk do të doja të zhgënjeja kurrkënd, as Propozuesin dhe punën. Me dëshirën që të bashkohesha me ata që punojnë për kulturën tonë, shpalosjen e saj, krijimin, mbrojtjen, zhvillimet e promovimin e Shqipërisë së mrekullueshme, gjithë rini dhe sportivitet. Programi i qeverisë është i denjë për vendin, me ambicie të bukura, energjiçliruese, zbatimi i të cilit sjell begati e mirëqënie të mëtejshme shpirtërore dhe ekonomike. Dhe mëdyshja u harrua.

A nuk është një kohë e shkurtër për të përmbushur objektivat e institucionit apo që mund t’i keni vënë vetes?

S’ka gjë, e pashë si mision, qoftë dhe një ditë. Pastaj unë shkoj atje që të vazhdojë puna, pararendësi punoi me përkushtim dhe pasion. Që të vazhdojnë arritjet dhe përmbushjet e objektivave në institucionin e ministrisë ka plot emra, që i dinë dhe s’i dinë, me përvojë e të rinj, drejtues e specialistë, që kanë dhënë e po japin, që e duan punën dhe dinë të punojnë, që dinë të ëndërrojnë dhe ta bëjnë ëndrrën realitet. Të kujtojmë së fundmi festimet e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit dhe të themelimit të shtetit modern shqiptar, dëshimtë janë gjithandej nëpër Tiranë e Shqipëri. Se mund të kesh në dispozicion dekada dhe mund të mos bësh asgjë, apo ta bësh keq dhe mund të kesh një ditë dhe të bësh atë që duhet, të vazhdosh ecjen përpara.

Mos menduat se e djathta do të fitojë sërish dhe kështu mund të qëndroni në postin tuaj?

Jo, nuk kam menduar kështu. Sidoqoftë unë do ju thosha se kredoja ime, kudo ku kam qënë, në burg dhe jashtë tij, në atdhe dhe jashtë atdheut, liria dhe krijimi dhe me të djathtën tradicionalisht Shqipëria ka patur identitet më shumë, kulturë më shumë, liri më shumë, drejtësi me shumë, prosperitet më shumë. Me të majtën kemi patur kryesisht izolim, varfëri dhe sharje me botën, si përfundim diktaturën më të rëndë në Europë. Nga ky bagazh shtypës e majta jonë nuk shpëton dot, prandaj dhe e ka persekutuar të djathtën, ku vendosi tiraninë e vet. Gjithçka ka ndryshuar. Ju thashë, iu futa një misioni, që shpesh del mbi të gjitha dhe ka forcë përbashkuese.

Do ta pranonit një propozim për deputet për të djathtën?

Kam qenë dhe deputet. Kur është dashur, e kam ndërprerë me marrëveshje për të shkuar në detyrë tjetër. Në qoftë se do të duhet që edhe unë të jem deputet, është nder dhe do t’i përkushtohesha. Në fund të fundit çdo njeri është deputet, përfaqëson veten, të tjerë, ideale. Vizione.

Propozimi ju erdhi në një kohë kaotike, LSI tërhiqët nga koalicioni me PD-në dhe krijon një tjetër me PS-në, nuk do kishit dashur të ishte një periudhë tjetër?

Njerëzit bëjnë kohë dhe koha bën njerëz. Nëse u krijua një situatë kaotike, siç po thoni ju, do të desha t’i përgjigjesha për normalizim. Mendoj se u krijua një kohë për më mirë që gjërat të gjejnë veten. Lëvizje të natyrshme, do të thosha. Bëhen kur u duhet atyre që i bëjnë. Meqënëse lidhet me votimet, votuesi sovran do të tregojë se sa të drejtë e me sa moral është vepruar. Kurse kultura është një koalicion i gjithkohshëm me të gjithë njerëzit, me ata që janë dhe ata që kanë qënë e që do të jenë. Është pasuri e vëndit, e krijuar në shekuj, në vështirësi edhe më të mëdha, nën pushtime, nën diktaturë, ka sakrifikuar nga vetvetja, ka rritur vetveten.

Dhe kultura, ku fus artet, turizmin, sportet, nuk duhet të ketë të majtë dhe të djathtë në thelbin e saj, por duhet të jetë si ajri, nuk ka ajër të majtë e të djathtë, republikan e mbretëror. Ka smog, ka lagështirë, ajër burgjesh, tym intrigash, pluhur, ndotje, edhe me kuptimin metaforik të tyre, etj, t’i heqim ato. Ne duam ajrin e pastër, atë ajër të shëndetshëm të Shqipërisë si perlë e Mesdheut. Dhe kjo kërkon një program. Tashmë demokratët e kanë.

Sa ka humbur e dhjathta nga kjo lëvizje politike?

Jo, pse ka humbur, mbase e kundërta, unë them, si qytetar, se po rendin gjërat drejt vetvetes për të qënë ato që janë. Është fituar një përvojë bashkëpunimi dhe e ndëprerjes së saj, qoftë dhe befas, pa alarm e shqetësime. Të rritet kultura e mirëkuptimit dhe e kompromisit.                   Edhe përmes kontakteve që kam pasur, më thonë se ndihet një lloj lehtësimi. Në fund të fundit e majta majtas, e djathta djathtas. Shqipëria e përjetëshme.

Nuk mendoni se është koha për rrotacion?

Sapo ndodhi, do të thosha. Rrotacioni është i nevojshëm, është shpikje demokratike, e theksoj, por nuk duhet të ndodhë si në futboll, me atë logjikë, 45 minuta në këtë portë e 45 minutat e tjera në portën tjetër. Ai duhet t’i shërbejë prosperitetit të vendit dhe jo arithmetikës së interesit vetanak. Nëse shkohet për më keq, për hir të rrotullimit, s’ka pse të ndodhë. Nëse po shkohet për më mirë, na duhet vazhdimi i asaj force që po e kryen.

Dhe kjo është e djathta apo jo?

Me të djathtën, dihet,  Shqipëria mori frymë e lirë, e përsëris, u vendos demokracia, u hap ndaj botës, konkretisht u futëm në NATO, u renditëm me të përparuarit dhe të atyre që mbrojnë liritë dhe së shpejti në Europën e Bashkuar, familja e natyrshme. E majta, nëse nuk ndihmon në këtë proces, është e lutur të mos pengojë, për hir të çdo qytetari dhe interesit të tij.

Propozimi që ju bë, mos ishte një vendim strategjik për të marrë votat e të përndjekurve?

Të përndjekurt janë deputët moralë të popullit, në një farë mënyre, ata e kanë ditur me kohë se ç’duhet të bëjë vendi e ku duhet të jenë. Dinë të votojnë për një Shqipëri të lirë e demokratike, për ata që kanë bërë për të persekutuarit e në vazhdim do të bëjnë më shumë. E pse të mos jesh strategjik në zbatim të programit të madh të vëndit?

Çfarë duhet të bëjë më shumë e djathta kundrejt të përndjekurve?

Pse pikërisht e djathta dhe jo e gjithë shoqëria shqiptare?! Mua më vjen mirë që pyesni kështu, sepse në këto 20 vjet vetëm e djathta ka bërë për ne. Qeveritë e majta kanë qenë tërësisht indiferente, për të mos thënë prapsuese a më keq. As duhet të përdoremi dhe as duhet të shpërdorohemi. Dinjitetin sublim që të jep vuajtja dhe qëndresa, të përndjekurit e kanë natyrshém. Dhe pakënaqësitë për përmirësim të mëtejshëm të jetës, konkretisht në përshpejtim të dëmshpërblimit të gjithanshëm, për më shumë drejtësi e gjyq moral, janë kundrejt asaj force që bën, që i beson dhe do. Dhe unë them se meritohet më shumë.

Çfarë?

Dëmshpërblimi do të vazhdojë të kryehet më me përparësi. Dëmshpërblimi ideal është kryer, e thamë më lart, Shqipëri e lirë, e tregut të lrë, e të drejtave të njeriut, etj. Gjithnjë e më shumë po merr forcë kujtesa ndaj tyre duke u instutucionalizuar, letërsia e tyre, ku kishin fshehur shpirtin,  ka dalë, po bëhet pjesë e kulturës, etj, etj. Vështirësitë ekonomike që ka shtresa jonë e të persekutuarve nuk duhen të zmadhohen dhe as të konsiderohen të pa qëna, por të zgjidhen, dua të them. Realiteti i të persekutuarve nuk ka patur ato barazi e ato mundësi si e të të tjerëve, jeta e tyre vjen nga mungesat e rënda e nga balta e nga telat me gjëmba e errësira. Si rrjedhim ka nevojë për vëmendje permanente. Siç meritojnë mirënjohjen, u duhet dhe shtëpia më e mirë, shkollimi, puna, përfaqësim më i tepërt. Vazhdimet e premtimeve të vazhdojnë të realizohen me projekte dora-dorës. Që të thonë dhe ata gjithnjë e më shpesh: “Bacë, u krye”.

Po le të flasim për kulturë, çfarë do mund të bënit më mirë?

Unë shkoj në një institucion që nuk fillon tani, e përsëris. Atje ka traditë, programe, projekte, struktura, stategji, talente e të përkushtuar, realizime, arritje, marrëdhënie, etj, etj.

Unë po shkoj me mision të vazhdoj një punë, që nuk nis dhe nuk mbaron me mua. Atje është dhe përvoja e pararendësve. Do të punojmë që sipas programit të Qeverisë Berisha, të gjitha objektivat që ka vetë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të gjejnë zbatim, aty prioritetet janë të caktuara. Shqipëria është një vend me resurse të mëdha, shpirtërore, kulturore, turistike, art dhe sport, të zhvillohen e të mbrohet tradita kulturore, të prodhojmë kulturë, art, letërsi, të mbështet libri, autori, lexuesi, të forcohen lidhjet mes tyre, veprimtaritë.

Ndërkaq jemi në prag të sezonit turistik. Është kaluar nga njohja dhe joshja rajonale në atë europiane e më tej, që krahas të tjerave, të nxitet dhe ai turizëm që rrit punësimin, pra mirëqënien. Përmirësim infrastrukturor, nxitje e gjallërim të mëtejshëm, njohje dhe vizione dhe përhapje.

Ditën e shtunë ju morët pjesë në përurimin e një monument kulture në Gjirokastër, është ky një sinjal, që i keni më për zemër monumentet e kulturës?

Pjesë e prioritet institucional. Ishte planifikuar dhe u bë. Unë pata fatin që të shkoja si rishtar. Përururam shtëpinë madhështore të Babametove, ku fondacioni “Trashëgimia kulturore pa kufi” dhe Organizata për ruajtjen dhe Zhvillimin e qytetit të Gjirokastrés etj.. kishte realizuar një kryepunë, do të thosha, duke ruajtur traditën në gjithçka dhe duke futur modernen në funksionimin e tanishëm, të hapur për qytetarët, ku të rinjtë sidomos mund të organizonin veprimtaritë e dëshiruara. Falenderuam dhe ambasadorin e Suedisë, i pranishëm në ceremoni dhe më pas vizitova Gjirokastrën dhe shtëpinë e bukur të Ficove dhe atë të Kadaresë, shkrimtarit që i ka kushtuar disa nga kryeveprat qytetit të tij dhe ka përhapur imazhin e Shqipërisë nëpër botë. Shtëpia e tij do të bëhet së shpejti ajo që dëshirojmë, është në përfundim. Përkujdesin e duhur do të kenë dhe shtëpitë e Profesor Çabejit dhe të Musine Kokalarit, shkrimtares së parë grua shqiptare, disidentes së parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, e cila konfliktin e pati hapur me diktatorin, ndërkohë dhe bashkëqytetar të saj.

Shkuam në Kalanë e famshme të Gjirokastrës, vizituam mjediset dhe Muzeun e Armëve, ku ka nevojë për përmirësime dhe për më shumë nisma. Duke kuptuar më mirë se duhet edhe armA  e guximit.                                                                                                                       Nuk kuptova atje pavionin e burgut të Kalasë, që e kishte Bashkia, si dhe pse dhe pse ashtu, i mbetur si në kohën e socializmit, me emra të të burgosurve gjatë Luftës II Botërore nga nazi-fashistët, një pjesë e të cilëve më pas i vranë bashkëluftëtarët e tyre dhe mungonte dëshmia e të burgosurve të diktaturës atje. Kalanë ajo e bëri burg ende më të tmerrshëm.

Kur e vërteta është përgjysmë, ajo nuk është më e vërtetë, në rastin konkret është shpërdorim i historisë, mashtirim, fanatizëm i një ideologji tashmë të vdekur, shantazh. Përgjegjësit dhe specialistët duhet të veprojnë, se ka shumë e shumë më tepër rëndësi se ndriçimi i kështjellës, nga lart apo nga poshtë, kur me kokëposhtë lihet e vërteta historike.

Meqë jemi tek monumentet, është një ndër ta që mund t’ju prekë personalisht. Bëhet fjalë për burgun e Spaçit, i cili po shkatërrohet e po shitet për skrap, çfarë do bëni ju për ta ruajtur?

Shpresoj shumë që projekti dhe dëshira për ta kthyer Burgun e Spaçit në një muze, të realizohet. Kjo kërkon ndihmesën e bashkëvuajtësve të mi, idetë e tyre e të profesionistëve të historisë, të arkitekturës, urbanistikës. Ky monument dhe shumë të tjera janë dëmtuar, janë vjedhur. Vjedhja nuk hyn në kulturë, por në antikulturë dhe nuk i takon më vetëm Ministrisë së Kulturës, por gjithë shqërisë, çdo qytetari, edukimit të tij. I takon moralit të një vendi, pra po aq shumë dhe opozitës, që duhet të jetë pushteti moral i një vendi. Opozita dhe kushdo, nuk duhet t’u gëzohen dëmeve të tilla, por të veprojmë bashkarisht. Kur vidhet apo dëmtohet një vepër e të gjithëve, jemi vjedhur e dëmtuar të gjithë.

Nëse ka vlera kulturore dhe ka, patjetër që ka, ato nuk duhen parë si një pronë të qeverisë aktuale, por pasuri jona e do përkushtimin e të gjithëve. Po, po, edhe edukim dhe syçelësi. Jam për sensibilizim të mëtejshëm dhe ndëshkim të keqbërësve. Media duhet të japë ndihmesën e saj në këtë drejtim. Të bashkëpunojmë. Natyrisht do të shtohen mjetet e sigurísë në objektet e rëndësisë së veçantë.

Një tjetër temë që e keni shumë të afërt, është libri. Ç’duhet bërë që të kemi botime më të mira dhe përfaqësim më të mirë të librit shqip jashtë vendit?

Botime më të mira kemi dhe përfaqësim të librit shqip jashtë vendit kemi. Do të vijojnë për më mirë bashkëpunimi institucional autor botues lexues dhe investimet e librit jo komercial, që ka vlera kombëtare e albanalogjike, që i shërben kujtesës kolektive, këtij lloj arkivi. Janë me shumë interes pjesëmarrja e botuesve shqiptarë në panaire të mëdhenj së bashku me autorët. Do të vazhdojë të thellohet tradita e mbështetjes për të qenë të pranishëm në to.

Veç të tjerash është koha të ngrihen edhe struktura të brendshme, komisione, që të propozojnë librin shqiptar që duhet të përkthehet siç e kanë dhe vende të tjera. Të shkojë tek lexuesi i kudogjendur shpirti shqiptar. Por së pari tek lexuesi ynë. Kemi një Bibliotekë Kombëtare me rëndësi.

Cili është mendimi juaj për çmimet letrare, gjithmonë ka pasur debate mbi to…?

Dhe do të ketë gjithmonë si kudo. Që nga koha e Homerit e deri tek Homerët e ardhshëm do të ketë debate dhe për çmimet letrare. Në përgjithësi ato shërbejnë si vlerësim dhe publicitet të mëtejshëm të vlerave, janë dhe mirënjohje institucionale për arritjet, por nuk janë gjithçka, nuk janë vetë letërsia. Çmimet miratohen nga ata që e japin dhe nga ata që e marrin, mirëpriten nga opinioni, por dhe krijojnë pakënaqësi. Lexuesi ka nevojë për shenjime të tilla, por ai jep çmimin e vet siperan. Në fund të fundit vlerësimet duhet dhe do té vazhdojnë.

Duhet të merret Ministria e Kulturës me çmime të këtilla?

Pse Jo? Ministria e Kulturës ka zemërgjerësinë që krijon një grup pune, investon për të dhe më pas nuk ndërhyn. Për to vendosin juritë, që përbëhen nga emra të njohur, kritikë letrarë studiues të letërsisë, shkimtarë përkthyes, etj. Mendoj se duhet parë dhe përvoja e disa vëndeve të zhvilluara, ku përfshihet dhe lexuesi, votimi bëhet hapur, shoqëruar me spektakle të librit, lexime, etj.

Jam i sigurtë që Ministria e Kulturës po të mos organizonte dhënien e çmimeve kombëtare në letërsi dhe arte, do të bëhej gjithë shqetësim dhe akuzë që pse Ministria e Kulturës shmanget apo rri indiferente.

I keni parë ndonjëherë si monopol klanesh?

Nuk përjashtohet. Është dhe subjektive siç janë dhe vetë çmimet. Po s’ka pse të ndëshkohet në vetvetet dhënia e çmimeve.

Përpara se të bëheshit ministër cilat ishin ato gjëra, për të cilat keni thënë shpesh: Sikur të isha…?

Sigurisht si qytetar i këtij vendi kam dashur një bregdet më të mirëmbajtur aty-këtu, më joshës, duke ruajtur natyrën dhe duke krijuar komoditetin në harmoni me të, si spektator kam kërkuar të shoh edhe një dramë tjetër më të bukur, një teatër më të mirë, më modern, një opera më bashkëkohore, panaire librash në sa më shumë qytete, prani në ato ndërkombëtare, festivale gjithandej, biblioteka aktive, stadiume dhe fitore më shumë.

Po rendet drejt kësaj, dëshira të tilla kërkojnë përligjie dhe përligjia kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të institucioneve, intelektualëve, autoriteve në një punë të përbashkët. Më vjen mirë që jam në punë midis tyre.

Po fatkeqësisht ju do të drejtoni një ministri shumë të varfër financiarisht…

Është një ministri shumë e pasur, ka pasurinë shpirtërore të të gjithë popullit të saj.

Një përgjigje prej poeti.. Çfarë i jep dhe i merr politika letërsisë dhe anasjelltas?

Politika është veprimtari shoqërore, së cilës nuk duhet t’i trembemi. Përderisa politika merret me ne dhe ne duhet të merremi me politikën. Njeriu merret me politikë edhe kur nuk duket se po bën politikë apo është politikan. Pavarësisht se bëhet nga profesionistët, ajo vepron mbi qytetarët dhe qëndrimi ynë, veprimet tona janë pjesëmarrje. Në këtë drejtim edhe letërsia merr nga politika, jo vetëm  subjekte e  çështje e  përgjigje, por dhe nga filli i brendshëm dhe i padukshëm i saj. Absolutisht që janë dy fusha të ndryshme, shpesh në kundërshti, në luftë të pafalshme dhe me viktima. Eskili ka mërguar me detyrim, Ovidi është internuar, janë burgosur e pushkatuar dhe shpesh më e rénda pér letërsinë, është vënë në shërbim të diktaturave si me realizmin socialist. Të gjitha i përkasin pérkohësisë. Letëria është e pérjetëshme. Do të ishte fat që politika të merrte nga letërsia, sa më shumë nga kultura dhe humanizmi i saj dhe të mos ia çmagjepsë asaj lëndën e parë, Fjalën, aq më keq ta zhvleftësojë  e shpërdorojë. Morali intelektual është i domosdoshëm për të dyja.

Për këtë të fundit është folur shumë këto ditë. A ka moral dhe a duhet të ketë moral politika?

Më tmerron pyetja. Si nuk duhet të ketë moral politika? Politika është arti i së mundurës dhe e mundshme është vetëm ajo që ka moral, të pamoralshmet nuk duhet të jenë të mundshme, por duhet fituar mbi to, duhen mundur. Patjetër që politika do moral të lartë e të fortë.  Nëse duket i tepërt, këtë e përhapin ata që s’kanë moral, për të justifikuar veprimet e tyre. Politika ka dhe duhet té ketë si objektiv dhe shéndoshjen morale të shoqërisë.

Një debat që ka gjalluar së fundmi ka qenë ai i peticionit kundër ndryshimit të teksteve të historisë në Kosovë. Ju jeni një ndër firmëtarët, pse iu bashkuat kësaj nisme?

Ne nuk duhet ta ndryshojmë historinë për interesa jashtë të vërtetës dhe jasht historike. Latinët kanë një shprehje që thotë: Sa do i pasur qofsh, nuk e blen dot të kaluarën tënde. Pra ndryshimet duhet të jenë té pamundura. Natyisht porosité që mund të vijnë nga e kaluara, mund të shtohen, të jenë për mirëkuptimin dhe paqen dhe bashkëpunimin, por faktet, dukuritë ashtu si  datat historike dhe emrat nuk zhbëhen dot. Ato do të mbeten ashtu siç rezulton e vërteta. Qofshim të zotë për të rregulluar të tashmen dhe të ardhmen, dakort, e shkuara duhet shndërruar në përvojë, por jo të ndryshohet dhe të lëvizë. Skënderbeu është ai që ka qenë.

Por a ka nevojë historia jonë për t’u riparë, qoftë dhe në rrafshin terminologjik?

Bashkohem me ata profesionistë që thonë se ka nevojë për thellim. Gjithmonë ku ka zbulime të reja, rizbulime, këndvështrime dhe interpretime të reja, pa harruar dhe pa shpikur. Në dobi të përparimit. Të ndjekim llogjikën historike. Dhe, edhe kur nuk ka qënë e mirë, të bëjmë historinë e së mirës.

Bisedoi per Panorama:  Ama Mile(Ne Foto:Caption: Ministrat e rinj me Presidentin, Kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit gjatë betimit në Presidencë)

Filed Under: Featured Tagged With: Alma Mile, E djathta, e lehtesuar, Interviste, nga ikja e LSI, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT