• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“HORIZONT I QARTË DHE SHANSE TË MËDHA PËR REALIZIMIN E ËNDRRËS AMERIKANE”

January 19, 2013 by dgreca

Intervistë e Baki Ymeri me Peter M. Tase (Milwaukee, USA)/

 Pyetje: Z. Tase, diçka rreth familjes suaj: ku keni lindur dhe sa vjeç ishit në atë kohë kur emigruat për në SHBA?/

 Peter Tase: Kam lindur në qytetin e Beratit, në Tetor të vitit 1982 dhe disa vite të fëmijërisë i kam kaluar në lagjen Mangalem, në njërën prej shtëpive buzë rrugës së kalldrëmtë që të çon për në Kalanë e qytetit. Gjithë periudhën e tranzicionit e kam përjetuar si nxënës në shkollën 8-vjeçare “22-Tetori” dhe më pas si student  në Shkollën e Mesme të Përgjithshme  “Bab Dud Karbunara” deri sa në vjeshtën e vitit 2000, së bashku me prindërit dhe vëllanë më të vogël, u larguam për në SHBA duke u vendosur në qytetin e bukur   Milwaukee  të shtetit Wisconsin,  ku jetojmë edhe sot. U larguam nga Shqipëria me kujtimet e hidhura që na lanë ngjarjet e  tmerrshme të vitit 1997, të cilat unë, edhe pse në moshë  ende 15 vjeçare, i përjetova  nga afër. Në atë kohë ne jetonim në Lagjen “30-Vjetori” dhe nëna ime ishte mjeke e kësaj lagjeje. Natyrisht, ishte mjaft e njohur dhe e familjarizuar me banorët e lagjes aq sa mua, që isha edhe më i rrituri, më thërrisnin “djali i doktoresha Ludit”.

I kujtojmë ato skena, kur para vilës sonë dy-katshe, ndalonte autokolona e benzave  mbuluar nga pluhuri i rrugës shkaktuar nga rrotat që frenonin, prej nga dilnin gjithë ata djem të rinj dhe plot energji,  me “kallashnikovë” nëpër duar,  që vinin për të kërkuar asistencë mjekësore për ndonjë shokun e tyre të plagosur gjatë ndeshjes mes bandave, dhe më vjen çudi se si arrita të mësohesha dhe të miqësohesha me ta. Shpesh, ndonjëri prej tyre ngacmonte vëllanë e vogël, duke i thënë se “kemi ardhur për të marrë mamin!”.  Ndersa Aldo, në atë kohë vetëm 10 vjeç,  qante dhe i shante para e mbrapa…Këto skena dhe të tjera si ajo kur, bashkë me mësuesin e fizkulturës së shkollës 22-Tetori,  hymë në Shtëpinë e Pionierit të përfshirë nga flaka dhe tymi, për të  shpëtuar instrumentat muzikorë, ndërsa zjarrfiksja në buzë të rrugës  ende vazhdonte të digjej, apo kur luaja me sintetizator në klubin Bar Rati ku mblidheshin “heronjtë” e 1997-ës,  më vijnë ndërmend si pamje të ndonjë filmi të parë në femijërinë e hershme ndërsa vetja si një personazh i filmave “western”.

Por një gjë nuk mund ta harroj kurrë: shpërfytyrimi që i ishte bërë në vitet e tranzicionit imazhit të shkollës që mbante emrin e mësuesit patriot Bab Dud Karbunara, dikur e mesme pedagogjike dhe më pas e mesme e përgjithshme ku unë kalova tre vitet e fundit të jetës time në Shqipëri dhe ku babai im ishte diplomuar si mësues dhe më pas kishte qënë mësimdhënës  në të njëjtin këshill pedagogjik  me mësues të njohur si:  Avenir Aleksi, Luçi Nushi, Elsa Vakëflliu, Ksenofon Ilia, Andon Sinjari, Asllan Sula e të tjerë më të rinj, bashkëmoshatarë të tij, të cilët arrita t’i njoh si kolegë të afërt të tim ati, por tepër von për të patur edhe fatin t’i kisha mësuesit e mij! Viti im i fundit në këtë shkollë, pikërisht,  kur përgatiteshim për të marrë rugën e Amerikës,  ishte me të vërtetë një “nightmare” dhe që nuk dua ta sjell kurrë ndër mend  dhe jo më të flas për të!

 

B. Y.: Pasi u vendosët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i keni mbaruar studimet?

 

P. T.: Ishte 22 Shtator i vitit 2000, kur shkelëm për herë të parë në tokën Amerikane. Nuk është e lehtë të integroheshe menjëherë në jetën Amerikane, por neve na u bë mbështetje një person mjaft i afërt  i familjes dhe që i përkiste brezit të parë të lindur në Amerikë. Unë dhe vëllai im ishim të vetmit studentë  emigrantë  dhe të parët shqipfolës në historinë e “Middle” dhe “High school” të Whitefish Bay-it në Milwaukee, më e mira në shtetin e Wisconsin-it. E përfundova shkollën e mesme në Qershor të vitit 2001 dhe në vjeshtë u pranova në Universitetin  ‘Wisconsin’ në Milwaukee (UWM), ku mbarova studimet për Shkenca Politike dhe Literaturë Italiane. Në pranverën e vitit 2006, u pranova në Qendrën për qeverisje “Les Aspin” në Washington, D.C., ku, për gjashtë muaj, në të njëjtën kohë me studimet e programuara nga Qendra, punova në zyrën e Rep. Richard Pombo (CA-11), anëtar i Dhomës së Ulët në Kongresin Amerikan. Gjatë qendrimit tim në Kongres, m’u krijua mundësia të kem kontakte me personelin e Ambasadës Shqiptare në Washington DC duke i shërbyer politikës shqiptare në realizimin e mjaft takimeve të rëndësishëm  me anëtarë të Senatit dhe anëtarë të Dhomës së Ulët në Kongresin Amerikan.

Mund të përmend me këtë rast realizimin e takimit të Kryetares së Kuvëndit të Republikës së Shqipërisë me Kryetarin e 59-të të Dhomës së Ulët, Dennis Hastert, gjatë vizitës së saj zyrtare, tre ditore, në muajin Mars të vitit 2006. Por mbresa të pashlyeshme më kanë lënë takimet midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Z. Besnik Mustafaj dhe disa figurave të shquara të politikës Amerikane, ku unë isha i pranishëm në rolin e përkthyesit, në muajin Shkurt të po atij viti. I tillë ishte takimi që organizova me Rep. Dana Rohrabacher, anëtar tjetër i Kongresit Amerikan dhe ish-autori i fjalimeve të Presidentit Regan në vitin 1983; takimi me anëtarin e Kongresit nga Dakota e Veriut, Earl Pomeroy mjaft i njohur për politikën shqiptare me fjalimet e tij në sallën kryesore të Dhomës së Ulët në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por e paharruar do të mbetet për mua biseda e ngrohtë midis Z. Mustafaj dhe  ish-Ambasadorit  të SHBA-së në Vatikan, Thomas P. Melady. Pas kthimit nga shërbimi vullnetar me Korpusin e Paqes në Paraguaj, në vitin 2009,  do të takohesha përsëri me Ambasador Melady, në auditorët e Institutit të Politikave Botërore, Washington DC, ku unë fillova studimet për master’s degree. Edhe pse kishin kaluar disa vjet nga takimi me Ministrin e Jashtëm Shqiptar, gjurmët që kryediplomati Besnik Mustafaj kishte  lënë tek Profesor Melady, ishin mjaft  të  thella  duke e konsideruar  atë si një diplomat të standarteve Euro Atlantike dhe bashkëkohore. Me një përvojë të pasur nga puna në Kongresin Amerikan, kthehem përsëri  në Wisconsin, për të përfunduar Fakultetin dhe sapo u diplomova në Dhjetor të vitit  2006, me erdhi edhe konfirmimi i kërkesës  për  t’u bashkuar me Korpusin e Paqes dhe për të shërbyer  në  Republikën e Paraguait  për më shumë se dy vjet.

 

B. Y.: Çfarë ju shtyti që të aplikoni për të hyrë  në Korpusin e Paqes?

 

P. T.: Kjo është një temë e cila do të kërkonte shumë vëmendje  por edhe mjaft vend për t’u trajtuar. Ky është edhe projekti  i ardhshëm: të sistemoj dhe të publikoj disa qindra faqe me shënime mbi Paraguain dhe paraguajanët, me të cilët, tani, veç gjuhës indigjenase, guaranishes, më lidhin edhe kujtimet e bukura.   Dua të bëj diçka për të ndryshuar jetën e tyre, qoftë edhe të shkruaj për ta dhe t’ia bëj të njohur botës hallet e tyre.  Por nga ana tjetër ndjej edhe një detyrim moral ndaj Shtetit Amerikan, diversitetit dhe barazisë  që më dha mundësinë, mua të riut nga Shqipëria, të prezantoj në botë, krahë për krahë me moshatarët e mij amerikanë si vullnetarë të Korpusit të Paqes, vlerat e vërteta morale të atij brezi që në rolin e lidershipit do të përcjellë  në breza  madhështinë e këtij vendi të lirë dhe demokratik. Si më lindi ideja për të shërbyer në Korpusin e Paqes?

Fare natyrshëm… Familja jonë u integrua  shumë shpejt me një sistem i cili ‘madhështinë’ e  vet e ka arritur mbi bazën e modelit të përkryer të demokracisë në shoqëri, liria e të shprehurit dhe e individit, diversiteti dhe respekti ndaj ligjit.  Prinderit e mij erdhën në këtë botë të panjohur duke mbartur me vete vlerat humane të atij sistemi si dhe humanizmin profesional si mësues dhe mjek. Nuk ka se si  të jetë ndryshe…”Dardha bie nën dardhë” thotë populli. Këto motive humane unë i pashë tek Korpusi i Paqes  ku  gjeta vetveten, duke u “kthyer në origjinë” e duke përjetuar  humanizmin e vërtetë të asaj bote ku njeriu nuk vlerësohet nga paraja dhe ku “altruizmi” nuk ka hyrë ende në fondin e gjuhës guaranishte të  indigjenasve.  Shumë shpejt e ndjeva veten të barabartë mes vullnetarëve të tjerë amerikanë, që shkonin nëpër botë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe që me punën dhe përkushtimin e tyre ata bëhen edhe një shëmbull për t’i treguar të riut amerikan se pjesëmarrja në ‘Peace Corps’ është mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj këtij shteti që i jep mundësitë kujtdo dhe pa dallim për të çarë në jetë e për të realizuar synimet e veta. Por, mendoj, se janë edhe disa faktorë objektivë që kanë ndikuar në karakterin tim për të ndërmarrë një vendim të tillë.

Në vitin 1991, pas përmbysjes së diktaturës komuniste, Shqipëria “hapi portat”. Nuk i kisha mbushur ende dhjetë vjeç dhe mbaj mend që në Berat filluan të vërshojnë “misionerët e paqes”. Vinin nga të katër anët e botës dhe i përkisnin të gjitha besimeve fetare. Nuk mungonin edhe autoritete te diplomacisë ndërkombëtare si, Perez De Kuelar apo shkrimtarë  të shquar, miq dhe dashamirës të popullit shqiptar. Këta të fundit kontaktin e parë e kishin me Bibliotekën e qytetit ku, deri në atë kohë (1991), si drejtues i emëruar nga “nomeklatura e kuqe”, edhe pse nuk kishte qënë ndonjëherë komunist, ishte babai im. I kam ende të freskëta në mendje ato çaste kur miqtë tanë të rinj që vinin nga Evropa, për ditë të tëra e gjenin tavolinën dhe krevatin shtruar. U mësuan edhe ata me ‘mikpritjen shqiptare’. Nuk i mbaj mend emrat e tyre, por na ishte bërë zakon që, më von, t’i kujtonim nëpër biseda fare natyrshëm si: italianët, ajo anglezja, Mazllemi (emër karakteristik shqiptar) nga Zvicra, ata të Bahait apo të Caritas-it etj.  Vetëm akademiku Anglez, Philip Winn, i cili e vizitonte Beratin për herë të dytë me rastin e 2400 vjetorit të lindjes, ka hyrë në historinë e familjes sime.

Kam një fotografi, kujtim, nga ai dhe një paragraf të shkëputur nga letërkëmbimi disa vjeçar me babanë tim, ku thotë: “Ç’kënaqësi sikur dashamirës të Shqipërisë të gjenin kohë dhe të bënin përpjekje për të ndryshuar mendimin dhe gjykimin e tyre për këtë vend, ashtu sikurse fatmirësisht po më ndodh edhe mua…! Le të shpresojmë se djali jonë Aleksandër dhe djali juaj, Peter do të jetojnë në një Europë më të bashkuar..! Le të shpresojmë që të takohemi përsëri në Shqipëri, në kohë më të mira! Jam i bindur se ditët që do të vijnë do ta bëjnë një gjë të tillë!” (TË HUAJT PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT – Piro Tase). Ndoshta mund të ketë ndikuar edhe ‘kontakti’ im me të huajt  nga vende të ndryshme të Evropës dhe Azisë,…( të cilët kanë ardhur përgjatë shekujve në Beratin e lashtë si gjeneralë të ushtrive pushtuese, si diplomatë, misionarë politik apo edhe si shkencëtarë a visitorë)…përmes shënimeve që ata kanë lënë për përshkrimin e Beratit dhe beratasve,  gjatë punës time kërkimore për gjetjen e këtyre dokumentave nëpër fondet e disa bibliotekave të Universiteteve më në zë të Amerikës, për të ndihmuar  autorin Piro Tase në realizimin e projektit të tij të hershëm: “Të huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët” http://www.lulu.com/shop/piro-tase/t%C3%AB-huajt-p%C3%ABr-shqip%C3%ABrin%C3%AB-dhe-shqiptar%C3%ABt-edicioni-2/paperback/product-6464469.html

 

B. Y.: A e keni vizituar më pas Paraguain dhe fshatin ku shërbyet si vullnetar në “Peace Corps”?

 

P. T. Kjo është mbrekullia: që edhe pas përfundimit të shërbimit vullnetar në Paraguaj, ku kam kaluar vitet më të bukurit e rinisë sime, ende vazhdojnë të më përshëndesin: “Hola, Nortamericano, Pedro”! Sapo u ktheva prej andej pas një qendrimi të shkurtër me mision nga Këshilli i Studimeve të Hemisferës Perëndimore (www.coha.org) për të cilën punoj si studjues i çeshtjeve të Amerikës së Jugut.

 

B. Y.: Cili ishte misioni juaj gjatë shërbimit në Paraguaj?

 

P. T.: Korpusi i paqes në Paraguaj ka filluar aktivitetin e vet në vitin 1967. Në kohën time  ne festuam 45 vjetorin e  këtij fillimi. Që nga hapja e aktivitetit në  Asuncion, kanë shërbyer më shumë se 3900 vullnetarë  dhe aktualisht shërbejnë  rreth 210 vullnetarë  në  pjesën më të madhe të vendit. Fuksionet kryesore të Korpusit të Paqes janë: prezantimi i kulturës së vërtetë, demokratike Amerikane  në popullsinë vendase, si dhe realizimi i projekteve në fushën e shëndetësisë, arsimit si dhe reformimi i pushtetit lokal. Vullnetarët e Korpusit të paqes prezantonin vlerat e vërteta të një të riu Amerikan, ndaj dhe përzgjedhja e kandidatëve bëhej duke kaluar gjatë një procesi  të  gjatë dhe mjaft delikat. Gjatë tre muajve të parë, kemi bërë një trajnim intensiv teknik dhe gjuhësor. Pas periudhës së trajnimit bëmë betimin zyrtar në Ambasadën e SHBA-së në Asuncion, dhe sejcili prej nesh u drejtua për në fshatin apo qytetin e vogël ku ishte caktuar nga stafi i zyrës së korpusit të paqes dhe drejtorët përkatës të projekteve të ndryshme për zhvillim në Korpusin e Paqes.

Mua më ra radha të shkoj në një zonë të thellë të Paraguait, më shumë se 440 km në Jug të Asuncionit. Kam punuar nga afër me mësuesit, infermjerët dhe fshatarët e zonës duke bërë të mundur që sejcili prej tyre të kishte ndjenjën e përgjegjësisë dhe iniciativës për realizimin e mjaft projekteve në fushën e higjenes, arsimit dhe shëndetit publik. Krahas realizimit të programit te ‘Peace Corps’  fillova të jepja edhe mesimin e gjuhës angleze në shkollën e mesme të fshatit. Paraguai është një nga dy vendet më të varfër në Amerikën Latine. 2.5 milionë shtetas jetojnë  në nivelin e varfërisë ekstreme edhe pse është vendi i parë në botë për prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme (me burime hidrike), zë vendin e dytë për  prodhimin e sojës dhe të pestin në botë për rezervat e naftës në zonen e Çako-s (Chaco-Paraguay), Paraguaj.  Ky vend mesdhetar dallohet, gjithashtu, edhe për nga rezervat e mëdha të ujit të pijshëm, që e bejnë të renditet  në vendin e dytë për burime ujore.  Me gjithë këto pasuri natyrore, Paraguai ka një sistem të amortizuar rrugësh të asfaltuara, madje mund t’ju them se Republika Orientale e Uruguait, është sa gjysma e teritorit të Paraguait dhe ka mbi dhjetë mijë  km rrugë të asfaltuara, kundrejt 4700 km rrugë të tilla në Paraguaj.

Pata fatin të jetoj në një fshat të larget të Paraguait, Teniente Sanchez, dhe të njoh nga afër jetën rurale por edhe kulturen tipike paraguajane dhe, mbi të gjitha, të mësoj  edhe gjuhën e tyre, Guarani, që është edhe njera prej dy gjuhëve zyrtare në vend.   Gjithashtu,  gjatë orëve të lira punoja me projektin e hartimit të një fjalorit simultan pesëgjuhësh, botimin e të cilit e realizova menjëherë pasi u ktheva nga shërbimi. (http://www.lulu.com/shop/peter-tase/simultaneous-dictionary-in-five-languages/paperback/product-13853847.html). Ishte një eksperiencë e mrekullueshme dhe nuk mund të gjesh fjalë për të falenderuar  këtë agjenci të qeverisë së ShBA-së, Korpusin e Paqes duke i dhënë në këtë mënyrë të rinjve Amerikanë mundësinë për të  ndezur pishtarët e demokracisë dhe të lirisë së vërtëtë edhe në skajet më të largëta të globit.   Ndihem krenar që jam pjesë e këtij grupi vullnetarësh që sot përbëjnë më shumë se 130 mijë anëtarë që kanë shërbyer në më shumë se 134 vende të botës.

 

B. Y.: Aktualisht me se jeni duke u marrë dhe çfarë planesh keni për të ardhmen?

 

P. T.: Pas kthimit nga Paraguaj, fillova studimet në ‘Institutin e Politikave Botërore’ në Washington, D.C.,   për gradën Master në fushën e sigurisë kombëtare dhe Diplomaci. Njëkohesisht, kam bërë edhe një Internship në zyrën e Ambasadorit të Paraguai-t, duke forcuar, kështu, më shumë lidhjet me këtë vend. Gjatë muajit Qershor dhe Korrik të këtij viti, i dërguar nga ‘Washington Report on the Hemisphere’, si një ‘Research Fellow,’ ndërmora një vizitë të gjatë në Paraguaj,  ku dhe perjetova nga afër ndryshimet e befasishme politike që ndodhën në Asuncion dhe që tërhoqën vëmendjen e shtypit botëror si dhe atij shqiptar.  Krijova mundësinë që të bëja dy intervista me Presidentin e Paraguait, Dr. Federico Franco, para dhe pas marrjes së detyrës së Presidentit. (http://www.iwp.edu/news_publications/detail/iwp-student-interviews-paraguayan-president-federico-franco). M’u kërkua që të jap disa intervista lidhur me situatën më të fundit politike në Paraguaj, në dy gazetat më të mëdha në vend si dhe në disa radio dhe stacione televizive. (http://www.ipparaguay.com.py/2011/ip/index.php?#cuerpo).  Mora shkas për të vlerësuar kulturën demokratike të popullit paraguajan për të zgjidhur në mënyrë paqësore dhe demokratike këtë situatë delikate që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Kam vizituar edhe tre universitete në Paraguaj, ku prezantova  Fjalorin Simultan me Pesë Gjuhë dhe dhurova një sasi të konsiderueshme librash për bibliotekat e tyre.(http://www.abc.com.py/edicion-impresa/locales/ex-cuerpo-de-paz-dona-libros-a-universidades-406684.html)

Më 11 Shtator, 2012, në bashkëpunim me  UWM do të organizojmë  një forum mbi potencialet që ka Paraguaj  për investitorët e huaj, kryesisht Amerikanë, që do të zhvillohet në mjediset e këtij Universiteti  ne bashkepunimin me komunitetin e biznesit në shtetin Wisconsin.  Në këtë takim do të marrin pjesë edhe autoritete të larta që do të vijnë nga Asuncioni. Aktualisht, pas një proçesi të vështirë konkurimi me teste dhe intervista, arrita të fitoj pozicionin e ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të ‘Federatës Nderkombëtare të Shoqatave të Edukimit në Inxhinjeri’ (IFEES).( http://www.sefi.be/ifees/).  Kërkesa nga ana e Gazetës mjaftë të njohur per shqiptarët e Amerikës, ‘Telegraf’ për të dhënë këtë intervistë, përkon me ditën e parë të fillimit në këtë pozicion, i cili do të më bëjë të mundur që, në të ardhmen, t’i shërbej jo vetem politikave botërore, por në  veçanti, edhe vendit tim, si në politikë, po ashtu edhe në fushën e shkencës dhe të arsimit.

 

B. Y.: A do t’u mbetet kohë e lirë?

 

P. T.: Shpresoj se po. Fillimisht, do ta kem pak të vështirë por do të përpiqem që të ruaj bashkëpunimin me ‘COHA, ‘Spero News’, Kosova Info, ‘ACADEMICUS-International Scientific Journa’l’,  si dhe me revistën  artistike Euro-Shqiptare “KUQ E ZI” që botohet në Bruksel nga artisti dhe shkrimtari i njohur, Lek Pervizi, https://sites.google.com/site/revistakuqezi/)  po ashtu, do të vazhdoj të merrem me projektin tim në fushen e përkthimeve për të prezantuar  në botën anglishtfolëse dhe në kontinentin e Amerikës Latine, poezinë shqiptare. Ky projekt i ka fillimet me përkthimin e më shumë se dhjetë autorëve shqiptarë, ndër të cilët: krijimtaria e Ndue Ukajt, përkthyer në Anglisht dhe Spanjisht, Anton Gojçaj dhe Remzi Basha. www.petertase.com

B. Y.: Faleminderit dhe Tung!

(Intervistoi:Baki YMERI)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Baki Ymeri, Interviste, Peter Tase

NJE ZE I VECANTE NE LETRAT SHQIPE

January 18, 2013 by dgreca

INTERVISTE ME SHKRIMTARIN VULLNET MATO/ -Në përjetimin tim të realizmit socialist, kritika ishte një shkop, i cili nga njëra anë kishte një topuz me thumba të mprehtë për të talentuarit dhe nga ana tjetër, një furçe me fije mëndafshi për mediokrit e indoktrinuar. Sot kritika letrare ka shkuar për pushime të gjata në ishuj e Paqësorit. Unë ndjeva kohët e fundit për herë të parë kritikën e vërtetë shkencore për prozën time, në shkrimin e akademikut Fatmir Terziu te fjala e Lirë e Londrës./

NGA RAJMONDA MOISIU/

“Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet …../

 Peripecite e hapësirave të largëta janë pjesë e natyrës njerëzore, gati në mënyrë të përafërt me trurin e krijuesit, nga e cila lind një poezi, prozë apo edhe një refleksion i çastit. Fakti që një krijues i hedh në letër, tregon pasionin, aftësinë për të vazhduar me fisnikërinë e një profesioni, kuptimi i të cilit është integriteti i asaj ç’ka të shtyn të shkruash. Në rastin konkret shkrimtari Vullnet Mato, për herë të parë botoi një poemë, të redaktuar nga i ndjeri Vath Koreshi, që e bëri të ndjehej si Juri Gagarini, që në ato ditë po i vinte botës përqark me raketë, duke përfytyruar ato hapësira të largëta të rrugës krijuese për t’u bërë shkrimtar. Pas saj vjen romani “Ujësinor”, duke na treguar detajet e rrugës së jetës. Fjalën njerëzore dhe edukuese të prindërve, mendimin se njeriu i mirë është thesar dhe virtyt ta fitosh, botimin i poemës dhe i romanit, profesioni e tij të mësuesisë, pasionin për të shkruar, si një vorbullë magjike që e tërheq, ai i sheh si përvoja të vyera, të cilat i kanë dhënë mundësinë për të promovuar karrierën e tij si shkrimtar. Në galaktikën e tij krijuese letrare numërohen plot tetembedhjete vepra. Ndërmjet të cilave shquhen romani “Damkosja e Engjëjve”, “Vajza e Kyçur”, “Marrëzia e madhe”, “Matura e paharruar”etj. I cilësuar dhe vlerësuar nga kritika e kohës si një shkrimtar cilësor që dallon me mjeshtërinë e penës së tij: “Është mjeshtëria e Matos që depërton deri thellë ngulmave vjetroshe të shkulë çibanë dhe mërzitma. Jeta e njeriut e deliri i tij, në sfilitën letrare të Bernard Show-t dhe të Matos gatuhet i tillë” (F.Terziu). Tani kontrastin e fortë të personalitetit të njeriut në dy kohë ai e shikon sa të rëndësishëm aq edhe me pozitivitet për ta krijuar. Shkrimtari dhe poeti Vullnet Mato, një nga zërat më të njohur në letrat shqipe, një njeri modest dhe shumë i sinqertë, na tregon për audiencën e lexuesve detaje të rëndësishmete jetes dhe krijimtwrise letrare, disa herë duke përdorur sqimën e batutës inteligjente, paksa sarkastike, por shumë popullore, këndshëm dhe me një emocion të papërshkruar.
-Keni lindur duke qeshur apo duke qarë dhe pse?
-Duhet të kem lindur duke qeshur, sepse ndjehem gjithmonë me humor të mirë. Ndoshta e kam kompensim për të mos i ndjerë vuajtjet e fatit, nga fëmijëria deri në vitet ’90, kur ngriu lufta klasore. 
-Ku keni lindur? Jeni nga ku lindët, apo nga ku banoni? Po fëmijët tuaj nga e konsiderojnë veten dhe pse?
-U mbolla në Sarandë, lidha kokrra në Librazhd dhe do korrem në Tiranë. Fëmijët deklarohen sarandiotë, megjithëse Sarandën e kanë pare me sy në moshë madhore. U pëlqen shumë Saranda me det dhe me njerëz të qetë.
-Kush jua ka vënë emrin? Cili është mesazhi i emrit? Do donit ta ndryshoni?
-Emrin ma ka vënë gjyshi Xhaferr Mato. Me dëshirën, për të trashëguar vullnet të fortë, siç ka ndodhur. Djali i madh emigrant ka dashur ta ndërroj në Vasil, për të marrë pension në Greqi. Por unë preferoj të vuaj me pensionin e vogël shqiptar, duke menduar se vuajtjet në atdhe e fisnikërojnë shqiptarin.
-Ku e kaluat fëmijërinë?Cili është kujtimi më i bukur dhe më i shëmtuar?
-Fëmijërinë e kalova në Sarandë. Kujtimi më i bukur është kur nxora nga deti koshin prej teli me 12 peshq dhe gëzova nënën me vëllezërit e uritur. Kujtimi më i shëmtuar është, dënimi me vdekje, duke na hoqën triskat e bukës, se nëna me shtatë fëmijë nuk pranoi ta ndante babanë e burgosur për agjitacion dhe propagandë.
-Çfarë mbani mend se keni mësuar për herë të parë nga nëna, apo nga babai? Po nga mësuesi? Po nga shoqëria? Po në moshën e parë dhe të dytë?
-Nga nëna kam mësuar të bëhem memec para fjalëve politike, për të shpëtuar nga burgu. Nga mësuesi kam mësuar se në Australi ka më shumë lepuj se njerëz. Nga shoqëria kam mësuar se në botë ka më shumë hajdutë dhe kriminelë, prej të cilëve duhet ruajtur. Në moshën madhore kam kuptuar se një njeri i mirë është një thesar, të cilin duhet ta fitoj.
-Kush ka ndikuar më shumë në formimin tuaj, nëna apo babai, apo shkolla e shoqëria?
-Në edukimin tim ka ndikuar shpirtmadhësia e nënës, dhe intelekti i babait. Në formimin tim kanë ndikuar disa mijëra libra të lexuar. Shkolla dhe shoqëria kanë ndikuar pak. Më tepër kam ndikuar vetë mbi to, me profesionet dhe marifetet për të bërë ca gjëra që nuk i bënin të tjerët.

-Po në shkollë, cila ka qenë lënda që u ka pëlqyer më shumë?
-Më ka pëlqyer më shumë letërsia, psikologjia dhe astronomia. 
-Cilat fenomene ndikuan në formimin Tuaj si shkrimtar e poet? 
-E fillova me hartimet që lexonte mësuesi i shtatëvjeçares para klasës. Vijova me disa vjershëza, të cilat, si ato çupërlinat fanatike, nuk dolën nga dhomat e trurit për t’i parë djemuria. Pastaj u pllenova nga jeta ime me peripeci nëpër hapësira të largëta, ku në mënyrë të përafërt, truri i krijuesit mbetet shtatzënë. Dhe linda një poemë. Kur i ndjeri redaktor Vath Koreshi e lexoi dhe tha se do ta botonte menjëherë të nesërmen në një faqe të gazetës “Zëri i Rinisë”, dola në bulevardin kryesor të Tiranës, dhe ndjehesha si Juri Gagarini, që ato ditë po i sillej tokës përqark me raketë. Më pas botova romanin për sharrëtarët “Ujësinor” që u shtyp dhe priti tre muaj i paketuar, derisa nuk pati ndonjë vërejtje nga disa dhjetëra zyra të larta partiake e shtetërore, ku e çuan për verifikim. 
– Më tej krijimtaria u diktua nga nevoja, koha apo dëshira për një të tillë?
-Syri i eprorëve diktatorial zbutej disi para atij që kishte fituar besimin e botimit. Ndonëse pati edhe ndonjë kapter ushtrie që më mori inat pikërisht për këtë fakt e tha: ”Sa di ti, më di mushka mua!” Por kryesisht pasioni ishte vorbulla magjike që më rrëmbeu e s’më lëshon, derisa të më çojë në thellësitë përfundimtare të jetës. Tani kur më pyesin, sa fëmijë ke? U them 19 dhe të gjithë të gjallë. 3 m’i ka bërë gruaja dhe 16 i kam lindur vetë. 
-Si e keni krijuar familjen, me mblesëri, me rekomandim, apo me dashuri, apo u ka martuar shoqëria, partia policia dhe si ka qenë jeta juaj familjare?
-Jam martuar me dashuri të penguar, duke e rrëmbyer gruan si hajdut klasik. Partia dhe policia më kanë hedhur baltë, që të mos më afrohej grua nga sfera komuniste. Pastaj jetën familjare ma ka bërë gruaja të shkëlqyer, edhe kur kemi pasur në pjatë dy gisht bukë e një copë presh. 
-Ç’është dashuria për Ju? Cilat janë dashuritë Tuaja? Sa i ruani ato brenda shpirtit e krijimtarisë Tuaj, si relikte të çmuara? Kur një njeri e ndjen se ka të tilla?
-Dashuria e vërtetë është si zanë, shumë flasin por pak e kanë parë dhe ajo të vjen një herë në jetë. Të tjerat më pas janë dashuri, po nuk ngjajnë me të, sepse janë iluzionet e saj. Unë kam rënë kokë e këmbë në dashuri qysh në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç me vajzën që grabita. Tani më duket sikur kam lindur i martuar. Në krijimtarinë time dashuria është majaja që mpiks veprën. Ka në të ndjesi të ëmbla dhe pak humor. Sepse e tillë është vet ajo. Në kuptimin më të gjerë, njeriu në çdo paraqitje të tij, duhet të jetë vetëm fytyra e dashurisë. Ai që nuk ndjen dashuri për askënd, ka shpirt krimineli. 
-Ç’punë të mira keni bërë? Po të liga, me dashje apo pa dashje?
-Kam bërë ca libra që m’i kanë pëlqyer, dhe ndonjë punë të “ligë” me konsensus.
-Pse nuk u bëtë jurist, mjek, apo inxhinier dhe pse u bëre mësues?
-U bëra ai që jam, se nuk do desha të bëhem si askush tjetër nga ana profesionale. Kam pasur parim të lakmoj ato profesione që nuk arrihen lehtë.
-Kur dhe ku e keni marrë rrogën e parë, si ju duk e si ju duket paraja?
-Jeta ka provuar se pas nënës dhe babait legal, vjen baba “Leku” i adoptuar, me të cilin kam ruajtur vazhdimësinë time jetësore, të gruas dhe të fëmijëve të mi. Rrogën e parë e kam marrë duke bërë e shitur krehra alumini për çmorritje. Pastaj si operator kinemaje.
-Ç’mendim keni për moralin, apo ai ka dalë jashtë mode? Cili është emëruesi i përbashkët që mban familjen tuaj të rregullt, të mirë?
-Morali ka vlerë vetëm kur e ke vetë. Kur ua rekomandon të tjerëve bëhesh Ufo.
-Po për karakterin çfarë opinioni keni? Jeni i ngadaltë, i nxituar, i qetë, nevrik, indiferent apo aktiv në jetë e shoqëri?
-I kam të gjitha cilësitë e karakterit, i qetë, i nxituar, nevrik, indiferent dhe aktiv, në rastet kur duhet me qenë patjetër një i tillë, për të mos qenë budalla.
-Ç’është familja për ju? Dhe kë doni më shumë nga pjesëtarët?
-Familja për mua është parajsa tokësore. Nipat, Rei dhe Agi, janë engjëjt e saj. Shoqëria dhe miqësia janë purgatori i përzier me të mirë dhe gjysmë të mirë. Ferri është mjedisi me njerëz të liq.
-Cili është opinioni juaj për shoqërinë e miqësinë dje dhe sot?
-Shoqëria e djeshme kishte më shumë servilë dhe miqësia qe më tepër një ombrellë biografike. Sot raportet kanë ndryshuar, me domosdoshmërinë për një shoqëri dhe miqësi të ndërsjellë pa paragjykime. Miq e shoke dashamires si në internet, rrallë kam pasur.
-Cili është koncepti juaj për kombin, pushtetin, partitë, dhe për demokracinë në vendin tonë?
-Kombi është për mua mitra nga kam dalë dhe guri i varrit ku do futem. Pushtetin historikisht e kanë marrë në dorë maskarenjtë dhe të paaftët. Partitë janë prostituta, për të shkuar me to kodoshët e politikës. Sa më pak të kishim, aq më i ndershëm do të ishte vendi ynë. Demokracia është një bukuroshe, së cilës ende nuk ia kemi parë mirë sytë.
-Kush u pëlqen më shumë liria, puna, apo qejfi?
-Më pëlqen liria brenda kufijve të mi, drejtësia e fituar me hak, puna që më jep kënaqësi dhe argetimi pas një pune të lodhshme.
-A e ndjeni veten të lirë e të qetë në punë, në jetë, në shoqëri e miqësi?
-Ndjehem i dëshiruar për lirinë me caqe, për qetësinë në lagje, për jetën në paqe dhe për shoqërinë e miqësinë intelektuale.
-Keni inat? Mbani mëri? Grindeni me shokët? Me gruan? Me komshinjtë?
-Kam inat dhe mbaj mëri me një spiun. Shokëve grindavec u shmangem me marifet. Me gruan jam brenda një rropullie, si stomaku me zorrët, që merren vesh pa e nxjerrë sherrin përjashta. Me komshinjtë, veç përshëndetjeve, urimeve dhe rasteve njerëzore, nuk shkëmbej fjalë të tepërta.
-Cilët janë miqtë tuaj më të mirë, të cilës moshë, dje dhe sot?
-Miqtë e mi më të mirë janë ata që më ndjejnë se më kanë mik. Dhe lexuesit kudo qofshin, të çdo moshe dhe të çdo kohe. Te miqtë dhe mikeshat e përveçme për talentin dhe mençurinë, bëni pjesë në rreshtat e pare ju, zonja Raimonda. 
-A gatuan, çfarë gatuan vetë? Ushqimi i preferuar? Pija që u pëlqen?
-Gatuaj ca gjëra që më ka mësuar gruaja, kur ikën te njerëzit e saj në Korçë. Ushqimi im i preferuar janë barishtet, që, ndryshe nga kafshët, i dua të ziera. Më pëlqen pak raki pa hile nga ajo e Fterrës.
-Çfarë të gëzon, çfarë të mërzit a të bezdis?

-Më gëzon shëndeti i mirë, më mërzit gripi, më bezdisin llafazanët.
-Cilat janë raportet tuaja me shefin, ju pëlqejnë shefat, pse po pse jo?
-Kam shërbyer në disa punë, ku përgjithësisht, shef i punës sime, kam qenë vet. Shefat e mëdhenj i kam dashur pak, më kanë dashur më tepër se bëja punën.
-Krijon apo shuan konfliktet me shoqërinë, me kolegët, apo drejtuesit në punë?
-Konfliktet kanë qenë si meteorët, që janë djegur në atmosferën përqark, pa arritur deri te sipërfaqja ime, sepse jam rrotulluar në orbitat larg tyre.
-Kursen? Ke huqe? Qeras apo të qerasin më shumë?
-Si pensionist nuk kam ç’kursej, se harxhimi dhe çmimet janë mbi sasinë e lëmoshës shtetërore që më jepet. Kali i kuq e ka ndonjë huq. Qeras ata që më qerasin, për të mos mbetur borxhli.
-A lexoni dhe çfarë preferoni? 
-Lexoj siç ha bukë i urituri. Kam intuitë për të zgjedhur ato libra që duhen lexuar.
-Kë ndiqni më shumë, lajmet, apo emisionet artistike?
-Ndjek lajmet flesh, pa komentet lesh e li. Ndjek të gjitha emisionet artistike që meritojnë të më cungojnë gjumin e shtrenjtë.
-Cili është momenti më i bukur i jetës suaj, po më i hidhuri?
-Momenti më i bukur është kur notoj në det dhe së fundi kur bashkëfshatarët e mi të prirë nga djaloshi Besmir Zani ma gdhendën emrin në shkemb… Më i hidhuri është kur s’kam para në xhep. 
-Ambicia juaj për para, pushtet, qejf, apo ?
-Nuk kam pasur ambicie për para. Ambicien për pushtet e urrej si vet pushtetin, që të shumtën e herës na ka shtypur. Qejfin e quaj dhuratë qiellore, si kohën me diell. Kam ambicie vetëm me ata që u hipin raketave për në kozmos.
-Cilat këngë ju pëlqejnë më shumë, llojet, këngëtarët?
-Mund të duket e çuditshme, por më pëlqejnë të gjithë tingujt muzikor që nxjerr njeriu i globit. Më ka mahnitur kënga kineze “Fshatarja e bukur” dhe një këngë dasme eskimeze. Vdes për çiftelinë e Veriut dhe fyejt e barinjve të Jugut. Tallavaja më hedh përpjetë. Opera më lulëzon mendimet për madhështinë e botës njerëzore. Më pëlqejnë këngëtaret e veshura. Ato lakuriq më duket sikur janë larg këngës dhe fare pranë seksit.
-Cili shkrimtar e artist ju pëlqen dhe pse?
-Më pëlqejnë shumë shkrimtarë dhe artistë. Por njësoj si me lulet e një kopshti, nuk mund të them cila është më e bukur.
-Çfarë iu ka mbetur peng që dëshironi ta hidhni ne letër?
Kontrasti i fortë i personalitetit të njeriut në dy kohët e jetuara.
– Çfarë po shkruani aktualisht? Planet e së ardhmes?
-Po përgatis një përmbledhje me poezi të zgjedhura nga të gjithë vëllimet e botuar, duke i shtuar dhe shumë poezi të viteve të fundit. Gjithashtu jam duke shkruar një roman me temë aktuale për dinjitetin njerëzor.

– Ç’mendim keni për kritikën e mirëfilltë letrare?
-Në përjetimin tim të realizmit socialist, kritika ishte një shkop, i cili nga njëra anë kishte një topuz me thumba të mprehtë për të talentuarit dhe nga ana tjetër, një furçe me fije mëndafshi për mediokrit e indoktrinuar. Sot kritika letrare ka shkuar për pushime të gjata në ishuj e Paqësorit. Unë ndjeva kohët e fundit për herë të parë kritikën e vërtetë shkencore për prozën time, në shkrimin e akademikut Fatmir Terziu te fjala e Lirë e Londrës.
-Ku do të dëshiroje të jetoje, në Shqipëri, në Francë, në Amerikë apo?
-Do dëshiroja të jetoja në verë në Sarandë dhe në dimër në Tiranë. Jam një pemë që nuk mund të aklimatizohem në Francë, në Amerikë, apo gjetkë. Sepse do të thahesha shpejt për t’u kthyer në Shqipëri si trung i ambalazhuar.
-Çfarë mesazhi do u përcillni lexuesve tanë dhe çfarë do u këshilloni?
-Mesazhi që u përcjell lexuesve, shokëve dhe miqve nga përvoja ime është: Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet dhe mundohuni të jetoni sikur pas një viti vjen apokalipsi. Mos u falni politikanëve dashuri dhe duartrokitje që nuk ua kthejnë kurrë. Mos kujtoni se ka idhuj dhe supernjerëz aq të mëdhenj sa t’u përuleni, përderisa ashtu si ju, të gjithë shkojnë në wc. Duajini fëmijët shumë, por mos i urreni aq shumë duke i përkëdhelur shumë. Mundësisht i puthni në gjumë. Ju përqafoj juve dhe te gjithë lexuesit dashamires në bote.

Intervistoi RAIMONDA MOISIU

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: Interviste, Rajmonda Moisiu, Vullnet Mato

ALI AHMETI:NDERIM E RESPEKT PER DIASPOREN

November 5, 2012 by dgreca

Ahmeti apelon tek mërgimtarët që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme komunale sepse vota e tyre mund të peshojë/

Ali Ahmeti kryeson një delegacion të BDI-së, i cili po e zhvillon një vizitë në disa vende të Evropës, ku është përqendruar diaspora shqiptare nga Maqedonia, me qëllim që të marrë mbështetjen e tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në mars të vitit 2013 në Maqedoni.

Në një intervistë dhënë për Albinfo.ch thotë se diaspora shqiptare nuk është lënë anash. Ai ka folur edhe për investimet që, sipas tij, mungojnë jo vetëm në pjesën shqiptare, por edhe në atë të maqedonasve.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka mohuar se do të ketë koalicion të përbashkët të partisë së tij me atë të PDSH-së së Menduh Thaçit për zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2013. BDI-ja, sipas Ahmetit, do të garojë vetëm në zgjedhjet lokale, por ka bërë thirrje të bashkohet vota e shqiptarëve në ato komuna ku shqiptarët janë pakicë në Maqedoni. Kreu i partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni tha se shqiptarëve atje nuk iu duhen aq shumë parti, sepse vetëm po e shpërndajnë votën në dëm të tyre. “Në zgjedhjet e fundit i kemi humbur minimum 5 deputetë me shpërndarjen e votave”, deklaroi Ali Ahmeti.

Albinfo.ch: Nuk ju kemi parë një kohë të gjatë në Zvicër, z. Ali Ahmeti. Aq me pak me një delegacion të tillë me ministra e deputetë të BDI-së. Në Zvicër jetojnë rreth 60 mijë qytetarë nga Maqedonia, shumica shqiptarë. A mund të themi se është lënë anash mërgata shqiptare?

Ali Ahmeti: Mërgata shqiptare është një kategori që duhet të respektohet për arsye të shumta që unë i kam theksuar edhe në takimin e sotëm këtu në Zvicër për përkrahjen e luftërave që kanë bërë, për përkrahjen që kanë dhënë ndaj familjeve të tyre. Në çdo sezon kur vjen mërgata në vendlindje jepen direktiva të veçanta për institucionet shtetërore, në veçanti për Ministrinë e Punëve të Brendshme që të krijojnë rrethana lehtësuese në kufij, duke rritur numrin e sporteleve, gjithashtu dalin deputetë në kufi për të kontrolluar situatën se a funksionon normalisht. Sigurisht se nuk kam pasur ndonjë ankesë serioze nga mërgimtarët. Mund të ndodhë ndonjë rast i veçantë, e raste të tilla ndodhin edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Por, në kohën kur vjen mërgata shqiptare në vendlindje merren masa institucionale në rrugë. Gjithashtu jepen porosi për administratën që shërbimet të jenë më efikase. Gjithashtu janë aktive edhe degët e partisë për t’iu ndihmuar bashkatdhetarëve që në atë kohë t’i kryejnë të gjitha shërbimet. Mirëpo ka raste kur administrata ngarkohet, siç ishte rasti tani me letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike, ngase kërksat ishin të shumta, por megjithatë shërbimet janë kryer për bashkatdhetarët. Administrata është e obliguar ngase e ka atë detyrë, për atë edhe kemi investuar që shumë shqiptarë të punësohen në administratën e shtetit. Ajo administratë që nuk ka qenë asnjë 1 për qind, sot është në 20 për qind, pikërisht për të qenë në shërbim të qytetarëve. Rrethanat kanë ndryshuar radikalisht, në këtë drejtim ka vend për të punuar dhe përmirësuar, sepse pasqyra e një shteti shihet te administrata, te uniforma, te policia e shtetit, ngase ata janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Ne po bëjmë përpjekje të kemi një administratë të edukuar mirë, por edhe të ndërgjegjshme për punën që ata duhet ta bëjnë.

Albinfo.ch: Do të thotë, nuk i vlerësoni si të vonuara këto takime me bashkatdhetarë, me një format siç jeni të pranishëm sot me ministra e deputetë në Zvicër?

Ali Ahmeti: Ne kemi organizuar takime me bashkatdhetarë gati për çdo vit dhe është bërë taditë. Dy deri në tri takime bëhen me bashkatdhetarë në vendlindje. Mirëpo atje kur vijnë sigurisht edhe ata kanë gazmendet e tyre familjare, dasmat e tyre. Sallat e darsmave janë të rezervuara 3 deri 4 vjet më herët. Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pengesë dhe t’i shkëpusim nga gazemendet e tyre familjare, por megjithatë organizojmë takime me bashkatdhetarë. Unë kam qenë për herë të fundit në Zvicër më 2004 në një aktivitet ndërkombëtar që e kam shfrytëzuar edhe për kontakte me bashkatdhetarë. Ministrat e BDI-së vizitat që i bëjnë në Zvicër dhe Amerikë dhe në shtetet e tjera të Evropës realizojnë takime me bashkatdhetarë. Ambasadori i Republikës së Maqedonisë e ka për angazhim të takohet me mërgatën shqiptare. Unë dëgjova shumë fjalë të mira këtu për ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Zvicër.

Albinfo.ch: Si do ta mobilizoni mërgatën shqiptare që të vijnë e të votojnë në zgjedhjet e marsit në Maqedoni, kur në zgjedhjet nacionale e kishin për herë të parë mundësinë për të votuar në ambasadat e tyre dhe nuk arritën të sigurojnë asnjë ulëse në Parlamentin e Maqedonisë?

Ali Ahmeti: Është e vërtetë që mërgata shqiptare nuk e mori seriozisht çështjen e zgjedhjeve parlamentare. Ka mundësi që edhe ne nuk kemi qenë shumë aktivë në këtë drejtim. Por, mendoj që zgjedhjet lokale janë më specifike. Në takimet me bashkatdhetarët e kam parë se ka një vullnet të mirë. Është formuar Këshilli organizativ. Kokretisht bëhet fjalë për Komunën e Kërçovës që historikisht ishte me shumicë shqiptare, por që asnjëherë nuk ka drejtuar Komunën. Ka motiv këtë herë që mërgata shqiptare t’i përgjigjet ftesës për të votuar për kandidatin shqiptar për kryetar komune, ngase pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kërçovës janë në mërgim të shpërndarë në Zvicër, Gjermani, Itali, Austri dhe SHBA. Ne nuk duam ta shndërrojmë në një fushatë klasike ndërmjet etnive, por e drejta morale është në anën e shqiptarëve, ngase janë shumicë. Megjithatë, duhet të demonstrojmë vlera pjekurie se edhe ne dimë të udhëheqim dhe të sprovohemi si drejtues komune.

Albinfo.ch: Besoni se do të vijnë nga diaspora mërgimtarët për të votuar në zgjedhje. Mos ndoshta marsi nuk është koha e përshtatshme për mërgimtarët?

Ali Ahmeti: Kjo varet nga organizimi dhe mobilizimi dhe prej vullnetit personal të çdo shqiptari. Edhe pse punët po bëhen në këtë drejtim. Janë informuar të gjithë, sepse nuk bëhet fjalë për një hapësirë për miliona banorë, por janë 40 mijë shqiptarë. Mendoj që ia vlen që çdo shqiptar në një moment të caktuar të sakrifikojë dhe të vendosë për vetveten. Pikërisht kërçovarët në këto zgjedhje do të vendosin për vetveten dhe kjo do të varet nga kërçovarët. Struga është një rast tjetër, edhe pse ka nevojë për votat e mërgimtarëve, por Kërçova është një rast specific, sepse shumë më shumë njerëz jetojnë jashtë vendit.

 

Albinfo.ch: Diaspora është në pritje të ofertave nga ana e Qeverisë për të investuar në Maqedoni. Ne e kemi ministrin e Ekonomisë që e drejton një ministër i BDI-së, agjencinë për investime të jashtme. Ne shohim që maqedonasit po investojnë më shumë në lindje?

Ali Ahmeti: Edhe unë do të pajtohesha nëse do të kishte investime në Lindje të Maqedonisë, por janë simbolike. Ka iniciativa të mira për investime dhe kanë filluar të vijnë inevestitorët. Por, shpresojmë për hapjen e shumë vendeve të punës. Shpresojmë të mbyllet çështja e Zonës së Lirë industriale në Tetovë që ështe me shumë perspektivë për gjithë rajonin e Pollogut. Gjithashtu ka shumë iniciatiava për investime individuale të investitorëve shqiptarë vendës, por edhe nga jashtë. Ka investitorë nga Norvegjia dhe SHBA-ja. Do të thotë, ka investime, nuk është pa investime në Maqedoni, por nevojat janë shumë të mëdha, papunësia është shumë më e madhe dhe efekti ende nuk shihet. Gjithmonë kemi apeluar që të gjithë ata që kanë kursyer nga kapitali i tyre i kanë dyert e hapura. Të gjitha institucionet janë 24 orë në shërbim të tyre për të gjitha dokumentet e nevojshme. Hapja e një vendi pune është një problem më pak për mua. Unë shumë do të jem i gëzuar që për çdo ditë të ketë investime. Sa më shumë të ketë vende të reja pune, aq më pak do të ketë probleme për mua.

Albinfo.ch: Nëse kërkoni mbështetjen e mërgimtarëve për zgjedhjet locale, çka do të presin ata nga kryetarët e komunave. A do të ketë ndryshime. Ju keni thënë me një rast se disa prej tyre janë lodhur, dhe duhet të shkojnë. A kanë realizuar atë që kanë premtuar kryetarët e komunave nga radhët e BDI-së, për shembull në Strugë apo në Kumanovë?

Ali Ahmeti: Në përgjithësi ato mundësi që i kanë pasur kryetarët e komunave i kanë realizuar. Por, ka vështirësi të ndryshme. Një pjesë e komunave rurale nuk kanë hapësirë për investime, ta zëmë Komunën e Likovës. Nuk mbushet buxheti me taksapagues blegtorë. Komuna e Likovës ndihmohet nga shteti, nga fondet ndërkombëtare, Banka Botërore, Banka Evropiane. Kryetari i Komunës bëhet menaxhues i këtyre mjeteve për të kthyer në të mira materiale për qytetarët, në infrastrukturë, rrugë, çerdhe. Një pjesë e komunave rurale i kemi pasur jo me ndonjë buxhet të fortë. Kuptohet se shteti është një aparat që menaxhon buxhetin duke i mbledhur taksat nga qytetarët. Sa më shumë në komunat tona të ketë vende të reja pune, sidomos në investime në drejtim të prodhimtarisë, aq më mirë bëhet për komunat. Por, kemi edhe të meta të tjera, nuk i paguajmë edhe ato pak taksa që janë për qytetarët. Ka shumë punë për kryetarët që do të zgjidhen për të drejtuar komunat për të rregulluar më mirë funksionimin e tyre. Rregullimi i mirë i Komunën e ndihmon shtetin, ngase Komuna është shteti.

Albinfo.ch: Edhe në Shkup shihet se është investuar më shumë në anën tjetër, e më pak në pjesën shqiptare?

Ali Ahmeti: Komuna e Çairit nuk mund të krahasohet me Komunën e Butelit, ku ka shumë industri me fabrika. Megjithatë, në saje të atij buxheti që ka Komuna e Çairit nuk është si ka qenë para dhjetë vjetësh. Dhe nëse bëhet një krahasim para dhjetë vjetësh ka përparime. Por, nëse bëhet një krahasim ndërmjet komunave, mund të themi se nuk janë të gjitha njësojë të zhvilluara. Edhe këtu në Zvicër ka dallime ndërmjet komunave. Nuk është njësoj i zhvilluar kantoni i Juras me kantonin e Zugut, apo të Cyrihut. Ose kur të bësh krahasimin e Zugut dhe Cyrihut për nga buxheti.

Albinfo.ch: Shtypi në Maqedoni paralajmëron se nuk përjashtohet mundësia e një koalicioni të përbashkët të partive shqiptare BDI dhe PDSH, për zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2013. A ka diçka të vërtetë në këtë drejtim?

Ali Ahmeti: Ky është një njoftim gazetaresk, sepse nuk ka koalicione parazgjedhore. Gjithsesi do të dalim vetë në zgjedhje. E mira është që në ato vende ku shqiptarët janë pakicë, të bashkohet vota e tyre që të bëhen të rëndësishëm, si në Manastir, Krushevë dhe Veles. Të përçarë andej janë të parëndësishëm. Do të thotë, ose fitojnë një këshilltar, ose nuk fitojnë asnjë. Por, nëse janë bashkë mund të kenë nga 3 dhe 4 këshilltarë. Kemi pasur 3 këshilltarë në Ohër, tani nuk kemi asnjë, ngase është coptuar vota e shqiptarëve dhe u bën të parëndësishëm. Duhet të bëhemi realistë, ne shqiptarëve nuk na duhen më shumë parti. Dikush do të thotë se ky ka parti dhe do vetëm partia e tij të jetë. Mirëpo le të vlerësojnë qytetarët, dhe jo tani çdokujt t’i kujtohet e të bëjë një parti poltike, ngase me 1 mijë vota të familjes secili mund të krijojë një parti, por dëmi është më i madh që i shkaktohet shqiptarëve në Maqedoni. Në zgjedhjet e fundit me coptimin e votave i kemi humbur minimum 5 deputetë. Kështu që duhet të jemi më të përgjegjshëm në veprimet tona.(AlbInfo.Ch)

Filed Under: Interviste Tagged With: Ali Ahmeti, Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30

Artikujt e fundit

  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA
  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT