Intervistë e Baki Ymeri me Peter M. Tase (Milwaukee, USA)/
Pyetje: Z. Tase, diçka rreth familjes suaj: ku keni lindur dhe sa vjeç ishit në atë kohë kur emigruat për në SHBA?/
Peter Tase: Kam lindur në qytetin e Beratit, në Tetor të vitit 1982 dhe disa vite të fëmijërisë i kam kaluar në lagjen Mangalem, në njërën prej shtëpive buzë rrugës së kalldrëmtë që të çon për në Kalanë e qytetit. Gjithë periudhën e tranzicionit e kam përjetuar si nxënës në shkollën 8-vjeçare “22-Tetori” dhe më pas si student në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Bab Dud Karbunara” deri sa në vjeshtën e vitit 2000, së bashku me prindërit dhe vëllanë më të vogël, u larguam për në SHBA duke u vendosur në qytetin e bukur Milwaukee të shtetit Wisconsin, ku jetojmë edhe sot. U larguam nga Shqipëria me kujtimet e hidhura që na lanë ngjarjet e tmerrshme të vitit 1997, të cilat unë, edhe pse në moshë ende 15 vjeçare, i përjetova nga afër. Në atë kohë ne jetonim në Lagjen “30-Vjetori” dhe nëna ime ishte mjeke e kësaj lagjeje. Natyrisht, ishte mjaft e njohur dhe e familjarizuar me banorët e lagjes aq sa mua, që isha edhe më i rrituri, më thërrisnin “djali i doktoresha Ludit”.
I kujtojmë ato skena, kur para vilës sonë dy-katshe, ndalonte autokolona e benzave mbuluar nga pluhuri i rrugës shkaktuar nga rrotat që frenonin, prej nga dilnin gjithë ata djem të rinj dhe plot energji, me “kallashnikovë” nëpër duar, që vinin për të kërkuar asistencë mjekësore për ndonjë shokun e tyre të plagosur gjatë ndeshjes mes bandave, dhe më vjen çudi se si arrita të mësohesha dhe të miqësohesha me ta. Shpesh, ndonjëri prej tyre ngacmonte vëllanë e vogël, duke i thënë se “kemi ardhur për të marrë mamin!”. Ndersa Aldo, në atë kohë vetëm 10 vjeç, qante dhe i shante para e mbrapa…Këto skena dhe të tjera si ajo kur, bashkë me mësuesin e fizkulturës së shkollës 22-Tetori, hymë në Shtëpinë e Pionierit të përfshirë nga flaka dhe tymi, për të shpëtuar instrumentat muzikorë, ndërsa zjarrfiksja në buzë të rrugës ende vazhdonte të digjej, apo kur luaja me sintetizator në klubin Bar Rati ku mblidheshin “heronjtë” e 1997-ës, më vijnë ndërmend si pamje të ndonjë filmi të parë në femijërinë e hershme ndërsa vetja si një personazh i filmave “western”.
Por një gjë nuk mund ta harroj kurrë: shpërfytyrimi që i ishte bërë në vitet e tranzicionit imazhit të shkollës që mbante emrin e mësuesit patriot Bab Dud Karbunara, dikur e mesme pedagogjike dhe më pas e mesme e përgjithshme ku unë kalova tre vitet e fundit të jetës time në Shqipëri dhe ku babai im ishte diplomuar si mësues dhe më pas kishte qënë mësimdhënës në të njëjtin këshill pedagogjik me mësues të njohur si: Avenir Aleksi, Luçi Nushi, Elsa Vakëflliu, Ksenofon Ilia, Andon Sinjari, Asllan Sula e të tjerë më të rinj, bashkëmoshatarë të tij, të cilët arrita t’i njoh si kolegë të afërt të tim ati, por tepër von për të patur edhe fatin t’i kisha mësuesit e mij! Viti im i fundit në këtë shkollë, pikërisht, kur përgatiteshim për të marrë rugën e Amerikës, ishte me të vërtetë një “nightmare” dhe që nuk dua ta sjell kurrë ndër mend dhe jo më të flas për të!
B. Y.: Pasi u vendosët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i keni mbaruar studimet?
P. T.: Ishte 22 Shtator i vitit 2000, kur shkelëm për herë të parë në tokën Amerikane. Nuk është e lehtë të integroheshe menjëherë në jetën Amerikane, por neve na u bë mbështetje një person mjaft i afërt i familjes dhe që i përkiste brezit të parë të lindur në Amerikë. Unë dhe vëllai im ishim të vetmit studentë emigrantë dhe të parët shqipfolës në historinë e “Middle” dhe “High school” të Whitefish Bay-it në Milwaukee, më e mira në shtetin e Wisconsin-it. E përfundova shkollën e mesme në Qershor të vitit 2001 dhe në vjeshtë u pranova në Universitetin ‘Wisconsin’ në Milwaukee (UWM), ku mbarova studimet për Shkenca Politike dhe Literaturë Italiane. Në pranverën e vitit 2006, u pranova në Qendrën për qeverisje “Les Aspin” në Washington, D.C., ku, për gjashtë muaj, në të njëjtën kohë me studimet e programuara nga Qendra, punova në zyrën e Rep. Richard Pombo (CA-11), anëtar i Dhomës së Ulët në Kongresin Amerikan. Gjatë qendrimit tim në Kongres, m’u krijua mundësia të kem kontakte me personelin e Ambasadës Shqiptare në Washington DC duke i shërbyer politikës shqiptare në realizimin e mjaft takimeve të rëndësishëm me anëtarë të Senatit dhe anëtarë të Dhomës së Ulët në Kongresin Amerikan.
Mund të përmend me këtë rast realizimin e takimit të Kryetares së Kuvëndit të Republikës së Shqipërisë me Kryetarin e 59-të të Dhomës së Ulët, Dennis Hastert, gjatë vizitës së saj zyrtare, tre ditore, në muajin Mars të vitit 2006. Por mbresa të pashlyeshme më kanë lënë takimet midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Z. Besnik Mustafaj dhe disa figurave të shquara të politikës Amerikane, ku unë isha i pranishëm në rolin e përkthyesit, në muajin Shkurt të po atij viti. I tillë ishte takimi që organizova me Rep. Dana Rohrabacher, anëtar tjetër i Kongresit Amerikan dhe ish-autori i fjalimeve të Presidentit Regan në vitin 1983; takimi me anëtarin e Kongresit nga Dakota e Veriut, Earl Pomeroy mjaft i njohur për politikën shqiptare me fjalimet e tij në sallën kryesore të Dhomës së Ulët në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por e paharruar do të mbetet për mua biseda e ngrohtë midis Z. Mustafaj dhe ish-Ambasadorit të SHBA-së në Vatikan, Thomas P. Melady. Pas kthimit nga shërbimi vullnetar me Korpusin e Paqes në Paraguaj, në vitin 2009, do të takohesha përsëri me Ambasador Melady, në auditorët e Institutit të Politikave Botërore, Washington DC, ku unë fillova studimet për master’s degree. Edhe pse kishin kaluar disa vjet nga takimi me Ministrin e Jashtëm Shqiptar, gjurmët që kryediplomati Besnik Mustafaj kishte lënë tek Profesor Melady, ishin mjaft të thella duke e konsideruar atë si një diplomat të standarteve Euro Atlantike dhe bashkëkohore. Me një përvojë të pasur nga puna në Kongresin Amerikan, kthehem përsëri në Wisconsin, për të përfunduar Fakultetin dhe sapo u diplomova në Dhjetor të vitit 2006, me erdhi edhe konfirmimi i kërkesës për t’u bashkuar me Korpusin e Paqes dhe për të shërbyer në Republikën e Paraguait për më shumë se dy vjet.
B. Y.: Çfarë ju shtyti që të aplikoni për të hyrë në Korpusin e Paqes?
P. T.: Kjo është një temë e cila do të kërkonte shumë vëmendje por edhe mjaft vend për t’u trajtuar. Ky është edhe projekti i ardhshëm: të sistemoj dhe të publikoj disa qindra faqe me shënime mbi Paraguain dhe paraguajanët, me të cilët, tani, veç gjuhës indigjenase, guaranishes, më lidhin edhe kujtimet e bukura. Dua të bëj diçka për të ndryshuar jetën e tyre, qoftë edhe të shkruaj për ta dhe t’ia bëj të njohur botës hallet e tyre. Por nga ana tjetër ndjej edhe një detyrim moral ndaj Shtetit Amerikan, diversitetit dhe barazisë që më dha mundësinë, mua të riut nga Shqipëria, të prezantoj në botë, krahë për krahë me moshatarët e mij amerikanë si vullnetarë të Korpusit të Paqes, vlerat e vërteta morale të atij brezi që në rolin e lidershipit do të përcjellë në breza madhështinë e këtij vendi të lirë dhe demokratik. Si më lindi ideja për të shërbyer në Korpusin e Paqes?
Fare natyrshëm… Familja jonë u integrua shumë shpejt me një sistem i cili ‘madhështinë’ e vet e ka arritur mbi bazën e modelit të përkryer të demokracisë në shoqëri, liria e të shprehurit dhe e individit, diversiteti dhe respekti ndaj ligjit. Prinderit e mij erdhën në këtë botë të panjohur duke mbartur me vete vlerat humane të atij sistemi si dhe humanizmin profesional si mësues dhe mjek. Nuk ka se si të jetë ndryshe…”Dardha bie nën dardhë” thotë populli. Këto motive humane unë i pashë tek Korpusi i Paqes ku gjeta vetveten, duke u “kthyer në origjinë” e duke përjetuar humanizmin e vërtetë të asaj bote ku njeriu nuk vlerësohet nga paraja dhe ku “altruizmi” nuk ka hyrë ende në fondin e gjuhës guaranishte të indigjenasve. Shumë shpejt e ndjeva veten të barabartë mes vullnetarëve të tjerë amerikanë, që shkonin nëpër botë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe që me punën dhe përkushtimin e tyre ata bëhen edhe një shëmbull për t’i treguar të riut amerikan se pjesëmarrja në ‘Peace Corps’ është mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj këtij shteti që i jep mundësitë kujtdo dhe pa dallim për të çarë në jetë e për të realizuar synimet e veta. Por, mendoj, se janë edhe disa faktorë objektivë që kanë ndikuar në karakterin tim për të ndërmarrë një vendim të tillë.
Në vitin 1991, pas përmbysjes së diktaturës komuniste, Shqipëria “hapi portat”. Nuk i kisha mbushur ende dhjetë vjeç dhe mbaj mend që në Berat filluan të vërshojnë “misionerët e paqes”. Vinin nga të katër anët e botës dhe i përkisnin të gjitha besimeve fetare. Nuk mungonin edhe autoritete te diplomacisë ndërkombëtare si, Perez De Kuelar apo shkrimtarë të shquar, miq dhe dashamirës të popullit shqiptar. Këta të fundit kontaktin e parë e kishin me Bibliotekën e qytetit ku, deri në atë kohë (1991), si drejtues i emëruar nga “nomeklatura e kuqe”, edhe pse nuk kishte qënë ndonjëherë komunist, ishte babai im. I kam ende të freskëta në mendje ato çaste kur miqtë tanë të rinj që vinin nga Evropa, për ditë të tëra e gjenin tavolinën dhe krevatin shtruar. U mësuan edhe ata me ‘mikpritjen shqiptare’. Nuk i mbaj mend emrat e tyre, por na ishte bërë zakon që, më von, t’i kujtonim nëpër biseda fare natyrshëm si: italianët, ajo anglezja, Mazllemi (emër karakteristik shqiptar) nga Zvicra, ata të Bahait apo të Caritas-it etj. Vetëm akademiku Anglez, Philip Winn, i cili e vizitonte Beratin për herë të dytë me rastin e 2400 vjetorit të lindjes, ka hyrë në historinë e familjes sime.
Kam një fotografi, kujtim, nga ai dhe një paragraf të shkëputur nga letërkëmbimi disa vjeçar me babanë tim, ku thotë: “Ç’kënaqësi sikur dashamirës të Shqipërisë të gjenin kohë dhe të bënin përpjekje për të ndryshuar mendimin dhe gjykimin e tyre për këtë vend, ashtu sikurse fatmirësisht po më ndodh edhe mua…! Le të shpresojmë se djali jonë Aleksandër dhe djali juaj, Peter do të jetojnë në një Europë më të bashkuar..! Le të shpresojmë që të takohemi përsëri në Shqipëri, në kohë më të mira! Jam i bindur se ditët që do të vijnë do ta bëjnë një gjë të tillë!” (TË HUAJT PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT – Piro Tase). Ndoshta mund të ketë ndikuar edhe ‘kontakti’ im me të huajt nga vende të ndryshme të Evropës dhe Azisë,…( të cilët kanë ardhur përgjatë shekujve në Beratin e lashtë si gjeneralë të ushtrive pushtuese, si diplomatë, misionarë politik apo edhe si shkencëtarë a visitorë)…përmes shënimeve që ata kanë lënë për përshkrimin e Beratit dhe beratasve, gjatë punës time kërkimore për gjetjen e këtyre dokumentave nëpër fondet e disa bibliotekave të Universiteteve më në zë të Amerikës, për të ndihmuar autorin Piro Tase në realizimin e projektit të tij të hershëm: “Të huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët” http://www.lulu.com/shop/piro-tase/t%C3%AB-huajt-p%C3%ABr-shqip%C3%ABrin%C3%AB-dhe-shqiptar%C3%ABt-edicioni-2/paperback/product-6464469.html
B. Y.: A e keni vizituar më pas Paraguain dhe fshatin ku shërbyet si vullnetar në “Peace Corps”?
P. T. Kjo është mbrekullia: që edhe pas përfundimit të shërbimit vullnetar në Paraguaj, ku kam kaluar vitet më të bukurit e rinisë sime, ende vazhdojnë të më përshëndesin: “Hola, Nortamericano, Pedro”! Sapo u ktheva prej andej pas një qendrimi të shkurtër me mision nga Këshilli i Studimeve të Hemisferës Perëndimore (www.coha.org) për të cilën punoj si studjues i çeshtjeve të Amerikës së Jugut.
B. Y.: Cili ishte misioni juaj gjatë shërbimit në Paraguaj?
P. T.: Korpusi i paqes në Paraguaj ka filluar aktivitetin e vet në vitin 1967. Në kohën time ne festuam 45 vjetorin e këtij fillimi. Që nga hapja e aktivitetit në Asuncion, kanë shërbyer më shumë se 3900 vullnetarë dhe aktualisht shërbejnë rreth 210 vullnetarë në pjesën më të madhe të vendit. Fuksionet kryesore të Korpusit të Paqes janë: prezantimi i kulturës së vërtetë, demokratike Amerikane në popullsinë vendase, si dhe realizimi i projekteve në fushën e shëndetësisë, arsimit si dhe reformimi i pushtetit lokal. Vullnetarët e Korpusit të paqes prezantonin vlerat e vërteta të një të riu Amerikan, ndaj dhe përzgjedhja e kandidatëve bëhej duke kaluar gjatë një procesi të gjatë dhe mjaft delikat. Gjatë tre muajve të parë, kemi bërë një trajnim intensiv teknik dhe gjuhësor. Pas periudhës së trajnimit bëmë betimin zyrtar në Ambasadën e SHBA-së në Asuncion, dhe sejcili prej nesh u drejtua për në fshatin apo qytetin e vogël ku ishte caktuar nga stafi i zyrës së korpusit të paqes dhe drejtorët përkatës të projekteve të ndryshme për zhvillim në Korpusin e Paqes.
Mua më ra radha të shkoj në një zonë të thellë të Paraguait, më shumë se 440 km në Jug të Asuncionit. Kam punuar nga afër me mësuesit, infermjerët dhe fshatarët e zonës duke bërë të mundur që sejcili prej tyre të kishte ndjenjën e përgjegjësisë dhe iniciativës për realizimin e mjaft projekteve në fushën e higjenes, arsimit dhe shëndetit publik. Krahas realizimit të programit te ‘Peace Corps’ fillova të jepja edhe mesimin e gjuhës angleze në shkollën e mesme të fshatit. Paraguai është një nga dy vendet më të varfër në Amerikën Latine. 2.5 milionë shtetas jetojnë në nivelin e varfërisë ekstreme edhe pse është vendi i parë në botë për prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme (me burime hidrike), zë vendin e dytë për prodhimin e sojës dhe të pestin në botë për rezervat e naftës në zonen e Çako-s (Chaco-Paraguay), Paraguaj. Ky vend mesdhetar dallohet, gjithashtu, edhe për nga rezervat e mëdha të ujit të pijshëm, që e bejnë të renditet në vendin e dytë për burime ujore. Me gjithë këto pasuri natyrore, Paraguai ka një sistem të amortizuar rrugësh të asfaltuara, madje mund t’ju them se Republika Orientale e Uruguait, është sa gjysma e teritorit të Paraguait dhe ka mbi dhjetë mijë km rrugë të asfaltuara, kundrejt 4700 km rrugë të tilla në Paraguaj.
Pata fatin të jetoj në një fshat të larget të Paraguait, Teniente Sanchez, dhe të njoh nga afër jetën rurale por edhe kulturen tipike paraguajane dhe, mbi të gjitha, të mësoj edhe gjuhën e tyre, Guarani, që është edhe njera prej dy gjuhëve zyrtare në vend. Gjithashtu, gjatë orëve të lira punoja me projektin e hartimit të një fjalorit simultan pesëgjuhësh, botimin e të cilit e realizova menjëherë pasi u ktheva nga shërbimi. (http://www.lulu.com/shop/peter-tase/simultaneous-dictionary-in-five-languages/paperback/product-13853847.html). Ishte një eksperiencë e mrekullueshme dhe nuk mund të gjesh fjalë për të falenderuar këtë agjenci të qeverisë së ShBA-së, Korpusin e Paqes duke i dhënë në këtë mënyrë të rinjve Amerikanë mundësinë për të ndezur pishtarët e demokracisë dhe të lirisë së vërtëtë edhe në skajet më të largëta të globit. Ndihem krenar që jam pjesë e këtij grupi vullnetarësh që sot përbëjnë më shumë se 130 mijë anëtarë që kanë shërbyer në më shumë se 134 vende të botës.
B. Y.: Aktualisht me se jeni duke u marrë dhe çfarë planesh keni për të ardhmen?
P. T.: Pas kthimit nga Paraguaj, fillova studimet në ‘Institutin e Politikave Botërore’ në Washington, D.C., për gradën Master në fushën e sigurisë kombëtare dhe Diplomaci. Njëkohesisht, kam bërë edhe një Internship në zyrën e Ambasadorit të Paraguai-t, duke forcuar, kështu, më shumë lidhjet me këtë vend. Gjatë muajit Qershor dhe Korrik të këtij viti, i dërguar nga ‘Washington Report on the Hemisphere’, si një ‘Research Fellow,’ ndërmora një vizitë të gjatë në Paraguaj, ku dhe perjetova nga afër ndryshimet e befasishme politike që ndodhën në Asuncion dhe që tërhoqën vëmendjen e shtypit botëror si dhe atij shqiptar. Krijova mundësinë që të bëja dy intervista me Presidentin e Paraguait, Dr. Federico Franco, para dhe pas marrjes së detyrës së Presidentit. (http://www.iwp.edu/news_publications/detail/iwp-student-interviews-paraguayan-president-federico-franco). M’u kërkua që të jap disa intervista lidhur me situatën më të fundit politike në Paraguaj, në dy gazetat më të mëdha në vend si dhe në disa radio dhe stacione televizive. (http://www.ipparaguay.com.py/2011/ip/index.php?#cuerpo). Mora shkas për të vlerësuar kulturën demokratike të popullit paraguajan për të zgjidhur në mënyrë paqësore dhe demokratike këtë situatë delikate që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Kam vizituar edhe tre universitete në Paraguaj, ku prezantova Fjalorin Simultan me Pesë Gjuhë dhe dhurova një sasi të konsiderueshme librash për bibliotekat e tyre.(http://www.abc.com.py/edicion-impresa/locales/ex-cuerpo-de-paz-dona-libros-a-universidades-406684.html)
Më 11 Shtator, 2012, në bashkëpunim me UWM do të organizojmë një forum mbi potencialet që ka Paraguaj për investitorët e huaj, kryesisht Amerikanë, që do të zhvillohet në mjediset e këtij Universiteti ne bashkepunimin me komunitetin e biznesit në shtetin Wisconsin. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe autoritete të larta që do të vijnë nga Asuncioni. Aktualisht, pas një proçesi të vështirë konkurimi me teste dhe intervista, arrita të fitoj pozicionin e ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të ‘Federatës Nderkombëtare të Shoqatave të Edukimit në Inxhinjeri’ (IFEES).( http://www.sefi.be/ifees/). Kërkesa nga ana e Gazetës mjaftë të njohur per shqiptarët e Amerikës, ‘Telegraf’ për të dhënë këtë intervistë, përkon me ditën e parë të fillimit në këtë pozicion, i cili do të më bëjë të mundur që, në të ardhmen, t’i shërbej jo vetem politikave botërore, por në veçanti, edhe vendit tim, si në politikë, po ashtu edhe në fushën e shkencës dhe të arsimit.
B. Y.: A do t’u mbetet kohë e lirë?
P. T.: Shpresoj se po. Fillimisht, do ta kem pak të vështirë por do të përpiqem që të ruaj bashkëpunimin me ‘COHA, ‘Spero News’, Kosova Info, ‘ACADEMICUS-International Scientific Journa’l’, si dhe me revistën artistike Euro-Shqiptare “KUQ E ZI” që botohet në Bruksel nga artisti dhe shkrimtari i njohur, Lek Pervizi, https://sites.google.com/site/revistakuqezi/) po ashtu, do të vazhdoj të merrem me projektin tim në fushen e përkthimeve për të prezantuar në botën anglishtfolëse dhe në kontinentin e Amerikës Latine, poezinë shqiptare. Ky projekt i ka fillimet me përkthimin e më shumë se dhjetë autorëve shqiptarë, ndër të cilët: krijimtaria e Ndue Ukajt, përkthyer në Anglisht dhe Spanjisht, Anton Gojçaj dhe Remzi Basha. www.petertase.com
B. Y.: Faleminderit dhe Tung!
(Intervistoi:Baki YMERI)