• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRANZ KAFKA, NJЁ BRUMBULL SUI GENERIS

June 2, 2022 by s p

Dr. Iris Halili

Thonё se me Kafkën, letërsia rresht sё qeni roman me historira. Ai krijoi njё univers mё vete, me apo pa tё nё qendёr, s’ka rёndёsi. Qysh atёherё, edhe universi ynё punon ndryshe. Ai ishte hebre me origjinё, por kultura e tij mbetet ajo çeko – gjermane. Mbahet të jetë një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit tё XX-tё. Njihet si përfaqësues i modernizmit, një ndër eksperimentalistët më të mëdhenj, përfaqësues i avant-garde-ёs, profeti i të sotmes dhe i të ardhmes. Në mes gjithë “izmave”, mbeti sui generis. Kuptohet që, si të gjithë gjenitë, edhe Kafka nuk lindi ex-nihilo. Rrënjët e tij tё ndёrthurura e tё koklavitura, mund t’i gjejmë tek dy klasikët e mëdhenj rusё, Gogol’ dhe Dostoevskij. Këtu le të kujtojmë studiuesin Maurice Blanchot (1907-2003), i cili përcakton Gogol’-in si pikën mbështetëse “të levës” së Dostoevskij-t. Sipas kësaj lidhjeje zinxhir, eci modernizimi duke ardhur nga shekulli i XIX-të tek ai i XX-të. Në gjysmën e parë të shekullit, trekëndëshi mund të formohej sipas skemës: Kafka, Proust dhe Joyce. Ndoshta, është momenti të shënojmë se format më origjinale të shekullit XX-tё, si dhe më tipiket për të, i gjejmë në katër dekadat e para. Këtu kemi, pothuaj të formëzuar, gjithçka që do të vinte më pas.

Si ndër përfaqësuesit më të shquar të botës letrare të shekullit, Kafkën e kanë studiuar dhe s’e kanë kuptuar deri në fund, e kanë kuptuar dhe sërish janë befasuar. Atë e kanë cilёsuar si strukturalist, nisur nga ideja e shpallur në veprën e tij sipas së cilës rëndësi nuk ka qenia, por relacioni, jo subjekti, por struktura. Njerëzit për Kafkën, njëlloj si dhe sendet, janë forma dhe jo substanca e kjo vihet re sidomos tek Metamorfoza, Fqinji, Ura etj.

KAFKA SI RELIGJIONIST

Njëkohësisht, është cilësuar si religjionist. Parimi kafkian është: nuk ka Zot, por duhet të ketë. Në disa fiction të tij, Kafka duket se ka qenë jo pak i lidhur me teorinë e Z. Freud-it. Kështu, tek pjesёzat: Qeni, Urithi gjigand, Strofka etj, vihet re, pak a shumë, një përpjekje mekanike për të bërë një formulë letrare, me tendencën e lidhjes së psikoanalizës me fenë. Kafka është etiketuar nga kritika edhe si ekspresionist. Kjo, ndoshta, sepse vepra e tij shfaqet si një shprehje e plotë e botës subjektive të shkrimtarit. Të krijohet përshtypja se shkrimtari imiton ëndrrat e këqija, në të cilat njeriu gjendet para situatave më absurde.

Pothuaj të gjithë studiuesit i bashkon mendimi se Kafka është natyralist dhe mban të gjitha tiparet e këtij drejtimi. Vepra kafkiane mbron parimin darvinian, sipas të cilit tek njeriu, ana fiziologjike është më e rëndësishmë se ndikimi social, tipar që e gjejmë të plotë tek natyralisti më i madh i të gjitha kohёrave, Émil Zola. E gjitha kjo, e gjen veten brenda një arti, ku pasqyrohet bota e brendshme, intime dhe fiziologjike e njeriut. Tipik këtu paraqitet Shartimi. Të lexosh Kafkën dhe të mos e njohёsh atё si paraekzistencialist, do të qe e pamundur. Kjo bindje rritet, po të kihet parasysh se shkrimtarin e madh mendohet ta ketë tërhequr vepra e paraekzistencialistit Kierkegaard. Shembull tipik, janё: Një relacion akademik, Ura, Porta e ligjit, Hiq dorë etj. Gjithsesi, akoma sot, studiuesit nuk kanë mundur të japin përfundimet e plota për modernistin – avant-garde-istin Kafka, sikurse mbeten të pashpjegueshme deri në fund analizat për Proust-in dhe Joyce-in. Duke marrë shkas nga terminologjia e semiologut të madh Roland Barthes (1915-1980), kujtojmë se pikërisht, me këta modernistë të mëdhenj lind letërsia “e shkrueshme”, që i zë vendin traditës së letërsisë “të lexueshme”. Zbërthimi i kësaj teze, do të thotë se letërsia që kemi në dorë është një letёrsi, e cila jo gjithmonë kuptohet njësoj nga receptues të ndryshëm. Pikërisht, për këtë ajo quhet “e shkrueshme”. Rrjedhimisht, kjo të çon tek ideja e tekstit të hapur, ku receptuesi vihet në rolin e rikrijuesit.

NJË KRAHASIM MIDIS METAMORFOZËS DHE NJË RELACION AKADEMIK

Probleme të receptimit

Metamorfoza e F. Kafkës u botua, për herë të parë shqip, në revistën Bota Letrare[1]. Receptuesit shqiptarë kur e lexuan, u habitën e nuk kuptuan asgjё nga kjo letërsi. Ata shkuan mё tej: menduan se pёrkthimi ishte i dobёt . Tentuan tё injoronin vlerat e shkrimtarit. Të gjithё i kishin sytё nga klasikja, nё fund tё fundit, letёrsi e mirё ёshtё ajo qё njihet dhe kapёrdihet nga shumica. Pse ndodhi kështu?! T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje do të thotë t’i jesh pёrgjigjur njё tjetre mё parё:  “Përse Kafka mbetet enigmatik pёr receptuesin hipotetik tё tё gjitha kohёrave? Përgjigja, sidomos sot, është e thjeshtë.  Kafka u shfaq dhe do të shfaqet për shumë kohё e breza, si shkrimtar avant-garde. I tillë, u paraqit që me botimet e para, i tillë vazhdoi të mbetej edhe mё vonё, kur studiuesit filluan ta qёmtonin seiozisht veprёn e tij. Ndoshta, Kafka e kishte parandjerë një gjë të tillë, ndaj dhe i që lutur mikut te tij Max Brod-i, t’i digjte veprën. Por Brodi e tradhtoi dhe bota kështu fitoi  një gjeni dhe një letërsi më shumë. Jo gjithmonë tradhtitë vijnë për të na bërë keq. Me sa duket paska edhe tradhti që na shërbekan. Receptuesi shqiptar, i sapodalё nga një traditë censure, do ta kishte të vështirë të përshtatej. Në studimet receptive kjo duket se ka një vend të veçantë, pasi në mënyrë “biologjike” lidhet me pritjen që i bën publiku një vepre. Kuptohet që pritja ka lidhje me një shije të caktuar, që gjithsesi, publiku e ka. “Biologjikisht” publiku është thirrur të gjykojë veprën, sipas përshtatjes me këtë shije. Duke hequr paralele, le të kujtojmë se, kur Kafka iu prezantua publikut europian, ai ishte përshtatur me shijen e klasikëve të mëdhenj si: Tolstoj, Balzac, Dickens, por edhe me Gogol’-in dhe Dostoevskij-n. Kafka sigurisht, kishte shkelur normat, kishte shpërfillur pritjen e publikut, kishte injoruar tregun, domethёnё, kishte shmangur plotësisht, horizontin e pritjes, duke na ofruar një letërsi kryevepër dhe largpamёse. Paralelja me receptuesin shqiptar të 1991-shit dhe atë hipotetik, le të themi,  të 1926-ës, është afërsisht e pranueshme. Kjo pasi edhe censura komuniste kishte lejuar tregun e romaneve klasike, gjë që kishte sjellë kultivimin dhe, rrjedhimisht, përshtatjen me një shije pak a shumë të përcaktuar. Por të mos harrojmë se pak më parë thamë që paralelen mund ta heqim vetëm përafërsisht dhe kjo pasi lexuesi hipotetik i ‘26-ës vërtet u habit nga Kafka, por ai ishte i përshtatur me këto habi, po të kujtojmё se ai njihte Baudelair-in dhe, bashkë me të gjithë, simbolizmin e famshëm të shekullit të shkuar, si dhe jetonte në një kohë tё çuditshme, domethёnё në një kohë kur shumë drejtime letrare skandalizonin publikun. Ndërsa lexuesi shqiptar, megjithёse jetonte në 1991-shin, nuk i njihte këto rryma qё dehnin turmat me modernizёm. Fatkeqёsisht, ai nuk njihte as klasikët e përmasave të Dostoevskij-t etj. Kjo na çon në mendimin se edhe kultivimi i shijes letrare të receptuesve shqiptarë, lë shumë më tepër për të dëshiruar, se ai i lexuesit hipotetik  tё ’26-ёs në Evropë. Rrjedhimisht, horizonti i zymtё i pritjes sё lexuesit të 1991-shit në Shqipëri, do të qe më i ngushtё se sa i lexuesit tё hamendёsuar të 1926-ës në Evropë. Mund ta heqim kёtё paralele të thjeshtë, në të dyja rastet është mёse e kuptueshme. Kafka mbetet i vështirë në receptim, i pakapshëm në përfundime dhe paraprijёs në pritje, cilado qoftё koha dhe receptuesi i çfarёdoshёm qё njihet me tё. A do ta kemi këtë fenomen më 2026?! Le tё guxojmё tё sygjerojmё se ndoshta po. Sipas gjasave tё deritanishme, mund tё themi se Kafka rri e pret aty, nё vendin e vet, i qetё si asnjёherё nё jetё.

METAMORFOZA[2] DHE METAMORFOZAT

“Kur njё mёngjes Gregor Zamza u zgjua pas ëndrrash të trazuara, vuri re se në krevat qe shndërruar në një kandërr tё pёrbindshme”[3]. Kështu fillon Metamorfoza, një ndër kryeveprat e letërsisë së shekullit tё XX-tё. Protagonisti është kthyer në kandërr. Çdo receptues e kupton se ai nuk ka më pamje njerëzore. Pёrpiqemi t’i vendosim  një emër të përafërt kafshe, por ndiejmё neveri se e dimё qё s’ёshtë kafshë e bukur. Kjo mund të të çojë tek ideja se autori na ofron një tekst të mbyllur, ku, rrjedhimisht, ne si receptues, vihemi në pozicionin e një bashkëpunёtori. Qenia e pështirë ngacmon trurin e receptuesit, pasi autori, megjithëse s’e përcakton përfundimisht ç’lloj qenieje është, shënjon hollёsira të mjaftueshme të na bindё për tiparet e saj tё çuditshme. Ne njohim, rresht pas rreshti, reagimet dhe arsyetimet e saj, rresht pas rreshti ne bindemi se brenda qenies është njeriu. Hap pas hapi, shikojmë se, më shumë se Gregori – qenie, të tjerët kanë filluar të pësojnë shndёrrime. Dhe ata, fatkeqësisht, janë pjesёtarët e familjes. Ata në fillim e trajtojnë si një kafshë shtëpie, që ekziston, ndërsa më vonë e braktisin. E konsiderojnё si kafshë vrimash, që sjell papastërti, pisllёk. Dhomën ku jeton, e kthejnë në kosh plehrash, ndërsa ushqimin fillojnё t’ia pakёsojnё. Rresht pas rreshti, receptuesi shikon si çnatyrohen me rradhё: motra, babai, nëna e Gregorit. Mëshira e fillimit kthehet përfundimisht në bezdi. Ndërkohë, receptuesi, kupton qartë se metamorfoza e shëmtuar fizike e Grigorit, ka shërbyer për të formësuar metamorfozat e tmerrshme të familjes së tij prej gjaku. Pёrpёlitemi me dhembje se ata janë më të shëmtuar se vetё Zamza. Sipas një niveli të parë leximi, përfundimet mund të jenë sa filozofike, aq edhe moralizuese. Duket sikur filozofia kafkiane, kёrkon tё prekё gjenetikën e marrëdhënieve njerëzore. Ai e sheh njeriun si një qenie të ndërvarur interesash. E sheh si një ekzistencë që s’mund të jetojë pa pjesëmarrjen aktive të frymëve të tjera njerëzore. Ndryshe, ai do të jetë një kafshë apo një vegjetim i pashpresë. Mes një pesimizmi karakteristik, Kafka e mbyll tekstin me një formë optimiste të vetvetishme. Kjo tё çon tek ideja se, nëpërmjet një konstatimi pesimist për ekzistencën, ai të ofron rrugët e lumtura të një ekzistence optimiste. Këtë e gjen tek marrёdhёniet reciproke e tё pashmangshme midis qenieve njerëzore. “Dhe si pёr tё pёrforcuar ёndrrat e tyre tё reja dhe synimet e tyre tё mira, nё fund tё udhёtimit e bija u ngrit e para duke shtrirё trupin e sa tё ri”[4]. Motra, dhe pjesёtarët e tjerë të familjes, rijetojnë jetën edhe pas vdekjes së Grigorit. Të tre së bashku, ata shpresojnë. Sipas këtij niveli të parë të leximit, ne rendim drejt idesë, se të gjitha marrëdhëniet njerëzore, janë marrëdhënie interesash. Kjo nuk duhet kuptuar vetёm me ngjyrimet negative, por me të gjitha emocionet që mbart si fjalë. Tjetri vlen për mua, për aq kohë sa më shërben mua. Kjo do të thotë se unë dua praninë e një njeriu, për aq kohë sa ai më jep mundësinë ta dua si djalë, vëlla, partner, vartës etj. Pikërisht në momentin që ai nuk i shërben shpirtit tim, punës time, domethёnё,  interesave të mia, ai pushon së ekzistuari. Duke dashur ta lexojmё ndryshe Metamorfozën, le t’i rikthehemi paksa kritikës marksiste. Përse ajo e censuroi Kafkën edhe këtë libër? Sipas një interpretimi tjetёr, kjo vepër mund të karakterizohej si deformimi i personalitetit njerëzor në kapitalizëm, pasi kemi kthimin e njeriut në kafshë dhe jetёn e tij si mjet fitimi. Druajmë se vetë kritika marksiste e kuptonte se, edhe nëse një nivel leximi do të na shpinte tek kjo ide, disa nivele të tjera, shumë shpejt, do ta përmbysnin kёtё arsyetim dhe do të shpinin ujë atje ku marksizmi s’do tё kishte dashur. Së pari, vepra nuk jep shpjegime në ç’rend shoqëror jemi. Aq më tepër aludimet që bën Kafka për problemet e lirisë, do t’i bënte teoricienët marksistë të ndjeheshin ngushtë, pasi teza e tij për lirinë e njeriut (me fitoren e komunizmit), përjashtohet nga koncepti qё ka Kafka, i cili lirinё e sheh si mallkim gjenetik i racës njerëzore. Një tjetër argument, që do t’i frenonte marksistët, do të ishte fakti se Kafka  nuk jep qoftë edhe një shënues të vetëm, që të na bind se Gregorin e ktheu në kandërr një arsye e jashtme, që do të ishte mё e pranueshme për marksistët. Na çudit fakti se më rehat se kudo, kritikët marksistë ndiheshin kur e kritikonin dhe shtrembёronin veprën e gjeniut. Por më mirë le t’i lëmë ata në mllefet e tyre, dhe të kthehemi tek letërsia e madhe, tek Kafka.

PJESA E PARE…


[1] Grup autorёsh, Bota letrare, nr. 2, Tiranё, 1991.

[2] Kafka F. Metamorfoza. Shtёpia botuese Fan Noli. Tiranё, 1992

[3] Po aty. fq.3

[4] Kafka F. Metamorfoza. Shtёpia botuese Fan Noli. Tiranё, 1992, fq.71

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili

Lideri narcisist

October 2, 2021 by s p

Iris Halili

“Lideri është si bariu. Ai qëndron prapa kopesë, duke lënë më të dobëtit të shkojnë përpara dhe të tjerët t’i ndjekin pas, të gjithë përgjatë të njëjtës rrugë dhe duke mos e kuptuar se janë drejtuar në heshtje dhe nga pas.” Nelson Mandela Bazuar në studimet e Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (1994) narcisismi është një lloj personaliteti që përfshin një dëshirë ekstreme për admirim, një ekzagjerim të ndjenjës së epërsisë personale, një dëshirë të papërmbajtur për pushtet, bindjen se e drejta është gjithmonë në anën tende, si dhe një mungesë të theksuar empatie. Ndonëse narcisismi është trajtuar si një tipar me pasoja negative në lidership, studiuesit gjithsesi besojnë se pikërisht narcisismi është forca që i drejton shumë liderë drejt pushtetit ndoshta edhe drejt misionit të lidershipit. Antropologu dhe psikoanalisti Maccoby (2004) konsideron dy tipa narcisismi, narcisismin produktiv dhe atë joproduktiv. Anët produktive të personalitetit narcisist e ndihmojnë liderin të arrijë fitoren, ashtu sikurse anët e errëta e pengojnë atë t’i shkojë deri në fund misionit për të cilin ndjekësit kanë synim dhe nevojë duke e kthyer në joproduktiv. Po të flitet për anët e mira, bazuar te Sankowsky (1995), narcisismi krijon një profil mistik që e bën 44 45 liderin shumë të besueshëm, i jep atij tiparet e heroit, i jep atij imazhin e individit tërësisht të angazhuar ndaj ndjekësve, bile deri në atë shkalle sa vetë ndjekësit fillojnë ta adhurojnë dhe përkushtohen deri në verbëri. Falë këtyre cilësive liderët narcisistë fitojnë admirimin e ndjekësve dhe ndihen të plotësuar për aq kohë sa e gëzojnë atë, pasi lideri narcisist gjithmonë kërkon të jetë i rrethuar nga admirues. Maccoby shikon gjithashtu te lideri narcisist një aftësi gati mbinatyrore për arritjen e qëllimeve, një aftësi krijuese gati të pakrahasueshme, si dhe një fuqi të brendshme për t’u përballur me situata të rrezikshme apo të vështira. Njëzëri është pranuar që lideri narcisist ka aftësi të pakrahasueshme për të frymëzuar vartësit e tij. Kjo ka çuar në arsyetimin që në raste krizash apo ndryshimesh të mëdha vetëm lideri narcisist mund të jetë në gjendje të ngjallë optimizmin e ndjekësve dhe t’i çojë ata drejt ndryshimit. Nuk është rastësi që gjithmonë në kthesat e mëdha të historisë kemi parë në krye një lider narcisist. Në përgjithësi personaliteti narcisist e kthen liderin në një individ shumë kompleks. Kjo çon natyrshëm në pyetjen: A është më shumë pozitiv apo negativ narcisismi për liderin? Kësaj pyetjeje teoricienët e lidershipit do t’i përgjigjeshin: “ Sa mirë që e ka, sa mirë sikur të mos e kishte!!” Ky kompleksitet përbën edhe pikën më të vështirë për të pasur një konkluzion final rreth liderit narcisist. Nëse rreshtojmë disa pika kyç për suksesin në lidership të liderit narcisist ato janë padyshim besimi që liderët kanë te vetja dhe aftësia vizionare për ta përcjellë këtë besim te ndjekësit dhe duke i frymëzuar ata deri në pikat më të larta dhe në momentet më të vështira. Pa këto dy tipare vështirë se mund të nisësh rrugën e gjatë e të vështirë të lidershipit dhe vështirë se mund të pranohesh nga ndjekësit. Në fakt janë këto dy tipare që e prodhojnë liderin dhe e lançojnë atë si të tillë. Janë pikërisht këto që plotësojnë fjalinë “sa mirë që është narcisist”. Çështja shtrohet nëse ky tipar vazhdon të ketë të njëjtën peshë dhe të luajë të njëjtin rol pozitiv kur lideri është afirmuar dhe tashmë duhet të ushtrojë pushtetin e tij? Çfarë roli luan narcisismi që nga ky moment? Më së shumti anët e errëta të narcisismit ngrenë krye dhe e drejtojnë liderin nëse ai nuk është në gjendje t’i kontrollojë ato, dhe mbi të gjitha të kontrollojë – unin e sëmurë që shfaqet shumëformësh, prej të cilëve po shënojmë më të dukshmit. Unë dhe lumi Miti i vjetër i Narcisit që u mbyt në lumë duke u mahnitur nga bukuria e vetes mund të ketë shumë interpretime. Vërtet Narcisi u mrekullua me veten dhe donte ta përqafonte atë në imazhin e ujit dhe humbi pa kuptuar, apo atij iu duk se në lumë ishte dikush tjetër, e ai rendi ta shpëtojë, apo ta përqafojë?? Apo mos kemi një lumë aq mahnitës, të kthjellët si një pasqyrë saqë Narcisi që nuk dinte çfarë ishte efekti pasqyrë u mahnit e tentoi ta prekë por u shkri në të? Pra thjesht mund të pyesim: Ishte vetë Narcisi aq i vetëndjerë sa që ra e u mbyt i dashuruar pas vetes apo efekti pasqyrë e 46 47 turbulloi atë dhe e zhyti në thellësi për të mos dalë më? Pra sa me peshë është roli i lumit në mbytjen e Narcisit? Kudo që ta shpiem analizën ka vetëm dy anë dhe një ndjenjë, nga njëra anë është Narcisi, nga ana tjetër lumi e në mes dashuria. Kurrë nuk e kemi gjetur nëse ka qenë dashuria për të rrokur veten apo imazhin e tij ajo që e turbulloi Narcisin apo efektet shumëngjyrëshe e shumëformëshe të lumit e përhumbën atë? Duke dalë nga metafora letrare bëjmë një analizë më jetësore duke përmendur Narcisin si protagonist. A do e njihnim Narcisin po të mos që mbytur në lumë? Ndër shekuj njerëzit janë marrë me Narcisin por kanë harruar lumin duke harruar faktin që ishte lumi që krijoi efektin, e solli dramën narcisiane. Po ta shtrojmë analizën te lidershipi mund të pyesim – janë shoqëritë narcisiste që krijojnë liderë narcisistë apo e kundërta? Po t’i hedhim një sy liderëve më dominantë të Shqipërisë që në kohën kur ky vend filloi vërtet të kishte shtet, shikojmë se në shumë pika ata shfaqin karaktere të ndryshme por në një pikë ata janë të gjithë bashkë, dhe ky është narcisismi! Kjo do të thotë se ata trashëgojnë të gjithë një tipar dominues të shoqërisë që përfaqësojnë. Një ndër leksionet bazë në teoritë e praktikat e lidershipit është: lideri është produkt i shoqërisë që përfaqëson. Fakti që një shoqëri prodhon gjithmonë e gjithmonë një tipar lideri, rrëfen se shoqëria e ka këtë tipar të sajin. Lideri është rrjedhshmëri. Kjo do të thotë se një shoqëri narcisiste do prodhojë liderë narcisistë. Unë jam sui generis Lideri narcisist e konsideron veten të famshëm dhe shumë të rëndësishëm. Beson se është qenie speciale me vlera të jashtëzakonshme, i zgjedhur special i cili duhet ndjekur me çdo kusht, pasi mbetet alternativa e vetme shpëtuese. Ka aq besim në atë që thotë dhe atë që bën sa natyrshëm e përcjell këtë besim te ndjekësit. Në paradat e 1 Majit që zhvilloheshin çdo vit në Tiranën komuniste, njerëzit thoshin: “Kur del Enveri pushon shiu e del dielli”. Kjo lloj shpëlarje masive e trurit, ku udhëheqësi shihej si një perëndi me forcë të pashtershme dhe ku adhurimi arrinte përmasa të tilla, ktheheshin në ushqimin kryesor të Hoxhës narcisist. Unë duhem dashur me çdo kusht Lideri narcisist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisistë janë të fiksuar që të kenë nën kontroll artin i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të. Për mua të tjerët janë vetëm sende Lideri narcisist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcisistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Sipas Dimaggio (2002), si dhe disa studiuesve 48 49 të tjerë bashkëpunëtorë me të, lideri narcisist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcisist; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm. Të gjithë duhet të mendojnë e të veprojnë si unë Liderët narcisistë kanë aftësi të prodhojnë ndjekës narcisistë dhe shoqëri narcisiste. Mes këtij procesi ata fare natyrshëm fuqizojnë pushtetin e tyre, mbrojnë pushtetin e tyre dhe në këtë mënyrë e kanë më të lehtë ecjen përpara. Këtu duhet të theksojmë se problemi më serioz në lidership nuk është çka vetë lideri përfaqëson, por çka ai frymëzon e formëson. Liderët formësojnë më shumë se kushdo në shoqëri, ndaj edhe misioni apo roli i tyre është më i rëndësishëm se ai i çdo profesioni në botë. Një lider sado gjenial të jetë, i vetëm nuk mund të arrijë asgjë, por pasi ka formësuar ndjekësit dhe i ka dhënë “imazhin e tij”, ai tashmë është bërë faktor social që ka në dorë çdo gjë, vetë fatin e njerëzimit. Hitleri është padyshim lideri narcisist më klasik, apo më saktë të shprehemi, më lehtësisht për t’u identifikuar lehtësisht si i tillë. Ai e përcolli krejt natyrshëm narcisismin e tij te shoqëria gjermane e kohës aq sa shumë shpejt u pa që nuk patëm vetëm një lider narcisist, por një shoqëri gjermane krejt narcisiste. Fitore dhe vetëm fitore për mua Liderët narcisistë duan të shohin vetëm fitore. Ata e kanë gati të pamundur të pranojnë humbjen apo disfatën. Edhe kur humbja është tërësisht e dukshme ata fillojnë të gjejnë shkaktarin përtej vetvetes dhe t’i heqin vetes çdo përgjegjësi për humbjen. Ndërsa paradoksalisht te sukseset lideri narcisist gjithmonë kërkon t’i theksojë si të vetat. Edhe nëse suksesi nuk arrihet ai duhet të imagjinohet i arrirë, dhe duhet spekuluar deri në atë pike sa të shpiket edhe nëse nuk ekziston. Po t’i referohemi të gjithë propagandës komuniste në kohën e diktatorit Hoxha do të shohim se kudo flitej për fitore dhe suksese. E tërë makina propagandistike ishte ndërtuar për të glorifikuar suksesin, që në fakt nuk ekzistonte, por që duhej përfytyruar apo pranuar si i tillë. Mua nuk më duhet të dëgjoj, unë vetëm jap direktiva Lideri narcisist nuk ka aftësinë të dëgjojë apo të shkëmbejë mendime. Ndonëse ai deklamon sikur i pëlqen të dëgjojë, në fakt ai është më i prirë të rrethohet vetëm nga manekinë. Në këto kushte, në vend që të ndërtojnë raporte njerëzore dhe të ndershme, liderët narcisistë shfaqin dëshirat ekstreme për të dominuar dhe ndjejnë kënaqësi të veçantë duke goditur të tjerët, pasi për ta jeta është një konkurrencë ku ata duhet të jenë vetëm fitimtarë (Blair, 2008). Çdo ide, vendim apo propozim 50 51 duhet të dalë nga lideri narcisist. Duke krijuar këtë ai ndërton një presion mbi këdo që e rrethon. Kjo bën që në të shumtën e rasteve liderët narcisist e kanë gati të pamundur të shfaqin tendenca të lidershipit pjesëmarrës apo bashkëpunues. Fatkeqësisht, këto tipare rriten edhe më shumë dhe fillojnë të dalin në pah kur lideri narcisist fuqizon pushtetin apo suksesin. Me fuqizimin e pushtetit këta lloj liderësh bëhen tërësisht jo tolerantë ndaj mendimit ndryshe, ndaj ideve që bien në kundërshtim me të tyret apo krijojnë argumente. Dëshira parësore dhe synimi i narcisistit pas këtij momenti është përjashtimi, apo lufta e hapur ndaj kujtdo që ka forcën ta kundërshtojë, dominojë apo luftojë. Sipas Blair (2008) kjo vjen edhe sepse narcisismi është i lidhur ngushtë me sindromën e paranojës. Unë bëj çfarë dua Kontrolli mbi pushtetin është synimi kryesor i liderit narcisist. Abuzimi me të është një normë e këtyre lloj liderëve. E gjitha kjo vjen sepse lideri narcisist kërkon të ketë patjetër një pushtet absolut. Në përgjithësi e arrin këtë duke emëruar individë që janë totalisht nën kontrollin e tij. Këtu fillon gradualisht abuzimi me pushtetin. Kjo dëshirë e pamat për pushtetin dhe për të mos e humbur atë, i bën liderët narcisistë shumë të rrezikshëm, pasi ata janë në gjendje të marrin çdo vendim gati ekstrem vetëm e vetëm që të mos humbin kënaqësinë që u sjell pushteti. Sipas Sankowsky (1995), lideri narcisist është në gjendje t’i mashtrojë, t’i tradhtojë dhe braktisë ndjekësit e tij vetëm me synimin e ruajtjes së pushtetit personal. Duke qenë se liderët narcisistë nuk kanë empati apo nuk shohin askënd përtej vetes, ata kanë aftësi të shfrytëzojnë këdo pa pasur ndonjë vrarje ndërgjegjeje apo keqardhje, mjafton që të arrijnë egon e tyre personale e të egër për pushtet. Konkluzione Jo pa qëllim çdo paragraf i mësipërm ka një titull ku përemri vetor “unë” është aplikuar pothuaj në të gjitha rasat. Kjo gjetje e fjalës mbart domethënien që ekziston për çdo personalitet narcisist, pak rëndësi ka nëse ai është lider apo ndjekës, për të çdo gjë fillon e mbaron te vetja, te madhështia e unit që nuk njeh kufij vetadmirimi dhe që kërkon të realizohen nëpërmjet një pushteti absolut. Fatkeqësisht, në pasqyrën e jetës një narcisist nuk sheh kurrë veten por atë që ai do të shohë në të. Këtu fillon drama e tij personale dhe këtu fillon padyshim drama shoqërore nëse ky narcisist i bie të jetë një lider.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili

Dr. Albert Gjoka: Libri i Iris Halilit një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri

September 20, 2021 by s p

Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Federatës “Vatra” dhe të gazetës “Dielli”!
Fort e nderuar profesoresha ime, znj. Iris Halili!

Në pamundësi për të qenë fizikisht apo virtualisht mes ju, në këtë ngjarje të pazakontë librore, – dëshiroj që t’ju përcjell urimet e përzemërta; secilit veçmas dhe të gjithëve bashkë: Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për bashkësinë e shqiptarëve të Amerikës, të cilët kanë ditur të jenë pjesë e jetës dhe e vlerave të atij kombi të madh, duke ndërtuar një “Shqipëri tjetër”, – të gjallë, të bukur dhe plot shpresa, – një model dinjitoz për ne këtu, në “Shqipërinë e vjetër”. 

Ju, vatranë të dashur, përgjatë disa brezave, na keni treguar se “gjaku nuk bëhet ujë”, se “historia nuk zhbëhet”, por e keni dëshmuar me vepra sesi ndërtohet e tashmja dhe e ardhmja në mënyrën më të mirë të mundshme, përmes punës dhe dijes. Edhe ky takim i sotëm është shenjë e kësaj tradite dinjitoze dhe këtij kontributi të çmuar që vazhdoni të jepni, ju “bijtë e shqipes”. 

Libri “Lideri nuk lind…bëhet” i Iris Halilit, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dituria”, është shembull i qartë i kësaj tradite njerëzish fisnikë, ku me kontributin e ideve, na fton ne të gjithëve, – sidomos këtu në Shqipëri, të ndërtojmë një mendësi tjetër ndaj liderit dhe lidershipit. Autorja na sfidon që në titull, – duke na trazuar fort brenda nesh përgjegjësinë e të qenit lider, në familje, në komunitet, në organizatë apo në bashkësitë e tjera ku jemi të pranishëm. Irisi e njeh shumë mirë mendësinë e liderit shqiptar përgjatë historisë, – dhe aq më mirë liderin e ditëve tona. Ajo ka pasur përvoja personale pune dhe marrëdhëniesh me disa prej tyre, – dhe e kupton më mirë se shumëkush tjetër përmasën e liderit, rolin e tij, mundësitë dhe pamundësitë e lidershipit shqiptar. 

Besoj se të gjithë biem dakord se në Shqipëri liderat janë produkte të traditës së tyre, të historisë plot konflikte dhe të mendësisë për ta asgjësuar tjetrin. Unë besoj se ky libër vjen në kohën e duhur, – si një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri, – për krijimin e një lidershipi të ri. Sepse lidershipi është një disiplinë të cilën duhet ta mësojmë përmes shkollës dhe librit. Lidershipi nuk është thjeshtë produkt i traditës, apo shprehive social-kulturore në përditshmërinë tonë. 

Autorja ka studiuar shkollat më të mira të lidershipit, – analizon teoritë bashkëkohore të drejtimit dhe iu referohet autorëve më në zë të kësaj fushe. Ajo sjell edhe modele të liderëve, duke i analizuar përmes tipologjive të tyre dhe vlerave që kanë lënë. Unë do të kisha dashur që Irisi në këtë libër të thellohej më shumë në natyrën e liderit shqiptar, – përmes një qasje më të detajuar të liderave shqiptarë në histori, – por shpresoj dhe besoj se puna e saj në këtë fushë do të thellohet më tej në të ardhmen. 

Gjithsesi, këtë libër unë e konsideroj një guidë të çmuar për secilin prej nesh, – një libër përmes të cilit mund të mësojmë ide të reja për lidershipin dhe mund të reflektojmë më thellë për mënyrën sesi të drejtojmë jetën brenda familjes, bashkësisë, biznesit apo institucionit. Libri i komunikohet lexuesit teksa ne e prekim përditë krizën e liderit apo kur ndodhemi përballë fuqizimit të liderit autoritar. 

Unë mendoj se lideri është produkt i nivelit të shoqërive tona, – i vëmendjes që tregojmë secili prej nesh për të nxjerrë njerëzit që na përfaqësojnë. Prandaj, heshtja dhe neglizhenca e secilit prej nesh për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike, shmangia nga procesi i përzgjedhjes së përfaqësuesve tanë, – po na rëndon jetën tonë me pasoja të mëdha. 

Vëmendja që i kushton autorja modelit të lidershipit që na ka lënë Shenjtja Nëna Terezë është ndër gjërat më të veçanta të këtij libri. Përkundër paradokseve të mëdha që prodhon bota jonë shqiptare, –  shembulli i Shenjtes Terëzë na tregon se mund të drejtosh edhe me fuqinë e dashurisë, të mëshirës dhe të arsyes. Sot, më shumë se kurrë, na duhet fuqia e arsyes dhe e dashurisë përkundër arsyes së forcës; na duhet modeli që krijoi dhe na la si trashëgimi shqiptarja jonë e përbotshme, Nana Terezë.

Unë nuk dua të zgjatem më tej, paçka se kam shumë për të thënë për librin dhe autoren, – por dua të ndaj me ju lajmin e bukur se ky libër është pritur shumë mirë edhe nga lexuesit në Shqipëri: Dëshmi e këtij receptimi të pazakontë është edhe fakti se libri “Lideri nuk lind…bëhet” është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 nga platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al. 

Ky libër riktheu pas shumë vitesh komunikimin me profesoreshën time të letërsisë moderne Iris Halili, dhe jam befasuar pa masë me këtë angazhim të ri të saj: Do të doja që ky libër të ishte pjesë e kurrikulave shkollore, universitare apo të ishte pjesë e trajnimeve për krijimin e liderëve rinj shqiptarë në biznese, organizata apo në politikë. Unë e kam për nder të jem një shërbëtor i zellshëm në procesin e komunikimit të këtij libri, dhe të gjithë pasurive të tjera mendore dhe shpirtërore, – të ngjashëm si kjo, – tek lexuesi shqiptar, sepse besoj rrënjësisht tek shprehja: “Readers are Leaders”. 

Të dashur të pranishëm! 

Ky libër do të rrisë përmasën e kuptueshmërisë dhe të informimit për lidershipin; – dhe pas leximit të tij, ju siguroj se secili prej jush do të ndihet më i qetë; do të silleni në mënyrë më të maturuar; do të jeni më efikasë në drejtim dhe do t’i kuptoni më mirë ata që ju drejtojnë në jetën e përditshme. Besoj se këtë fuqi transformuese që kanë idetë dhe librat tek ne, Iris Halili ka ditur ta bëjë siç duhet përmes këtij botimi, – me profesionalizëm, me përkushtim dhe me dashuri, – që secili prej nesh të jetë një udhëheqës më i mirë i jetës së tij në familje, biznes apo shoqëri. 

Unë jam i paduruar që të pres libra të tjerë për lidershipin prej jush, Profesoresha ime Iris Halili. 

U jam mirënjohës; ty Iris, dhe gjithë ju, pjesëmarrës të nderuar që patët durimin për ta përcjellë mesazhin tim deri në fund, – me shpresën se një ditë do të takohemi me secilin prej jush për gjëra po aq të bukura dhe të vlerta sa ky promovim libri. 

Vëllazërisht, i juaji!

Dr. Albert Gjoka

Themelues dhe menaxher i platformës së librit shqip, Bukinist.al

Filed Under: Opinion Tagged With: Albert Gjoka, Iris Halili

VATRA PROMOVOI LIBRIN E STUDIUESES IRIS HALILI “LIDERI NUK LIND…BËHET”

September 19, 2021 by s p

Sokol Paja

New York më 19 Shtator 2021- Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra u promovua libri “Lideri nuk lind…bëhet” i studiueses Iris Halili. Gazetarë, studiues, mësues, intelektualë, patriotë, vatranë e shumë miq u bënë pjesë e festës së librit. Nën prezantimin brilant të gazetares Marjana Bulku, libri “Lideri nuk lind…bëhet” i përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al” ngjalli shumë interes dhe kureshtje për pjesëmarrësit. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha pasi uroi mirëseardhjen dhe përshëndeti takimin, në diskutimin e tij u ndal te rëndësia e liderit në diplomaci, shoqëri, shtetndërtim dhe familje.

Frank Shkreli gazetar dhe drejtues i Zerit të Amerikës, në kumtesën e mbajtur me këtë rast të lexuar nga Marjana Bulku ka deklaruar se: “U garantoj se në qoftë se dëshironi të jeni vërtetë liderë të mirë e frymëzues, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme, ky libër ofron shembuj e analiza, opinione e thënje nga personalitete botërore që do t’u frymëzojnë që të bëheni liderë të mirë e frymëzues dhe jo negativë ose siç i quan studiuesja Halili, “toksikë”, si diktatori komunist Enver Hoxha.  Apo edhe më mirë, të bëheni liderë, shembulli i të cilëve duhet imituar, siç është Nënë Tereza.  (Autorja shpjegon gjithashtu se pse përdor termin “lider” dhe “lidership” dhe jo “udhëheqës” dhe “udhëheqje” – si dikur “nën udhëheqjen e partisë”, “udhëheqsi i lavdishëm”, etj ). Por është një libër që përqendrohet gjithashtu edhe në marrëdhëniet e liderve dhe ndjekësve të tyre, si një temë kryesore, “pasi janë ata që fuqizojnë dhe shfuqizojnë liderët”. Libri ka një mesazh të thjesht por të rëndësishëm për politikën aktuale të botës shqiptare – mbushur plot e përplot me liderë të këqij – por dhe për shqiptarët ndjekës të politikanëve, në përgjithësi – liderëve të paaftë  e të korruptuar – e që na kujtojnë edhe fjalët e filozofit francez Joseph de Maistre, i cili është shprehur në vitin 1811 se, “Toute nation a le gouvernement qu’elle merite”, (“Every nation has the government it deserves.”) Secili komb ka qeverinë që meriton” thuhet në kumtesën e z.Shkreli. Dr. Albert Gjoka, themelues dhe menaxher i platformës së librit shqip, Bukinist.al nëpërmjet mesazhit të dërguar në promovim ka shkruar se libri “Lideri nuk lind…bëhet” i Iris Halilit, është shembull i qartë i kësaj tradite njerëzish fisnikë, ku me kontributin e ideve, na fton ne të gjithëve, – sidomos këtu në Shqipëri, të ndërtojmë një mendësi tjetër ndaj liderit dhe lidershipit. Autorja na sfidon që në titull, – duke na trazuar fort brenda nesh përgjegjësinë e të qenit lider, në familje, në komunitet, në organizatë apo në bashkësitë e tjera ku jemi të pranishëm. Irisi e njeh shumë mirë mendësinë e liderit shqiptar përgjatë historisë, – dhe aq më mirë liderin e ditëve tona. Ajo ka pasur përvoja personale pune dhe marrëdhëniesh me disa prej tyre, – dhe e kupton më mirë se shumëkush tjetër përmasën e liderit, rolin e tij, mundësitë dhe pamundësitë e lidershipit shqiptar. Liderat janë produkte të traditës së tyre, të historisë plot konflikte dhe të mendësisë për ta asgjësuar tjetrin. Unë besoj se ky libër vjen në kohën e duhur, – si një ftesë për ndryshim radikal në modelit të liderit në Shqipëri, – për krijimin e një lidershipi të ri. Sepse lidershipi është një disiplinë të cilën duhet ta mësojmë përmes shkollës dhe librit. Lidershipi nuk është thjeshtë produkt i traditës, apo shprehive social-kulturore në përditshmërinë tone” citohet në kumtëzën e z.Gjoka. Autorja Iris Halili në prezantimin e saj u shpreh se Karizma si tipar dallues në lidership veçon aftësinë për të frymëzuar ndjekësit. Po t’i referohemi historisë do të vërejmë se falë karizmës personale shumë figura/ lider historike i përcillnin aq shumë emocion ndjekësve të tyre sa këta të fundit flijoheshin në emër të kauzës që gjithmonë lideri karizmatik e ndërton dhe përcjell në formën më depërtuese dhe emotive. Lideri narcisist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisistë janë të fiksuar që të kenë nën kontroll artin i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të. Lideri narcisist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcisistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Lideri narcisist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcisist; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm, sipas Iris Halilit. Ky libër ngjalli shumë diskutime nga të pranishmit si Agim Alickaj, Muhamet Omari, Dr. Pashko Camaj etj. Libri i Iris Halilit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar. Në fund të promovimit u shtrua një koktejl i përgatitur për Vatrën me shumë përzemrësi nga patrioti Tush (Toni) Musaj. Në promovim pjesëmarrësit morën librin me autografe dhe u mblodhën 405 USD të cilat autorja Iris Halili ia dhuroi Federatës Vatra. Pas përfundimit autorja për miqtë e saj të ftuar dhe një përfaqësi nga autoritetet drejtuese të Vatrës shtroi një drekë falenderimi dhe mirënjohjeje.

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Marjana Bulku, Sokol Paja, Vatra

NESËR PROMOVOHET NË VATËR “LIDERI NUK LIND…BËHET”

September 18, 2021 by s p

Dielli/

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, neser ditë e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 am, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet” i autores Iris Halili. Libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”. Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur në shtypin Shqiptar dhe atë të diasporës për artikujt e saj sa për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin. Autorja ka qenë prej 10 vjetesh  pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranes; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami,  Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.

Libri i saj me i fundit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar.

Në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës.

Promovimi moderohet nga gazetarja Marjana Bulku.

Ju mirëpresim në mjediset e Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT