• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HETIME NGA OKB PËR VRASJEN E GAZETARIT SAUDIT JAMAL KHASHOGGI

October 22, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1

Nga Frank Shkreli/

Ndërkohë që gjatë ditëve të fundit, një numër udhëheqësish botërorë janë shprehur se hetimet e njoftuara nga Arabia Saudite rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, nuk janë të mjaftueshme — disa organizata jo-qeveritare ndërkombëtare kanë bërë thirrje për hetime të pavarura.  Kjo është thirrja që i kanë bërë Turqisë javën e kaluar katër organizata të njohura ndërkombëtare të drejtave të njeriut.  Reporterët Pa Kufij, Amnesty International, Human Rights Watch dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një letër të përbashkët i kërkojnë Turqisë t’i bëjë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Z. Antonio Guterres, që të bëjë hetime mbi ekzekutimin e gazetarit të njohur saudit, Jamal Khashoggi.  Hetimet, thonë këto ente të të drejtave të njeriut, duhet të vendosin rrethanat mbi rolin e Arabisë Saudite në zhdukjen dhe më në fund në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Qëllimi i hetimeve nga OKB-ja, sipas tyre, duhet të jetë identifikimi i të gjithë personave përgjegjës, të cilët kanë dhënë urdhërin dhe të cilët kanë planifikuar vrasjen e Jamal Khashoggit.  “Turqia duhet të angazhojë Kombet e Bashkuara për të filluar hetimet në kohën e duhur, ashtu që të jenë të besueshme dhe transparente”, citohet të ketë thënë Robert Mahoney, zëvëndës-drejtor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.  Ndërsa ka shtuar se, “Pjesëmarrja e OKB-ës në këtë çështje, është garancia më e mirë që ato të dalintë sukseshme, megjithë hetimet që po bëhen sa për sy e faqe nga vet sauditët dhe përball përpjekjeve të qeverive të tjera, të cilat mund të kenë interesa për të ruajtur marrëdhëniet e levërdishme tregtare me Riadin.”

Në njoftimin për mediet ndërkombëtare, organizatat e mësipërme kërkojnë që provat që do të mbludhen gjatë hetimeve nga OKB-ja, të ruhen me qëllim që të përdoren në çdo proces gjyqësor në të ardhmen, kundër dorë-rasëve ose dhe pjesëmarrësve në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Ato insistojnë gjithashtu që grupi hetues i OKB-ës të jetë i lirë për të udhëtuar kudo që jetë e nevojshme, për të intervistuar dëshmitarët ose njerzit që mund të konsiderohen si fajtorë në këtë mes, pa ndërhyrje nga autoritetet e cilitdo vend qoftë.

Jamal Khashoggi është parë duke hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll me 2 Tetor, 2018, por fati i të cilit ç’prej asaj dite, nuk dihej deri tani.  Por gjatë fundjavës që kaloi, Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e gazetarit saudit dhe komentatorit të gazetës Washington Post, e të ndjerit Khashoggi, duke thënë se vdekja e tij erdhi gjoja pas një grindjeje fizike brenda konsullatës saudite në Stamboll.  Kjo është hera e parë që Arabia Saudite pranon se ai është vrarë brenda konsullatës së saj në Stamboll.  Megjithkëtë, pranimi zyrtar saudit se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë brenda konsullatës së saj atje, nuk ka të ngjarë të pakësojë thirrjet ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjëse autoritetet saudite për vrasjen e tij.  Deri të shtunën që kaloi, zyrtarët sauditë kishin thënë vazhdimisht se Khashoggi ishte larguar i gjallë nga konsullata saudite në Stamboll, ku kishte vajtur për të marrë një dokument martese dhe se ata nuk kishin ndonjë informacion për fatin e tij.

Sipas organizatave ndërkombëtare të lartëpërmendura e që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, autoritetet saudite i kanë shtuar masat shtypëse ndaj kundërshtarëve në vend ç’prej emërimit princ të Mohammad bin Salman, Qershorin e vitit të kaluar, përfshirë masat e ashpra edhe ndaj personavet për shprehjet e tyre paqësore në favor të promovimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi.   Këto organizata thekësojnë se pothuaj të gjithë mbrojtsit e të drejtave të njeriut dhe zërat kritikë, përfshirë ndër ta edhe klerikë, gazetarë dhe akademikë, kanë qenë dhe janë objekt masash të ashpëra kundër tyre nga autoritetet e Arabisë Saudite.   Sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, vrasja e gazetarit Khashoggi ndodhi pas më shumë se një vit masash të ashpëra nd[rmarrë kundër gazetarëve sauditë, të cilët kanë raportuar mbi aferat korruptive, mbi të drejtat e grave dhe për çështje të tjera në vendine tyre e që në Arabinë Saudite konsiderohen si çështje “sensitive”, ndërkohë që ato akuzojnë Arabinë Saudite se disa prej këtyre personave mbahen në vende të panjohura.

Prandaj nuk janë vetëm gazetarët, mbrojtës të lirisë së fjalës, ata që e pësojnë keq në Arabinë Saudite.  Organizatat e të drejtave të njeriut, kanë venë në dukje se shumë individë, përfshirë edhe disa femëra të njohura saudite, mbështetëse të drejtave të grave, si Loujain al-Hathloul, Iman al-Nafjan dhe Aziz al-Yousef, mbahen arbitrarisht në burg për disa muaj tani, pa kurrfarë akuzash ndaj tyre, por mabhen të arrestuara vetëm e vetëm pse kanë ushtruar të drejtën e tyre të fjalës së lirë.

Christophe Deloire, Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës Reporterët Pa Kufij, tha se të gjitha këto zhvillime rreth vrasjes së gazetarit saudit, Khashoggit, “E bëjnë të qartë se sa e rëndësishme është që për këtë rast të ndërmerren hetime të pavarura dhe asnjanëse me qëllim që të zbulohet e vërteta për atë që ka ndodhur dhe të vendoset drejtësia për vrasjen e Jamal Khashoggi-n”. Ai e cilësoi vrasjen e tij si një prej rasteve më shokuese dhe ekstreme të viteve të fundit dhe si e tillë duhet, patjetër, të hetohet nga Kombet e Bashkuara.

Organizatat e lartëpërmendura i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithsëëm të Kombeve të Bashkuara, Z. Guterres që të emërojë një hetues të lartë krimesh me përvojë të gjërë në fushën e hetimeve ndërkombëtare, si personin për të kryesuar grupin hetues të OKB-ës për këtë rast.  Në përfundim të hetimeve, ata rekomandojnë botimin e një raporti publik mbi vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi dhe që grupi hetues të propozojë masat që duhen marrë kundër atyre që shkaktuan vdekjen e tij.

“Familja e Jamal Khashoggi-t dhe mbarë bota meritojnë të dinë të vërtetën e plotë se çfarë i ndodhi atij”, është shprehur Drejtori i Human Rights Watch, Z. Louis Charbonneau duke shtua se, “Shpjegimet e pjesëshme dhe hetimet e njëanëshme nga Arabia Saudite, e cila dyshohet se kishte gisht në vrasjen e tij, nuk mjaftojnë.  Vetëm Kombet e Bashkuara kanë kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të ekspozuar vrasësit e gazetarit Khashoggi dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës për aktin …” ka thekësuar Z. Charbonneau.  Ndërsa Sherine Tadros, Kryetare e zyrës së Amnesty International në Nju Jork është shprehur se, “Pa një hetim të besueshëm nga ana e OKB-ës, dyshimet do të vazhdojnë mbi Arabinë Saudite pa marrë parasyshë shpjegimet zyrtare që mund të ofrojë udhëheqja e atij vendi në lidhje me vrasjen e Jamal Khashoggit.”

Më në fund, organizatat e të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje Turqisë, Arabisë Saudite dhe të gjitha vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të bashkpunojnë me hetimet e OKB-ës, për të siguruar ndihmën e nevojshme për zhvillimin e hetimeve ndërkombëtare, ashtuqë që të zbulohet e vërteta mbi vrasjen e Jamal Khashoggi-t.  Posaçërisht, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, i bëjnë thirrje Turqisë, që të dorëzojë të gjitha provat audio-vizive që thotë se posedon në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit — e që zyrtarët turq u kanë thënë vazhdimisht përfaqësuesve të medies — se ato provojnë vrasjen e Jamal Khashoggi-t, brenda konsullatës saudite në Stamboll. Fund javën që kaloi, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres, nepërmjet një zëdhënsjeje, shprehu “shteqësimin e tij të thellë” për vrasjen e gazetarit saudit, por nuk mori përsipër ndonjë angazhim për hetim nga ana e OKB-ës, megjithëse sipas zëdhënses, “Sekretari i Përgjithshëm theksoi nevojën për hetime të menjëhershme dhe transparente mbi rrethanat e vdekjes se të ndjerit Khashoggi dhe për të zbuluar përgjegjësit për vrasjen e gazetarit saudit.”  Mbetet për tu pa në ditët dhe javët e ardhëshme, nëse OKB-ja do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së organizatave kryesore ndërkombëtare të drejtave të njeriut për një grup hetues i sanksionuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.  OKB-ja si organizatë botërore, mbi të gjithë të tjerët, duhet të tregojë shqetësimin e saj të thellë për këtë ngjarje.   Sepse “ngjarjet e tmershme” — siç u shpreh në reagimin e saj në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Kancelarja gjermane Angel Merkel — “Janë një paralajmërim se reformat demokratike, anë e mbanë botës, janë nën kërcënim”.   Ky shqetësim duhet të shprehet nga të gjithë ata që besojnë në lirinë e fjalës dhe në lirinë e shtypit në veçanti dhe në vlerat demokratike, në përgjithësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Hetime nga OKB, Jamal Khashoggi

FJALËT E FUNDIT TË GAZETARIT TË VRARË SAUDIT JAMAL KHASHOGGI

October 20, 2018 by dgreca

FJALËT E FUNDIT TË GAZETARIT TË VRARË SAUDIT JAMAL KHASHOGGI: Mbi të gjitha, bota arabe ka nevojë për lirinë e fjalës /

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank SHKRELI/Siç është informuar tanimë mbarë opinioni botëror, gazetari i njohur saudit Jamal Khashoggi mendohet të jetë vrarë, pasi është zhdukur nga qarkullimi, më 2 Tetor, brenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Sipas disa lajmeve që citojnë zyrtarët turq, Jamal Khasshoggi është vrarë brenda Konsullatës saudite, në një vrasje që ata e cilësojnë si “me paramendim”, e kryer nga një grup prej 15 burrash nga Arabia Saudite. Ndërsa autoritetet saudite kanë thënë se Khashoggi është larguar nga konsullata, i pa dëmtuar fizikisht, pak kohë pasi kishte arritur në ndërtesën e përfaqësisë diplomatike saudite në Stamboll.

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo, pas takimit me udhëheqësit sauditë dhe turq këtë javë, për të biseduar mbi këtë çështje, informoi të enjten Presidentin Donald Trump duke i kërkuar atij t’i japë Arabisë Saudite edhe disa ditë të tjera, për të përfunduar hetimin rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, para se të njoftohet ndonjë reagim zyrtar ose marrje masash nga ana e Washingtonit kundër Riadit, si përfundim i vrasjes së gazetarit Khashoggi. Ndërkohë, po shtohen trysnitë ndërkombëtare ndaj Washingtonit që të reagojë me masa të ashpra ndaj atyre që kanë ndërmarrë këtë anti-njerëzor.

Para se të zhdukej nga qarkullimi, gazetari Jamal Khashoggi – duke folur për masat shtypëse ndaj medies në Egjipt dhe në Arabinë Saudite – kishte paralajmëruar se fatkeqësisht, “Masa të tilla të shtypëse kundër medies në ato vende nuk tërheqin më kritika nga komuniteti ndërkombëtar dhe se autoritetet në ato vende nuk pësojnë asnjë pasojë për shtypjen e lirisë së medies në vendet e tyre”.

 Jamal Khashoggi

Jamal Khashoggi ishte njëri prej gazetarëve dhe komentuesve politikë më të njohur sauditë dhe të botës arabe në përgjithësi, me një karrierë gazetareske prej pothuaj 30-vitesh. Megjithëse për një kohë të gjatë ishte i afërt me familjen mbretërore saudite, Jamal Khashoggi me shkrimet e tij, më vonë siguroi një reputacion si reformist dhe mbrojtës i Lirisë së Fjalës, duke kritikuar, ndër të tjera edhe, politikën rajonale dhe të brendshme të Arabisë Saudite. Gjatë karrierës së tij, ai ka shkruar për një numër gazetash arabe dhe për gazeta ndërkombëtare, përfshirë gazetën amerikane “Washington Post”. Të enjten “Washington Post” botoi atë që thotë se është shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilin ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe. Redaktorja e gazetës së kryeqytetit amerikan, Karen Attiah, duke paraqitur për lexuesit komentin e fundit të shkruar nga gazetari Khashoggi për “Washington Post”, shprehet se artikulli pasqyron vërtetë angazhimin dhe pasionin e tij personal për liri në botën arabe – një liri, për të cilën siç duket, ai dha jetën e tij. Khashoggi e fillon komentin duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe, ndërsa citon raportin e Organizatës Amerikane të Drejtave të Njeriut, “Freedom House” për vitin 2018, sipas të cilit, vetëm një vend i mbarë botës arabe klasifikohej si i “lirë”, e ai vend është Tunizia. Ndërsa Jordania, Maroku dhe Kuvajti karakterizohen, sipas tij, si vende “pjesërisht të lira”, ndërsa pjesa tjetër e vendeve të botës arabe cilësohen, si “jo të lira”. “Si përfundim”, shkruan ai, “Arabët që jetojnë në këto vende “jo të lira”, nuk janë të informuar ose janë të keq-informuar”, për ngjarjet ndërkombëtare, përfshirë vendet e tyre dhe botën arabe. Si rrjedhim, ka shkruar Khashoggi në artikullin e fundit, “Ata nuk e kanë të mundur të merren me çështjet rajonale dhe të ditës së përditshme që u interesojnë atyre, aq më pak t’i diskutojnë ato publikisht. Një pjesë e madhe e publikut arab bie viktimë e shpjegimeve zyrtare të këtyre shteteve – shpjegime që dominojnë psikozën publike – megjithëse shumë prej tyre nuk i besojnë versionet zyrtare. Fatkeqësisht, kjo situatë nuk ka të ngjarë që të ndryshojë”, potencon Jamal Khashoggi, në shkrimin e tij të fundit në gazetën amerikane “Washington Post”. Madje edhe Libani, që dikur konsiderohej si shembull për sa i përket lirisë së shtypit në botën arabe, tani ka rënë viktimë e polarizimit dhe influencës së Hezbollahut pro-iranian, ka shkruar Khashoggi në artikullin e botuar në gazetën amerikane “Washington Post”.

Prandaj, thekson ai, “Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar, jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet”, shkruan ai. “Gjatë Luftës së Ftohtë, Radio “Evropa e Lirë”, e cila gjatë viteve u bë një institucion mediatik kritik, luajti një rol të rëndësishëm, (për vendet ish-komuniste) duke mbajtur gjallë shpresën për liri. Arabët kanë nevojë për diçka të njëjtë”, ka sugjeruar Khashoggi në artikullin e fundit të botuar në gazetën amerikane. Bota arabe kishte shpresë të madhe për liri gjatë të ashtuquajturës “Pranverë arabe” të vitit 2011, ndërkohë që, sipas tij, gazetarët, akademikët dhe popullsia arabe në përgjithësi, shpresonin për një të ardhme më të ndritur dhe për një shoqëri arabe të lirë në vendet e tyre, respektive. “Ata prisnin të emancipoheshin nga hegjemonia e qeverive të tyre dhe nga ndërhyrjet e pandërprera dhe nga censura e ashpër mbi shpërndarjen e lirë të informacionit. Këto pritshmëri e shpresa u shuan shpejt, ndërkohë që këto vende ose iu kthyen statu-kuosë së mëparshme ose u përballen me kushte dhe më të ashpra se përpara”, theksohet në artikullin e fundit të Khashoggit, në gazetën “Washington Post”. “Ishte një kohë”, shkruan ai, “kur gazetarët mendonin se Interneti do ta çlironte njëherë e mirë përhapjen e lirë të informacionit nga censura zyrtare dhe nga kontrolli mbi medien. Por këto qeveri, ekzistenca e të cilave varet nga kontrolli i fjalës së lirë dhe informacionit e kanë bllokuar në mënyrë agresive Internetin. Gjithashtu, ato kanë arrestuar gazetarët vendas dhe u kanë bërë trysni kompanive të ndryshme që të mos reklamojnë produktet e tyre në gazetat specifike, duke i dëmtuar ato edhe ekonomikisht”. Në shkrimin e tij për gazetën “Washington Post”, gazetari saudit Jamal Khashoggi, shprehet se me gjithë gjendjen kritike të lirisë së medies në pjesën më të madhe të botës arabe, aty-këtu, ekziston ndonjë vend ku ende mishërohet fryma e “Pranverës Arabe”. Ai ka përmendur Katarin si një vend i cili vazhdon të mbështetë mbulimin e lajmeve ndërkombëtare, në krahasim me përpjekjet e fqinjëve të tij, për të kontrolluar përhapjen e lirë të informacionit, në mbështetje të “rendit të vjetër arab”. “Bota arabe”, sipas Jamal Khashoggit, ka nevojë për një media trans-nacionale ashtu që qytetarët të kenë mundësi të informohen rreth ngjarjeve botërore. Për më tepër”, ka shkruar ai, “Kemi nevojë për një platformë për t’u përdorur nga zërat e ndryshëm arabë”. Duke iu referuar botës arabe, ai përfundon duke thënë se, “Ne vuajmë nga varfëria, keq-menaxhimi dhe arsimi i dobët. Nëpërmjet një forumi të pavarur ndërkombëtar, larg influencës së qeverive nacionaliste (arabe) që përhapin urrejtje nëpërmjet propagandës – qytetarët e thjeshtë të botës arabe do të kishin mundësi të merreshin me zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen shoqëritë, në të cilat ata jetojnë”, ka përfunduar ai artikullin e fundit të jetës së tij për gazetën “Washington Post”.

Dikush mund të pyesë se ç’na duhet ne shqiptarëve të dimë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe e kudo tjetër. Për më tepër pse të informohemi për vrasjen e një gazetari arab, të cilin as nuk e njohim dhe shkrimet e të cilit nuk i kemi lexuar. Në mendimin tim, ka rëndësi që lexuesit shqiptarë të informohen për ngjarje të tilla, sepse mënyra – dhe ky nuk është i vetmi rast – siç duket aq brutale e vrasjes së një gazetari, vetëm e vetëm se në shkrimet e tija mbështet Fjalën e Lirë për veten dhe për bashkatdhetarët e tij – duhet të jetë një shqetësim serioz për të gjithë ne kudo, në Shqipëri, në Kosovë në Evropë, por edhe në Amerikë. Përpjekje të tilla për kufizimin e fjalës së lirë me ligj, duhet të konsiderohet si një kërcënim edhe për liritë e tjera bazë të njeriut. Vrasja brutale e gazetarit saudit, Jamal Khashogg-it duhet të jetë një paralajmërim ogurzi — për ata udhëheqës kudoqofshin, të cilët flirtojnë me ide për “paketa ligjore anti-shpifje”, si një mjet për të kufizuar lirinë e medies — se ku mund të çojnë masa të tilla kundër lirisë së të shprehurit dhe rreziqet që mund t’i kanosen një shoqërie që pranon propozime të tilla me duar kryq, të imponuara nga lartë. Vaj medet për atë shoqëri! Fatkeqësisht, një zë i fuqishëm arab në mbrojtje të lirisë së fjalës, siç ishte ai i Jamal Khashoggi-t, nuk është më! Zëri i tij mund të jetë heshtur përgjithmonë nga armiqtë e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë, por fjalët e tij në mbrojtje të fjalës së lirë në vendet arabe në veçanti dhe në botë në përgjithësi, nuk do të shuhen kurrë!

Filed Under: Analiza Tagged With: fjala e lire, Frank shkreli, Jamal Khashoggi, Vrasja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT