Në 10 minuta Berisha nuk ju drejtua vetem sallës, por të gjithë demokratëve dhe u tregoi se ai nuk është vetëm pjesë e historisë së PD-së, por edhe e tashmja e partisë.Mes më shumë se 15 fjalimeve në ceremoni, Berisha me 10 minuta në podium i eklipsoi të gjithë; që nga themeluesit nostalgjik si Arben Imami, Eduard Selamin me kritikat e zbutura, por edhe kryetarin aktual Lulzim Basha me vizionin e tij të ri për të djathtën.
Në 10 minuta Berisha nuk ju drejtua sallës, por të gjithë demokratëve dhe u tregoi se ai nuk është vetëm pjesë e historisë së PD-së, por edhe e tashmja e partisë. Këtë la të kuptohej teksa personalizoi thënien e njohur të shkrimtarit francez Viktor Hygo: “Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë. I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë; E në mbetet veç një, – unë do të jem ai!”. E thënë ndryshe, Berisha s’ka ndërmend të largohet ndonjëherë nga politika aktive në Partinë Demokratike.
Fjalimi i djeshëm i tij ishte dhe një “platformë” për rikthimin e opozitës në pushtet. Një platformë pa stërhollime, e kuptueshme nga militantët e thjeshtë dhe që përmblidhet në dy pika: protesta dhe mosbindje civile. Berisha u shfaq dje kërcënues si kurrë më parë ndaj mazhorancës. Qëndrimi i tij binte në sy për retorikën e ashpër dhe thirrjet për protesta, duke mos përjashtuar asnjë formë të reagimit popullor. Një qëndrim që duket se do të jetë dhe mënyra sesi Partia Demokratike do të sillet tani e tutje ndaj mazhorancës.
“Sot jemi 25 herë më të fuqishëm e më të gjallë për të mbrojtur liritë tona dhe qënien tonë. Ndaj thirrja ime është të ngrihemi në lartësinë e guximit. Ky vrasës i shpresës duhet të marrë atë që meriton, fundin. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike. Të qërojmë sa më parë këtë klikë që po shkakton largimin e shqiptarëve”,- tha Berisha. Këto ishin frazat më të përdorura nga ish-kryetari i PD duke u bërë thirrje demokratëve që të reagojnë. Shprehja “të përdorim çdo mjet demokratik” në gojën e Berishës merr një tjetër kuptim sesa kur thuhet nga politikanë të tjerë. Jo rastësisht edhe vetë ish-kryeministri u mendua pak para se të shqiptonte fjalën “demokratike”. Ajo që kish me mendje duket se ishte vetëm shprehja me “çdo mjet” dhe kur thotë këtë i ka parasysh të gjitha, që nga protestat si ajo e 8 dhjetorit, e deri tek ato të shtatorit të vitit 1998. I shtrëngoi fort nofullat kur e mendua ta shtonte fjalën “demokratik” pas togfjalëshit “ ta rrëzojmë Ramën me çdo mjet…”. Kishte në mëndje vetëm fjalët “ me “me çdo mjet”.
Në linjën e Berishës duket se u detyrua të ishte dhe Basha në fjalimin përmbyllës së ceremonisë kur foli sërish për zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike. Ditët e një opozite që mundohej të ishte konstruktive e bashkëpunuese duket se kanë marrë fund në PD. Në kohën e mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme, apo dhe të parakohshme siç thonë drejtuesit e selisë blu, ajo që do të dëgjohet nga kjo parti do jenë protestat dhe tubimit. Berisha caktoi dje vijën e sjelljes së PD-së dhe me mbështetjen që mori në sallë pak vend ka për zërat e moderuar në parti.
Problemi është se në përvjetorin e themelimit, partia e parë opozitare në vend nuk u largua shumë nga modeli i 25-viteve më parë. I njëjti person, Sali Berisha, dje thirri për mitingje, mosbindje civile, protesta dhe “qërim” nga pushteti, njëlloj si në ato vite kur përballë kishte Partinë e Punës dhe njerëzit e diktaturës. Ndërkohë sot vendi drejtohet nga një parti që ka ardhur në pushtet me zgjedhje të lira dhe sado mëkate të ketë qeverisja aktuale nuk mund të krahasohet me Partinë e Punës.
Duken muaj të vështira këto që po vijnë për Edi Ramën. Një shpresë ka kryeministri socialist; të rikrijojë marrëdhënie korrekte me Ilir Metën. Ndryshe… nuk ka më qeveri. Ka zgjedhje të reja.