NGA LINDITA KOMANI/*
Duhet thënë. Një komb shqiptar që mendohet se po bëhet duke numëruar se cili futbollist po vjen nga Kosova apo diaspora shqiptare, andej ku ajo ndodhet e pandarë nga kufij, që t’i bashkohet kombëtares kuqezi, në fakt nuk është duke u bërë. Kombi nuk bëhet me futboll, as duke luajtur futboll e as duke bërë tifozllëk futbollistik. Mania kuqezi sado sinqerisht e natyrshëm të dalë nga shpirti e sado mirë të orkestrohet e inskenohet në mënyrë të organizuar, mbaron me mbarimin e ndeshjes së radhës dhe me 3 ditët e famshme që sikurse e parashtron edhe mençuria e popullit, mjaftojnë për të harruar çdo gjë. Kombi mbetet zvarrë në mes këtyre ditëve ndeshjesh që janë aq të rralla sa të rralla janë eliminatoret për kampionatin europian apo botëror.
Jetojmë fatmirësisht në sistemin e njeriut të lirë i cili me aftësitë që zotëron, ka të drejtën të lëvizë kudo që mendon se vlerësohet dhe trajtohet me dinjitet. Futbollisti ashtu si edhe shkencëtari, artisti, profesionisti në fusha të tjera dhe njeriu i thjeshtë që kërkon një të ardhme më të mirë për familjen e tij, mund të lëvizë kudo. Për sakrificat që ai bën, nuk do t’ia dijë njeri, ato i njihen dhe i përfliten vetëm kur bëhet figurë aq lart në rendin e publikes shqiptare sa të ketë vëmendjen e të gjithëve. Por, nëse për artistët e shkencëtarët madje edhe emigrantët që punojnë punë më pak të dukshme, nuk thotë gjë njeri se pse zgjedhin të punojnë në një vend të caktuar, për futbollistët duket sikur kalohet në ndërkryerje për t’i bërë të ndihen keq se pse kanë zgjedhur një skuadër tjetër e jo atë kuqezi. Forma madhore të panjohura më parë duket se po merr ky lloj sulmi me rastin e kalimit të një pjese të futbollistëve shqiptare me origjinë nga Kosova, në skuadrën e futbollit të këtij shteti.
Në vend që tani të ishim duke folur për çështje të kombformimit, si: rrugë, ekonomi, kulturë, kufij, politikë, zhvillim të përbashkët me Kosovën, dhe këto t’i shihnim si tema të përditshme në rubrikat e lajmeve, në mediat e shkruara dhe ato televizive, lexojmë e bëhemi pjesë emocionalisht e sulmeve të rënda që po bëhen mbi futbollistët. Eshtë për t’u zhgënjyer rëndë që burim për këto sulme bëhen analistë, të cilët pikërisht edhe për shkak të pozicionit të privilegjuar që kanë në shoqëri, në vend që me tema të qenësishme t’i paraprinin debatit të kombformimit që nuk ka ndodhur e nuk po ndodh, merren me futbollistët dhe i hedhin benzinë zjarrit fashisto-komunistoid që është ndezur për të stisur një imazh kombëtarizmi i cili synon të mbulojë e kompensojë defiçite të tmerrshme në çdo fushë të shtetit tonë, e pse jo të gjenerojë të ardhura të pamata për grupin që e manaxhon futbollin këtu.
Futbolli shqiptar nuk do të kishte ndarje, nëse drejtuesit e tij të zgjedhur këtu në Shqipëri do të ishin aq vizionarë sa të hapnin dyert dhe të mirëprisnin drejtuesit e futbollit shqiptar edhe përtej kufijve shtetërorë; të punonin të gjithë në mënyrë të koordinuar tyre e pa parë kufij, për të krijuar një federatë mbarëshqiptare e cila mban si krerë të saj përfaqësues nga të gjithë territoret shqiptare, e cila punon për të zgjedhur talentet më të mirë e për t’i ndihmuar të bëhen për vete e shembull frymëzues për të tjerë. Edhe nëse është zhvilluar ndonjë debat televiziv për temën e kombëtares së futbollit e ndonjë analist jo detyrimisht futbolli është shprehur mbi temën e organizimit të përbashkët mbarëkombëtar të futbollit, reagimet nga analistë të tjerë kanë qenë ose rrëzuese ose zhurmuese. Moderatorët mund të mos kenë insistuar më tej, ashtu sikurse publiku do të kishte dëshiruar që të ndodhte e gjithçka ka mbetur si një temë e parrahur mirë deri në fund.
Kush duhet të jetë nismëtar për federatën mbarëkombëtare? Tifozat Kuqezi kanë vite që janë vetorganizuar në mënyrë shembullore, pa kërkuar e harxhuar fonde shtetërore, por thjesht duke investuar kohën, vullnetin, paratë e tyre. Pa bujë e se ua ka dashur zemra e mendja, ata kanë krijuar e rritur atë që pa frikë mund ta quash Federata Mbarëkombëtare e Tifozëve. A mos ka ardhur koha që tifozat kuqezi të bëjnë përpara e të kërkojnë me vullnet të plotë të organizojnë një federatë mbarëkombëtare e cila të ngrinte në tjetër nivel diskutimin e paçuar deri në fund? Nuk është për t’u habitur që nëse ata merrnin përsipër ta nisnin e drejtonin, ata jo vetëm të arrinin ta organizonin në mënyrë perfekte, por të mundësonin një frymë tërësisht të re dhe të nevojshme për krejt sportin shqiptar.
Nëse dalim jashtë futbollit, duke parë arritjet e olimpistëve nga Kosova dhe problemet e lidhur me ekipin e olimpistëve nga Shqipëria, me shaka ose jo është për t’u propozuar që gjithë sportistët shqiptarë, të garojnë nën organizmat respektivë sportivë të Kosovës. Duke pasur konkurrencë direkte nga shqiptarë që e kanë me zemër mirorganizimin dhe zhvillimin e sportit si dhe trajtimin me dinjitet të sportistëve dhe sakrificës së madhe të bërë prej tyre e familjeve të tyre, ndoshta drejtuesit e organizmave sportive këtu në Shqipëri do të ndëgjegjësoheshin që nuk kanë monopol mbi shpirtin sportiv shqiptar dhe si ata ashtu edhe qeveria shqiptare që buxhetin e sportit duket se po e harxhon vetëm për futbollin, do të detyroheshin të bënin një ndryshim rrënjësor në përqasjen e tyre ndaj sportit dhe riformulimin e politikave shtetërore në këtë drejtim.
Ndërkohë duke kapërcyer kufijt e temave sportive: kush duhet të kujdeset për debatet që shkojnë në linjë me temën e kombformimit? Në nivel individësh e grupesh që përgjithësisht nuk bien në sy, sepse nuk janë nën dritën e mediave, ka mjaft përpjekje për t’u afruar e bërë realisht një. E kjo ndodh në çdo fushë të jetës. Njerëzit e thjeshtë në këtë aspekt janë shumë më përpara se drejtuesit e zgjedhur apo të pazgjedhur të tyre, shumë më përpara se analistët të cilët çdo ditë kanë platformën e duhur për të bërë çdo gjë e që nuk e bëjnë. Por përpjekjet e tyre nuk mediatizohen mjaftueshëm ose edhe nëse kjo ndodh, ndodh atëherë kur ata që bëjnë përpjekjen kanë miqësi me gazetarët dhe gazetarët e bëjnë për hir të miqësisë mbulimin mediatik. Sigurisht që këtu janë për t’u përmendur edhe rastet kur për mbulimin mediatik kërkohen tarifa të majme reklame. Kjo është në linjë me kombformimin? Në këtë këndvështrim, një propozim konkret për mediat e gazetarët si burimi njerëzor që i mban ato në këmbë do të ishte: përse nuk bëni edhe ju një akt konkret në axhendën e mundshme të kombformimit, si për shembull të krijoni një organizatë të përbashkët përtej kufijve për të mbrojtur veten tuaj dhe gazetarinë shqiptare nga pushtetet autoritare që na drejtojnë? Për të mbrojtur e edukuar brezat e rinj mbi cilësinë e të shkruarit e përdorimin e gjuhës shqipe në shkrime e diskutime mediatike që aktualisht e dini edhe ju vetë mirë se në ç’nivel është? Kështu do të jepnit edhe ju shembull konkret ndërtues organizmash mbarëkombëtare që mund të jetë në linjë me një axhendë kombformimi shqiptar. E meqë këto ditë po flitet për një takim në Nish të kryeministrit të Shqipërisë me homologun serb, të ushtrohet trysni me opinionet tuaja që në këtë takim kryeministri të mos guxojë të bëjë marrëveshje në emër të Kosovës apo që ndikojnë direkt e indirekt mbarëvajtjen e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, kur ai është nuk është i zgjedhur prej shtetasve të saj.
Po në këtë këndvështrim, edhe një propozim konkret për opinionistët më të rinj, të gjithë që si adoleshentë apo edhe më të rinj se kaq kemi përjetuar afrimin me Kosovën që nga koha e luftës pas mesit të viteve ’90 e deri më sot: Shfrenojeni fantazinë, të dashur bashkëmoshatarë. Ju jeni të përgatitur më së miri dhe jeni rritur më shumë me frymën e të përbashkëtës mbikufitare sesa brezi paraardhës që njeh ndasinë, kufijtë dhe mungesën e informacionit e për këtë arsye edhe krijimin e stereotipeve të gabuar në mendje. Shkruani më shumë në platforma elektronike, jepini peshë mendimeve tuaja të formuara me frymë perëndimore, dhe shtroni ato tema të kombformimit që të rriturit një Zot e di pse nuk guxojnë t’i shtrojnë e trajtojnë në mënyrë të plotë e pa komplekse.
Gusht 2016
- Redaksia e Diellit e falenderon autoren Lindita Komani qe e ndau kete shkrim me lexuesit e Diellit