Me mijëra qytetarë kanë dalë sonte në sheshin “Nënë Tereza”, Tiranë për të dëgjuar nga afër zërin e mrekullueshëm të këngëtares britanike me famë botërore Jessie J. Sapo ajo u ngjit në skenë, audienca u elektrizua në maksimum.
Gjatë gjithë kohës qytetarët së bashku Jessie J këndonin me zë të lartë hitet e saj, pa u shqetësuar nga reshjet e shiut. Britanikja ka ardhur sot në Shqipëri me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Avioni më të cilën ka udhëtuar, është ulur në aeroportin e Rinasit rreth orës 15:30 dhe para se të vinte në Shqipëri mbajti koncerte në Gjermani dhe Austri.
Fansat shqiptarë qëndruan në shesh deri në fund të performimit të këngëtares. Ata janë duke festuar “ Natën e Bardhë”, e cila tashmë është kthyer në një traditë për Tiranën. Më parë në skenë doli këngëtarja Elhaida Dani, fituese e “Voice of Italy” dhe zëri i njohur shqiptar Alban Skënderaj.