Jo më patriotizëm partiak, klasor… por patriotizëm gjithëpërfshirës, ku secili në punën e vet të kryejë mirë detyrat e tij… / (Në mbështetje të kritikës së Philip Reeker)/
Shkruan: Zyba Hysen Hysa/
Njeriu duhet të kthejë kokën pas që të shikojë me vëmendje rrugët nëpër të cilat ka kaluar për të arritur qëllimet e tij në jetë, pra për të bërë grafinë kohore, të shikojë njollat e errëta që nuk e kanë favorizuar për të pasur një të tashme të dëshiruar. Kjo nuk duhet bërë që ta zërë paniku për mosarritjet, apo që të mbetet skllav i rrugëve që ka ndjekur, por që i kanë kushtuar shumë humbje kohe pa ndonjë dobi konkrete, përkundrazi, me intuitën e tij të dallojë rrugët e reja që i dikton koha me më pak mund e sakrificë, për të arritur dëshirat e tij jetësore, në radhë të pare e më pas të një mirëqenie më të mirë. Kjo gjë vlen edhe për popujt, shtetet… se nuk ka se si të kuptohet dhe të arrihet përparimi i një vendi, një populli, gjithë shoqërisë njerëzore pa u vet – parë në pasqyrë, ashtu siç shohim veten çdo ditë… “Shihu… në pasqyrë… shqiptar,/ Përqendro vështrimin me sytë e së tashmes,/ Si një piktor rregullo çdo tipar,/ T’i hapësh mirë udhën së ardhmes!” Populli shqiptar, historikisht ka luftuar për liri dhe bashkim Kombëtar, por nëse e skanojmë këtë kohë, nëse bëjmë llogaritjet mirë, ne më shumë kemi humbur se kemi fituar, se kemi humbur në njerëz, kemi humbur territore, kemi humbur atë që është më e çmuar; – kohën për të zhvilluar vetveten – duke rendur pas një ëndrre, kemi harruar të jetojmë. Ne, Shqiptarët, duhet të kuptojmë mirë, se që të realizohen ëndrrat, jo përherë bëhen me luftë, dhunë, egoizëm, apo e thënë troç “Kështu siç them unë, se kështu dua unë, se kështu na bëhet mirë ne…”, në një kohë që shumë mirë mund të përpiqesh të punosh, të arsimohesh, pra të jetosh duke realizuar ëndrrën, jo të ëndërrosh duke mos jetuar jetën. Është e vërtetë, që problemi shqiptar është fjala kyçe e Ballkanit Perëndimor, por për fat të keq, asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga politika botërore duke mos u trajtuar si faktor jo vetëm më vete, por një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, Evropë e më gjerë… Mora shkas për të bërë këtë shkrim, nga deklaratat e fuqishme të zëvendësndihmës sekretari amerikan e shtetit Philip Reeker dhe bashkohem me të në kritikën e ashpër që i bën Vetëvendosjes në Kosovë, se siç e kam theksuar edhe në shumë shkrime, por edhe në shkrimin që është botuar në gazetën “Republika” pas vizitës së tij që bëri në Shqipëri: “Philip Reeker, thirrje jo për të nxitur nacionalizmin ekstremist, por për të punuar me patriotizëm…”, ndër të tjera thuhet: “… se ai nuk na pengon të mendojmë, të duam e të përpiqemi për zhvillim dhe bashkim kombëtar, por ai tërheq vëmendjen që politika shqiptare të mos shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve për përfitime politike. Politika e jashtme amerikane është kaq e mirinformuar mbi paudhësitë e politikës sonë shqiptare, saqë e di mirë që kjo politikë, kurrë nuk e ka mbështetur një gjë të tillë. Arsye kryesore, mendoj, është se bota e di që këta lloj politikanësh nuk do kursenin edhe ndonjë luftë Ballkanike, apo luftë civile si në vitin 1997, se aq të errësuar i kanë sytë e mendjes, saqë as që do u vinte keq që popullin ta fusnin drejt një katastrofe, boll të fitojnë apo rifitojnë pushtetin…” Në librin studimor “Sharrajt në Jetën e Kombit”e kam trajtuar patriotizmin shqiptar dhe format e tij të sotme, si shumë të dëmshme e kam thënë: “Kombi ynë nuk bashkohet me klithma, as me metra katrorë flamujsh, ai bashkohet duke qenë bashkë shpirtërisht, mendërisht dhe financiarisht… çdo trumbetim, apo rrahje gjoksi, është kot, ai e dëmton Bashkimin tonë…”, kështu që në hapat e para të daljes në skenat e rrugëve të Kreshnik Spahiut e pashë këtë si një përbindësh që e gllabëron patriotizmin e vërtetë shqiptar dhe që në 31 korrik 2011 në shkrimin publikuar tek “Zemra Shqiptare” ndër të tjera thuhet: “Cili je, Kreshnik Spahiu,/ Që bën thirrje për bashkim,/ Si fallxhore që bën magjira,/ Zëëmbli yt, vjen hakërrimë! Fjala jote, vello veshur,/ Me dëshirën e të shkretit popull,/ Çfarë i mbret për të qeshur,/ Kur një ditë ka për të njohur?!” Kreshnik Spahia përdori patriotizmin, apo më mirë të them disa shoqata të ashtuquajtura patriotike për kredo politike, por më vjen keq ta them, se edhe Albin Kurti, me mënyrat arrogante që shpalos dhe me bashkëpunimin e ngushtë që ka me Kreshnik Spahiun, them se i meriton kritikat e ashpra ndaj tij, se të bashkosh kombin, nuk do të thotë të pengosh ndihmën e tjerëve, apo të luftosh me projektet botërore për integrimin drejt Bashkimit Evropian, të bashkosh Kombin, do të thotë që të ndikosh tek qeveria jote për të zhvilluar biznesin, arsimin, për të ruajtur traditën dhe kulturën e popullit tënd, pra për të zhvilluar vetveten e për të kapërcyer hendekun që na ndan nga bota e këtë hendek kurrë nuk kemi për ta kapërcyer duke pritur Bashkimin Kombëtar, por duke punuar për bashkimin shpirtëror, ekonomik, kulturor të shqiptarëve. ““Njerëzimi është atdheu i idealit”, – thotë filozofi shqiptar me përmasa botërore , Isuf Luzaj, që në vitin 1984 Presidenti amerikan Regan i dha medaljen e artë “Mësues i Amerikës”, por ai e shtjellon më tej e thotë: “Me u konvertue në instrument fraksioni, klase apo partie, do të thotë me u zvoglue”. Iku koha e përrallave komuniste, sot ja sheshi, ja mejdani, dil e drejto popullin për mirëqenie, arsim, paqe e kulturë, tjerat vijnë vetë… se do vijë një kohë që ne nuk do kemi se çfarë të bashkojmë, se duke rendur pas ëndrrave, harrojmë vetveten dhe në vend që të bashkohemi, shpërndahemi me duart tona… Jo më patriotizëm partiak, klasor… por patriotizëm gjithëpërfshirës, ku secili në punën e vet të kryejë mirë detyrat e tij. Kush është i mençur dhe vërtet patriot duhet të ulë kokën e të punojë me sinqeritet për atdheun, për kombin, për bashkimin tonë drejt Bashkimit Evropian, diplomacia e vërtetë shqiptare të kryejë detyrat e veta… ne të kryejmë punët tona. Nëse do ishte një patriotizëm me merak për popullin tonë martir, mendoj që në pikat kulmore të bisedimeve për çështjet shqiptare, duhet ta ngrejë zërin me forcë intelektuale dhe bindëse, jo duke sharë e duke dalë rrugëve për të përgjakur popullin. Shumë gjëra nuk janë në dobi të shqiptarizmit, por të parë në politikën globale, shqiptarizmi ka fituar shumë, se edhe pse një pavarësi të cunguar për Kosovën, por është fituar ajo që ne kemi mundësi të mëdha dhe shanse të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar në të gjitha fushat e jetës, ndaj kjo duhet të na shqetësojë sot më shumë se kurrë, se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar njëri – tjetrin, të detyrojmë qeveritë tona me rrugë demokratike t’i shërbejnë popullit, vendit, bashkëpunimit mes shqiptarëve, kush na i mohon këto? A nuk është arritje e jashtëzakonshme kjo? Nëse ne, nuk do vlerësojmë arritjet, kurrë nuk kemi për të ecur përpara dhe kjo arritje është falë SHBA. Mos vallë duam të vijë bota dhe të punojë për ne? Mos vallë do vijë bota të na drejtojë shtetin? Ka qeveri në botë që t’i thotë qeverive tona që pse zhvillon biznesi, kulturën, arsimin…? Pse atëherë kërkojmë të ngjitemi për degëzash, kur mund të ngjitemi nga trungu me pak vështirësi, por me dinjitet. Në gjithë vorbullën e zhvillimeve dhe dështimeve të politikës ndërkombëtare (se dihet jo përherë ka suksese), ne shqiptarët duhet të shkojmë drejt të prezantuarit si faktor në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me fatet e popullit tonë, por as që e kemi arritur këtë, kjo shumë për faj të politikës së vjetër të Evropës, ky Amerika është e detyruar të mbështesë strategjinë e saj dhe për dështimet e kësaj politike është përgjegjëse vetë Evropa, se me ne shqiptarët po bën të njëjtin gabim që bëri në 1913. Pra, gjithë arsenali diplomatik shqiptar (kurrë nuk i ka munguar vendit tonë) të merret me kontaktet e vazhdueshme për një këshillim, apo konsultim me këto shtete për të ri parë mundësinë e riparimit të çështjes shqiptare, se pa u mbledhur rreth vetes një komb, s’ka se si mblidhet rreth kombeve tjera… Marrëveshjen Kosovë – Serbi e kam quajtur në një shkrim “Marrëveshja Kosovë – Serbi, një ëndërr e bukur që realitetin do e shohim pasi të zgjohemi…” dhe ky zgjim ka të bëjë me ndihmën që do të kemi nga SHBA se sa e si do të vihet në jetë, se eksperienca jonë me Serbinë ka qen përherë e hidhur, se përpos mangësive të saj, ajo rrezikon të mos zbatohet dhe po nuk u zbatua, bota të mos presë ta na futet thika edhe një herë e të derdhet gjak, por të tregojë veten që është modernizuar. Qëndrimi ndaj shqiptarëve, tregon civilizimin e politikës Evropiane e më gjerë, se të mbrosh një popull që historikisht ka qenë me pushtues dhe që ia kanë ndarë trupin në 6 copa, tregon demokraci të vërtetë e të sinqertë, në rast të kundërt, politika vetëm ndërron kostumet dhe trupi i saj është po ai para 100 viteve. Ne jemi populli më demokrat në rajon, se kurrë nuk kemi qen pushtues, por nuk kemi duruar pushtimin përderisa jemi në trojet tona, në vatrat tona, në shtëpinë tonë, ndaj kush mbron interesat tona, ka dhënë provimin e demokracisë shkëlqyeshëm. Unë e kuptoj, që edhe vetë Amerika ka merak për vazhdimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, ndaj kërkon vëmendje dhe duket ta mbështesim, por në emisionin “Zëri i Amerikë” te cilin e dëgjoj çdo mëngjes nga ora 07 – 7.30 tel “Radio Tirana), kur e pyetën një analist në Amerikë (më falni që nuk e mbaj mend emrin) tha se nuk është e përsosur për shqiptarët, por më e mira e mundshme, por ajo që nuk më shqetëson është se Serbia është e pabesë… Në një shkrim, që kam botuar tek gazeta “Dielli” në Amerikë, datë 1 shtator 1912, me titull “Një apel nga Vlora e flamurit për shqiptarët e Amerikës” thuhet: “Ka ardhur koha të lutemi SHBA, ka ardhur koha t’i puthim dorën atyre që na copëtuan, ashtu siç bëri babai i Hektorit me Akilin, kur i vrau të birin, ka ardhur koha të shuajmë mosmarrëveshjet mes njëri – tjetrit…” Kjo do ishte rruga e ndritur e shqiptarëve që e duan Bashkimin Kombëtar, jo thirrjet harbute e histerike të disa të ashtuquajtur politikanë. Kush e do Bashkimin, le të bashkojë zemrat, shpirtin, mundin, sakrificën dhe të verë në shërbim të kombit të vet inteligjencën dhe krijimtarinë e tij… kush bëhet shkaktar për derdhjen edhe një pikë gjaku shqiptar, ka bërë mëkatin më të madh, se trojet tona janë tejngopura me gjak, ato kërkojnë punë e paqe, një paqe që do vijë paqësisht…“Njerëzimi është atdheu i idealit”
“Me u konvertue në instrument fraksioni, klase apo partie, do të thotë me u zvoglue”, atë të patriotizmit njerëzor, që duhet të përfshijë gjithë horizontin tonë kulturor.