Beau Biden Kishte Shërbyer edhe në Kosovë/
Nga Frank Shkreli/
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Të Shtunën me 30 Maj, vendi ynë humbi një zyrtar publik të përkushtuar- një luftëtar për drejtësi në frontet e luftës si dhe në gjykatat e drejtësisë këtu në Shtetet e Bashkuara.Një bir, baba dhe bashkshort — për Beau Biden, familja e tij zinte vendin e parë. Jeta e tij ishte një jetë që ne të gjithë dëshirojmë të kemi. Të gjithë ata që e njihnin atë janë frymëzuar nga shembulli dhe nga pasioni i tij për tu shërbyer të tjerve çdo ditë të jetës së tij”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Fjala është për vdekjen e parakohshme, në moshën 46 vjeçare, të djalit të madh të Zëvendës Presidentit amerikan Joe Biden, i cili ndërroi jetë pas një beteje prej disa vjetësh me kancerin në tru. Beau Biden kishte diktuar probleme që në 2010, por ishte mjekuar me kimoterapi si dhe kishte bërë operacion për të hequr një tumor. Muajt e fundit ai po mjekohej në Qendrën Mjekësore Ushtarake, Walter Reed pranë Uashingtonit. Beau Biden kishte shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm për shtetin Delaware nga vjen familja Biden dhe në vitin 2001 kishte punuar për një kohë edhe si jurist në Kosovë për të trajnuar gjykatësit dhe prokurorët në Kosovën e pas luftës, shërbim të cilit iu referua edhe Zëvendës Presidenti Biden në njoftimin që ai bëri mbi vdekjen e djalit të tij të dashur.
Duke njoftuar vdekjen e djalit të tij, Nënpresidenti Biden tha se “Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta e të njeriut tonë të dashur Beau, pas një beteje me kancerin në tru, betejë të cilën ai e zhvilloi me të njëjtin dinjitet dhe forcë që ka treguar çdo ditë gjatë jetës së tij. Pikëllimi i mbarë familjes Biden nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ne e dimë se fryma e tij do të jetojë midis nesh — veçanërisht nepërmjet bashkshortes së saj Hallie, dhe dy vajzave të tyre të mrekullueshme, Natalie dhe Hunter. Jeta e Beau-t dallohej nga shërbimi ndaj të tjerëve.Si jurist i ri ai punoi për të vendosur rendin dhe ligjin në Kosovën e prekur rëndë nga lufta. Si major në Gardën Kombëtare të shtetit Delaware ai ka shërbyer në Iraq ku është dekorua me medaljen “Bronze Star”.Si Prokuror i Përgjithshëm i shtetit Delaware, ai luftoi dhe mbrojti të pafuqishmit dhe i kishte caktuar vetes si mision të tij, për të mbrojtur të miturit nga abuzimet.Më shumë se arritjet e tija në fushën profesionale, Beau dallohej si bashkshort, baba, dhe si bir dhe vëlla i përkushtuar ndaj familjes.një veçori kjo të cilën ai e kishte mësuar nga babai i tij, Joe Biden. Ndërshmëria e tij absolute e bënte atë shembull për të gjithë familjen tonë”, thotë ndër të tjera Nën-presidenti Joe Biden në njoftimin mbi vdekjen e djalit të tij Beau dhe përfundon se, “Thjeshtë, Beau Biden ishte njeriu më i mirë që kemi njohur ndonjëherë”.
Dashuria për familjen ështënjë veçori kjo që ai e kishte mësuar nga babai i tij, Joe Biden, i cili kur ishte senator udhëtone çdo ditë katër orë me tren nga Washingtoni në Delaware, vetëm për të qenë çdo mbrëmje me familjen e tij. Përkushtimi, flijimi dhe dashuria e Joe Biden ndaj familjes së tij konsiderohej si legjendare, për mundin që ai ndërmirrte çdo ditë për të shkuar në punë në Senatin amerikan nga shteti Delaware, të cilin ai e përfaqësonte në Kongres.Në lidhje me këtë Z. Biden është shprehur se, “E vërteta është se, arsyeja që kam shkuar në shtëpi çdo natë megjithë largësinë midis Washingtonit dhe Delaware ishte se unë kisha më shumë nevojë për fëmijtë e mi se ata për mua.”
Presidenti Barak Obama, në reagimin e tij mbi vdekjen e Beau Biden, u shpreh se bashkshortja “Michelle dhe unë jemi të pikëlluar sonte. Beau Biden ishte mik i yni.Familja e tij — Hallie, Natalie dhe Hunter — janë miqët tanë.Joe dhe Jill Biden janë ndër miqët tanë më të dashur…Joe është njëri prej njerëzve më të fortë që ne njohim.Ai është ndër më të fortit dhe për të asgjë nuk ka më shumë rëndësi se sa familja.” Presidenti Obama, në deklaratën e tij me këtë rast të hidhur, vlerësoi kontributin e dhënë nga Beau Biden për të ndihmuar dhe për të përmirësuar jetët e të tjerëve, duke thënë në deklaratën e tij se, “Ashtu si edhe babai i tij, Beau ishte njeri tepër i mirë, me një zemër të madhe, një katolik i devotshëm, besnik deri në fund — i cili gjatë jetës së tij kishte ndihmuar në përmirsim të jetës të të gjithë atyre me të cilët kishte ardhur në kontakt — dhe në zemërat e të cilëve ai vazhdon të jetojë”, tha Presidenti Barak Obama në deklaratën e tij mbi vdekjen e djalit të dashur të Zëvëndës Presidentit të tij, Joe Biden duke përfunduar se, “I lutemi të Madhit Zot që të kujdeset për Beau Biden në atë jetë dhe që Ai njëkohësisht të mbështesë dhe të ngushëllojë familjen e tij këtu në tokë”.
Kjo tragjedi bëri që të pakën përkohësisht të pezullohen konfliktet dhe debatet politike në Washington, ndërkohë që politikanët e të gjitha ngjyrave kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes Biden.Kishte shumë reagime dhe shprehje ngushëllimesh për vdekjen e djalit të familjes Biden nga përfaqsues të lartë politikë të dy partive kryesore të Amerikës, përfshirë edhe Kryetarin e shumicës republikane në Senatin Amerikan, Senatorin Mitch McConnell, i cili tha se, “Beau Biden njihej si një zyrtar publik i dedikuar, baba i dashur i dy vajzave dhe bashkshort i devotçëm…Unë e kam njohur Zëvëndës Presidentin Biden për shumë vjetë dhe nuk mund të merret me mend që në jetën e tij të ketë diçka më të rëndësishme se feja dhe amilja e tij. Shpresoj dhe lutem që ai të gjëjë ngushëllim dhe paqë në fenë e tij, ndërkohë që përballet me këtë humbje të tmershme”, thotë krye republikani në Senatin amerikan në ngushëllimin e tij me këtë rast.
Fatkeqsisht, vdekja e parakohshme e Beau Biden nuk është tragjedia e parë në familjen e Zëvëndës Presidentit Jo Biden.Vet Beau Biden, i cili ndërroi jetë të shtunën, ishte plagosur rëndë me vëllain e tij më të vogël në një aksident automobilistik në vitin 1972, ku patën mbetur të vdekur nëna e tyre dhe një motër e mitur.
Edhe shqiptarët e duhet të ndajnë këtë dhimbje të thellë me familjen Biden. Sepse, Joe Biden gjatë periudhës që ka shërbyer si senator dhe tani si Zëvëndës President është dalluar — ndër zyrtarët më të lartë amerikanë — si njëri prej mbështetësve më të fortë të shqiptarëve të Kosovës, të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ndërsa djali i tij që vdiq kishte dhënë edhe ai ndihmën e tij për forcimin e ligjit dhe të rendit në Kosovë menjeherë pas luftës.Gjatë një vizite në Prishtinë në maj të vitit 2009, Zëvëndës Presidenti Biden ka deklaruar para Kuvendit të Kosovës se, “Pavarësia e Kosovës është a pakëthyeshme dhei vetmi opcion për paqën dhe stabilitetin në rajon. Ai i siguroi parlamentarët e Kosovës me atë rast se, “Suksesi i një Kosove të pavarur është një prioritet i administratës sonë”, ka thënë ndër të tjera Joe Biden gjatë vizitës së tij në Kosovë më 2009.
Reagimet dhe ngushëllimet për vdekjen e djalit të Zëvëndës Presidentit Joe Biden qënë të shpejta nga udhëheqsit e Kosovës.Kryeministri Isa Mustafa në një postim në fejsbuk shpreh dhëmbjen e tij të thellë për lajmin e vdekjes së djalit tëZëvëndës Presidentit amerikan. Kryeministri iKosovës kujton një bisedë që ai ka patur me Zëvendës Presidentin Biden gjatë Konferencës për Siguri në Munich, ku siç shkruan Mustafa, Zyrtari i lartë amerikan,“Me krenari më foli për shërbimin e djalit të tij në Kosovë. E ndjeva një lidhje të fortë prindërore por edhe një mburrje, të një burrështetasi të madh se biri i tij i shërben paqës e sigurisë në Kosovë”, u shpreh kreu i qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa,ndërkohë që si Kryeministër i Kosovës, përfundoi ai, “Ishpreh ngushëllimet e thella familjes Biden për humbjen e birit të tyre, por edhe falënderimin dhe kujtimin e paharruar për ushtarin e paqës e të humanizmit”.
Ndërsa Zëvëndës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka postuar ngushëllimet dërguar familjes Biden për humbjen e djalit të tyre duke u shprehur se, “Dhimbjen për humbjen e një miku e bën më të lehtë kujtimi për ‘të dhe krenaria që e kemi pasur mik në ditët kur kemi pasur më së shumti nevojë për miq dhe përkrahje. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Biden për humbjen e të birit, Beau”, shkruan Hashim Thaçi në faqen e tij në fejsbuk.
Beau Biden ka lënë pas bashkshorten dhe dy vajza. Pushoftë në paqë dhe familjen Biden Zoti e forcoftë në këto ditë të vështira!