– Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA/
-Në skenën e historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjë ngjarje nuk ka patur atë rëndësi aq të madhe sa Deklarata e Shpalljes se Pavarësisë.
Në 7 qershor 1776 Riçard Henri Li nga Virxhinia i ofroi Kongresit të dytë kontinental mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se “kolonitë e bashkuara, janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike.”
Nga Albana Melyshi Lifschin*/
Por përderisa ende shumë delegatë nuk ishin gati për një hap kaq drastik siç ishtë ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe tre jave të tjera duke u dhënë kohë të mendoheshin. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës se Indipendences, midis të cilëve Tomas Xhefersonin,( me i riu nga ta) e bashkë me të Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston. Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA. Kur shkroi Deklaratën e Pavarësisë, delegati i Virxhinias, Xhefersoni, ishte vetëm 32 vjeç. Ai donte që deklarata të shkruhej nga avokati Xhon Adams, por Xhon Adamsi insistoi që deklarata të shkruhej nga Xhefersoni dhe madje i dha Xhefersonit këto arsye: “E para, se ti je nga Virxhinia, (Xhorxh Washingtoni, Xhejms Madison e Patrik Henri ishin gjithashtu nga Virxhinia ) Arsyeja e dytë: Ti je më pëlqyshëm se unë. Arsyeja e tretë: Ti shkruan 10 herë më mirë së unë. Deklarata e Pavarsisë e shkruar prej Xhefersonit është dokumenti historik që shkëputi Amerikën nga Britania e madhe, ishte akti içlirimit të saj dhe hedhja e themeleve të një shteti të ri. Në deklaratë, Tomas Xhefersoni pasi bënte analizën e pakënaqësisë së kolonive ndaj Britanisë së madhe rendiste arsyet që justifikonin shkëputjen e kolonive amerikane prej saj. Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej se “qeveria egziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon në drejtimin e popullit e humbet autoritetin e saj; atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që i përgjigjet aspiratave të tij” Idea themelore “Të gjithë njerëzit janë të barabartë” ishte një ide revolucionare në atë kohë kur bota perëndimore jetonte në sundimin e familjeve mbretërore që gëzonin pasuri e privilegje që i veçonin shumë nga njerëzit e tjerë, të zakonshëm. Kjo ide ishte revolucionare edhe për vetë Amerikën, që në atë kohë një e pesta e popullsisë të saj ishin skllevër*. Aprovimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk u bë në mënyrë të menjëherëshme, pa debate. Ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë për t’u hedhur. Në mëngjesin e 1 Korrikut rezolucioni i Riçard Henri Li u lexua përsëri e u hodh për aprovim. Debate të zjarrta u bënë në datën 1 dhe 2 korrik. Delegatët e Pensilvanisë dhe të Nju Jorkut nuk donin të nxitoheshin në marrjen e vendimit. Të tjerë mendonin se ishte koha që duhej vendosur pasi kolonitë aktualisht po luftonin. Në mbyllje të datës 2 korrik, përfaqësuesit e 12 kolonive u shprehën në favor të rezolutës së Riçard Henrit për shkëputje të kolonive nga Anglia. Atëherë deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë nga ai dhe u analizua me kujdes pjesë pjesë. Me pak ndryshime të vogla deklarata u aprovua ashtu siç e kishte shkruar ai. Deklarata shpallte se ” të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe nga Krijuesi u janë dhënë të drejta të pamohueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.” Këto ishin të drejta themelore të cilat nuk mund tua merrte askush. Pastaj Xhefersoni vazhdoi:”Ndaj që të sigurohen këto të drejta, ngrihen qeveritë me pushtet të dhënë nga pëlqimi i të qeverisurve..” Kjo do të thoshte që qeveritë duhet të gëzojnë pëlqimin, aprovimin e popullit. Kështu pas debateve, Kongresi Kontinental, në mbrëmjen e 4 Korrikut 1776, aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë, kur përfaqsuesve të tij u erdhën udhëzimet. Erdhi momenti i firmosjes. Firmosja kërkonte kurajo. Përfaqësuesit ishin të ndërgjegjshëm se me firmosjen e këtij akti, nëse Anglia do ta shtypte lëvizjen, ata kishin firmosur vdekjen e tyre. I pari që hodhi firmen ishte Xhon Henkoku (John Hancock) përfaqsuesi i Masaçusets. Ishte një firmë e madhe. “Në këtë mënyrë, mbreti s’do këtë nevojë të vërë syzet për ta parë” u shpreh ai pasi la penën. Me firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga përfaqësuesit e kolonive, më 4 korrik 1776, një shtet i ri, i pavarur u lind. Të trembëdhjetë kolonitë angleze krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesit e popullit, sipas fjalëve të Tomas Xhefersonit betoheshin se do ta mbronin pavarësinë me jetën e nderin e tyre. Kopjet e Deklaratës së Pavarësisë u nisën menjëherë për tu shpërndarë në të 13 kolonitë. Në datën 9 Korrik Deklarata e Pavarësisë mbërriti në Nju Jork. Ajo iu lexua trupave të gjeneral Uashingtonit dhe ushtarët duke thirrur “Urra” hodhën kapelet në erë. Atë natë statuja e mbretit Xhorxh III, në Bowling Green, në Menhet’n u rrëzua nga piedestali. Kuriozitet: Në 4 korrik 1776, kur Këmbana e Filadelfias shënonte firmosjen e Deklaratës se Pavarësisë së 13 kolonive amerikane nga perandoria britanike, për ironi të fatit mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij: “4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi”… . *Albana Melyshi Lifschin nga libri “Udhëtim në Historinë e Amerikës” botuar ne 2003, ribotuar ne 2006 dhe 2010.