Nga Ilir Levonja/Sapo hyra në një ushqimore, vura re një kënd të improvizuar mbi vaksinimin. Aty shpërndahej një formular për t’u plotësuar dhe më pas të caktohej data. Kuptohet sipas grup moshave. Me që e kam afër dhe Bashkinë e qytetit shqyva sytë se mos po shihja kryetarin. Mos po shihja lali Erin tim me atë buzëqeshjen shabllone duke më thënë mirë se erdhe. Dhe kuptohet, duke sharë e bullizuar kryetarin e opozitës. Do ishte një emcion i veçantë për faktin se kam mbi 15 vjet këtu, si nuk njoha një kryetar? Qoftë ky i majtë apo i djathtë. Por qe vetëm një vajzë me uniformë që i përkiste personelit të farmacisë. Madje nuk pashë as banderola më mbishkrimin Amerika, a Florida buzëqesh. Nuk pashë as ndonjë ish personalitet ku kryeministri t’i afrohej e t’i thoshte, ku je o gjigand? Dhe me që ra fjala tek personalitetet, mos u përfshini në bullizmën e Edi Ramës. Ai po t’i donte artistët (personalitet) nuk ua shëmbte në kokë Teatrin Kombëtar. Një Teatër Kombëtar është Historia kombëtare. Kush i vë zjarrin Historisë është një covid më vete për vendin. Si nuk pashë një shtetar. Një si Edi Rama, lideri botëror që po na mahnit të gjithë. Shkon vet, nuk përton dhe pret vaksinën në aeroport. Jo pak por 8190 doza, jo kutia. E keni tek faqja e tij në fb, 8190. Nuk i shpëton asnjë kokërr konçize shifre. Sikur të ishin 8191 e gjysëm. Ai do ta postonte. Poston video avionësh mallrash që sjellin plot, dy kuti. Liderit botëror i duhen mbi dy milon e ca vaksina si dorë e parë, por ai është i lumtur edhe me dy kuti. Kur rrëzoheshin avionë në Gjadër e Divjakë, atë të drogës, nuk postonte video. Na thoshte që janë mushkonja. Kurse tani, mesnatë e ftohtë, hapen zgafellat e avionit, plot dy kuti. Lajm i madh edhe për pika mediat shqiptare. Dy kutia, na i dhuruan, mos na pyesni se kush, por janë nga Pfizer. Lideri botëror që nuk ka ngelur bankë, a fondi arab, a sulltanatit të Stambollit pa i lypur, i bënte dëm oferta e Rusisë. Madje nisi një luftë verbale karshi saj deri në shpalljen të pa dëshiruar të një atasheu. Lideri gogol i televizioneve, nuk i duheshin vaksinat e Rusisë, paçka se gjoja e do popullin e vet. Paçka se numrat kanë porropinë, janë bërë dyshifrorë, vatrat me qytetet ja dyfishuar, lideri botëror e gogol, e sheh me përçmim ofertën ruse. Biles edhe grupet emergjencës për përballimin e covid-19, skuthen brenda vetes me pretekse të kujdesshme politike se mos i mbetet qejfi shefit. Pika specialistët. Këtej nuk kanë shtretër, këtej presin gjoja Pfizer-in nga Amerika. Vajza me uniformë më solli në vete duke më pyetur nëse kisha nevojë për ndonjë shpjegim. Çfarë të t’i thosha. Ku e ke Kryetarin e Bashkisë? Po Guvernatorin e Shtetit? Presidentin e Amerikës? Thjesht një mirupafshim, ato që i përkasin Shqipërisë janë dhembje e imja.