Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/
Fletore koniciane nr. 19/
Nga Fotaq ANDREA/
I-Nuk kemi të bëjmë këtu me fantazi, aq më pak me pompozitet titulli. Është Konica që na sjell nëpërmjet “Albania-s” një episod të bukur – botuar këtu më poshtë – nga jeta e Bajronit, gjeniut të Letrave klasike botërore, kur, rrethuar mes miqsh, ai këndon një këngë shqipe, gjatë një shëtitjeje me anije mbi lumin Rhin… në Gjermani… në kërthizë të Europës.
Le ta përfytyrojmë një çast skenën: një perëndim dielli që flakëron valët e qeta të Rhinit; një anije e vogël që rrëshqet mbi të dhe, mes litarësh të një direku, një rini gazmore e gumëzhitëse. Dhe ja një Bajron – të cilin e përfytyrojmë edhe të veshur shqiptarçe – ulur bash këmbëkryq në bash të anijes, tek ia merr një labçeje… labçe me sa në kokë, që e ka mësuar mes trimave të tij shqiptarë! Një skenë e tillë përfytyruese, e denjë për pikturë murale nuk ka si të mos shfaqet po aq madhështore sa dhe vetë tabloja e Thomas Phillips që përjetësoi Bajronin veshur me kostumin shqiptar.
Që Bajroni është pikë referimi e Konicës nga “Albania” te “Dielli” e deri te “Shqipëria, kopshti shkëmbor…”, kjo është e qartë dhe nuk po themi këtu ndonjë të re. (“Sa e vështirë është të thuash gjëra të reja!” – shprehej Bajroni). Por, përveçse pikë referimi – si dhe pikë krahasimi midis shqiptarëve e grekëve -, Bajroni na shfaqet edhe si pika e fillesës e veprës koniciane, kur rilindasi shqiptar i njeh Poetit të Madh vendin e nderit te revista e tij, duke e vënë në krye të kryeveprës “Albania”. Fakti është se që në shkrimin e parë monumental hartuar në frëngjisht “Gjuha e bijve të shqipes“, që çel “Albania-n”, Konica i referohet Bajronit sepse, më mirë se kushdo, ai “ka përshëndetur i entuziazmuar shqiptarët me vargje të pavdekshme”, në këngë “me burim hyjnor”.1 Dhe, po në numrin e fillimit të “Albania-s”, në një shkrim të dytë, qëndisur përsëri në frëngjisht dhe posaçërisht për lexuesin e huaj, Konica jep “Udhëtimin e Lord Bajronit në Shqipëri”, duke përkujtuar kohën “kur Ballkani gjëmonte nga emri i një Shqiptari”, Ali Tepelenit, dhe kur lavdia e këtij Burri, nga brumë i moçëm pirrik “ishte shtrirë gjer në Perëndim”.
Është i qartë synimi i Konicës tek larton shqiptarët e Bajronit, arvanitasit dhe suljotët e famshëm të Misolongjit, si për t’i thënë botës mbarë: Mbani vesh, është Bajroni që po ju flet, po ju flet për shqiptarët! Për shqiptarët e vërtetë, fisnikë të virtytit, mikpritës dhe miq të besës, trima krenarë, me armët që u vezullojnë “maleve të Shqipërisë, me bukuri të zymtë e madhështore”; është Bajroni që po ju shpreh admirimin e tij për bijtë e lashtë të shqipes!
E tillë ishte gjenia e Bajronit për të ndriçuar në botë figurën e shqiptarit epik në fillim të shekullit XIX. E tillë ishte edhe gjenia e Konicës – me fjalën e Bajronit në gojë – për të ndërgjegjësuar Europën dhe vetë shqiptarët, në atë fund të shekullit XIX, për fatin e tyre të mallkuar nën Turqinë osmane, kur tepër shumë po u bihej në qafë e po masakroheshin nga fqinjët lakmitarë. “Për ne, të mjerët shqiptarë, thuhet në një “Letër nga Shqipëria ” botuar te “Albania”, asnjë fjalë të ëmbël Europa s’e ka thënë, edhe gjithnjë, fqinjët armiq tanë, të gjitha të zezat kanë thënë kundër nesh… Vërtet ca njerëz të shquar dhe zemërbardhë si Lord Byron e të tjerë që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri edhe kanë vënë re mirë punërat, kanë shkruar të vërtetën edhe kanë lëvduar Shqipërinë tok me shqiptarët, kaq sa Europa mund të çuditet kur të shfaqen paskëtaj, sepse gjer tani kanë qenë të fshehura edhe të pakuptuara prej njeriu”.2 Ja, me dy fjalë që në atë kohë, fati tragjik i shqiptarit, i injoruar nga Europa, i luftuar nga fqinjët.
Andaj dhe Bajroni i duhej Konicës, një Bajron si simbol i botës së qytetëruar e i romantizmit të përparuar. Dhe ky Bajron shfaqet te “Albania” e më gjerë, në mënyrë të tillë sa duket sikur vetë Konica i mban iso këngës së Bajronit për shqiptarët, duke e jehonizuar atë në rrjedhë të viteve si vetë jehona e këngës polifonike. Sepse një Bajron i tillë si burim frymëzimi, me krejt veprën dhe jetën e tij, sidomos një Bajron theror i Misolongjit dhe i Greqisë, i shërbeu Konicës sa në idenë e ringjalljes së krenarisë kombëtare, aq edhe në idenë e ndërgjegjësimit për Fatin shqiptar dhe të martirizimit për Nënën Shqipëri – vetë thelbi i Rilindjes dhe i lëvizjes sonë patriotike. Në këtë mënyrë, siç nënvizon bajronisti ynë i shquar prof. Afrim Karagjozi, Faik Konica, “renditet i parë në rikthimin e Bajronit në Shqipëri… ai ka çelur një çast historik në kulturën shqiptare… [dhe] nisi një udhë që shkelet sot e kësaj dite”.3
Nga ana tjetër, duhet theksuar se, në shurdhërinë e qarqeve politike europiane ndaj çështjes shqiptare shtruar për zgjidhje që në shekullin XIX, adhurimi i Bajronit për pasardhësit e Skënderbeut e bëri pak a shumë efektin e vet ndikues (kryesisht gjatë viteve 1820-1860), qoftë edhe thjesht në planin ekzotik. E nxiti kështu Viktor Hygoin të krahasonte në poemat e tij Ali Pashain me Napolon Bonapartin, duke i vënë përballë shoshoqit si tigri me luanin, apo si skifteri me shqiponjën; frymëzoi Aleksandre Dumas, Pierre Loti e Oscar Wilde të vishnin edhe ata kostumin shqiptar; kurse piktorët e mëdhenj, Auguste, Delakrua, Collin, Dupré, Deveria, Gerome, Decamps, etj., shpejt do realizonin tablo nga më të mahnitshmet për shqiptarët, ndërkohë që Lamartin, Gobineau, Degrand e një mori autorësh udhëpërshkrues do shkruanin faqet më të bukura për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Konica nuk kishte idhuj. Idhull i tij i vetëm ishte Shqipëria, të cilën ai e përjetësoi te “Albania” e vet. Ishte liria e Shqipërisë dhe Shqipëria moderne. Konica e filloi “Albania-n” me Bajronin, sepse edhe vetë Bajroni e filloi “Çajld Haroldin”, veprën e tij famëmadhe në Janinë, kryeqyteti i atëhershëm i Shqipërisë. Konica e filloi “Albania-n” me kozmopolitin fisnik Lord Bajron, sepse edhe vetë Faik Bej Konica rridhte nga gjaku fisnik i Ali Tepelenit, i atij Pashai që me trimat e vet u bë mburoja e Bajronit në Greqi. E filloi me Bajronin sepse ishin pikërisht vargjet e tij të fuqishme që shenjtëruan “Dheun e Shqipërisë që lindi dy Iskanderë”, Aleksandrin e Madh dhe Gjergj Kastriotin, si dhe bekuan “Shqiptarët që e pritën me mireseardhe në dyert e tyre të hapura”4. Andaj dhe populli i këndon Bajronit, sa tund dhenë:
“Lord Baroni ill i rrallë, / Që kish mik Ali Pashanë, / Shkoi e luftoi për Elladhë, / Po trimat i kish shqiptarë, / Si besnikë e kordhëtarë.”5
II
Kur një figurë shumëpërmasore si ajo e Faik Konicës, na shfaqet, sipas përcaktimit që i ka bërë Apolineri si “një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun”6 – (që do të thotë të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka) – është e vështirë të përcaktosh në përmasën e tij enciklopedike dobësinë apo prirjen parësore që ai kishte për këtë a për atë fushë, për letërsinë, artet, historinë, gjuhësinë, kritikën letrare, bibliografinë, përkthimologjinë, folkloristikën, gazetarinë, e gjer te shkencat shoqërore e humane, si psikologjia, sociologjia, pedagogjia, etj. Në tërë këto fusha që i lëvroi me sukses, Konica do të ishte nismëtar i guximshëm për t’i pasqyruar ato jo thjesht e vetëm me gjuhë të bukur shqipe, por mbi të gjitha, duke na i shfaqur në nivele bashkëkohore, me hapin e mendimit estetik e filozofik të kohës dhe me një botëkuptim të përparuar perëndimor.
Njihen fillesat e hershme të muzikologjisë shqiptare (asaj profesionale dhe jo folkloristike) që me Jan Kukuzelin e shekujve XII-XIII e më pas me Palok Kurtin e Frano Ndojën që krijuan në Shkodër më 1898 orkestrën e parë frymore në vend, e cila do pasohej edhe nga banda të tjera sikurse “Banda e Lirisë” (1908), Shoqëria “Afërdita”, 1908, orkestra “Dodona” dhe banda “Vatra,” të krijuara nga Thoma Nasi në Amerikë në vitet 1915-1916, etj. Veçse, pak është folur për kontributin e drejtpërdrejtë të Faik Konicës në fushën e muzikologjisë, konkretisht të përshtatjes së Muzikës së Madhe klasike me fjalën e kënduar shqipe. Edhe në këtë fushë ai ka qenë konkret, prodhues dhe me propozime konstruktive, siç dëshmon, ndër të tjera, shkrimi i tij i mëposhtëm “Një copë muzikë”.
Në fakt, aty nga fundi i vitit 1902, Faik Konica i kishte kërkuar Filip Shirokës të hartonte një vjershë destinuar për t’u kënduar mbi bazën e një kompozimi nga Beethoven. Dhe Shiroka, si bashkëpunëtor i ngushtë i “Albania-s” ia plotëson kërkesën, duke i dërguar vjershën “Mërgimi” së bashku me partiturën. Nuk do vononte dhe në fillim të vitit 1903 do të mblidhej një kuvend nga shqiptarët e Dalmacisë (Borgo-Erizzo), ku ndër të tjera do të kërkohej nga kryetari i kuvendit Mati Markuçi të hartoheshin, për nevojat e rinisë shqiptare, vjersha shqipe që të hidheshin në këngë nga mjeshtër të muzikës, qoftë edhe kundrejt një pagese që do ta mbulonte kuvendi.7 Nëpërmjet “Albania-s”, për të shmangur shpenzimet, Konica do të propozonte në këtë rast që të përzgjidheshin partitura “muzikantësh të lartë, nga Mozart, Schubert, etj.” dhe, mbi bazën e tyre, të hartohej teksti shqip i këngës. Kuptohet se në atë kohë as që bëhej fjalë për muzikë të lehtë dhe orkestrimet në këtë gjini do fillonin shumë më vonë. Po e rëndësishme këtu është se Konica kërkon që në fillim t’i vihen baza të shëndosha, me muzikë klasike, muzikologjisë shqiptare orkestruese në lindje, si dhe të ushqehen rinia dhe bota shqiptare me shije të larta artistike, sikurse ndodhte në Vjenë, Romë, Paris e Londër. Menjëherë pas Shirokës, edhe vetë Konica do t’i hynte Rameau-së, kompozitorit të madh francez që njihet edhe si teoricieni i parë i harmonisë klasike, për të bërë një këngë shqiptare me muzikën e tij.
Atë vit 1903, kur Shqipëria ndodhej në stadin më të prapambetur e më të zymtë të historisë së saj, ideja koniciane për këngë shqipe me Muzikë të Madhe është shkëndija e parë e një flakadani tejet ndriçues e përlindës. Sepse, nga njëra anë, Konica dëshmon për forcën dhe zhdërvjelltësinë e shqipes që i përshtatet bukurisht muzikës klasike; dhe, nga ana tjetër, vetë ai jep shembullin konkret si të popullarizohet kjo muzikë, për të prekur ndjenjat dhe shijet e holla të popullit. Dhe kur Konica shkruan mbi partiturë: “Me zurna, me fyell me violi, / Të zëmë vallen pleq e të ri“, kaq do mjaftonte për të dhënë ritmin e vargut muzikor me një bukuri të thjeshtë, të qartë, të kulluar, ku gjithçka është koniciane koncize, e vrullshme dhe e fuqishme. Kënga “Valle Fushore” tingëllon kështu si një himn i Konicës për gjuhën shqipe dhe tingulli i fyellit në këtë këngë shfaq krejt virtuozitetin e shqipes në një majë të lartë muzikaliteti.
Sot, me mundësitë e krijuara, një arranxhim dhe orkestrim i kësaj “Valleje fushore” të Konicës (si edhe i “Mërgimit” të Filip Shirokës me muzikë të Beethovenit), do të ishte një nder jo vetëm për muzikën klasike interpretuar nga orkestrat tona të mrekullueshme simfonike, por edhe për gjininë e muzikës së lehtë me një përpunim artistik mjeshtëror nga ndonjë personalitet i shquar i muzikologjisë shqiptare, si prof. Zhani Ciko.
* * *
Është i njohur parapëlqimi Faik Konicës për muzikën klasike kur, që nxënës në kolegj, vizitonte kishat e Francës për të dëgjuar muzikën e organos që jehonte kubeve. E jo vetëm, po kur kthehej në konvikt, do t’i duhej të ushtrohej me seriozitetin më të madh për të mësuar me flaut pentagrame të tërë notash, për orën e muzikës, e cila ishte lëndë e detyrueshme në kolegj. Veçse, për një adoleshent me dhunti e prirje të veçanta si Konica 13-14 vjeçar, çdo detyrim shkollor do të zhbëhej me kollajsi përpara pasionit dhe etjes për të përvetësuar gjithçka. Muzika do të depërtonte kështu në poret e trupit të djaloshit Konica dhe flauti do të mbetej për të në rrjedhë të viteve instrumenti i tij më i dashur muzikor. Na e dëshmon Apolineri kur i vajti për vizitë në shtëpi në fillim të nëntorit 1903. “Qëndrimi im në Londër, thotë poeti francez, qe shumë i këndshëm. Faik Bej Konica ishte i dhënë pas klarinetës, obojës dhe bririt anglez. Kishte në sallonin e vet një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve prej druri. Në mëngjes, duke pritur të hamë, gjithmonë me vonesë, mirëpritësi im këndonte me hundë për mua melodi të vjetra, dhe rrinte ndenjur, me sy të ulur, me pamje serioze, para pupitrit të vet.”8
Një stërvitje e tillë muzikore, gati rituale, flet për një zakon të vjetër, për një pasion të ushqyer rregullisht, kur me flautin në dorë, Konica ndihej si në parajsën e vet, tek komprimonte gjoksin për të kërkuar harmoninë e tingullit me fonemën. Muzika ishte bërë kështu pjesë e jetës së tij, ashtu sikurse libri, shkrimi, muzeu, teatri, biblioteka, koncertet.
Nuk është rastësi që lidhja e Konicës me Apolinerin fillon në shtator 1903 pikërisht për çështje debatuese të muzikës klasike. Që në letrën e parë që Konica i dërgon poetit francez përmenden konkretisht “Organoja e Barbarisë”, “Simfonia pastorale” e Beethoven-it dhe “Anketa mbi Wagnerin”. Lihet të kuptohet se Konica kishte dërguar një shkrim (ese) për muzikën klasike në redaksinë e revistës frënge “l’Européen”, ku punonte Apolineri. Dhe me propozim të Konicës, Apolineri do të çelte në revistën e tij “le Festin d’Esope” një “Anketë për muzikën” për të ndjekur evolucionin orkestral që prej 200 vjetësh, anketë ku do merrnin pjesë dhe do shfaqnin mendimet e tyre muzikologë europianë nga më të shquarit.
Por Konica, siç e vëmë re te “Albania”, shkonte tepër larg anketimeve për Muzikën e Madhe, duke i kërkuar Muzat (nga ku vjen fjala “muzikë”) në tre kordat e një lire mitike, aty ku vetë Natyra gatuan tingullin me ngjyrën brenda harmonisë së tyre të përjetshme. Kështu, në shkrimin “Zërat dhe tingujt” të rubrikës “Kohëtore shkencëtare” te “Albania”, Konica flet për arritjet e shkencës në kohën e tij, tek thekson se të gjithë dukuritë e natyrës “bëhen nga cicërime” (vibrime) që shkakton tingulli i dalë nga një pickimi të kordës vokale. Flet me hollësi kur kalohet nga baset te altot (73.000 cicërime në sekondë) dhe kur veshi i njeriut nuk kap më vibrime, por përtej 134 trilionë vibrimeve për çdo sekondë, syri fillon e ngacmohet për të “shquar dritëra” apo valët me ngjyra. Dhe Konica që shkruan: “E kuqja bëhet me 483 trilionë cicërime për dyttare [sekondë], e portokallta, me 513 trilionë cicërime, e verdha, me 543 trilionë, e gjelbra me 576 trilionë, e kalldeta (mavia), me 630 trilionë për dyttare.” 9
Natyra Mëmë shfaqet kështu nën penën e Konicës në harmoninë e vet të përkryer, kur tingulli martohet me ngjyrën, muzika me pikturën në Artin e pafund e të amshuar aq të dashur nga Konica. Ai vetë, e ka cilësuar “muzikën që dëgjohet në parajsë, të perëndishme, hyjnore, qiellore”, duke e kërkuar shpëtimin nga hallet e tij gjatë luftës së parë botërore te Muzika e Madhe dhe koncertet e Vjenës, kur edhe pa bukë mund të rrinte në varfërinë që njihte, po kurrë pa ushqimin muzikë.10 A nuk ishte shprehur Beethoven-i i pavdekshëm se “Muzika është një e vërtetë më e thellë nga çdo urtësi e filozofi, është jeta ideale… [dhe] Kush depërton thelbin e muzikës mund të çlirohet nga mjerimet që mbajnë lidhur njerëzit”?11
Dhe pikërisht, këtë rrugë drejt Muzikës së Madhe në Shqipëri dhe për shqiptarët, çelur tashmë me larguamësi nga Konica me shokë, shpejt do ta ndiqte edhe Fan Noli që nuk do mungonte të shquhej në muzikologjinë shqiptare me punën dhe veprat e tij artistike e liturgjike.
Nga Faik Konica/
Dy këngë shqipe të mbledhura prej Lord Bajronit/
Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen. [Ne, po japim këtu vetëm variantin e ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.]
Kënga e ndërtuar: “Bobobo, bobo! / Na ç’arriva, po pusho. / Na ç’arriva, na çë vinj / Hape derënë të hinj. / Hape derën e shkretë / Të vinj të marrë xhebhanetë. / Kalariote (?) me serme / Eja hape se dua t’i ve. / Bobobo, bobo! / Digju shpirt u zemëro. / Kalariote vure funde, / Edhe vete tunde-tunde. / Kalariote me serme / Ti më puth e po më le. / Se të putha që t’i mora, / Zemërën vetë e dogja. / Vallenë e ke kadale, / Kalo moj, kalo në valle / Pluhëri……….? / Pluhuron…?
***
Në sevda tënde u llavosa, / Vetëmë u përvëlofsha. / Ah vashëzë më përvëlove / Si më rëndë më llavose. / U të thashë roba s’dua, / Sitë e vetullat dua / Robat… s’i dua, / Qumështinë vetë dua. / …………………….? / Robatë zjarmi t’i diegë. / U tërbova vashëzë / me zemrën të haptë, / E ti më bëre…….. / Si një dhëndrë të lartë .”
(Albania, tetor 1903, nr. 10, viti 7).
Këngë nga Faik Konica – VALLE FUSHORE
Muzikë e J. Ph. Rameau-it.
(Njerrë nga Hippolyte e Aricie – opera me pesë akte nga Rameau).
[Teksti i këngës nga Faik Konica]
1.
Me zurna, me fyell, me vjoli, të zëmë
Vallen pleq e të ri. Ejani në shesh
Të gjelbër, e mblidhuni! Me zurna e me
Vjoli. Të zëmë vallen pleq e të ri.
2.
Fyelli po fërshëllen fy-fy. Edhe
Zurnaja këndon ty-ty! Dejlmë edhe çupa
Venë e vij [në] – në dy nga dy. Fyelli po
Vërshëllen fy-fy. Edhe zurnaja këndon ty-ty!
(Albania, nr 4, prill, 1903, viti 7).
Një copë muzike – nga Faik Konica
*******************************
Ndodhie për të vënë ‘re! Si i ishim lutur të ndritëshmit bashkëpunëtorit t’onë Geg Postrippës të shkruaj një vjershë për muzikën e Beethovenit, që po shtypim, si na erdhi “Mërgimi” e e gatitmë këtë numër, muarmë edhe prej një atdhetari atë letrë nga Dalmacia qi na mëson se Shqiptarët e Arbneshvet (Borgo-Erizzos) dëshërojnë të kenë të muzikuara disa këngë shqipe.
Mendim të mirë kanë Shqiptarët e Borgo-Erizzos. Vetëm më duket se s’duhet t’i ngarkojnë nonjë muzikani barën të bëjë muzikë të re përmi vjersha shqipe, – edhe qeh për ç’shkake: të parën, shoqëria e Shqiptarëve do të prishë të holla dy herë, për të paguar muzikanin e për të paguar të shtypurit e këngëve; të dytën, ajo muzikë e re munt të jet’ e mirë, po ka më tepër të ngjarë të jetë e poshtër [e keqe].
Pra, [a] nuk është më mirë [që] ata Shqiptarë, vëllezërit t’anë, të zgjedhin ca copë muzikanësh të lartë – si Mozart, Schubert, etj. – e t’u luten vjershëtorëve shqiptarë të shkruajnë për ‘to vjershat e nevojshme? Me atë mënyrë, kushtimi do të jetë më i pakët, arrimi [rezultati] më i math – edhe Shqiptarët e Borgo-Erizzos do të mjaftojnë dëshirën e tyre për të kënduar shqip.
Ashtu, do të bëjnë edhe një tiatrë të mirë: do të bëhen shkak të përhapin në Shqipëri pak muzikë të mirë, në vend t’ atyre këngëve për të fjetur që kemi ndëgjuar të gjithë, – e qi na janë mërzitur të gjithëve.
Këngë nga Geg Postrippa (Filip Shiroka) – MËRGIMI
Këngë (Lied) Muzikë e Beethoven-it
(Vjershë e Geg Postrippës)
Atdheu! Atdhe, për ty qan zemr’ e mjerë.
Q’ atë ditë që të lash’, kurrë s’të harroj;
Se qé bukur, dhé me nji herë je -‘e-ta ime,
Je -‘e-ta ime sa keq mmaroj.
Ti qytet i bukur, ti që më ke pa-mun,
T’vogël e t’gzum, ty zemra të lakmon,
Ty dhé i dashtun, zemra rri tuj qamun.
Se n’dhé t’huj, kjo zemmr’ e mjer keq lingon!
Shqipëri! Shqipëri për ty vajtoj gjithherë.
Atdhe, gjithher’ ty të kujtoj;
Sa je i bukur vent i mjerë.
Sa dit t’kalojn, sa dit t’kalojn, ma shum t’dëshiroj!
Ty Shqipëri, ty atdhe, synt’t’mi tuj qamun
Janë bâ porsi kryqi rrjedh e s’pushon;
Frig kam me sy mâ nuk kam për t’pamun,
Se tuj ddek, zemmra gjak për ty pikon!
(Albania, janar 1903, nr. 1, viti 7).
1 “Albania”, nr. 1, vëll. A, mars 1897, f. 6, 11-13. Prof. Koli Xoxi, në veprën e tij “Bajroni në betejat për drejtësi e liri”, Plejad, 2005, f.66-66, citon Fan Nolin që thotë se “…numri i parë i “Albana-s” së Konicës, që doli më 25 mars 1897, kishte … dhe këto vargje të “Çajld Haroldit” të Bajronit vendosur në krye: “Vendi i Shqipërisë, ku lindi Iskënderi, / Temë e të riut, fener i të urtit”.
2 “Albania”, nr. 3, 1897, A41.
3 Afrim Q. Karagjozi, “Miti shqiptar për Bajronin”, Plejad, 2002, f. 34.
4 “Albania”, nr. 4, 1897, f. 49.
5 Mbledës të Folklorit, vëll. 8, Këngë popullore të Laërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, !Tiranë 1991, f. 814.
6 G. Apollinaire, “Rreth dy veprave për çështjen e gjuhëve artificiale”, “la Revue Pan”, 1909, përkryer në antologjinë F. Andrea, “Pena të arta franceze për shqiptarët”, Tiranë, 2007, f. 486.
7 “Albania”, janar 1903, nr. 1 viti 1907,vëll. H, f. 12.
8 Luan Starova, “Faik Konica dhe Guillaume Apollinaire, Një miqësi evropian e”, Onufri, 2001, f. 46.
9 “Albania”, nr. 6-7, qershor-korrik 1902, f. 173-174.
10 Faik Konica, Vepra 4, bot. Dudaj, Tiranë 2001, f. 213-214.
11 Beethoven, Letër drejtuar Bettina Bretano-s, 28 maj 1810. Gazette musicale de Paris, 1836, vëll.3, f.150.