• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“RRNOFT SHQIPNIA EDHE PA NE”!

November 16, 2016 by dgreca

SHTETI SHQIPTAR U KËRKON FALJE  38 MARTIRËVE TË KISHËS KATOLIKE/

                                                   1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Javën që kaloi në Presidenti i Republikës së Shqipërisë kryesoi një ceremoni me rëndësi jashtzakonisht të madhe për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Në të vërtetë u zhvillua një ceremoni me një domethënje historike, e cila fatkeqsisht nuk tërhoqi vëmendjen e duhur dhe as debatin shoqëror dhe mediatik që meritonte.  Ishte hera e parë në këto 25 vjetë të tranzicionit post komunist që një udhëheqës i lartë i Shqipërisë, në këtë rast Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani kërkoi falje dhe shprehi pendesë për krimet komuniste në atë vend.  Me rastin e dekorimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike, me urdhërin e lartë të “Flamurit Kombëtar”,  Presidenti Nishani — në emër të shtetit që ai kryeson —  siç u shpreh ai, përunjësisht, u kërkoi ndjesë gjatë ceremonisë solemne të dekorimit, 38-martirëve, të cilët pak kohë më parë u lumnuan nga Papa Françesku.1-presidenti

                 Megjithse mungonte Kryeministri Rama, prania në këtë ceremoni e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, deputetve të Kuvendit, përfaqsuesve të bashkësive fetare të vendit dhe familjarëve të 38 Martirëve e bëri këtë solemnitet një ngjarje të shënuar kombëtare, gjatë të cilës u njohën dhe u kurorëzuan — publikisht — sakrificat dhe vuajtjet e këtyre viktimave të komunizmit.  

2-ilir-meta-berisha

Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar, Presidenti Nishani iu drejtua të pranishëmve, përfshirë edhe përfaqsues të Trupit Diplomatik në Tiranë, me këto fjalë:  “Pranimi me përunjësi i krimeve,  jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokëulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’ — na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.”

“Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit”, vazhdoi fjalën e tij Presdienti Nishani, “E ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat”, u shpreh Presidenti Nishani.

“T’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’, nënvijoi, ndër të tjera, Kryetari i Shtetit shqiptar.

                        ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!” (Presidenti Bujar Nishani)

Presidenti Nishani foli gjithashtu edhe mbi rolin dhe kontributin e Kishës Katolike dhe klerit të saj në historinë, gjuhën dhe kulturën e kombit shqiptar, gjatë shekujve.  Në historisë shekullore të shqiptarëve, këta klerikë martirë dhe të tjerë si këta para tyre, kanë qenë interpretuesit dhe bartësit më të shquar të aspiratave arbërore, të vlerave stërgjyshore dhe të ndjenjave më të thella të kombit shqiptar.  Këtë pohim, Zoti Nishani ua kujtoi edhe pjesëmarrsve në ceremoninë e dekorimit të këtyre martirëve, ndërsa theksoi se,  “Kisha Katolike dhe klerikët e saj të rrënjosur në këtë tokë prej dhjetëra shekujsh janë kudo në indet e këtij kombi qysh në ngjizjen e tij. Historia e këtij institucioni milenar në Shqipëri është sa histori ngadhnjimi, po aq edhe martirizimi, sa histori besimi, po aq edhe patriotizmi, sa histori fetare, aq edhe kulture, sa histori meshe, po aq edhe histori shkrimi, sa histori katoliçizmi, aq edhe harmonie e bashkëjetese, sa histori shqiptare, po aq edhe evropiane e universale.  Ajo është një trashëgimi e lavdishme e Shqipërisë, një realitet i vyer i saj”, u tha të pranishmëve Z. Nishani.

Dinjiteti kishtar dhe kombëtar i këtyre martirëve gjatë torturave dhe deri në ditën e vdekjes — në kombinim me kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës shqiptare ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbe, e deri në ditët e sotëme — u jep këtyre heronjëve një pamje madhështore qëndrese dhe trimërie, në radhët e përfaqsuesve më të mirë të kombit shqiptar.  Në lidhje me këtë, në përfundim të fjalës së tij me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  u shpreh:  “Nga Pal Engjëlli i Skënderbeut deri tek Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani, lista është e gjatë, e gdhendur librave, mungadave, kuvendeve, betejave për pavarësi dhe shtetformim, hetuesive, gjyqeve dhe plojës së Komunizmit, por mbi të gjitha në vetë kujtesën e kombit mbi të cilën mbahet thagma shqiptare. E thënë me fjalët e Atë Gjergj Fishtës, ajo rri si përmendore që nuk e dërrmon as rrufeja e as moti. Tridhjetë e tetë të kësaj liste, të cilët gjithë jetën kishin jetuar dhe ushtruar vokacionin e tyre brenda formulës së shenjtë, ‘Atdhe e fe’, teksa ndaheshin nga jeta tokësore pyesnin, ‘Çfarë duhej të bënim më tepër për të qenë shqiptarë?!’   Pasi kishin qëndruar heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i denonte me vdekje, iknin këso bote në sintoni me mësimet e shenjta duke falur ekzekutorët e tyre, duke lënë mbi dhé amanetin e fundit,  ‘Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne’.

                 Kjo ceremoni javën e kaluar, e organizuar nga Presidenca, nuk ishte e zakonshme si ceremonitë e tjera që Presidenti i Republikës organizon, nga koha në kohë, me rastin e shpërndarjes së dekorimeve të ndryshme individëve dhe grupeve të dalluara.   Kjo ishte një ngjarje madhështore, jo vetëm për faktin se Presidenti Nishani dekoroi me më të lartin Urdhër Shtetëror — atë të Flamurit Kombëtar — 38 klerikët martirë.   Kjo ceremoni mori përmasa të jashtzakonshme sepse për herë të parë në këto 25 vjetë post-komunizëm, një udhëheqës i lartë i Shqipërisë — në personin e Presidentit të Republikës –  në emër të shtetit shqiptar, kërkon falje e ndjesë dhe u shpreh pendesë këtyre dhe viktimave të tjera të komunizmit në Shqipëri.  Fjalimi i Presidentit Nishani me këtë rast, mund të thuhet se është një prej fjalimeve më me rëndësi në këto 25 vite post-komunizëm në Shqipëri, jo vetëm për nga përmbajtja, por më tepër për nga simbolika që mbartë dhe për nga mesazhi që përcjellë autoriteti më i lartë i shtetit shqiptar. Progresi i një vendi nuk matet vetëm me ndërtimin e pallateve me para burimesh të dyshimta, ose me ndërtimin e rrugëve e të fabrikave.  Këto “përparime” mund t’i pretendonin edhe regjimet komuniste, fashiste e naziste.  Si rrjedhim,  institucionet shtetërore nuk duhet të shikohen vetëm si entitete abstrakte dhe burokratike që vetëm përpiqen të zbatojnë ligjet dhe rregullat proceduriale të një shteti.  Përfaqsuesit e enteve shtetërore dhe qeveritare, si kryeministri dhe presidenti i një vendi post-komunist si Shqipëria, duhet që njëkohsisht të mibilizojnë edhe vlerat morale, gjykimet dhe emocionet — me fjalë të tjera, ata duhet të pasqyrojnë edhe forcën morale mbi të cilin mbështeten përpjekjet për krjimin e një shoqërie me vlera me të vërtetë demokratike, ku mbi të gjitha, jeta dhe të drejtat bazë të individit, duhet të jenë të mbrojtura nga shteti dhe jo të abuzohen.  

Njëri nga ekspertët amerikanë të historisë së komunizmit, emri i të cilit nuk më kujtohet tani për tani, ka thënë se nëqoftse nuk mund t’i dallojmë të mirat nga të këqiat midis komunizmit dhe anti-komunizmit — që mund të thuhet se përbënin luftën më të madhe morale të shekullit 20 — atëherë është tepër e vështirë ta marrim me mend se mbi cilat çështje mund të bisedohet në mënyrë, racionale, inteligjente, me arsye dhe transparencë, madje edhe 25 vjetë pas shembjes së komunizmit.  Nuk jam i sigurt nëse shoqëria e gjërë shqiptare, madje edhe nivelet e larta qeveritare, i kanë pranuar përgjegjësitë dhe moralin shoqëror, si standard të pranueshëm sjelljesh në përgjithësi, veçanërisht përsa i përket të kaluarës komuniste dhe krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist në Shqipëri.    Por deklarata e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, drejtuar 38-martirëve të Kishës Katolike Shqiptare se, ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”, është hapi i parë tepër i nevojshëm, ndonëse i vonuar në nivel shtetëror dhe qeveritar — siç ka thënë edhe vet presidenti – për të ndarë të mirën nga e keqja, faktet nga trillimet, kriminelët nga të pafajshmit si dhe mitet nga realiteti historik.

Me këtë veprim, Presidenti Bujar Nishani ka hedhur një hap tjetër përpara, drejtë një Shqipërie me standarde morale — duke ndarë të mirën nga e keqja– dhe duke i dhënë një hov përpara pajtimit kombëtar dhe shërimit të plagëve, për të cilat Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë aq shumë nevojë.   

***

KRONIKE610

Presidenti Nishani vlerëson Imzot Zef Skanën (pas vdekjes) me Dekoratën “Nënë Tereza”

222Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i akordoi Imzot Zef Skanës (pas vdekjes) Dekoratën “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për kontributin e shquar si klerik që shkriu jetën për idealet “Fe e Atdhe”, për edukimin e virtyteve të larta morale si misionar i pajtimit të gjaqeve në Mirditë, përhapës i kulturës, paqes dhe përparimit, si veprimtar shoqëror në lëvrimin e letrave shqipe dhe në përhapjen e arsimit në mesin e shekullit XX”.

Filed Under: Opinion Tagged With: 38 martirët, Frank shkreli, kërkon falje, shteti shqiptar

Kosovë- Kryeparlamentari Veseli kërkon falje

October 23, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas menate shkruan në “Facebook”: “Në Seancën plenare të mbajtur sonte, në një moment gjatë përpjekjeve për të qetësuar situatën e krijuar jam shprehur në mënyrë joadekuate, shprehje me të cilën mund të preken nënat dhe motrat tona.
Dëshiroj t’ju kërkoj falje atyre nga thellësia e zemrës, duke filluar nga nëna ime, bashkëshortja ime dhe të gjitha nënave dhe motrave të Kosovës sonë”.
Gazi lotsjellës u hodh përsëri në mesnatë nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe e ndërpreu. “Pauzë të shkurtë”, dha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa u dëgjuan “replika” me fjalor të ashpër dhe një shprehje për të cilën kërkon falje kryeparlamentari Veseli.
Në këto momente Policia e Kosovës demanton njoftimet se ka deputetë të opozitës të arrestuar.

Filed Under: Komente Tagged With: kërkon falje, Kosovë- Kryeparlamentari, Veseli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT