• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËTË JAVË NË HISTORI

June 7, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

 72-vjetë më parë, më 6 qershor, 1944,  përafërsisht pothuaj 200,000 ushtarë të forcave aleate ndërmorën zbarkimin e rrezikshëm amfib në brgdetin e Normandisë në Francë, nën komandën e Gjeneralit Amerikan, Dwight Eisenhower.  Operacioni i suksesshëm ushtarak për të marrë nën kontroll, nga forcat okupuese naziste, bregdetin francez prej pothuaj 70-kilometrash, filloi në orët e para të mengjezit të 6 qershorit, 1944.  Historia shënon se ditën e parë të luftimeve mbetën të vrarë ose të plagosur më shumë se 4000 ushtarë të forcave aleate, amerikane, angleze dhe kanadeze.   Invadimi i Normandisë nga aleatët ishte i pari si i tillë në territorin e okupuar nga forcat naziste, në Evropën Përendimore.  Ishte kjo një betejë e cila çoi, më në fund, në humbjen e Gjermanisë së Hitlerit dhe aleatëve të saj.  Në invadimin e Normandisë morën pjesë gjithsejt 5000 anije dhe 13,000 aeroplanë.   Megjithë humbjet e mëdha, më shumë se 100,000 ushtarë të aleatëve mbijetuan betejën e Normandisë dhe prej aty, ata filluan të marshonin anë e mbanë Evropës, duke çliruar më në fund jo vetëm Francën por edhe mbarë kontinentin evropian. 

 Me rastin e 40-vjetorit të invadimit të Normandisë, Presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan vizitoi Normandinë me 6 qershor, 1984 ku mbajti njërin prej fjalimeve më të rëndësishme të mandatit të tij.  Ish-Presidenti Reagan, në të vërtetë, ishte presidenti i parë që mori pjesë në kujtimin e një përvjetori të zbarkimit  të forcave aleate në Normandi, ku mbajti një fjalim emocional, të cilin historia do ta kujtojë për një kohë të gjatë si një prej fjalimeve  më me rëndësi të kohës.  Atë ditë qershori të vitit 1984, të pranishëm ishin edhe një grup ushtarësh veteranë amerikanë të cilët kishin marrë pjesë në betejën e Normandisë. Kështu u foli Pressidenti Ronald Reagan me atë rast, veteranëve dhe pjesmarrësve të tjerë në Point du Hoc të Normandisë:

 “Gjëndemi këtu për të shënuar këtë ditë të historisë kur forcat Aleate u bashkuan në një betejë për t’i këthyer lirinë Evropës. Për më shumë se 4 vjetë, pjesa më e madhe e kontinentit evropian mbulohej nga një hije e tmerrshme.  Kombe të lira ishin pushtuar, hebrenjtë vuanin vdekjen në kampet e përqendrimit, miliona të tjerë anë e mbanë Evropës kërkonin çlirimin nga forcat okupuese dhe donin lirinë e pavarësinë.  Evropa ishte e skllavëruar dhe bota lutej për shpëtimin e saj.   Shpëtimi filloi këtu në Normandi. Këtu, Aleatët bënë qëndresën duke luftuar kundër tiranisë, në një ndërmarrje gjigante ushtarake, e pa parë deri atëherë në historinë e njerëzimit”. 

 Ushtarët aleatë që luftuan këtu, Presidenti Reagan, i cilësoi si “Djemtë  e Point du Hoc.  Këta ishin djemtë të cilët u ngjitën mbi këto shkëmba.  Këta janë kampionët të cilët ndihmuan në çlirimin e një kontinenti.  Këta janë heronjtë të cilët ndihmuan për t’i dhënë fund një lufte të tmerrshme.”

 Në fjalimin e tij historik, Presidenti Reagan, përveç sakrificave të forcave amerikane, përmendi edhe kontributin e çmueshëm në këtë betejë të forcave angleze, të forcave skoceze, ndërkohë që theksoi atë që ai cilësoi si “Trimërinë e forcave polake të cilat gjatë invadimit u vëndosën në një zonë midis forcave armike dhe pjesës tjetër të Evropës”, ndërkohë që lavdëroi edhe atë që e cilësoi si “Kurajon dhe guximin e pashembullt të forcave kanadeze….”
 “Burrat dhe djemtë e Normandisë ishin të bindur se lufta e tyre ishte e drejtë dhe se ata po luftonin në emër të mbarë njerëzimit”, u shpreh Ronald Reagan dhe shtoi se në radhët e këtyre trimave guximtarë mbretëronte bindja dhe besimi se, “ekzistonte një ndryshim themelor dhe moral midis përdorimit të forcës për çlirim dhe përdorimit të forcës për pushtim e okupim.”  Ju ishit këtu, u tha Presidenti Reagan veteranëve amerikanë me rastin e 40-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Normandi,  “Për të çliruar dhe jo për të pushtuar… Ju të gjithë ishit të vet-dijshëm se për disa gjëra ia vlenë të vdesësh.  Ia vlenë të vdesësh për atdheun tënd dhe të vdesësh për demokracinë, pasi kjo është forma më e ndershme e qeverisjes që është krijuar nga njeriu.  Ju të gjithë donit lirinë, ju të gjithë ishit të gatëshëm të luftoni kundër tiranisë.” 

Por ishte diçka më tepër se kaq –u tha Presidenti Reagan të pranishëmve — që u ndihmoi forcave aleate në luftën e tyre kundër armikut.  “Ishte besimi i patundur se Perëndia kishte dorë në ngjarjet që po zhvilloheshin aty, se Zoti vet ishte një aleat në këtë kauzë të madhe” të njerëzimit, theksoi Ronald Reagan. 

 Në fjalimin e tij me rastin e 40-vjetorit të betejës së Normandisë në qershor të vitit 1984, duke marrur parasyshë se ishte kulmi i luftës së ftohtë, Presidenti Reagan foli edhe për situatën në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.  Ai tha se aleatët rindërtuan një Evropë të re dhe se fillimisht pati përpjekje për pajtim midis atyre që deri atëherë kishin qenë armiqë, por që të gjithë kishin pësuar vuajtje të mëdha në luftë.  Shtetet e Bashkuara, tha ish-udhëheqsi amerikan, krijuan Planin Marshall për të ndihmuar në rindërtimin e jo vetëm të aleatëve të Amerikës por dhe të armiqëve tanë tha Reagan.   Plani Marshall, theksoi Presidenti Reagan, çoi  më pas në krijimin e “Aleancës së Atlantikut – një aleancë e madhërishme që deri në ditët e sotme shërben si mbrojtëse e lirisë, e begatisë dhe paqës.” 

 Fatkeqsisht, tha Presidenti Reagan, se megjithë përpjekjet dhe sukseset tona të mëdha që pasuan mbarimin e luftës, ngjarjet nuk morën fund ashtu siç mendohej dhe siç ishin planifikuar.  Duke iu referuar vendosjes së komunizmit në vendet e Evropës Lindore, Presidenti Reagan, nënvijoi se pas fitores mbi nacizmin, “Disa vende të çliruara humbën lirinë……Forcat sovjetike që erdhën deri në qendër të këtij kontinenti nuk u larguan së këndejmi kur u vendos paqa.   Në të vërtetë, ato janë gjithnjë këtu, të pa ftuara, të pa dëshiruara dhe të paepura, pothuaj 40-vjetë pasi mori fund lufta.”   Z. Reagan shtoi se, për këtë arsye, forcat aleate janë gjithnjë të pranishme në këtë kontinent.   “Sot, ashtu sikur edhe 40-vjetë më parë, ushtritë tona gjënden këtu për të vetmin qëllim –e që është për të mbrojtur dhe për të ruajtur demokracinë” dhe shtoi se, “Ne në Amerikë kemi mësuar leksione të hidhura nga dy luftërat botërore: se është më mirë të jemi këtu të gatshëm për të mbrojtur paqën se sa të izolohemi matanë oqeanit dhe të reagojmë vetëm pasi të jetë humbur liria.  Kemi mësuar nga historia se izolacionizmi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një përgjigje e pranueshme ndaj regjimeve tiranike me qëllime ekspansioniste”, ka theksuar Presidenti Reagan.  Ronald Reagan përmendi në fjalimin e tij gjithashtu humbjet e mëdha që kishte pësuar ish-Bashkimi Sovjetik në Luftën e dytë Botërore, 20-milion veta, një çmim, tha ai, që përbën një testament të fuqishëm mbi nevojën për t’i dhanë fund luftës njëherë e përgjithmonë. 

Duke përfunduar fjalimin e tij me rastin e 40-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi (6 qershor, 1944), me sensin e tij profetik të historisë, ish-Presidenti Reagan,  iu drejtua aleatëve të Amerikës në Evropë, 32 vjetë më parë, duke i siguruar ata për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.  “Edhe sot jemi të lidhur me të njëjtat vlera, vlera të cilat na lidhën e na bashkuan 40-vjetë më parë, të njëjtat miqësi, tradita dhe vlera.   Gjëndemi përball të të njëjtit realitet.  Siguria dhe stabiliteti i aleatëve të Amerikës janë jetike edhe për Shtetet e Bashkuara ndërsa garancitë amerikane të sigurisë janë të doemosdoshme për lirinë dhe demokracinë e vendeve evropiane. Ne ishim me ju atëherë.  Ne jemi me ju edhe sot.  Shpresat e juaja janë shpresat tona dhe fati i juaj është fati jonë”, përfundoi Presidenti Reagan fjalimin e tij në Normandi në 6 qershor të vitit 1984.

6 qershori, 1944 është një datë që do mbahet mend përgjithmonë nga ata që vlerësojnë lirinë dhe demokracinë.  Është një ditë që do kujtohet kur 72 vjetë më parë në bregdetin e Normandisë në Francë, mijëra të rinjë – shumica amerikanë, por jo ekskluzivisht amerikanë — filluan një marshim triumfues kundër tiranisë nazizte, që fatkeqsisht pothuaj menjëherë u zëvendësua me tiraninë komuniste për pothuaj gjysëm shekulli, fundin e të cilit, ironikisht e përshpejtoi Presidenti Reagan.  Por sidoqoftë, 6 qershori është një përvjetor që duhet të shënohet nga të gjithë ata që vlerësojnë lirinë dhe demokracinë, për veten dhe për të tjerët, për të gjithë ata që besojnë se të drejtat e individit duhet të triumfojnë mbi çdo regjim, qeveri a çdo institucion.  Fjalimi i ish-Presidentit amerikan Ronald Reagan, (me rastin e 40-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi mbajtur më 6 qershor, 1984) përjetëson përgjithmonë besimin në vlerat e lirisë dhe të demokracisë për çdo individ dhe për të gjithë popujt, ndërkohë që kujton dhe nderon sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën në mbrojtje të këtyre vlerave universale të njeriut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, KËTË JAVË NË HISTORI

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT