– Malësorja e Alpeve 100 vjet më parë mbron fuqishëm pronën private në veprën “ The Peaks of Shala “
Nga Pertefe Leka /
Në një artikull interesant për tri shkrimtaret amerikane Ayn Rand, Isabel Patersen dhe Rose Wilder Lane, theksohej se ato me veprat e tyre, pavarësisht nga njera tjetra, kishin arritur në një mendim filozofik të përbashkët për idenë e lirisë,duke inspiruar Lëvizjen Liberatore.
Rose Wilder Lane, kishte vizituar Shqipërinë,që në vitin 1921 dhe ka shkruar shumë për vendin tonë .Qëndrimi i saj në Shkodër e lidhi ngushtë me të riun Rexhë Meta , historia e tyre tashma është e njohur.
Rose Wilder Lane (1886-1968)është vajza e shkrimtares së mirënjohur amerikane, Laura Ingalls Wilder, autore e një seriali librash historiko-letrar.
Rose e rritur në një mjedis të tillë shkoi me tutje duke e shtrirë aktivitetin në një game të gjerë krijimesh si gazetare, biografe dhe autore e shumë librave letrarë e filozofikë.
Me 1920, Rose e ftuar nga Kryqi i Kuq Amerikan, punoi si publiciste në këte mision
humanitar. Për këte , Rose udhëtoi në Europë e Azi për të observuar se si funksiononte ky shërbim dhe për të vepruar dhe ndihmuar vendet e prekura nga Lufta e Parë Botërore.
Erdhi në Shqipëri, kur mijëra refugjatë lufte ishin larguar nga Kosova, Plava e Gucia dhe nga trojet e tjera të lëna jashtë kufijëve.
Ajo shkoi në Shkodër, ku vepronte Kryqi i Kuq Amerikan , që jepte ndihma në emër të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”. Këtu fillojnë lidhjet e Roses me Shqiptarët dhe me djalin, Rexhë Meta, ne fillim si përkthyes dhe me pas e adoptoi , duke e konsideruar si birin me të shtrenjtë të shpirtit saj.
Vepra e saj për Shqipërinë është “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) ku Rose përshkruan terrenin e thyer, kullat karakteristike të malësisë, mënyren e jetesës, traditat dhe gjakmarrjen.
Letrat, që Rose u dërgonte miqëve të saj, ku përshkruheshin ngjarjet nga jeta politike e shoqërore janë përmbledhur me titullin “Albanian Garden”. Në këto letra janë paraqitur me hollësi, përveç të tjerave edhe ngjarjet e vitit 1922 dhe figura shume dimensionale e Ahmet Zogut. Aty shihet interesi i saj për Shqipërinë, vend që ajo e zgjodhi të jetojë përgjithmonë.
Vepra Kulmore e Rose është “The discovery of Freedom”(Zbulimi I Lirisë).
Kjo vepër filozofike nuk bën fjalë për Shqipërinë, por është e rëndësishme për ne sepse Rose për të ndërtuar Kryeveprën e saj e mori frymëzimin nga një ngjarje të cilën e përjetoi ne Majat e Shalës dhe u bë zanafilla e filozofisë së saj në mbrojtjen e lirisë se individit dhe të pronës private.
Në ate fshat, shkruan Rose,gjeta një jetë fisnore të mbyllur nga gjakmarrja,por me njerëz fisnikë e mikëpritës.
Gruaja që e frymëzoi ishte një 21-vjecare e martuar me dy fëmijë, së cilës ia kishin vrarë burrin serbët pas 5-vjet martesë. Gruaja në fjalë, në kundërshtim me traditën dhe normat fisnore kërkonte që shtëpinë, të cilën e kishte ndërtuar me burrin e saj, ta trashëgonte vetëm ajo me dy femijët. Ishte e papritur për mysafiren amerikane të ishte dëshmitare e një debati të ashpër midis krerëve të fisit dhe gruas” rebele” e cila me kurajo shtronte kërkesën për pronën private.
“Këtu do të jetoj unë me dy fëmijët e mi”
( ne ate shtëpi, ishin grumbulluar 17 veta nga familja e burrit dhe nga fisi)
Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit,ku thuhej: Gruaja e ve flet vetë – mund të ishte njështytje që e bëri aqë të vendosur gruan të flasë përpara kuvendit, apo e drejta natyrale dhe forca e argumentit se – Këtë shtëpi e kam ndërtuar me burrin tim – e bënë ate të vetëdijshme që mos të tërhiqej nga kërkesa për pronësinë.
Besoj se të dyja bashkë e bënë atë burrneshë të kapërcejë kufizimet e atij sistemi primitive, një guxim i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë në ato anë.
Prezenca e gazetarës amerikane në ate Kuvend i vuri në një pozitë të vështirë krerët e fisit. Ata mundoheshin ta sqaronin mikeshën e huaj, se kjo nuk kishte ndodhur kurrë nëfisin e tyre, dhe se ajo ishte nje ortek për fshatin.
Ata ishin kureshtarë të dinin më shumë për vendin ku jetonte Rose, se si veprohej atjepër te drejtën e pronës.
Rose, duke parë se spjegimet e saj binin ndesh me gjykimin e tyre, shkruan: “ Ishte jashtë fuqive të mia të interpretimit”.Nderkohë, Rose e quante të drejtë kërkesën e gruas se re.
Ajo u mahnit nga këmbëngulja dhe forca e karakterit të saj, edhe pse e vetme ne ate kuvend të burrave dhe pa asnjë mbështetje nga anëtaret e fisit, vazhdonte të mbronte të pandryshuar kërkesën e saj:
”Shtëpia është e imja, unë dua shtëpinë time”.
Kur situate u acarua midis asaj dhe parisë, njeri nga pleqtë u ngrit, por i pafuqishëm për të argumentuar kundërshtimin thirri: “A kanë pare malet tona një gjë të tillë në qindra –qindra vjet më përpara se të vinin turqit? Ajo është gogoli”.
Pergjigjja e gruas ishte: “Me këto duar e kam mbuluar çatinë, unë nuk do ta jap shtëpinëtime”.
Ne fund, kryetari i fisit i ndodhur në shtëpi përballë miqëve të huaj ,u detyrua ta sqaronte
më mirë problemin e hapur. Ndër të tjera ai tha: ”Shtëpia i takon fisit dhe jo një njeriu.Asnjë prej nesh nuk mund të thotë se kjo është shtëpia ime, sepse ne jetojmë të gjithëbashkë. Kështu ka qenë edhe përpara se të vijnë romanet dhe kështu do të jetë gjithmonë”.
Kur pjesëtaret e fisit iu pergjigjen unanimisht kryetarit ”Të lumtë goja!” Gruaja e re u ngrit e revoltuar dhe pa folur asnjë fjalë e la kuvendin, ku vetëm kercitja e derës e prishi qetësinë e krijuar pas fjalës së fundit.
Rose, që gjithë kohën kishte observuar qëndrimin e gruas se re dhe e kishte miratuar kërkesen e saj te drejtë, e përshkruan me detaje pamjen e saj fizike dhe shpirtërore në ate moment kritik.
”Ajo u largua nga dhoma e debatit pa përshëndetur, por ajo grua kurrë nuk do të pushojë së kërkuari shtëpinë e saj. Ajo kurrë nuk do të jetë e qetë,deri sa ta marri pronen e vet.Aty, shkruan Rose, vepronte ligji i LEC-it(Law Enforcment Command)
Gjithë këto që Rose i shkruante në veprën “The Peaks of Shala,” u bënë pjesë e asaj filozofie që mbronte me forcë pronën private dhe të drejtat e individit në veprën “Zbulimi i Lirisë”.
Aty Rose demaskon, kolektivizimin në B.Sovjetik ku ajo takoi fshatarë të uritur nëGjeorgji, Azerbaixhan …. , të cilëve u kishin marrë tokën forcërisht dhe jetonin të dëshpëruar në ate realitet të nxirë.
Vënia përballë e Komunizmit primitiv me ate “modern”qenë një burim për analisten për të argumentuar vlerat absolute të lirisë e të pergjegjësisë personale. Ne veprën “The Dicovery of Freedom” (Zbulimi i Lirisë),ajo filtroi mendimet dhe eksperiencen e saj shumëvjecare,pikënisje për të cilën ishte malësorja shqiptare që mbrojti me forcë pronën private.
Në këtë vepër Rose qëndroi konsekuente deri ne fund e pikëpamjeve të saj, duke ngritur lart të drejtat natyrale të njeriut dhe duke u bërë pjesë e asaj filozofie që ka në bazë kundërshtimin e tiranisë kudo në botë.Kjo kërkesë për pronën private vazhdon edhe sot pas 100 vjetesh nga jugu në veri kur grabitja dhe tjetërsimi i pronave është bërë evidente; vazhdon të ndihet zëri i Gruas se kjo pronë më përket mua,toka, shtepia ……është trashëgim nga gjyshi,babai dhe puna ime …..