• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zelfina Sela kandidate për deputete në zonën 5, në Maqedoninë e Veriut

July 8, 2020 by dgreca

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Zonja Sela ju po kandidoni për në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, cilat janë premtimet tuaja para votuesve dhe disa nga vështirësitë tuaja si kandidate?

Shqiptarët si popull autokton në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të dytët në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës pas maqedonasve, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, por edhe në të gjitha proceset politike si popull shtetformues. Z.S.

Fillimisht ju falënderoj për punën e palodhshme që bëni, sidomos në këtë kohë fushate ku publikimet që potencohet opozita shihen me sy tendencioz nga pushteti që ka prioritet “kapjen” e mediave.

Po, unë jam e propozuar kandidate në njësinë zgjedhore numër 5 të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, ku si dibrane do përpiqem të jem një zë i fuqishëm jo vetëm për Dibrën, por edhe për qytetin e Manastirin, pasi përpos që jam mbesë në Manastir, atje e kam përfunduar shkollimin universitar, por gjithashtu edhe të qyteteve dhe vendbanimeve tjera në këtë zonë si Struga, Ohri, Resnja etj, pasi hallet i kemi të ngjashme.

Premtimi im para votuesve është programi i hartuar në bazë të nevojave të popullit i cili në vete ngërthen këta pika: Shtet për të gjithë; Barazi të plotë për të gjithë qytetarët pavarsisht ngjyrave, etnikumeve dhe konfesioneve; Shtet i së drejtës; Shtet qe kultivon dhe ruan kapitalin njerzor; Zhvillim të barabartë ekonomik dhe teritorial; Shtet zhvillimor të gjelbërt dhe të digjitalizuar; Shtet të integruar në rajon, Evropë dhe botë por edhe shumë projekte të tjera kapitale infrastrukturore që janë nevojë e kohës.

Vështirësitë e zgjedhjeve elektorale janë të mëdhaja dhe në një farë mënyre edhe të çuditshme. Përgjithësisht dallojnë nga sfidat e tjera sepse është një gjendje ku përzihet emocioni, frika, shpresa, dëshira, dhe kur tja shtojmë kësaj se unë për herë të parë ballafaqohem me kësi sfide në politikë kjo e bën emocionin akoma më të fortë.

Shqiptarët kanë  një vend të  rëndësishëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe tani në fushatën e zgjedhjeve janë tre parti shqiptarësh, ju jeni nominuar nga Partia Aleanca për Shqiptarët, cili është ndryshimi në programin tuaj midis partisë suaj dhe dy partive të  tjera?

Shqiptarët si popull autokton në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të dytët në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës pas maqedonasve, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, por edhe në të gjitha proceset politike si popull shtetformues. Them duhet sepse jo çdoherë ka qenë kështu, fatkeqësisht. Jo çdoherë numrat e determinojnë edhe rolin që ka një subjekt i caktuar. Ajo që ne pretendojmë dhe mendojmë se dallojmë prej të tjerëve është këndvështrimi ynë konceptual i shtetit, dhe që është njëkohësisht edhe shtylla kryesore e programit e titulluar “shtet për të gjithë”. Kujdes, nuk thash “shoqëri për të gjithë” sepse në botë ka shumë shtete që kanë shoqëri multietnike, por që s’janë aspak demokratike, por them “shtet për të gjithë”, që nënkupton një shtet që të gjithë etnikumet e ndjejnë atë si të vetën. Fatkeqësisht shqiptarët shumë pak e ndjejnë të vetin Maqedoninë e Veriut dhe kjo pastaj bazuar në kauzalitet ndërlidhet edhe me aspektin ekonomik ku një popull që nuk ka besim në shtetin e vet ai edhe mund t’ju ik taksave, nuk investon aty, e shumë pasoja tjera.

Me këtë që them nuk dua t’i akuzoj shqiptarët, por sistemi në të kaluarën ashtu ka funksionuar dhe në instanca të caktuara ka indikacione për të njëjtat veprime edhe sot , psh: Në Maqedoninë e Veriut ndarja buxhetore është diskriminuese dhe jo proporcionale kur vijnë në shprehje vendbanimet shqiptare dhe maqedone, pra sistemi është i tillë që për maqedonët vepron si nënë dhe për shqiptarët si njerkë. Pra, për të mos e zgjatur, ajo që ne si koalicion “Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa” dallojmë nga të tjerët është se ne dëshirojmë ta ndryshojmë kulturën politike të vendit duke vetëdijesuar shqiptarët, por edhe të tjerët për shqiptarët, dhe pastaj duke qenë zëri i tyre në Parlament dhe qeveri ta kërkojmë hisen tonë si shqiptarë aq sa na takon dhe jo aq sa do na japin.

Gruaja shqiptare vazhdon të perballet me mentalitetin meskin të burrit me të fortëa e keni ndjerëju personalisht nëshpinë këtë përbuzje?  Ju jeni e besimit mysliman, veshja dhe mbulimi i kokës me shami ju ka bërë të bëheni pre e sulmeve nga njerëz të ndryshëm që paragjykojnënjerëzit nga veshja dhe jo nga veprat? 

Mund të them lirshëm se unë në rrugëtimin tim, mbështetjen kryesore e gjeta te bashkëshorti që pavarësisht punës së tij, ishte një ndihmesë e madhe për mua në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Prandaj personalisht nuk kam përjetuar stereotipe të tilla të dhunës ndaj femrës, përkundrazi ai ka qenë motivi im kryesor në çdo cep të jetës. Gjithësesi, sikur të kishte në familjen time diskriminime të tilla, unë sot s’do guxoja të dal edhe kandidate për deputete.

Sa i takon këtij fenomeni, është e vertetë se gruaja shqiptare akoma sot e kësaj dite, në disa vende përballet me mentalitet të tillë denigrues ndaj femrës, por pasi jetoj në Dibër, me krenari të madhe mund të them se populli dibran është popull i kulturuar dhe i arsimuar dhe e ka flakur moti një antivlerë të tillë kundrejt femrës. Në fakt, pjesa e dytë e kësaj pyetjeve, ndërlidhet pak edhe me shqetësimin që e theksova në fillim të intervistës. Duke qenë se jam praktikuese e besimit Islam, në një moment të caktuar të jetës, me dëshirë dhe pa imponim vendosa mbulesën islame ose siç njihet ndryshe – hixhab. Për mua hixhabi është vetëm mbulim i kokës, por jo edhe i trurit, por duke patur një pamje më ndryshe, gjegjësisht një shami mbi kokë, s’mund të them se nuk kam qenë e paragjykuar nga dikushi, megjithatë si karakter jam tolerante dhe falëse, prandaj gjithmonë mundohem t’i arsyetojë dhe gjithmonë e them se ndoshta e kanë nga mosdija.

Mendoj se për të paragjykuar tjetrin duhet ta njohësh mirë atë si person dhe bindjet e tij. Kurse në raport me kandidaturën time politike, ndoshta në instanca të caktuara edhe mund të më penalizojë pak nga ata që s’më njohin, por uroj që të kem rast dhe mundësi që të takojë sa më shumë njerëz, dhe duke më njohur mua dhe programin tim të përfitojë zemrat e tyre dhe votat e tyre.

Nëse ju do të zgjidheni në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut cilat do të jenë prioritetet tuaja për të mbrojtur votën e shqiptarëve dhe si do të bashkëpunoni me deputetët maqedonas për qeverisjen e vendit?

Fillimisht shqiptarët do duhet të dijnë të bashkëpunojnë mes veti para se të bashkëpunojmë me partnerët maqedon. Nëse shihni bllokun maqedon, ato kanë dy parti të fuqishme, ideologjikisht të ndryshme dhe parti të vogla që u bashkangjiten dy të parave. Këto dy parti konkurrojnë me njëra tjetrën dhe pësojnë rotacione në qeveri dhe e gjitha kjo është në dobi të reformimit brenda partiak dhe në fund në dobi të elektoratit të vet. Mendoj se kjo do duheshte të ndodhën edhe me bllokun shqiptar. Në shumë raste kemi dëgjuar se krijimi apo përçarja e një subjekti të caktuar shqiptar është iniciuar nga eksponentë politik maqedon. Kjo nënkupton se politikanët maqedonas çdoherë janë një hap para nesh në strategjitë politike. Për t’u përgjigjur në mënyrë eksplicite, ne jemi për bashkëpunime konceptuale dhe ideologjike brenda bllokut shqiptar, por kur vjen çështja për koalicionime me bllokun maqedonas, të mos bëhet koalicion parazgjedhor, por vetëm pas zgjedhor, me atë parti që përmbush kriteret dhe programin tonë fitues në kampin shqiptar. Pasi për ne pushteti është mjet për realizmin e qëllimit tonë final – avancimin e shqiptarit në të gjitha sferat.

Jemi në Luftë boterore me një armik të padukshem, si po e përballon populli i Dibrës këtë luftë dhe a keni pasur raste vdekjeje ndër njerëz?

Dibra ishte ndër qytetet e para që u përball me armikun e pa dukshem COVID19. Ishte mjaft stresuese situata. Qyteti ishte 5 javë në karantinë dhe njerëzit ishin të frikësuar. Gjithcka pushoi së funksionuari, në qytet hynin vetëm furnizuesit e ushqimeve dhe auto ambulancat, kishte edhe raste vdekjesh. Me e dhimbshme ishte se kufomat percilleshin pa ritualet mortore. Megjithatë popullata dibrane është per t’u mare shembull, ata respektuan te gjitha normat mbrojtese qe i ishin vënë. I lutem Zotit qe te na ndihmojë që sa më shpejtë dhe pa viktima te tjera ta kalojmë këtë kohë pandemie. Prandaj shfrytëzoj rastin t’i apelojë popullit tim që pavarësisht se jemi kohë fushate të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe të ruajnë masat në raport me këtë virus të rrezikshëm.

Cili ë shtë  shkollimi juaj dhe a keni pasur diskriminim në  ushtrimin e profesionit tuaj si shqiptare?

Siç theksova në fillim, unë kam mbaruar shkollimin në fakultetin Bioteknologjik në qytetin e Manastirit, ku dhe jam e emëruar si “Inxhiniere bioteknologe e ushqimit”. Nuk kam mundur ta ushtroj si profesion, jo se jam diskriminuar, sepse jam  shqiptare, por kam ngelur e papunë nga diskriminimi partiak.      

Një diçka që më pengon jashtëzakonisht shumë dhe dua ta ndaj me ju është kritika e oponentëve politik se unë gjoja jam vetëm një amvise e papunë. E vërteta është se duke qenë një karakter që nuk dorëzohet asnjëherë, pamundësia ime për t’u punësuar në profesionin tim si inxhiniere e teknologjisë ushqimore për shkak të vetëm se familja ime çdoherë ka qenë me qëndrime kundër pushtetit të BDI-së, nuk më ka mposhtur asnjëherë, falë edhe ndihmës së bashkëshortit që ka bërë sakrifica të mëdha për kujdesin e fëmijëve tanë, unë arrita të hapi një rrobaqepësi dhe të trashëgojë zanatin e nënës sime dhe me ato fitime të shkolloj fëmijët. Pra ajo që konsiderohet si kritika më e fuqishme ndaj meje është në fakt edhe arma ime më e fortë, gjegjësisht nëse pushteti nuk më vlersoi asnjëherë dhe m’i mbylli të gjitha dyertë e avancimit profesional, kjo nuk më mposhti asnjëherë që të kem aspirata dhe dëshira për të mbijetuar vetë. Rasti im është si historia e shumë të rinjve dhe të rejave që arritën të mbijetojnë në forma të ndryshme, por fatkeqësisht jo të gjithë e kishin fatin që të mbijetojnë këtu prandaj u detyruan të migrojnë për një jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Ju flisni një gjuhë të pastër shqipe si e keni ruajtur atë në familje dhe në fëmijët tuaj?

Dibra si qytet në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e perbërë nga popullatë kryesisht shqiptare kështu që këtu gjuha shqipe është gjuhë primare.

Autorja e intervistës është drejtore e medias TV “Alba Life”, shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York Ambasador i Kombit.

8 Korrik, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Zelfina Sela

Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin

June 22, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!

Ndërsa përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-s ndali rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare mblidheshin herë pas here për të denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për Pavarësinë e Kosovës, që ju e donit aq shumë!

Por ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’pata një ndjesi se po vazhdonit të na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.

Ju ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe Kastriotit të vrarë e masakruar nga kuçedra serbe.

Ata dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta…ato duken të kthjellta në bebëzat e syrit tënd.

Ikja tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!

Brenda gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.

Edhe pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë…

E kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.

“Vizioni juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës NEKIBE KELMENDI dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.

Ju ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.

Amaneti tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Ju tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij: Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo lule/ në çdo gur, në çdo rrugë…

Ju prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot sythe në pemën e madhe të Lirisë!

Tani ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr…

21 Qershor, 2011

Staten Island, New York

Filed Under: Analiza Tagged With: homazhe, Keze Kozeta Zylo, Nekibe Kelmendi

Mësues Selam Gjoni do të kujtohet përgjithmonë

June 11, 2020 by dgreca

Më 1996 propozohet edhe hedh kanditaturën për deputet në qytetin e Tepelenës, i cili në fushatën e tij udhëhiqej nga idetë e Mid’hat Bej Frashërit, pasi i ati i tij Hysni Rrapo Gjoni kishin qenë me Ballin Kombëtar, si dhe nipi i Sejfulla Malëshovës një figurë e madhe dhe poliedrike e Kombit. /

Me Kryetarin e Partise se Ballit Hysen Selfo gjate fushates.

Nga Keze Kozeta Zylo/

Figura e mësuesit duhet të jetë figura më e pastër dhe të udhëheq me shembullin e tij, një mësues të tillë e ka pasur Mezhgorani i Tepelenës.  Ndonëse e kaloi vitin e tij në amëshim që kur u largua nga kjo botë mësimdhënia e tij vazhdon të ketë ndikim ashtu sic thotë Henry Adams se: “Një mësues ndikon në përjetësi: ai kurrë nuk mund të tregojë se ku ndalet ndikimi i tij.”

Ja si shkruan ish nxënësja e mësues Selamit Margarita Pasha: “Njihet për një mësues me autoritet dhe zotërues perfekt të lëndëve që Ai jepte në këtë shkollë.  Edhe pse larg shtëpisë dhe familjes, ky mësues njihej për veshjen me finesë dhe shumë i rregullt. Ne kemi qenë në atë konë dy motra dhe dy vëllezër që na ka dhënë mësim ky profesor i nderuar.

Mesuesi me nxenesit e tij…

Çdo gjë që unë di dhe që krenohem për zotërimin e njohurive në histori, gjeografi i dedikohet këtij mësuesi fisnik.Mbaj mend kur kishim spartakiadë në Buz me të gjitha shkollat e krahinës dhe mua profesori më përzgjodhi në vrap dhe kërcim së gjati. Kam fituar garën në kercim së gjati me 4.57 cm, dhe më tha: – Pasha je hedhur si një kangur! Të gjitha lëndët që më jepte ky mësues i mrekullueshëm unë I kisha dhe i kam përzemër edhe sot. Motra ime e ka pasur mësues kujdestar dhe ky profesor foli në këshillin pedagogjik që motra të shpallej si nxënsja më e mirë e vitit për këtë shkollë ku si shpërblim iu dha dhe një pako nga zyra arsimore Tepelenë.

Mësues Selam Gjoni e pa dritën e jetës nga prindërit zemërbardhë dhe mikpritës Hysni dhe Emblo Gjoni.  Shkollën fillore e mbaroi në Mezhgoran, në një vend me një histori të jashtëzakonshme për arsimin kombëtar, ku burrat e ndritur të Kombit si Fehmi Bej Mezhgorani, Sami Mezhgorani, Beqir Samiu vazhdojnë të jenë dritëdhënës për Arsimin Kombëtar.  Por nuk mjaftonte vetëm kjo traditë e përgjithshme, prindërit e tij ishin shumë arsimdashës ndaj me mund dhe sakrifica të mëdha arritën që ta shkollonin.  Të ndahesh nga familja qysh në moshë 10 vjec dhe të jetosh në konvikte për shkak të mungesës së shkollës 8 vjecare ose dhe të tjera është një sacrifice e tejlodhshme.  Sidoqoftë peripecitë në jetë duket se nuk iu ndanë, për shkak të biografise që i rrinte mbi kokë.

I dekoruar nga Presidenti i shqiperise Dr. Sali Berisha…

Mësues Selam Gjoni është nip i prof.Sejfulla Malëshovës pasi nëna e prof.Malëshoves ishte nga dera e Rrapajve në Mezhgoran. Dhe këto “cene” në biografi sipas regjimit komunist ishin penguese.  Pasi mbaroi shkollën pedagogjike në Korce, shkoi ushtar. E bija e tij Blerta tregon se kur ishte në ushtri që e bëri për tre vjet e shfrytëzoi kohën në maksimumin e tij duke ndjekur njëkohësisht edhe leksionet për t’u diplomuar më vonë ne universitetin për histori-gjeografi.

Si një nxënës i shkëlqyer në studime sidomos në fizikë administrata e repartit ushtarak e kishte spikatur për ta rekrutuar për të vazhduar shkollën e oficerëve. Ai nuk e pranoi pasi nje mik i familjes z.Shaban Durmishi e kishte këshilluar të mos shkonte për officer, sepse do të kishte probleme më vonë, ngase ishte i biri Hysni Rrapo Gjonit që kishin qenë me Ballin Kombëtar dhe i nipi i Sejfulla Malëshovës një figurë e madhe dhe poliedrike e Kombit.  Ishte koha kur lulëzonte lufta e klasave pamëshirë, kështu që djaloshi me plot ëndrra po luftonte per t’u shkolluar në drejtime të tjera sipas kushteve të diktuara.   

Pasi mbaron ushtrinë emërohet mësues në fshatin Zhapokikë dhe më vonë në Gllavë të Tepelenës. Ai punoi larg familjes plot 15 vjet resht dhe kthehej vetëm të shtunave në shi dhe në breshër duke udhëtuar me orë e orë të tëra në këmbë, një stërmundim mësuesish.

Ishte pjese e formacionit te Djathte te Politikes shqiptare.

Pasi krijoi familjen e tij me bashkëshorten fisnike dhe shumë të sjellshme veterineren profesioniste Qerime Gjoni dhe u gëzuan me tre fëmijë Blertën, Julianën dhe Hysniun në vitet e fundit deri n ë demokraci kontriboi si mësimdhënës në Mezhgoran deri më 1990 ndërsa më 1992 për dy vite ishte drejtori i shkollës.

Mësues Selam Gjoni punoi plot përkushtim për mësimdhënien, injektoi dashurinë për Mëmëdheun në orët e mësimit, ndaj brezat s’e harrojne kurrë.  Pena dhe mësimet e tij janë sic thotë Scott Hayden se: “njerëzit qe s’harrohen kanë tre dashuri: dashuria për të mësuar, dashuria e nxënësve dhe dashuria për të bashkuar dy dashuritë e para.”

Personalisht si bashkëfshatare e tij ndjehem krenare që një mësues iu perkushtua mësimdhënies me plot pasion, kulturë dhe dashuri. Ai ishte një patriot dhe mësues që dha tërë jetën kontribut të cmuar në arsim në disa fshatra, si dhe në fshatin e tij të lindjes Mezhgoran. 

Mësues Selami do të kujtohet me respekt nga shumë breza që mësoi dhe edukoi si dhe nga të gjithë ne mezhgoranasit që biseduam dhe njiheshim mirë me njeri tjetrin. 

Mësues Selami cmonte dhe vlerësonte kulturën, ishte një familjar i shkëlqyer dhe tejet i kujdesshëm për vëllezërit dhe motrat e tij.  Mësues Selami është nga ajo armatë intelektualësh që la gjurmë në shkollat ku dha mësim.

Mësues Selamin do ta kujtoj me plot respekt dhe gjithmonë i shpreh mirënjohje time dhe të familjes që s’mungoi kurrë në promovimin e librave të mi në Muzeumin Kombëtar si dhe komunikimin intelektual që kishim së bashku ne F/B në rrjetin më të madh social. 

Në vitin 1995 presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Sali Berisha e vlerëson me medaljen  “Naim Frasheri”

Ikja e tij e parakohshme ishte befasuese, por nga ana tjeter la memorjen intelektuale dhe edukative qe do të kujtohen përgjithmonë, pasi ai ishte sic thotë shkrimtari i shquar amerikan Robert Frost se: “I am not a teacher, but an awakener,” që përkthehet: “Unë nuk jam mësues, por një zgjues.”

Pas përmbysjes së regjimit diktatorial

Me lindjen e demokracisë propozohet për pozicionin e shefit të rendit në komisariatin e Tepelenës si një nga negociuesit dhe kontribuesit në arsimim, si dhe figure e pastër publike ku pranoi dhe vazhdoi detyrën në këtë pozicion deri më vitin 1995.

Më 1995 propozohet edhe hedh kanditaturën për deputet në qytetin e Tepelenës, i cili në fushatën e tij udhëhiqej nga idetë e Mid’hat Bej Frashërit nje diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar, një ndër etërit e nacionalizmit shqiptar, Kyetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” etj.

Më 1996 emërohet officer me gradë të lartë në të njëjtin komisariat ku spikatet për zgjidhje të shumë çështjeve edhe konflikteve delikate si të individëve edhe në veçanti të një prej shkrimëtarëve si z.Hoxha dhe bijës së tij gazetare me ideologji komuniste, por që kishin e gëzonin respekt për njëri tjëtrin si bij të Shqipërisë.  Ata i ndihmoi të shpëtojnë nga lufta civile që ndodhi më 1999, dhe me këtë vepër zemërmire, diplomaci, humanizëm e ndershmëri vërtetoi se intelektualët dhe mësuesët e ndershëm e duan njëri tjetrin e duan Shqipërine pamvarësisht idealeve të kundërta.

Sidoqoftë padrejtësirat duken se nuk mbarojnë kurrë.  Kështu më 12 shtator të 1998-ës ishte i shkarkuar nga detyra dhe kishte plot 6 muaj pa punë.  Në këtë kohë me dhimbje të madhe mësoi se ishte vrarë Azem Hajdari i cili e priti me hidhërim këtë ngjarje.  Për herë të parë do të emigronte drejt shtetit grek deri më vitin 2000.

Pasi kthehet nga mërgimi nuk arrin të punësohet përsëri deri më 2004.

Më shtator të 2004-ës fillon mësues në shkollën tetëvjeçare në kombinat të Tiranës ku has vështirësi të mëdhaja pasi i rikthehet mësimdhënies pas 12 vitesh ku nxënësit nuk ishin më të njëjtët dhe dashuria për dituri ishte pothuajse zbehur e venitur.

Më 2007 emërohet Sekretar i Përgjithshëm i PBKD (Partia e Ballit Kombëtar Demokrat) e cila drejtohej nga z.Hysen Selfo, ku z. Selam Gjoni kontribuoi deri më 2008.

Më 2008 udhëheq fushatën e z.Hajredin Fratarit për Ballin Kombëtar.

Më 2008 emërohet Oficer Informacioni në burgun 313 dhe më 2010 tek burgu 325 deri më 2014, ku shkarkohet në padrejtësi për shkak të ndryshimeve politike. Po në këtë vit apelon për heqjen nga puna ku gjyqi zgjat tre vite në mbështetje nga avokatët e shtetit dhe në fund të 2017-ës vendos të apelojë edhe mbrohet vete në sallën e gjyqit ku fiton gjyqin me 12 rroga pagesë.

Më 2015 del në pension. Në kohën e pensionit vendos të meret me kultivimin dhe rritjen e bletarisë. Fatkeqësisht më janar të 2019-ës sëmuret, ku diagnostikohet me leuçemi akute ku jeton shëndetshëm deri më 19 shkurt të 2019-ës ku shuhet në spitalin e Nënë Terezës në departamentin e Hematologjisë Tiranë.

Përcillet me dhimbje e nderime nga familjarët e të afërmit, nxënës, kolegë e gjithë dashamirësit e tij ku nderuan me pjesëmarjen në varrimin e tij më mijëa qytetarë nga gjithë Shqipëria.

Perkushtimi intelektual, mësimdhënia plot kulturë dhe profesionalizëm, dashuria për nxënësit e bëjnë mësues Selam Gjonin që të kujtohet përgjithmonë.

Autorja është drejtore e medias TV “Alba Life”, shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

10 Qershor, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Mesuesi, Selam Gjoni

Flet Dr.Pjerin Gjoni nga Fronti i Luftës, mjek i emergjencës 118 në Itali

June 3, 2020 by dgreca

Nga një refugjat i 91-it në Brindisi sot Doktor në emergjencë në Itali/

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Pas marrjes së diplomës së dytë në mjekësi në Itali dhe specializimit per 4 vite në Bari për mikrobiologji e virologji, fillova të ushtroj profesionin tim si mjek emergjence 118 në qytetin e bukur bregdetar të Brindisit, aty ku më 6 Mars të 1991 gjetën mikpritjen 24 000 shqiptarë e ndërmjet tyre, edhe unë.

Dr.Gjoni po jetojmë në kohën e Luftës, një luftë që më shumë se kurrë mjekësia po përballet me një armik të padukshëm, cila është detyra juaj si mjek në këtë kohë dhe ku shërbeni konkretisht?  

Ju falënderoj para së gjithash znj. Kozeta  për intervistën që kam nderin ta bëj me një Zonjë  të nderuar si ju që i është kushtuar jo vetëm mësimdhënies, por edhe  publicistikës, poezisë etj.  Falë teknologjisë së sotme mund të shkurtojmë distancat dhe të bëjmë të mundur këtë gjë. 

Mëse e vërtetë , e gjithë bota është përfshirë në një luftë me një armik sa të vogël në dimensione, por aq shumë të rrezikshëm pse i padukshëm, pse ka një shpejtësi përhapje të madhe sepse ka një vdekshmëi të lartë dhe nuk ekzistojnë akoma armët për ta luftuar, vaksina.
Të jesh mjek emergjence 118 nuk është aspakt e thjeshtë, pasi cdo ditë hasesh me të gjitha llojet e mundshme të sëmundjeve dhe të emergjencave të krijuara prej tyre. Kuptohet që  përgatitja e qualifikimi kostant ne baze të protokolleve të AHA-s si provider e si eksperient provider, eksperienca e krijuar nga 41 vite punë tashmë  dhe studimi i vazhdueshëm bëjnë që çdo ndërhyrje të bëhet duke dhënë nga vetëvehtja maksimumin e mundshëm si nga ana profesionale, humane, ashtu si dhe nga ajo organizative si team leader i grupit në ambulancë.  Gjithçka arrihet nga koordinimi i punës në grup duke respektuar rolin e sejcilit.  Duke patur parasysh që në këtë kohë që po jetojmë, atij fluksi të zakonshëm emergjencash, i është shtuar ky i covid 19, pa dyshim që vështirësia e rreziku i punës është rritur mjaft.  

Pas marrjes së diplomës së dytë në mjekësi në Itali dhe specializimit per 4 vite në Bari për mikrobiologji e virologji, fillova të ushtroj profesionin tim si mjek emergjence 118 në qytetin e bukur bregdetar të Brindisit, aty ku më 6 Mars të 1991 gjetën mikpritjen 24 000 shqiptarë e ndërmjet tyre, edhe unë. Nuk mund të dija në ato momente se do të vazhdoja të rrija apo jo në këtë qytet të regjonit të Puglia -s por, brenda meje  që në atë moment ekzistoi dëshira për t’i dhënë sa më shumë nga vetevehtja profesionalisht e humanisht  njerëzve të këtij qyteti, per  t’i rikthyer sadopak banorëve të tij nga ajo mikpritja e tyre e marsit 1991.  Edhe pse me qytetari italiane prej vitesh, përsëri sot më njohin si Doktor shqiptar e njëkohësisht janë krenar që jam bashkëqytetar i tyre. Kjo gjë ka ardhë në mënyrë graduale pas vite pune e sakrificash. Ndjehem i  nderuar nga vlerësimet e tyre dhe i  motivuar  për të dhënë gjithnjë maksimumin tim natyrshëm, sepse veç  kështu merr kuptim ai betim i  bërë në fillim të profesionit, ajo bluzë e bardhë apo veshje e emergjencës në trup. 

Ju jeni direkt në frontin e Luftes ku Italia në bazë të statistkave ishte ndër vendet e parë në këtë tragjedi si po e përjetoni si mjek këtë gjendje të pacientëve italianë? 

Të qenurit mjek i emergjencës  bën që gjatë jetës profesionale të shohesh e te asistosh raste nga më të ndryshmet e të vështirat si nga ana profesionale, ashtu si edhe ajo humane . Në ndryshim nga çfarë ndodhte më parë, kur të afërmit janë më në kontakt me të sëmurin, në rastet me Covid 19, mungon ky element kaq human shume i rëndësishëm për të sëmurin vetë dhe familjarët e tij . Në të gjitha rastet, por sidomos në ato më të rëndat, ai moment ndarje, kur të afermit nuk dilnin dot nga shtëpia dhe e vetmja pikë lidhje mbetej veç një numër telefoni i familjarëve për të lajmëruar ecurinë e sëmundjes së pacientit,  është një moment vërtetë i vështirë për t’u suportuar nga ana shpirtërore.  

Në atë itinerar të rrugës drej spitalit i gjithë ekipi në ambulancë mobilizohet t’i jap pacientit asistencën e duhur mjekësore dhe atë shpirtërore si një të afërmit të tij.  I japim jo vetëm oksigjen mushkërisë, por edhe shpirtit, ne atë  formën e ngrohtësisë njerëzore.  Ndodh mjaft herë që ato minuta në ambulancë për të sëmurin bëhen vendimtare për ecurinë e sëmundjes, prandaj për të gjithë ekipin bëhet e domosdoshme të luftojë në maksimum për t’i shpëtuar jetën dikujt. 

Tragjedia e kësaj pandemie për të sëmurët e të afërmit është shkëputja nga njerëzit e dashur dhe vdekja larg tyre në vetmi, në rastet më fatale. Sa e sa pamje u përsëritën në TV në vende ë ndryshme në bote si ato të Bergamo-s në Itali, që na lanë të gjithëve të ngrirë, të pa fjale  tek shihnim e shohim akoma qindra mijëra tragjedi mbyllur në arkivole.  

Ndjen dhimbje kur shikon që shtohet numri i viktimave mbi të cilat fitoi virusi e jo mjekësia edhe pse e përparuar në vitin 2020. 

Nga analistët e mediave dhe opinionistët e ndryshëm duket se ky virus vdekjeprurës e ka gjetur administraten italiane komplet të papërgatitur cili është opinioni juaj?    

 Relativisht mund të them, pasi mendoj që, asnjë lloj administrate mund të ishte  gjetur e përgatitur për të përballuar atë lloj përhapje të pandemisë siç ndodhi kryesisht në Lombardi e më pas edhe në disa  regjone të tjera të Italisë. Nuk mund të mendohej që, nga ai Wuhan i largët në Kinë, vendi që do të goditej keq direkt pas tij nga pandemia do të ishte Italia. Lidhjet tregtare të Italisë me Kinën janë të shumta. Është e bukur të mendosh që njerëzit janë të lirë të lëvizin nëpër botë, por në këtë rast, kush është mbartës i virusit, bëhet edhe përhapës i tij pa dashje.
Është e lehtë të gjykosh nga larg për administratën e një vendi, por kur e jeton konkretisht atë gjendje epidemie nuk është e thjeshtë të marrësh masat e duhura në kohë, jo vetëm për rregullat europiane që duhen respektuar në drejtimin ekonomik por  edhe për vetë faktin që shpejtësia e përhapjes së virusit nuk të jep kohë për vendime të vonuara apo zgjidhje burokratike e jo praktike të problemeve.  Një  element tjetër pengues, siç qe mbajtja e maskave nëpër vendet ku ato tranzituan per te arritur në Itali, që i pati aq të domosdoshme, rëndoi edhe më shumë gjendjen në evolucion që administrata italiane duhej të përballonte çdo ditë.  Pra qe bashkimi i një seri faktorësh që komplikuan gjendjen për të përballuar një situatë të tillë. Pa dyshim ka vend për të menduar që gjërat duhet të bëheshin më mirë dhe të koordinohej në nivel kombëtar e europian një përballje në unison e kesaj pandemie. Si pa dashur ky rast tregoi që kontinenti europian është i vjetër në ekzistencen e ti,j por akoma i ri në bashkimin e vendeve që e përbejnë atë, në perfeksionimin e bashkimit të tij, në ndryshim nga USA që funksionon në bazë të një bashkimi shtetesh më perfekt, gjë që u pa ne masat e marra ne drejtim ekonomik e social për të përballuar situatën.  Inerzia istitucionale, si ne nivel europian ashtu edhe atë italian, shtuar këtu edhe burokracinë, të bën të mendosh ( jo vetëm për numrin e lartë të të vdekurve, por edhe atë të njerëzve për të jetuar me një ekonomi të ndaluar në shumë sektorë të saj se cili është ai kufiri i dhimbjes së dukshme që mund t’i bëjëtë lëvizin istitucionet në një mënyrë më të shpjetë e praktike.

Për fat të mirë Italia është  jo vetëm vendi i bukurive natyrore, i gjenive në kohë, në fusha të ndryshme të shkencës apo artit në të gjitha format e tij, por është  gjithashtu edhe vendi ku spikat ajo ndjenjë e bukur solidarieteti, është ai vend ku njerëzit përveshin mëngët për të filluar  rimëkëmbjen …. 

Shpresojmë njëkohësisht që qeveria të realizojë me një plan afat mesëm një përmirësim të sistemit sanitar kombëtar dhe të fillojë të investojë më shunë në fushën e kërkimeve shkencore për t’i dhënë mundësi shumë kërkuesve të rinj dhe jo të japin kontributin e tyre të vlefshëm në Itali dhe jo të marrin rrugën e mërgimit për mungesë fondesh, edhe pse kudo janë, ato mbeten një krenari italiane në botë.

Si e keni pritur këtë pandemi globale në vehten tuaj si njeri, si mjek dhe më konkretisht në familje?  

Në të tre rastet, si njeri, si mjek dhe në familje, gjëja e parë që ndjen brenda vehtes është pasiguria e një bote ku po jetojmë dhe çfarë po i lemë brezave të ardhshëm.  Siç jam shprehur më sipër, si njeri ndjehesh keq brenda vehtes për atë dhimbje e vuajtje që sheh tek njerëzit . 

Si mjek aq më fort si virolog e mikrobiolog, ( pa i dhënë precedencë asnjë lloj teorie të prejardhjes së covid 19, se nga laboratori i Wuhan-it apo jo ) mendoj që mjafton, jo keqdashja, por qoftë edhe pakujdesia më e vogël e njerëzve që punojnë në laboratore edhe pse të një farë livelli të lartë, për t’i dhënë botës një pandemi të këtij lloji. 

Familja është gjëja më e shtrenjtë që njeriu kërkon ta ruaj në çdo moment shumë, aq më fort pastaj, një mjek në kohë pandemie, që në punën e përditshme i takon të ketë rastet me Covid 19, duhet të shumëfishojë mbrojtjen e kujdesin ndaj pjestarëve të saj . Nuk është aspak e thjeshtë për t’u realizur në kushte konkrete kur prezenca e atij “armiku” të rrezikshëm e të padukshëm vazhdon të jetë …

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si mjek, por dhe si virolog dhe mikrobiolog?  

Eksperieca italiane dha një ide të qartë të përhapjes së virusit e cila u kërkua të ndalohej me izolimin e detyrueshëm nëpër shtëpi të pjesës më të madhe të  popullsisë. Kjo gjë dha efektet e veta pozitive në mospërhapjen më të gjerë të virusit. Për fat të mirë edhe në Shqipëri u aplikua kjo gjë . 

Nuk di se me çfarë rregullsie vazhdon sot sistemi i vaksinimit në Shqipëri, por deri në vitin 91 ato bëheshin shumë të regullta. Një ndër to ishte edhe vaksina kundër TBC, gjë që mendohet sot që është diçka shumë pozitive për njerëzit që kanë antikorpe të tilla në përballimin e Covid 19.

Cilat janë disa nga këshillat tuaja më të rëndësishme si mjek për publikun e gjerë?

Pavarësisht nga faza virale që mund të jemi, apo edhe pse fuqia virale mund të fillojë të bjerë, në kushtet e mbarimit të izolimit në shtëpi, sepse edhe ekonomia duhet të lëvizi,  duhet gjithësesi të ruajmë distacën e duhur, të përdorim maskat, dorezat një përdorimshe, larja e shpeshtë e duarve dhe dizifektimi me substanca dizinfektante me bazë alkolike. 

Duhet të evitojmë të fërkojmë sytë me duart jo të lara. 

Nuk duhet të neglizhojmë asnjë lloj ndjesie lodhje pa shkak, të ndonjë vize ethe, ngacmim tek grykët, kollë të thatë,  apo çdo lloj ndjesie tjetër që mund të ndjejmë si jo të zakontë.

Është një periudhë kohe bashkëkzistence me virusin në të cilën duhet të përshtatemi dhe njëkohësisht të mos ulim nivelin e masave mbrojtëse ndaj tij. 

Si e fillon ditën Dr.Gjoni?  

Në varësi të asaj ku gjendem, mund të them që e filloj ditën në dy mënyra të ndryshme. 

Ka ditë që fillojnë në atë ngohtësinë e kënaqësinë familjare e të tjera që më gjejnë në të gdhirë të turnit të natës në punë, në emergjencë.  Dy mënyra krejt të ndryshme të fillimit ë ditës, por gjithësesi edhe kur gjendem në punë dhe shpëtojmë jetë njerëzish apo edhe i ndihmojmë të lehtësojnë dhimbjet e sikletet nga sëmundje të ndryshme, ndjehesh  brenda vehtes përsëri mirë në shpirt. 

Më ndodh shpeshherë mëngjeseve të kthehem në shtëpi me një tufë lule në dorë, edhe pse ndoshta pas një nate tëlodhshme pune , pas rastesh që të mbeten ndër mend , pikërisht për t’i dhënë atë rëndësinë që ka për t’u shijuar çdo moment i ditës, i jetës në të gjitha format, për të parë buzëqeshjen e gruas time që “humb “ midis kënaqësisë së rregullimit të buqetave të luleve .

Diku një lule, diku një kafe buzë detit së bashku me gruan etj, etj në dukje gjëra të vogla, por që të bëjnë të ndjesh njëkënaqësi të madhe në shpirt dhe të fillohet dita me atë dozën e duhur të optimizmit për të vazhduar me problematikat e tjera gjatë ditës.

Cila është fëmijëria juaj, edukimi, origjina dhe çfarë do të kujtoni më shumë prej saj?

Lindur e rritur në qytetin e bukur bregdetar të Durrësit mes valëve të Adriatikut, në një fëmijëri të thjeshtë e të bukur, mes një edukate familjare e ndjenjë qytetarie të theksuar, kaluan si pa kuptuar vitet e rritjes, adoleshencës etj të jetës time. 

Rrënjët familjare, prejardhja e gjyshërve të mi është nga Kosova (Prishtina , Prizreni e Gjakova ) Prindërit kanë qenë të ardhur shumë të rinj në Durrës. Babai, Mark  Gjoni , filloi punën direkt në kantierin detar të Durresit për mobilim anijesh, pas mbarimit të shkollës 4 vite në Alessandria  (Itali) për të njejtën degë. Mamaja, Sofia (Katerina) Berisha ishte rrobaqepëse në profesionin e saj, një grua me një optimizëm të pashoq për jetën.  Rritur nga dy prindër të ndershëm dhe të zotët profesionalisht edhe fëmija më pas kërkon të bëhet shëmbelltyrë e tyre . 

Nga fëmijëria e sidomos në vitet kur u rrita e fillova të hidhja hapat e mi të parë si mjek, kam të pashlyer në kujtesën time në mes shumë gjërash të tjera, bisedat me të vetmin gjysh që njoha, ate nga mamja, Luigj Berisha. Më tërhiqnin bëmat që më tregonte për kohën e luftës e të kthimit të tij në Shqipëri pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në Austri e midis tyre kujtoj të më tregonte për mikun e shokun e tij të mirë në Akademine e Austrisë, z. Luigj Mikeli.  Evidentova këtë gjë të fundit pasi jeta është e çuditshme se, fati më dhuroi të kem grua, shoqe jete, mbesën e shokut aq të dashur të gjyshit tim, kjo gjë ndodhi edhe pse jetonim në dy qytete të ndryshme unë e Ledia. E ne djalit tone më pas, vazhdimësisë tone të bukur, nuk mund t’mos i vendosnim veçse emrin Luigi, në përkujtim të tyre…

Jeta është një ndërthurje momentesh herë të vështira e herë të bukura, ashtu siç qe edhe kjo bisedë me ju e nderuar znj Kozeta. Edhe pse tematika predominante e kësaj bisede është me të drejtë për një preokupim të madh me përmasa botërore, gjatë intervistes tuaj e ndjen vehten sikur të njiheshim prej vites. Më pelqen ta mbyll me nota optimizmi të moderuar, të kujdesshëm me shpresën që çdo ditë që kalon i afrohet gjetjes së një vaksine të përshtatshme për rastin e Covid 19 sipas studimeve të bëra deri sot, duke shpresuar gjithashtu në mos trasformimin të tij në kohë që mund të bëjë të ulet efikasiteti i vetë vaksinës . 

Të gjithë bashkohemi në një lutje që kjo situatë e krijuar në botë të superohet sa më shpejt. 

Shpresoj dhe lutem të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.

Ju faleminderit Dr.Gjoni për bisedën dhe paçi shëndet! 

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

2 Qershor, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Pjerin Gjoni, Itali, Keze Kozeta Zylo

Lamtumirë mësuesi veteran i Dibrës z. Zyhdi Daci-Humbi jetën në aksident në Staten Island, NY

May 24, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/*

Në Staten Island në Nju Jork është ndarë nga jeta veterani i arsimit shqiptar në Dibër z.Zyhdi Daci.  Zoti Zyhdi Daci në moshën 79 vjeçare humbi jetën nga nje aksident automobilistik në një lagje të Nju Jorkut, Staten Island ku dhe ai banonte duke lënë në pikëllim bashkëshorten e tij fisnike znj.Lutfije dhe dy fëmijët e mrekullueshëm Julindën dhe Fisnikun.  

Ai po ecte në rrugen e tij me biçikletë, udhëtim që e bënte përditë dhe e kishte pasion ecjen me biçikletë, por mjerisht një shofer me automjetin e tij e goditi për vdekje në zonën “Bulls Head” në rrugën “Signs Road”.  

Mësuesi veteran nga Dibra e Madhe, qytet shqiptar nën shtetin e Maqedonisë së Veriut ka dhënë një kontribut të vyer në mësimin e gjuhës shqipe në dhjetra breza dibranësh.  Me dhimbje të thellë e morëm lajmin e vdekjes së tij të parakohshme, vdekje që i erdhi nga aksidenti rrugor.  

Ndonëse jetojmë në kohë pandemike, një kohë lufte e pazakontë botërore dhe në Amerikë gati 100. 000 njerëz kanë humbur jetën nga Covid 19, përsëri ka njerëz që humbin jetën nga shkaqe të ndryshme si në rastin në fjalë me te ndjerin Zyhdi Daci.  

Në bisedat tona shpesh na tregonte për orët e mësimit që zhvillonin në shkollën shqipe në Dibër së bashku me bashkëshorten e tij, znj.Lutfije Daci një tjetër veterane e arsimit shqip.  

Ai ishte një rrëfimtar i mirë i historive dhe kishte një memorje të shkëlqyer, por ajo që e bënte më tërheqëse për ne që e dëgjonim ishte qetësia e tij dhe mënyra si i tregonte. Ne i njohëm ata në Kolegj në Globe Institute në Manhattan, ku edhe pse në moshe të thyer ata kishin etje të mësonin gjuhën angleze dhe të njiheshin më shumë bashkatdhetarë të tjere shqiptarë apo dhe me kombësi të ndryshme.  Z.Zyhdi Daci shprehte mirënjohjen e pakufishme dhe për popullin e Tiranës që i mirëpriti dibranët në kohën e shpërnguljeve të mëdha, të eksodeve që boshatisën Dibrën në vitet 1913-1915 dhe më pas.

Zoti Zyhdi Daci merrte pjesë në shumë aktivitete në Diasporë ku kulmonin me Shoqaten Atdhetare “Dibra”  dhe ishte aktiv me sa mundësi që kishte.  Ai ishte një besimtar i devotshëm dhe e donte Amerikën, Atdheun e dytë të shqiptarëve.  

Si familje kemi pasur lidhje dhe i kemi njohur nga afër këtu në Diasporë në New York.  Të dy si bashkëshortë kanë marrë pjesë në disa aktivitete të Shkollës Shqipe “Alba Life” qysh në krijimin e saj.

Nuk kishte më kënaqësi kur për disa kohë i shikonim si gjyshër të vinin pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island duke sjelle mbesën e tyre prej dore Lejlën e bukur dhe aq të sjellshme.  Në takimet mëngjesore të shtunën në hollin e shkollës me prindërit ai shpesh i këshillonte: Ne edhe pse jemi mësues të dy ne e sjellim mbesën tonë këtu në shkollë me shumë kënaqësi.  Dhe ja pse: u shpjegonte veterani me shumë dashuri dhe emocion hapjen e shkollës shqipe, sepse nuk ka si shkolla, mjedisi, klasa, mësuesi si dhe dalja para klasës kur flet shqip, të gjitha këto së bashku krijojnë efektet e duhura të të nxënit për të mësuar gjuhën amtare, ndryshe ajo do të ngelet e cunguar.  Ai shpesh sillte me qetësinë e tij fjalë të mënçura nga dijetare, që ne të mos rreshtim asnjëherë për t’ju mësuar fëmijëve tanë gjuhën e ëmbël shqipe, ose recitonte poezi nga Naim Frasheri poet qe e kishte shumë për zemër si: Gjuha jonë sa e mirë/ Sa e ëmbël, sa e gjerë/ Sa e lehtë, sa e lirë/ Sa e bukur, sa e vlerë!

Mbesa jonë e parë Dea pati fatin që të kishte në vitin e parë të jetës së saj për kujdestare bashkëshorten e Zyhdiut, mësuese Lutfijen dhe sigurisht mirënjohja jonë do të jetë përgjithmonë.  I ndjeri Zyhdi gjatëdiskutimeve kishte dhe një humor të hollë, ja i thoshte babait tim Brahimit me të cilin krijoi miqësi në vitet e fundit të jetës dhe dilnin bashkë në park, unë do të mesoj dialektin dibran, ju dialektin toskë dhe bisedonin pafund për historitë e ndryshme kombëtare. 

Këta mësues veteranë shqiptarë që janë pasuri për ne në Diasporë dhe që duan që brezat e lindur jashtë Mëmëdheut të mos e harrojnë gjuhën shqipe duket sikur na kujtojnë mendimtarët e lashtë se: “Ai që e zotëron gjuhën e vet vlen më tepër se ai që pushton një qytet”.

Ata vazhduan t’ju mesojnë ABC-në edhe në shtegtim nipërve dhe mbesave të tyre, vazhduan t’i ushqejnë rrënjët e pemës gjenealogjike të Rilindasve, që dhanë gjakun e tyre për Alfabetin shqip. Shkronjat shqipe janë dritëza në çerdhen e Diasporës dhe keto i përhapin mësusesit e përkushtuar ndër familjet e tyre apo ku të kenë mundësi të ndryshme.  

Këta burra patriote mbajnë gjallë vlagën e Mëmëdheut tonë!

Me humbjen e parakohshme të Tij, famija humbi njeriun më të dashur, Diaspora ka nje shqiptar atdhetar më pak, ndërsa Dibra një veteran të arsimit që do i mungojë përgjithmonë.

Dritë ju pastë shpirti në Parajsë!

Lamtumirë Mësuesi Veteran Zyhdi Daci!

24 Maj, 2020- Staten Island, New York * Me Hume foto shihni ne fb Dielli vatra

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Zyhdi Daci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT