Nga Keze Kozeta Zylo/*
Në Staten Island në Nju Jork është ndarë nga jeta veterani i arsimit shqiptar në Dibër z.Zyhdi Daci. Zoti Zyhdi Daci në moshën 79 vjeçare humbi jetën nga nje aksident automobilistik në një lagje të Nju Jorkut, Staten Island ku dhe ai banonte duke lënë në pikëllim bashkëshorten e tij fisnike znj.Lutfije dhe dy fëmijët e mrekullueshëm Julindën dhe Fisnikun.
Ai po ecte në rrugen e tij me biçikletë, udhëtim që e bënte përditë dhe e kishte pasion ecjen me biçikletë, por mjerisht një shofer me automjetin e tij e goditi për vdekje në zonën “Bulls Head” në rrugën “Signs Road”.
Mësuesi veteran nga Dibra e Madhe, qytet shqiptar nën shtetin e Maqedonisë së Veriut ka dhënë një kontribut të vyer në mësimin e gjuhës shqipe në dhjetra breza dibranësh. Me dhimbje të thellë e morëm lajmin e vdekjes së tij të parakohshme, vdekje që i erdhi nga aksidenti rrugor.
Ndonëse jetojmë në kohë pandemike, një kohë lufte e pazakontë botërore dhe në Amerikë gati 100. 000 njerëz kanë humbur jetën nga Covid 19, përsëri ka njerëz që humbin jetën nga shkaqe të ndryshme si në rastin në fjalë me te ndjerin Zyhdi Daci.
Në bisedat tona shpesh na tregonte për orët e mësimit që zhvillonin në shkollën shqipe në Dibër së bashku me bashkëshorten e tij, znj.Lutfije Daci një tjetër veterane e arsimit shqip.
Ai ishte një rrëfimtar i mirë i historive dhe kishte një memorje të shkëlqyer, por ajo që e bënte më tërheqëse për ne që e dëgjonim ishte qetësia e tij dhe mënyra si i tregonte. Ne i njohëm ata në Kolegj në Globe Institute në Manhattan, ku edhe pse në moshe të thyer ata kishin etje të mësonin gjuhën angleze dhe të njiheshin më shumë bashkatdhetarë të tjere shqiptarë apo dhe me kombësi të ndryshme. Z.Zyhdi Daci shprehte mirënjohjen e pakufishme dhe për popullin e Tiranës që i mirëpriti dibranët në kohën e shpërnguljeve të mëdha, të eksodeve që boshatisën Dibrën në vitet 1913-1915 dhe më pas.
Zoti Zyhdi Daci merrte pjesë në shumë aktivitete në Diasporë ku kulmonin me Shoqaten Atdhetare “Dibra” dhe ishte aktiv me sa mundësi që kishte. Ai ishte një besimtar i devotshëm dhe e donte Amerikën, Atdheun e dytë të shqiptarëve.
Si familje kemi pasur lidhje dhe i kemi njohur nga afër këtu në Diasporë në New York. Të dy si bashkëshortë kanë marrë pjesë në disa aktivitete të Shkollës Shqipe “Alba Life” qysh në krijimin e saj.
Nuk kishte më kënaqësi kur për disa kohë i shikonim si gjyshër të vinin pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island duke sjelle mbesën e tyre prej dore Lejlën e bukur dhe aq të sjellshme. Në takimet mëngjesore të shtunën në hollin e shkollës me prindërit ai shpesh i këshillonte: Ne edhe pse jemi mësues të dy ne e sjellim mbesën tonë këtu në shkollë me shumë kënaqësi. Dhe ja pse: u shpjegonte veterani me shumë dashuri dhe emocion hapjen e shkollës shqipe, sepse nuk ka si shkolla, mjedisi, klasa, mësuesi si dhe dalja para klasës kur flet shqip, të gjitha këto së bashku krijojnë efektet e duhura të të nxënit për të mësuar gjuhën amtare, ndryshe ajo do të ngelet e cunguar. Ai shpesh sillte me qetësinë e tij fjalë të mënçura nga dijetare, që ne të mos rreshtim asnjëherë për t’ju mësuar fëmijëve tanë gjuhën e ëmbël shqipe, ose recitonte poezi nga Naim Frasheri poet qe e kishte shumë për zemër si: Gjuha jonë sa e mirë/ Sa e ëmbël, sa e gjerë/ Sa e lehtë, sa e lirë/ Sa e bukur, sa e vlerë!
Mbesa jonë e parë Dea pati fatin që të kishte në vitin e parë të jetës së saj për kujdestare bashkëshorten e Zyhdiut, mësuese Lutfijen dhe sigurisht mirënjohja jonë do të jetë përgjithmonë. I ndjeri Zyhdi gjatëdiskutimeve kishte dhe një humor të hollë, ja i thoshte babait tim Brahimit me të cilin krijoi miqësi në vitet e fundit të jetës dhe dilnin bashkë në park, unë do të mesoj dialektin dibran, ju dialektin toskë dhe bisedonin pafund për historitë e ndryshme kombëtare.
Këta mësues veteranë shqiptarë që janë pasuri për ne në Diasporë dhe që duan që brezat e lindur jashtë Mëmëdheut të mos e harrojnë gjuhën shqipe duket sikur na kujtojnë mendimtarët e lashtë se: “Ai që e zotëron gjuhën e vet vlen më tepër se ai që pushton një qytet”.
Ata vazhduan t’ju mesojnë ABC-në edhe në shtegtim nipërve dhe mbesave të tyre, vazhduan t’i ushqejnë rrënjët e pemës gjenealogjike të Rilindasve, që dhanë gjakun e tyre për Alfabetin shqip. Shkronjat shqipe janë dritëza në çerdhen e Diasporës dhe keto i përhapin mësusesit e përkushtuar ndër familjet e tyre apo ku të kenë mundësi të ndryshme.
Këta burra patriote mbajnë gjallë vlagën e Mëmëdheut tonë!
Me humbjen e parakohshme të Tij, famija humbi njeriun më të dashur, Diaspora ka nje shqiptar atdhetar më pak, ndërsa Dibra një veteran të arsimit që do i mungojë përgjithmonë.
Dritë ju pastë shpirti në Parajsë!
Lamtumirë Mësuesi Veteran Zyhdi Daci!
24 Maj, 2020- Staten Island, New York * Me Hume foto shihni ne fb Dielli vatra