• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bisedë me zonjushen Ema Hila, garuese për Miss Shqipëria 2023

June 30, 2023 by s p

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Ema Hila është një shqiptaro amerikane me banim në Florida. Ajo është 17-vjeçe dhe po merr pjesë në Konkursin “Miss Shqipëria” 2023.

Si një anëtare aktive e Diasporës natyrshëm ndihem krenare që këto bija shqiptarësh dhe pse rriten në Amerikë shkojnë në rrënjët e tyre dhe nuk i harrojnë kurrë.

Le të ndjekim bisedën:

Zonjushe Hila sa vjeçe keni ardhur në Amerikë dhe cila ka qenë fëmijëria juaj?

Përshëndetje, unë kam ardhur në Amerikë kur isha vetëm 10 vjeçe dhe që në atë moment fëmijëria ime ndryshoi krejtësisht. Nga një fëmijëri “argëtuese” dhe tradicionale, u kthye në një fëmijëri më të “shtrirë” dhe të qetë. Sigurisht, si çdo njeri kur vjen në Amerikë e ndjen ndryshimin thellësisht, por falë familjes time dhe përkushtimit të tyre, kjo fazë e jetës nuk kaloi si një “traumë” tek unë. Pavarësisht këtij ndryshimi në dy kontinente të ndryshme, fëmijëria ime ka qenë e njëjtë me një fëmijë të moshës sime.

Ju jeni vetem 17 vjeçe, por keni një portofol të pasur në fushën e modës në Shtetet e Bashkuara, na flisni ju lutem për këtë karrierë artistike?

Fillimet e mia në fushën e modelimit kanë filluar kur kam qenë 15 vjeçe, konkretisht në Barbizon. Më pas, nga pjesëmarrja ime në “Passport To Discovery,” fitova shumë kontrata me agjenci të ndryshme në botë, gjithashtu shumë vetëbesim dhe një dashuri akoma më të madhe për kompeticionet dhe sfidat. Rruga ime vazhdoi duke marrë pjesë në “Scene To Be Seen,” dhe më pas duke u bërë pjesë e kompanisë Turk&Turk në Miami, FL. Pasioni, qejfi dhe përkushtimi im ndaj botës së modelimit më kanë ndihmuar të ec përpara.

Sa kohë ju kushton të merreni me këtë fushë dhe si ja dilni për të qenë dhe një nxënëse e shkëlqyer në shkollë të mesme në Florida?

Asnjëherë më parë më nuk më është dashur të balancoj angazhimin ndaj modelimit, skuadrës së cheerleading dhe shkollës në të njëjtën kohë. Por fatmirësisht, ja kam dalë me sukses. Mendoj se disiplina dhe korrektësia në menaxhimin e kohës është çfarë bën të mundur të kesh sukses në çdo gjë që bën. Ka pasur raste kur duhej të mbaroja mësimet në shkollë, sepse pas shkolle kam pasur ndeshje deri në orën 10:30 pm, dhe të nesërmen modelim në orën 7 am. Sigurisht, që kam prioritizuar shkollën, por jam munduar t’i jap po aq rëndësi modelimit edhe skuadrës.

Kur ju ka nisur kjo ëndërr e bukur dhe a mendoni se njëditë do të pushtoni mediet si një top modele?

Kjo ëndërr e bukur ka nisur bashkë me mua. Gjithashtu, gjatë gjithë fëmijërisë sime, suporti dhe dëshira e familjes sime më kanë frymëzuar ta bëj këtë ëndërr realitet. Në të ardhmen e afërt, pres nga vetja që të jem një influencer dhe top modele në media sociale, duke shpresuar që mund të kem sado pak fuqi për t’i inkurajuar vajzat të kenë vetëbesim në vetveten dhe në atë që bëjnë. Por si profesion, kam dëshirë të madhe të vazhdoj për mjekësi, pasi mendoj se nuk ka forcë më të madhe se të ndihmosh dikë në nevojë.

Cilat janë disa nga përshtypjet tuaja në natën e parë të siparit të edicionit të 25-të, ku ishin të pranishëm emra të njohur nga showbizi shqiptar, artistë, politikane etj?

Sigurisht, që në natën e parë kur takova të gjithë stafin dhe konkurrentët, kisha jashtëzakonisht shumë emocione. Ndoshta nga kamerat, vajzat apo edhe vetë nga lumturia që kisha brenda vetes! Por kur i pashë se të gjithë ishin të qeshur dhe të ëmbël, u ndjeva më e qetë. Të pranishëm ishin Petri Bozo, Drita Ziri, Hygerta Sako, Olta Ahmetaj, Ertemiona Mejdani. Të cilët jo vetëm na mikëpritën në mënyrë shumë të shkëlqyeshme, por edhe kishin një humor që të bënte për vete.

Cilat janë ëndrrat e tua për të ardhmen?

Në të ardhmen, unë endëroj që t’i kem plotësuar vetes dëshirën dhe pasionin për botën e modelimit. Por përveç kësaj, sigurisht kam dëshirë të kem profesionin e ëndrrave të mia, i cili është “gjenetologe,” dhe të ndihmoj sa më shumë vajzat. Gjithashtu, dua të eci kudo nëpër botë me kokën lart.

Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët në Amerikë dhe kudo në Diasporë?

Ajo që unë ka dëshirë t’i them çdo shqiptari nëpër botë është: “Kudo që jeni, mos harroni nga cili vend vini dhe çfarë gjaku kemi brenda venave tona, gjithmonë rikthehuni Shqipërisë për ta zbukuruar akoma më shumë këtë vend që na bën kaq krenar.”

Faleminderit për bisedën dhe shumë urime nga unë dhe TV “Alba Life” USA

Zonja Kozeta keni falënderimet e mia për punën dhe mundësinë që ofruat. Ju falënderoj nga zemra dhe suksese juve dhe TV “Alba Life” USA.

29 Qershor, 2023

New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Bisedë me stërnipin e Ismail Bej Vlorës, z. Qamil Ismail Vlora

June 27, 2023 by s p

Ati i Pavarësisë së Kombit Shqiptar Ismail Bej Vlora u përjetësua dhe në Amerikë në vendin më demokratik të botës. Një nga rrugët kryesore në Staten Island, New York u pagëzua me emrin e madh të Ismail Qemalit.

Në këtë ceremoni madhështore ishte i ftuar dhe nipi i Ismail Bej Vlorës Qamil Ismail Vlora.

Ju ftoj të ndiqni bisedën!

Ju jeni një prej pinjollëve të familjes së madhe kombëtare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Çfarë peshe keni mbi supe duke qenë pasardhës i tij?

Mendoj se të jesh pasardhës i një figure historike, siç është figura e Ismail Qemal Bej Vlorës, figurë e lidhur pazgjidhshmërisht me ngjarjen më të madhe të shqiptarëve, pikërisht atë të Shpalljes së Pavarësisë apo Ditës së Flamurit, më shumë se krenari është një peshë e rëndë, por që nuk të lodh, përkundrazi, edhe pse në momente të shkurtra apo të rralla, të jep një kënaqësi krejtësisht të veçantë, siç ishte edhe kënaqësia e papërshkrueshme e momentit kur, rrethuar nga qindra shqiptarë që jetojnë në Amerikë, por edhe shtetas amerikanë dashamirës të Shqipërisë, emri i Tij u zbulua i shkruar mbi pllakën që do mbetet në breza në një nga rrugët e New York-ut.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me regjimin komunist, pasi është fatkeqësi që pasardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës u lanë në hije dhe, për të qenë e sinqertë, nuk dinim ku ishit edhe pse prindërit tanë, nën zë, na tregonin se Ismail Qemal Bej Vlora kishte lënë 9 fëmijë?

Historia e familjes sime, përgjatë regjimit komunist, është një histori e gjatë dhe shumë e komplikuar në vetvete. Por, e thënë shkurt, ajo është një marrëdhënie mosbashkëpunimi midis familjarëve të mi dhe regjimit komunist, të cilët u distancuan në mënyrë të hapur kundrejt sistemit që po instalohej në Shqipëri, pasi ata nuk kishin asgjë të përbashkët me ideologjinë komuniste dhe nuk miratonin veprimet që ai sistem po zbatonte në Shqipëri, që në ditët e para të pasluftës.

Pikërisht, për këtë distancim apo refuzim për të qenë pjesë e atij sistemi, gjyshi im, Qamil Bej Vlora, djali i Ismail Qemal Bej Vlorës (emrin e të cilit unë mbaj) u arrestua, me akuzën «sabotator i pushtetit» pasi nuk kishte dorëzuar, në afatin e duhur, një revolver. Sigurisht ky ishte thjesht një pretekst për të ligjëruar veprimin e tyre pasi, në të vërtetë, ishte goditja që ata kërkonin t’i jepnin atij dhe familjes Vlora. Më pas, për të njëjtat arsye, pra të mosbashkëpunimit, në mënyra dhe forma të ndryshme, u persekutua gjithë familja jonë përgjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste. Njëkohësisht, paralelisht persekutimit të familjes, u shtrembërua edhe historia familjare e Ismail Qemalit, protagonistit të Shpalljes së Pavarësisë. Ajo tregohej jashtë mase e cunguar, si për prejardhjen e tij ashtu edhe për familjen që ai krijoi vetë, duke u martuar me Kleoniqi Surmelin, me të cilën pati plot 9 fëmijë, disa prej të cilëve ishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, që e mbështetën dhe e ndihmuan në rrugëtimin drejt Pavarësisë e më pas deri në ditët e fundit të jetës.

Ku keni jetuar dhe cilat janë disa nga kujtimet tuaja në shkollë, miqësia apo diskriminimi që keni ndjerë në bangat e shkollës?

Unë kam lindur dhe jetuar në Tiranë, ku ndoqa edhe periudhën e shkollimit. Nuk mund të them se në periudhën shkollore ka pasur diskriminim ndaj nesh. Thjesht, edhe pse e parë nga jashtë mund të duket jo e rëndë, karshi nesh u ndoq një politikë indiferentizmi dhe mosvlerësimi. Ishte gjetur një mënyrë për të na luftuar në heshtje, duke mos na dhënë hapësirën që meritonim, duke na penguar në dëshirat tona, pasionet, rrugën studimore që do dëshironim, etj., gjëra që, në të kundërt, u krijoheshin, shpesh edhe pa meritë, fëmijëve që u përkisnin klasës së tyre. Unë vetë, duke patur pasion matematikën, kam mundur, edhe pse me vështirësi, të merrja pjesë në disa olimpiada kombëtare, ku edhe kam fituar çmime, por mendoj se nuk më jepnin vlerësimin që meritoja.

Pse ju detyruan të ndryshonit mbiemrin Vlora dhe pse Ismail Qemal Bej Vlora në kohën e diktaturës njihej vetëm si Ismail Qemali?

Historia e ndryshimit të mbiemrit të familjes sime është një histori e gjatë, e komplikuar dhe e mirëmenduar. Neve nuk na detyruan ta ndryshonim mbiemrin. Thjesht dhe në mënyrën më arbitrare na e ndryshuan atë. Në Bashkinë e Tiranës është akoma rregjistri i vitit 1946 ku, më 30 tetor të po atij viti, një komision i posaçëm, pa pyetur e pa lajmëruar askënd dhe pa shënuar asnjë motivacion, në fletën ku ishte e rregjistruar familja, mbi të katër personat e familjes që ishin të rregjistruar, përkatësisht gjyshi im, gjyshja, babai dhe xhaxhai, kanë ndërhyrë duke vendosur një vizë mbi mbiemrin ekzistues Vlora dhe duke shënuar përbri tij mbiemrin e ri: Ismaili, të zgjedhur prej tyre. Pra familja ime nga Vlora, mbiemër që e kishin trashëguar brez pas brezi, u gjet, pa e ditur as vetë, me një mbiemër të ri. Ky ishte një veprim mjaft i qartë dhe i mirëmenduar. Në atë kohë gjyshi im, bashkë me dy djemtë e tij, ishin të vetmit meshkuj që jetonin në Shqipëri dhe që kishin mbiemrin Vlora. Pra duke iu hequr këtë mbiemër, aq të njohur, autorët mendonin që, në këtë mënyrë, do ta zhduknin atë.

Kjo gjë vihet re qartë edhe në formën e emrit që përdorën ndaj Njeriut që Shpalli Pavarësinë. Ai u prezantua në historiografinë shqiptare thjesht si Ismail Qemali, pa titullin Bej dhe pa mbiemrin familjar, me qëllim që ta ngulitnin në kujtesën e re kombëtare të shkëputur nga historia e familjes së tij. Mbiemri Vlora, me aq kontribut në historinë tonë, filloi pak nga pak të lihej në harresë aq sa edhe sot, fatkeqësisht, dihet fare pak për paraardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës, themeluesit të shtetit tonë shqiptar, dhe për prejardhjen e tij.

Na tregoni ju lutem diçka për gjyshin tuaj, Qamil Bej Vlorën, djalin e Ismail Qemal Bej Vlorës.

Gjyshi im ishte djali dhe fëmija më i vogël i Ismail Qemalit. Ai lindi në Stamboll, më 14 dhjetor 1895. Si djalë i Ismail Qemalit atij iu desh të përballej me vështirësi të ndryshme që në fëmijëri. Ishte pikërisht koha kur Ismail Qemali kishte dalë hapur kundër politikës së Sulltan Hamidit II-të, gjë që e detyroi të arratisej nga Turqia në vitin 1900, duke marrë me vete vetëm një pjesë të familjes. Gjyshi im atë kohë ishte vetëm 5-vjeçar dhe mbeti në Stamboll bashkë me nënën e tij dhe dy vëllezërit e mëdhenj të cilët, shumë shpejt, u arrestuan dhe u internuan larg Stambollit. Kështu ai e kaloi fëmijërinë vetëm me nënën e tij dhe larg babait, për plot 8 vjet. Kur Ismail Qemali u kthye përsëri në Stamboll, në vitin 1908, gjyshi im ishte 13-vjeçar. Në ato vitet e para, kur familja u ribashkua, ai nuk i ndahej babait të tij mirëpo, në rrugëtimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, Ismail Qemalit i duhej shpesh të qëndronte larg familjes. Më pas, gjatë periudhës së Pavarësisë, kur Ismail Qemali ishte në Vlorë, gjyshi im u vendos në Francë ku edhe mbaroi studimet. U kthye në Shqipëri në shkurt 1919, kur, bashkë me dy vellezër, Et’hem beun dhe Qazim beun, shoqëruan trupin e pa jetë të babait të tyre nga Perugia e Italisë në Vlorë.

Gjatë qëndrimit në Vlorë u njoh me vajzën e Ahmet Aga Dyrmishit, Ylvien dhe nga martesa e tyre lindën dy djem: Ismail Qemal (im at) dhe Xhevdet. Më pas gjyshi u vendos në Tiranë, bashkë me familjen, dhe u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai kishte studiuar në Europë dhe fliste shumë gjuhë të huaja. Në Ministrinë e Jashtme nga nënpunës i thjeshtë arriti të emërohej Sekretar i Parë i asaj ministrie dhe të dekorohej fare i ri me urdhrin e Skënderbeut dhe atë të Legjionit të Nderit të Francës. Mirëpo edhe ajo periudhë e “qetë” familjare do ndërpritej më 1932 kur, i dyshuar si pjesëmarrës në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”, e cila mendohej se kishte për qëllim rrëzimin e monarkisë, u arratis nga Shqipëria (bashkë me familjen) dhe u vendos në Francë. Pas largimit të Mbretit Zog u kthye sërish në Shqipëri dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit.

Pas luftës, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, refuzoi bashkëpunimin me atë regjim gjë që i kushtoi përndjekjen. Më 10 dhjetor të vitit 1946, me akuzën “sabotator i pushtetit”, pasi, siç thashë edhe më sipër, nuk kishte dorëzuar brenda afatit një revolver që kishte në zotërim, u arrestua dhe u dënua me një vit burg. Në Arkivin e Ministrisë së Brendëshme janë akoma dokumentat që dëshmojnë mbi arrestimin e gjyshit tim, akuzat, masa e dënimit, etj. sidhe disa dokumenta të tjera që dëshmojnë se si Sigurimi i Shtetit ndiqte të gjitha lëvizjet e tij, me kë takohej, ku shkonte, etj. Gjatë vuajtjes së dënimit gjyshi im u prek nga turbekulozi dhe, pasi doli nga burgu, u kurua për pak kohë në senatoriumin e Tiranës ku edhe ndërroi jetë më 15 dhjetor 1950, në moshën 55-vjeçare.

Që nga ajo kohë familja ime u konsiderua si kundërshtare e atij regjimi ndaj edhe pasojat u ndjenë tek të gjithë ne, deri në vitin 1990, kur në vendin tonë morri fund regjimi komunist.

Çdo të thoshte për babain tuaj të pagëzohej me emrin e madh të Ismail Qemal Bej Vlorës?

Im at ishte i pari djalë që lindi në familje pas vdekjes së Ismail Qemalit. Lindi në Vlorë më 26 Korrik 1920, ndërkohë që Ismail Qemali kishte vdekur në janar të vitit 1919. Pra im atë pati nderin të trashëgonte emrin e tij duke u quajtur edhe ai Ismail Qemal, pra dy emra, siç përdorej në gjerësisht në atë kohë. Mendoj se të trashëgosh emrin e një personaliteti të njohur është, përveç kënaqësisë apo nderim, edhe një përgjegjësi mjaft e madhe. Im atë, në kohën kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist, ishte një i ri 24 vjeçar. Studimet i kishte kryer në Francë dhe njihte disa gjuhë të huaja. Duke mos bërë asnjë lloj kompromisi me regjimin që u instalua në Shqipëri, veprim që, në radhë të parë do cënonte dinjitetin e tij por, për pasojë, edhe atë çka ai pikërisht përmes këtij emri përfaqësonte, jo vetëm që u ndie i nderuar me emrin që ishte pagëzuar por e lartësoi edhe më shumë atë.

Edhe pse në një periudhë të jetës së tij, fatkeqësisht të gjatë, e privuan të përdorte zyrtarisht mbiemrin e tij, nuk e ndaluan dot ta përdorte në jetën e tij private dhe vetë ai nuk linte rast pa e evidentuar atë. Në të gjithë korrespondencën që im atë mbante me kushërinjtë e tij që jetonin jashtë Shqipërisë, korrespondencë e shpeshtë dhe e ngjeshur për kohën, mbi zarf ai do vendoste emrin e tij të plotë: Ismail Qemal Vlora dhe, në po të njëjtën formë, i vinin të gjitha letrat. Gjithashtu edhe në ato pak raste kur i duhej të drejtonte ndonjë kërkesë zyrtare vendoste gjithmonë emrin e plotë. Pra, duke menduar kohën ku ai jetoi, ai veprim ishte një sfidë ndaj asaj padrejtësie që i kishin bërë.

Në vitin e fundit të jetës, 1990, pas disa përpjekjeve për të rimarrë mbiemrin e familjes, im atë arriti të bënte korrigjimin e duhur dhe të shumëpritur. Kështu edhe pse gjatë rrugëtimit të tij iu desh të njihte edhe atë padrejtësi sa dashakeqëse aq edhe absurde, ai u largua nga kjo jetë me atë mbiemër të nderuar që kishte patur fatin të lindte.

Ismail Bej Vlora ka lënë thesar të paçmuar për kombin. Ju keni dokumenta apo diçka tjetër?

Në peripecitë e shumta që kaloi vetë Ismail Qemali, e më pas gjithë familja e tij, sidomos pjesa e familjes që mbeti në Shqipëri, shumë dokumenta apo sende që i përkisnin vetë Ismail Qemalit, por edhe paraardhësve të tij, fatkeqësisht, humbën. Pjesa më e madhe e trashëgimisë familjare ndodhej në Vlorë, trashëgimi që u sekuestrua gjatë regjimit komunist. Vetë Ismail Qemali, kur u arratis nga Turqia më 1900-ën, u dënua me vdekje në mungesë dhe me sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij. Po ashtu edhe më 1912-ën, ku u nis për të shpallur pavarësinë ai la në Stamboll gjithshka që kishte. Dokumentat personale të Ismail Qemalit, ato që mundën të shpëtonin, i kishte djali i tij, Qazim Beu, i cili u vendos në Strugë, ku edhe vdiq në vitin 1953. Dokumentat që ai kishte me vete duhet të kishin një rëndësi të madhe kombëtare pasi ai kishte shoqëruar të atin kudo në 20-vjeçarin e fundit të jetës. Qazim Beu jetonte i vetëm në qytetin e Strugës, kështu që nuk dihet fati që pësuan ato dokumenta aq të çmuara që ai kishte me vete.

Sot ne kemi shumë pak kujtime por, në gjithë këtë histori, ajo çka është më e rëndësishme është Vepra e Tij. Ajo mbeti për t’i shërbyer një kombi të tërë.

Le të hidhemi në ditën e inagurimit të rrugës «Ismail Qemali» në Staten Island, e inicuar nga z.Naser Nika, Dr.Bari Ceka dhe mbështetur nga të gjithë ne, ishte një ditë historike për Diasporën, Kombin dhe natyrisht edhe për ju. Si e mirëpritët dhe e përjetuat këtë lajm, këtë ditë historike ku fjala juaj mbetet shumë mbresëlënëse?

Kur mësova, nëpërmjet Internetit, se në Staten Island po bëheshin përpjekje që një rruge t’i vinin emrin «Ismail Qemali», sigurisht ndjeva një kënaqësi të madhe, pasi këto veprime tregojnë respektin, mirënjohjen dhe dashurinë që populli ka ndaj atyre burrave që luftuan e sakrifikuan për të krijuar shtetin shqiptar, atë që ne gëzojmë sot.

Pasi hyra në kontakt me një nga inisiatorët e këtij projekti të madh, z.Naser Nika, i cili me mjaft dashamirësi më sqaroi gjithcka që lidhej me këtë projekt, pra idenë, propozimin, miratimin e deri vendin ku do vendosej emri i tij, mendova të bëja përpjekjet e duhura për të qenë i pranishëm në atë eveniment.

Ajo ditë do mbetet thellë në kujtesën time, për pjesëmarrjen e madhe, personalitetet e shumta që e nderuan, për të gjithë ata që përshëndetën, për mënyrën e organizimit dhe për çdo detaj me të cilat ishte ndërtuar ajo ceremoni. Ndaj unë përfitoj të përsëris këtu falenderimet e mia dhe ato të familjes sime për të gjithë ju që menduat, u përpoqët dhe bëtë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, jo aq për ne se sa për brezat që do vijnë.

Sigurisht një falenderim i veçantë shkon për dy inisiatorët e këtij projekti, z.Naser Nika dhe Dr.Bari Ceka si edhe për z.David M.Carr, anëtar i këshillit bashkiak të New York-ut, për mbështetjen që i dha projektit të tyre. Po ashtu një falenderim të veçantë për miqtë e nderuar amerikanë që ishin pjesë e asaj dite të shënuar për të gjithë ne, si edhe të gjithë të pranishmëve që u mblodhën aty për të qenë prezent e për ta bërë më të bukur e më emocionuese atë ditë.

Dhe së fundi një falenderim po aq të veçantë edhe për ju, për fjalën tuaj përshëndetëse, plotë emocion e atdhedashuri dhe për këtë bisedën tonë…

Duke ju uruar çdo mbarësi, uroj gjithashtu që të kemi sa më shumë raste të tilla për t’u mbledhur e për t’u takuar sërish…

22 Qershor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Lamtumirë Naum Prifti, shkrimtar i shquar i kombit tim

June 17, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Me hidhërim e morëm lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar të Kombit Naum Priftit. Natyrshëm kur ke një jetë që i ke lexuar veprat e tij dhimbja bëhet dhe më e ndjeshme, ashtu si për çdo lexues dhe dashamirës të rrëfimtarit plot sqimë Naum Priftit.

E pamundur të përmbledhësh jetën dhe veprën e tij ne një homazh lamtumire, por ajo që e them me shumë dashuri është se vepra e tij do të rrojë sa ulliri.

Në këtë ditë po ndaj me ju takimet e shumta që kemi bërë si TV “Alba Life” inervista, biseda, por ajo që do të ngelet gjatë sa pema e ullirit është ardhja e Tij pranë Shkollave Shqipe “Alba Life” e më konkretisht e në një nga degët e saj në Brooklyn. Naum Prifti si me urdhër prej Perëndie ka lindur në Ditën e Shenjtë të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit që e donte aq shumë. Në vitin 2012 Naum Prifti së bashku me bashkëshorten e tij Rinën, një dashuri e përjetshme dhe e suksesshme qysh në bangat e shkollës erdhën dhe puthën kokë më kokë nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit.

Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave shqipe pasi i falëndeoi përzemërsisht mësuesit tha se dita e sivjetshme e 7 Marsit të vitit 2012-të për nxënësit dhe mësuesit e shkollës sonë ka surprizën e këndshme, sepse do të festojmë së bashku 80 vjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit të shquar z.Naum Prifti. Z.Naum Prifti ka 60 vjet që shkruan dhe boton libra, ku një kontribut të veçantë ka dhe për ju të dashur fëmijë që jeni njohur herë pas here me tregimet dhe përrallat e tij aq të dashura.

Shkolla Shqipe është krenare që sot në këtë ditë të shenjtë feston ditëlindjen e tij dhe i uron jetë të gjatë dhe krijimtari të pashterrshme. Fjala e tij u ndërpre nga duartrokitjet dhe ndërkohë iu dhurua nga një buqetë me lule të freskëta z.Naum dhe bashkëshortes së tij fisnike znj.Rina.

Në ekran ishte shfaqur portreti i shkrimtarit dhe fragmente të ndryshme nga krijimtaria e tij.

Dea Bejleri prezantuesja e talentuar e programit tha se këtë 7 Mars sivjet e kemi shumë të veçantë, nga se midis nesh kemi shkrimtarin e shquar zotin Naum Prifti ndaj nga zemrat tona të vogla edhe pse larg Atdheut i urojmë në gjuhën shqipe, që ai aq ëmbëlsisht shkruajti tërë jetën: “Gëzuar ditëlindjen e 80-të dhe të rroni sa malet”!

Pas gjithë kësaj feste kaq të këndshme dhe patriotike fjalën e ka marrë shkrimtari i shquar z.Naum Prifti i cili ka falënderuar themeluesit e shkollës dhe gjithë mësuesit për këtë punë të shkëlqyer dhe njëkohësisht foli dhe për krijimin e shkollës së parë shqipe në Korçe për të cilën Kombi ynë përulet me respektin më të madh në çdo 7 Mars.

Ai tha se Martirët e Gjuhës Shqipe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut të tyre për të mbajtur gjallë atë. Ndonëse ka pretendime që shkollat shqipe rezultojnë më herët, por me dekret dhe të dokumentuar është vetëm shkolla shqipe e themeleuar në Korçë në vitin 1887.

Fjala e tij frymëzoi gjithë nxënësit dhe mësuesit që ta vazhdojnë këtë punë të bukur, pasi vetëm kështu ruhen dhe mbahen në zemër traditat e shkëlqyera të popullit tonë të lashtë.

Me emocion u mirëprit dhe falënderimi i zonjës Rina, bashkëshortetes fisnike të shkrimtarit e cila foli me dashuri nëne për nxënësit, mësuesit si dhe me po aq delikatesë foli fjalë zemre për z.Naum. Dashuria e tyre e pastër ka filluar qysh në bangot e shkollës dhe qëndroi e pastër si ujët e bjeshkëve. Ajo foli me krenari që në krah të saj kishte një bashkëshort shembullor si dhe një shkrimtar shumë të dashur për femijë dhe të rritur.

Pas fjalës së tyre nxënësit mundoheshin kush e kush të merrte fotografi me shkrimtarin Prifti dhe të kishin një kujtim të bukur me të. Z.Prifti ishte i shoqëruar nga bashkeshortja dhe vajza e tij simpatike Rafaela.

Festa e sivjetshme e 7 Marsit do të mbahet gjatë në kujtesën e nxënësve, ngase ata me krenari dhe dashuri festuan së bashku ditëlindjen e 80-të të shkrimtarit të shquar Naum Prifti, të cilit i uruan nga zemrat e tyre të vogla: “Jetë të gjatë”!

Ne kujtesen time si shkrimtare e paharruar do të mbetet përshëndetja e z. Naum Prifti në 5 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës organizuar aq bukur nga Gazeta “Illyria” me botues të saj z. Vehbi Bajrami.

Midis shumë folësve në podium u ngjit dhe shkrimtari Naum Prifti ku përshëndeti në emër të familjes për vëllain e tij prof. Peter Prifti i cili u përkujtua me nderime në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës. Pasi ka falënderuar me mirënjohje të pakufishme gazetën e dashur të shqiptarëve “Illyria” Z.Naum tha se vëllai i tij kishte shkruajtur për Kosovën që nga viti 1968 dhe deri me 1999 për 30 vjet rresht. Të gjitha materialet i mblodhi në anglisht dhe u botuan në Columbia “University” ku sensibilizoi mjaft akademikë dhe rrethe shkencore. Ai kujtoi me nderim dhe prof. Safete Jukën, prof.Sami Repishtin, prof.Arshi Pipën per të cilët kishte nderim të veçantë për kontributin e tyre aq të vyer në çështjen e Kosovës.

Naum Prifti (1932) lindi ne Rehove te Kolonjes. U dallua si një ndër shkrimtarët e shquar regjizor bashkëkohor “Mjeshtër i Madh”, sidomos për vëllimit e tij me tregime për fëmije dhe për te rritur. Ai ishte nje humanist i madh sepse siç thoshte:

“We are only as good as the humanism we have inspired onto others because art is not its own purpose.”

Shkrimtari penartë Naum Prifti jo vetem që ishte nje shkrimtar tejet cilësor, por dhe nje aktivist i mirënjohur. Ai ka qenë sekretar për Federatën PanShqiptare “Vatra”për 15 vjet, por edhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikane në fillimet e saj ku me vite jemi anëtarë të rregullt.

Ai vërtetë është ndarë nga jeta këto ditë, por “Good men must die, but death cannot kill their names.”

Lutemi që shpirti i Tij te këtë paqe në Parajsë dhe ashtu do të ndodhe sepse i besoj poetit të famshëm irlandez Oscar Wilde i cili ka thënë:

Vdekja duhet të jetë kaq e bukur! Të shtrihesh në tokën e butë kafe, me barërat që valëviten mbi kokë dhe të dëgjosh heshtjen, sepse s’do të ketë të djeshme dhe po aq të nesërme. Të harrosh kohën, të falësh jetën dhe të jesh në paqe.

Lamtumire Naum Prifti, shkrimtar i shquar i Kombi tim!

17 Qershor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Reportazh Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Festivali i dytë i Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit dhe dhënia e certifikatave për vitin shumë të suksesshëm 2022-2023

June 13, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Senatorja e shtetit të Nju Jork-ut Nathalie Fernandez, Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” dhe Konsulle e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka midis nxënësve te Alba Life.

Në Qendrën “Illyria” në Bronx në auditoriumin e saj, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e Shkollave Shqipe Alba Life Ambasador i Kombit erdhën për të festuar me plot sukses mbylljen e vitit akademik shkollor 2022-2023 si dhe për Festivalin e Dytë të Shkollave Shqipe.

Auditoriumi ishte mbushur plot e përplot, vecanërisht skena që ishte tej e përtej me nxënës ndriste nga pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Adem Jasharit etj.

Dita e diel ishte nje feste e bukur e kurorëzimit me sukses të përfundimit të vitit akademik shkollor 2022-2023 dhe kjo fal mësueseve që punojnë me profesionalizëm të cilat janë të licensuara nga shteti amë si dhe disa prej tyre dhe nga shteti i Nju Jorkut.

Ka qenë një vit i gjatë me plot sfida, për Bordin, nxënësit, mësuesit dhe prindërit, por në fund ja arritën qëllimit të bukur shumë suksesshëm.

Nxënësit nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara si Elona Shkreta, Entela Muda, Anxhela Alushaj, Jonida Alla, Fatlinda Gashi, Vjollca Skënderi, Mehrije Shala, Kade Lajqi Gresila Basha në Online, si dhe anëtarëve të stafit, sopranos së shquar dhe udhëheqëse artistike Dëshira Ahmeti, Gela Bulku, mësuese Vlera Sela Thaqi, Dr. Manjola Duli e mbaruam me plot sukses vitin shkollor. Duke realizuar një sërë aktivitetesh shumë të rëndësishme në Diasporë si Alba Life patëm kulmin e saj me festimin e 15-të vjetorit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” me një mbrëmje madhështore Gala në Hilton ku nderuan qindra shqiptarë dhe personalitete të larta amerikane dhe shqiptare. Ne nuk do të dimë të ndalemi deri në frymën e fundit në këtë Mision Kombëtar të mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë, sepse duket sikur kemi bërë betimin:

Kemi dhënë të gjithë një fjalë/ Jemi lidhur me besa-besë/ Nji shqiptar po mbeti i gjallë/ Gjuha Shqipe kurrë s’do vdes!

Nderuan me pjesëmarrjen e tyre z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” politikan amerikan i suksesshëm dhe njëkohësisht ka siguruar Qendrën “Illyria” ku Shkolla Shqipe “Alba Life” ka qenë e para që e ka inaguruar këtë qendër dhe vazhdon rregullisht të zhvillojë mësimin cdo të shtunë. Ishin gjithashtu Senatorja e shtetit të Nju Jorkut zonja Nathalia Fernandez, Konsulle e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka. Ishte krenari t’i kishim midis nesh dhe të na frymëzonin me fjalimet e tyre. Ata përshëndetën nxënësit dhe thanë vazhdojeni këtë mision që keni nisur per të ruajtur Gjuhën, traditat dhe historinë prej nga vini.

Z. Gjonaj vlerësoi lart punën e themeluesit, bordit, të mësueseve dhe nxënësve. Këshilloi të jemi të bashkuar se vetëm bashkë arrijmë atje ku duhet të jemi si shqiptarë. Zoti Gjonaj dhe z. Zylo ndanë pllakë mirënjohje për Drejtorin e IT, MD. M. Alam, NYC H+H. i cili ka dhënë ndihmese për të realizuar programin e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx per lidhjet kompjuterike.

Zoti Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online pasi përshëndeti nxënësit, mësuesit, prindërit dhe të ftuarit iu uroi atyre punë të mbarë në Festivalin e dytë të Shkollave Shqipe “Alba Life” si dhe suksese të mëtejshme në vitin tjetër. Duke parë rritjen e numrit të nxënësve Bordi dhe mësueset menduan të zhvillojnë Festivalin me Shkollat Shqipe Alba Life që tashmë po bëhet një traditë e bukur. Z. Zylo iu ndau certifikata mirënjohjeje zotit Mhill Gjuraj biznesmen i suksesshëm dhe suportues për Shkollat Shqipe “Alba Life”. Me certificatë mirënjohjeje u vlerësua gjithashtu z. Mhill Velaj shkrimtar i mirënjohur dhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikan. Shkrimtari Velaj gjithmonë ka frymëzuar dhe është një dashamirës i madh i Shkollave Shqipe “Alba Life”.

Po ashtu me certificatë mirenjohjeje u vlerësua mësuese Davida Hasanaj, për të cilën z. Zylo tha se ka dhënë një kontribut të vyer në mbarëvajtjen e procesit mësimor në Bronx. Me korrektësinë, besnikërinë dhe dashurinë për nxënësit dhe mësimin e Gjuhës Shqipe ajo fitoi respektin e Bordit dhe të kolegëve bashkë me bashkëshortin e saj z. Agim dhe fëmijet e mrekullueshëm.

Ne fund z. Zylo bashkë me mësuesit iu ndanë nxënësve certifikatat e përfundimit të vitit shkollor akademik shkollor 2022-2023.

Programi artistik

Hymnet Kombëtare amerikane dhe shqiptare u interpretuan nga sopranoja e shquar Dëshira Ahmeti e cila ka dhënë shfaqje në skena të botës dhe u shoqërua nga kori i shkollës.

Hymni i Shkollës Shqipe Alba Life “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë” u interpretua nga kori i shkollës.

Kënga: ‘Shqiperi o nëna ime” u interpretua nga Aelia Rena.

“Kënga për mësuesen” u interpretua nga Aria Stoja.

Në Festival nxënësit kërcyen vallet e Tiranës, Vallja e Bariut, Vallja e Tropojës.

Këngën Xhamadani Vija Vija e interpretuan Edona Gjitija dhe Diellor Lajqi.

Programi i pasur artistik u mbyll me këngën “Të rrojë Shqipëria” interpretuar nga Kelvin Rustani dhe Altea Bala shoqëruar nga kori.

Pas Festivalit dhe dhënies së certifikatave nxënësit u argëtuan duke kënduar dhe hedhur valle nën tingujt e DJ Hermes ndihmuar nga Odise Salillari aktvisit i njohur dhe Kryetar i Shoqatës Devolli.

Aktiviteti u filmua me profesionalizem nga Bujar Sadikaj njëkohësisht dhe anëtar i Stafit të TV “Alba Life”.

Pushime të mbara të dashur mësues dhe nxënës!

Mirupafshim në shtator për vitin akademik shkollor 2023-2024!

11 Qershor, 2023

Bronx, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Mbrëmje Gala dhe Paradë madhështore nga Rrënjët Shqiptare në 15-të Vjetorin e saj

June 12, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Qindra shqiptarë u mblodhën në Riverside Church në Manhattan për të festuar 15 Vjetorin e Organizatës së mirënjohur “Rënjët Shqiptare” të krijuar në Diasporë me President z.Marko Kepi. Është krenari që si media si TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” që operojnë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online kanë qenë prezente që në vitin e pare të saj dhe kanë parakaluar madhërisht për 15 vjet rresht në Manhattan. Janë rrënjët tona që na mbajnë fort, rrënjë që nuk shkulen kurrë, sepse kanë në gjak, gjakun e Arbërit, gjakun e Dardanisë, gjakun e Gjergj Kastriot Skënderbeut, gjakun e Ismail Qemalit dhe të Adem Jasharit.

Mbrëmja Gala dhe Parada iu përkushtua Lidhjes së Prizrenit në 145 Vjetorin e saj. Ishte një natë mrekullisht shqip. Në këto dy ditë u promovuan vlerat tona kombëtare, traditat e mrekullueshme, veshjet tona kombëtare si dhe mjaft personalitete të shquara amerikane dhe shqiptare nderuan me pjesëmarrjen e tyre.

Darkën e moderoi gazetarja e mirënjohur dhe plot preofesionalizëm Kozeta Turishta ish gazetare ne TV Top Chanel në Tiranë. Ajo mbajti ndezur atmosferën festive për disa orë me zërin e saj, komunikimin e ngrohtë me publikun dhe mesazhet përcjellëse.

Darkën e bekoi Baba Eliton nga Teqeja Bektashiane e Detroitit.

Të gjithë pjesëmarrësit u çuan në këmbë për të shoqëruar Himnet kombëtare amerikane dhe shqiptare. Hymnin kombëtar shqiptar e interpretoi Gezim Nika Mjeshtër i Madh.

Nderonin me pjesëmarrjen e tyre Princ Leka Zogu i shqiptarëve i cili i përshëndeti të pranishmit plot dashuri dhe kulturë dhe tha ta ruajmë fort Kombin, gjuhën dhe traditat tona të mrekullueshme.

Nderonte gjithashtu me pjesëmarrjen e tij z. Blerim Reka, Konsulli i Përgjithshem i Republikës së Kosovës në New York.

Per historikun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që Rrënjët këtë vit ia kushtonin asaj,

foli Dr. Paulin Marku.

Fjalimi i ish-kreut te Bashkisë së Nju-Jorkut, Rudy Giuliani, i zgjedhur si personi i vitit per vitin 2001 elektrizoi te pranishmit ne 15 Vjetorin e Organizates “Rrënjët Shqiptare” me president z. Marko Kepi.

Z. Gjuliani ndau disa momente në takimet e tij me Shenjtoren Nënë Tereza të cilën e kishte takuar katër herë. Z. Guliani kishte vizituar Shqipërinë. Ai kishte takuar iranianët të cilët janë strehuar në Shqipëri për t’u mbrojtur nga regjimi diktatorial iranian.

Z. Guliani u nderua me çmimin e lartë të Nënë Terezës dhënë nga z. Marko Kepi shoqëruar nga Arbërie Hadërgjonaj.

Z. Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” vlerësoi lart punën e z. Marko Kepi dhe të Rrënjëve Shqiptare.

Gazetarja e mirënjohur Newsmax Lidia Curanaj ishte e pranishme në këtë aktivitet madhështor dhe tha se ndjehej krenare që ishte shqiptare, njëkohësisht po aq krenare për ëndrrën e realizuar të saj që ia kishte dhënë Amerika i vetme shtet democrat në botë.

Nderonin me pjesëmarrjen e tyre edhe politikani dhe deputeti i Parlamentit Shqiptar Agron Shehaj.

Z. Tahir Mudhedini kryetar i PDIU-s ish deputet në Parlamentin Shqiptar dhe foli me krenari për Çamërinë nga janë dhe rrënjët e tij.

Gazetari dhe shkrimtari i njohur per TV Klan Blendi Fevziu filmuan, intervistuan. Ata kishin ardhur enkas për të mbuluar këtë dy aktivitete të cilat u realizuan në dy ditë rresht në Kryeqytetin e botës në Manhattan.

Familja e Gëzim dhe Angjelina Nikës Mjeshtra të mëdhenj u vlerësuan me çmim të veçantë si Familja e Vitit, pasi ata kanë dhënë një kontribut të vyer për Diasporën, Rrënjët Shqiptare. Fëmijët e tij simpatik si dy vajzat dhe djali kanë punuar fort vullnetarisht për 15 vjet në Rrënjët Shqiptare.

Përshëndetën nga ekrani dy Kryeministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës, z. Edi Rama dhe z. Albin Kurti.

Z. Marko Kepi çmoi lart të gjithë Marshallët e Paradës që nga viti i parë i saj, ata ishin Tahir Muhedini, Ismet Kurti, Mark Gjonaj, Lisa Milicaj, Marty Golden, Joe DioGuardi, Ramush Haradinaj, Marin Mema, Belul Qoku dhe për 2023 Princ Leka.

U vlerësuan nga Rrënjët me çmime mirënjohjeje si shoqatat: Kraja, Struga, Rozafa, Ulqini, Vatra etj.

U vlerësuan për kontribut të vyer për Rrënjët si Myzi Alija, Afërdita Delaj, Ervin Toro, stafi i “Albania Roots” si Kledi Roda, Fatime Dukova, Arkelino Hila, Herta Hada, Megi Rona.

Zonja Turishta falënderoi mediet që merrnin pjese në sallë si TV “Alba Life” me president dhe themelues z. Qemal Zylo, TV Klan me z. Blendi Fevziu .

Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen për Tringa Jewelry, Elizabeta Luma dekorin, Store Castle Wine, Peter Lucaj për ushqimet etj.

Performuan mjeshtërisht grupi Rozafati me koreografen Mjeshtren e Madhe Angjelina Nika si dhe grupi i valleve “Rrënjët Shqipare”.

Pjsëmarrësit u argëtuan me këngëtarët si Gëzim Nika Mjeshtër i Madh, Arbërie Hadërgjonaj, Nora Muhaxheri, Ardit Cuni, Viola Kunora, Isli Ademi etj nën shoqërimin e DJ Edi.

Parada Shqiptare 2023

Është krenari që Parada sivjet iu përkushtua Lidhjes së Prizrenit të udhëhequr nga Abdyl Frashëri biri i një familjeje të madhe kombëtare. Kjo Lidhje u mbajt në qytetin historik të Prizrenit ku Burrat e mëdhenj u bënë bashkë për Komb e për Flamur! Pra këto rrënjë që shtrihen kudo në gjithë rruzullin ku ka shqiptarë nuk do të kalben kurrë, por do të përhapen se janë rrënjët e Nënë Terezës dhe të Gjergjit të madh.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Një nga fjalimet që frymëzoi atdhetarët ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

E sjellë këtë fakt se sa fort ka punuar atdhetari Marko Kepi bashkë me stafin e tij për të promovuar kulturën, historinë, traditat dhe pë të mbrojtur trojet tona të të parëve.

Kurre mos u ndalni Marko Kepi, kurrë mos u ndalni ju të rinj, kurrë mos u ndalni për Atdheun e të parëve, sepse këtë mundësi e jep Amerika, shtëpia jonë e dytë, Amerika vendi më demokratik në botë!

Zyrtarisht z. Marko Kepi deklaroi si Marshall të Paradës 2023 Princin Leka i cili përshëndeti të pranishmit dhe e vlerësoi lart Diasporën Shqiptaro Amerikane.

Hymni Kombëtar Shqiptar u intepretua nga Gëzim Nika Mjeshtër i Madh.

Shfaqën programin me plot profesionalizëm grupet e valleve si Rozafati, Rrënjët Shqiptare, Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, Barbana, Rugova, Grupi i Valleve nga Qendra Kulturore Shqiptare në Riverdale New Jersey etj.

Në këtë Paradë morën pjesë mjaft shoqata si Federata Panshqiptare Vatra me kryetar Dr. Elmi Berisha, Albanian Amerikan Law Enforcment, Ana e Malit, Kraja Ulqini, Plavë Gucia, Albanian Excellence, Rozafa etj

Shqiptarët sic do vit mbushën rrugët e Manhatanit me veshjet kuq e zi simbolet kombëtare dhe me kulturë parakaluan në 45 Street 5th Avenue.

Gëzuar 15 Vjetorin Rrënjët Shqiptare!

Gëzuar Marko Kepi!

TV Alba Life së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur për mbrëmjen Gala si dhe Paradën 2023 dhe do ta transmetojë në kanalet televizive.

Filed Under: Kronike Tagged With: Keze Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT