Parathënien e intervistës dhe intervistën e mëposhtme të gazetares Natalia Dvali, të botuar në portalin ukrainas “Gordon”, e ka përkthyer dhe përgatitur për faqen e internetit Prof.dr. Eshref Ymeri./
Nga Natalia Dvali/
Ish-zbuluesi sovjetik, kurse tani analist amerikan i financave, Juri Shvec, i ka rrëfyer portalit “Gordon” për faktin se pavarësisht nga jetëshkrimi zyrtar, presidenti Putin nuk ka punuar asnjëherë në zbulim për shkak të“aftësive të tij poshtë mesatares”, për nofkat e Putinit në KGB dhe për dy shkresa, të cilat mjafton t’i firmosë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ekonomia e Rusisë të marrë rrokullimën. Juri Shvec, ish-oficer i Drejtorisë së Parë Qendrore të KGB-së, i diplomuar në Institutin e Zbulimit të Jashtëm “Andropov”, kurse tani analist amerikan i financave, në vitet ’80, në kulmin e “luftës së ftohtë”, ka pas qenë zbulues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka pas punuar nën maskën e korrespondentit tëTASS-it (Agjencisë Telegrafike të Bashkimit Sovjetik), merrej me grumbullimin dhe me analizën e informacionit për ndonjë goditje të mundshme të papritur bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Bashkimit Sovjetik.Në vitin 1990 atë e liruan nga shërbimi. Tre vjet më vonë, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pati botuar librin me titull “Rezidentura e Vashingtonit: jeta ime si spiun i KGB-së në Amerikë”. 18 vjetët e fundit, ish zbuluesi po drejton një firmë për grumbullimin e informacionit dhe për vlerësimin e rreziqeve tregtare të kompanive që planifikojnë të administrojnë një biznes shumëmilionësh, si në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik, ashtu edhe në mbarë botën, duke përfshirë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë.
Juri Shvec është njëri nga dëshmitarët kyç në seancat dëgjimore që po zhvillohen tani në Londër për vrasjen e ish-oficerit të Shërbimit Federativ të Sigurisë të Federatës Ruse Aleksandër Litvinjenko. Ka qenë pikërisht Juri Shvec ai që e pati ndihmuar Litvinjenkon të grumbullonte dhe të analizonte dosjen në ngarkim tëViktor Ivanovit, ortakut tëVladimir Putinit, drejtor asokohe i Shërbimit Federativ të Federatës Ruse për kontrollin e qarkullimit të narkotrafikut. Në atë dosje qe grumbulluar një informacion për lidhjet e Putinit dhe tëIvanovit me grupin e organizuar kriminal të Tambovit, i cili në vitet ’90 merrej me tregtimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave të njërit prej narkokarteleve më të mëdhenj kolumbianë. Në përputhje me materialet e hetimit britanik, pikërisht Shveci dhe Litvinjenko bënë që të dështonte biznes-ujdia e njërës nga korporatat kryesore evropiane me Federatën Ruse, nga e cila Ivanovi planifikonte të merrte një shumë të majme. Përveç kësaj, Juri Shvec, në cilësinë e ekspertit, pati marrë pjesë në çështjen e imigrimit të ish-kryeministrit ukrainas Pavl Lazarenko, kurse në vitet 2002-2005 ai pati deshifruar dhe analizuar “shiritin e Melnjiçenkos” – një regjistrim i përgjimit të ish-presidentit të Ukrainës Leonid Kuçma, në kuadrin e hetimit të çështjes për vrasjen e gazetarit Gjergj Gongaxe. Atë deshifrim të regjistrimit, Shveci e pati botuar në internet-resurse me pseudonimin Pjetër Lutëj.
Në intervistën ekskluzive për portalin “Gordon”, Juri Shvec ka rrëfyer sesi një vit më parë, para fillimit të aktivizimit të operacioneve ushtarake në Donbas, qe pëpjekur të jepte ndihmën e vet “për të likuiduar separatistët e armatosur” dhe se çfarë përgjigjeje i pati dhënë atij udhëheqja ukrainase.Ai pati shpjeguar, gjithashtu, se pse e vlerëson Putinin si një njeri me “aftësi poshtë mesatares” dhe “cilat janë dy shkresat që mjafton t’i nënshkruajë” presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama, që ekonomia e Rusisë të marrë rrokullimën.
Zbuluesi Putin është marrë me budallallëqe: zbulonte dhe denonconte thashethemet e studentëve për profesorët, kurse në Republikën Demokratike Gjermane shtronte tryeza me të ngrëna e me të pira për shokët e rangjeve të larta që vinin nga Moska.
Pyetje: A është e vërtetë që ju keni qenë shok klase me Vladimir Putinin në Institutin “Andropov” të KGB-së të Bashkimit Sovjetik?
Përgjigje: Ky informacion është bërë i ditur në muajin maj të vitit 2001, në sajtin e Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm të Federatës Ruse. Në atë material thuhej se unë jam tradhtar, sepse unë po bëja publike gjëra demaskuese për KGB-në, kurse në kllapa thuhej:
“Në fillim të viteve ’80 Juri Shvec ka qenë shok klase me Vladimir Putinin në Akademinë e KGB-së”.
Pyetje: Po cila ishte arsyeja që shërbimeve sekrete ruse u lipsej demaskimi juaj pikërisht në vitin 2001?
Përgjigje: Nuk e kam idenë. Me Rusinë passovjetike mua nuk më lidhte asgjë, unë asnjëherë nuk kam qenë qytetar i Federatës Ruse, unë madje as pasaportë ruse nuk kam patur. Në vitin 1993 u largova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kursae tre vjet më vonë botova librin me kujtime me titull “Rezidentura e Vashingtonit: jeta ime si spiun i KGB-së në Amerikë”. Sapo kujtimet e mia panë dritën e botimit, në Rusi filluan klithmat: se, demek, Juri Shvec paska zbuluar të gjitha sekretet. Për çfarë sekretesh ishte fjala, përderisa Bashkimi Sovjetik kishte kohë që ishte shpërbërë, KGB-ja asokohe nuk ekzistonte, kurse përfaqësuesi i KGB-së Vladimir Krjuçkovi qe dergjur tashmë në burg se qe orvatur të kryente një grusht shteti në vitin 1991.
Pyetje: Mos ndoshta klithmat shpërthyen për faktin se ju dini shumë gjëra për të kaluarën e Putinit-zbulues?
Përgjigje: Putini nuk ka punuar asnjëherë në zbulim.
Pyetje: Por në jetëshkrimin zyrtar të Presidentit të Federatës Ruse a nuk thuhet se ai ka shërbyer si kundërzbulues në Leningrad (tani Shën-Pteterburg), kurse më pas në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ)?
Përgjigje: Pas përfundimit të institutit “Andropov”, Putinin e dërguan në organet territoriale dhe, konkretisht, në drejtorinë e KGB-së për Leningradin dhe për qarkun e Leningradit. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të kuptuar “Who is mister Putin?” dhe se çfarë po ndodh tani me Rusinë.
Që të pranoheshe në Institutin “Andropov” të KGB-së së Bashkimit Sovjetik, ishte një gjë jashtëzakonisht e koklavitur. Por po të pranoheshe ama, atëherë gjasat ishin 99,9% që ty do të të dërgonin të shërbeje në zbulim (me përjashtim të shokëve të republikave nga Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës dhe nga republika të tjera: ata i dërgonin në Moskë për përgatitjen e kuadrove kombëtare, kurse më pas shumë shpesh i kthenin mbrapsht). Por për Leningradin ndryshonte puna. Me mua kanë qënë shokë të institutit disa djem nga ky qytet, ata u emëruan në Drejtorinë e Parë Kryesore të KGB-së, drejtori kjo që përgjigjej për zbulimin e jashtëm, kurse Putinin nuk e emruan atje.
Pyetje: Pse?
Përgjigje: Pavarësisht nga miti i përhapur, në zbulim emëroheshin jo vetëm Xhejms Bondët, se të tillët mund të numëroheshin me gishta. Masa kryesore e bashkëpunëtorëve të Drejtorisë së Parë Kryesore të KGB-së, përbëhej nga njerëz me aftësi mesatare analitike dhe me karakteristika të përshtatshme psikologjike. Fjala kyç që përdorej për karakterizimin e tyre ishte fjala “mesatar”. Fakti që Putinin e dërguan jo në zbulim, por në drejtorinë e KGB-së në Leningrad, dëshmon se mes kolegëve, aftësitë e tij ishin poshtë mesatares.
Gjatë vazhdimit të studimeve në Moskë, Putini, si i ardhur nga një qytet tjetër, banonte në një objekt të mbyllur që ndodhej jashtë qytetit, thellë në pyll dhe të rrethuar me një gardh të lartë. Presidenti i ardhshëm i Federatës Ruse pati ndenjur atje 24 orë, shtatë ditë në javë gjatë gjithë vitit. Në Institutin “Andropov” studentët i pajisnin jo vetëm me dije, por edhe i studionin për të kuptuar nëse ata ishin të përshtatshëm për të punuar në zbulim ose jo. Studentin Putin gjatë një viti e patën studiuar në atë mënyrë, siç nuk e studion asnjë laborator në botë. Për t’u shprehur në një mënyrë figurative, mund të thuhet se atë e patën përshkuar me të gjitha rentgenët e mundshëm, duke ia kthyer të brendshmet nga jashtë dhe, në përfundim, e nisën për të punuar në qarkun e Leningradit.
Pyetje: Por ama në Bashkimin Sovjetik, qyteti i dytë për nga rëndësia, pas Moskës, ishte Leningradi. Pse ju shpreheni me kaq shpërfillje për shërbimin në kryeqytetin verior?
Përgjigje: Drejtoria e sigurimit për Leningradin dhe për qarkun e Leningradit ishte një zyrë tipike provinciale e KGB-së që nuk kishte asnjë dallim nga drejtoria e KGB-së, fjala vjen, në Zhmerinkë ose në Berdiçevë. Sipas idesë që qarkullonte, bashkëpunëtorët duhej të gjuanin spiunët dhe të rekrutonin të vetët, por, në të vërtetë, me një gjë të tillë nuk merreshin, sepse në mbarë botën nuk kishte aq spiunë, sa kishte në Bashkimin Sovjetik njësi zbulimi territoriale. Kështu që në Leningrad zbuluesi Putin merrej me budallallëqe: zbulonte thashethemet e studentëve për profesorët, thashethemet e profesorëve për rektorët etj.
Pyetje: Megjithatë, në vitin 1985, presidentin e ardhshëm të Federatës Ruse e dërguan me punë në Gjermaninë Lindore, ku, sipas jetëshkrimit zyrtar, “ai kaloi me shërbim në një pikë zbulimi territorial në Drezden, nën maskën e detyrës së drejtorit të Pallatit të Miqësisë BRSS-RDGJ”, apo jo?
Përgjigje: Në RDGJ nuk ka pasur rezidenturë të KGB-së dhe, në bazë të urdhrit, KGB-ja nuk merrej me veprimtari zbuluese në territorin e vendeve socialiste, veçanërisht në RDGJ, e cila përfaqësonte njërin nga regjimet më miqësore të Bashkimit Sovjetik. Gjermanolindorët kishin një zbulim agjenturor të tyre të mrekullueshëm. Kryesorja ishte që atij të mos i nxirrje pengesa. Ata e kryenin vetë detyrën e tyre dhe i raportonin Moskës.
Rezidentura është një nënrepart konspirativ i zbulimit të një shteti në territorin e një shteti tjetër. Në RDGJ një gjë e tillë nuk ekzistonte, por ka qenë një përfaqësi zyrtare e KGB-së në Berlin, në Drezden dhe, me sa mbaj mend, edhe në një qytet tjetër. Pse? Në kohën e Bashkimit Sovjetik, dalja jashtë shtetit ishte një ngjarje e shënuar për çdo qytetar sovjetik. Dhe KGB-ja, për bashkëpunëtorët e nënreparteve territoriale, organizonte këtë“festë të jetës”. Oficerin e KGB-së e dërgonin për disa vjet në RDGJ, ku ai dridhte zinxhirin dhe kthehej në atdhe me njëaparat fotografik me lenten “Karl Cejs” dhe me një takëm tryeze “Madona”. Këto dy gjëra standarde ishin praktikisht rezultati i tij i vetëm i “veprimtarisë së tij zbuluese” në RDGJ.
Me të njëjtat gjëra është marrë edhe Putini. Si drejtor i Pallatit të Miqësisë BRSS-RDGJ, ai kishte për detyrë të shtronte tryezat për shokët e rangjeve të larta që vinin nga Moska, t’i qeraste me të ngrëna e me të pira, t’u blinte gjësend nëpër shitoret e qytetit, të shtronte përsëri tryezat, t’i përcillte për në aerodromdhe t’i niste për në Moskë. Ja, kjo ka qenë gjithë puna “zbuluese” e Putinit në RDGJ.
Pyetje: Ju po ngulni këmbë se Putini i kohës së shërbimit në KGB aftësitë i kishte poshtë mesatares dhe se me zbulim të vërtetë ai nuk qenka marrë asnjëherë?…
Përgjigje: Nuk jam unë ai që po ngul këmbë, por jetëshkrimi i tij i rremë profesional. Vetë fakti që Putinin, pas Institutit “Andropov” e rikthyen në Leningrad, është mjaft domethënës. Gjatë vazhdimit të institutit, atë e patën studiuar dhjetra pedagogë dhe instruktorë profesionistë dhe secili prej tyre, pas përfundimit të studimeve, shkruante për çdo student karakteristikën përkatëse. Unë kam lexuar disa nga ato karakteristika: ato ishin tronditëse për nga thellësia e përshkrimit të aftësive intelektuale dhe psikologjike të studentëve të diplomuar. Meqë ra fjala, a e dini se sa shumë dëshmon për njeriun nofka e tij? Në KGB Putinin e quanin “Bisht Cigareje”, më pas i vunë nofkën “Tenjë e Zbehtë”, kurse tani e quajnë“Botoks” (botox –ilaç për heqjen e rrudhave të fytyrës, prodhim i kompanisë amerikane “Allergan” – E.Y.).
Pyetje: Në Ukrainë ka, gjithashtu, nofka për presidentin rus?…
Përgjigje: (Qesh). E di që ka, Putin-lla-lla-lla. Strategët e mëdhenj rusë që patën luftuar në Krime kundër perandorisë osmane, nga perandoresha Ekaterina patën marrë prapashtesa të bukura në mbiemrat e tyre: Suvorov-Romnikski, Rumjancev-Tejdunajski, Potjomkin-Tavriçeski. Kurse Putini, për operacionin e Krimesë të vitit të kaluar, mori prapashtesën kuptimplotek…uc.
Unë kam komunikuar me njerëz që e njihnin mirë Putinin shumë kohë para se ai të zgjidhej president. Të gjithë theksonin se, përveç aftësive të rëndomta intelektuale, ai binte në sy edhe për komplekse të jashtëzakonshme inferioriteti. Putinin e torturonte për vdekje trupi i tij i shkurtër, komleksi i inferioritetit i lexohej në gjithë figurën dhe fytyrën e tij. Një njeri të tillë nuk mund ta dërgoje si zbulues jashtë vendit, sepse atij i lexohej në fytyrë shprehja: “Rekrutomë mua”. Ai prandaj edhe shkoi në KGB dhe u mor me xhudo, për të kompensuar sadopak kompleksin e inferioritetit. Nuk e di se si i shkuan punët në sport, por në KGB ai nuk nxori absolutisht asgjë në dritë.
Pyetje: Por megjithatë, në dallim nga shokët më të talentuar të klasës, pikërisht Putini është ai që për 15 vjet po drejton pa ndërprerje njërin nga shtetet më të mëdhenj të botës, apo jo?
Përgjigje: Po ai prandaj edhe u ngrit në pozitë se në këtë mes kemi të bëjmë me një traditë tashmë të kristalizuar të sistemit politik, deri dje sovjetik dhe tani rus, kur në sipërfaqe dilnin… mbeturinat. Si shpjegohet që në vitin 1953 Nikita Hrushovin e emëruan Sekretar të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik? Se ai ka qenë një njeri absolutisht i neveritshëm, një gaztor i Stalinit. Por atë e emëruan si kukull, prapa shpinës të së cilës rrinin njerëz seriozë.
Leonid Brezhnjevin, si një njeri i butë dhe mendjeshkurtër që ishte, po ashtu, e vunë përkohësisht në krye të Bashkimit Sovjetik. Pas nja dy vjetësh atë duhej ta zëvendësonte njeriu me mend, “Shuriku i hekurt”, Aleksandër Shelepini. Por të gjithë kishin nevojë për një kukull: se, gjoja, do t’ia mbledhim fijet dhe pas nja dy vjetësh do ta shkarkojmë. Si përfundim, ato dy vjetët u bënë tërkuzë deri në 18 vjet të epokës brezhnjeviane.
E njëjta histori po ndodh edhe me Putinin. Atë e zgjodhën si një kukull të bindur, e cila, në postin e kreut të Federatës Ruse, duhej t’u garantonte sigurinë dhe kuletën atyre që u zuri vendin. Unë kam komunikuar me Boris Bjerezovskin, i cili pati luajtuar një rol jo të vogël që Putini të bëhej president. Borisi më ka thënë:
“Më jepni mua një kanal televiziv dhe unë trungun kam për ta bërë president të Rusisë”
Ja kjo është e tërë përgjigjja se si Putini u bë president.
Pyetje: Në Rusinë e ditëve tona a është e mundur vallë një përmbysje në oborr, e cila do ta largonte Putinin nga pushteti?
Përgjigje: Është plotësisht e mundur, aq më tepër kur “elitave” të Kremlinit po u dëmtohet biznesi për shkak të sanksioneve perëndimore. Ato as që duan t’ia dinë as për Krimenë, as për Donbasin.
Konflikti kryesor strategjik tani është konflikti mes pikësynimit të Putinit për të qendruar në pushtet deri në dërrasën e varrit dhe kërkesave objektive të vendit për një zhvillim normal. Në qoftë se Putini do të vazhdojë të rri në krye të pushtetit derisa të jetë gjallë, atëherë Rusia ose dotë shpërbëhet, ose do të shndërrohet në një shtet të dorës së tretë, si puna e Koresë së Veriut ose e Mongolisë.
Pyetje: A nuk ju duket se elitat e Kremlinit i frikësohen më shumë rebelimit popullor, sesa sanksioneve perëndimore dhe prandaj nuk po kuturisin të kryejnë një grusht shteti?
Përgjigje: Kjo është një sëmundje e rrënjosur e “elitës” moskovite.Në prag të shembjes së Bashkimit Sovjetik, te ne në KGB, çdo javë vinte një punonjës partiak i radhës nga Komiteti Qendror dhe na thoshte:
“Që ta merrni vesh, djema, ju duhet të na ndihmoni të rrimë në pushtet, përndryshe ka për të filluar njërebelim i pakuptimtë dhe i pamëshirshëm. Atëherë edhe juve, edhe neve kanë për të na varur nëpër shtyllat e fenerëve të rrugës, si në Budapest, gjatë kryengritjes antisovjetike të vitit 1956”.
Pyetje: Sa e madhe është mundësia që Putini të shkelë sustën bërthamore?
Përgjigje: Është zero. Unë, në kulmin e “luftës së ftohtë” mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, profesionalisht jam marrë me problematikën strategjike, kur rreziku i luftës bërthamore ekzistonte realisht. Ç’do të thotë të fillosh një luftë bërthamore? Do të thotë që të japësh goditjen e parë, e cila ka si qëllim të shfarosë maksimalisht një sasi sistemesh raketore të kundërshtarit me bazë tokësore, dhe kur, si kundërpërgjigje, do të nisen drejt teje raketat e tjera, ato është e domosdoshme t’i rrëzosh në ajër me mjetet e tua të mbrojtjes raketore. Bashkimi Sovjetik nuk e ka pasur asnjëherë potencialin e goditjes së parë raketore, kurse Rusia jo që jo.
Pyetje: Sipas të dhënave zyrtare të shtatorit të vitit 2013, në arsenalin e Federatës Ruse kishte rreth 3 mijë mbushje bërthamore, kurse në burimet jozyrtare përmendet një shifër më e madhe se 50 mijë, apo jo?
Përgjigje: Struktura e raketave ruse me bazë tokësore është e tillë që përafërsisht gjysma e mbushjeve bërthamore është e instaluar në raketat SS-18 ose “Satana”, të prodhuara nëbyronë e konstruksionit “Jugorja”në Dnjepropetrovsk. Ato janë prodhim i viteve ’60 të shekullit të kaluar. Atje ka afërsisht nga 10 mbushje bërthamore për çdo raketë, por ato nuk e kanë saktësinë e domosdoshme. Raketat janë parashikuar të japin goditje në sipërfaqë, por jo në objetiva të saktë. Domethënë, raketat ruse mund t’i fshijnë nga faqja e dheut Nju Jorkun, San Franciskon dhe qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por pas kësaj do të vijë një kundërgoditje, e cila do ta fshijë nga faqja e dheut krejt Rusinë.
Faktor i rëndësishëm kritik për të marrë vendimin “për të dhënë ose jo një goditje bërthamore”,është fakti se me çfarë saktësie raketa jote do të bjerë në objektiv. Raketat sovjetike dhe tani ato ruse, dallohen për faktin se saktësinë e kanë të dobët. Për më tepër, saktësinë reale të goditjes së tyre nuk e di askush, sepse një ndikim të madh mbi trajektoren e fluturimit të raketës ushtrojnë veçoritë atmosferike të asaj zone, nëpër të cilën ajo po shkon drejt objektivit. Është tjetër punë kur bëhet prova e nje rakete, e cila fluturon nga poligoni lindor për në Kamçatkë, sipas një korridori të caktuar me veçori të njohura atmosferike. Por edhe nëse do të jepet goditja bërthamore, atëherë raketat do të fluturojnë sipas trajektores më të shkurtër, domethënë përmes hapësirave të Polit të Veiut dhe, si përfundim, askush nuk e di se ku do të arrijnë ato, sepse prova të tilla deri tani nuk janë bërë
Madje edhe sikur Putini të luajë nga tepeleku përfundimisht dhe të kuturisë të shkelë sustën bërthamore, shokët do ta korrigjojnë shpejt e shpejt dhe do t’i shpjegojnë gjithçka.
Presidenti i Federatës Ruse s’ka shumë haber nga këto punë. Në filmin dokumentar me titull “Krimeja. Rruga për në atdhe”, Putini mburret se si “e pati trembur” një torpedinier të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Detin e Zi: demek, ne rreshtuam në formacion të hapur kompleksin e mbrojtjes bregdetare dhe e zhuluam atë për satelitët, në mënyrë që amerikanët ta shikonin dhe të tmerroheshin…
Po pse nuk doli askush që t’ia shpjegonte Putinit një hollësi të vogël: largësia e qitjes së kompleksit rus është 250 km, kurse largësia e fluturimit të raketave të telekomanduara që lëshohen nga torpedinieri amerikan, është 2500 km. Po të fillojë një luftë serioze, komplekset që kreu i Rusisë i ka vendosur në Krime, do tëshfarosen nga flota e gjashtë amerikane në Detin Mesdhe, madje pa hyrë fare në ujërat e Detit të Zi.
Përveç anës teknike të çështjes, ekziston edhe ana psikologjike. Ju vërtetë mendoni se një njeri, i cili çdo vit zhduket nga hapësirat publike nga shtatë deri në dhjetë ditë për të bërë tërheqjen e lëkurës së fytyrës dhe të ngopet me botoks, na qenka i aftë për të shpërthyer një luftë bërthamore? Se nga një kundërgoditje, botoksi do të shkrijë dhe do t’i rrjedhë nga frika.
Pyetje: Mos ju keni thjesht zili që presidenti i Federatës Ruse çdo vit ka më pak e më pak rrudha?
Përgjigje: Për të shtypur sustën bërthamore, duhet të jesh i pushtuar nga një ide prej maniaku, kurse Putini është skllav vetëm i dy dëshirave plotësisht tokësore: ta zgjatë jetën deri në pafundësi dhe të mbetet në pushtet përgjithmonë. Ju a e vutë re një hollësi të rëndësishme në takimin që u zhvillua në Minsk?
Pyetje: Në bisedimet që vazhduan 17 orë në Minsk në muajin shkurt të vitit 2015 pati shumë hollësira të rëndësishme. Për cilën e keni fjalën konkretisht?
Përgjigje: Ishte fillimi i bisedimeve. Merkeli, Holandi, Poroshenkoja dhe Putini po hynin në sallë. Lukashenkoja po i ulte vetë të gjithë nëpër vende. Sakaq, drejt presidentit të Bjellorusisë turret kreu i Rusisë dhe gati s’po ia rrëmbente nga duart ndenjësen ku do të ulej. U krijua një gjendje pështjellimi. Dhe a e dini se pse? Sepse lartësia e ndenjëses është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm i politikës së jashtme të Federatës Ruse. Ndenjësja duhet të jetë e lartë, në mënyrë që Putini të mos duket shkurtabiq. Por, njëkohësisht, ndenjësja nuk duhet të jetë edhe shumë e lartë, në mënyrë që këmbët e presidentit të Federatës Ruse të mos hallakaten në ajër. Përgatitja e ndenjëses për Putinin përbën një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme para çdo daljeje të tij në publik. Atë ndenjëse e bëjnë gati që më herët. Por në atë rast, Lukashenkoja, duke mos e ditur njëgjë të tillë, po ia ofronte dikujt tjetër atë ndenjëse intime. Për pak sa nuk dështuan bisedimet e Minskut për shkak të asaj ndenjëseje. Kurse ju po thoni “të shtypë sustën bërthamore”. Ju lutem shumë!…
Pyetje: Po nëse shantazhi bërthamor qenka një bllof, atëherë cila qenka arsyeja që Perëndimi reagon me kaq përtesë për agresionin e Rusisë në Ukrainë?
Përgjigje: Kundërvënia e tanishme e Vashingtonit dhe e Moskës të kujton marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Bashkimin Sovjetik në fundin e viteve ’70. Në krye të Amerikës asokohe ishte Xhimi Karteri, liberal dhe i butë, i cili mundohej që të jetonte në miqësi me të gjithë. Në vend që të shfrytëzohej një gjë e tillë dhe të përmirësoheshin marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik filloi një sulm serioz: ndërhyri në Afganistan, kurse raketat SS-20 i drejtoi nga Evropa. Si përfundim, pasi mbaroi mandati i Karterit, në vitin 1981 president u zgjodh Ronald Regani, i rreptë, i cili vendosi t’i lante hesapet me marrëzitë e Bashkimit Sovjetik. Ai i shtoi shpenzimet për armatimet. Si kundërpërgjigje, gjeneralët sovjetikë filluan t’i mbushnin mendjen Byrosë Politike dhe Sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik se, demek, amerikanët janë duke përgatitur goditjen e parë kundër Bashkimit Sovjetik. Regani, në të vërtetë, një gjë të tillë nuk e kishte planifikuar.
Pyetje: Si nuk e kishte planifikuar, përderisa pikërisht gjatë presidencës së Reganit “lufta e ftohtë” mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik pati arritur kulmin?
Përgjigje: Në vitin 1985, mua, me detyrën e korrespondentit të TASS-it, më nisën për në Vashington. Gazetaria ishte një maskë. Unë erdha në Vashington me detyrë“të ndiqja nga afër përgatitjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një goditje të befasishme raketo-bërthamore kundër Bashkimit Sovjetik”. Një detyrë e tillë u qe ngarkuar edhe të gjithë kolegëve të mi në linjën e zbulimit politik. Për mua qenë të mjaftueshme tre muaj për të kuptuar një gjë: detyra ishte një gjepur e pastër.
Në fillim mendova se mos ndoshta ka diçka që nuk arrij ta kuptoj. Iu drejtova bashkëpunëtorëve të tjerë të rezidenturës, por ata të gjithë ishin në një mendje me mua. Edhe analistët e Drejtorisë Qëndrore të Zbulimit po të këtij mendimi ishin. Por ama të gjithë, në një mendje, i raportonim Moskës se Pentagoni i mallkuar po përgatitet për një goditje paralajmëruese kundër Bashkimit Sovjetik.
Pyetje: Po si shpjegohet që bashkëpunëtorët e zbulimit të jashtëm sovjetik e gënjenin qendrën?
Përgjigje: Po sepse në Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e cila drejtonte shtetin, vazhdonte përhershmërisht një luftë e fshehtë. Në fundin e viteve ’70, udhëheqja e ministrisë së mbrojtjes dhe KGB-ja ranë në ujdi dhe sajuan një kërcënim të paqenë për një sulm të befasishëm raketo-bërthamor nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pyetje: Për ç’arsye?
Përgjigje: Për t’i trembur anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, pjesa më e madhe e të cilëve përbëhej nga 80-vjeçarë që kishin rrjedhur nga trutë. Rreziku, qoftë edhe i paqenë, i goditjes së befasishme raketore, e shtonte rëndësinë dhe peshën e ministrisë së mbrojtjes dhe të KGB-së. Përfaqësuesit e ministrive ushtarake filluan të merrnin më shumë para nga buxheti, dekorata, yje, shirita me ngjyra për pantallonat ushtarake. Nga zbuluesit sovjetikë kërkohej që të jepnin informacion për përgatitjen e goditjes raketore nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse ti raportoje se nuk ka kërcënim, atëherë të kthenin menjëherë në Bashkimin Sovjetik, si një bashkëpunëtor i përgatitur në një mënyrë të pamjaftueshme.
Si përfundim, në Bashkimin Sovjetik erdhën e u krijuan dy realitete paralele: njëri i trilluar, që sajohej në kokën e udhëheqjes së vendit, mbi bazën e atyre raporteve që asaj i shkonin si reagim ndaj atyre detyrave të rreme, tjetri – si një jetë reale brenda dhe jashtë vendit.
Në një etapë të caktuar, mes dy realiteteve u krijua një humnerë: maja e pushtetit merrej me kërcënimet e supozuara, kurse ekonomia e vendit vazhdonte të merrte tatëpjetën, vendi po kalbej nga brenda dhe në vitin 1991 u shpërbë. Pikërisht e njëjta gjë po ndodh edhe tani në Rusi. Ashtu si edhe Bashkimin Sovjetik, atë po rrënojnë ushtarakët në pushtet.
Pyetje: Na i bëni të njohur emrat e gjeneralëve, marrëveshja e fshehtë e të cilëve çoi, sipas jush, në shembjen e Bashkimit Sovjetik.
Përgjigje: Gjithçka zë fill nga kryetari i KGB-së Juri Andropovi dhe ministri i mbrojtjes Dmitër Jazovi. Nismën e tyre e përkrahu njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Andropovit, shefi im i drejtpërdrejtë(ai asokohe drejtonte zbulimin e jashtëm të Bashkimit Sovjetik)Vladimir Krjuçkovi. Të gjithë ministrat e mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik, deri te Dmitër Jazovi, po ashtu, qenë pjesëtarë të një sajimi të tillë.
Meqë ra fjala, vetëm në saje të faktit që Krjuçkovi po i kallte frikën me sukses Byrosë Politike me raketat amerikane, ai arriti të bëhej kryetar i KGB-së dhe të merrte gradën e gjeneralit të armatës. Paskëtaj atij i shkanë trutë përfundimisht dhe deshi të kryente puçin ushtarak të gushtit të vitit 1991 , pas të cilit Bashkimi Sovjetik na la shëndetin.
Pyetje: A nuk po e zmadhoni rolin e gjeneralëve sovjetikë? Në fund të fundit, pikërisht Regani ishte ai që e futi Bashkimin Sovjetik në garën e armatimeve dhe uli çmimet ndërkombëtare të naftës, çka bëri që të shkallmohej përfundimisht ekonomia e Bashkimit Sovjetik, apo jo?
Përgjigje: Shtrohet një pyetje:
“A është e vërtetë që Amerika hyri në një marrëveshje me Arabinë Saudite për t’i ulur çmimet ndërkombëtare të naftës?”.
Kjo lë shumë për të diskutuar. Edhe në Rusi, po ashtu, po dëgjohen klithma se, demek, Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenkan marrë vesh me Arabinë Saudite. Vërtetësinë e një pohimi të tillë unë e vlerësoj 50 me 50.
Regani e futi vërtet Bashkimin Sovjetik nënjë garë armatimesh, por gjeneralët sovjetik e mbështetën me kënaqësi dhe krejtësisht pa mend në kokë, pa e kuptuar që një gjë e tillë do ta merrte në qafë ekonominë. Pikërisht udhëheqja e ministrisë së mbrojtjes dhe KGB-ja, para Byrosë Politike shtruan detyrën për t’iu përgjigjur Shteteve të Bashkuara të Amerikës një më një: në qoftë se amerikanët ndërtojnë një raketë, edhe ne duhet të prodhojmë tonën, nëse ata prodhojnë një nëndetëse, atëherë edhe ne jemi të detyruar ta prodhojmë. Se në ç’mënyrë do të pasqyrohej në ekonominë e Bashkimit Sovjetik gara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për këtë ata nuk e vranë mendjen shumë. Në përfundim, kërthiza shpërtheu dhe gjithçka mori tatëpjetën. Ngjarje absolutisht analogjike po ndodhin tani në Rusi: ushtarakët shpikin kërcënime të rreme nga jashtë, i detyrojnë mjetet e informimit masiv dhe shërbimet e veta të zbulimit t’i fryjnë ato, kurse më pas i marrin vetë për të vërteta.
A doni të dini një histori gjigande, të cilën rrallë kush e mban mend. Kjo ka të bëjë me logjikën e ekzistencës edhe të Bashkimit Sovjetik, edhe të Rusisë. Në mesin e viteve ’70, në Bashkimin Sovjetik prodhuan raketat SS-20 me rreze të mesme veprimi. Nuk kishte as objektiv konkret, as detyrë konkrete: i projektuan, i konstruktuan edhe u mbyll hesapi. Këshillëtari personal i Leonid Brezhnjevit, në një takim të mbyllur në ambasadë,naka rrëfyer:
“Jemi në aerodrom. Leonid Iliçi niset për një vizitë jashtë vendit. Po e shoqëronin anëtarët e Byrosë Politike. Sakaq Breshnjevit i afrohet ministri i mbrojtjes Ustinovi, të cilit i drejtohej me “ti”, sepse ata njiheshin që nga koha e Luftës Patriotike. “Lon, – i drejtohet Ustinovi, – ne raketat i bëmë, jo balistike, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk arrijnë, por Evropën e mbulojnë. Duhet bërë diçka me to, kemi harxhuar para, prodhimin e tyre e kemi vënë në vijë, por s’e kemi të qartë se ku t’i çojmë. Mos ndoshta duhet t’i vendosim në pjesën perëndimore të Ukrainës dhe të Bjellorusisë, le të rrinë atje?”. Brezhnjevi mendjeshkurtër, që i kishin rrjedhur trutë, përgjigjet: Jepi, Dima, Jepi”. Ja, ky ishte gjithë diskutimi i çështjes strategjike”.
Kështu, pa kurrfarë arsyeje konkrete, Bashkimi Sovjetik vuri në gatishmëri raketat SS-20. Shtetet e Bashkuara u çuditën, pa kuptuar asgjë, dhe, si kundërpërgjigje, vendosën po në gjendje gatishmërie raketat “Pershing 2”, koha e fluturimit të të cilave deri në Moskë ishte gjithsej 8-10 minuta. Atëherë u çuditën në Moskë dhe që asokohe filloi lufta për paqe. Putini mund t’i bëjë dëm kokës me kërcënimet e veta, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kujtohen për raketat “Pershing” ose për modifikimin e tyre bashkëkohor. Nëse ato do të vendosen tani, fjala vjen, në Priballtik, atëherë koha e fluturimit të tyre do të shkurtohet deri në katër minuta. Por duke patur parasysh faktin që raketat e tanishme e kanë shpejtësinë shumë më të madhe sesa të zërit, atëherë deri në Moskë ato arrijnë brenda 2-2,5 minutave. Kështu merr fund edhe zgjidhja e çështjes së luftës bërthamore.
Pyetje: A mendoni se Putini do të kuturisë të ndërmarrë ndonjë sulm të përmasave të gjera kundër Ukrainës?
Përgjigje: Në zbulim dhe në analitikë kanë rëndësi hollësitë. Unë ato nuk i njoh. Por po shikoj dy gjëra serioze.
Së pari, grumbullimi i trupave ruse në kufi me Ukrainën është tashmë një gjë e palejueshme. Ta mbash kot një sasi kaq të madhe njerëzish,është punë me zarar. Ata do të demoralizohen dhe do të shndërrohen në një forcë të rrezikshme për vetë Rusinë.
Së dyti, Për Federatën Ruse është tej mase e domosdoshme që Perëndimi t’i heqë sanksionet dhe të mos vendosë sanksione të tjera. Para pak kohësh, kryeministri Dmitër Medvedjevi po ankohej, kur ishte duke raportuar për gjendjen brenda vendit. Nëse Putini do të kuturisë të ndërmarrë ndonjë sulm, ekonomia e Rusisë s’ka për t’i përballuar dot sanksionet e tjera. Por ama duhet marrë parasysh faktori i “administrimit territorial të KGB-së”, shembull i qartë i të cilit është Putini. Siç thoshte i ndjeri Bjerezovski:
“Është e vështirë ta parashikosh logjikën e idiotëve”.
Pyetje: Atëherë a mund të ma shpjegoni logjikën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili po e frenon furnizimin e Ukrainës me armë vdekjeprurëse?
Përgjigje: Obamën pikërisht mund ta kuptosh: nëse armët amerikane do t’i braktisin po ashtu si edhe armët ukrainase gjatë tërheqjes së forcave të Operacionit Antiterrorist nga Debalcevoja, atëherë do të krijohet një skandal dhe përgjegjësinë për një gjë të tillë do ta mbajnë jo senatorët që po ngrenë zërin për t’i dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës, por personalisht Barak Obama. Kjo do t’i japë një goditje të fuqishme pretendentit për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Partia Demokrate. Obama duhet ta lërë me dinjitet postin presidencial, në të kundërt, emri i tij do të mbulohet me turp.
Por ekziston një problem shumë më i rëndësishëm:
“Kujt pikërisht i duhen dorëzuar armët vdekjeprurëse amerikane?”.
Për batalione vullnetare as që mund të bëhet fjalë, kurse ushtri e vërtetë, në kuptimin perëndimor të kësaj fjale, në Ukrainë, deri më sot, nuk ekziston.
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë ardhur duke u rrudhur dhe duke u shpërbërë qëllimisht. Presidentët e vendit, me sa duket, kanë qenë të mendimit se një ushtri me aftësi luftarake, për ta ishte më e rrezikshme sesa një armik i jashtëm potencial.
Pyetje: Si nuk ekzistuaka ushtria, kur gjatë vitit të fundit pikërisht ushtria doli në skenë, për herë të parë gjatë tërë historisë së Ukrainës së pavarur?
Përgjigje: Situata rreth Ilovajskut dhe Debalcevos dëshmoi qartë se ekziston një humnerë mosbesimi dhe madje armiqësie mes efektivit të forcave të armatosura të Ukrainës, që ndodhen në fushën e betejës, dhe komandës. Komanda mund të vendosë në formacion luftimi forcat e Operacionit Antiterrorist, por sapo fillojnë veprimet luftarake, ajo e humbet lidhjen dhe drejtimin e tyre. Ushtria rezulton e braktisur në mëshirën e fatit dhe vjen e shndërrohet në një turmë pa drejtim. Qarkullojnë fjalë: “Neve na kanë mashtruar” dhe ushtarët fillojnë t’ia mbathin në panik e sipër. Sigurisht që mes efektivit ka një mori heronjsh, por problem kryesor, për shkak të të cilit një vit pas agresionit ushtria ende nuk ekziston, është humnera e mosbesimit, e moskuptimit dhe madje edhe e armiqësisë mes efektivit dhe komandës. Dhe në këtë mes fajtore është vetëm komanda supreme.
Gazetarja: Për fat të keq, unë s’kam se ç’t’ju kundërshtoj.
Përgjigje: Unë ju rrëfeva për gjeneralët sovjetikë dhe rusë, kurse tani le të flasim për gjeneralët ukrainas. Ekziston nocioni“gjeneral kabineti”. Ende Gribojedovi shkruante, duke i vënë fjalët e veta në gojën e Çackit:
Si ai me famë, me qafën shpesh të shtruar,
Si jo në luftë, por në paqe rrinin peqe,
Trokitnin dyshemesë pa u penduar!
Në periudhën e Evromajdanit, në Ukrainë kishte 43 gjeneralë ushtrie. Për një ushtarë të aftë për luftë, i bie që Ukraina të zërë vendin e parë në botë për numrin e gjeneralëve. Ushtri s’ka, kurse gjeneralë të një ushtrie të paqenë ka. Shumica e tyre patën marrë shiritat e kuq të pantallonave në periudhën kur forcat e armatosura të Ukrainës po mpakeshin dhe po shpërbëheshin. Presidentët, me sa duket, ishin të mendimit se një ushtri e aftë për luftë për ta qenkej më e rrezikshme sesa një armik i jashtëm potencial. Forcat e armatosura të Ukrainës nuk patën marrë pjesë në kurrfarë operacionesh ushtarake, madje nuk janë zhvilluar as stërvitje ushtarake. E fundit, siç më kanë thënë, qenka zhvilluar në vitin 1997, në nivel divizioni. Kjo është qesharake. A mund të ma shpjegoni se për çfarë meritash këtyre njerëzve u patën dhënë shiritat e kuq të gjeneralit?
Gazetarja: Për shitjen e paligjshme të armëve jashtë vendit…
Përgjigje: … edhe për shumat e parave për drejtuesit e lartë! Kështu që të kërkosh strategë në ministrinë e mbrojtjesë së Ukrainës dhe në shtabin e përgjithshëm, është një gjë e kotë. Në parim, atje nuk ka të tillë. Ecuria e operacioneve luftarake në Donbas, e vërteton më së miri një gjë të tillë.
Pyetje: Çfarë propozoni?
Përgjigje: Në mesin e viteve’90, në shtetin afrikan Sierra Leone patën dalë në skenë ca kryengritës, të cilët patën rrëmbyer një pjesë të konsiderueshme të territorit, të pasur me diamante. Ushtria qeveritare s’qe në gjendje të bënte gjësend dhe ftoi disa të huaj. Shkuan 157 specialistë ushtarakë të stërvitur mirë, të cilët, brenda dy javëve, i dhanë dërrmën ushtrisë kryengritëse që përbej prej dhjetë mijë vetash.
Pyetje: Ju e keni fjalën për udhëheqjen ukrainase, së cilës i mungon intelekti për një gjë të tillë?
Përgjigje: Ose nuk i mjaftonte intelekti, ose nuk kishte dëshirë për t’i dhënë fund luftës shpejt dhe pa humbje të shumta.
Në muajin maj të vitit 2014, unë solla në Ukrainë njërin nga specialistët ushtarakë më të mirë në Perëndim. Ai do t’i kishte likuiduar separatistët e armatosur brenda dy muajve. Por një burokrat i juaj e zgjati e bëri tërkuzë këtë problem.
Pyetje: Në muajin maj të vitit 2014, para zgjedhjeve presidenciale, ju patët ardhur në Ukrainë. Cila ishte arsyeja?
Përgjigje: Solla me vete njërin nga specialistët ushtarakë më të mirë në Perëndim. Ekspertë të një niveli të tillë në mbarë botën mund të jenë gjithë-gjithë 10 veta.
Emri dhe jetëshkrimi i tij dëshmojnë më së miri. Përvojë dhe dije, për mendimin tim, ai ka më shumë se gjithë shtabi i përgjithshëm i Ukrainës.
Në muajin maj të vitit të kaluar, numri i separatistëve të armatosur, që vepronin në Donbas, arrinte në disa qindra. Ne erdhëm me një plan konkret. Partneri im ishte gati t’i jepte fund gjithë rrëmujës në lindje të Ukrainës, e shumta, brenda dy muajve. Plani ynë për likuidimin e separatistëve, do të mund të kushtonte sa vlera e dy tankeve T-90 që shkojnë për eksport.
Pyetje: Unë kam kohë që nuk kam kontakt me tregtinë ushtarake dhe nuk e mbaj mend se sa kushton një tank. A mund të më thoni, ju lutem, se sa ishte vlera e projektit tuaj”
Përgjigje: Rreth gjashtë milionë dollarë, duke llogaritur që gjysma e kësaj shumë do të shpenzohej për armatime, pikërisht për ato lloje armatimesh, të cilat Ukraina po i kërkon në Perëndim prej shumë kohësh dhe pa rezultat. Neve na njohën me një njeri nga radhët e udhëheqjes ukrainase, i cili asokohe këtë problem mund ta kishte zgjidhur.
Pyetje: Nuk do t’ia përmendni emrin?
Përgjigje: Nuk ia vlen të fut sherre të tjera. Por, më besoni, unë po flas për një nivel shumë të lartë. Sot këtë emër e ka dëgjuar gjithsecili në Ukrainë, kurse në muajin maj të vitit 2014 ai mund ta kishte zgjidhur lehtësisht problemin e separatistëve në Donbas. Pornë vend që ta bënte një gjë të tillë, ai këtë problem e bëri tërkuzë. A e dini se sa i habit amerikanët më shumë se çdo gjë tjetër në radhët e burokratëve ukrainas? Fakti që ata nuk përgjigjen konkretisht “po” ose “jo”, por rrinë e mbllaçitin diçka të pakuptueshme.
Unë u ktheva në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por përpjekjet i vazhdova, arrita të çaj deri në nivel ministrie, përfaqësuesit e së cilës kishin njohje me presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës. Përgjigjja? Përsëri qetësi. Dhe një gjë e tillë ndodh kur delegacionet e Ukrainës bredhin nëpër botë, duke kërkuar armë pa pushim dhe marrin përgjigje negative. Por ama kur në Ukrainë vijnë specialistë perëndimorëdhe propozojnë një plan të menduar, të përpunuar deri në hollësi… A e kuptoni që një burokrat tipik ukrainas nuk zgjidh probleme, ai bën sikur punon. Pikërisht këtu qëndron tragjedia e Ukrainës.
Në fundin e viteve ’80, në KGB rrëfenin një anekdotë, në të cilën përshkruhet me shumë saktësi burokracia ukrainase e ditëve tona. Një agjent të CIA- e dërguan në Moskë dhe i patën caktuar si detyrë të kryente një grusht shteti. Ai erdhi, vendi e kishte marrë veten, filloi vrasja e ndërgjegjes dhe ai vendosi të dorëzohej. Shkoi në Lubjankë(selia e KGB-së –E.Y.) dhe thotë:
“ – Unë, që ta merrni vesh, djema, vij nga CIA, jam gati të pranoj gjithçka”.
Njeriu i KGB-së e pyet:
“ – A ke marrë ndonjë detyrë?”.
Amerikani pohon me kokë.
“ – Atëherë ju duhet të drejtoheni në kabinetin fqinj”.
Ai drejtohet për në kabinetin fqinj:
“ – Unë vij nga CIA, jam ngarkuar me një detyrë”.
“ – A ke me vete aparat radiopërgjimi?”.
“ – Kam”.
“ – Atëherë shkoni në kabinetin fqinj”.
Amerikanin, tërë ditën e ditës, e bënë top futbolli, duke e përcjellë nga njëri kabinet në tjetrin. Në mbrëmje vonë, ai, krejtësisht i rraskapitur, hyn në kabinetin e fundit dhe thotë:
“ – Unë vij nga CIA, mëështë ngarkuar edhe një detyrë, kam edhe një aparat radiopërgjimi dhe shumë gjëra të tjera”.
“ – Atëherë ik se s’ta kam ngenë dhe kryeje detyrën që tëështë ngarkuar, mos më pengo të përgatitem për festën e 1 majit”.
E njëjta gjë po ndodh edhe në Ukrainë.
Pyetje: Mos ndoshta as niveli i përfaqësimit tuaj, as niveli i specialistit tuaj dhe i atyre që qëndronin pas, nuk i kanë lënë mbresa udhëheqjes ukrainase?
Përgjigje: A është autoritet për ju niveli i komandantit të trupave speciale më të mira të botës? A nuk qenka autoritet niveli i komandantit të operacionevespecial të NATO-s? Mos ndoshta mua, me planin tim, më duhej t’i drejtohesha Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në Kiev t’i kushtonin vëmendje? Partneri im, si të gjithë njerëzit seriozë në Perëndim, e ka zakon të përgjigjet për fjalët e veta. Aq më tepër kur aiështë i pajisur me përvojën përkatëse të operacioneve luftarake. Përderisa tha që brenda dy muajve do ta zgjidhte problemin me separatistët në Donbas, kështu kishte për të ndodhur, dhe tashmë, në gushtin e vitit 2014, në lindje të Ukrainës gjithçka do të ishte e qetë, për më tepër që do të ishin siguruar armatimet dhe trupat speciale me aftësi luftarake.
Pyetje:Si e shpjegoni mospranimin nga ana e udhëheqjes ukrainase të projektit tuaj për neutralizimin e separatistëve?
Përgjigje: Sistemi nuk punon dhe kjo është një gjë e tmerrshme! Ukraina ka dy armiq: Rusinë putiniane dhe shtetine vet, të përfaqësuar nga një milet burokrat. A ju kujtohet vepra e Radishevit me titull “Një udhëtim nga Peterburgu për në Moskë”, të botuar në fundin e shek. XVIII? Si epigraf për librin e vet, Radishevi kishte marrë njëdyvargësh nga një poemë e Trediakovskit, duke e ndryshuar paksa:
“Një përbindësh kokorosh, fëlliqan,
katana, me njëqind gojë dhe lehan”.
Ky është përshkrimi më i shkëlqyer dhe më lakonik i aparatit burokratik në Ukrainën bashkëkohore. Kur askushi, me një copë shkollë të mesme, bëhet ministër i mbrojtjes së Ukrainës, atëherë me siguri që shef i shtabit të përgjithshëm duhet të jetë ndonjë maturant i teknikumit të gjellëtarisë.
Pyetje: Pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2014, në Ukrainë udhëheqja u zëvendësua. Ju a keni bërë përpjekje për t’ia propozuar sërish projektin tuaj?
Përgjigje: Njëri nga ata burokratët e lartë, deri tani vazhdon ta mbajë në tryezë projektin tonë, pikërisht ai, i cili del nëpër ekrane televizive me kohë e pa kohë dhe shqyen këmishën në gjoks, duke klithur: “demek, agresioni, agresioni!… Ne po i kërkojmë të na japë një përgjigje përfundimtare, por burokrati herëështë larguar, herëështë shmangur, herëështë rrëzuar ose ende nuk ka arritur të kryejë nevojat pëersonale.
Mua tani mështeruan të gjitha fjalët e hijshme. Ky përfaqësues i udhëheqjes ukrainase shkoi tashmë me një delegacion presidencial për të marrë armatime në Lindjen e Mesme, pikërisht ato armatime, të cilat ne ia kemi ofruar në tabaka.
Pyetje: Po a nuk keni tentuar t’i drejtoheni drejtpërsëdrejti Pjetër Poroshenkos?
Përgjigje: Edhe në këtë mes ka një problem. Ju vërtet keni një president të mrekullueshëm, në kuptimin që sikur ai të ishte ministër i punëve të jashtme, kandidaturë më të mirë nuk do të kishte. Unë e kam ndjekur në televizion kur Poroshenkoja po mbante një fjalim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: ai përfaqësonte një model të shquar të artit diplomatik. Por ekziston ligji Merfi: çdo nëpunës apo administrator, herët ose vonë, arrin cakun e kompetencës së vet.
Unë druhem shumë se zoti Poroshenko mund ta arrinte këtë cak në postin e kreut të ministrisë së punëve të jashtme. Sepse në postin e presidentit ai ka dy probleme shumë serioze: përzgjedhjen e kuadrove, para së gjithash, të kuadrove ushtarake, sipas kriterit të besnikërisë individuale dhe jo sipas dobisë profesionale, dhe, së dyti, moskuptimin e faktit që fati i Ukrainës vendoset, para së gjithash, në frontet e luftës dhe jo në tryezën e bisedimeve. Veç kësaj, përpjekjet diplomatike nuk mund ta shndërrojnë disfatën në fushën e betejës në fitore në tryezën e bisedimeve. Diplomacia mundet vetëm sa ta fiksojë pak a shumë në një mënyrë të sukseshme atë që tashmë ka ndodhur në fushën e betejës. Siç ma ha mendja mua (me këtë rast unë do të dëshiroja ta kisha shumë gabim), zoti Poroshenko nuk ua ka shumë haberin çështjeve ushtarake, prandaj nuk merret dhe aq me to, duke ua besuar fatin e vendit “gjeneralëve të kabineteve”. Por ama kësaj i thonë recetë e gatshme për një disfatë të tmerrshme.
Pyetje: A nuk ju duket se një numri shumë të madh njerëzish në politikën ukrainase, elementarisht, nuk iu leverdis ta ndalojnë luftën në Donbas, së cilës mund t’ia shkarkosh mungesën e reformave të sistemit, duke vazhduar me këtë rast një biznes të madh të pistë?
Përgjigje: Kjo do të jetë punë me zarar, ka për të pasuar Majdani i radhës dhe përgjithësisht gjithçka do ta marrë lumi. Unë, të them të vërtetën, nuk e kuptoj politikën e kuadrit që ndek Poroshenkoja. Ministri i kaluar i mbrojtjes së Ukrainës (gjeneral-kolonel Valeri Geletei ka qenë kreu i ministrisë së mbrojtjes prej 03 korrikut deri më 14 tetor të vitit 2014). Emërimi i tij është një diversion kundër Ukrainës.
Shfletoj jetëshkrimin e këtij “strategu”. Rezulton se ai paska mbaruar shkollën e mesme Ivano-Frankovskaja, e specializuar për polici. Unë u ndodha në një gjendje shoku! Më vjen zor të pyes: zoti president i Ukrainës, sikur juve, mos e thëntë Zoti, do t’ju duhet të bëni një operacion të vështirë në zemër, a do t’ia besonit atë një maturanti të shkollës së mesme mjekësore? Në Bashkimin Sovjetik, një njeri me një arsimim të tillë, e shumta, mund të punonte si i plotfuqishëm i lagjes, kurse këtu ai na qenka një goxha ministër i mbrojtjes i një vendi që po vazhdon luftën…
Unë kam ndjekur në televizion disas fjalime të Geleteit. Atij i shkëlqenin dhëmbët e sapozbardhur dhe njoftonte: unë, demek,kam mësuar të luftoj gjatë kohës që isha në postin e ministrit. Dhe këto fjalë i thoshte në prag të rrethimit të Ilovajit. Ai madje nuk arrinte të kuptonte se “mësimi i tij kur ishte në postin e ministrit” u ka kushtuar jetën qindra, në mos mijëra njerëzve.
Kur një askush me arsim të mesëm, bëhet ministër i mbrojtjes i Ukrainës, atëherë, me siguri, shef i shtabit të përgjithshëm duhet të jetë ndonjë maturant i teknikumit të gjellëtarisë.
Por pavarësisht nga situata e vështirë, ekziston një shpresë e madhe. E kam fjalën për brezin e ri të ukrainasve, të cilët kanë hyrë në politikë afërsisht gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Këta janë njerëz me trutë në vend. Kur shtrohet një detyrë, ata vrasin mendjen dhe kërkojnë mënyra për zgjidhjen e saj. Po burokrati tradicional ukrainas si e zgjidh problemin? Ai, para së gjithash, bën ca hesape:
“Po unë ç’do të fitoj në këtë mes?”.
Dhe në qoftë se nuk fiton asgjë, atëherë ai s’ka për ta zgjidhur. Dhe kur nga burokratë të tillë varet fati i vendit, atëherë ky vend rezulton të mbetet atje ku përfundoi Ukraina 25 vjet pas arritjes së pavarësisë: pa ushtri dhe pa para. Me sa duket, Ukraina duhet të përjetojë skenarin biblik: Moisiu e udhëhoqi popullin e vet 40 vjet nëpër shkretëtirë, në mënyrë që në tokën e premtuar të hynin vetëm si njerëz të lirë. Me siguri që vendit do t’i duhet të presë, derisa përfaqësuesit me vetëdije të plakur burokratike do të vdesin vetiu.
Pyetje: Po derisa të largohen nga pushteti vetiu njerëzit e sistemit të vjetër politik, Ukraina mund të zhduket, apo jo?
Përgjigje: Këtu gjithçka varet nga fakti se çdo të ndodhë me fqinjin tuaj verior. Fati i Rusisë tani, në një masë të konsiderueshme, varet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po nënshkroi gjithsej dy shkresa, pa kurrfarë goditjesh bërthamore, Obama mund ta bëjë Rusinë të bjerë në një gjendje parainfarkti.
Pyetje: A mund të flisni më me hollësi për këtë çështje?
Përgjigje: Së pari, monopolet më të fuqishme të naftës tashmë po i bëjnë presion Obamës, duke i kërkuar që të heqë kufizimet për eksportin e naftës bruto. Ai, hëpërhë, po reziston, por shpresat janë se do t’i heqë. Nëse Obama do ta nënshkruajë këtë shkresë, çmimet botërore të naftës do të bien menjëherë.
Së dyti, është fjala për eksportimin e gazit të lëngshëm. Sipas të dhënave të janarit të vitit 2015, në tryezën e Obamës ndodhen afërsisht 100 kërkesa për eksportimin e gazit të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast, Obama ka nënshkruar pesë prej tyre. Pritet që pas shtatë-tetë javësh, sasia e parë e gazit të lëngshëm të shkojë në Evropë. Nëse do të hiqen kufizimet për eksportimin e gazit të lëngshëm amerikan, çmimet ndërkombëtare të tij, po ashtu, do të kenë një ulje të menjëhershme.
Edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, Kremlinit i vjen fundi. A e dini se ku qëndron veçoria karakteristike e Rusisë? Se vendet normale, me një ekonomi të qëndrueshme, gjithmonë janë normale. Kurse Rusia bëhet një vend i përgjegjshëm në politikën e jashtme vetëm atëherë kur përjeton probleme ekonomike serioze. Sapo në Rusi grumbullohen para të tepërta, Kremlinit fillojnë t’i shkasin trutë: çunat humbasin toruan dhe të bëjnë paçet. Rusia është një vend me orientim jotradicional, në kuptimin që në planin strategjik ajo mban të njëjtin avaz. Nëse Perëndimi nuk do t’i heqë sanksionet, pas dy vjetësh Rusia do të marrë tatëpjetën. Në puset e naftës, të cilët tani janë në shfrytëzim në Federatën Ruse, sipas vlerësimeve të specialistëve të ndryshëm, naftë ka mbetur afërsisht edhe për dy vjet. Burime të reja nafte, pas vendosjes së sanksioneve perëndimore, Rusia e ka të pamundur të vërë në shfrytëzim. Kështu që pas dy vjetësh, vendi do të mbetet pa naftë(Citohet sipas: Natalia Dvali. “Shoku i klasës së Putinit, ish-zbulues i KGB-së: Ju seriozisht e keni kur mendoni që Putini, i cili merret me heqjen errudhave të fytyrës, do të shpërthyeka ndonjë luftë bërthamore? Atij, nga frika, do të fillojë t’i rrjedhë botoksi”.Marrë nga faqja e internetit “GORDON”. 28 prill 2015).