Nga Frank Shkreli/
16 Maji, 1966 shënoi 50-vjetorin e revolucionit ideologjik dhe “kulturor” kinez. Kjo ditë shënon mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës që konsiderohet si data zyrtare e fillimit të Revolucionit Kulturor, një ngjarje që nuk ishte as revolucion dhe nuk kishte aspak të bënte me kulturën. Përkundrazi, ishte një periudhë që shkroi një kapitull të tmershëm dhe të dhimbshëm në historinë e popullit kinez, një periudhë vrasjesh e torturash, linçimesh dhe gjyqe linçi, duke e këthyer vendin në një eksperiment tragjik, në dorë të të ashtuquajturave masa revolucionare të rinjshë, kryesisht, por edhe të shtresave të tjera të shoqërisë kineze.
Është ky një përvjetor i një historie të shëmtuar dhe gjakatare të komunizmit kinez kundër popullit të vet, që sipas mediave ndërkombëtare pothuaj nuk u përmend aspak në Pekin, as zyrtarisht dhe as në median kineze, duke pasqyruar kështu ndjenjat e thella që ekzistojnë ndaj një periudhe që me të drejtë është cilësuar si një katastrofë në historinë e Kinës. Ishte një lëvizje që bënte thirrje për luftë të pa mëshirëshme klasash me qëllim të zhdukjes së elitës intelektuale dhe kundërshtarëve politikë të udhëheqsit numër një dhe të Partisë Komuniste. Revolucioni Kulturor është cilësuar si një kapitull dhune politike dhe fizike në historinë e Kinës për të cilin udhëheqsit e sotëm të Kinës turpërohen dhe për të cilin as nuk duan të flasin publikisht as zyrtarisht.
Ndonëse në Kinë, siç thashë më lartë, sipas mediave ndërkombëtare, ky përvjetor nuk u përmend nga Pekini zyrtar dhe u injorua nga media kineze, e njëjta gjë duket se ndodhi edhe në Shqipëri, ku ndonëse në dy tre raste media përmendi 50-vjetorin e Revolucionit Kulturor kinez, por pa thënë asgjë për Revolucionin Kulturor të Shqipërisë, pjellë e së cilës ishte. Me fjalimin e Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1967, Shqipëria komuniste kishte nisur gjithashtu revolucionin e saj me kopjimin e Revolucionit Kulturor kinez, duke e zhytur kombin shqiptar në një katastrofë përmasash historike, ndërkohë që ndërmori krimet më çnjërzore kundër popullit të vet, elitës intelektuale dhe fetare shqiptare si dhe kundër kulturës dhe traditave mija vjeçare të kombit shqiptar, me fjalë të tjera një fushatë kundër çdo gjëje të “vjetër”.
Gjatë 1960-ave, Kina dhe Shqipëria ishin aleatë të ngushtë në një kohë kur asnjëra palë nuk kishte shumë miqë anë e mbanë botës. Kjo aleancë midis dy vendeve komuniste, që shumë ekspertë e kanë karakterizuar si jo natyrale, u përforcua më tepër pas vdekjes së Stalinit. Në mospajtim me politikën e ish- udhëheqsit sovjetik Nikita Krushçev për destalinizimin e vendit, Tirana komuniste vendosë lidhje të ngushta, jo vetëm në fushën ideologjike, por edhe në fushën strategjike me Kinën komuniste. Të frikësuar nga kërcënimet që mund t’i vinin pushtetit komunist nga pakënaqësitë e popullit shqiptar në lidhje me gjëndjen ekonomike dhe politike në vend, pasi Mao Tse Dungu kishte deklaruar tanimë Revolucionin Kulturor dhe Ideologjik në Kinë në vitin 1965, — Enver Hoxha, në fjalimin e tij famëkeq të 6 shkurtit, 1967 njoftoi Revolucionin e vet Kulturor dhe Ideologjik. Si përfundim, Shqipëria u u përshkua me ndryshime rrënjësore në jetën e përditshme, përfshirë ndër të tjera ndryshimet në ushtri dhe në burokracinë shtetërore dhe qeveritare.
Eliminoi ministri të tëra, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Kolektivizimi i tokave dhe shtetëzimi i pasurisë u përhapën anë e mbanë vendit, përfshirë edhe zonat më të izoluara të Shqipërisë. Por, rezultati më famëkeq i Revolucionit Kulturor në Shqipëri, ishte pikërisht zhdukja e kulturës kombëtare dhe përfaqsuesve të saj, shfarosja e fesë dhe e traditave shumë shekullore shqiptare, pasojat e të cilit, fatkeqsisht, shihen edhe sot në jetën politike, kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë, madje edhe 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit. Gjatë 1960-ave, regjimi komunist enverist, duke u bazura në përvojn e revolucionit kinez, kritikoi, torturoi, arrestoi, vrau, internoi dhe ridënoi deri në zhdukje elitën kombëtare, përfshirë shkrimtarë, klerikë dhe artistë të dalluar. Ndër të tjera, regjimi enverist ndryshoi sistemin arsimor dhe ndaloi fenë duke e shpallur me krenari Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, ndërkohë që organizoi grupe agjitatorësh, të rinjshë e të rejash, për të shkatërruar objektet fetare anë e mbanë Shqipërisë duke zhvilluar një fushatë të egër anti-fetare, sidomos kundër klerit katolik, të pa parë askund tjetër në botë.
Ishte kjo një përpjekje e qëllimshme nga ana e regjimit komunist shqiptar që ta izolonte edhe më shumë Shqipërinë nga rrënjët e saja të kulturës dhe të traditave europiane duke e vet-izoluar popullin shqiptar, me objektivin për ta mbajtur Shqipërinë larg atyre që regjimi komunist i kohës i konsideronte si “influenca të huaja”. Duke zhdukur në këtë mënyrë, trashëgiminë, kulturën dhe traditën e vjetër të shqiptarëve, për t’i hapur rrugën, sipas regjimit, një revolucioni të ri kulturor për të krijuar “njeriun e ri”, por në të vërtetë ishte një fushatë që u këthye menejëherë në një barbarizëm të vërtetë shfarosës kundër qytetërimit shqiptar dhe evropian.
I parë nga përspektiva e sotëme, në këtë 50-vjetor, i ashtuquajturi Revolucioni Kulturor në Shqipëri – një kopje fatzezë e Revolucionit Kulturor dhe Ideologjik të Kinës Komuniste – nuk ishte gjë tjetër veçse një krim përmasash kombëtare, i kryer nga një regjim anti-kombëtar, në emër të një ideologjie sllavo-aziatike kundër historisë dhe kulturës së kombit shqiptar.
Disa vjetë më parë, Radio Vatikani do ta cilësonte fjalimin e Enver Hoxhës të 6 shkurtit 1967, që në fakt shënoi fillimin e revolucionit kulturor në Shqipëri, si një ”kopje e turpshme e revolucionit kinez dhe një njollë e zezë në historinë e një kombi.” Ishte kjo një kohë, thuhej në komentin e Radio Vatikanit, kur një aventurier ballkanik duke ndaluar Zotin me ligj, ëndërronte të ulej vetë në fronin e Perëndisë. Thuhet se ishte një periudhë kur, “Viktimat qenë të shumta: biblioteka me libra të rrallë, ikona të vjetra të papërsëritshme, vlera arkitektonike dhe etnografike. Në atë pranverë të akullt, Shqipëria ngrohej në flakët e zjarreve, ndezur me një lëndë të veçantë: libra. Ngrohej a digjej? Kur digjej Ungjilli, Lajmi i Mirë, që ia kishte ngrohur zemrën dhe Lahuta e Malcís, që ia kishte mbajtur gjallë kujtesën kombëtare”, popullit shqiptar. Ishte ky një kapitull i shëmtuar i historisë së shqiptarëve, “Kur shembeshin një mori ndërtesash dhe kur njeriu shqiptar bëhej më pak njeri, duke humbur shumë nga vlerat njerëzore e shqiptare.” Revolucioni Kulturor i diktaturës ateisto-komuniste rrënoi faltoret e shpirtit, “duke lënë njolla kaq të zeza në historinë e kombit, njolla e farsa që kërkojnë rishkrimin e ndershëm e të paanshëm të kësaj periudhe të historisë së Shqipërisë”. Radio Vatikani më në fund ka cituar Dom Simon Jubanin, i cili gjatë meshës së parë në nëntor të vitit 1990, qe shprehur se megjithë përpjekjet e Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë fenë në Shqipëri, me shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, “kishat e xhamitë i lartësojnë përsëri këmbënaret dhe minaretë e tyre drejtë qiellit si rrufepritëse, sinjal i shembjes së vet diktaturës”.
50-vjetori i katastrofës së Revolucionit Kulturor kinezo-shqiptar duhet të shërbejë si një kujtim për ta gjykuar dhe për ta dënuar zyrtarisht atë tragjedi kombëtare, kur “njeriu shqiptar bëhej më pak njeri” dhe kur populli shqiptar humbi shumë prej vlerave historike shpirtërore dhe kombëtare shekullore të tija. Duke shkruar me rastin e 50-vjetorit të Revolucionit Kulturor, eksperti gjerman i çështjeve kineze Felix Wernheuer thotë se ka giasë që Revolucioni Kulturor të ketë shkatërruar për gjithmonë kulturën dhe marrëdhëniet njerzore të shoqërisë. Ekziston mendimi, shton ai, se problemet e sotëme, siç janë lakmia e tepëruar për mall e para, korrupcioni dhe rënja e moralit nëpërgjtihsi, e kanë origjinën në “shkatërrimin e qytetërimit”, të shkaktuar nga Revolucioni Kulturor Kinez. Eksperti gjerman përfundon duke thënë se, “Nëqoftse shoqëria kineze merret ndonjëherë seriozisht me të kaluarën e saj, ajo nuk do të mund të injorojë as padrejtësitë e sotëme në atë vend”, të cilat janë rezultat i të kaluarës 50-vjeçare. Kjo vlenë edhe për Shqipërinë! Edhe Shqipëria duhet, jo vetëm ta kujtojë këtë katastrofë historike duke zbardhur njollat e zeza të Revolucionit të saj Kulturor, por njëkoshisht edhe të dënojë krimet e bëra. Ashtu si edhe për krimet e tjera të komunizmit pothuaj gjysëm shekullor, nëqoftse ato krime nuk gjykohen, nëqoftse nuk ndëshkohen dhe nëqoftse, të pakën nuk kujtohen në raste siç është 50-vjetori i krimeve të Revolucionit Kulturor në Shqipëri, atëherë vendi është i destinuar që t’a përsërisë atë histori tragjike të popullit shqiptar. Njëkohsisht, nëqoftse nuk zbulon të vërtetën mbi njollat e zeza të historisë së saj, siç është revolucioni kulturor dhe të periudhës komuniste në përgjithësi dhe nëqoftse nuk mëson prej saj, atëherë Shqipëria nuk mund të ketë as një vizion të qartë dhe as të drejtë për një të ardhme më të mirë të vendit dhe të kombit shqiptar në përgjithësi dhe si rrjedhim as nuk mund të bëjë pjesë në botën e vendeve të përparuara pa ndëshkimin e krimeve anti-njerëzore dhe anti-kombëtare, të shkaktuara nga Revolucioni Kulturor shqiptar 50-vjetë më parë.