…Eshtë luftë për Shqipërinë demokratike…/
Në Shqipëri, në ditën e 8-të të protestës, kryetari i opozitës Lulzim Basha vijoi retorikën e ashpër, ndonëse foli për një lëvizje paqësore dhe mjete demokratike.
“Kjo është një ushtri e paqes, një ushtri e metodave dhe durimit demokratik, është një ushtri e përballjes dhe vendosmërisë. Por kjo nuk është lojë. Durimi ynë nuk duhet të merret për dobësi. Provokimet nuk do t’i tolerojmë. Faqen tjetër nuk do ta kthejmë. Na godisni me shuplakë, do ju përgjigjemi më grusht. Në këtë shesh e anembanë Shqipërisë, sa herë goditeni nga padretësia, arrogance, antiligjshmëria, korrupsioni, mos u shtrini për tokë, mos ktheni faqen tjetër. Bashkohuni dhe goditini me grusht”, u shpreh zoti Basha..Një ditë më parë kreu i opoitës ftoi qytetarët që të reagojnë me forcë ndaj padrejtësive, duke folur për zyrtarë që do të tërhiqeshin zvarrë në shesh e duke u shprehur se kush kërkonte luftë, luftë do të kishte si përgjigje.Pikërisht për këto deklarata, Policia e Tiranës ka bërë sot denoncim në Prokurori ndaj tij “për thirrje publike për veprime të dhunshme”.Në fjalimin e sotëm zoti Basha përsëriti dhe një herë se protesta nuk do të përfundojë pa u arritur kërkesa për qeveri teknike, duke theksuar se ai nuk do të pranojë kompromise apo pazare në kurriz të të drejtave të qytetarëve. Pasdite zoti Basha mblodhi krerët e degëve të partisë së tij, ku u vendos që mbështetës të opozitës nga cdo i qytet të mbështesin në mënyrë të përditshme protestën.
***
Kryetari i opozitës deklaroi dje nga Sheshi i Lirisë se ai nuk do të tërhiqet për asnjë moment nga lufta që opozita i ka shpallur bandës kriminale në pushtet duke e konsideruar këtë si një luftë për të drejtat e çdo qytetari. “Nuk ka tërheqje. Vendosmëria jonë është totale. Policia do të vijë e do të ndjekë penalisht kryetarin e opozitës, sepse paska bërë thirrje për luftë. Dy gjëra t’i ndajmë bashkërisht këtu. Kjo është patjetër luftë. Eshtë luftë për Shqipërinë demokratike. Eshtë luftë për Shqipërinë europiane. Eshtë luftë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Eshtë luftë për të drejtat e çdo qytetari që nëpërkëmbet e goditet pabesisht nga arroganca e pushtetit të inkriminuar deri në palcë”, tha Basha.
Në lidhje me nisjen e hetimeve penale nga Policia e Shtetit kundër Kryetarit të opozitës, Basha tha se njeriu që duhet arrestuar sot nga policia është Rama dhe se thirrjet e tij nuk janë ato të një lufte të armatosur, por të një lufte për të çrrënjosur të keqen. “Po është luftë, por kësaj lufte populli i bashkuar, Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi vendosur t’i vëmë gjoksin përmes një qëndrese dhe lëvizje madhështore, popullore, demokratike, kombëtare dhe paqësore.Askënd nuk kemi provokuar, por nëse na provokoni ta dini se nuk do të qëndrojmë si dele, por do t’ju godasim fort.
Reagimet tona dhe reagimi im është thirrje për mospranim të së keqes. Po. Eshtë thirrje për mospranim të së keqes, dhe, kur e keqja shkel Kushtetutën dhe Ligjin, për t’u futur në shtëpinë e çdo shqiptari, për t’u futur në jetën e çdo shqiptari, për të kapur prej fyti kryefamiljarët, për të shantazhuar gratë dhe motrat tona, për të trembur dhe frikësuar qytetarët, mbajeni mend, do ta merrni grushtin në fytyrë.Nuk është thirrje për luftë, a e dini pse? Nuk është ai formati i thirrjes për luftë. Ka tjetër format dhe tjetër formulë, thirrja për luftë. Po bëra thirrje për luftë z.Edi Rama, treçereku i Policisë së Shtetit do të vijë të të arrestojë ty. Do të vijë të të marrë ty, sepse tre të katërtat e Policisë së Shtetit si gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë, kanë hequr në shpinën e tyre padrejtësinë, paligjshmërinë, abuzivizmin dhe arrogancën, hiq këtu ata pak veta që i ke kthyer në rreshterë të drogës. Po të ishte puna për thirrje për luftë e për polici, të jesh i sigurtë që tre nga katër oficerë policie, do të ishin tek dera jote, duke të të marrë ty të pandehur.
Por kemi zgjedhur një rrugë tjetër që na shkon për shtat. Na shkon për shtat qytetaria, na shkon për shtat demokracia, na shkon përshtat si shqiptarë europianë, të vlerave perëndimore, të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut dhe kjo është rruga e pjesëmarrjes, kjo është rruga e bashkimit, kjo është rruga e vendosmërisë totale deri në fitoren pa kushte të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie të vullnetit të mirë. Kjo është beteja, kjo është kauza, ky është sheshi, këtu do të vijë së shpejti fitorja”, tha Basha.
Nuk do të ketë veting fasadë
Kreu i opozitës u shpreh se nuk mund të ketë një veting fasadë në bazë të të cilit kreu i qeverisë të emërojë gjyqtarët sipas oreksit të tij politik. “Duan veting fasadë, që të mos preket qimja e flokut e pushtetarëve të korruptuar dhe të banditëve të lidhur me ta. Duan që këta të kontrollojnë se kush rri e kush ikën nga gjyqtarët dhe prokurorët.Ky pra, kryeministri i Armando Prengës, kryeministri i Elvis Rroshit, kryeministri i 1001 bandave që i ka bërë gati të sulen si çakej mbi votën e shqiptarëve, ky do që të përcaktojë se cili gjyqtar rri dhe cili ikën.
E dini pse?
I duhet drejtësia fasadë, për të ruajtur Parlamentin fasadë, për të ruajtur qeverisjen fasadë, me kriminelët dhe hajdutët që gëlojnë pas kësaj fasade. Kjo është e vërteta që dini ju. Ju të gjithë e dini këtë. Të vetmit që nuk e dinë këtë, të vetmit që nuk e thonë këtë, janë pushteti i katërt fasadë. Janë mediat fasadë që kontrollohen nga oligarkët e lidhur me pushtetin. Janë televizionet fasadë, të cilët u shesin dëngla nga mëngjesi deri në darkë shqiptarëve. Fabrikojnë gënjeshtra, përdredhin të vërtetën dhe asnjëherë nuk janë në krahun e qytetarit të thjeshtë, por gjithmonë në krahun e pushtetit të inkriminuar e të korruptuar”, tha Basha.
Një Republikë e Re
Basha tha se ka ardhur koha që të shkulet kjo ngrehinë fasadë dhe duhet ndërtimi i një Republike të Re me ndarje të qartë të pushteteve, ku secili të ketë pavarësinë e tij dhe jo të gjitha pushtetet të jenë në duart e një njeriu.“Ne jemi këtu për ta shkulur këtë fasadë dhe për të ndërtuar së bashku diçka të re, të vërtetë, të mirë, për çdo shqiptar. Një Republikës të së vërtetës, të demokracisë së vërtetë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pra të zgjedhjeve të vërteta. Të një parlamenti të vërtetë që përfaqëson qytetarët, hallet dhe problemet e tyre. Të një parlamenti të vërtetë, që bën ligje për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, të një qeverie të vërtetë, e cila ka për detyrë kryesore t’i shërbejë Kushtetutës, ligjit dhe përmes Kushtetutës dhe ligjit çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, pa përjashtim.Të një drejtësie të vërtetë, me gjyqtarë dhe prokurorë, që nuk mbrojnë, por godasin krimin dhe korrupsionin, duke nisur me kokën e krimit dhe korrupsionit kudo ku ai gjendet. Dhe me media të vërteta, me media të dekriminalizuara. Me media jashtë konfliktit të interesit. Me media transparente për financimin e tyre. Me gazetare dhe gazetarë dhe operatorë, dhe punonjës të medias, të cilët garantohen me ligj për statusin e tyre në mënyrë të mos jenë skllevër të pronarit, por ushtarë të interesit publik të shqiptarëve.Kjo Republikë e Re, po lind në horizont dhe po lind për shkak të përpjekjeve tash tetë ditore të qindra, mijëra qytetarëve që morën sot një javë vendimin e madh nga i cili nuk kthehemi pas.
Vendimin për të diktuar me bashkimin popullor, largimin e të vetmit institucion që qëndron në këmbë, por që ka shkatërruar çdo institucion tjetër, qeverisë së krimit, qeverisë bandave, qeverisë së drogës, qeverisë së korrupsionit dhe një qeverie me bazë të gjerë që ka besimin qytetar për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme do të hedhim themelet e Republikës së Re. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme do të kemi parlamentin e popullit shqiptar dhe jo të banditëve, zuzarëve dhe horrave. Kjo është beteja, kjo është kauza dhe ky këtu, sheshi i lirisë, është sheshi i lëvizjes popullore kombëtare dhe demokratike deri në realizimin e fitores sonë, fitores suaj, fitores së çdo qytetari shqiptar.Po! Ka ardhur koha t’i japim fund edhe fasadës së medias. Po, ka ardhur koha për transparencë të financimit të medias, ka ardhur koha për dekriminalizimin e medias shqiptare, jo si shërbim ndaj opozitës, por si shërbim ndaj Shqipërisë dhe brezave që do të vijnë. Por beteja jonë sot, ka një qëllim kryesor, qëndresën e bashkuar dhe me vendosmëri totale, deri në largimin e qeverisë së krimi”, tha Basha.
Pakt kombëtar për qeveri teknike
Kryetari i PD, tha dje se tetë ditët e protestës qytetare janë shenjë e vendosmërisë për të mos u tërhequr nga kërkesa për arritjen e një pakti kombëtar për qeveri teknike që do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Shqiptarë të ndershëm që ndodheni në këtë shesh të lirisë, në këtë mbrëmje të tetë, të betejës tonë pa kthim deri në fitore, deri në largimin e qeverisë së krimit, deri në arritjen e një pakti kombëtar për një qeveri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si hapi ynë i parë, si premtimi ynë më i madh ndaj njëri-tjetrit ndaj shqiptarëve dhe ndaj brezave që do të vijnë, për një republikë të re të demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë dhe jo fasadë.
Katër pushtete thotë teoria;
Pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv, pushteti gjyqësor dhe media, si pushtet i katërt”.Për Bashën, Parlamenti është fasadë pasi është kthyer në shërbim të një grushti oligarkësh, duke shtuar se ligjet nuk bëhen për qytetarët, por për këtë grusht të vogël njerëzish që rrethojnë kreun e qeverisë.“Pushteti legjislativ, Parlamenti, çfarë është? Eshtë fasadë. Nuk ka Parlament. Parlamenti nuk diskuton hallet e vërteta të njerëzve. Parlamenti nuk jep zgjidhje për hallet e njerëzve. Parlamenti harton ligje që ndihmojnë një grusht oligarkësh dhe pushtetarësh. Ndan pasuritë kombëtare të shqiptarëve, shton taksat mbi kurrizin e popullit më të varfër të Europës, rrit çmimet e energjisë dhe të hidrokarbureve, buxhet pas buxheti, për t’i shërbyer një grushti njerëzish, oligarkësh dhe pushtetarësh që pasurohen nga dita në ditë.Parlament fasadë, sepse nuk ka asgjë të përbashkët as me hallet as me aspiratat e atyre, të cilët pretendon se përfaqëson, popullit dhe qytetarëve.Parlament fasadë, sepse në atë Parlament janë ulur sot, jo përfaqësuesit më të denjë të popullit shqiptar, demokratë apo socialistë, por llumi i shoqërisë shqiptare, kriminelët me damkë. Përfaqësuesi i popullit me armë pa leje, plagos në derën e komisariatit të policisë katër qytetarë që kanë shkuar të kërkojnë mbrojtje tek policia. Armando Prenga me 10 emra, me dhjetëra precedentë penalë, akoma dhe kësaj dite është deputet i Kuvendit fasadë, i Kuvendit të krimit. Përse? Sepse, e mbron kryeministri. E mbron kreu i qeverisë fasadë. Kjo është qeveria fasadë. Krahu i gjatë i Parlamentit fasadë.
Ky është kryeministri i fasadave dhe ky është kryefasada. Pas fasadës qeveritare, ndodhet po kështu, një tryezë e ngushtë, ku ulen 10 a 12 veta, njëri më hajdut se tjetri, njëri më kriminel se tjetri, njëri më i pangopur se tjetri.Kjo pakicë ka marrë peng Shqipërinë tash 4 vjet. Çdo vendim merret për të favorizuar këtë pakicë kriminelësh, të korruptuarish, të cilët ia dolën ta kthejnë Shqipërinë në vendin me problemin më të madh të kultivimit dhe të trafikimit të drogës në Europë dhe në botë.Për pushtetin e tyre e bënë paktin me krimin. Për pushtetin e tyre dhe për paratë e tyre bashkë me krimin, e mbollën Shqipërinë me drogë. Dhe tani me paratë e pista të drogës duan të kapin zgjedhjet e shqiptarëve. Duan të zhbëjnë votën e shqiptarëve që të vazhdojnë të livadhisin siç kanë bërë deri tani”, tha Basha.Basha u shpreh se shprehje e frikës për humbjen e zgjedhjeve është edhe lirimi nga burgjet e kriminelëve si Lul Berisha dhe organizatave terroriste si ajo e Hakmarrjes për Drejtësi.“Kjo është qeveria fasadë dhe Parlamenti fasadë që rri në këmbë për shkak të një drejtësie fasadë, prej gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar, të cilët nuk kanë guximin, kur kryeministri dhe ministrat shkelin ligjin, kur banditët e veshur me pushtet shkelin ligjin; nuk kanë pra guximin t’i vënë para përgjegjësisë. Kjo është drejtësia fasadë, që u merr shpirtin shqiptarëve, duke u shkelur të drejtat, duke u marrë pronat, duke mos u dhënë drejtësi sipas ligjit, por nga ana tjetër, liron Lul Berishën, i jep Hakmarrjes për Drejtësi pafajësi, dhe në asnjë rast të vetëm, nuk guxon të çojë hajdutët e veshur me pushtet para drejtësisë dhe prapa hekurave.Parlamenti fasadë, qeveria fasadë e kanë jetike ta ruajnë drejtësinë fasadë. Prandaj vetingun duan ta bëjnë siç duan ata vetë, jo siç e caktuam bashkërisht në ndryshimet Kushtetuese”, u shpreh Basha.