Pasditen e së Shtunës, së 3 Dhjetorit 2022, në Clearwater, Florida, pushoi së rrahuri zemra 64- vjeçare e bashkatdhetarit, shqiptaro- amerikanit, Hekuran Ruka.
Hekurani u lind në vitin 1958, në fshatin Pendavinj, Korçë, në një familje të thjeshtë fshatare, ku mori edukatën e parë të sjelljes, të dashurisë familjare dhe të punës. Mësimet fillore dhe të ciklit të lartë shkollor 8- vjeçar i kreu në fshatin e lindjes, kurse ato të mesme, pranë tij, në Pojan.
Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Ai iu përkushtua familjes dhe punës në bujqësi, ku u shqua si një familjar i dashur e i rregullt dhe si një punëtor i papërtuar.
Sëbashku me bashkëshorten, Burbuqen, nga Devolli, i vunë krahët shtëpisë e punës së vështirë në fshat, dhe lindën e rritën 3 fëmijë: Jeroldin, Irenën dhe Fationën.
Vështirësitë e jetës u shumëfishuan me ndryshimin e sistemeve shoqërore në Shqipëri.
Për këtë dhe për një jetë më të mirë, Ai me familjen, në vitin 2007, emigruan në SHBA, ku, përsëri e në vijim, jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi ndaj familjes, tashmë e ndarë më dysh, a më tresh, pasi prindërit e moshuar e babai në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe vajza e madhe e martuar mbetën në Shqipëri.
Iu deshën ecejak- et e shumta Amerikë- Atdheu i parë që t’iu bënte ballë, krahas vështirësive të reja të emigrimit, dhe atyre ekzistuese, që la në Shqipëri.
Prapë u dallua si një punëtor i papërkulur në punët më të rënda të kurbetit, sidomos me fillimet e tij, në Wisconsin.
Të gjitha vështirësive dhe pengesave ua doli, por nuk ia doli dot së keqes së shëndetit, që iu shfaq më 4 Shkurt të këtij viti, e cila e goditi me disa tromboza të njëpasnjëshme, me pasoja- hemoragjinë cerebrale, po aq herë.
Megjithatë, edhe këto i kaloi, falë forcës së organizmit, shpirtit të paepur të vet, mjekësisë së shkëlqyer amerikane, e cila ia arriti t’ia stabilizojë të gjitha këto goditje fatale, si dhe përkujdesjes së lartë të familjarëve, që ndërprenë të gjithë punën, për afër një vit, duke i qëndruar pranë.
Mirëpo, nuk mundej t’i bëhej gjë, të ndalej ajo e keqe e madhe, që e kishte rrënjën te tumori i mushkërive, para së cilës u dorëzua dhe mjekësia e përparuar, për shkak të kundërshtisë mes kancerit dhe hemoragjisë cerebrale, duke mos lejuar kjo kundërshti marrjen e asnjë seance kimioterapie, që do ta çonte në vdekjen e menjëhershme, si dhe, para së cilës gjendje, u dorëzua dhe Ai vetë, me mbylljen e syve këtë ditë Dhjetori.
Hekurani, ose Lania, siç thirrej shkurt nga familjarët, të afërmit dhe miqësia e shoqëria e ngushtë, karakteristikë themelore shoqërore kishte shoqërinë e ngushtë, të madhe e të gjerë, të sinqertë e me përkushtim, me shumë veta, duke shkrirë edhe sakrificat e tij për atë shoqëri.
Me ikjen e tij, la në një pikëllim të thellë familjarët: bashkëshorten, djalin e vetëm, dy vajzat, ku njërës, asaj në Shqipëri, nuk iu mundësua ta shikonte babanë për herë të fundit, si dhe bashkëshortët e tyre, mbesat e nipin. Nuk e la fati i zi që të përkëdhelte në duar më shumë më të vegjëlit e tyre dhe ata që do të vijnë më pas, për herë të parë.
Ai la në pikëllim të papërshkruar 5 motrat e tij. Iku përmes brengave të mëdha.
La në pikëllim të thellë të gjithë të afërmit, kushërinjtë e parë e të rendeve të tjera, krushqitë etj., të njohurit, qoftë dhe të njohurit sadopak.
Por Ai la në një pikëllim po aq të madh të gjithë shoqërinë e tij djaloshare dhe burrërore.
Do të mbahet mend si një njeri i thjeshtë, i ndershëm, i ndërgjegjshëm, i kudogjendur, serioz dhe korrekt me të gjithë.
I përjetshëm do të mbetet në zemrat tona Kujtimi i Tij!
Koço Sterjo,
Florida, U.S.A, më 6 Dhjetor 2022