Për herë të parë prezantohet një botim unik i kolanës “Bisedimet parlamentare, vitet 1920-1939”. Jozefina Topalli: “Këto botime ia kemi detyrim madhor historisë. Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë punën për të gjithë periudhën që ka mbetur e pabotuar. Është një botim historik prej 46 vëllimesh i realizuar pas tre vjetësh punë.
Punuan tre vjet për të mbërritur në një botim historik prej 46 vëllimesh. Kuvendi është në ditët e fundit para shpërndarjes, por në mbyllje të kësaj legjislature ai vë në dispozicion të studiuesve, politikanëve apo dhe studentëve një botim me të gjitha bisedimet parlamentare nga viti 1920 deri në vitin 1939.
Sot është gjerësisht i pranishëm debati mbi koncecionet, opërgjatë ketyre vëlloimeve e gjeni serish. Ndërsa në diktaturë ato ishin tradhëti kombëtare
Jozefina Topalli, kryetare Kuvendi në dy legjislatura ka gjetur tek këto bisedime parlamentare vlera virtyte e parime të larta njerëzore, parlamentarët sot nuk janë ashtu.
Ka gjetur mendimin filozofik dhe pjekurinë politike
Të transkriptuara janë edhe bisedimet parlamentare nga viti 1990 deri sot, brenda dy viteve të ardhshme zonja Topalli tha se do të transkriptohen edhe ato të peridhës së komunizmit.
Për herë të parë hidhet dritë mbi bisedimet parlamentare të viteve 1920-1939. Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli prezantoi sot kolanën me 46 libra, me mbi 24 mijë faqe bisedime.
Ky botim unik u bë i mundur përmes inisiativës së Kryetares Jozefina Topalli, pas një pune kërkimore intensive 3 vjeçare, në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit, Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë, Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, dhe Institutin e Historisë.
“Një promovim historik”, u cilësua nga historianët dhe studiuesit e pranishëm, botimi i kësaj kolane, ndërsa Kryetarja e Kuvendit tha se “kjo kolanë është historia e tribunës së mendimit filozofik shqiptar, e idealizmit dhe e botëkuptimit politik, intelektual, kulturor, të oratorisë dhe estetikës politike.
‘Këto vite ‘20-‘39, u shpreh ndër të tjera Jozefina Topalli, janë historike për kombin tonë jo vetëm se elita kombëtare lindi parlamentarizmin shqiptar, por sepse në këtë tempull, me urtësi e dije, me mençuri e patriotizëm, përkushtim e sakrificë këta burra punuan që Shqipëria të rritej si një vend demokratik. Këta burra të mëdhenj i bashkoi një ideal sublim; Shqipëria, e ardhmja e saj dhe për këtë bindje, ata sakrifikuan me vetëmohim gjithçka”.
Në këto botime vijnë fjalimet, diskutimet për ligjet dhe politikën, punimet parlamentare nga elita politike dhe intelektuale e kohës, që nga lindja e parlamentarizimit në vitin 1920 deri në vitin 1939, si diskutimet e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Mithat Frashërit, Anton Harapit, Pandeli Evangjelit, Eshref Frashërit, Kostaq Kotës, Petro Pogës, Lef Nosit, Idhomene Kosturit, Visar Xhuvanit, Ferid Vokopolës, Fejzi Alizotit, Dhimitër Kacimbrës, Engjëll Serreqit, Ali Këlcyrës, Eqerem Vlorës, Iljaz Vrionit, Musa Jukës, Qazim Koculit, Lef Nosit, Rexhep Mitrovicës, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, Mehdi Frashërit, Hilë Mosit, Lazër Shantojës etj.
Ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë ka skanuar punimet parlamentare të viteve 1940-1966, afro 10 mijë faqe, të cilat priten të botohen së shpejti.
Kryetarja Jozefina Çoba Topalli tha se “botimi i kësaj kolane përbën një detyrim madhor ndaj historisë për mohimin vrastar që i’u bë kombit 45 vjet me rradhë nga diktatura komuniste për të fshirë këtë faqe të ndritur të parlamentarizmit”.
Gjatë ekspozimit të kolanës së botimeve parlamentare, një ndër shkrimtarët e njohur Zija Cela tha se: “gjatë gjithë përvojës sime në promovimet e librave dhe botimeve të ndryshme, mund të them se sot është një promovim historik. Janë 46 vëllime që sjellin një histori të plotë, i japin një mësim lexuesve të sotëm, jo thjesht të njihen me të kaluarën, të shohim dhe të kuptojmë se nga vijmë dhe ku duam të shkojmë.”
Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli:
Kjo kolanë është historia e tribunës së mendimit filozofik shqiptar, e idealizmit dhe botëkuptimit politik, intelektual, kulturës dhe estetikës së oratorisë dhe estetikës politike.
Në rradhët e fjalimeve të kësaj plejade, elitës së kombit, rroken vlerat, virtytet dhe parimet më të larta njerëzore. Këto vite 20-39, janë historike për kombin tonë jo vetëm se elita kombëtare lindi parlamentarizmin shqiptar, por sepse në këtë tempull, me urtësi e dije, me mençuri e patriotizëm, përkushtim e sakrificë këta burra punuan që Shqipëria të rritej si një vend demokratik. Këta burra të mëdhenj i bashkoi një ideal sublim; Shqipëria, e ardhmja e saj dhe për këtë bindje, ata sakrifikuan me vetëmohim gjithçka.
Në këto fjalime nuk ka retorikë, nuk ka shterpësi e vakuum mendimesh, ato janë leksionet më të shkëlqyera për ligjërimin politik, lirinë, tolerancën, vlerat, besimin dhe ideologjinë kombëtare.
Me vokacion perëndimor parlamentarët e këtij 20 vjeçari këmbëngulën që identiteti evropian i shqiptarëve të orientohej nga iluminizmi evropian. Në këto botime vijnë fjalime dhe qëndrimet e korifejve të publicistikës, politikës, artit, gjuhësisë, kulturës, religjionit, mendjet e ndritura, vjen Ciceroni, Demosteni, Platoni, Aristoteli e Seneka shqiptar.
Gjithkush do të krenohej me nuhatjen, me largpamësinë, vizionin dhe oratorinë e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Mithat Frashërit, Anton Harapit, në gojën e të cilëve fjala shqipe tingëllon e gjithëpushtetshme, me pjekurinë politike të Pandeli Evangjelit, Eshref Frashërit, Kostaq Kotës, Petro Pogës, Lef Nosit, Idhomene Kosturit, Visar Xhuvanit, Ferid Vokopolës, Fejzi Alizotit, Dhimitër Kacimbrës, Engjëll Serreqit, Ali Këlcyrës, Eqerem Vlorës, Iljaz Vrionit, Musa Jukës, Qazim Koculit, Lef Nosit, Rexhep Mitrovicës, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, Mehdi Frashërit, Hilë Mosit, Lazër Shantojës, etj.
Arti i politikbërjes i filozofisë politike, dhe ndjenja e pakufishme atdhetare shpalosen me mjeshtri dhe me një fjalor të përkryer që tingëllon bukur dhe qartazi shqip në të folurit e patriotëve.
Ia kemi detyrim madhor historisë për mohimin vrastar që ju bë kombit tonë 45 vjet me rradhë nga diktatura komuniste për të fshirë këtë faqe të ndritur të parlamentarizmit, familjarëve dhe pasardhësve të këtyre njerëzve, Njëherësh është dhe një mundësi unike për të rinjtë, të njohin dhe të vlerësojnë etërit dhe elitat e Kombit, atdhetarët e vërtetë, njerëzit e dijes dhe të penës që na kanë lënë ketë trashëgimi ta papërsëritshme. Dalja në dritën e botimit të kësaj kolane i jep nder dhe dinjitet civilizimit tonë.
Jam e kënaqur që në mandatin e parë bëra të mundur që të transkiptoj të gjithë bisedimet parlamentare nga vitet 1990 deri më sot, që nuk ishin, nuk ekzistonin dhe ajo është arkiva. Është arkiva jonë, arkiva e historisë sonë të këtyre 20 viteve.
Gjatë mandatit të dytë nxorrëm në dritë kolanën me 46 vëllime, 24 mijë faqe të bisedimeve parlamentare dhe të të gjitha ligjeve nga periudha 1920-1939. Sigurisht që në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë punën për të gjithë periudhën që ka mbetur e pambuluar dhe kështu, shumë shpejt, besoj se në dy vitet e ardhshme do të kemi të mbuluar të gjitha bisedimet parlamentare, në fakt të gjithë historinë e Shqipërisë përsa i takon këtij pushteti të jashtëzakonshëm, ku merren vendime të jashtëzakonshme që kanë një impakt direkt mbi qytetarët, mbi historinë, mbi vendin, mbi kombin dhe mbi të ardhmen.
Unë falënderoj të gjithë të pranishmit dhe ju ftoj ta shihni këtë botim. Kam bërë kujdes të madh për ta shpërndarë jo vetëm në bibliotekat e Shqipërisë, por edhe në Kosovë. Ua kam bërë dhuratë edhe institucioneve kryesore të Kosovës. Natyrisht do të shkojnë edhe në Maqedoni. Është një gjë jashtëzakonisht e bukur. Unë jam e sigurtë se do të gjeni në to, gjëra që nuk i kishit menduar më parë dhe unë falënderoj të gjithë stafin për punën që kanë bërë. Është një punë tre-vjeçare për të kërkuar në biblioteka, në arkiva, kudo ku kemi gjetur ato vëllime që ne na mungonin dhe më pas puna që është bërë për skanimin, pastrimin nëpërmjet Photoshop-it dhe më pas botimi i tyre.
Falënderoj drejtorinë e botimeve. Falënderoj drejtoreshën e arkivës. Falënderoj drejtorin e bibliotekës. Ju falënderoj ju të gjithëve për të gjithë mbështetjen dhe realizimin e kësaj kolane të jashtëzakonshme të historisë, jo vetëm të parlamentarizmit, por të historisë sonë kombëtare.