Doktrina amerikane e Harry Fultzit, aktuale edhe sot në Shqipëri/
Nga Dalip Greca/
Illo Foto është në moshë pensioni, por ai nuk di të pushojë, vetëm shkruan dhe boton libra që nga Amerika për Shqipërinë. Jeton në Queens, New York, që prej vitit 1995. Aty ka nisur të shkruaj Kolanën e Blegtorisë shqiptare. Deri tani ka botuar tetë libra të Kolanës:”Flas me Fermerët”,”Nga Harry Fultz tek Ilia Pali”, “15 shkencëtarët e vërtetë të bujqësisë shqiptare”,”Celnikët shtrydhin malet”; “Derri euro-amerikan i Roskovecit”, “Mëma e njerëzimit”, “Fshatarësia e tradhëtuar”, “Monopatet e dhisë shqiptare”. Në proces ka librin e nëntë ”Toka, Bujku, Shteti”, i cili pas procesit të redaktimit është dorëzuar për print në shtypshkronjë. Asnjë libër nuk ia ka sponsorizuar kush, gjithëcka me kursimet e familjes.
Arkivi i përvojës së tij është i pasur; që nga viti 1958, ku u diplomua si zooteknik në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, ai i ra Shqipërisë kryq e tërthor; punoi nëpër ferma të mëdha e në institucione shkencore, duke krijuar një përvojë të jashtëzakonshme. Nuk e njohu dështimin në asnjë rast, përkundrazi; vetëm sukses. Punonte pa orar, nuk donte që të ngjallte dyshime nga që ishte i biri i një emigranti që kishte jetuar në Amerikë për dhjetëra vite.
Kur fitoi të drejtën që të vinte në SHBA
E drejta për të ardhur në SHBA ia dha ligji amerikan si biri i një ish shtetasi amerikan, që e kishte lënë vendin e ëndërrave në kohën e luftës Botërore.Babai qe bërë shtetas amerikan që nga viti 1928, por që më vonë u kthye në Shqipëri dhe ndërroi jetë në vitin 1968. Illo, nga frika e një persekucioni e kishte asgjësuar pasaportën amerikane së bashku me dokumentet e tjerë të babait. Ia tregoi këto konsulles së ambasadës amerikane, Barbara Swing, duke u përpjekur që ta shfajësojë veten nga faji që kishte bërë se në kohën e komunizmit, intelektuali që dyshohej për ndonjë lidhje me Amerikën, përfundonte nëpër qeli dhe nxirrte krom pa para dhe nën kërbac gjithë jetën . Ia tregoi zonjës Swing se c’mund t’i ndodhte realisht po t’ia gjenin ato dokumete në kohën e komunizmit, gjë që ishte e natyrshme sepse Amerika ishte shpall armike nga Enver Hoxha.Pasi kishte dëgjuar rrëfimin e shkenctarit që gjatë të gjithë jetës kishte punuar vetëm për një kafshatë bukë, konsullja i kishte rekomanduar që të gjente mundësinë e angazhimit të një avokati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta zgjidhte në mënyrë ligjore problemin e gjetjes së dokumentacionit të atit të vet.
Pyetja e parë që i pat drejtuar Illua konsulles ishte nëse do t’i duhej të paguante avokatin amerikan dhe sa mund të ishte shuma, që do të duhej që të përballonte.
Konsullja ishte përgjigjur se natyrisht që duhej të paguante dhe shuma ishte e konsiderueshme.Illos, shifra iu duk tepër e madhe sepse e krahasoi me gjendjen financiare që kishte ai si shumica e shqiptarëve të asaj kohe.
I tha konsulles se nuk egzistonte një mundësi e tillë për të shlyer pagesën që duhej për avokatin. Ai i tregoi konsulles se kishte punuar 32 vite dhe kishte marrë mesatarisht 7 dollarë në muaj.
– Mos deshët të thonit 7 dollarë në ditë, tentoi ta korrigjonte konsullja, pasi aq sa thatë ju është pagesa ditore në Kinë, kishte ndërhyrë ajo me takt, pa e lënduar në shpirt.
Illo këmbëngulte në shifrën që dha dhe ia theksoi zonjës Swing se ajo ishte pagesa mujore, po të kemi parasyshw se dollari në kohën që ai ishte në konsullatë, këmbehej me 1000 lekë të vjetër shqiptare.
Biseda kishte qenë e gjatë. Intelektuali që ishte rropatur gjatë 32 vjetëve nëpër fusha e komplekse blegtorale, shkencëtari që eksperimentoi rendimente të larta në kushte të vështira në blegtorinë shqiptare, autori i dy botimeve të plota dhe i mbi 200 artikujve shkencor, ishte shpërblyer në mënyrë qesharake.
E prekur nga fati i hidhur i intelektualit shqiptar, zonja Sëing i kishte thënë që të kthehej në shtëpi se do ta gjente vetë zgjidhjen. Dhe u mor vetë konsullja me dokumentacionin e babait të Illos dhe mundësoi natyralizimin e Illos si shtetas amerikan. Ai nuk e harron kurrë shërbimin që i solli konsullja dhe ndjehet i gëzuar që iu mundësua pajisja me dokumente. Tani e gjithë familja e tij jeton në Amerikë.
Në një klasë me Ismail Kadaren
Illo Foto ka lindur në fshatin Tërbuq të rrethit Gjirokastër.U lind në një familje emigranti, e cila merrej pak me bujqësi, por vetë Illo, u përfshi shpejt me punët e bujqësisë ngaqë i përballoi ato në familjen e tezes së tij, e cila kishte ngarkesë të plotë në punët bujqësore. Përvojën e hershme në punët e bujqësisë ai e ka objekt në librin që ka në proces printimi ” Toka, bujku, shteti”. Edhe pse nuk është persekutuar gjatë regjimin komunist, Illo ka ecur me kujdes në jetë, ka shmangur kurthet dhe keqinterpretimet. Nuk ishte e lehtë në Shqipërinë komuniste të përballoje biografinë , kur kishe një njeri që kishte jetuar për vite në Amerikë.
Ai pati fatin të shkollohej në një gjimnaz me tradita në Shqipëri, sic ishte Gjimnazi i Gjirokastrës, nga më të vjetrit në Shqipëri. Në kohën kur ai studionte aty, studionin personalitete të shquar të kulturës shqiptare si shkrimtari Ismail Kadare, me të cilin Illo ishte shok klase, poetët e shquar Dritëro Agolli e Agim Shehu, mjeku i shquar Ulvi Vehbiu, studiuesi i Folklorit, Agron Fico etj.
Illo kujton nga koha e largët e studimeve të shkollës së mesme edhe plagët e kohës, që vranë shpirtrat e ish gjimnazistëve, që do të binin në kthetrat e luftës së klasave për faje të pakryera.
Tani i duket absurde vala e demaskimeve, nëpërkëmbjes për arsye biografike, por Illo sjell ndërmend se asokohe janë dënuar me burgim të gjatë politik nxënës të vitit të dytë dhe tretë të shkollës së mesme si:Ilia Tereska, Thanas Dhespa, Bajram Zymeri. Ai nuk mund ta harroi atë frymë pakënaqësie që u end në shkollë e sidomos në klasën e tij, kur shoqen e klasës,Vojsava Kalljxhi (Cocoli) pasi e demaskuan publikisht, e përjashtuan në mënyrë ceremoniale nga shkolla, pa kryer kurrëfarë faji.Gjithësesi ai sjell ndërmend shumicën e mësuesve, të cilët u ngritën mbi ideologjinë e kohës absurde dhe u qëndruan afër nxënësve dhe i edukuan ata që të bëheshin njerëz të vlefshëm.
Pas gjimnazit, Illo kishte dëshirë që të studionte për inxhinier bujqësor. Nuk e kishte ditur fare se kishte fakultet Zooteknie. Atëherë nuk të pyesnin shumë se ku kishe dëshirë të studjoje, aq më shumë Illo, që ishte i biri i një shqiptaro-amerikani.Disa herë ishte përpjekur që ta ndërronte degën e studimeve, por pa sukses. E pa se ishte e kotë dhe iu nënshtrua studimeve. Doli me rezultate të shkëlqyera.
Një jetë nëpër ferma
Pas përfundimit të studimeve Illo Foto kujton se ndjehej i shqetësuar se mund të emërohej në ndërmarrjet blegtorale. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë ”Lamtumirë familje”, do të bëje jetë stanesh, me dele a dhi maleve a fushave, shtegëtim i detyrueshëm dy herë në vit.I ra shorti i emërmit që të mos ishte në ndërmarrje blegtorale, po në ato bujqësore.Prova e parë ishte në një fermë të re; atë të Levanit në Fier, e cila sapo ishte ndarë nga Ferma mëmë e Fierit dhe kishte aneksuar një fermë blegtorale, atë me numër 3.Kujton se ishte me fat nga që bashkë me të ishin emëruar aty dhe tre shokë të fakultetit. Jeta në provincë natyrisht që ishte e vështirë, por ai iu fut punës dhe rezultatet nuk munguan. Të katër ish studentët përpjestuan bashkë vuajtje dhe shqetësimet e para. Në të njëjtën kohë ai pat dhe një fat tjetër, bashkëpunoi me personalitete të njohur, të cilët qenë sjellë aty me masë dënimi për shkaqe biografike apo për faje politike, që natyrisht nuk i kishin kryer.
Ai sjell ndërmend personalitete të tillë si:Dr. Jakov Milaj, agronomët e njohur Sami Bitincka, Refat Toptani, Faik Lumi, ekonomistin Jakub Vrioni. Gjithashtu Illo krijoi miqësi edhe me shkrimtarin Astrit Delvina, njohu Drita Kosturin, që ishte internuar aty e shumë të tjerë. Gati në të gjitha fermat ku punoi Illo Foto, shumica e punëtorëve ishin të internuar.Ai i trajtoi me ngrohtësi njerëzore. Me një pjesë prej tyre shihet edhe tani në Queens dhe pi kafe në fundjave.
Puna, avokatja që i doli në krah
Illo punoi shumë, studioi dhe eksperimentoi gjatë të gjithë kohës. E kishte parashikuar se vetëm puna do të ishte avokatja e tij më e mirë.Kjo ishte ideja fikse që e shoqëroi në cdo hap që hodhi në jetë. Kudo që e emruan nuk tha jo dhe kudo ku punoi la gjurmë prej shkencëtari pasionant, që nuk njihte dështime. Në sektorin e Cermës të ish Fermës së Lushnjës ka gjetur 700 krerë lopë nga të cilat merrej një rendiment 1600 litra për krerë, kur është larguar ka lënë mijëra krerë me rendiment 4000 litra qumësh për cdo krerë.
Tek i përmend këto rezultate, shkencëtari Foto nuk ka për qëllim që t’i thurë lavde socializmit të dështuar, por të evidentoi pasionin e përkushtimin e blegtorëve dhe të specialistëve, që në ato kushte mizerable, arritën të bënin të pamundurën. Ai, edhe pse ishte një shkencëtar, që shquhej për rezultate të larta, nuk arriti që të krijonte asnjë lloj pasurie dhe nuk iu la asgjë fëmijëve, por ndjehet i gëzuar se nuk i ka hyrë kujt në borxh, nuk ka asnjë konflikt personal, dhe fëmijët e tij me nipër e mbesa jetojnë të qetë në SHBA. Në kohën e tij, ai nuk u la asnjëherë që ta kapërcente kufirin shtetëror të Shqipërisë; të shihte se si bëhej mbarshtimi i blegtorisë në fermat e vendeve perëndimore. Illo nuk hynte tek grupimi i të besuarëve të partisë. Ai do të dilte për të parën herë jashtë shtetit vetëm pas vitit 1990, ku do të vizitonte Greqinë fqinj.
Shkatërrimet që u vunë re në bujqësinë shqiptare pas përmbysjes të sistemit në Shqipëri e shqetësuan së tepërmi njeriun që kishte lidhur jetën me të. U përpoq që të ndikonte përmes shtypit të kohës duke hedhur idenë e privatizmit të shpejtë të ish fermave, por orteku i shkatërrimeve nuk kishte të ndalur. Shkatërrimi i komplekseve blegtorale, të marrë kush ishte më i shpejtë e më i fortë, zhdukja e planatcioneve të pemëve, përfshirë dhe ullinjtë, ia drithëruan zemrën dhe i përcuan ngrica në shpirt, por ishte e pamundur të ecje kundër rrymës.Shkoi atëherë dhe bisedoi me Petrit Kalakulën, ish ministrin e ndjerë të Bujqësisë, i cili i dha të drejtë për idenë e privatizimit të shpejtë të fermave, por ishte e pamundur që të ndalej qerthulli i shkatërrimeve.
Kur erdhi në Amerikë ai ndjeu se mund të ndikonte në një mënyrë tjetër, të përcillte përvojën dhe mendimin shkencor përmes librave.Dhe ia nisi punës.
Kolana e Blegtorisë shqiptare
Kolanën e nisi me librin”Flas me fermerët”. Krahas përvojës, përmes këtij libri ai përcolli mesazhin e argumentuar për domosdoshmërinë e ringritjes së fermave kapitaliste si mundësi zhvillimi kapitalist të bujqësisë shqiptare të zhytur në kaos.Illo përdor termin ”ringritje” pë rtë theksuar faktin se fermat kapitaliste në Shqipëri kanë egzistuar para atyre socialiste. Ai bashkëbisedon perms faqeve tue librit me fermerët shqiptarë dhe u përcjell atyre mesazhe shprese dhe u jep ide se si duhet të riorganizohen.
Një ndër librat e Illo Fotos quhet “Celnikët shtrydhën malet”. Ky është një libër me 250 faqe, që evokon celnikët. Celnik, në Jug të Shqipërisë, quhej pronari i dy a më shumë staneve me bagëti të imta, dele ose dhi.Illo ngre lart kontributin e tyre sepse ata u dhanë jetë maleve, shfrytëzuan resurset e maleve dhe nxirnin që andej të mira materiale për shoqërinë, që kishte aq shumë nevojë. Ata ishin mjeshtër të shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes së kullotave, që së bashku me pyjet përbënin gjysmën e territorit të vendit.Mirëpo shteti monist, i izoluar nga të gjithë, i futi traktorët kodrave dhe maleve dhe tjetërsoi kullotat për të prodhuar nga ato bukën, mungesa e së cilës në kushtet e vetëizolimit total vinte në pikëpyetje jetët njerëzore.Shkencëtari Illo Foto u përcjell mesazhin bujqërve dhe blegtorëve që gjithëcka duhet të shkojë atje ku ishte, së paku para se të vinte komunizmi. Tendenca e sotme e bujqësisë globale presupozon rritjen e sipërfaqes kullosore. Celnikët , të përfaqësuar nga biznesmeni Ndine Jano e të tjerë, sjellin një përvojë nga duhen kthyer sytë. Aktualisht kullotat alpine shqiptare nuk shfrytëzohen, ndërkohë që tokat bujqësore janë kthyer në kullota.Në malet e shteteve fqinjë, sidomos Greqisë, është zhvilluar sistemi fermer shumë racional dhe barinj janë djemtë e Shqipërisë, që punojnë hyzmeqarë atje.Ky handikap kohor e ka detyruar Illo Foton që t’u drejtohet varreve të celnikëve martirë:Ndin Jano, Vasil Shupuli, Kolal Goci, Jorgji Cukali, Sotir Dede e të tjerëve, që përcjellin përvojë. Duke iu drejtuar përvojës që ata krijuan, duke sjellë qëndresën e tyre, ai pyet se ku e gjetën forcën dhe idetë që t’u dilnin zot maleve shqiptare. Libri për celnikët merr formën e një testamenti, që brezat duhet ta zbatojnë në jetë në kujtim të etërve dhe gjyshërve të maleve.Shkencëtari konastaton se shqiptarët janë të përfshirë nga mania e pafalshme e mbipopullimit të fushave dhe zbrazjes totale të maleve. Nuk do të kishte ndodhur as Gërdeci, nëse malet do të shiheshin më të përshtatshëm si aleatë së paku për destinancionin e gabuar që iu dha duke vendosur në fushë armatim mes mbipopullimit.
Si vazhdimësi e librit të Celnikëve , erdhi libri tjetër; “Mëma e njerëzimit”. Bëhet fjalë për mbarshtimin shkencor të dhisë, e cila zë vendin e parë në botë për prodhimin e qumështit. Kështu tregojnë statistikat e përbotshme, këmbëngul Illo. Shqipëria ka përvojë të lashtë në mbarshtimin e dhive, por shteti monist i shpalli ato të padëshirueshme, duke e konsideruar dhinë si “sopata e pyllit”. Monizmi zhduku edhe dhinë, edhe pyjet. Kullotat e dhive u kthyen në toka buke, ndërsa dhitë u dënuan të mos egzistonin.Duke studiuar literaturën shkencore në SHBA, Illo ka konstatuar se mbarshtuesit e dhisë në Shqipëri janë shumë mbrapa me arritjet e këtushme, ku një dhi në SHBA jep normalisht sa dy lopë që mbarshtoheshin në ish kooperativat bujqësore të Shqipërisë, ndërsa dhija rekordiste angleze prodhon sa 35 dhi aktuale shqiptare.
Shkenctari i pensionuar ndjehet i revoltuar për këtë gjendje, ku është katandisur dhija e Skënderbeut, përvojë që u ndal në 50 vitet e komunizmit.Deri tani Illo ka shkruar dy librat e parë për specien në zhdukje, aleaten historike të shqiptarëve në luftë dhe paqe, brinjtë e së cilës Skënderbeu i kishte vendosur në përkrenare.
Një mesazh kuptimplot sjell edhe libri për mbarshtimin e derrit në Shqipëri.Në politikën moniste derri tentohej të rritej pa drith dhe pa tokë.Në ato kushte derri i butë u kthye në gjysëm të egër.Në ferma, rezistenca qe më e madhe. Në 10 ferma të vendit u rritën dhjetëra mijëra derra. Shkencëtarët shqiptarë arritën që të sfidonin ideologjinë. Dr. Pavli Papaisi, që punoi për shumë vite në fermën e Roskovecit në Fier, ishte një ndër ata që nuk do të harrohet.Disa nga specialistët u burgosën e persekutuan për të vetmen arsye se deshën që të praktikonin rritjen e derrit sipas praktikave shkencore perëndimore të mbarshtimit.
Illo Foto ka punuar nëpër fermat e Shqipërisë, ku ishin përfshirë edhe të internuarit e kampeve të internimit. Ai, duke qenë se edhe veten e shihte si pjesë e tyre, i trajtoi njerëzisht dhe u ofroi ngrohtësi. Ai sjell ndërmend familjet e Jorgji Diamantit në Nartë, familjen e Feti Rexhepit të internuar në Cermë, Kollcinakët në Plug dhe Cermë, si dhe specialistët e aftë dhe patriotë si Donika Vrioni(OMari), Javer Halili, e Xhevat Ago, që meritonin jo vetëm rolin e specialistëve, por edhe të ministrave do ta kishin pak.
Doktrina amerikane e Harry Fultzit
Në librin e dytë në radhën e botimit të Kolanës, që titullohet ”Nga Harry Fultz tek Ilia Pali”, përshkruhet me detaje doktrina e Fultzit, që ishte produkt i ndihmës amerikane për Shqipërinë në vitet ’30 të shekullit XX.Kjo doktrinë u konkretizua me ngritjen e fermës model në Golem të Kavajës.
Illo Foto argumenton se ferma e Fultzit përbën një fenomen, pasi shënon fundin e bujqësisë feudale në Shqipëri dhe nisjen e erës kapitaliste, që filloi të fryjë në Shqipërinë e prapambetur. Me të nis ngritja e fermave kapitaliste në fushë, kodër e mal.Fultzi ishte gjeni, shkruan Illo.Ai parashikon se doktrina e Fultzit për bujqësinë do të jetë aktuale edhe në këtë shekull, ku po udhëtojmë.
Illo kujton se në shkollë askush nuk u pat folë studentëve për Fultzin, por ama praktikën e patën kryer në fermën e krijuar prej tij. Gjithëcka që di për shkencëtarin amerikan, që edukoi një brez të shkëlqyer, i cili më vonë do të burgosej e persekutohej nga regjimi komunist, duke i etiketuar si agjentë të amerikanëve të rekurtuar nga Harry Fultz. Ndërsa vetë shkencëtari dhe diplomati amerikan Fultz do të shpallej i padëshiruar nga Enver Hoxha dhe do të përzihej nga Shqipëria. Shpërblim më përbuzës s’kishe ku të gjeje. Illo, gjithëcka dinte për Fultzin e kishte mësuar nga Xhoxhi Mihali, i cili kishte studiuar në Amerikë. Kur e njohu Illo, Xhoxhin e kishin nxjerrë përkohësisht nga burgu dhe punonte si zooteknik në ish fermën e Xhafzotajt në vitin 1956. Ilia Pali, një specialist kurajoz, mundi të ruante shumë nga tiparet e doktrinës së Fultzit në ish fermat e mëvonshme të shtetit monist.
Ilia Pali mundi t’u jepte prioritet edhe fermave në veri të vendit. Shumë nga ato ferma arritën që të kishin rezultate shumë të mira dhe konkuruan ferma të fushës.
Në librin “15 shkenctarët e vërtetë të bujqësisë shqiptare”, Illo nuk ka ngritur kulte, por ka përshkruar personalitet që kanë lënë gjurmë.Ai e ndjen se ka krijuar xhelozira, sidomos për ngritjen e personalitetit të dr. Jakov Mile. Për disa Mile nuk ishte shkencëtar, por një zooteknik i thjeshtë, e madje dhe një kolaboracionist, ish ministër i qeverisë së pushtimit. Por Illo, nuk është i atij mendimi. Ai argumenton se Jakov Mile ishte një shkencëtar i madh e shumëdimensional, ishte jo vetëm specialist i zoti, por dhe një letrar i pëlqyer, antropolog e politikan me vision. Ai u burgos e u internua, por nuk hoqi dorë nga pasioni për shkencën.
***
Në librat e Illo Fotos lëvizin ngjarje reale, personazhe realë (më shumë se 300 të tillë), mjedise reale. Ai shkruan dhe shkruan në vazhdimësi.Librat e tij kanë jo vetëm përvojë, por edhe shkencë, edhe histori. Nuk dihet se cfarë presin në Univesritetin Bujqësor të Shqipërisë, që nuk ua rekomandojnë studentëve si literaturë ndihmëse 9 librat e Illo Fotos. Ndoshta ka ardhë koha që shteti t’i kthejë sytë më mirë nga librat, aq më shumë kur kryeministri shqiptar këto ditë bëri një apel publik se shteti do të bejë kthesë. Le të shpresojmë! Shpresa është supa e të uriturit.(Dielli-Arkiv)