Noli ka thënë: Ne shqiptarizmën e mësuam nga Faik Konica./
Nga KOLEC TRABOINI/
Sa lehtë e keqkuptojmë dhe sa rëndë e gjykojmë Konicën?! Lexova me shumë vëmendje shkrimin e Konicës ” Muhaxhirët” botuar në nr.8, faqe 21 të revistës së vet “Albania” 1901 ndryshe nga se shkruhet nga disa në median elektronike me një pasion mohues e me ndjenjë revoltuese për gabimin e”madh” Faik Konicës, duke u kapur pas shprehjes se “edhe të mëdhenjtë gabojnë”…- ju ktheva shkrimit sërish e sërish dhe nuk po e kuptoja se ku qënka ky gabim i të madhit që…”edhe gabon”. U përpoqa të jem edhe unë “kritizer” por ngado që e vërtita pozicionin tim, shkrimin “Muhaxhirët” nuk munda ta konsideroj kurrsesi një shkrim antishqiptar. Mendoj se ka ngutje në gjykimin e atij shkrimi dhe të mesazhit që përcjell autori tek lexuesit e vet këtu e një shekull më parë. Gjithashtu nuk shoh që ata të cilët e konsiderojnë shkrimin si antishqiptar, të kërkojnë ti referohen kohës kur është shkruar, rrethanave, shqetësimeve apo ngjarjeve të kohës, po fundja kujt i drejtohej me këtë stigmë. Më duket se ata që po duan ta e vënë përposhtë me kritika Konicën nga pozita fanatike, nisën nga sedra e tyre e besimit mysliman. Është krejt gabim që në gjykimin e një shkrimi të nisësh nga pozitat e besimit tënd. Duhet të jemi realist dhe të mos e fusim fenë si institucion në këtë mes. Në shkrimin e Konicës nuk është fjala për fenë si besim, por për individ apo grupe njerëzish që vinin në Shqipëri me qëllim që të bënin propogandë në dobi të pushtuesve otomane, ti bënin shqiptarët besnikë të verbër, dhe e lidhnin besnikërinë ndaj besimit me besnikërinë ndaj portës së lartë. Kjo kategori njerëzish, mish i huaj për mjedisin shqiptar tolerant, ishin një pengesë e madhe për zgjimin e ndërgjegjësimin e popullit. Ata kërkoni që edhe më tej ti mbanin shqiptarët të lidhur pas qerres së Stambollit e cila aso kohe ndjehej se do të merrte rrokullimën historike. I shqetësuar nga lajmet që vinin prej atdheut, Faik Konica merr penën e i stigmatizon muhaxhirët, siç i cilëson ai, ata sipas Konicës janë të huaj, nuk janë shqiptarë. Dhe në qofshin disa syresh shqiptarë nga origjina, ishin vegla qorre të pushtuesve. Ka që fjalën muhaxhirë e keqkuptojnë me fjalën mërgimtarë, por nuk është ashtu. Faik Konica me fjalën muhaxhirë nuk kishte parasysh mërgimtarët, emigrantët, sepse edhe vetë ishte mërgimtar.Ai nuk mund të konsideronte muhaxhirë mërgimtarët shqiptarë nëpër botë, si ta zëmë ata të kolonisë shqiptare të Bukureshtit apo Misirit që ishin bërë vatra të zjarrta atdhetarie. Me fjalën muhaxhirë ai ka parasysh misionarët ardhacakë e që fanatizonin e përçanin popullin, që bëheshin pengesë për punën e mëmëdhatarëve rilindas. Faik Konica që në krye të shkrimit të vet bën një sqarim se është fjala për ata që po lënë vendin e tyre e po na vinë në Shqipëri… që vijnë e bëhen spijun të qeverisë,….që fusin shqiptarë në burg…. e në fund konkludon se ….duhet të ishin çuar në Anadoll. Pra e përsëris është fjala për ardhacakë e jo për vendas. Është fjala për tradhëtarë. Është fjala për spiun të qeverisë turke. Ku e gjeni antishqiptarizmin e Konicës, ju lutem! Jo vetëm që stigma “Muhaxhirët” është një shkrim me frymë atdhetare por shkrimi më duket edhe aktual. Pse harruam kaq shpejt sa e sa muhaxhirë e sa e sa shoqata gjoja bamirëse fetare u shfaqën, e sa ndër to ishin vegla të organizatave terroriste. Harrojmë se terroristët që u zbuan nga Shqipëria në vitet ’97-98 ndonjë madje shkoi në litar në vendin e vet, siç është rasti i dy egjyptianëve. Le të sjellim një përqasje historike të shkrimit të Konicës me çfarë ngjau në vitet e para të demokracisë në Shqipëri. A mos është sot ndonjë shprehje shqiptarizmi po të shkruash se kushdo që vjen në Shqipëri si misionar i fshehtë( muhaxhirë pra) , a që gjëndet në Shqipëri dhe e ndjen vetën të huaj, që punon për agjentura të huaja nën etiketën shoqërive bamirëse, apo firmave pseudo tregtare, ngado qofshin, por veçmas ato nga Lindja a Afërme dhe e Mesme, Arabi Saudite, Siri, Libi, e co. që kanë tendencë për radikalizimin e fese, duhen çporruar. Të shkojnë ku të duan, në tërë hapsirat e botës por jo në Shqipëri. Më duket se mesazhi që sjell Konica është aktual. Ti thërrasim mendjes. Të mos e përdorim fenë si casius beli për të krijuar përçarje, e mos o zot, gjakderdhje në mes të shqiptarëve. Dhe ata që llomotisin gjithë ditën për të mirat që na kanë sjellë pushtuesit, mjaft më se jeni bërë vërtetë të neveritshëm. Pa le kur një historian na thotë se “ne me turqit e sunduam Ballkanin për pesë shekuj”. Çfarë çmendurie. Çfarë njerëz me lëkurë të shitur në Anadoll. Nuk ka pushtues e pushtim që i sjell lumturi një populli, veç në qoftë ky një popull urithësh të cilët nuk ja ndjejnë nevojën dritës. Nuk ka qënë kurrë Faik Konica antishqiptar. Ka qënë antitradhëtar. Ka qënë antifanatik. Ka qënë kundër atyre që kërkonin ta shkatrronin kombin e nuk donin ta linin që Shqipëria të shkëputej prej kthetrave grabitqare të sulltanëve të Stambollit. Ka qënë modern. Ka përçuar idetë e qytetërimit perëndimor sepse tek ajo shihte të ardhmen e popullit shqiptar. Nëse Lindja, në vitin 1901 kur e ka shkruar shkrimin, do të ishte më e përparuar, padyshim do të predikonte lindjen. Faik Konica ka qënë i vërtetë. Ka qënë realist në gjykimet e tij. Përjashto afrimin me Zogun, që ka qënë një afrim për mjete jetese e jo për shkak të ideve, të cilat i kishin të kundërta, nuk gjen ndonjë qëndrim inkoseguent në jetën e tij prej mëmëdhetari. E sot na del një zë e na thotë se shkrimi i tij është antishqiptar. A mos po rifillojmë ta dënojmë Faik Konicën, burrin më të madh të pavarësisë, siç e dënoi regjimi i komunistëve fanatike Hoxha, Shehu, Kapo? Sa lehtë e keqkuptojmë dhe sa rëndë e gjykojmë Konicën i cili prej të gjithëve është konsideruar babai i shqiptarizmës. Para se Konica të shkonte e të hapte revisten “Albania”në Londër kurrkush në Europë nuk i vinte në hesap shqiptarët në të drejtën e tyre për autonomi, se për pavarësi as që mund të mendohej. Më tepër respekt për Konicën, ju lutem. Duhet të mendojmë thellë para se të flasim një fjalë për të. Fjalë të rëndë kurrsësi. Këtij kombit tonë nuk i lindin përditë njerëz si beu madh i Konicës, burri më mendjendritur ndër shqiptarët e kohës së vet, për të cilën edhe Noli i madh e pranonte se ishte mësuesi ynë i shqiptarizmës.
Dekorohet Vito Kapo që miratoi pushkatimin e 22 vjeçarit Skënder Daja
Vito Kapo që ka miratuar dënimin me vdekje të Skënder Dajes dhe tre të burgosurve të tjerë më 24 maj 1973. ( Botojmë dokumentin origjinal nga filmi “Djaloshi me kitarë) E kanë miratuar vendimin me vdekje të 22 vjeçarit Skënder Daja vetëm se këndonte me kitarrë këngët e Adriano Çelentanos, (edhe Skënder Daja me baba të pushkatuar, Qemal Daja në 1953) pushkatuar në të njëjtën ditë dhe tre të burgosurit e tjerë Dervish Bejko, Pal Zefi, Hajri Pashaj, e gjithë kjo masakër e miratuar pra nga kryesia e Kuvendit Popullor e përbërë nga këta eksponent të diktaturës:
Haxhi Lleshi, Rita Marko, Myslim Peza, Shefqet Peçi, Bilbil Klosi, Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi,Agim Mero, Dhimiter Shuteriqi,Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.
Asnjë prej tyre nuk është dënuar nga drejtësia për rolin e tyre si xhelatë në duart e diktatorit që ka ekzekutuar rreth 6500 shqiptarë.Për më tepër injoranca dhe vegla qorre me emrin Ministri e Mbrojtjes, në 29 nëntor 2014 dekoron një prej këtyre xhelatëve me emrin Vito Kapo, që është gruaja e nr. 2 të diktaturës Hysni Kapo. Nuk e dimë pse hesht Europa në këtë rigjallërim të rrezikshëm të elementeve që e terrorizuan popullin shqiptar për 50 vjet deri në kufinjt e gjenocidit.
Kolec TRABOINI
Regjisor i filmit “Djaloshi me kitarë”
Partizanët e Qeverisë dhe të pushkatuarit e Bashkisë
Nga Kolec TRABOINI/
Është për të ardhur keq në këtë dualitet tashmë çerek shekullor që na shfaqet edhe këto ditët e fundit të nëntorit, ku njëra palë e politikes konfliktuale feston 70 vjetorin e çlirimit, ndërkaq pala tjetër që në vend të opozitës ka zgjedhur bojkotin, e kjo e fundit pra radhit emrat e fotot e të pushkatuarve në një tabelë të madhe elektronike, fare pranë e përballë njëra-tjetrës në qendër të sheshit “Skënderbeg” Tiranë. Kthen kokën qytetari për andej e sheh partizanë me pushkë por ndonjë edhe me top, kthen vështrimin në kahje tjetër portretet e të pushkatuarve në diktaturë. Tund kokën qytetari e thotë “Çfarë bëhet”. Kë të besojë se është çlirim apo është pushtim. A thua ende jemi në Luftën Civile të pas Mukjes, alias Luftës së Klasave, që përpiqemi ti mbulojmë me fjalë sikur nuk ka ekzistuar kurrë, por ja ku e kemi ende dhe sot e kësaj dite midis nesh. Por ajo çfarë na bën përshtypje është se në list-fotot që shfaqen nga Bashkia e Instituti i të Përndjekurve Politikë, në ekran elektronik krahas emrave te njohur të pushkatuarve vëmë re se ka mungesa të mëdha, ka emra martirësh të njohur që nuk janë vendosur në atë ekran elektronik, ndërkohë lexojmë disa emra që nuk e di ku i kanë gjetur që i kanë vënë si të pushkatuar. Mesa duket edhe për të hyrë në listën e të pushkatuarve duhet një ndërmjetës në Bashkinë e Tiranës, apo Institutin e të Përndjekurve Politikë, vër këtë e vër atë, vër edhe kushëririn a krushkun, që mund edhe të kenë vdekur në burg, mund të kenë qenë viktima të jenë viktima por të pushkatuar me vendim gjyqi dhe të ekzekutuar nuk janë. Por duke e ditur se bëhen gabime edhe mund të pranojmë ndonjë “lajthitje” bashkiake apo me ata që punojnë nëpër zyrat e të persekutuarve politikë, por kur lexon edhe emrin e mësuesit tënd a një të afërmi tënd që kanë vdekur në shtëpi të vet, nuk të mbetet veç të vësh duart në kokë. Kësisoj na dalin të pushkatuar mësuesi Gjush Sheldia, me emër dhe fotografi, kur mësuesi im ka lindur në 1902 dhe ka mbyllur sytë nga një vdekje natyrale në 1976. Rezulton i pushkatuar nga diktatura në tabelë elektronike Dom Nikoll Mazrreku, kur ai ka vdekur në Shkodër pranë familjes në vitin 1996. Në tabelë elektronike rezulton i pushkatuar Gjergj Çamuku, i cili vërtetë ka qënë i burgosur politik por ka pasur vdekje natyrale pak vjet më parë. Rezulton i pushkatuar në tabelë elektronike Ernest Përdoda i cili ka qënë gjallë të paktën deri në 12 gusht të vitit 1994 kur policia e Berishës e goditi me mjete të rënda në Shkodër si pjesëmarrës në grevën e urisë të përndjekurve politikë. Pikërisht këtë person që doli kundër Berishës dhe e goditi policia e Berishës, e djathta i konsideruaka të pushkatuar nga diktatura komuniste. Çfarë bëhet zotërinj të zyrave të përndjekurve politikë? Kaq të paaftë të jeni sa të mos dini se kush ishte Ernest Përdoda? Po le të shkojmë më tej, rezulton e pushkatuar në tabelën elektronike Gjyzepina Andrakja. A e dinë hartuesit e këtyre listave kush ka qenë Gjyzepina Andrakja? Kush e pushkatoi?! Se pari nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri një person me emrin Gjyzepina Andrakja. Nëse është fjala për Gjyljana Çoba- Andrakja, ajo vërtetë ka qenë e dënuar politike, por nuk është pushkatuar. Ka ndërruar jetë para pak vitesh në Shkodër. Ai që kanë vrarë në burg prej kësaj familje ka qenë vëllai i saj Monsinjor Ernest Çoba që duhej të ishte në tabelën elektronike. Mark Gjonmarkaj që shënohet në tabelë elektronike i pushkatuar, ka qenë ministër i brendshëm në qeverinë kuislinge në kohën e fashizmit dhe është vrarë në luftime kundër forcave të ndjekjes në Fan të Mirditës. Në asnjë vend të botës ata që bien në luftime nuk konsiderohen të pushkatuar, por të rënë në luftë, në fushë të betejës. Dhe shkojmë më tej, një personi me emrin Kostandin Kota, pushkatuar në vitin 1945, i vihet fotografia e poetit Genc Leka pushkatuar më 17 korrik 1977. Mirë bëjnë që i evidentojnë figurat e atdhetarëve martirë për sakrificat që kanë bërë, por duhet të jemi të saktë sepse kësisoj historia shkruhet sipas orekseve të nëpunësve të vegjël nëpër institucione ku kanë zënë vendet punës në saj të lidhjeve e tarafeve, të shërbimeve partiake apo çdo shkak tjetër por jo të kulturës e dijes apo përgatitjes profesionale. Kësisoj të pushkatuarit e diktaturës harrohen e në vend të tyre vihen emra të tjerë që nuk janë vënë para togës së ekzekutimit por janë ndarë nga kjo botë rrethuar nga njerëzit e tyre të dashur dhe, siç thuhet në këto raste, se kështu deshi perëndia.
KUJTESA ËSHTË THEMELI I LIRISË
*Lëveret e murtajës së kuqe që kanë dalë tani në 2014 tregojnë se nuk është bërë dekomunistizimi i Shqipërisë/
* A do ketë ndonjëherë një gjyqe…?! Bëni gjyqe për qeveritarët hajdutë na thotë Europa, por këtu e kanë veshin shurdhër se janë hajdutë të gjithë ata që kanë kyçet e shtetit e politikës. Korbi korbit s’ja nxjerr sytë./
* Sharlatanizmi po bën ligjin në këtë vend. Dhe nuk shohim një shpresë kurrkund! Na ngeci këmba në ca revanshe historike idiote. Dhe ngopu me portretet e vampirit të kuq, o popull!/
Nga Kolec TRABOINI/
Është detyrim të mbetën në kujtesë emrat e njerëzve të martirizuar në gjysmë shekulli diktaturë. Të gjendën të shkruar diku për ata që në të ardhmen dëshirojnë të dinë se çfarë mizorie ka qenë komunizmi. Sepse ka ndodhur një harrim i qëllimshëm. Sepse shihni rrugët e Tiranës, janë mbushur ende me emra komunistësh dhe nuk gjen asnjë emër martiri. Sot kalon në rrugë para emrit të një krimineli bolshevik që ka pushkatuar njerëz pa gjyq, por emrat e viktimës nuk e gjen kurrkund. Lëveret e murtajës së kuqe që kanë dalë tani në 2014 tregojnë se nuk është bërë dekomunistizimi i Shqipërisë. Është përgjegjësi e madhe e atyre që e quajtën veten demokratë por nuk bënë asgjë për të bërë pastrimin e Atdheut prej murtajës së kuqe, të behëj gjyqi i madh, të hapeshin dosjet, dhe ja tani rezultati. Ata nuk janë thjeshtë një tufë pensionistësh siç tha Kryeministri ynë, por është një grupim i madh, është një frymë e keqe, shihni kanalin “Tring” filma shqiptarë dhe keni përditë e përnatë kronikat e kongreseve të Partisë Komuniste, fjalimet ogurzeza të Enver Hoxhës, propogandën e makinës vrasëse. Nuk i japin rastësisht, por kanë një platformë. Nuk janë një tufë pensionistësh me mendje të qorrollepsur apo edhe të deziluzionuar nga kjo demokraci ku ujku i fortë çanë tërë kopenë e i dobëti vdes në mjerim, por edhe breza të rinj të ushqyer me frymë të keqe të kolerës së kuqe të toleruar aq shumë nga shteti e shoqëria shqiptare. Por për këtë kanë ndihmuar edhe ata që i frynin erës së zogizmit, duke ngritur monumente, në vend të shihnin përpara. Ne jemi mediokër e nuk e dimë se e mira e popullit nuk është duke i bërë urra liderëve të gjallë apo të vdekur, të vjetër apo të rinj por duke punuar për popullin e Atdheun. Për të kemi mbetur të varfër sepse e kemi më të lehtë të merremi me politikë deri në lehje, se sa të punojmë tokat. Jemi kthyer në një popull dembel të ushqyer me politikë dhe ideologji shterpë dhe nuk po dimë të dalim nga kjo gjendje, mjerisht. Po liderët tanë politikë dhe shtetëror, ata janë kthyer në pjesa më komike e historisë sone. Askush nuk thotë çfarë duhet të bëjmë, vetëm të zhbëjmë atë që e bere i mëparshmi. Ndërtojmë e shkatërrojmë. Nuk kemi nje plan të saktë se çfarë mund të bëjmë për zhvillimin ekonomik, por mbetem në fasonet ( si të ishim popull i pazhvilluar afrikan) që edhe ato janë prona të politikës. Prish pallate e bëj kasolle i thonë kësaj pune. Ku janë uzinat e fabrikat, ku shkuan e kush i mori. A do ketë ndonjëherë një gjyq për këtë?! Bëni gjyqe për qeveritarët hajdutë na thotë Europa, por këtu e kanë veshin shurdhër se janë hajdutë të gjithë ata që kanë kyçet e shtetit e politikës. Korbi korbit s’ja nxjerr sytë. Sapo vjen dikush deputet në parlament, në ndonjë institucion a kolltuk, të gjithë mendjen për të vjedhur e grabitur. Një politikë jo thjeshtë medikorre por shtatrruese. Sharlatanizmi po bën ligjin në këtë vend. Dhe nuk shohim një shpresë kurrkund! Na ngeci këmba në ca revanshe historike idiote. Dhe ngopu me portretet e vampirit të kuq, o popull!
Pushteti si inspirim filmash
Një fije peri e ndan tragjiken nga komikja. Në fund të fjalës ne mund të mësojmë ide nga filmat si pjesa më e ndjeshme dhe mbresëlënëse e arteve që trajtojnë problematikat shoqërore, njerëzore, por nuk mund të veprojmë si në filma./
Nga Kolec TRABOINI/
Dalja titullarit më të lartë të pushtetit ekzekutiv nga Kryeministria në bulevard për tu përballur me studentet universitarë të Fakultetit të Gjeologjisë që nuk duan që ndërtesa e tyre të bëhet seli gjykatash, a thjeshtë për t’u thënë se nuk keni asnjë shkak për të protestuar, se ende nuk ju kanë nxjerrë në rrugë, është sikur në mënyrë të përkundërt tu dilte kryeministri i asaj kohe e tu thoshte demonstruesve me 21 janar 2011, çfarë keni që thërrisni, këta i qëlluam por ende nuk kanë vdekur, po i çojmë tu bëjmë autopsinë në spital. Prisni të vdesin pastaj protestoni. Por shkon edhe më tej kjo pandehmë e zbritjes në bulevard, thjeshtë për tu thënë studenteve “Çfarë keni? Shkoni në auditore! Vazhdoni mësimet”. Kështu u thanë edhe në shkurt 1991: “Vazhdoni mësimet!”. Çfarë janë këto reminishenca historike?!
Nuk e dimë a është kjo një këshillë e keqe prej Mefistofeli e ndokujt që rri pas kuintash, duke i sugjeruar titullarit të lartë për tu përballur me situatën kësisoj. Gjithsësi qoftë më duket si inspirim filmash sepse gjithçka në ditën e 12 tetorit 2014 para kryeministrisë u faneps si një përsëritje e një sekuence dramatike filmike. Kushdo që ka jetuar vitet 1980 të shekullit të kaluar dhe ka parë filmin e regjisorit amerikan Elio Kazan, i kujtohet një skenë mbresëlënëse. Një përsëritje e një situate të njëjtë por të përmbysur. Emiliano Zapata kur ishte frymëzues i revoltës së fshatarëve meksikane u fut me një grup të revoltuarish në zyrën e presidentit meksikan Francisko Madero e ky e pyeti Emilianon për emrin, të cilin u ngut ta shënonte me një rreth të kuq. Çfarë në një mënyrë a një tjetër shprehte idenë se pushteti nuk është për të zgjidhur por për të lidhur. Erdhi koha që Emiliano Zapata të gjendej vetë kolltuk të presidentit (pushtet i marrë prej revoltës popullore), por protestat e fshatarëve të varfër për drejtësi vazhdonin edhe më tej sepse nuk mund të zgjidheshin me ndërrimin e një presidenti – në rastin tonë për analogji të kryeministrit. Fshatarëve që i vërshuan në zyrë me ankesa, sepse problemet nuk zgjidheshin me frymë e me fjalë, Emiliano Zapata, tashmë nga kolltukun hijerëndë i presidentit pyeti njërin nga fshatarët që dukej si udhëhëqes i grupit të revoltuarve se si e kishte emrin. Fshatari ju përgjigj. Emiliano Zapata atëherë mori lapsin dhe nisi të shënonte me rreth të kuq emrin e fshatarit, por një çast gjithçka në kujtesë çoi në kohën e tij si kryengritës, kur edhe atij ja kishin qarkuar emrin me rreth të kuq. Atëherë mori listat me emrat e kryengritësve, e beri shuk, e hodhi, u bashkua me ta dhe e braktisi zyrën e presidentit të Meksikës. Ndjehej më mirë pranë popullin të tij. Kjo me shkakun se në atë zyrë e ndjeu të tjetërsohej dhe nuk qe në gjendje të zgjidhte hallet e brengat e njerëzve me të cilët nisi revoltën dhe bëri revolucionin përmbysjen më të madhe në historinë e Meksikës. Vendin e presidentit e zuri kryengritësi tjetër Panço Vila por edhe ky do të dështonte. Kryengritësi Zapata e nisi udhën nga protesta e fshatarëve, vazhdoi në kolltukun e presidentit e pastaj sërish në fshatarët në vorbulla ngjarjesh ku dhe përfundoi tragjikisht. Janë proverbiale fjalët e tij “Më mirë të vdesësh në këmbë se të rrosh i gjunjëzuar”. Filmi i Elio Kazan është një mësim i madh historik për të gjitha ata që në emër të luftës për drejtësi organizojnë protesta, udhëheqin revoltat, vinë në pushtet dhe pak e nga pak tjetërsohen. Por jo thjeshtë për një veprim kalorësiak. Një fije peri e ndan tragjiken nga komikja. Në fund të fjalës ne mund të mësojmë ide nga filmat si pjesa më e ndjeshme dhe mbresëlënëse e arteve që trajtojnë problematikat shoqërore, njerëzore, por nuk mund të veprojmë si në filma.
Anipse ka ngjashmëri historike ngjarjesh, rrethanash, personazhesh, asnjëherë mënyrat e zgjidhjes nuk janë njësoj, ky është shkaku që koha i ve njerëzit në provë, qofshin ata qytetarë të thjeshtë apo dhe udhëheqës shtetesh.
- « Previous Page
- 1
- …
- 17
- 18
- 19
- 20
- 21
- …
- 25
- Next Page »