Ne Foto: Edison Gjergo: Epika e yjeve të mëngjesit” 1971/
NGA KOLEC TRABOINI/
“Epika e yjeve të mëngjesit” – për këtë vepër oil në canvas, me dimensionet e telajos 179 x 119.5 cm, krijuar në vitin 1971 u dënua me burg Edison Gjergo (1939 -1989).
Ishte një urrejtje e egër ndaj këtij piktori prej atyre që mbanin skeptrin e pushtetit. U lëshuan me tërbim sikur Edison Gjergo të kish bërë një kundërrevolucion dhe u rrezikonte pushtetin që e mbanin me dhunë. Në fakt ai kishte derdhur në telajo plot fantazi e frymëzim kurrgjë më shumë se një episod të luftës, por të parë krejt ndryshe e jashtë skemave të kohës. Një fundnate e thellë, një rapsod i tretur deri në asht me lahutë këndon një këngë epike për disa partizanë nën një sfond blu të qiellit ku ndrisnin yje të largët e të ftohtë. Gjithçka e mbajtur në tonet dominuese blu me disa fraktura të telajos të kuqe të ndezur e të zezë. Por luftën ata e donin të ndritur, farfuritëse, bubullitëse, ditën për diell, me partizanë viganë, me urra, me njerëz që hidheshin mbi topa, mbi tanke, që i prisnin plumbat me gjoks, gjithçka në eufori…
Megjithëse diktaturë ajo kohë pas vitit 1970, ishte një gjëndje kërkimi prej krijuesve për të sjellë pikvështrime, mjete stilistikore shprehëse e subjekte të reja në art. Edhe në letërsi me tregimtarët e rinj apo poetët ndodhte po ashtu. Bilal Xhaferri kishte shkruar një tregim me temë të përafërt, por në të vërtetë tërë tregimet e Bilalit ishin impresionante. Të rinjtë e brezit tonë si të thuash i përpinin tregimet e tij në faqen letrare të gazetës “Zëri i rinisë”. Me arratisjen e tij gjithçka që kishte shkruar u ndalua dhe u dogj si “Lirishta e kuqe” poezi si dhe romani “Krastakraus” për epokën e Skënderbeut. Ruaj në kujtesë që pas arratisjes së Bilal Xhaferrit në vitin e parë të studimeve universitare arrita të gjej librin me tregime “Tokë e lashtë, njerëz të rinj” të cilin ma dha bashkstudentja e degës së gazetarisë Zenepe Çekrezi- Luka. Për të qënë të sigurt se nuk do të na diktonin e spiunonin e kishim grisur kopertinën dhe nuk gjëndej në asnjë cep të librit emri i Bilalit. Por atë libër të ndaluar e lexonim dhe e kalonim dorë në dorë si ungjill arti.
Duhet pranuar se megjithë frikën që ekzistonte, krijuesit përpiqeshin të dilnin nga korniza, veçanërisht të rinjtë, kam parasysh edhe dramaturgun e ri Shpëtim Gina (13.12.1951-15.08.1974) që e kisha bashkstudent në Universitet, me dramën e tij “Armiqtë”, vënë në skenë nga Mihallaq Luarasi. Shpëtimin e mbyti sigurimi në Mamurras , në lumin Drojë, sepse e kishin konsideruar si dramaturg dekadent. E kishin venë në shënjestër dhe arritën ta eleminojnë më 15 gusht 1974. Edhe ai kish guxuar të bënte një art ndryshe prej skematizmit të kohës. Në burg do të përfundonte edhe liriku më i ndjeshëm i kohës Frederik Rreshpja, të cilin e njihja nga afër dhe kishim punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Nën këto influenca e dëshira për të bërë diçka ndryshe mbaj mend në atë kohë të kem shkruar edhe vetë ndonjë tregim si “Stina kur pikonin yjet” ca partizanë që ecnin nëpër natë me shoqen e plagosur që u vdes në agim, apo një tjetër “Në mesnatë” me të njejtën frymë, por të dy këto tregime m’i refuzuan kur botova librin e parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur”, 1973, ndaj pashë ç’pashë i zhduka. Dëshira të tilla dhe tentativa për t’u shfaqur sa më origjinal ndjehej kudo tek autorët e rinj. Por kur u zhvilluan pleniumet famëkeqe për letërsinë e artin dhe për mbarë krijimtarinë artistike, të tmerruar shumëkush hoqi dorë nga krijimtaria, sepse ishte si të ecje mbi mina, ose përndryshe duhej të ecnin në trasenë e sigurtë të shabllonizmit e skematikës së real-socit.
Edison Gjergo ishte nga ata që guxoi dhe tërë rrufetë ranë mbi të. U mallkua publikisht dhe u dënua fizikisht. Ishte tmerr të mendoje se e kishin dënuar me burg për një tabllo, që fundja ishte temë e luftës, ishte me partizanë. Por atyre u duheshin disa viktima në art dhe do t’i gjenin patjetër. Siç gjetën edhe Maks Velon. Siç burgosën e pushkatuan pa mëshirë plot të tjerë.
Burgu e dërrmoi piktorin. Arriti te shihte një ekspozitë të pranverës në fundin e jetës së vet ku tashme piktorët kishin arritur disi të shpëtonin prej diktatit të plotë. Kishte më shumë lirshmëri ngjyrash në telajo. Ai pikërisht për këtë ishte dënuar, kish humbur vitet më të çmuara të krijimtarisë. Por gjithsësi ai nuk mund të paraqitej në ekspozita. U mbyll në vetvete e ra në një dëshpërim të thellë. Ndrroi jetë në vitin 1989 në moshën 50 vjeçare. Gjithsesi kjo punë e tij, kjo epikë blu në telajo e Edison Gjergos i qëndroi kohës. Lumturisht nuk është prishur. Eshtë shumë impresionante. Një dimension që i thyente tërë rregullat real-socit, mirëpo edhe sot pas dy dekadash që është shëmbur diktatura, ndërkohë që pak flitet për Edison Gjergon, na del ndonjë piktor si i suksesshëm por edhe i pompuar me mbështetje politike, që na e shet sapunin për djathë duke thënë se natyrat e qeta me lulkat e tij punuar asokohe ishin një dizidencë kundër sistemit monist.
Në të vërtetë dizidenca ishte Edison Gjergo me tabllonë e tij “ Epika e yjeve të mëngjesit” që sot ka një vlerë të madhe. Pse jo dhe “Metalurgu” realizuar në 1971 që ka të njëjtën frymë e teknikë dhe mbajtur me të njëjtën tonalitet ngjyrash ku mbizotëron kuq e bluja e Gjergos. Kjo pikturë epike blu e ky stil i tij origjinal shprehte dëshirat e krijuesve për të thyer skematizmin e kohës, atë ngurtësi që shterpëzonte e ndrydhte talentet. Dhe e bëri atë me dinjitet e me një sakrificë të jashtzakonshme.
Piktori Edison Gjergo ndërroi jetë shumë shpejt, një fat vërtet tragjik i një talenti të madh që nuk arriti ta gëzonte lirinë e çlirimin prej diktaturës e të korrte frytet e veprës së vet, si fati i shumë artistëve e mjeshtërve të mëdhenj të telajos.
“E VËRTETA”…E PAVËRTETË E PROF.EMIL LAFE
Gjuha Shqipe si tipar themelor i kombit kërkon bashkim e jo ndarje/
Nga KOLEC TRABOINI/
Shkaku për të cilin ka patur nderin të dalë në opinionin publik prof. Emil Lafe në “Gazetën Shqiptare” më 20 korrik 2014, është se kërkon të shumëzojë me zero një shkrim mjaft serioz e konstruktiv të botuar në gazetën “Tirana Observer” të datës 7 qershor 2014 “Shqetësuese janë rrënjët e gjuhës shqipe” shkruar nga prof. dr. Luftulla Peza, kryetar i Shoqatës “Qendra e Studimeve Pellazgjike” Tiranë – Prishtinë.
Që në krye prof. Emil Lafe shpalos platformen e vet kundërshtuese duke përmbledhur së pari në 9 pika problematikat që shtron prof. Peza, për të patur kësisoj më të lehtë në kundërshtimin dhe minimizimin e vlerave të shkrimit në fjalë.
Po cilat janë pikat e dobëta të artikullit të prof. dr. Luftulla Pezës që sipas prof. Emil Lafe, u dashkan të konsiderohen si probleme të paqëna.
Ja dhe esenca e shkrimit të prof. dr. Luftulla Peza që u bë shkak i kësaj polemike në mes dy profesorësh të nderuar:
“1) standardi i sotëm i shqipes i vendosur në kohën e regjimit totalitar është i vjetruar, i plakur dhe duhet të ecë përpara me shoqërinë; 2) ruajtja e këtij standardi mbyll shtigjet e hulumtimit drejt lashtësisë pellazge; 3) kur u vendos standardi u shkelën mjaft rregulla të gjuhës shqipe, sepse vendosi politika; 4) gjuhëtarët dhe historianët shqiptarë, duke shkelur të gjitha rregullat shkencore, i kanë prerë rrugën gjuhës shqipe drejt gjuhës pellazge dhe ilire me të cilat ajo lidhet dhe ka vazhdimësi të plotë; veprat që e lidhin gjuhën e lashtë pellazge me gjuhën shqipe as analizohen, as kundërshtohen dhe as pranohen; 5) Homeri dhe Hesiodi, që kanë jetuar para shek. VIII para erës së re, i përkasin racës pellazge, që e përshkruajnë me dashuri dhe madhështi (d.m.th. nuk janë grekë); 6) gjuhëtarët shqiptarë njohin vetëm standardin të bazuar në toskërishten dhe e kanë shpërfillur gegërishten, prandaj nuk e përmendin lidhjen e fjalës së parë të “Iliadës” menin, me fjalën e gegërishtes mëni (toskërisht mëri), që ka po atë kuptim, por është jashtë standardit; 7) duke mohuar pellazgët si stërgjyshërit tanë, historianët dhe gjuhëtarët shqiptarë nuk mund të vërtetojnë autoktoninë tonë; 8) qindra mbishkrime me shkrimin ilir dhe në gjuhën ilire janë në muzetë e Durrësit dhe të Apolonisë, por padrejtësisht gjuhëtarët shqiptarë nuk i pranojnë si të gjuhës shqipe; 9) shqipja e njësuar është arritje e madhe e kulturës sonë, duhet mbështetur, por edhe do pasuruar dita-ditës. Disa nga këto nëntë pika kanë të bëjnë me gjuhën e sotme, me shqipen standarde, ndërsa të tjerat me lidhjet shqiptaro-pellazge.”
Prof. Emil Lafe pasi ka cituar objeksionet e mësipërme të prof. dr. Luftulla Pezës përpiqet lodhshëm të hedhë poshtë këto 9 pika, madje duke dashur ta bëjë këtë gjë zellshëm, në vënd të përdorë argumentin gjuhësor si profesionist që është , i lëshohet trajtimin rutinë si në shkrimet e rëndomta të gazetave të përditëshme. Duke harruar argumentin gjuhësor bie sa në ca kujtime të hershme fëminore aq edhe tek nostalgjitë e studimeve e hulumtimeve të kohës së komunizmit, por pa harruar t’i dalë punë edhe me varrosjen, bashkë me dialektet veriore të shqipes, edhe të problemit pellazgjik, që shqiptarët e kanë për zemër por që prof. Lafes nuk i pëlqen.
“Më kujtohet – shkruan prof. Lafe,- mësuesi im i gjuhës dhe i letërsisë në gjimnazin e Durrësit (1951-52), shkrimtari Bedri Rama, që më qortonte: Mos ngatërro dialektet! – kur unë, që vija nga 7-vjeçarja e Lushnjës, përpiqesha t’i shkruaja hartimet pak “durrsakçe”, si shokët.”
Duke dashur të tallet me problemin e paskajores si tipar themelor i dialektit të gegnishtës( dhe jo gegërishtes siç e përdor rëndom), prof Lafe merr ca citate të Enver Hoxhës psonisur në traktet e luftës ku qënka përdorur paskajorja jo siç duhet, ndaj, mendon e konkludon Prof. Lafe, nuk shtrohet si problem i pranueshëm paskajorja sepse krijoka ilaritet në të shkruar. Paskajorja është punë e kryeme për gjuhtarin e nderuar nga Lushnja që bën fole në Institutin Albanologjik në Gjuhësi dhe mbron gjithçka që është bërë në kohë të komunizmit. Ja dhe përsiatja me stilistikën e Enverit që na e sjell si argument për ilaritetin që sillka paskajorja në traktet e luftës:
“Apo është fjala për të “shartuar” në standard paskajoren, siç ka bërë ndër të tjerë edhe Enver Hoxha në shkrimet e viteve të luftës, kur shkruante p.sh.: … përpiqet me mish e me shpirt me e shpërnda frontin e gjerë të popullit tonë; … po shkelin vatrat tona për me gjuejtë patriotët; … ta gënjejë popullin, t’i hedhë hi syve për me muejtë më mirë me ja mbërritë qëllimeve të tija; … u përpoqën ta mobilizojnë popullin për me e çue të vritet në Libi; Fashizmi e ruante këtë spiun të vjetër (Mustafa Merlikën) për me e qitë kur ta shihte pisk … etj. Ky lloj shartimi, që pasqyron në gjuhën e shkrimit përzierje dialektore të rastit, nuk pati (e nuk mund të kishte) sukses dhe u la mënjanë.”
Për gjuhtarin Emil Lafe nuk ekziston asnjë shëmbull i mirë e i dobishëm i përdorimit të paskajores, nuk i gjen këtë as tek Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Migjeni po shkon e mbështetet në frazeologjinë politike të Enver Hoxhës shkruar në kushte ilegaliteti gjatë viteve të luftës. E drejtë e tij kujt i referohet. Po ky ka harruar pa cituar edhe Mehmet Shehun se edhe ai ka mbajtur një fjalim programor mjaft te gjatë e të mërzitshëm për punët e gjuhës, apo Mehmeti nuk u marrka në konsideratë se ka qënë poliagjent dhe armik i popullit siç e cilësonte ish miku i tij për kokë diktatori Hoxha.
Madje për të qënë bindës në kundërshtitë e veta profesori specialist i gjuhës, thërret në ndihmë krahas të tjerave edhe kujtimet e tij përsonale për dy dhëndurrët e prof. Aleksandër Xhuvanit, Ramiz Alia dhe Bilbil Klosi, pa arritur të na bindë se çfarë lidhje e funksion kanë këto dy emra në një përsiatje për Gjuhën Letrare. Inkursionet e prof. Emil Lafes në shkrimin e tij mjerisht vetëm gjuhësi nuk shprehin.
Është vërtetë i marramëndshëm sepse kur i fut një tëharrje problematike në brigjet italiane, shkon thellë në histori për të na treguar si u bë standardi përtej Adriatikut që nisi me 3 përqind( sipas tij) e tani na lulëzoka lumturisht me 100 për qind. Ky lloj tregimi me shifra përqindjesh më kujton shkrimet e “Zërit të Popullit” për rendimentin për hektarë të produkteve bujqësore, me statistika strikte, por që një herë nga pakujdesia e tipografeve titulli na doli i shtypur jangllësh, kësisoj bathët na dolën bythë shifrore në rendimentet për hektarë. I kanë gërmat këto rreziqe, kur nuk i përdor si duhet të bëjnë gjëmën. Por profesor Lafe vazhdon dhe me tutje përsiatjen e tij sikur të ishim ende në shekullin e kaluar. Madje përveç Enverit na sjell në kujtesë edhe një lugat tjetër me përmasa botërore, na kujton edhe programin e punës së vet në Kongresin e Drejtshkrimit ku, siç pohon jo pa krenari, ka patur si busull orientuese në Gjuhësinë shqiptare mësimet e Josif Visiarionoviç Stalinit. Që të mos duket sikur po sajojmë përralla me Stalin e luftë klasash, po paraqesim retorikën e të nderuarit gjuhëtarin tonë luftëtarit të ashpër kundër gegnishtes. Citojmë:
“Më takon të jap këtu nja dy sqarime të shkurtra, edhe si dëshmitar i punëve. Pas botimit të librit të Stalinit “Marksizmi dhe çështje të gjuhësisë” gjuhëtarët nuk u rrezikuan nga ndërhyrja e politikës. Pse? Sepse Stalini sqaroi në atë libër se gjuha është një fenomen shoqëror i një tipi të veçantë, nuk është as pjesë e bazës, as pjesë e superstrukturës së shoqërisë, se gjuha nuk ka karakter klasor, nuk është ideologji, ajo u shërben njësoj si klasave shfrytëzuese, ashtu edhe klasave të shfrytëzuara. Në atë libër Stalini kërkon që çështjet e gjuhës të zgjidhen nëpërmjet diskutimesh shkencore dhe ka formuluar atë thënien e njohur: “Gjithë bota e di se asnjë shkencë nuk mund të zhvillohet dhe të vejë mbarë pa luftë mendimesh, pa liri kritike.” Ky citat, i shkruar me shkronja të mëdha dhe me emrin e Stalinit poshtë, ka qenë një lloj embleme në veprimtari të ndryshme shkencore të asaj kohe.”
Të lumtë profesor Emil Lafe. Më bukur nuk ka si thuhet. Programi stalinist u jepte liri të plotë intelektualeve madje edhe liri kritike. I dënjë ky konsiderim për rrugën dhe ideologjinë staliniste, krenar për lugatin tonë që rrinte në Kongresin e Drejtshkrimit si një faraon përpara të cilit drithëronte vetë vdekja. Të lumtë që na e solle në kujtesë Stalinin që ne mëkatarët e kësaj bote të shekullit XXI mjerisht e kishim harruar. I nderuar profesor Lafe vazhdo në llogoren e luftës kundër dialekteve, vazhdo ekzekutimin e gegnishtës siç Enver Hoxha pushkatonte intelektualët veriorë veç për dy shkaqe, se ishin gegë dhe katolikë.
Nuk ka nevojë të bëhet gjykimi i thellë i Kongresit të Drejtshkrimit mjafton të lexojnë broçkulla të tilla për të kuptuar në çfarë bataku kishte rënë gjuhësia shqiptare në kazanin e shtrigave të komunizmit.
Dua të sjell në kujtesë të Profesor Lafes një emër shqiptari, studiuesi, shqipëruesi, profesor i gjimnazit të Shkodrës Nikollë Daka, një pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikë, në kohën kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972 në Tiranë, ai pikllueshëm shkruante për tragjedinë që po ndodhte me të bukurën gegnishte dhe krijonte kësisoj në Shkodër poemën “Koineja e Gjuhës Shqipe”. Është shkruar bash atë ditë kur vendoste Kongresi, dhe stigmatizonte tërë atë teatër kukllash ku dijetarët vinin me shumë si servant se sa si shkencëtar sepse nuk kishte asnjë zë kundërshtues në atë sallë.
Dhe e dini çfarë u bë me këtë të vetmin zë kundërshtues në Shqipëri pikërisht kur ndahej me sopatë gegnishtja prej trungut kombëtar, u burgos dy herë dhe tërë jetën e kalbën në burg, sa kur doli nga burgu i dytë nuk shkoi gjatë dhe vdiq. Një atdhetar i madh, përkthyesi i madh i latinishtës, siç e cilësonte vetë albanologu i paharruar Norbert Jokli, pasi kishte lexoi përkthimet e tij.
Ju profesor Emil Lafe mund të vazhdoni e shkruani e botoni nëpër gazetat e Tiranës, të na flisni deri në ekstazë e stërlodhje për Enverin e Stalinin që paskan u dhënë liri të plotë për zhvillimet gjuhësore në Shqipëri, por mjerisht fjalët nuk e fshehin dot synimin tuaj për mbylljen e gjuhës shqipe dhe bjerrjen e pasurive gjuhësore dialektale, ato pasuri të paçmuara që ende falë Zotit mbahen gjallë. Ju kësisoj rrënoni tërë pasurinë e letërsisë shqipe që shpejt do të konsiderohet një minoritet. Kam pasur e ruaj mendimin që kushdo që kërkon të shkatërrojë dhe jo të pasurojë atë çfarë kemi ndërtuar në Gjuhësi, por dhe e kundërta, siç po bëni ju dhe kolegët tuaj konservatore që dërgoni dhe peticione në qeveri, që mbroni deri me histerizëm çfarë keni ndërtuar keq me abandonimin mizor të gegnishtës, u them me plot gojë se i keni hipur kalit mbrapsht dhe po kalëroni të gjithë në qorrollepsje. Gjuha është një trase e madhe, gjigante, që nis prej historise dhe vjen prej të gjitha skajeve të trojeve dhe shqiptarisë e ku mund të ecim të gjithë shqiptarët pa patur aspak nevojë të shtyjme, të anashkalojmë apo dhe shtypim e shkelim njëri-tjetrin, çfarë në komunizëm mjerisht është bërë. Ndaj le të guxojmë të bëjmë atë që kërkon koha dhe e drejta: Hapjen e arkapijave të gjuhës, heqjen e brakeshave të fanatizmit akademik mediokërr dhe bashkimin e natyrshëm gjuhësor nëpërmjet pasurimit të saj nga çdo burim i kthjelltë dialektor( ashtu siç lumejt krijohen nga burimet), për më tepër ashtu siç kërkohet dhe bashkimi kombëtar, sepse me ndarje e përçarje nuk shkohet kurrkund.
SILUETA TË PROFILIT NË IKJE
– Mbi krijimtarinë poetike të Kolec Traboinit-/
Shkruar nga ANTON GOJÇAJ/Podgoricë/
Krijimtaria poetike e Kolec Traboinit mund të shijohet edhe e shkëputur nga të dhënat për biografinë e autorit, mirëpo nëse lexuesi është i njohur me to, ajo bëhet më e kuptueshme dhe mund të vlerësohet më drejt. Ky këndvështrim “pozitivist” është i justifikueshëm për disa arsye: e para, sepse Koleci është biri i Palok Traboinit, bashkëluftëtarit të Dedë Gjo Lulit dhe autorit të poemës historike “Lufta e maleve”; e dyta, sepse Koleci që student (1973) botoi librin e vet të parë (me tregime), për të cilin pat marrë çmimin inkurajues në konkursin kombëtar të letërsisë dhe arteve, librin e radhës me përmbajtje letrare artistike, një përmbledhje poezie, e botoi vetëm në vitin 2002, domethënë rreth 30 vjet më vonë. Pastaj, brenda vetëm një dhjetëvjeçari, 2002-2013, lexuesve u dha madje dhjetë përmbledhje me poezi. Akumuloi një kohë të gjatë, për të “eksploduar” në moshë të pjekur. Mund të jetë që periudha e diktaturës nuk ishte ambienti i duhur për ta zgjuar talentin e fjetur, apo ndoshta poeti nuk dëshironte të shkruante sipas diktateve dhe modeleve (të imponuara) të kohës – qoftë edhe duke dhunuar dhuntinë e vet. Pas rënies së diktaturës, njëzet vjet brodhi gjithandej, në mërgim, në kërkim të “Atdheut” të ri për familjen e vet. Familjes, pas një odiseje shumëvjeçare ia gjeti çerdhen e re, në SHBA, por vetë u kthye në “Itakë” – Shqipëri. Vitin e fundit Traboini botoi dy përmbledhje të reja. Njëra, që nga titulli “… E kam atdheun tek porta” paralajmëron disponim refleksiv, kurse tjetra “Dashuri” kumton një tematikë klasike, por gjithmonë aktuale, atë të dashurisë…
. . .
1. Zëri i brezit të të arratisurve
(“ … e kam Atdheun tek porta”, poezi, Tiranë-Boston 2013)
Të dhënat nga ballina e librit që në tekste letrare dikush i quan elemente paratekstuale, në rastin e vëllimit “… e kam atdheun tek porta”, kanë peshë semantike specifike, pasi pjesa e dytë e emrit – TRABOINI – është emri i vendlindjes së lindjes së të atit të autorit, fshat ky që ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë, kurse titulli të cilit i mungon kryefjala, sikur simbolizon një identitet të përgjysmuar, në lëvizje, prej nomadi… Ligjërimi i folësit lirik në këtë vëllim mund të konsiderohet tipik për marrëdhënien e shqiptarëve të periudhës postkomuniste me atdheun, të cilët u shkapërderdhën në të gjitha drejtimet dhe anët e botës, në kërkim të një jete ndryshe larg tij dhe që, në tokën ku kanë lindur kthehen, kryesisht, vetëm herë pas here (për pushime) dhe përkohësisht. Kolec Traboini, me këtë libër, është zëri i brezit të të arratisurve (apo që të mos ketë konotacion pezhorativ: shpërthyesve të kufirit të vdekjes dhe izolimit) –
“Ishin vitet ‘90,
koha e ikjes së madhe
koha e shpresës së thyer në njëqind xhama
me dritaret e shtëpive të shqyera e vatra pa zjarr
ikja ishte një shkëndi shprese në lugina e male.”
(Requiem për ëndrën e vrarë)
Fjala “Atdhe”, në këto poezi, pa e humbur kuptimin e parë nga fjalori, gjeneron nuanca të reja semantike pandërprerë, si një “konstantë e ndryshueshme”, në varësi nga motivi apo disponimi i çastit i folësit lirik, duke i dhënë lexuesit një spektër të pasur konotacionesh dhe emocionesh, që karakterizohen, si gjithë poezia e këtij autori, me një shkallë të lartë komunikativiteti, ku çdo varg është i denjë për një meditim të gjatë.
Atdheu është atje ku ngjizet dashuria
por edhe atje ku mbi varre rëndon një gur
mbi kokën e gjysh-stërgjyshërve, edhe atje
ndodhet Atdheu që s’harrohet kurrë.
(Fëmijët tek pragu)
Odiseja e folësit lirik, alias autorit, pas arratisjes dhe bredhjes shumëvjeçare, nënkupton edhe kthimin në “Itakë”, si dhe zhgënjimin e shumëfishtë të tij me realitetin që gjen aty:
Në rrafshin psikologjik -“U ktheva në atdhe ngadhera të huaj/por jeta nuk u ktheka përsëri”; Në rrafshin filozofik:“Sepse asnjë gjethe që rrëzohet/para syve tanë në qiejt e kësaj fundvere”/ nuk është e mundur të kthehet/ sërish në degë; Në rrafshin social-politik (pezmi i poetit të pakënaqur me gjendjen në Atdhe arrin kulminacionin duke shpërthyer përmes një name monumetale të realizuar me një patos të theksuar dramatik): “Unëvotën time do ta shes/ se nuk kam bukë për drekë e darkë./ Heu…, ju vraftë Zoti me rrufe/ për fukaranëtë marri hak.”
Vjersha me titullin “Ma vodhën Atdheun” qëndron në vazhdën e traditës më të mirë të poezisë sonë satirike, në shëmbëllim të satirikës së P. Gjergj Fishtës, Ali Asllanit e ndonjë tjetri. Intonacioni i rreptë, që del nga zjarri i zemrës, drejtpërdrejt dhe pa latime të tepërta stilistike, u bën gjëmën “hajdutëve e kopukëve” që Atdheun e infektuan me virusin e tëhujasësimit dhe shuarjen edhe të atyre pak shkëndijave të idealizmit patriotik që mbijetuan katrahurat historike, me pasoja gati apokaliptike për shëndetin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve.
Trumbetojnë lirinë që s’e kemi
demagogët tanë kokëtrashë
kinse nuk e dinë se nuk ka liri
atje ku nuk ka as bukë të hash
Nuk ka liri kur je i papunë
nuk ka liri kur nuk ke shpresë
i mbetur në mes udhëve në mjerim
njeriut s’i mbetet veç të vdesë.
(…)
Ma vodhën Atdheun kur ika
ma vodhën Atdheun si të mos ish
erdh koha të ndjehem i huaj
në vendin tim kur u shfaqa sërish
(…)
Tani jam si një pellazg pa vendlindje
një shqiptar mërgimtar – pa Shqipëri
e vetmja strehë ku mund të vë kokën
është një vrimë miu me emrin shtëpi.
Sepse, o Zot, çdo gjë mbi këtë dhe
në këtë tokë ku farë urrejtjeje mbollën
ca qen bir qenësh të vendit tim
ma shkatërruan, ma vranë, ma vodhën.”
Tonet refleksive të gërshetuara me mllefin e poetit, lexuesve u ofrojnë një tryezë të shtruar me begati idesh, emocionesh, shfryrjesh, pasioni…, që e kompensojnë në kuptimin e plotë të fjalës kohën që ua marrin atyre. Një njohje (iluminim) të llojit të veçantë folësi lirik artikulon në momentin kur duke iu drejtuar pasardhësit të vet, Matteos së vogël, i cili jeton në Boston, shprehet:
“Ne jemi shqiptarë, malësorë, bijtë e Hotit,
Ti tashmë i përket një kombi tjetër
Por të gjithë popujt janë bijtë e Zotit!”
(Mirëdita Matteo!)
Në libër ka motive anti-politike lidhur me statusin e artit në shoqëri (Shi e ngricë për bilbila, Rruga e pluhurit, Engjëjt i vrasin, Gazeta botoi shkrimin tim për atdheun, etj.), motive ambientaliste (Pallate pa diell, etj. ), vargje të angazhuara kundër dukurisë së trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos të femrave (Vajza e semaforëve), çka arrin kulminacionin në krahasimin antiheroik e “migjenian“ – “Atdheu si një trup prostitute“, madje edhe meditime interesante për globalizmin (Kur bota të jetë një Itakë).
. . .
2-Dehje vjeshte
(Dashuri, poezi,Tiranë-Boston 2013)
Kolec Traboini me krijimtarinë e vet poetike në dy deceniet e fundit përmbys disa stereotipe, të cilat reflektohen në përmbajtje, cilësi dhe kuantitet.
Ai ndryshon nga shumica e shkrimtarëve të tjerë për faktin se në portën e letërsisë hyri me një libër me tregime, në moshë të re, kurse njëzet vjet më vonë vazhdoi me poezinë. Zakonisht ndodh e kundërta, fillohet me poezi e pastaj kalohet në prozë. Paragjykimi tjetër që thyen ai ka të bëjë me cilësinë: thuhet shpesh se poezia më e bukur për dashurinë shkruhet në moshën e re. Traboini vargjet më të mira për dashurinë, i shkruan në vjeshtën e jetës. Dhe jo vetëm se shkruan mirë për dashurinë, por shkruan edhe shumë. Në gati secilën përmbledhje të tij motivi i dashurisë mbizotëron.
Libri në fjalë është një përzgjedhje e poezive të dashurisë nga gjithë krijimtaria e tij e deritashme.
Është një poezi joshëse, e cila lexohet me ëndje, që s’ka nevojë për zbërthime të mundimshme kuptimesh. Është e vetinterpretueshme, e plotë, e përmbyllur në vete, me një fjalë – e vetëmjaftueshme. Dhe asnjëherë hermetike.
Poeti, ndihet i përfshirë nga tallazet e dashurisë, çka e përjeton si një dalldisje që sfidon racionalen dhe kohoren:
Kjo dehje vjeshte keq na zuri
Si gjeth mbi gjeth të dy na vuri
Me ditë e netë krejt u harruam
Si frut me frutin dashuruar.
(Kjo dehje vjeshte)
Epshi për ta shijuar të bukurën e re, adhurimi i saj, akoma nuk është fikur, pavarësisht trashjes së vazhdueshme të stivës së kalendarëve, një qëndrim mashkullor ky që ma kujton Çarls Bukovskin (dallimi mes tyre është se Traboini shmang banalitetet dhe vulgarizmat dhe është paksa më eterik), mirëpo ligjet e fizikës dhe mosha njeriun e vënë përballë problemeve të pazgjidhshme:
Si vallë s’u gjend ende një shpikje
moshës t’i kthejë rininë e parë
se shpirti që më fut në ngasje
më thotë: ke mbetur si një djalë.
(…)
I vu udhëtarët në ëndërrime
dhe unë përhumba në fytyrë të saj
me një dilemë që kurrë s’gjen zgjidhje
-Këtë moshë më dysh si mund ta ndaj?
(Një vajzë në Torino)
Mosha e poetit përcakton edhe perspektivën e folësit lirik, në ligjërimin e të cilit ka shpesh reminishenca drithëruese për kohën e shkuar: „ndaj shkoj herë pas here në motin e shkuar /të kërkoj çfarë sot nuk e gjej mjerisht.“
Fëmijëria dhe rinia e hershme lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut, çka shprehet fuqishëm edhe në krijimtarinë e Traboinit. Në vjershën “Dashni në kohën e kolerës“, që aspak rastësisht ta sjell në mendje titullin e romanit të njohur të G. G. Markes-it, kujtohet me mall koha e rinisë, e cila edhe pse në rrethana “kolere” arrin të prodhojë çaste të paharrueshme, të cilat pas shumë vjetëve shpërthejnë në trajtën e shkëndijave të një nostalgjie përvëluese. E gjitha kjo jepet si një tabllo e cila, për rrezet semantike dhe emocionale që përmban, e kapërcen, por nuk e zhduk, motivin bazik:
Oh, rinia jonë e varfën
deri tek vështrimi, më tej drithërima
dhe orgazma cfilitej brenda vetes
diktatura, polici, dhuna, frika
burgu, internimi, ndalimi
ia troshiste epshet njeriut
që bante dashni veç me sy
dashni pa buzë, pa gji, pa kofshë
dashni në eter, pa mish e kocka
ne djemtë e rrugës Badra…
Në linjën e kujtimeve të dashurisë është edhe mësimi që heroi lirik mori nga jeta, e të cilin ia përcjell lexuesit: kujdes nga mbivlerësimi i vetes dhe nga krenaria e tepruar, sepse në lojën e dashurisë nuk durohet mendjemadhësia, ndërsa tentimi për
të luajtur, deri në nënshtrim, me ndjenjat e partnerit, ndëshkohet:
Thash se ish e imja krejt
se ne bashkë kishim fjetur
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.
Mendoja do vriste veten
tragjikisht në dashuri
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.
(Rri e shoh një re në qiell)
Veçantia e kësaj lirike është se dashurinë nuk e pranon vetëm si relike të kujtesës nga koha e rinisë, por e kërkon në mënyrë aktive edhe në çastin e shkrimit, anipse në vjeshtën e jetës. Vazhdimisht përsiat për atë temë, shtron pyetje dhe përgjigjet, duke mos e humbur ngrohtësinë dhe besimin në kuptimësi:
Ajo çfarë ndjejmë, një shkëndi
që ende shpreson të ndezë zjarr
ty ende trupi të ka eshkë
e mua mosha më ka strall.
(Me kitarë në breg të detit)
Bëhet fjalë për një lirikë pjalmuese, në vokabularin e së cilës frekuentojnë shpesh afshet, epshi, seksi, zjarret, puthjet, buzët, zemra, poleni, prushi, flakët, kofshët, vithet, sytë, flokët, por sidomos gjoksi. Gjoksi është kryefjala e këtij libri, që shfaqet në trajta (edhe si sinonim dhe sinekdotë) të ndryshme: gjinjtë, sisa, cica, thithka, supi… Kjo mund të interpretohet me lidhjen “simbiotike” të kënaqësisë erotike që mashkulli gjen në gjinjtë e gruas dhe me semantikën tragjike të Rozafës, që mëkon fëmijën me “tamël guri”, që shton një shtresë të re psiko-emocionale nëse dihet se Shkodra është qyteti i fëmijërisë së poetit.
Qysh kur vumë themelet e qytetit mbi gjinin
e bardhë të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.
(Simbiozë shkodrane)
Librin e shquan një melankoli e ëmbël, të cilën e shpreh mashkulli para të dashurës së parafytyruar, që herë është e pranishme, e herë mungon, kështu që edhe poezia mund të kuptohet si një parabolë e udhëtimit të një “Uliksi lirik” drejt Penelopës së tij:
fatin e Penelopës – pritje e ke ti
e unë si Odise pas Odisesh bredh
nëpër mote
sa mendimet m’u thinjën e floku m’u zbardh
e Farët e shpresës janë në të shuar.
(Penelopë e Odise)
Mbetet brenda shëmbëlltyrës së heroit fatkeq nga Itaka edhe kur gjatë bredhjeve të veta, heroi lirik i këndon Circeve (mishërimeve të dashurisë) në Romë, Korinth, Athinë, Paris, apo:
Eh, si vajti puna ime
me ca vargje ëndërrime
me ca nimfa nëpër rrjeshta
që m’i sjell e m’i zhduk vjeshta.
Eh, si vajti puna ime,
nëpër botë me ca udhëtime
herë në Boston, herë në Romë
nëpër lule pa aromë.
Eh, si vajti puna ime
mbledhur shuk një grusht kujtime
për një vajzë atje në Vlorë
për një Ofeli si borë.
(Eh, si vajti…)
. . .
Kolec Traboin është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe, janë mahnitëse. Nuk është adhurues i risive stilistike me çdo kusht, më shumë është ndjekës i formave klasike, prandaj mund të konstatohet se lirika e tij është vazhduese e poezisë së mirë shqipe të traditës, në radhë të parë të Lasgushit, por ka pikëtakime edhe me poetikën e Zef Serembes, Ali Asllanit, kurse te vjersha “Zemër çmendurake“ ka ngjashmëri (në ritëm) me “Marathonomakun” e Nolit, etj. Natyrisht që ka elemente të ndryshme poetike që bashkëpërkojnë, herë më shumë e herë më pak, qoftë në formë, qoftë në frymë, edhe me poezinë e autorëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë.
Koha javore, nr. 601, f. 10-11 dhe nr. 602, f. 10-11, 30 janar dhe 6 shkurt 2014, Podgoricë
AKADEMIA E MYKUR E TIRANËS
Nga Kolec TRABOINI/
14 vjet pas vdekjes së juristit e studiuesit Aristidh Kola, më së fundi miqtë e tij në Tiranë arritën të ndikojnë që një institucion shtetëror të organizojë një konferencë përkujtimore në 70-vjetorin e lindjes së arvanitasit të madh. Eshtë e vetmja veprimtari zyrtare që është zhvilluar në Shqipëri për këtë figurë që do të thonim me plot gojë se është arvanitasi më i madh i shekullit të 20-të. Miqtë e lexuesit e shumtë e kanë kujtuar, por gjithnjë me nisma private ku megjithëse kanë qenë të ftuar nuk ka marrë pjesë asnjë akademik, asnjë studiues, asnjë nënpunës ministrish apo institucionesh universitare me përjashtim të prof. Nasho Jorgaqit, që gjithherë është gjendur në këto përkujtime.
Këtë përvjetor, anipse doli si organizator një institucion shtetëror nuk u bë asnjë tentativë të ftoheshin përfaqësues të Lidhjes së Arvanitëve të Greqisë apo dhe pjestarë të familjes. Në mënyrë private njoftimi është bërë, por këtu nuk flitet për njoftim, por për ftesë. Është e vërtetë që erdhën drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dhe drejtori i Arkivës së Shtetit, që i nderon këto institucione, por si ndodhi që as një e treta e sallës nuk arriti të mbushej, kur punonjësit që paguan shteti për studime në institucione janë shumë herë më shumë se vendet e sallës UNESKO të Muzeut Historik Kombëtar. Nuk dimë sa rrogëtarë me tituj ka Akademia e Shkencave të Shqipërisë, por mendojmë se ata u kish dashur të gjendeshin të gjithë në respekt të një studiuesi të madh me gjak shqiptar që bëri një vepër të madhe, zgjoi arvanitët nga gjumi letargjik shekullor e vetë u kthye në një martir. Jo, ata nuk kanë ardhur as në 2010-ën kur miqtë e Aristidh Kolës kujtuan 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, por nuk erdhën as në këtë përvjetor lindje që në fund të fundit u organizua nga një institucion shtetëror. Çfarë ndodh në këtë Akademi që duhet të ishte sa një institucion shkencor i studimeve albanalogjike aq dhe një institucion që punon për kombin shqiptar.
E dimë shumë mirë se cili është mendimi i disa pseudostudiuesve të qorrollepsur për Aristidh Kolën, e dimë shumë mirë se punohet me një platformë për t’ia nxjerrë veprën e tij madhore një fantazi më shumë se një realitet, po si është e mundur që paguan populli shqiptar e bëhen duaja e qarqeve në boshtin strategjik antishqiptar Beograd-Shkup-Athinë. Për kë punon Akademia?!
Edhe një zë i fuqishëm, i vetmi mund të themi në Akademi si i Prof. Kristo Frashëri sa vjen e mbetet në minoritet brenda në Atdheun e vet, në institucionin e vet, edhe për shkak të moshës, të shëndetit, por edhe sepse akademikët e profesorët të mbirë si kërpudha pas vitit 1990 krijojnë një klimë mbytëse a më e vogla, heshtëse që vret të vërtetën shqiptare.
Pikërisht kjo klimë mbytëse, ca frikëra e të tjera i kanë bërë që Arbëreshët me At Antonio Belusci-n të heshtin, Arvanitasit me Lidhjen e tyre të heshtin, por u kemi ndihmuar edhe ne nga Shqipëria që çështja arvanite të shuhet.
Ne shqiptarët qenkemi shtetshkatërruesit më të mëdhenj që ka parë bota. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ka 24 vjet ftohje ndaj arvanitëve e arbëreshëve dhe kauza e Albanalogjisë është thuajse e shuar edhe në sajë të të përgjumurve tanë akademikë të cilët e mendojnë të kryer punën e tyre duke quajtur studime ca botime me albume fotografish, pikturash, grafikash me diçitura, pa asnjë mendim të tyrin, duke konkuruar kësisoj me amatorët.
Si nuk u vajti mendja një herë të paktën që dy figurat qendrore të Arvanitëve dhe Arbëreshëve, studiuesve të shquar Aristidh Kola dhe Antonio Belusci-t t’u jepej titulli Akademik, qoftë dhe pas vdekjes për A. Kolën, t’u vendosej fotografia në një nga sallat e mbledhjeve akademike në nderim të tyre. Kaq të vështirë e kanë?! Jo nuk e kanë të vështirë, por në këtë akademi punohet me një platformë që vetëm shqiptare nuk mund të quhet. Punohet edhe aty si në politikë në platformën e xhepit, mikut, tarafit. Punohet pa asnjë përgjegjësi kombëtare sepse nuk kemi as dhe një ndërlidhje të fuqishme ndërakademike me Prishtinën për çështje mbarëkombëtare. Atëherë pse duhet kjo Akademi?! Pse paguan populli kur ajo nuk kryen asnjë funksion dhe të vjen keq se në kohën e diktaturës kjo ishte një strukturë, sado e ngurtë, më frutdhënëse në fushën e shkencave e studimeve shqiptare. Kush e shkatërroi këtë Akademi, kush e ktheu në një ndërtesë me lagështirë e myk mendimi ku mund të organizojë veprimtari çdo lloj mediokri e çdo lloj vjershëtari që nuk arrin as nivelin e Hasan Zyko Kamberit. Po le të flasim më hapur: ku janë statistikat për veprimtarinë e kësaj Akademie; a botohem çdo tre muaj në shtypin shqiptar, apo vjetor të paktën. Pse nuk ndërmerret një studim sado i vogël: sa profesorë ka Shqipëria. Si i kanë marrë titujt, sa studime kanë bërë e çfarë rezultatesh kanë arritur kur shtetet fqinjë punojnë me ngarkesë të plotë në këtë sistem dhe po na e nxjerrin tabanin ne shqiptarëve. Po na nxjerrin popuj aziatikë. Pak t’u flasësh për origjinën pellazgjike të shqiptarëve, çfarë dhe Aristidh Kola i mëshonte fort, akademikët tanë me rroga të majme të përqeshin. Aristidh Kola na thoshte se shqipja është gjuhë e perëndive, këta honxho-bonxhot tanë akademikë na thonë se Aristidh Kola nuk ishte studiues i mirëfilltë dhe nuk i ka veprat mbi baza shkencore, se këta quajnë bazë shkencore çdo pseudohulumtim që vjen nga kulisat e qarqeve ballkanike. Kjo Akademi të kujton ndërtesat e vjetra ku gëlojnë minjtë me shkakun se janë të shkreta. Rilindja e reforma nuk duhet të jenë një fjalë mikluese, por një program i vërtetë për rigjallërimin e të gjithë mekanizmave të shtetit. Kjo ide e mrekullueshme në një situatë kur ishim thuajse të paralizuar, nuk duhet të flashket e të shuhet si flakë kashte. Kur do të nisë fshesa për Akademinë që është kthyer në një “paçavër” siç do të thoshte Migjeni. Nuk mund të reformohet trupi para se të reformohet mendja që e drejton atë.
I bëj thirrje Qeverisë e tërë instancave të shtetit: Fshijeni nga faqja e dheut këtë myk akademik e reformoni tërë sistemin e institucioneve shkencore e studimore nëse doni të bëni Shqipëri.
korrik 2014
KËSHTU VRET VETËM MAFIA….
nga Kolec TRABOINI/
Vetëm pak kohë pasi kishte ndodhur, shkova e pash vendin ku u vra në mënyrë mizore një bisnesmen i njohur shqiptar që shkonte në punën e tij. Ashtu siç shkonte përditë. I rregullt deri në përsosje. I aftë, plot talente dhe i përkushtuar. Ai na tregonte se si duhet të shkohej në të ardhmen. Me punë , me përkushtim. Por dikujt nuk i shkonte për mbarë kjo rregullsi e ky sukses. Është pak vështirë të mendohet se kjo vrasje në publik, në mëngjez dhe në qëndër të Tiranës madje në prani të tre policëve, dy roje e një rrugor, do të kryhej për një hakmarrje. Dikush kërkonte ta zhdukte që ti hapej rruga për gllabërimin i bisneseve të Artan Santos. Dhe ato ishin të shumta dhe të suksesshme: Banka Credins, Universiteti Luarasi, Media grup Fokus, ku përfshihen News 24, Scan TV, Balkan Web, Gazeta Shqiptare Radio Rash. Indikacionet e rivaliteteve për këto bisnese kanë qënë të dukshme. Por gjithçka arrin të mbulohet me mister. Ne krime të tilla ku janë mpleksur fije të mafies kriminale me influenca në pushtet arrijnë të fshihen e kurrë vrasësit e vërtetë nuk dalin. Atyre as fytyrën nuk ua gjen dot. Janë si mjegull kudo dhe askund. Mund të kapën dy kriminelët, mund të dënohen por ata me siguri nuk do të flasin, nuk do të tregojnë gjithçka sepse e dinë si veprojnë ligjet e mafias. Rrezikon tërë familjen e fisin. Prandaj gjithçka që do të gjejmë, se mbase 100 mije euro venë për kapjen e vrasësve bëjnë punë, do të jenë vrasës profesionistë, që për një dorë para vrasin njeriun më të suksesshëm në këtë vend. Ata as e kuptojnë se duke qëlluar Artan Santon jo vetëm kanë larë hesapet e padronëve, bosave të mëdhej që paguajnë shuma marramendëse për kësisoj vrasjesh, po kanë vrarë edhe besimin e populli, gjithësesi ata janë thjeshtë mekanizma qorre. Makina vrasëse në duar të Mafias. Asaj mafie që nuk është çudi që pasi i dhanë plumba, u gjënden edhe në Sheraton për homazhe, për të hedhur lule mbi arkivolin e Artan Santos. Kështu veprojnë mafiat, madje nuk e kanë për gjë të dalin të thonë para mikrofonave të TV se e kishin mik. Një miqësi mortesh. Se vërtetë si na doli që e paskeshin pas mik të gjithë, kur javë a dy javë më parë e kishin sharë, e kishin mohuar, madje një ortak i tij e kishte ndaluar të hynte në institucionin ku ishte bashkëpronar. Sepse kështu kuptohet kapitalizmi në Shqipëri që të jesh ujk i pamëshirshëm përndryshe nuk bën përpara.
Në bllok, aty tek pema, pranë shkallëve të Credit Bank ku u vra Artan Santo dikush kish shkruar “Mafia po na vret!”. Po, e ka vra Mafia e mafia më së shumti rri në kupolën e shtetit, në trajtën e oligarkëve të respektuar.Po të mos kishte Padrino nuk do të kishte vrasës me pagesë. Po është e vërtetë që Mafia po na vret përditë pak e nga pak, herë këtu e herë atje, por Mafia është një përbindësh me shumë gjymtyrë e që koka e saj si një makinë që organizon vrasjet është brënda segmenteve të shtetit. Dhe kjo është katastrofale. Atje ku losin miliona, atje ku pangopësia është e lemeritëshme e që shteti nuk ka me çfarë i bën se i ka brënda tij të infiltruar, me imunitet, me rreth klanesh ku rrojnë si mbretër.
O shqiptare, Mafia po na vret! Shtet zgjohu! Prokurori, Gjyqësi, Polici zgjohuni, na shpëtoni ne edhe veten, sepse Mafia është e pamshirshme për këdo që nuk është në rrjetin e saj, ajo kurrë nuk e ndalon rrjedhjen e gjakut. Vrasja e Artan Santos, u bë prej kriminelëve në mes të Tiranës aty ku as që nuk mendohet se guxon të lëviz një vrasës, pikërisht atje qëllon sepse Mafia ka siguri dhe kërkon ta terrorizojë e gjunjëzojë këtë popull që kurrë nuk i pushuan travajat.
Po nuk u zgjuam të gjithë, ky vend ka marrë fund!
26 qershor 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 20
- 21
- 22
- 23
- 24
- 25
- Next Page »