• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKENDER DAJA-Një përkujtim për një martir

May 21, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Sapo dola nga salla e shfaqjeve të kinema Milenium. Shfaqesh filmi dokumentar “Djaloshi me kitarë” realizim i Pantheon Studio Traboini me mbështetjen e ish Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë, me regjizor Kolec Traboinin dhe skenarist Ilir Çumanin. Filmi i dedikohej njërit nga figurat e shumta të rezistencës antikomuniste të vendit tone, figurës së të paharruarit Skënder Daja, pushkatuar pas revoltës së madhe të zhvilluar në kampin famëkeq të Spaçit më 21 maj të vitit 1973. Një realizim i përkryer.
Kush ishte Skënder Daja? Një i ri jetim, që nuk njihte as babe, as nënë. Një i ri i rritur nëpër shtëpitë e ndryshne të fëmijës. Një i ri që babanë e vetë ia kishin pushkatuar me arsyen absurde se kishte propaganduar për shkëputje nga “vëllezërit” e Bashkimi të madh Sovjetik, me të cilin disa vjet më vonë do të bëheshim armiq të papajtueshëm.
Shoh filmin dhe para syve më del fëminija ime. Sytë më mbushen me lot. Shoh një ngjashmëri midis fëmijërisë time dhe asaj të Skënder Dajës. Edhe unë u ngrita kundër atij regjimi në të njëjtën moshë. Shpërndaja trakte nëpër rrugët e qytetit. Kurse ai këndonte këngët e Adriano Çelentanos me kitarën e dërguar nga Vaçe Zela. Këto këngë ishin një simbol i thirrjes për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike. Ishte vetëm 20 vjeç kur e arrestuan. E akuzuan për tentativë për arratisje. Kjo ndodhi për një bisedë fëminore për arratisje, nisur kur nuk ishte më shumë se 13 vjeç. Gjyqtari i tij ishte Fehmi Avdiu, për ironi të fatit, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese pas përmbysjes së sistemit totalitar. A keni dëgjuar ndonjëherë të dënohet dikush për një mendim që paska pasur në një moshë të tillë? Këtë e bëri fakt të kryer Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti, më 22 dhjetor 1970, kur lëshonte urdhërin e arrestimit të tij, së bashku me të dy shokët Dashnor Kazazi dhe Sami Paja. Vini veshin kush ishin këta “armiqtë e tërbuar të sistemit socialist”, tre të rinj 20 vjeçarë që këndonin këngë që nuk lejoheshin nga regjimi obskurantist. Megjithatë gjykata i dënoi, Skënder Dajën me 10 vjet burg, Sami Pajën me 9 dhe Dashnor Kazazin me 7 vjet. Kjo ishte demokracia e sistemit socialist aq shumë e propaganduar nga sistemi.
Filmi vazhdon me pamjet e tij. Siç tha regjizori i tij, Kolec Traboini, nuk është një film i bazuar në dokumenta historike, por një film artistik. Por une, duke parë atë, shihja të vërtetën historike të atyre viteteve të tmerrshme që kaloi ky popull, shihja egërsinë e paimagjinuar të autoriteteve shtetërore karshi atyre që guxonin të ngrinin zërin për liri dhe demokraci. Një nga këta ishte edhe Skënder Daja që me këngët e tij donte t’i tregonte këtij populli se kishte ende njerëz të shquar që kërkonin të shpreheshin për liri, për demokraci, për flamurin kuq e zi, gjëra që, në atë kohë, ishin ende të parealizueshme.
21 maj 1973. Kampi i punës së detyruar të Spaçit. Një revoltë e paparë ndonjëherë në historinë e të burgosurve politikë të Shqipërisë kishte ndodhur. Në krye të saj qëndronin disa figura të shquara si Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi. Tre ditë në kampin e Spaçit valoi flamuri pa yllin e kuq të komunizmit. Tre ditë në kamp u ndje aroma e lirisë. Por drejtuesit e paskrupull të shtetit shqiptar nuk mund të pajtoheshin me një veprim të tillë. U derguan forca të shumta ushtarake të sigurimit të shtetit, a thua se kishte plasur një lufte e tretë botërore. Në krye të tyre një figurë e urryer e diktaturës, Feçor Shehu, që disa vite më vonë do të binte viktimë e vetë regjimit që e ngriti. Uria dhe presioni i paparë i qindra sigurimsave të dërguar me këtë rast, e shtypën revoltën. Pasojat tashmë dihen. Katër të pushkatuar. Dhjetra të ridënuar me dënime të ndryshme.
Bashkim Fishta, ish i dënuar politik në Spaç, tregon:

“Zëvendësministri i brendshëm, Feçor Shehu, i tha Skënder Dajës:
– Ti do të dënohesh, sepse je biri i një krimineli, që deshte të fuste në luftë popullin
shqiptar me popullin “vëlla sovjetik”. Rri i qetë se edhe ti do ta shohësh shumë shpejt tët atë”.

Ndërsa Bujar Tabaku, një ish ushtar i ndodhur në Spaç në atë kohë, tregon:
Njëri nga të dënuarit kërkoi ta kthenin me fytyrë nga dielli se prangat ishin shtrënguar aq shumë sa duart dhe këmbët kishin marrë ngjyrë vjollcë.
– Hë more ti, a do të këndosh më këngë italiane? – i tha ushtaraku Dino Zeqo,
Skënderit.
Përgjigja ishte:
– M’u largo more pis!
Ndërsa Dino Zeqo e shkelte nga gjunjët, Skënderi shtrëngonte dhëmbët, të cilët i kërcisnin
nga dhimbja.

Kuptimplotë është edhe dialogu i zhvilluar ndërmjet Skënder Dajës dhe operativit të sigurimit Fejzi Aloçi:

– Kush janë organizatorët e revoltës?
– Nuk e di
– Kush e ka hedhur parullën “Ja vdekje ja liri”?
– Nuk e di.
– Kush e përgatit flamurin pa yll dhe kush e ngriti?
– Nuk e di.
– Cili nga të burgosurit ka hedhur parullën “Ne jemi për Europën e lirë?”
– Nuk e di.
Një qëndrim stoik i një njeriu stoik. Ky ishte Skënder Daja.
Më 21 maj 1973 ndodhi revolta e Spaçit. Më 24 maj “Shkaktarët’ u dënuan nga gjykata. Po në këtë datë, Gjykata e Lartë, me në krye Aranit Çelën, dha vendimin për ekzekutimin e tyre, ekzekutim që u krye po atë mbrëmje te ura e fanit në Mirditë. Gjykojeni vetë shpejtësinë e rrufeshme me të cilën u zhvillua ky gjyq në atë periudhë mizore. Më prapa trupat u hodhën në një kamion dhe u nisën drejt Tiranës, pa ditur kurrë se ku do të përfundonin. Familjarët kanë vite që kërkojnë të dinë se ku prehen të afërmit tyre. Por daullja bie në vesh të shurdhër Askush nuk përgjigjet. Më kotë miku im, Agim Bejko, kërkon vendin e varrit të vëllajt të tij, Dervish Bejko, pushkatuar me martirët e Spaçit. Ka gërmuar në disa vende. Ka pyetur disa persona. Por gjithshka ka rezultuar me zero. Shtypi shqiptar bënë një zhurmë të madhe, dhe me të drejtë, për të zhdukurit në Kosovën martire. Po për të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri kush do të kujtohet? Unë mendoj se kjo i takon,kryesisht, shtetit shqiptar që. për fat të keq, deri tani as që eshte kujtusr.
Le të kthehemi edhe nje herë te shfaqja e filmit. Ishin ftuar për të marrë pjesë përfaqësues nga e djathta dhe e majta, por asnjëra palë nuk denjoi. Madje të dyja palët bëjnë zhurmë të madhe për përkrahjen e kësaj shtrese. Zotërinj! Ne nuk jemi kukulla me tw cilat ju mund tw luani.i. Ne jemi fitimtarët e këtij ndryshimi të madh, pasi ishim ne të parët që sakrifikuam veten për këtë sistem që gëzojmë sot kur ju ende duartrokisnin për sistemin totalitar. Këtë mos e harroni! Këtë thirrje ua drejtoj më tepër atyre përfaqësuesve të të dy krahëve që i përkasin shtresës tonë. Mos e harroni prejardhjen tuaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, pervjetor i martirit, reshat kripa, Skender Daja

ATË MARTIN GJOKA – KOMPOZITOR E MËSUES I MADH I PLEJADES SË MUZIKANTËVE SHQIPTARË

April 23, 2014 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/
Kam parë në lulishten para Vllezërve Frashëri në qëndër të Tiranës që “kuq e zinjtë” e politikës kishin vënë ca tabela me fotot e 101 personaliteteve të shekullit në kuadër të 101 vjetorit të shtetit shqiptar e thashë mos shoh mes tyre portretin e Martin Gjokës, kompozitorit themelues të muzikës sinfonike dhe i operes së parë shqiptare, si dhe mësues i plejadës së muzikantëve shqiptarë që dominuan gjysëm shekullin që shkoi dhe bene histori. Por jo nuk e pashë. Kish gjetur dikushi edhe ndonjë emër pak të njohur, diku andej nga nahija vet, por Martin Gjokën jo. A thua se nuk merr vesh fare njeriu politik nga muzika apo se nuk e di se në kulturat kombëtare, kombet lavdërohen më së shumti për poetët dhe muzikantët e vet para se atyre që kanë kënduar me dyfek e jo se dyfeku nuk ka bërë punë për kombin, por forca e shpirtit gjithmonë e mbizotëron forcën fizike dhe është më jetëgjatë në histori. Por edhe ngre supet tek shoh se si i bëjmë punët këtu në Shqipërinë tonë. E vetmevete më lind pyetja: Pse nuk e bëjnë këtë muzikant të madh Nderi i Kombit. Apo e kanë bërë e unë nuk e di!!!
Eh kjo botë e marrë ku jetojmë – nuk njeh as vetveten.
Po le të themi dy fjalë kush është Martin Gjoka? I lindur 20 prill 1890 në Tivar, qytet shqiptar në breg të detit, sot në Mal të Zi me emër të ndrruar, bir i kapitenit të portit Filip Gjoka, në moshën 15 vjeçare e çojnë në shkollën e Françeskaneve në Shkodër ku drejtor ishte Atë Gjergj Fishta. Martini 18 vjeçar u dërgua në qytetin e Moxartit Salzburg të Austrisë ku studioj filosofi e teologji, por pasioni i tij për muzikën e shty qe të ndiqte edhe mësimet muzikore në Institutin e Profesorit me famë Hartman. Kthehet në Shkodër pak para shpalljes së Pavarësisë dhe jep mësime në Kolegjin e Fretenve. Në 1922 krijon orkestren “Illyricum” me të cilën do të fitonte konkursin kombëtar muzikor në vitin 1930. Atë Martin Gjoka jepte koncerte nëpër shoqëritë kulturore të Shkodrës, shumë të zhvilluara në atë kohë.
Krijoj në zhanre të ndryshme muzikore, polifonike dhe korale, krijoj opera dhe simfoni si dhe një numër këngësh epike dhe lirike. Martin Gjoka hapi i pari shtegun e artit muzikor shqiptar, krijuesit i të parës simfoni shqiptare “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut” (1919) si dhe krijuesi i operas shqiptare “Juda Makabe” me libret të Gjergj Fishtës kompozuar në vitin 1917. Falë punës së Atë Martin Gjokës dhe muzikantëve të tjerë natyrisht Shkodra u bë qëndra më e rëndësishme e jetës muzikore në Shqipëri dhe djepi ku kanë lindur talente të mëdha.
Muzikologu dhe studiuesi i apasionuar i historisë së muzikës shqiptare Tonin Zadeja, në një jetëshkresë të shkurtër të At Martin Gjokës shkuan: “Janë kuptimplotë, dhe një vlerësim i madh i punës së tij, fjalët që Bajram Curri i drejtoi atij kur, në krye të orkestrës frymore, shkoi për ta urue me 1924: “ Ky peshqesh( asht fjala për një sasi të hollash- T.Z.) asht për kalamajt dhe për Ju, uratë. Vazhdoni të punoni pa u lodhun për idealin kombëtar e përparimin e vendit”.”
Për 50 vjet është thënë se opera e parë është krijuar në vitin 1958, por e verteta është ndryshe. Madje shumë prej pjesëve muzikore apo këngëve të Martin Gjokës se ndaluar, kanë arrit të futën në repertore pa emrin e tij.
At Martin Gjoka edhe pse vdiq në moshën 50-të vjeçare nga nje atak në zemër, në moshën më prodhimtare për një kompozitor, na ka lënë një pasuri të madhe muzikore në të gjitha gjinitë.
Simfonia “Dy lule mbi vorr të Skandërbegut” është ekzekutuar nga Orkestra e Operas nën drejtimin e Eno Koços në vitin 1986 i cili e vlerëson: “At Martin Gjoka, mund të thuhet me plot zë, është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë që, të gjithë e dimë, kanë qënë në pararojë të artit muzikor shqiptar” .
Një punë pasionante për nxjerrjen në dritë të veprës së këtij kompozitori të madh ka bërë me librin e vet Robert Prennushi, ku krahas shkrimeve mbi jetën e veprën e Atë Martin Gjoka OFM janë botuar edhe partiturat “Album për harmonium për 24 copa” e tjerë pjesë muzikore.
E kemi “takue” të madhin At M. Gjoka, tek filmi “Skënderbeu”, ku kompozitori Çesk Zadeja, shfrytëzon me mjeshtri temën e këngës së Martin Gjokës e mbështetur kjo në një motiv të vjetër të këngëve malësore.
Motivi i huazuar i filmin “Skënderbeu” nuk është vështirë të dallohet. Është marrë nga kënga “Kenkan mbushun malet me borë” por Martin Gjoka ishte i ndaluar , thjeshtë se qe prift ndaj atëherë u tha se është shfrytëzuar një këngë popullore, vetëm e vetëm që të mos dilte emri i më të madhit muzikant shqiptar, ai që hapi shtigjet e artit muzikor klasik në Shqipëri, ai që mësoi në shkollë e ngjalli pasionin për muzikën tek plejada e muzikantëve të mëvonshëm si Çesk Zadej, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Abdulla Grimci, Pjetër Dungu, Gjon Kapidani e tjerë.
Gjithësesi muzika e filmit “Skënderbeu” është vertetë një mrekulli në të cilën kanë shkrirë talentin e tyre dy artistë të mëdhej mësues e nxenës: At Martin Gjoka e Çesk Zadeja.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ate Martin Gjoka, Kolec Traboini, Kompozitor, mesues

STINA E MJEKRRAVE TË HAJTHSHME

April 22, 2014 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/
Jemi mësuar që me mjekra të shohin figurat e shënjtorëve. Padyshim edhe në fytyrat e heronjëve të lashtësisë, të filosofëve e artistëve, në shtatoret që ka ruajtur dheu, pas rrënimeve që solli sa natyra po aq vetë njeriu, gjejmë pra figura me mjekërr. Krishtin e Muhametin padyshim nuk mund ti përftyrojmë pa mjekërr. Kristianët ndërkohë që ruajtën shumëçka nga mësimet e Krishtit, apo simbolikat që lidhen me të, si ta zëmë zakoni i pirjes së verës, nuk u ruajt nga katolikët mjekrra, e mezi po kemi aty këtu ndonjë prift me mustaqe. Orthodoksët me pretendimin se vetëm ata janë kristianët e vertetë e të drejtë, e ruajtën mjekrrën si simbol. Kështu kudo që gjen priftërinj orthodoksë gjen dhe mjekrra, madje kreshnike.
Ndërkohë popullsia që i përkiste këtyre kontensioneve fetare kristiane nuk u tundua të mjekërrzohej, madje edhe ata që e kishin e hoqën sepse kësisoj sillte një pastërti më të madhe dhe bukuri në paraqitje. Klerikët islam e ruajtën edhe ato si orthodoksët simbolikën mjekërrore, dhe me një fanatizëm fetar u krijua një mikroklimë e tillë që mbajtja e mjekrrës të shprehte edhe përkushtimin e thellë deri në sakrificë ndaj fesë, shto mbajtjen e gjithçkaje të vjetër në mosndryshim përballë një bote që gjithnjë ndryshonte mënyrën e jetesës.
Kuptohet se Shqipëria këtë mjekërrzim të shfaqur si përkatësi fetare pas pavarësisë mund të ketë ruajtur aty këtu, por nën influencen e kulturës perëndimore ku shumica e shqiptarëve të rinj kryenin studimet, bëri që mjekrra sa vinte e humbiste terrenin në fytyrat e shqiptarëve. Kuptohet se me ateizmin e sistemit monist, anipse nuk e ndaloi mjekrrën me ligj, nuk u duken më mjekrrat në Shqipëri. Kjo ka edhe spjegimin tjetër veç asaj që u quajt shfaqje e huaj, ku kishin kohë shqiptarët të merreshin me përformimin e mjekrrave kur kishin aq shumë telashe e aq shumë pamundësira.
Por erdhi demokracia sado e kufizuar që lëshoi shumëçka në udhë të vet pa krye. Kësisoj u rishfaqën edhe mjekrrat, paradoksalisht erdhën në një kohë që kishte shumë varfëri e pisllëk dhe kësisoj të mjekërrzuar rishtazi nuk u panë for hijshëm nga popullsia. Të ishe emigrant e të mbaje mjekërr tregonte se ose nuk kishe një strehë, nuk kishe as mundësi të laheshe e të rruheshe, ose ana tjetër imitoje artistët estravagantë perëndimorët të viteve 60-70 për të mos u dukur si një fshatar i provincave të humbura të Shqipërisë mbetur në izolim për pesëdhjet vjet. Por edhe kjo faze e dhjetvjeçarit të fundit të shekullit XX u krye e në fillimin e shekullit të ri nisi të bjerë interesi për mjekrrën si maskim apo si tendencë për tu shfaqur medemek europian i kulturuar, së pari se europianët e tejkaluan edhe vetë këtë mode, por edhe shqiptarët nisën ti kushtojnë më shumë vemëndje pastërtisë aq më tepër se mjekrra nisi të marrë një simbolikë tjetër, atë të fanatizmit fetar orjental.
Shfaqja në këtë botë e Bin Ladenit dhe pasuesve të tij solli edhe erën e re të mjekërrzimit, tashmë jo si modë por si një unitet e manifestim fetar. Këtu nuk kishte më asnjë rëndësi a i kishe kushtet të mbaje mjekërr në aspektin se ajo kërkon pastërti, përkundrazi lihej me një rritje të lirë e pa asnjë rregull estetik, si punë shkurresh të egra. Ndryshe nga njerëzit e kulturës dhe të artit që nëse linin mjekërr bënin kujdes për të duke i lënë vend që të shprehin talentit e vet edhe berberët stilistë, këta të tjerët, që i përkisnin njerëzve që nuk kishin fare të bënin me kulturën, të jepnin përshtypjen se je përpara një pylli ku mund të rriteshin të gjitha llojet e bimëve e drurësh e askush nuk tregonte kujdes për të. Kush ka patur rastin të udhëtojë nëpër kësisoj pyjesh që u themi të virgjër, një lloj xhungle, gjithmonë është shoqëruar me një frikë drithëruese, e spjegueshme kjo prej drojës se prej këtij pylli mund të shfaqej befasisht çdo lloj kafshe e egër dhe e rrezikëshme. Në fakt kësisoj edhe ka ndodhur e jo vetëm në pyjet por edhe në shoqëritë njerëzore. Të drithëron e tmerron mendimi i kamikazhëve që shfaqen krejt ngjashëm me daljen e kafshëve të egra nga pylli dhe hedhin në erë avionë udhëtarësh, stacione trenash apo lokale publike pa patur mëshirë për njerëzit e pafajshëm.
Tashmë mjekrrat tek ne janë një realitet, ndoshta jo dominues e zotërues por kanë zënë të shfaqen e të fitojnë mjaft terren në përditshmëri. Ca thonë se për mbajtjen e mjekrrës dikush andej nga thellësia e Orjentit edhe të stimulon, të lidh një pension të vogël të paktën sa për të mbajtur frymën se ky shtet të lë të vdesësh urie. Pra paskemi në shoqërinë shqiptare edhe një kategori mjekërrzimesh për mbijetesë. Nuk ka pse tu themi “Pse?” këtyre njerëzve sakohë që shteti dhe instancat e pushtetit e politikës as që e vrasim mendjen se si ti zgjidhin problemet e papunësisë që është kryeproblemi vrastar i këtij vendi.
Ka edhe një grupim fetaresh islamikë të cilët mbledhur pas një sekti konservator e fanatik e manifestojnë mjekërrzimin duke e bërë sa më të pranishëm në shfaqjet publike me qëllim të përhapjes së itharëve të saj. Shumimin e mjekrrave publike ata e konsiderojnë një fitore që do të kurërozohet me islamizimin politik dhe me premisë marrjen e pushtetit. Ata janë programuar asisoj dhe janë në vazhdën e punës së vet, me një kushtëzim, sa më e mjeruar të bëhet jeta e njerëzve aq më dominant do të jenë ata, radikalët fetarë. Megjithëse frikë e panik nuk ka pse të kemi, por gjithësesi mendjelehtësia e figurave të politikës e të pushtetit të cilët nuk bëjnë asnjë kujdes për njerëzit, por i lënë ata në fatin e vet të mjerushëm, është një ndihmesë e madhe për shkarjen në ekstremizma të shumëllojshme.
Po a është çdo lloj mjekërrzimi shfaqje e mentalitetit fetar? Sigurish që jo. Dhe padyshim që askush nuk ka ndërmënd të diskriminojë ata që e kanë mbjellë rasatin e mjekrrave në fytyrë të vet sepse jetojmë në një vend të lirë, por nuk është e drejtë dhe as e dobishme të jemi indiferent, të bëjmë sikur nuk shohim, të bëjmë sikur nuk ka probleme në këtë vend, dhe se edhe shfaqja e shumimi i mjekërrzimit nuk e ka një shkak e nuk e ka edhe një kosto, akoma më tepër dhe një pasojë në balancat sociale në aspektin e larmisë së religjioneve në Shqipëri.
Përtej kësaj, vihet se se ka edhe një mjekërrzim allasoj, pak më kontemporan që mund ti kenë nën ndikimin e disa artistëve me famë por ekstravagant. Dihet se një shoqëri foshnjore në zhvillimin e kulturës i shfaqet një mani kolektive, si një lloj majmunërie duke imituar gjithçka çfarë sheh në botën e zhvilluar. Thamë se disa të rinjë shqiptar, pas hapjes së Shqipërisë, nisën të imitojnë ato moda e modele që kishin parë në ekranet televizive e që për ta qe e ndaluar. U shfaqën mjekrrat artistike( artistike u thënshin) ca si Kardinali Rishelje, ca si Don Kishotë e ca të tjerë me mjekrra piktoreske alla Miguel de Cervantes Saavedra. Në të vërtetë këta u shfaqen si ilaritete sepse ajo kohë ishte e perënduar në modë. Kësisoj mjekërrzimi me tendenca të sforcuara deri në raskapitje për tu dukur modern, në të vërtetë tregonte diçka tjetër, se sa anakronikë e démodé jemi. Gjithësesi këta lloj mjekrrash janë me shpenxime, madje shpenxojnë më shumë kohë e para se vetë gratë e tyre. Dhe ja ku i kemi edhe në parlament edhe në qeveri edhe në krye të insitucioneve mjekërrzimet “artistike”. Ca me humor thonë ( ndoshta zërat dalin nga opozita) se Kryemimistri, meqë i ka dobësi kategorinë e njerëzve me mjekrra të estetizuara skajshëm, kur hartonte listen e drejtuesve të institucioneve i binte ballit me dorë se nuk po gjente në Shqipëri njeri me mjekërr intelektuale të denjë ta zëmë për drejtor të Galerisë së Arteve. Pa ç’pa dhe e tërhoqi një emigrant shqiptar nga Franca. Tani në të vërtetë Galeria e Arteve Figurative, ka një drejtor me një mjekërr të stilizuar pak si Vincent e pak si Paul Gauguin, e denjë për tu shfaqur si progres shqiptar në kulturën europiane. Por ama ekspozitën “PranverArt 5” e pamë në Muzeun Historik Kombëtar e jo në Galerinë e Arteve, çfarë tregon se mjekrrat institucionale i kemi të bukura, progresive, por punët nuk i kemi po aq.
Por shkoni më tej e vini re me kujdes kush janë drejtuesit e institucioneve kryesore kulturore në Tiranë. Pas Galerise, kaloni tek Teatrin Kombëtar që është fare pranë. E njëjta zgjidh-zgjedhje… Aq ngushtë ka vajtur puna sa dalin fjalë hokatare se ka një inkursion të fshehtë të pozitës për ti marrë apo huazuar ndonjë figurë mjekrrore opozitës për ta vënë në krye të ndonjë institucioni, e nuk është çudi të riciklohet edhe ndonjë mjekërr mberthejcore. Ca thonë se Kryeministri edhe këshilltarët i zgjodhi me mjekrra artistike, por më tej edhe një këshilltar nga Kosova që piketoi ishte i stafit filosofik mjekrror, a thënë ndryshe, mjekrra më e hijshme e Prishtinës.
Kësisoj, që të rrimë shtrëmbër por të flasim drejtë, mjekrrat nuk i kemi vetëm tek Xhamia e Dine Hoxhës në rrugë të Kavajës apo dhe rreth xhamive të tjera, nëpër dyqanet e shumta “Hallall” që kanë zënë çdo skutë të Tiranës, të cilat e vënë në panik për ardhmërinë deputetin socialist Blushi, por i kemi edhe nëpër institucionet kryesore të kulturës.
Madje, hëmmmm…., në parlament, në krahun e majtë të deputetit socialist Blushi qëndron një mjekërr socialiste madhështore e denjë për tu bërë ministrore, por ideale do të ishte të bëhej edhe mjekërr presidenciale.
Mesa duken bathët në këtë provincën tonë habitore, këto mjekrrat institucionale për të cilat tregohet përkujdesje qeveritare nuk ja zënë sytë askujt, madje as opozitës, sepse shihen si mjekrra të hajthshme, të buta.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, STINA E MJEKRRAVE, TË HAJTHSHME

DREJTËSIA ZË LARASKA NË POGRADEC

April 17, 2014 by dgreca

Grotesk në prag të Pashkëve, arrestohet në korrupsion kafenesh “Qytetari i Nderit” të Pogradecit poeti Dhimitër Pojanaku. Kësisoj çnderohet qyteti dhe poeti por nuk shfajsohet drejtësia dhe shteti./
Nga KOLEC TRABOINI/
Ndërkohë që miqtë tanë Amerikane dhe Europianë janë të alarmuar me shkallën siprore të korrupsionit dhe mosdënimit të atyre që shfrytëzojnë pushtetin për të zhvatur, kur aferat e zyrtarëve të lartë të shtetit janë jashtë çdo lloj llogjike prej nënpunësi, kur ministrat hyn në zyra si varfanjakë e na u bënë milionerë (në këto 23 vjet hajni publike), kur gjithçka në këtë vend është një kaos i organizuar nga kupolat e politikës, na u gjënd pra një zgjidhje si prerje e artë. Eureka! Në një cep të Ilirisë, në nahi të Pogradecit, në një kafene buzë liqenit, u kap një njeri që për rushfet të vogël, punë para birre, të hiqte dorë nga gjykimi i një çeshtje.
Mesa duket kjo ishte një mirëorganizim brenda çorganizimit të makthshëm që kemi, për të mbërthyer një poet gjyqtar, i vetmi poet që punon në Shqipëri, se të tjerët janë pa punë e varavingo e thurin vargje kafeneve duke kruar xhepat. Qyqar të thuash edhe për këtë poet për profesionin që ka zgjedhur si gjyqtar, për më tepër edhe si i mikluar e i gudulisur nën sqetull si “Qytetar Nderi i Pogradecit”, ky pra si të ishte thembra e Akilit të drejtësisë shqiptare, u gjend të arrestohet në një lokal se i premtoi një zonje, që denoncoi (duket si skenaret e Filipit në Fix Fare), për të mos e marr çeshtjen e saj në dorë, pra ta anashkalojë. Padyshim që drejtësi duhet të ketë për të gjithë në këtë vend, veç lind një pyetje krejt natyrshëm, po Dhimitër Pojanakun gjetën ta bëjnë shëmbull në Shqipërinë e padrejtësive se gjoja këtu luftohet korrupsioni. Po kujt ja shesin këto dokrra. Po nuk jemi more në kohën kur populli nën udhëheqjen e Partisë kishte zgjedhur alternativën e barit se nuk kish rrugë tjetër dhe ishin bërë njerëzit si budallenj . Po qesharake do ta ktheni kauzën e luftës kundër korrupsionit?! Teatra do bëni, o shtet, o polici, o prokurorë e gjyqtarë, o ministra, o qeveri, o opozite, o lesh me qime. Jo kështu jo vetëm që nuk luftohet korrupsioni por kështu stimulohet korrupsioni i atyre që nëpër duar nuk kalojnë para sa për një birrë, dy qofte e një panine pogradeci por me miliona e jo para, por euro-dollarë. Janë 300 çeshtje-dosje korruptive ku përfshihen edhe nënpunës të lartë të shtetit që prokuroria shqiptare i ka mbyllur sepse bosat e korrupsionit i ka lali xhan. Po si nuk u arrestua ta zëmë një deputet, a ministër a ish ministër, a nënpunës i lartë, flasim per kapot pra. Dhe ja me një Modus Vivedi, një konsensus në mes të hallkave për një shou mediatik, dhe çeshtja u zgjidh, një arrestim në Pogradec i një gjyqtar-qyqari që edhe në kohë të gjykimit niste e meditonte( turbulluar fare) për ca vargje të rimuara, për fjali pa folje, për ca dashuriçka fshati, për ca zogj pa fole, ndaj dhe i turbulluar fare ra në grackën e vogël që i kishin ngritur duke i vënë përballë një zonjë që të turbullohej akoma ma mirë si Khajam i dehur. I kishte harruar poet- gjyqtar-qyqari fjalët e Shekspirit, se “shfaqja është gracka ku shpirti i mbretit zihet si laraska”.
Natyrish ai dënimin e meriton plotësisht, por, nuk e bën dot kurrë shëmbëllesen Krishtit edhe pse është orthodoks gjyqtar-qyqar-poeti.
Krishti kur shkoi e u gozhdua në kryq( jemi dhë ne prag Pashke de) mori mbi shpatulla tërë fajet e mëkatet e njerëzimit, mirëpo nuk mendojne se ky Dhimitër Pojanaku, megjithë dëshirën e madhe të kastave të politikës dhe shtetit (ky Ponc Pilat modern thuaj), mund te na jap pra një shfaqje kësisoji, madje as edhe në plan grotesk të sakrifikimit për të tjerë si lloji i vet me togën e gjyqtarëve.
I ka shpatullat fort të vogla gjyqtar-qyqar-poeti ndaj nuk i merr dot përsipër tërë fajet e mëkatet e banditëve në shtet e pushtet, në politikë e në çdo hallkë të këtij kaosi ku jetojmë, në këtë papunësi gjigande dhe korrupsion që e ka kthyer këtë shtet në gërmadhë e rrumpallë, pra nuk është e mundur të sakrifikohet ai për të mbuluar e humbur gjurmët tërë banda e hajdutëve që na kanë drejtuar e poshtruar prej një çerek shekulli pa ju hyr ferr në këmbë.
Populli do në bankën e të akuzuarve bosat e korrupsionit në shtet, pushtet e politikë e jo minjtë vegjël të vrimave, që rendin pas thërrimeve që lë sofra e madhe e korrupsionit politik e institucional shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: DREJTËSIA ZË LARASKA NË POGRADEC, Kolec Traboini

HËNA VERDHANE E BEN BLUSHIT

April 8, 2014 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
 Ben Blushi nxorri një libër që u përcoll me pompë si çdo libër të pjellë nga kuintat e politikës që duke pasur paranë dinë si t’i bëjnë edhe menaxhimin produkteve të veta, anipse mund të jenë në nivelin e mediokritetit.  U mësuam tashmë. Në politikë gjithmonë mbarsen malet e pjellin minj. Një mi ishte edhe libri i Fevzos për diktatorin, nën sqetullat e një minidiktatori tjetër, po aq tinzar e i ethshëm për pushtet sa i mëparshmi. Plot minj politikë kemi parë e shohim nëpër skedat e librarive. Nuk ka nevojë t’i përmend se aty i keni në vitrina e me volume të mëdha e publicitet televiziv të marramendshëm. Madje edhe në Panairet qesharake të librave në çdo nëntor po ketë masakradë sheh, karnavalet e politikës. Kësisoj, pasi u bë zhurma tollumbacore për librin e Benit kësaj radhe i sajuar me shkrime gazetash e i arnuar me pakëz aktualitet  mercenarësh shqiptarë në Siri (1000 shkruan Beni në librin e vet), doli dhe ndonjë mendim pakëz kundër. Se mos vallë Beni qe ngutur në këtë prognozë hënore që përbëka ankthin e tij, por edhe të ca bisnesmenëve të medias që anipse janë mediokër, kanë mbirë si lule mbi bajga në Shqipëri. E kam fjalën jo vetëm ata që kanë ndërruar emrat për t’u bërë edhe më kontemporanë, por edhe për ata që nuk kanë ndërruar në asgjë nga asgjëja që më parë kanë qënë.
Dom Gjergj Meta bëri një reflektim të librit më të ri me qëndizma politike të Ben Blushit. E lexova shkrimin  Dom Gjergjit  dhe m’u duk më se i drejtë e i vërtetë. Ben Blushi me hënën e tij (e jo të Shqipërisë)  sheh ëndrra me sulltanë që i presin koka. Por Ben Blushi do ta kishte më të lehtë të bënte diçka për të ndaluar këtë dyndje të pseudokulturës otomane me sulltan sulejmanë e të tjerë para se të ngutej të tregonte prognoza të përgjakuara të së ardhmes. E ardhmja është ajo që gatuajmë sot e Ben Blushi është pjesë e asaj strukture parlamentare ku nuk të zgjedh populli, por lista e kryetarëve të partive. Për mua e keqja janë pikërisht këto soj njerëzish që vijnë në krye të katapultuar dhe kësisoj kemi një parlament impotent, të mbytur nga injoranca dhe produkti i soj-soj klanesh mafioze të cilët ia kanë zënë frymën shqiptarëve që nuk kanë punë e mezi e përballojnë jetesën. Ben Blushi mesa duket nuk do të dijë se populli do punë e kur nuk ka punë djemtë patjetër do të shkojnë mercenarë kudo ku del paraja, sepse këtë punë kanë bërë shqiptarët që 2000 vjet ndryshe nuk do të kishin mbijetuar. Beni është rritur mirë, nuk i ka munguar asgjë në jetë dhe e ka vështirë të dijë ëdo të thotë të varësh veten në litar se nuk ke bukë t’u japësh fëmijëve….Beni këto gjëra nuk i di, sepse për Benin populli është një turmë e destinuar në fatin e vet të mjerueshëm. Benit i tundohet mendimi politik se do të dalin partitë islamike e do t’i marrin pushtetin që e kanë(ai dhe të tjerë) që 23 vjet dhe e kanë katandisur këtë popull në gjendjen më të mjerueshme. Beni qan sot për pushtetin që do t’i marrin nesër, ata “islamikët”, kur sot populli nuk ka bukë të hajë dhe as e ka në axhendën e vet (pra nuk pjerdh fare) se kush do ta marrë pushtetin nesër.
Populli, me të cilin spekullojnë aq shumë, pyet, por askush nuk ka ndërment t’i përgjigjet, një pyetjeje si kjo: po mirë që shqetësohesh i nderuari deputet që me partinë tënde ke shumicën në parlamant, çfarë ju pengon ju të vendosni një ligj që në Shqipërinë laike, të ndalohen partitë me konotacione fetare. Por kjo ama nuk mund të bëhet vetëm për islamikët, kjo duhet të bëhet për të gjitha partitë që kanë qoftë dhe emërtimin fetar. Ta zëmë pse duhet të ketë parti kristiane dhe këto janë një tufë e jo një e vetme që na bëjnë edhe federata. Pse pra duhet të jenë këto parti fantazma dhe marioneta politike. Por jo të shkohet deri atje siç bën autori Ben Blushi në librin e tij “Hëna e Shqipërisë” ku shkruan as më pak e as më shumë por: “ Pyetja: “Duhet apo nuk duhet Kisha?”, është sot më e fortë se kurrë.”.
Vërtetë është e pamoralshme që në shtëpinë e të varurit të kujtohet litari, dhe harron kësisoj ky autor i librit në fjalë se sa krime të përbindëshme janë bërë kundër klerikëve të krishterë pikërisht nën një retorike të tillë vrastare  se “çfarë na duhet kisha”. Një kalvar i përgjakur ky,  ku u kryqëzua edhe e drejta e njeriut për të qënë i lirë në atë që beson. Ndaj them pa hezitim se këtu kemi një lajthitje të autorit.

Dhe e fundit, sa i bëjnë leksione me morale politike popullit me ca rrëfime të frikshme si në filmat horror të Hollivudit, më e dobishme do të qe  ngritja e zërit në parlament, duke kërkuar një komision miks parlamentar, duke propozuar  një projektligj për ndalimin e partive fetare e të mos rrinë në karrigen e deputetit veç për të ngritur dorën( a të kundërtën)  e marrë rrogën. Eshtë një luks i tepërt për këtë popull të varfër të mbajë me bukë deputetë që vegjetojnë në Parlamentin e mendjeve të Kombit,  ndërsa, ashtu si femijeve u tregohet gogoli për ti trëmbur, edhe këta u tregojnë shqiptarëve me gisht horizontin e murrëtyer ku  ju fanepsen fantazmat e të ardhmes. Nuk përjashtohet mundësia që e ardhmja mund të jetë me të papritura, por meqë flisni nga tempulli i sovranit popull e në emër të tij,  së pari duhet ti pergjigjeni një pyetje fare të thjeshtë:  Pse vallë e sotmja ekziston?!

Filed Under: Featured Tagged With: HËNA VERDHANE E BEN BLUSHIT, Kolec Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT