• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Precedenti Krimea dhe Kosova

March 20, 2014 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
Janë hapur kapakët tashmë. Është krejt e kotë të jetohet me iluzione se gjërat janë të pandryshueshme në Europën e dy luftrave botërore aq më tepër të propogandës false për bashkjetesë të lumtur në shtete shumëkombëshe në këtë Europën tonë plot trauma lufte e padrejtësish në kurriz të popujve të vegjel. Mesa duket që pas Luftës së Dytë Botërore Europa ka jetuar me frikën e një procesi zinxhir nëse shtrohet çeshtja e shteteve etnike.  Akti i Rusisë tregon se ajo e ka psikologjisur mjaft mirë frikën e Europës, ndaj ka avancuar dhe do të avancojë më tej nëse Europa nuk lëviz më parë që të tregojë se është një forcë që nuk mund të mospërfillet.
Me Krimenë, Rusia sfidoi Europën e cila bën një politikë të vjetër,  pa rezultate, aspak bashkohore që ti paraprij zhvillimeve në hapsirën e saj e përqark saj. Se çfarë ishte Europa u pa në Bosnjë, në Srebenicë, ku u tolerua masakrimi i mijëra njerëzve mbi baza fetare e raciste dhe për këtë u dënuan vetëm dy a tre vetë në Gjyqin e Hagës, një ironi kjo sepse shteti serb as që u dënua qoftë edhe moralisht.  E njëjta gjë edhe në Kosovë,  e cila u ndryshua në rrjedhën e historisë në saj të këmbënguljes amerikane. Edhe sot Europa ndjek një politikë qorre me shtetin e sajuar të Bosnje Hercegovinës. Ahtisari ishte tipik europian dinak, vuri klauzolen që Kosova të mos bashkohet me shtete të tjera(në fakt ndalohej bashkimi me Shqipërisë se më kë do bashkohej Kosova, me Zanzibarin?), pra vazhdoi kësisoj me politikën europiane të frikës nga efektet që do të krijonte ideja e shteteve me etni të përbashkët, duke i privuar shqiptarët nga e drejta ndërkombëtare e referendumit, e vetvendosjes. Pra shqiptarët gjithnjë në kufizim si të ishin qytetarë të dorës së dytë të kësaj hapsire ku jetojnë, që quhet Ballkan e më gjërë Europë.  E gjithë kjo politikë frike tregon se Europa është më e dobët se kurrë. E gërryer ekonomikisht, e drejtuar keq prej qeverish të prekshme nga korrupsioni, të paafta të dalin në funksion drejtues si një bashkim i fuqishëm jo vetëm ekonomik e politik  por edhe ushtarak, ajo tashmë është veç një hije e vetvetes. Presidenti Putin, sepse gjithçka eshtë sajesë e tij nga pozita e të fortit,  gllabëroi pjesë të shtetit të Ukrainës, sepse e dinte mirë se Europa nuk ka asnjë fuqi të ndalojë Rusinë, së pari se nuk ka vullnetin e duhur e së dyti se Europa jeton me frikë dhe gjithçka e ka mbështetur tek Amerika. Por kjo nuk mund të shkojë deri në pafundësi. Nuk mund të shkojë në pafundësi me shkakun se Amerika ka plot halle të tjera dhe nuk mund ta mbajë mbi supe tërë problematiken europiane.
U lodh diplomacia europiane duke thënë se Kosova ishte një rast i veçantë, por Rusia nuk e mori në konsideratë dhe krijoj një precedent të ri që e tejkaloj problematikën e Kosovës. Me një referendum aneksoi Krimenë e brenda  dy ditëve i paisi tërë qytetarët e Krimesë me pasaportë Ruse. Tashme Krimea Ruse është një fakt i pakthyeshëm në histori, nuk mbetet veç llomotitje diplomatike e oratori boshe të atyre që drejtojnë shtetet por nuk kanë asnjë fuqi për të vepruar. Deklarata e Julia Timoshenkos se Krimea do të jetë gjithmonë e Ukrainës janë thjeshtë oratori sofiste politike për të kapur kolltukun. Edhe marrja e disa masave, jo llogari bankare apo ndalim pasaportash për rusët  janë qesharake. Ka një shprehje të  urtë populli ynë, që mënçuria  mbas kuvendit e trimëria pas lufte nuk kanë asnjë kuptim. Europa është tkurrur e në vend të bëjë veprime që e fuqizojnë dhe e sfidojnë Rusinë, përkundrazi zhutet thellë e më thellë në konservatorizmin e saj shtërp.  Bashkimi Europian sot është më i brishtë se kurrë, është kthyer në një monopol i  disa drejtuesve pa vizion që formojnë Klubin e Brukselit e që varavingen  sa në një vend në një tjetër pa kurrfarë rezultati. Mediokriteti europian ka arritur deri aty sa, ndërkohë që ushqejnë zvarraniken ekonomike, Greqinë, me miliarda euro, bllokojnë hyrjen e Turqisë në Bashkimin Europian. Thjeshtë se është vend mysliman. Kjo tregon se Europa jeton me mentalitete të vjetra  mesjetare. Turqia në Europë do të ishte një fuqi ekonomike më tepër, një mundësi më tepër për të shtrirë Bashkimin Europian në jug të Rusisë. Europa ka frikë nga sfidat  dhe kjo frikë po e gërryen nga brënda duke e treguar të pafuqishme për misionin për të cilën është themeluar.  A mos do të çojë kjo në një shpërbërje të Bashkimit Europian? Veprimi  i Moskës zyrtare tregoi se Europa nuk ka potencialin për të përballuar Rusinë, Europa shfaqet si një mëndësi e vjetër dhe e pafuqishme për të përballuar sfidat e reja, ndryshe prej amerikanëve që mbeten përherë të fuqishëm e të kudondodhur per interesat e tyre vitale. Mirë u tha Bushi i ri europianeve kur nisi sulmi mbi Irakun e Sadamit, me duhet vetëm emri juaj në listë,  se luftën e bëjnë ushtarët amerikanë. E vërteta është se europianet edhe në këtë rast hodhën vickla sepse kishin interesa me Sadamin. Amerika bëri atë që bëri pavarësisht se gjërat në Irak kanë shkuar keq e më keq e gjasat kështu do të shkojnë edhe në Afganistan,  sepse janë popuj të prapambetur, të pazhvilluar dhe as që e kuptojnë demokracinë. Duhen shekuj të arrihen në ato nivele për të cilat u pretendua se do të ndryshonte jeta e popujve arabë.
Në këto kushte, kur në shqiptarët ndodhemi në një vatër zjarri ballkanik, çfarë duhet të bëjmë? Të rrijmë duarkqyq? T’i mbulojmë thëngjinjtë me hi për të krijuar iluzionin se nuk ka më rreziqe për ne? Të bëjmë servilin e kuintave diplomatike europiane, të squllurin, mediokrin, injorantin që pret t’ia zgjidhin punët të tjerët apo të ndërtojmë strategjinë tonë kombëtare dhe të kemi guximin të veprojmë?
Nuk kishte e as nuk ka asnjë arsye të shëndoshë (veç mediokrritetit) që diplomacia jonë në segmentin Tiranë–Prishtinë  të ngulmonte e të ngulmojnë edhe më tej se gjoja populli i Krimesë nuk ka të drejtën e referendumit. Po pse nuk paska të drejtë?  Edhe sikur të mos ketë të drejtë, të paktën ne shqiptarët të heshtim.
Amerika vertetë i dha lirinë Kosovës, mirënjohje të përjetshme kemi për të,  por ama nëse do të vazhdohet kështu me këtë shtet  të Kosovës pa simbole e indentitet kombëtar shqiptar, as në qiell e as në tokë, asgjë nuk është e garantuar për shqiptarët të cilëve u është mohuar vetvendosja nga pakoja Ahtisari sajuar ligsht e jo pa qëllim nga diplomatët europianë.
Por ndodhi Krimea tashmë. Mirë keq nuk na takon ne shqiptarëve të ngutemi e të dalim si gjeli majë plehut për të kënduar e për të thënë se nuk e njohim referendumin e popullit të Krimesë. Përkundrazi të mos ndjehemi,  të mendojmë e t’i themi  vetes se ndodhi një precedent, Krimeja na dha rastin fatlum të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë, të bëjmë një referendum në Kosovë për bashkimin me Shqipërinë. Kësisoj  të vëmë diplomacinë e përgjumur europiane para faktit të kryer. Me europianët vetëm kështu punohet, vetëm kështu binden.  E kjo mund të bëhët sakohë që janë te pranishëm amerikanët në Kosovë, sepse me ikjen e amerikanëve është krejt e qartë se nuk ka më shtet të Kosovës. Rusia nuk besohet se do të ndalojë me Krimenë. Krimeja është vetëm fillimi.  Shqiptarët dalin zbuluar sepse Europa e shet Kosovën veç për një afrim të Serbisë drejt perëndimit.
Ata që sot janë në pushtet e qeverisje në të dy anët e kufirit artificial Kosovë-Shqipëri duhet të zgjohen nga gjumi e deliret, nuk mjaftojnë ca takime folklorike në Prizren e në Vlorë, ështe koha për veprim kombëtar e nëse nuk janë të zotët të përballojnë sfidat le t’i lëshojnë kolltuket. Nuk të zgjedh populli të bësh koncerte apo ekspozita, apo të dërdëllitësh fjalime pa bukë gjimnazistesh,  por të marrësh vendime e të veprosh me guxim në interes të kombit. Ka ngjarje në histori që të krijojnë shanse që nuk t’i japin shekujt. Ato duhen shfrytëzuar. Kosova këtë pranverë a e shumta në verë, me hir apo pahir të Europës dhe mikes sonë Amerikës duhet të bëjë Referendumin e Bashkimit. Ndoshta miqtë tanë përtej Atlantikut nuk do ta miratojnë në aparencë, por ama do ta miratojnë në heshtje sepse është në interesin e tyre gjeostrategjik  një Shqipëri e fuqishme në Ballkan, një aleat i sigurtë e i përjetshëm, e për më tepër fakti i kryer nuk mund të zhbëhet më. Prandaj jo të anatemojmë Krimenë e të merremi pafundësisht me ligjerata shterpë, por të veprojmë sepse falë precedentit të krijuar, Krimeja na zgjoi nga gjumi. Jo të qajmë për ukrainasit,  por të mendojmë e punojmë për shqiptarët e shqiptarinë. Nëse presim të na zgjojnë,  presim të na thonë, të na japin leje, presim të na e sjellin bashkimin të tjerët, jemi të humburit e historisë e nuk e di a meritojmë  edhe më tej emrin e madh që kemi krijuar në histori me Gjergj Kastriotin. Nëse squllemi e zhagitemi,  i tregojmë popujve, miqve dhe armiqve tanë historikë se ne nuk jemi tjetër veç një amalgamë pa indentitet, pa ndërgjegje e pa forcën e duhur për të marrë në dorë kauzën e Bashkimit Kombëtar. Në Kosovë shqiptarët duhet të binden përfundimisht se është sajuar një shtet artificial  e si çdo gjë artificiale e pret zhbërja, prandaj kërkohet në mënyrë imediate bashkimi natyral i Kosovës me Shqipërinë.
Çdo rrugë tjetër ka vetëm një emër: – humbje, bjerrje por edhe diç më të rëndë e diç më të hidhur: tradhti kombëtare.

Gjithësesi mendoj, shpresoj e ngulmoj se është koha e shqiptarëve.

Filed Under: Editorial Tagged With: dhe Kosova, Kolec Traboini, Precedenti Krimea

KOLEC TRABOINI: TRI FESTA, NË NJË DITË…

February 14, 2014 by dgreca

Kur përuroi librat, “E kam Atdheun te porta” e “Dashuri”/

Ne Foto: Nga e djathta: K.Traboini, F.Kulli e M.Gecaj/

Nga MURAT GECAJ/

Nuk ishte hera e parë, që salla kryesore e Ministrisë së Kulturës mblodhi poetë, shkrimtarë e artistë, të cilët ishin nga Tirana, por dhe nga Durrësi. Kësaj here, mikpritësi ishte poeti, shkrimtari e kineasti Kolec Palok Traboini. Në vijim të botimeve të shumta e cilësore të mëparshme, në ditën e shënuar të ShënValentinit, ai solli para të ftuarëve, kolegë, miq e dashamirë, dy libra të rinj poetikë, “E kam Atdheun te porta” e “Dashuri”. Sigurisht, kjo ishte një kanaqësi e veçantë për atë, por dhe për të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari përuruese, që u la atyre mbresa të pashlyera. Po, njëkohësisht, suprizë e bukur ishte njoftimi, që bënë organizatorët se, autori K.Traboini kishte dhe festën e ditëlindjes së tij.

I pari e çeli siparin e kësaj veprimtarie Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj. Pastaj “fjalën e mori” poeti Kolec Traboini, i cili u paraqit me zërin e tij kumbues, përmes ekranit të sallës, duke recituar vetë disa nga krijimet e tij më të zgjedhura, shoqëruar me pamje filmike. Poezi të tilla ishin: “Kohë pa sens”, “Jemi ngapak donkishotë”, “Zemër mbi dallgë”, “Akuarel”, “Gjethe vjeshte” e “Zemra”.

Në vazhdimësi, dolën në foltore disa poetë, shkrimtarë e studiues, të cilët nënvizuan shpirtin e butë, por dhe “rebel” të këtij autori. Pas studiuesit Behar Gjoka, u shpreh me dashamirësi për krijimtarinë e K.Traboinit poetja Fatime Kulli. Traditat atdhetare e arsimore të familjes së vet malësore, ai  i ka shprehur me mjeshtëri në krijimtarinë shumëplanëshe, të pasur dhe të bukur të tij.

Në pamundësi ardhjeje, nga Tuzi, Anton Gjojçaj kishte dërguar mesazh përshëndetjeje. Përmes tij, shprehej për disa vlera të krijimtarisë letrare të K.Traboinit, duke theksuar që këtë udhë autori në fjalë  e nisi në prozë dhe e vijoi me vëllime poetike, ku mbisundon motivi i dashurisë, në të gjitha pamjet e saj. Në fjalën e tij, P.Koçi e quajti poet qytetar, i cili me vargjet e tij shqetësohet për fatet e bashkëkohësve dhe jep mesazhe për më shumë optimizëm e dashuri njerëzore. Për lidhjet e poezive të poetit Traboini me lexuesin, me traditat atdhetare etj., u dal posaçërisht Ilia Dede.

Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, Nikolla Spathari e përshëndeti dhe e përgëzoi autorin e dy librave të rinj, që u përuruan dhe tha se krijimtarinë e K.Traboinit e ka ndjekur e gjithnjë në rritje, që nga vitet ’60-të të shekullit të kaluar. Ndërsa prof.dr. Klara Kodra u bëri analizë profesionale jo vetëm këtyre dy librave, por dhe në përgjithesi krijmtarisë së këtij autori, i cili tashmë ka hyrë natyrshëm në letrat shqipe. Kështu, ndër të tjera, dëshmoi se ai i ka poezitë të çiltëra, të ëmbla e me bazë dashurinë, duke spikatur me individalitetin e vet. Poetja e kineastja Vllasova Musta lexoi temën e saj, “Portreti i poetit K.Traboini, përmes vargjeve të tij”. Në vazhdim, me dashamirësi diskutuan për krijimtarinë e këtij autori, piktorja e poetja Flutura Maçi dhe krijuesi Agim Pipa.

Ndjesi të bukura sollën te të pranishmit, në këtë veprimtari përuruese, edhe recitimet e frymëzuara të disa poezive të K.Traboinit, nga Agim Xheka, Xhelal Luca e Fatime Kulli.

Në mbyllje të këtij tubimi, mikpritësi i tri festave të përbashkëta, Kolec Traboini i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit. Gjatë bisedave të ngrohta, në koktejin e shtruar me këtë rast, me kënaqësi nënshkroi  librat e tij, për kolegë, miq e dashamirë. Këta e uruan  sinqerisht dhe shprehën besimin se, përsëri, ai do t’i mbledhë në ngjarje të tilla të gëzuara.

Tiranë, 14 shkurt 2014

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kolec Traboini, Murat Gecaj, tri festa ne nje dite

NE MBESHTETJE TE POETIT ABDULLAH KONUSHEVCI

May 3, 2013 by dgreca

Ne dhe askush prej atyre që pretendojnë të merren me art nuk mund të jemi indiferent për jetët njerëzore, aq më tepër kur dihet se vetë thelbi i artit është humanizmi, pa këtë domethënie në shtjellim të tij, asnjë lloj krijimi nuk ka vlerë. Në këtë sens mendojmë se problemi për të cilin ngrejnë zërin një grup kolegësh shkrimtarë në Prishtinë është i madh, është në fjalë jeta e një poeti shqiptar nga Kosova, Abdullah Konushevci, dhe diçka duhet bërë patjetër. Nuk mund të bëjmë sikur nuk dimë, nuk mund të vështrojmë nga larg e të mënjanohemi, nuk mund ta braktisë artisti- artistin, shkrimtari -shkrimtarin, poeti -poetin, anipse në pah duhet të jetë dalëzotës Shteti e Qeveria e Kosovës institucionet e kulturës dhe artit. Besoj se ata diç do të bëjmë. Ata, shtetarët e qeveritarët mbahen me parat e taksapaguesve, pra të popullit e ato para duhet të shkojnë për popullin. Eshtë vendi të theksojmë se poetët në mbarë botën e qytetruar dihet se janë ndërgjegja, zemra e shpirti i kombit të vet. Me qëllimi të sensibilizimi i institucioneve dhe qarqet kulturore artistike, eshte hapur një llogaria bankare ne emer të Poetit, që të bëhet diçka për t’ia lehtësuar gjendjen, qoftë nga shteti, qoftë nga bizneset dhe njerëzit që e duan artin.. Të solidarizohemi me poetin Abdullah Konushevci dhe me çdo veprim racional që do të inicohet nga kolegët shkrimtarë dhe poetë të Kosovës, Shqiperise si dhe ne Diaspore.
Bashkangjitur është flaqja me të dhënat e llogarise bankare ku çdo kush mund te jap kontributin e tij..

Një grup miqësh të poetit
Tiranë-Prishtinë, 1 Maj 2013
Raiffesen Bank Kosovo
Prishtina, Kosovo
SWIFT code: RBKORS22
Account: 1501001003721691
Emri: ABDULLAH KONUSHEVCI
Ju mund të shkarkoni në kompiuterin tuaj fotokopjen e xhirollogarisë bankare e me të dhënat që ka ajo mund të kryeni veprimet që dëshëroni për të ndihmuar poetin. Mund të paguhen edhe nëpermjet disa bankave në lidhje në Europë dhe USA sipas të dhenave që ka fotokopja e llogarisë bankare. Ju lutemi shumëfishojeni dhe shpërndajeni ndër miq e shokë kudo në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporën Shqiptare në Europë dhe Amerikë.

Per hollesi e veprime teknike Shkoni ne websitin e Kolec Traboinit:http://traboini-ese.blogspot.com/

Filed Under: Editorial Tagged With: Abdullah Konushevci, Kolec Traboini, ndaj poetit, thirrje per ndihme

DISIDENTI I HESHTUR ZEF ZORBA

January 14, 2013 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/

Në 20 vjetorin e vdekjes se poetit (1920- janar 1993/

– Qëmtime në jetën e poezinë e poetit -/

Tungjatjeta poet, nderim për ty që i thure apoteoze dritës në errësirën me të thellë, ndër mundimet më të mëdha, kur të tjerët që ende mbahen me të madh, ishin puthadorët e diktatorit, apologje të diktaturës, pjellë e kasnecë të errësirës. Ani pse nuk jeton më që nga janari i vitit 1993, sot e në të ardhmen je e do të mbetesh zëri i parë në koralen e lirisë së mendimit e krijimit, ti disidenti i heshtur e i pakompromis në poezi, Zef Zorba!

Shkodra është kryeqyteti i tërë Shqipërisë, shkruante ne vitin 1907, Provinciali i parë i franceskaneve në Shqipëri At Lovro Mihaceviq, franceskan boshnjak. Dhe vazhdonte,….ka një pozitë të mrekullueshme, është vend i shëndetshëm dhe romantik. Këngët popullore askund nuk përshkruajnë aq bukur bukurinë mrekullueshme të natyrës se në këto pak vargje të cilat na rrëfejnë imazhin e pamjes së gjallë e të mrekullueshme të natyrës që rrethon Shkodrën:
Po si na qenka Shkodra në breg të Bunës,
Me ato male e kodra përmbi det,
Plot me fiq e me ullinj,
E me vreshta mbushë me rrush;
Kur shikon përfund të këtij qyteti,
Arat mbushur grurë të bardhë,
Përreth fusha me bar të njomë,
Përmjedis rrjedh i shkon Buna lum…

Natyrisht në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, prej të cilës do ta nis këtë qëmtim për poetin Zef Zorba, Shkodrës i kishte humbur shumëçka nga ky shkëlqim. Aso kohe, në fëmijërinë time tashmë të largët, jetoja me Daden Katrinë e cila, si besimtare e devotshme shkonte përditë në Kishën e Madhe, ku ngrinte meshë nipi i saj Don Ernest Çoba, që më pas ka vdekur në burgjet e diktaturës. E, kur kthehej prej meshe, përmes Serreqit, Dada Katrinë ndalonte tek motra e vet Milena Skanjeti-Zorba, nëna e poetit Zef Zorba. Kur kthehej në shtëpi, si hiqte velin e zi, ulej të shplodhej para se të niste të gatuante dreken. Në atë pak kohë shplodhje, se ishte fort e moçme, ajo më fliste se si e kish kaluar tek familja Zorba, si rritej Lejla e vogël, gëzimi i shtëpisë, i Bepit (se kështu e thërriste nipin e vet Dada Katrinë) dhe Terezinës, e çfarë sherresh të reja kish ba vogëlushja. Kështu Lejla trazovaqe ishte ba jo vetëm shpirti e gëzimi i gjyshes së vet Milena, por edhe i Dadës sime Katrinë.
Milena e Katrina ishin dy prej pesë vajzave e një djali që kishte pru në jetë Motra Tone, Xhokonda e shqiptarëve, motra e Kol Idromenos, e shoqja e italianit Andrea Skanjeti, drejtorit të shkollës Tregtare Italiane në Shkodër, që ka nxjerrë me dhjetra e dhjetra figura madhore në historinë jo vetëm të Shkodrës por mbarë botës shqiptare. Motra e tretë ishte edhe ajo në Shkodër, Orsolina Çoba, nëna e Don Ernestos, e Lecit, Gjylianës, Xhyzepinës dhe, Lindës, që ishte martuar në Itali. Dy vajzat e tjera të Motrës Tone ishin Matilda e Domenika, të dyja të martuara në Kosovë, me të cilat janë ndarë e nuk janë parë më kurrë me njëra tjetrën. Njëra prej këtyre motrave është vrarë me thikë në gjoks prej serbëve, po të njëjtin fat ka pësuar dhe i biri Viktori. Sipas tërë gjasave, njëra prej vajzave të motres Tone të martuara në Kosovë, duhet të jetë gjyshja e Shpresa Gashit këngëtare e njohur në Kosovë. E bija e Zef Zorbës, e vogla Lali kujton se “nga Kosova kana ardhe dikur vonë dhe e kanë takue baben, por se kush e për çfarë ai nuk e zinte në gojë”. Me siguri do të qenë ndonje prej bijëve të tezes së vet. Ndërsa vëllai i pesë motrave, ka qenë Zef Skanjeti, inxhinjer i njohur për punët botore në qytetin e Shkodrës. Ndërkohe që Jak Zorba, burri i Tezës Lenë, gjithmonë është konsideruar një prej njerëzve në zë dhe familje filantropësh. Tokat e veta në bregun e lumit të Kirit, kjo familje shkodrane ja ka falë Kishës dhe kjo e fundit ka ngritur aty vorret e katolikëve, që sot janë pjesa historike monumentale fort në zë i këtij qyteti. Edhe sot në qëndër të varrezave të Rrmajit lartësohet çinari i madh shumëshekullor me emrin Çinari i Zorbës. E sjell këtë hyrje për të vu në dukje se poeti Zef Zorba rrjedh prej një nga familjet aristokratike të Shkodrës, të asaj Shkodre që i thonin edhe Venecia e dytë, qoftë për shkak të rrethimit me ujra, por edhe se ka qenë një qendër me kulturë e tradita të hershme. Kryekreje është qyteti i Teutës, i Barletit e shumë figurave të tjera që vinë nga mijëvjeçarët deri në kohën e re. Në vitet 1800 Buna ishte e lundrueshme dhe aty rrëzë kalasë vinin anije tregtare prej Adriatikut e Mesdheut. Termeti në kapërcyell të atij shekull dhe devijimi i Drinit duke krijuar Drinasen, mbushja e Bunës me aluvione, e izoloi qytetin në një farë mënyre. Por izolimin me të tmerrshëm Shkodrës nuk do t’ja sillnin fatkeqësitë natyrore por ato njerëzore. Vendosja e sundimit komunist e diktatorial vërtetë u konsiderua prej shkodranëve si pushtimi më i egër e me shkatërrimtar që ka pësuar ky qytet ndër shekuj.
E pezull varen/ në tehun e një rrezeje/ qeniet e këputura./Me mallë të mënjanuara,/me pezme/ stërklapen/ me ta këputë shpirtin.( Zef Zorba, vjeshtë 1946).
Nuk mbet asgjë nga ato që përbënin nderin e dinjitetin e këtij qyteti të lashte veç mureve të kalasë. Intelektualët e klerikët studiues të shquar të kulturës shqiptare u pushkatuan a vdiqën burgjeve. U arrit deri atje sa edhe Flamurin që Ded Gjo Luli kish ngritur në Deçiq e tek Kisha e Brigjes në Hot, që ruhej nga Françeskanët, ta marrin e ta djegin sepse ai nuk e kishte yllin me pesë cepa të bolshevikëve të Rusisë.
E na i harruan kushtrimet:/lëmuç mbi njeri tjetrin/ s’u ndienkan për së gjalli ;/ të mos ketë mbetur frymè/ që rishtaz t’i buçasë ?……/ O jetë ! Edhe në zgrip,/shtegtarët e tu/gjithnjë të dashurojnë !
Njëri nga ata që e pësoi prej murtajës së kuqe, ishte dhe i riu intelektual shkodran Zef Zorba. Ish lindur ne 1920, në një familje shkodrane në Bosnjë. Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës, ndjek studimet në Universitetin e Padovës në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Por në vitin 1943 për arsye të ngjarjeve të luftës së Dytë të përbotshme kthehet në Shkodër e nis punën si nënpunës banke. Kish rënë në sy për kulturën e tij të gjerë dhe aftësitë krijuese ndaj ne vitet 1945-1946 e punësojnë regjisor në Shtëpinë e Kulturës Shkodër, ku zhvillon një veprimtari artistike të admirueshme. Por regjimi i ri që nisi të kontrollojë çdo gjë në jetën shoqërore e veprimtaritë kulturore nuk mund të linte që biri i një aristokrati shkodran të drejtonte me sukses trupën e teatrit.
Poeti dhe studiuesi shkodran Anton Çefa, në një analizë të tij mbi disidencën e heshtur të letërsisë nën diktaturë ka theksuar tiparet e poezisë së Zef Zorbës të lindur në kushtet e mungesës së plotë të çdo lloj lirie.
“Zef Zorba – shkruan Anton Çefa, – vuri në skenë pjesën dramatike “Juda Makabe” të Fishtës, e cila trajtonte luftën për çlirim dhe tradhtinë kombëtare, problemet më të mprehta kombëtare, në atë periudhe kur në fshatrat per rreth Shkodrës, në Postribë, në Malësi të Madhe dhe në Mirditë vlonte lufta për të mos rënë nën thundrën komuniste ose për ta përmbysur atë. (Zef Zorba, “Disidenca e parë e organizuar e intelektualëve të Shkodrës”, “Hylli i Dritës”, numër i posaçëm, Tiranë, 1996). Kështu, Zorba e shpalli vetën haptas si disident i regjimit, që porsa kishte filluar të lëshonte rrënjë. Pas vdekjes, nën kujdesin e Stefan Çapalikut, iu botua vëllimi poetik “Buzë të ngrira në gaz”, një përmbledhje poezish lirike të shkruara brenda skajeve të një jete të tërë, prej rreth 40-50 viteve. “Buzë të ngrira në gaz” është shqiptimi i një poetike të lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, pse jo edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend dhe të shkëputur nga bota.”
Tërë ëndrrat dhe pasioniet një ditë ju ngrinë. Nuk shkoi gjatë e për një a dy fjalë të thëna a të pa thëna në mes miqësh artistë të rinj, arrestohet aktorja e re e talentuar Terezina Pali e pas pak edhe i dashuri i saj regjisori Zef Zorba.

Pastaj , n’teater; një Gjido/ i larë në djersë/ përpëlitej i falisur./shkuleshe n’ gaz me të madhe,/por në sy të vetetinte/ stuhia e Shtatorit…/ A të kujtohet.( Terezës)
Ishte shtatori i vitit 1946. Të dy në trupën e teatrit, të pasionuar e talentuar, të dy të dashuruar, të dy të arrestuar në një kohë, të dy në të njëtin gjyq mizorësh e përbindshah të kuq,… e të dy të dënuar me burg. Historia e dy të dashuruarve Zef Zorba dhe Terezina Pali është vertetë një prej dramave me të fuqishme njerëzore në qytetin e Shkodrës, por që gjithsesi falë cilësive të larta morale të këtyre dy të rinjve regjimi nuk arriti tua ktheje jetën në një tragjedi fatale. U përdorën tërë mjetet e mënyrat barbare që dashuria e tyre të thyhej.
I errët ky shteg. Nuk mundem/ rrugën me e gjetë pa dritën/ tande. (Ç’ka më sëmbon?) /Në cep të greminës,/ që josh e ngujon, / a e shef si po lëkundem?/
Por jo. Zef Zorba dhe Terezina Pali që ishin ndarë e burgosur mizorish, sa fituan lirinë u hodhën në krahët e njeri tjetrit. Atë dritë që nuk e gjenin dot në jetën e përditshme sociale e gjetën tek njeri tjetri.
Kur mbetesha vetëm me ty,/ o zemra ime,/netësh të mbarsura me stuhi,/mergime kujtesash në atë dhomë të gjatë,/ pa dritë.( dimër, 1946)
U martuan. Ju lindën dy vajza që i pagëzuan Elena dhe Luçia. Zef Zorba aso kohe u kish thënë njerëzve të familjes se vajzave do t‘u thërriste Lejla dhe Lali. Edhe sot e kësaj dite dy vajzave të Zef Zorbes ashtu u thërrasin. Pas daljes prej burgut, martesës, lindjes së fëmijëve dhe punësimit të tij si llogaritar jeta e tij do të rridhte e qetë. Por veç me një qetësi sipërfaqësore sepse vepra e tij letrare poetike, e botuar post mortum, tregon se shpirti i tij nuk ishte i qetë. Ai e vuante mungesën e lirisë së shprehjes që ishte akoma më e rëndë se ajo e lëvizjes, madje edhe se vetë burgu sepse tek e fundit bëhesh guardiani i shpirtit tënd, i vetëndalimit dhe vetëburgosjes.
Unë nuk vij dot me ty/Nuk kam si shkoqem prej kësi ngujimi/ku frymën e mbaj gjallë/me cirka arsyetimi/ ku foshnja/piqet në djep/prej ethesh përvëluese/ ku jeta-dhuratë përbuzet,/ ku hiqet dreqi me vdekë.( Shkalla e Kakarriqit)
“Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e një intelektuali të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë moderne, duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Hungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T. S. Eliot, dramaturg si Shou. Pirandelo, Uelld, Uajllder, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer, etj., etj.” shkruan Stefan Çapaliku, në shenimin në kopërtinën e fundit të librit “Buzë të ngrira në gaz”.
Vetë poeti ne pasthënien e librit, te shkruar ne vitin 1989 pohon:
“Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër. Konsumatorit të sotëm i kërkohet të jetë si ai vizitori i Luvrit që kuvendon me Da Vincin para Xhokondës, ose si ai që ankon e gladon me Van Gogun para një pejsazhi norman. Ose si lexuesi i Ungaretit që vuan e heq të zitë e ullirit bashkë me poetin në llogoret e luftës.”
Dhe më tej duke shpjeguar platformën e vet estetike shkruan: “Rrugën e “esencialitetit” ose të “Hermetizmit” e kam përqafuar kryesisht sepse ashtu e kam ndjerë mundësinë e dhënies emocionale dhe të krijimit të përfytyrimit vetiak. Njiherit kam këqyrë të mos bie, qoftë dhe pa vetëdije në binarët e “hermetikeve”, sado të adhurueshëm që ato binarë janë… pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qënë një vazhdim i mjerë e i pafrut.”
Kujtoj se me Zef Zorben jam takuar shumë vite të shkuara, aty nga 1970, kur punonin të dy në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Kurrë nuk mund ta mendoja se ai llogaritari që me tefter në dorë numëronte karriget e Ndërmarrjes së Prodhimeve, ishte poeti që zërin e mbyste brenda vetes. Ishte koha kur uturonin shumë rrangalla fjalësh. Edhe ato karrike që po merrnim ishin për sallën e madhe të mbledhjeve të Kombinatit të Drurit në Shkodrës, ku do të buçiste zëri i fuqishëm i partisë “për fitore të reja”. Poeti Zef Zorba, i heshtur, i menduar, do të linte tefterin e ditës për të marrë në dorë tefterin e natës. Por veç, ndërsa në tefterin e ditës shkruhej me gjuhën e karbonit, e të zezës, në mbrëmje poeti shkruante me gjuhën e bardhë të zemrës, me gërmat e të vërtetës si drita.
Tash muzgu sa me vrap/ qullos rrugën time,/(telet e dritës siku janë çartë)/Prej trurit trishtimi/ shkumbëzon e shprazet/ në gjymtyrët e këputura. /Heq këmba këmben zvarrë.
Por a e dinte valle ai madhështinë e punës së vet. Apo thjeshtë shkruante sepse, i privuar prej të drejtës të merrej me art, nuk donte ta linte shpirtin e vet prej artisti të vdesë. E kështu si të burgosurit, për të thyer vetminë në mes të mureve të ftohta të qelisë, flasin me vehte që të mos harrojnë të flasin, të mos harrojnë të dëgjojnë, keshtu dhe ai shkruante e shkruante. Ndoshta për ndonjë shkak tjetër drojes se i flashkej shpirti. Gjithsesi kur të kesh lexuar poezitë e tij, të shkruara në errësirë e në vetmi, do të ndjesh se çfarë masakrimi bënin shkrimtarët zyrtar në poetikën shqipe duke e përdhunuar publikisht. Thënë hapur, poezia shqipe ishte bërë një lavire ku shfrynin epshet kodoshët e realizmit shtatanik socialist. Ndërkohë që e vërteta mbulohej shtat pash nën dhè, këtë dëshirë kishin edhe për dritën, atë dritë që rrezaton në shpirt edhe në fund të dheut po të fusin, por veç asaj nuk kish çfarë ti bënin.
E mjerisht ende sot, ka të vjetër por edhe të rinj që i bëjnë hosana të së shkuarës e lavdërojnë madje edhe surogatot poemezezat e komunizmit, që nuk ishin kurrgjë tjetër por himn i dhunës e gjakut qe rridhte rrkaje neper gjoksin e atdheut, himne për vrasësit qe pushkatonin intelektuale te lidhur dore për dore me tela me gjemba. E ky gjak ende nuk është shpaguar jo vetëm prej kriminelëve që vranë, por as të paktën moralisht nga ata që e himnizuan dhe e poetizuan krimin e përbindshëm të diktaturës komuniste. Krijimtaria poetike të poetit Zef Zorba vlerësohet si “histori e një shpirtit të sakatuar, që jeton duke përtypur shpresë e ironi të vetvetes” në kushtet me të errta të regjimit totalitar, kur, të shkruaje të tilla poezi ishe i destinuar të përfundojë tragjikisht. Zef Zorba, anipse e njohu burgun që në rini të tij, ai edhe me pas guxoi të fliste me vete me një poezi revolte, ani pse kjo revolte që e ndryme brenda vargjesh hermetike si vargoj, ashtu si vetë jeta shoqnore qe e mbyllur hermetikish dhe e izoluar nga bota.
Në këtë mizori e terrinë, falsitet e hipokrizi, kur laperdharët e errësirës thurnin hymn e ditirambe servile për ca shqiponja qielli( kur njerëzit ishin kthyer në krimba shiu), ai meditonte në vetmi të thellë, ku dëgjohej veç prej vetes, si një burim uji mijra metra nen dhè që zemra e tokës e ndjen. Që nga ajo thellësi bulëzonte zëri i poetit Zef Zorba, atij eruditi e njohësi e përkthyesi të letërsisë botërore, që anipse tepër vone u zbulua, shfaqi me plotëri dritën e saj.
Le te citojmë sërisht shkrimin e Anton Cefes: “Në vitin 1996, Zorbës iu dha çmimi “Martin Camaj”, në arsyetimin e të cilit nga komisioni përkatës i përbamë prej albanologut Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut) dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkruar në Shqipni”. (Hans-Joachim Lanksch: “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, 1997 / 1, f. 49-52).”

* * *
Poezi e Zef Zorbës na kujton se sado e errët të jetë koha, sado e drithërueshme shpresa, etja e për dritën kurrë nuk duhet të shuhet e të vdesë. Ky është mësimi i madh që del nga poeti i pashoq i disidencës së heshtur Zef Zorba, zëri i të cilit është vertetë apoteoza e dritës së munguar nën diktaturë, të cilën tashmë, për fatin tonë, fatlumturisht e arritën ta kemi.
Tungjatjeta poet, nderim për ty që i thure apoteoze dritës në errësirën më të thellë ne sistemin qivur të komunizmit diabolik, ndër mundimet më të mëdha, kur të tjerët që ende mbahen me të madh, ishin puthadorët e diktatorit, apologje të diktaturës, pjellë e kasnecë të errësirës. Ani pse nuk jeton më që nga janari i vitit 1993, sot e në të ardhmen je e do të mbetesh zëri i parë në koralen e lirisë së mendimit e krijimit, ti disidenti i heshtur e i pakompromis në poezi, Zef Zorba!(Kortezi “Tirana Observer”)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Disidenca e heshtur, Kolec Traboini, Zef Zorba

MUNGESA E MADHE E DED GJO LULIT

November 27, 2012 by dgreca

Ismail Qemali e quante “Pushkë e ngrehun për Shqipërinë”/

Nga KOLEC TRABOINI/

 Shumçka në këtë 100 vjetor te Pavarësisë po vihet në vendin e merituar. Edhe shpata e përkrenarja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut erdhi nga Vjena që shqiptarët të shohin nga afër armët e burrit më të madh të këtij kombi; erdhi dhe Meshari i të madhit Dom Gjon Buzuku; tashmë Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina janë në vendin që e meritojnë.

Mirë kish qënë të ishte edhe Dom Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi, sepse nuk mund të shkruhet historia pa këto burra. Por ndjehet mungesa e një tjetri që përbën lavdinë e kombit, flamurtarit të madh të 6 prillit 1911, bash e atij që Ismail Qemali e quante “Pushkë e ngrehun për Shqipërinë”, është kryefjala për kreshnikun e Malësisë së Madhe, burrin e panjollë, Ded Gjo Luli që u shkri megjithë familje për shqiptari dhe  i mungon dukshëm këtij jubileu të madh të shqiptarëve të gjithë botës.

Kur ka qënë puna për luftë ai është ndodhur i pari, madje duke dhënë jetën e vet dhe bijve të vet, por tash në paqe e në festime legjitime nuk është. Nuk ndjehet kurrkund. Nuk e përmënd kurrkush në asnjë fjalim a shkrim a thua se ai ishte vetëm heroi ynë, pra i Hotit dhe Malësisë. Por Ded Gjo Luli ka luftuar për Shqipërinë e jo vetëm për Malësinë. Se kështu i tha Deda ministrit të Perandorisë Otomane kur u shfaq në  Podgoricë duke u mburrur se erdha me ju takue:  “S’na ka marrë malli me të pa,  por meqë erdhe dëgjo”,-   e Ded Gjo Luli theksoi : “Ato pika të Librit të Kuq i duam jo veç për vedi e Malësi, por për tanë Shqypni”.  Ky ishte Ded Gjo Luli!

Tash Shqipëria feston e Ded Gjo Lulin po e harron, aq sa u darovitën në Kuvend Popullor plot tituj e ndere. Disa prej të cilëve për katragjyshët e vet, por nga ata luftëtarët e Ded Gjo Lulit asnjë. E vajtueshme kjo pamje. E turpshme përpara historisë. Vërtetë ju dha titulli “Nderi i Kombit”  Malësisë së Madhe, por malësia pa bijtë e vet nuk është gjë tjetër veç një grusht male. Eshtë njeriu pa është mali e fusha, lumenjtë e deti.

Mbi dhjetë vjet më parë, në nje polemikë me titull “Trumani apo Ded Gjo Luli” me milionerin shqiptaro-amerikan Ekerem Bardha,  kam ngritur zërin si hotian më shumë sesa si gazetar, që në atë shesh që ndodhet në rrugën “Ded Gjo Luli”, të mos ngrihet busti i Trumanit siç propozonte Ekerem Bardha, që do ta financonte, por busti i Ded Gjo Lulit. Prej presioneve edhe të malësorëve shqiptarë të Detroitit, Ekerem Bardha u konsultua me Ismail Kadarenë, i cili e këshilloi të tërhiqej duke thënë se aty në rrugën “Ded Gjo Luli” do të ishte mirë të ngrihej monumenti i tij e jo një tjetri. Ekerem Bardha atëherë deklaroi se hiqte dorë nga projekti Truman e madje do të kontribonte me njëmijë dollarë për bustin e Ded Gjo Lulit që do të ngrihej në atë shesh përpara restorant “Piazza” të tij. Qysh atëherë kanë kaluar shumë kohë. Herë pas here e kam ngritur këtë problem jo vetëm në shtyp por në çdo rast që kam patur mundësi, i kam kërkuar angazhim edhe Fondacionit Ded Gjo Luli në New York, por në vesh të shurdhër gjithçka. Edhe sot e kësaj dite ky shesh këndor prapa Muzeut Kombëtar mbetet me karrige kafenesh. Bardha, që tashmë merret me vreshta e prodhimin e verës e ka shitur Piazza-n tek një pronar tjetër, por busti i Ded Gjo Lulit nuk po vihet aty ku i takon. 
Po pse shqiptarët e Amerikës me origjinë prej Hotit e Malësisë së Madhe nuk po ndjehen kurrqysh për këtë punë të monumentit të Ded Gjo Lulit. Shoqata me emrin Ded Gjo Luli në New York bën organizime me shpenzime për turnamente sportive e nuk  po bën kurrnji veprim për të krijuar një fond për këtë monument. Edhe shoqata me të njëjtin emër në Tuz mund të angazhohej me këtë veprim atdhetar anipse Ded Gjo Luli e ka një shtatore në Tuz që sheh përballë malit të Deçiqit. Ndërsa shoqata Ded Gjo Luli në Shqipëri me çfarë kam konstatuar, pas vdekjes se kompozitorit Zef Leka që e mbante me veprimtari, tashmë është inaktive e thuajse nuk ekziston. Sot që Tirana është bërë një qytet i madh ku vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, në mes tyre dhe bijtë e Malësisë së Madhe do të ndjeheshim bash mirë që krahas Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës të vizitonin e të vendosnin një tufë lule në shtatoren e Ded Gjo Lulit. Por ky monument për fat të keq nuk është në kryeqytetin e shqiptarëve të tërë botës.

Këtij kryeqyteti  mjerisht i mungon kryekreshniku i Malësisë së Madhe e i kryengritjeve që sollën Pavarësinë që gëzojmë sot.(Foto: Ded Gjo Luli me të birin Kolën)

 27 nëntor 2012

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: e Ded Gjo Lulit, e madhe, Kolec Traboini, Mungesa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT