• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERALI DUHET TË FLASË

August 12, 2017 by dgreca

– 16 vjet pas masakrës së Shkupit më 7 gusht 2001 -/

1 Gezim Ostreni

Nga Kolec TRABOINI/Padyshim që gjeneral Gzim Ostreni duhet të flasë. Pastaj të nis të zbërthehet zinxhiri i tradhtisë konformë Marrëveshjes disfatiste të Ohrit, që e kishte dështimin që në embrion dhe ishte padyshim strumbullari i tradhtisë që çoi në masakrën e Gazi Babës së Shkupit më 7 gusht 2001. Tepër e rëndë është të vdesësh duke marrë mbi supe si gur varri një tradhti të tillë ku 16 vjet më parë u vranë mizorisht në gjumë 5 djem shqiptarë, luftëtarët e njësitit “Teli-69”, Ndriçim Koxhaj, Pajtim Roçi, Arben Bajrami e Abaz Beqiri, (me pas Adem Hasani), mes tyre legjendari Komandant Teli.

I kam lexuar të gjitha deponimet e Ostrenit në Hagë ku ai nuk kërkon që kjo masakër të hetohet e gjykohet. Mesaduket se do të trazoheshin shumë ujëra, do të dilnin në sipërfaqe e do zbuloheshin rrënjët e tradhtisë që nisi nga shtabi. Kemi lexuar edhe deponimet e Nazim Bushit, komandantit të brigadës 114 të UÇK-së, në Gjyqin e Hagës. Asnjë iniciativë për hapjen e procesit për masakrën e Gazi Babës. Por duhet thënë një e vërtetë. I vetmi që e ka ngritur zërin në Gjyqin e Hagës duke e cilësuar masakrën si një tradhti ka qenë Nazim Bushi.

Po e citojmë:

“Unë mendoj se vdekja e tij (Komandant Telit- shënim im) ishte rezultat i një tradhtia dhe ka një hetimi ende në vazhdim”.

Hetimi që është bërë nga Shtabi i UÇK-së me sa duket ka qenë formalisht sepse po vetë ata, më pas e kanë mbyllur pa nxjerrë asnjë përfundim se kush ua a dha forcave policore maqedone informacionin se ku ndodhej njësiti që drejtohej nga komandant Teli.

Menjëherë pas luftës, u tentua të mbyllej çështja duke vrarë një komandant të UÇK-së me atentat e më pas për ta përpunuar opinionin se i vrari ishte tradhtari. Fati deshi që Komandant Hoxha shpëtoi. E kjo e ndërlikoi akoma më shumë gjendjen e grupimit që përbën bërthamën e tradhtisë se Gazi Babës, por shtoi akoma më shumë ankthin e tradhtisë së madhe që nuk po “zbulohej”, po ashtu nuk po arrihej të mbulohej. Për ta ndihmuar Gzim Ostrenin, ish shefin e Shtabit të UÇK-së ku dihet se u krye tradhtia, për freskimin e kujtesës së plakur tashmë, po i sjellim një rrëfim të një ish ushtari të UÇK-së të dhënë për ne më 11 shkurt 2011, te cilën e kemi në dosjen tonë të kërkimeve e le të na thotë publikisht se sa vërtetë është:

 

“Në një takim me ambasadorin Batler në Shkup dhe Gilbert, F-4 shërbimi EUS, Mekarti F-4 shërbimi EUS, unë i pyeta pse nuk hetohet rasti Gazibaba. Ata më thanë: “Gzim Osdreni ka njoftuar shërbimet relevante se ka grupe të armatosura në Shkup të dala jashtë kontrollit që rrezikojnë Marrëveshjen e Ohrit. Ky ka qenë preteksti që ju kemi lënë dorë të lira forcave maqedonase – tha Ambasadori Batler, që vazhdoi – këtë informatë e kam nga NRO, Shërbimi Mbikëqyrës i Inteligjencies Amerikane.”

 

I bëj thirrje të flasë megjithëse e di se as Gzim Ostreni, as Ali Ahmeti, por as Daim Hiseni që atë natë ka qenë në Shkup (pse vallë la malet atë natë?), as Maliq Ndreca që ka deklaruar mëngjesin e 7 gushtit 2001 se Komandant Teli ishte dezertor dhe ndiqej për tu arrestuar nga policia e UÇK-së. As Faslli Veliu nuk dëshëron të flasë. Beqir Sinani që u muar me hetimin nuk ka pranuar të tregojë çfarë kanë dosjet e tij. Xhezair Shaqiri që ka pranuar të flasë mund të ndihmojë në zbardhjen e kësaj tragjedie. Ndërkohë, ani pse ka pas dijeni të plotë si pjesë e inteligjencës së Shtabit, Haruni Aliu ( Kushtrimi) heshti në të gjallë e nuk mund më të flasë se e kanë vrarë, Ridvan Neziri (Hoxha) për të njëjtën arsye.

Dikush ka qenë e vazhdon të jetë më i interesuar të zhdukë dëshmitarët, që deri diku ja ka arritur, se sa ta zbulojnë bashkëpunëtorët e masakrës. Kësisoj masakra nga tradhti kaloi në konspiracion.

Po edhe heshtja e tyre gjithsesi flet. Dhe populli di të deshifrojë këtë heshtje monstruoze në afro dy dekada. Ndërsa gjashtë luftëtarët e UÇK-së, këta bij të popullit shqiptar, gjendën në varr duke pritur të vendoset drejtësia njerëzore, ani pse brengën e vrasjes tradhtisht në gjumë, nuk ka varr që e tret.

 

12 gusht 2017

Filed Under: Politike Tagged With: duvet et flat, Gjener Ostreni, Kolec Traboini

GEGNISHTJA DHE NJË PROVERB IDHNAK PËR GJUHTARËT TANË

August 8, 2017 by dgreca

1 Traboini_Kukel_Kisha_Ndre_Mjedes_2014

Nga  Kolec TRABOINI/Një proverb shkodran sa historik aq dhe aktual për gjuhëtarët tanë thotë: “Asht idhnue Drishti e s’po na bjen ma qepë”. Sepse Drishti, anipse me një histori të lavdishme deri në kohë të Skënderbeut dhe Venecianëve, që e kishin nën protektorat, ka kenë degradue si qytezë duke u kthyer në një fshat me një lavdi të perëndueme brenda një kështjelle, rrënojat e të cilës janë ende; pra që nuk përmendej ma veç për qepët e veta. Me një fjalë, mbillnin qepë e shihnin andrra me lavdi. Fati tragjik i një sundim-pushtimi afro 500 vjeçar…

Shkodranët, sipas tahmisë tonë, e kanë nxjerrë këtë batutë të bukur, të lëmueme prej kohnave, me nënkuptue se nëse Drishti në idhnim s’po na i shet ma qepët e veta, shkue pas këtij tarbjati pra, ma shumë se neve po damton vedin, sepse tjetër zanat e të ardhuna nuk kanë veç mbjelljes e shitjes së qepëve.

Kjo shprehje e bukur është e ngjashme me të njohurën “Ufulla e fortë then enën e vet”. Nuk e di a ka ndonjë kuptim tjetër që mund të dalë prej kësaj proverbe shkodrane.Kap pas ksaj rrfane, po na duket se kjo përkon aq bukur me Gjuhëtarët e Tiranës (ky Drisht me lavdi mbi rrënoja) që idhnohen nga se nuk po duen me e afrue të bukurën, gegnishten tonë as në fjalor e as në sintaksë e i gëzohen veç një Drejtshkrimi të cunguem e Fjalori mjeran, që ma shumë e turpëron se e nderon Gjuhën Shqipe. Sepse në të leksiku ka 35 mijë fjalë që po të pjestohen me 6 (sepse 6 fjalë janë veç me termin parazit – kooperativë, që nuk e përdor ma kurrkush prej alergjisë kooperativiste enveriane), atëherë përfundimi krejt mjerueshëm na del se jemi në kufinjtë e 6 mijë fjalëve.

Që pra mbrothësia e përparimi ynë për t`u qarë me lotë: gjuha ma e vjetër me rranjë tek etruskët e pellazgët, në ilirishte e mandej po na shfaqet si ma e varfëra gjuhë në Europë, e kjo falë gjuhëtarëve të epokës pa lavdi të Enver Hoxhës.

A thue këta dijetarë të piskatuem nëpër foltore e kanë lexue Fjalorin e Gegnishtes të albanologut e gjuhëtarit të pushkatuem në një shpellë në Gegni në vitin 1946, Dom Nikoll Gazullin? Si nuk po gjendet ky fjalor nëpër librari ku po ngjeshen stivë librat për Enver Hoxhën. Kështu që edhe vepra e viktimës mbetet viktimë edhe pas vdekjes së autorit….e kjo deri në pafundësi. Pse pra?- a ka kush me u përgjigj në këtë vend për këto zezona.

Se kanë pushkatue jo veç poetë, xhelat-padronët e gjuhëtarëve tanë, por edhe gjuhëtarë të vërtetë gegë, që gegnishtja e vrame të mos nxirrte krye ma kurrë. Edhe vorrin me ia hupë, siç banë me Nikoll Gazullin, që falë kujdesit të njerëzve, vendvarrimi u ruajt në kujtesë e eshtnat ma së fundi iu gjendën. A thue edhe me eshtnat e gegnishtes së pushkatueme po ndodh kështu, të lanuna në një varr të harruem.Më këtë nuk mohojmë çfarë është arritur, por atë çka qëllimisht asht anashkalue duke e damtue deri në âsht të bukurën Gjuhën tonë Shqipe.

Nuk hymë në probleme të gjuhësisë se nuk na takon ne, por spjeguem një proverb idhnak, po aq idhnak sa gjuhëtarët tanë që, edhe pse dhuna mbi gjuhën si mbi popullin ka tejkalue tashma, nuk po duen me dalë prej llogoreve të një kohe të perëndueme bashkë me lavdinë e Drishtit, që përdhunshëm zgjedha e historisë e vuni të prodhojë e të shesë vetëm qepë.
*      *      *

Për të shkuar edhe më tej nuk besoj se zhvillimet gjuhësore të një vendi, në kushte moderne vendosen nga poshtë. Nga poshtë nuk vjen kurrgja. “Jeni ju pa jemi ne, o popull” është veç një përrallë tinzare tiranësh, cinizmi i të cilëve nuk ka fund. Demagogjia se vendos populli është një mënyrë e stërhollueme për t`i hedhur hi syve vetë popullit e për ta përgjumur atë sepse ai nuk vendos për kurrgja mbi faqe te dheut. Madje edhe kur thërritet për një kauzë në bulevarde a në sheshe, populli shërben thjesht si mish për top. Nëse nuk mësojmë asgjë nga 21 janari, ku ithtarët e partive kacafyteshin si qentë, tregon se jemi të papërgjegjshëm ose më e pakta mediokër që nuk shohim përtej dy pishave që i lëshojnë halat e tyre përmbi trupa njerëzish.Pra për gjithçka në këtë vend vendoset nga lart. Ashtu si legjislacioni i një shteti vendoset nga lart, nga organet Legjislative, Kuvendi e tjerë edhe Gjuha që është një institucion, nuk mund të vendoset kurrqysh ndryshe. Nga poshtë mund të bëhet vetëm presion nëpërmjet formave mediatike, si për çdo problem tjetër. Po ka një të vërtetë, nëse poshtë heshtet, çështja e inkludimit të gegnishtes në gjuhën e njësuar shqipe anashkalohet e lihet në harrim. Prandaj duhet folur e shkruar anipse bien në vesh të shurdhër. Rreziku më i madh është se si të ikë edhe ky brez, që janë ende afër me gegnishtën, krijohet një hendek e mjegullnajë dhe kjo kauzë do të humbë njëherë e përgjithmonë. Gjuhëtarët e vjetër që janë ithtarë të tosknishtes nga pozicione fanatike, këtë kërkojnë, ta shtyjnë problemin deri në kalandat greke e kjo çështje të vijë duke u shue nëpër vite, deri në harrim. Në fund të fjalës, brezat nisin të mësohen me një trajtë, qoftë kjo edhe e gabueshme dhe shkojnë si tufa atje ku i çon dashi me kumonë i keqqeverisjes..

Falë zotit jemi ende gjallë dhe është koha që me një presion nga poshtë t`i detyrojmë gjuhëtarët e llogoreve të dalin e paqësisht të pranojnë që ata vetë të bajnë korrigjimin e fajit që kanë ba ndaj gegnishtes. Nuk themi që çfarë është arritur të prishet, se nuk jemi në ’91-in, por me urtësi e mençuri të rishikohen gabimet historike, e të mos shkojmë po aq gabueshëm në udhën e përçarjes që na vuri Enveri kur shpalli luftën e klasave edhe në gjuhë, sepse gegët e gegnishtja u shpallën botërisht reaksionare, armike, bashke me Kanunin e Lek Dukagjinit, që ishte pjesa ma e çmueme e kulturës arbërore e që tregonte përpjekjet për civilizim të malësoreve nëpërmjet një kodi që aso kohe nuk e kishte as Europa e zhytur në errësirën e feudalizmit – para se të vinte Rilindja e madhërishme që nxorri titanë.

Sot nuk ka ma asnjë shkak që të ngulmojmë me frymën e imponimit të dhunshëm edhe në fushë të gjuhës, e cila kurrsesi nuk guxon të bahet fushëbetejë klanesh, krahinash, partish apo ideologjish shterpë, aq ma tepër fush përçarjesh jug-veri.

© Kolec P. Traboini

Filed Under: Politike Tagged With: GEGNISHTJA DHE NJË PROVERB IDHNAK, Kolec Traboini, PËR GJUHTARËT TANË

FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA

August 3, 2017 by dgreca

-Si duhet ta kuptojmë Pashko Vasën? /Kolec_Taboini_31_korrik_2017_3Nga KOLEC TRABOINI/Në një debat për një çështje serioze, veçmas ato që janë kombëtare e të nxehta, është e nevojshme të jemi të qetë, të shuajmë pasionet e dominimit dhe përdorimit të sofizmit dhe dogmave. Përballimi i historisë do kurajë. Të vërtetat duan guxim. Analizat duan mendje të kthjelltë e jo stuhi në gotë. Aq më tepër retorika fetare në mediat sociale nuk i sjellin asnjë dobi shqiptarëve. Ndërsa futja e mësimeve fesë në shkolla pa tjetër një absurditet dhe do të funksionojë si një minë me sahat me veprim të vonuar.

Nëse përdoret një stigmatizim për njerëz të kategorisë së Haxhi Qamilit apo Beqir Grebenesë,  kjo nuk do të thotë se ata sillen në shëmbëllesë si fetarë, por si një tufë demagogësh që duke shfrytëzuar fanatizmin fetar të masave injorante, kërkonin të kthenin mbrapsht rrotën e historisë shqiptare, për ta venë sërish Shqipërinë nen suazën e perandorisë së shembur turko-osmane.

Kur nis një diskutim (që mjerisht shumë shpesh degradon në polemika të forta e me një fjalor mjeran nga pamundësia e argumentimit),  që në krye duhet ndare fjala se kush është objekt i stigmatizimit e në këtë rast që sollëm  si shëmbëllesë,  është ajo kategori që Faik Konica i konsideronte “Muhaxhirë”, pra qe kanë ardhur si mish i huaj ne këtë popull shqiptar dhe bëjnë punën e të huajve për ta shkatërruar këtë komb. Një marrëzi e vjetër por e shfaqur dhe artikuluar gjoja si risi është edhe ajo e pjelljes së kombit të ri kosovar, çmenduri me kulisa shovene në Beograd, Athinë e në Ankara. E kush tjetër e dëshiron copëzimin e shkatërrimin e kombit shqiptar më shumë se këta? Lexoni kauzat e tyre shqiptar vrasëse të deklaruara botërisht: “Kosova është Serbi/ Shqipëria e jugut është Greqi /Shqipëria është Turqi.”

Duhet bërë e qartë se është e drejtë të stigmatizohet çdo përpjekje e të huajve që afrojnë me para apo teknike, institucione, me mjete monetare a mënyra të tjera duke përdorur edhe fenë, për të nxitur veprime që çojnë drejte humbjes se identitetit kombëtar dhe drejtpeshimin shoqëror. Nuk ka pse merren nën mbrojtje  edhe kur ato shfaqen nën petkat fetare por kanë qëllime të mbrapshta antishqiptare. Dhe çfarë është më kryesorja, kur flasim për shqiptarë nuk bëhet asnjë dallim fetar sepse fjala ka plotkuptimin e saj. Tendenca e dikujt që të paraqesë fenë para kombit tregon shumëçka e nuk meriton ti jepet vëmendje edhe tendencës së tij për tu paraqitur në rolin e viktimës. Paraqitja e agresorit si viktimë është e njohur edhe në konflikte të mëdha botërore. Hitleri në kërkim të një shkaku për të pushtuar Poloninë përgatiti disa reparte speciale, u mësoi gjuhën polake, i veshi dhe i armatosi si ushtarë polake dhe i dërgoi në territorin polak. Nga atje gjermanët sulmuan postat kufitare gjermane, u vranë sa mundën, gjermanë me gjermanë, por në lajme u dha se trupat ushtarake polake sulmuan Gjermaninë. Duke luajtur rolin e viktimës ushtria naziste e pushtoi Poloninë. Bota bënte sehir.

Prandaj të bëhemi të zgjuar e ti shmangemi një kategorie të tillë njerëzish që shtiren si shqiptarë, por bëjnë punën e armiqve të Shqipërisë, që për hir të parave apo të fanatizmit  fetar kërkojnë të sjellin panik e krisje në mes të shqiptarëve.

Dihet se shqiptarët tashmë kanë familje të përziera sa i përket religjionit, dhe nuk mund ta shtrojmë problemin se po sulmohet një religjion apo një tjetër, sepse kryekreje kjo  nuk është e vërtetë. Nga një anë thonë me mburrje se jemi shumicë, e kur ja do puna thonë se po na persekutojnë. Po nga kush? Nga vetvetja? E përtej kësaj si mund të sulmohet vetvetja pa u quajtur vetëvrasje. Nga ana tjetër  nuk i interesojnë askujt fërkimet mbi baza religjionesh sepse e vërteta është se ata që sulmohen më shumë në Shqipëri prej fanatikeve fetarë janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Dedë Gjo Luli, Idriz Seferi e tjerë që kanë qenë shqiptarë të mëdhenj pavarësisht religjionit fetar që i përkisnin. Të gjithë jemi dëshmitarë për këtë dhe shembujt janë të panumërt kur atdhetarët kanë vënë përpara kombin e jo religjionin. Por çfarë ndodh sot që po sulmohen këta atdhetarë të mëdhenj që përcaktojnë identitetin tonë si shqiptarë? Nuk mund ti fshehim veprimet individuale pas fjalëve e nocioneve të përgjithshme. Krimi ka një emër kur ndodh e ai është emri i autorit të krimit.

Së pari ne jemi të gjithë shqiptarë dhe përkatësia fetare nuk duhet të jetë shenjë e identitetit, por thjeshte çështje besimi. Të mos harrojmë se grupimet e ekstremisteve fetare (që në të vërtetë ekzistojnë, përbëjnë pakice por janë te rrezikshëm) pikërisht atë dëshirojnë, që veprimet e tyre ti kamuflojnë si veprime të gjithë komunitetit ku bëjnë pjesë. Nëse ne do të shkelnim në dërrasë të kalbur duke thënë se Skënderbeun e Nene Terezën, por edhe Dedë Gjo Lulin e sulmojnë myslimanet do të bënim një gabim shumë të madh, që do të thosha tragjik për ardhmërinë e kombit tonë.  Sepse kësisoj do tu krijonim mundësinë këtyre fanatikeve ekstremiste të pështirë në qëllimet e tyre, pra të shfaqeshin si përfaqësues të tërë shqiptarëve të besimit mysliman. Kjo nuk duhet të ndodh. Duhet ta kuptojmë se kjo është një platforme e atyre që duan destabilizimin e Shqipërisë, prishjen e raporteve, shkallmimin e tolerancës. Se kush e dëshiron këtë po dihet. Janë ata që na shtiren si miq ditën e  punojnë si armiq natën, që i ftojmë si historianë e na shfaqen si mercenar idesh të dalë kohe.  Nuk ka nevojë të kërkohet shumë larg, e tregoi këtë agresivitet emisari i errësirës anadollake, një pseudo historian që erdhi nga Turqia për të na sharë e anatemuar Gjergj Kastriotin këtu në Shqipërinë tonë, madje atje ku ndodhet varri i tij pa eshtrat, se eshtrat ja bënë turqit hajmali. Po këtë nuk e bënë shqiptarët myslimanë. Të mos bëjmë lojën e atyre që nuk na duan të mirën duke treguar njeri-tjetrin me gisht, ndërkohë që armiqtë tanë gëzojnë për çdo incident i kësaj natyre që ndodh këtu mes nesh. Armiqtë tanë rrojnë me shpresën e marrë se kjo do të kthehet në një konflikt ndërfetar dhe kështu të realizohen qëllimet që duan. Por tek ne kjo nuk duhet të kalojë. Do të thosha se, para së gjithash njerëzve ndjellakeq brenda apo jashtë nesh duhet tua tregojë vendin se pari vetë komuniteti mysliman shqiptar, por dhe komunitetet e religjioneve të tjera. Është në interesin e tyre por e mbarë shqiptarëve që të mos përlyhet emri i asnjë prej komuniteteve tona fetare prej atyre që nxisin urrejtje dhe shpresojnë të ndezin konflikte ndërshqiptare.

Sa i përket historisë, ajo mund të diskutohet në të gjitha këndvështrimet me qellim që të dalë e vërteta, por jo që të bëjmë transplantime absurde. Nëse marrim si shembull luftën që i bëri komunizmi klerit katolik e ka shpjegimin e vet si nga pikëpamja fetare po aq intelektuale, sepse klerikët katolikë ishin ndër personalitetet më të mëdha të kulturës shqiptare. Pra ngërthehet urrejtja e Enver Hoxhës ndaj çdo gjëje katolike me një urrejtje e frikë nga drita e mendjes dhe aspiratat për liri e të drejta që ata mund të përhapnin në popull. Ndaj mendoj se ata janë martirë jo thjeshtë të fesë, por edhe nga pikëpamja kombëtare. Atdheu ka qenë pjesë e qenësishme e idealit për të cilin i pritën plumbat në gjoks klerikët atdhetarë katolike. Por njëkohësisht ne kemi edhe pjesëtarë të klerit mysliman që janë ekzekutuar si atdhetare prej pushtuesve të huaj. Shembujt janë të shumtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Personalisht kam bërë një shkrim dekada më parë për Hasan Muglicën e Okshtunit, i ekzekutuar nga serbët më 1915. Ai ishte një mësues e një atdhetar para se fetar. Nuk e vranë se ishte hoxhë por se ishte një shqiptar i madh dhe i tillë mbetet në historinë tonë. Prandaj pavarësisht besimit që kemi, figurat kombëtare duhet ti respektojmë pa dallim.  Heronjtë tanë nuk i përkasin religjioneve por panteonit kombëtar. Kjo e vërtetë mund të mos i pëlqej ndokujt që është mësuar ti shoh realitetet me syze fetari fanatik, por kushdo që para së gjithash ndjehet shqiptar, e ndjen të vetën çdo figurë atdhetare pavarësisht se çfarë besimi fetar ka pasur dhe cili ka qenë religjioni si trashëgim i tij familjar.

Ka plot për të diskutuar, por dua të shprehem hapur se nuk i hyj asnjë debati publik nëse që në krye nuk biem në një mendje se fjalët popull shqiptar, katolik apo mysliman, ateist apo monoteiste nuk do ti tollovisim siç bën ajo kategoria e atyre që punojnë si kamikazë të falangave të huaja dhe duan që ta kthejnë Shqipërinë në një fushë beteje të luftërave të tyre idiote, por edhe vrastare së shumti duke u fshehur pas predikimeve fetare. Personalisht në vështrim shoqëror, i mbetem besnik Pashko Vas Shkodrani në thënien e tij monumentale që nuk e di pse nuk gjendën në ndonjë lapidar në qendër të Tiranës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Por paradoksalisht kemi një shtatore qesharake të Sulejman pashës si themelues i Tiranës me ferman të sulltanëve të Stambollit, çfarë rrënon me themel kujtesën historike dhe kauzën tonë si popull arbëror me prejardhje ilirike.

Çfarë duan të thonë me këtë shtatore anadollaku këta mendje mykurit e Tiranës që ju ka bërë truri Turqi e sulltan. Mos duan të na thonë se  para se të vinin osmanët nuk ka pasur histori në trojet arbërore. Mos vallë gjithçka fillon nga ardhja e turqve pushtues, kur me shpatë e me zjarr erdhën Mahmutat, Mehmetat e Mustafatë? Pse nuk ka një rrugë me emrin 300 djemtë martirë të Drishtit që ju prenë kokat prej turqëve në Shkodër në rrethimin e vitit 1478, apo emrat e Llesh e Nikoll Beganit, komandantit trim Jakob Moneta, apo emri i kryearkitektit të kështjellës Donatit, që luftuan e dhanë jetën duke e mbrojtën Shkodrën për dhjetë vjet përballë mizorisë së hordhive të lindjes. Mos vallë jemi mbetje biologjike të pushtuesve barbare të orientit. Pjellë përdhunimesh. Bastardë të huajsh. Kjo tutkunëri ndër disa mendje anadollake djallëzore duhet të marr fund. Ballkanasit po krijojnë histori aty ku nuk kanë, sepse kanë ardhur tejet vonë, ndërsa ne, që na buçet historia nën këmbë, as që duam t’ia dimë apo e harrojmë për qëllime strategjike të atyre që duan që populli shqiptar të mos ketë kujtesë historike, çfarë e bën të lehtë zhbërjen e tyre.

Ajo që na bashkon është historia, erërat le të fryjnë si e ku të duan, shqiptari ka ditur gjithmonë ti presë me gjoks. Thashë shqiptari, sepse për mua asnjë prapashtese, cilësor, apo nuance tjetër bashkangjitur pas këtij emri nuk qëndron. Pashko Vasa nuk ishte katolik. Nuk ishte as mysliman. Nuk ishte ortodoks. Nuk ishte as ateist. Ai kur i shkroi ato fjalë lapidare “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, ishte thjeshtë një shqiptar. E kush është shqiptar i vërtetë e jo i hallakatun, jo tinëzar i shitun por atdhetar i vërtetë, i ndjen thellë në shpirt ato fjalë. Kështu duhet kuptuar Pashko Vasa, e kur them Pashko Vasa kam parasysh çdo shqiptar tej e përtej besimit. Problemi është sa jemi të zot ta meritojmë atë titull nderi.

 

Gusht 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: ËSHTË SHQIPTARIA, feja e shqiptarit, Kolec Traboini

HEQIN SHQIPONJËN E VËNË NJË QAFË PATE NË FLAMURIN E PAVARËSISË

July 12, 2017 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/Alardo Kastrioti 01Një flamur me shqiponjë qafëgjatë si qafë pate na e paska valëvitur në ballkon të Vlorës Plaku Ismail Qemali në 1912. Na paska mashtruar të gjithëve, madje ka mashtruar edhe ata që e kanë parë dhe prekur me dorë atë flamur. Magji u paska bërë Plaku i madh i Vlorës. Nuk i paskan pas sytë në ballë Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Dom Nikollë Kaçorri apo dhe Lef Nosi. Kësisoj si në një lojë kungulleshash, sa të ketë në Tiranë televizione e gazeta, historia ndryshon more tungjatjeta.

Por ky nuk është zbulim por spekulim kokë e këmbë. Megjithëse nuk ka as kokë e as këmbë ky studim i thellë në pus të cekët, por ka veç bisht. Bisht si i dhelprës ardhur ndoshta nga qymezet e fqinjëve ballkanikë, se ata e duan Shqipërinë pa histori. E duan gjithçka të dyshimtë e pa taban. Siç patën shkruar dikur në gazetat e tyre fqinjët ballkanikë, se shqiptarët janë njerëz të egër, janë njerëz me bisht, por ua dha përgjigjen At Gjergj Fishta në një konferencë ndërkombëtare. Le ta lexojmë me vemëndje këtë histori jo vetëm për të qeshur, por edhe për të menduar se në çfarë bataku na duan oreks-mëdhenjtë ballkanas për trojet shqiptare, e gjithashtu si duhet t’ua tregojmë vendin që u takon atyre që na e shtrembërojnë historinë me një të rënë të lapsit.

Rrinte në këmbë Fishta ynë i madh.

I tha kryetari që hapte konferencën

“Ulu Atë!”

Po Fishta ngulmoi të mos ulej duke kërkuar një karrige tjetër me vrimë.

“Po pse e do me vrimë?”- i thanë.

“Të vë bishtin!”- ua ktheu.

Aty ishte dhe shkrimtari serb që kishte shpifur për shqiptarët dhe gjithë salla qeshi me atë shkrimtar shovinist.

Tani erdhi koha të qeshim edhe ne me një skicë të një grafisti të panjohur në vitin 1912, e bërë me nxitim në ndonjë kafene të Vjenës për ndonjë honorar, që sipas një “zbulueseje”, ndryshoka realitetin shqiptar të 28 nëntorit 1912 pas një shekulli e kusur. Kështu tregohen përralla në shtypin shqiptar. Dhe  meseleja e përrallës për flamurin me qafë pate gjen jehonë marramendëse në të gjitha televizionet ordinere që nuk kanë as minimumin e njohurive historike apo të kulturës kombëtare. Dhe historianët profesionistë që marrin rrogat nga paratë e popullit, nëpërmjet taksave qeveritare, heshtin si mumje egjiptiane. Pse të prishin qejf ata. Rrogat i kanë të majme, vetë janë si gica, dhe asnjë njeri në pushtet nuk u kërkon llogari sikur të mos ketë qeverisje në këtë vend. Por piramida e mumjeve është vetë Akademia e Shkencave në Tiranë, që hesht dhe ajo si një varrezë.

Ndoshta dikush ua paguan edhe heshtjen.

Por le të tregojmë diçka për flamurët, por edhe për zbulim-shpifjen për portretin “Motra Tone” që nuk na qenka vepër e Kol Idromenos, por e memurëve të qorollepsjes që nuk dinë çfarë të bëjnë e lozin derën.

Në Vjenë është punuar edhe Flamuri i Deçiqit,  një vit më parë se të botohej ajo grafikë ilustruese në Vjenë, që i turbulloi mendjen “zbulueses” si në librat me përralla për fëmijë, pra në mars 1911. Flamuri i Deçiqit është i fotografuar nga Kel Marubi në verë të vitit 1911, se ndryshe edhe këtë si qafë pate apo si sorrë do të na e përshkruanin zbuluesit e shekullit 21. Por shqiponja në flamurin e Deçiqit nuk është një shpend qafëgjatë. Nga kjo del se qarqet në Vjenë e dinin modelin e flamurit shqiptar, por ai grafisti i gazetës ka punuar kuturu në atë model flamuri të stilizuar dhe tani e mbështet si një realitet i padyshimtë dhe kjo studiuesja jonë në një shkrim që nuk ka të bëjë në asnjë drejtim me argumente apo fakte historike. Dhe këtë skicë që e quajnë zbulim epokal në mediat mediokre të Tiranës, e kemi parë me qindra herë në mediat sociale via internet. Madje këtu e shumë vite me parë se kjo studiuesja që e zbulon në facebook të na e servirte. Por ne kemi thënë se ai që e ka bërë, ka stilizuar se nuk e ka pasur të qartë se cili është flamuri i shqiptarëve. Kështu mosdija kthehet në “dijë” prej mjerimit kulturor bashkëkohor.

Po ju përcjellim në vëmendje një flamur shqiptar i dizenjuar dhe shpërndarë nga Parisi nga Alardo Kastrioti që në vitin 1902, që e konsideronte veten pasardhës të Gjergj Kastriotit. Dy flamurë të tillë dhuratë nga Alardo Kastrioti, siç paraqitet në këtë kartolinë të vjetër të asaj kohe,  i ka sjellë fshehurazi nga Parisi në Shkodër Dom Ndoc Nikaj në vitin 1902.Edhe Flamurin e Deçiqit po Alardo Kastrioti e ka paguar. Prandaj këto hamendësime që në Vlorë është shpalosur një flamur tjetërsoj me shqiponjën si portretet e femrave qafëgjata të Pikasos, pra qafë pate, janë sa të pavërteta po aq dhe groteske.

Çfarë nuk ndodh në këtë konfuzion total në shoqërinë shqiptare ku dëshira e shkatërrimit qenka më zotëruese se ajo e ndërtimit. Hidh një i paditur një gurë në ujë dhe shfaqet zbulimi i shekullit ndër shqiptarë të paditur.

Jo pak ditë më parë kështu e hodhi një gur në ujë të turbulluar edhe një restaurator veprash të kishave mesjetare, kur tha se Kol Idromeno nuk e ka pikturuar Motrën Tone. Dhe ngul këmbë si mushka ne shtyp e intervista të fryra kacek, duke mos sjellë asnjë argument shkencor. Të tillë mohues të vlerave kombëtare nuk ja ndjejnë aspak nevojën arsyetimit, por as dhe fakteve. Mjafton zhagitja  në idenë e ngulitur se ata e vetëm ata kanë të drejtë.

O Tempera o Mores! E dimë nga kemi ardhur, por nuk po e dimë nga po shkojmë me këto pasione mohuese. Mbase e bëjnë se, të pazot të ndërtojnë, duan të bëhen të famshëm e të ngelën në histori duke mohuar e shkatërruar si Neroni.

Etja për lavdi është në zenit në tymnajat e Tiranës. Shpifjet e denigrimet në këtë kohë janë në mode. Kohë të marrësh!

 

12 korrik 2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Heqin shqiponjen, Kolec Traboini, ne Flamurin e Pavaresise, vene paten

Agolli, Konsekuent deri në fund i partishmërisë se vet

February 11, 2017 by dgreca

KUJT JA SHESIM “ZYLON” PËR DISIDENCË?!/
Nga KOLEC TRABOINI/

“Shkelqimi dhe rënia e shokut Zylo”
të Dritëro Agollit e kemi lexuar që në fillim pjesë-pjesë në faqet e revistës “Hosteni”, kur nuk ishte e nuk quhej ende roman, por një satirë nga ato që edhe Qamil Buxheli, Miço Kallamata, Hyskë Borobojka, Dionis Bubani, madje dhe plot të tjerë, bënin me shumicë. Të talleshe me drejtorët e kryetarët e kooperativave të burokratizuar nuk ka qenë ndonjë gjë e ndaluar nga diktatura, përkundrazi stimulohej. E vetmja gjë që bëri Dritëro Agolli është se e ngriti stekën pak me lart, në një drejtori të vogël në rang ministror, kulturor. Megjithatë  nuk ja bëri gjëmën sistemit satira “Zylo”. Përkundrazi. Të mos e shesin  për disidencë, sepse nuk ishte gjë tjetër veç jehonë e luftës kundër burokratizmit pasi që Enver Hoxha mbajti i fjalimin famë-zi, pas të cilit nisi fortuna nëpër institucione. I dërgonte artistët në prodhim dhe në fshat për të punuar me shatë e lopatë. Kinezëri. Pra ajo vepër, “Zylo”,  ishte një ndihmesë e çmuar, si një manual satirik i Partisë për ruajtjen e aparatit komunist nga ndryshku mikroborgjez. Është karakteristikë se në komunizëm e shisnin sapunin për djathë, ashtu si dhe sot apologjetë e letërsisë se real-socit vazhdojnë si baxhoxhinj të sapunit të partisë.
Lufta kundër burokracisë, për të cilin sot nuk flitet aspak, bashkë me tufëzimin kanë qenë ndër iniciativat e përdhunshme të Komitetit Qëndror të PPSH, ndër më barbarët ndaj intelektualëve në qytetet e fshatrat shqiptare. Ndër përçudnimet më të mëdha të regjimit diktatorial.
Prandaj duhet tu thuhet  apologëve të real-socit shtërpë, se Dritëro Agolli, as si njeri e as si vepër,  nuk ka nevojë për avokaturë, nuk ka nevojë  ta mbrojë askush, sepse është punë e kotë dhe kohë e kryer. Duhet pranuar se ai ishte një njeri me karakter të fortë. Kurrë nuk e ka kërkuar këtë ndihmë që duan ti japin, nuk ua ka kërkuar këtë nder as atij takëm pseudostudiuesish, që paturpësisht kanë veshur edhe kostumin e akademikut.
 Dritëro Agolli ka qenë i drejt për drejtë, na pëlqen apo jo. Konsekuent deri në fund i partishmërisë se vet. Personalisht i kam bërë një ese në të gjallë,  “Poetika e Dritëro Agollit”.  Esenë time ai e ka lexuar dhe nuk e kanë pëlqyer në rrethin e vet, por edhe nuk ka reaguar. Gjithësesi unë nuk e kam sulmuar kurrë, siç duan ta shesin lajkaxhinjtë shkrimin tim, por jam munduar të shoh pozicionin e Agollit si krijues në mes absurditetit të dy kohëve, në mes të dy krahëve, disa që e ngrenë në qiell si perëndi e të tjerë që i hedhin përsipër tonelata mëkate. Ai nuk ishte gjeni siç e shesin bejtexhinjtë e televizioneve dhe vjershëtorët e mbetur peng në kohën e Hasan Zyko Kamberit,  as novator, as patriark. Thjeshtë ka qenë një shkrimtar, një poet i natyrshëm, i cili sa i përket lirikave tradicionale të frymës popullore, folk, është i pëlqyeshëm dhe ka vendin e vet në letërsi. Retorikat bajate përtej kësaj janë vetëm punë tifozësh në stadiume, që mblidhen për berihaj.
Sa për “Zylon”, që ta mbyllim aty ku e nisëm, lëreni atë vepër të luftojë kundër burokratizmit se për atë mision u krijua, paçka se duan ti japin oksigjen për të mbijetuar edhe në kohët që nuk i përkasin.

9 shkurt 2017

Filed Under: Komente Tagged With: “ZYLON”, Kolec Traboini, KUJT JA SHESIM, PËR DISIDENCË?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT