NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
PD është në kulmin e krizës të saj të identitetit prej konsumimit të lidërshipit dhe humbjes së besimit tek elektorati.
Në emër të ndryshimit të PD-së pas zgjedhjeve të 2013-tës, Lulzim Basha bëri një riorganizim me bazë vullnetare të partisë, duke mos përfshirë në listën e deputetëve të asaj kohe majën e kupolës që e zëvendësoi me një prurje të re. Ky riorganizim mbështetej po tek dora e fortë e njëshit, që përpilonte listat e deputetëve, duke eleminuar kështu garën free and fair që nga niveli brenda partisë deri në nivelin e deputetëve.
Prej tetë vjetësh Edi Rama ka eleminuar të gjitha shtyllat e shtetit, ka shfrytëzuar pushtetin për afera gjigande korruptive, ka bërë të nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntat pa hasur asnjë pengesë nga opozita, sepse opozita ka krizë përfaqësimi.
E vetmja opozitë ka qenë ajo e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kjo zyrtarja është pa gojë e pa zë, sepse zëri i saj është i pabesueshëm!
Tiranozauri i Shqipërisë do të jetë deri sa opozita do të mbetet një hardhucë, pa emra, pa identitet, pa kauza, pa kredibilitet tek elektorati!
Kjo opozitë, përfshirë edhe Jozefina Topallin me shokë po i japin mandatin e tretë Edi Ramës, duke e rrezikuar të ardhmen e Shqipërisë.
Por veprimi më arbitrar, i ndërmarrë nga lidërshipi i PD është krijimi i një pseudoforumi ilegjitim i ashtuquajtur “Komisioni i vlerësimit të kandidaturave në PD”, ku Lulzim Basha riciklon emra si Besnik Mustafaj, Mark Marku, Genc Ruli që i përjashtoi më 2013. I katërti i këtij komisioni Bujar Nishani deri më 2017 ishte presidenti i Republikës!
Ky komision nuk gëzon respekt në opinion dhe ka fytyrën e një komisioni tutorësh, duke i dhënë këtë fytyrë edhe PD-së.
Kam dëgjuar se ky komision ka përjashtuar Dr.Halim Kosovën, sikur përjashtoi edhe historianin e njohur Romeo Gurakuqi!
Është e papranueshme që fytyra të PD-së të konsumuara nga ndryshku i lluksit të pushtetit, të shkaktojnë kataklizmën e partisë! Një akt që duhej të shmangej!
Tutorët dihet se do të zgjedhin profile që i shkon për shtat tutorizmit të PD dhe jo interesit kombëtar të shqiptarëve!
Nëse në derën e PD qëndrojnë këta katër tutorë, askush nuk do të dëshirojë as të trokasë dhe as të jetë pjesë e kësaj partie!
Sot luhet fati i Shqipërisë! Nëse do të kthehet definitivisht një Republikë Banane apo do të dalë nga vorbulla ku e ka futur kasta politike.
Duket sikur ka një marrëveshje të heshtur midis dy anëve të monedhës, kastës që riciklon pushtetin këto tre dekada duke e kapur shtetin dhe degjeneruar përfundimisht sistemin demokratik!
Komisioni i tutorëve në PD është barrierë për ta kthyer në zero efektin e reformës së sistemit zgjedhor, sepse përjashton të gjithë ata emra që kanë personalitet, integritet dhe simpatinë e elektoratit.
Integriteti i kandidatëve për deputetë është kompetencë e institucionit përkatës, jo e një komisioni ilegjitim, emrat në përbërje të të cilit nuk gëzojnë asnjë lloj reputacioni as në opinionin publik dhe as në elektorat.
Jemi në gjysmën e parë të janarit e zgjedhjet janë tek dera.
Nëse populli kërkon ndryshim, duhet ta dijë se kjo opozitë e paralizuar nga brenda, është në shërbimin e uzurpatorit të të gjitha pushteteve dhe po përgatitet t’ia dhurojë në tabaka mandatin e tretë tiranozaurit Edi Rama.
Kjo është e vërteta!